Connect with Us

Marrëveshja Kosovë-Serbi, test për politikën e jashtme të Donald Trumpit

Blog

Marrëveshja Kosovë-Serbi, test për politikën e jashtme të Donald Trumpit

Publikuar

-

Nga Dimitar Bechev “Al Jazeera”

* Në vitin 2016, Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, me premtimin se do të arrinte marrëveshjet më të mira në dobi të vendit në arenën ndërkombëtare. Megjithatë kur po mbushen 4 vjet si president, shumë nga premtimet nuk janë mbajtur.

As “faza e parë” e marrëveshjes mbi tregtinë, që ai nënshkroi me Kinën pak kohë më parë, dhe as marrëveshja e sapoarritur e paqes me talebanët në Afganistan, nuk janë arritje shumë domethënëse në politikën e tij të jashtme. Por ai mund të shënojë një fitore të madhe në Evropë. Dhe kjo është ajo për të cilën po punon.

Të hënën e shkuar, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi, ishin që të dy në Shtëpinë e Bardhë për një takim me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Robert O’Brajen, dhe ambasadorin amerikan në Gjermani, Riçard Grenëll, që është gjithashtu i dërguari special i Trump për Serbinë dhe Kosovën që nga tetori i vitit të shkuar

Shumë analistë të Ballkanit, e panë atë takim si një shenjë të qartë se presidenti amerikan e ka shprehur pikëpamjen e tij, se Beogradi duhet të normalizojë lidhjet me Prishtinën. Raportet midis Serbisë dhe Kosovës, janë të tensionuara që nga lufta e vitit 1999, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 10 mijë njerëzve.

Forcat e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja ndërhynë për t’i dhënë fund konfliktit. Pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, nuk është njohur nga Beogradi, Rusia dhe 5 vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, ai akt është njohur nga SHBA-ja, dhe më shumë se 100 vende të tjera të botës.

Bindja e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, në këmbim të lëshimeve nga Prishtina, do të zgjeronte ndikimin e SHBA-së në rajon, dhe siç spekulojnë, disa mund t’i sigurojë Trumpit fitimin e Çmimit Nobel për Paqe. Zgjidhja e kësaj mosmarrëveshje, do të nxirrrte BE-në në një dritë negative, duke nënvizuar dështimin e unionit për të zgjidhur tensionet në oborrin e saj të pasmë.

Dhe Grenëll, ka arritur tashmë një lloj përparimi në këtë drejtim. Më 14 shkurt, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ai mbikëqyri nënshkrimin e një marrëveshje për rinisjen e funksionimit të linjës hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ndërtimit të një autostrade të re midis 2 kryeqyteteve.

Një muaj më herët, po Grenëll ndërmjetësoi një marrëveshje që parashikon rinisjen e fluturimeve për qëllime tregtare midis dy fqinjëve ballkanikë. Pastaj, i dërguari i Trump u mor me zgjidhjen e një çështje edhe më delikate: tarifat ndëshkuese që Kosova ka vendosur mbi importet serbe, në kundërpërgjigje të fushatës që Beogradi ka ndërmarrë për anulimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Si pasojë e kësaj fushatë që nga viti 2017, 15 vende kryesisht në Afrikë, e kanë tërhequr njohjen. SHBA-ja dëshiron që Kosova të heqë këto tarifa ndaj Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me CEFTA-n, një marrëveshje rajonale e tregtisë së lirë.

Dhe Prishtina duket se është gati që ta dëgjojë këtë apel. Të hënën e shkuar, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i dërgoi një letër presidentit Trump, ku e informonte se vendi i tij do të heqë gradualisht tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, si një gjest të vullnetit të mirë.

Nuk është ndonjë habi pse funksionon diplomacia amerikane në Kosovë. Uashingtoni ka ende  shumë popullaritet tek shumica shqiptare në Kosovë, ashtu si edhe tek shqiptarët e tjerë që jetojnë në Ballkan, për shkak të ndërhyrjes së vitit 1999. Edhe pse shumë njerëz në Kosovë, janë kundër heqjes së sanksioneve tregtare ndaj Serbisë, ata e shohin Uashingtonin si aleatin e tyre kryesor në arenën ndërkombëtare, ndaj nuk duan që ta mërzisin.

LEXO EDHE:  Biden i bën thirrje Kongresit të miratojë pakon e dytë të ndihmës për COVID-19

Nga ana tjetër, besueshmëria e BE-së në Kosovë ka pësuar një rënie të madhe. Ngurrimi i Brukselit për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës, megjithë plotësimin e të gjitha kritereve teknike, i ka mërzitur shumë kosovarët. Edhe pse shumë gjëra po gatuhen në prapaskenë, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, ka ende shumë sfida përpara.

Hashim Thaçi, që po lobon shumë për një marrëveshje përfundimtare, përfshirë idenë e një shkëmbimi territoresh, ndodhet në një pozitë gjithnjë e më të vështirë. Që nga zgjedhjet e tetorit 2019, Partia Demokratike e Kosovës e Thaçit është në opozitë.

Kryeministri i ri, njëherazi udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, synon të ndjekë një linjë të ashpër ndaj Serbisë. Ai është shprehur hapur kundër planeve të Thaçit dhe Vuçiçit, për shkëmbime territoresh. Kurti ka qenë ndërkohë kritik, edhe ndaj alternativës së ofruar nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, për t’i dhënë një autonomi të gjerë komunitetit serb në Kosovë.

Kurti është i prirur t’i heqë Thaçit primatin e politikës së jashtme të Kosovës. Ministri i tij i Jashtëm, Glauk Konjufca, shkarkoi kohët e fundit ambasadorët e Kosovës në disa nga kryeqytetet kryesore të botës, përfshirë edhe atë në Uashington. Kurti mund t’i bindet herë pas here kërkesave të SHBA, por ai nuk do të nxitojë që të nënshkruajë një marrëveshje me Aleksandër Vuçiçin.

Dhe në fund, “topi” mund të jetë sërish në “fushën” e BE-së. Vëmendja e kufizuar e Trumpit nga tani e tutje, për shkak të afrimit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, do ta shtyjë Kosovën shumë poshtë përparësive të administratës së tij në muajt në vijim.

I dërguari i Trumpit për Kosovën dhe Serbinë, Riçard Grenell, është emëruar së fundmi drejtor i përkohshëm i të gjitha agjensive të inteligjencës amerikane. Detyrat e tij të reja, ka të ngjarë që të shmangin vëmendjen e tij nga Ballkani. Ndërkohë BE-ja, do të vazhdojë që të merret ngushtësisht me tensionet që rriten në oborrin e saj të pasmë.

Në maj, presidenca kroate e Bashkimit Evropian, do të organizojë në Zagreb samitin vjetor BE-Ballkani Perëndimor. S’ka dyshime se Kroacia, do ta vendosë në axhendën e samitin kërkesën e Kosovës për liberalizimin e vizave. Duke marrë një vendim të shpejtë mbi këtë çështje, BE mund të rifitojë besimin e Prishtinës, dhe të jetë sërish ndërmjetësja kryesore në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit pozitive, një pazar i madhe trumpian mbi Kosovën, nuk duket se ka gjasa që të ndodhë. Por, siç e tregon edhe suksesi i përpjekjeve të fundit diplomatike, mund të bëhen shumë gjëra për të ringjallur bisedimet e ngrira për normalizimin e raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës. Meqë administrata Trump nuk ka gjasa të mbetet e fokusuar me të njëjtin intensitet dhe t’i përfundojë negociatat, BE-ja duhet që të rritë përpjekjet e saj për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Vladimir Putin kërcënon Evropën me një dimër të errët dhe të ftohtë

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Ben Hodges & Julian Lindley-French “Center for European Policy Analysis”

Vendimi i një enti rregullator gjerman për të pezulluar punën e gazsjellësit rus ”Nord Stream 2” mund të jetë vetëm prova e parë e vërtetë, nëse Gjermania ka nisur më në fund të mendojë në mënyrë strategjike. Nëse po, është jo pak e vonuar.

Kjo pasi evropianët duhet të rishqyrtojnë me urgjencë çdo politikë, që e thellon varësinë e tyre energjetike nga Rusia, edhe nëse kjo nënkupton mungesën e objektivave në lidhje me emetimit e dyoksidit të karbonit të atmosferë. Do të ishte një gafë e madhe strategjike, të vihej në rrezik liria e kontinentit, vetëm për të përmbushur disa objektiva arbitrare të ndryshimeve klimatike, sado të rëndësishme qofshin ato.

Presidenti Vladimir Putin, do ta përdorë gjithmonë fuqinë që i jep kundërvënia e Evropës ndaj vetes së saj. Synimi i madh strategjik i Kremlinit, është ta detyrojë pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), përfshirë shtetet baltike, të hyjë në një sferë të re të ndikimit rus.

Kjo është arsyeja pse mijëra emigrantë të dëshpëruar, po detyrohen të kapërcejnë kufirin midis Bjellorusisë me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë; se përse ekziston kërcënimi i reduktimit të furnizimeve me gaz në pjesën më të madhe të EQL nga Rusia; pse avionët bombardues bërthamorë rusë fluturojnë poshtë Detit të Veriut dhe në Kanalin Anglez dhe përse rreth 90.000 trupa ruse janë mbledhur në kufijtë lindorë dhe veriorë të Ukrainës.

Kjo qasje ka të bëjë me zbatimin e Doktrinës Gerasimov, përmes së cilës Rusia zbaton njëherazi “maskirovkan” (mashtrimin) dhe “dezinformatsiya” (keqinformimin), bashkë me të ashtuquajturat “masa aktive”, për ta mbajtur Evropën të përçarë dhe të dobët si politikisht ashtu edhe ushtarakisht.

Qëllimi më i menjëhershëm, është të parandalohet që Ukraina ta kalojë “vijën e kuqe” të Rusisë, duke ecur drejt anëtarësimit në NATO. Ky ishte edhe qëllimi i shprehur nga Putin në esenë e tij të shtatorit, në të cilën ai e mohoi se Ukraina ka qenë ndonjëherë një shtet i pavarur, dhe se sipas tij ajo ka qenë përherë një pjesë integrale e Rusisë.

Kjo është gjuhë e rrezikshme dhe që kërkon një përgjigje. Ndonëse presidenti amerikan Xho Bajden i deklaroi se fundmi homologut ukrainas Volodimir Zelenski, se anëtarësimi në NATO është shumë i largët për vendin e tij, integrimi përfundimtar i Ukrainës në Evropën e lirë, duhet të jetë tashmë një synim i përbashkët dhe strategjik i aleatëve perëndimorë.

Përdorimi i  maskirovka  dhe dezinformatsiya,  është një luftë pa luftë. Ai ekziston në zonën gri midis luftës dhe paqes. Ish-komandanti suprem i aleatëve të NATO-s, gjenerali Fil Bredlav, thotë se Rusia e sheh tashmë veten në luftë me Perëndimin, dhe se arma e saj e zgjedhur është keq-informimi.

Ajo është një strategji e qëllimshme luftarake “5D”, që kombinon shkatërrimin e nënkuptuar me keq-informimin, destabilizimin, përçarjen dhe mashtrimin, dhe që drejtohet nga kupola e shtetit rus përmes mesazheve të shumta, dhe shtimit të kërcënimit të forcës.

Me ardhjen e dimrit dhe me Evropën në një lloj kaosi, Putini mund të mendojë se nuk do të ketë kurrë një mundësi më të mirë sesa sot për të shfrytëzuar një “D” të gjashtë, varësinë energjetike. Në fakt, BE-ja është shfaqur i tmerruar nga skenari në të cilin Rusia dhe kukulla e saj, Bjellorusia, reduktojnë furnizimet me gaz në pjesën më të madhe të kontinentit.

Përpjekjet e Kremlinit kohët e fundit për ta detyruar Komisionin Evropian të miratojë gazsjellësin e sapondërtuar por ende të papërdorur “Nord Stream 2” – që kalon në fundin e Detit Baltik – nëpërmjet rritjes së çmimit të gazit, treguan saktësisht se pse Rusia nuk do të jetë asnjëherë një partnere energjitike e besueshme.

LEXO EDHE:  Sekretari për Sigurinë Kombëtare: Kufiri është i sigurtë

LEXO EDHE:  Britania votoi për pavarësi, por ajo po izolohet nga bota



Sikur Gjermania ta udhëhiqte Evropën drejt një mbështetjeje edhe më të madhe tek gazi rus, ajo nuk do të vendoste “lakun” e Rusisë vetëm në qafën e saj, por edhe të pjesës tjetër të Evropës. Deri më sot BE është tallur me retorikën boshe të sovranitetit të bllokut.

Por nëse Brukseli nuk do të mundet të përdorë fuqinë diplomatike dhe ekonomike për t’i bërë presion Kremlinit, që ta ndalë Bjellorusinë nga përdorimi si një armë i emigrantëve të dëshpëruar, ka pak shpresë se ai mund të inkurajohet nga evropianët për të ndjekur ambiciet e tij më madhështore.

Në vend se të përqendrohet tek Lukashenko, BE-ja duhet që ta drejtojë zemërimin e saj drejt Kremlinit. Mjerisht në vend të kësaj, BE-ja preferon të kritikojë polakët mbi mënyrën se si po përballen me një situatë të dëshpëruar, ashtu siç kritikoi së fundmi edhe Ukrainën për  përdorimin e dronëve, për t’u hakmarrë ndaj përdorimit të artilerisë nga Rusia, e cila vret rregullisht ushtarë ukrainas.

Kërcënimi i sanksioneve të BE-së, përfshirë mbi linjat ajrore që dërgojnë emigrantët në Minsk, është i mirëpritur. Por në disa aspekte, ai e ndihmon kauzën ruse, duke krijuar akoma më shumë tension me Turqinë, një nga pikat e tranzitit të emigrantëve.

Po ashtu ekziston mundësia për një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të shpejtë të tensioneve, sidomos nëse rojet kufitare bjelloruse, do të shkaktojnë një konfrontim të armatosur pranë korridorit strategjik jetik Suvalki, që lidh jo vetëm BE-në dhe NATO-n me shtetet baltike, por edhe Rusinë me enklavën e saj të armatosur në Kaliningrad.

Forcat speciale ruse dhe bjelloruse, janë parë duke kryer misione zbulimi në zonat kufitare me BE-në. Veprime të tilla nuk kanë kaluar pa u vënë re në Ukrainë. A do ta pushtojë Putin Ukrainën? Natyrisht, Kremlini e mohon këtë gjë, por edhe Doktrina Gerasimov, mund të nënkuptojë se Rusia s’duhet ta bëjë këtë.

Kërcënimi i forcës, mund të mjaftojë për t’i diktuar sjelljen një Ukraine, e cila është thellësisht e pasigurt për forcën reale të mbështetjes nga “partnerët” e saj evropianë. E megjithatë, Putini e ka përforcuar prej disa muajsh kapacitetin ushtarak të Rusisë rreth kufijve lindorë dhe veriorë të Ukrainës.

Rusia ka tashmë atje të gjithë arsenalin e duhur ushtarake, ndaj nëse vendos të veprojë, Putin mund ta bëjë këtë, dhe madje shumë shpejt. A nuk do të kishte mënyrë më të mirë për Putin sesa të nënshtrojë Ukrainën, të poshtërojë BE-në, të përçajë NATO-n, dhe të sigurojë kësisoj trashëgiminë e tij si rusi “i madh”, që e shpëtoi Ukrainën nga Perëndimi?

Gjithsesi ka pak gjasa që ai ta bëjë këtë gjë. Ish-operativi i KGB-së, e sheh veten si një mjeshtër të madh të shahut strategjik global, kur në fakt loja e tij e vërtetë është një poker me letra. Tragjedia për qytetarët e Evropës Qendrore dhe Lindore është se pozicioni aktual i Rusisë, është kryesisht produkt i ankthit dhe i paaftësisë së Evropës Perëndimore, e cila e ka shndërruar në një forcë iluzore dobësinë e vërtetë të Rusisë. Vendimi mbi “Nord Stream 2”, mund të jetë vetëm shenja e parë, se Evropa është e përgatitur që t’i përgjigjet sfidës së lëshuar nga Moska.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Putin Threatens a Dark, Cold European Winter

LEXO TE PLOTE

Blog

Ishte pronari më i madh i anijeve në botë/ Historia e pazakontë e manjatit grek Aristotel Onazis

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

I fotografuar shpesh teksa mbante syze të veçanta dhe një kostum elegant, Aristotel Onazis (1906-1975) ishte një biznesmen i madh grek që e dominoi transportin ndërkombëtar detar përgjatë viteve 1950-1960. Por rrugëtimi i tij drejt pasurimit dhe famës së madhe nuk ishte gjithmonë aq i lehtë.

Pasi jeta e tij ishte e shoqëruar me tragjedi personale dhe ambicie të tepërt. Por gjatë jetës së tij, Onazis arriti të ngrejë kompaninë më të madhe private të transportit në botë dhe të grumbullojë një pasuri personale përrallore. Nga vitet e fundit të jetës ai u martua menjë nga gratë më të famshme në botë:Zhaklin Kenedi, e njohur më mirë si Xheki Kenedi, e veja e ish-presidentit amerikan Xhon Kenedi.

Katastrofa e Smirnës

Aristotel Onazis lindi në Smirna, qytet në Turqinë e sotme, në vitin 1906 në një familje të pasur që merrej me tregtinë e duhanit. Smirna u rimor nga Turqia gjatë Luftës Greko-Turke të viteve 1919-1922. Nga ai konflikt, familja Onazis humbi shumë prona, teksa u detyrua të mërgonte në Greqi në vitin 1922.

Në shtatorin e atij viti, në Smirna nisi një zjarr i madh kur forcat turke pushtuan qytetin-port, dhe filluan t’i vënë zjarrin shtëpive greke. Ndërsa grekët dhe armenët u arratisën përmes anijeve në port, militantët turq kryen akte të ndryshme mizore. Kur rreth 500 grekë të krishterë kërkuan strehim në një kishë, kjo e fundit u dogj bashkë me njerëzit brenda.

Në mesin e të vdekurve ishin 4 xhaxhallarët e Onazis, tezja dhe vajza e saj.

Pasi i shpëtoi asaj masakre, dhe duke shpresuar ta rindërtonte pasurinë e familjes së tij, Onazis, vetëm 17 vjeç, shkoi në Buenos Aires në Argjentinë. Mbrëmjeve ai punonte si operator centrali për kompaninë britanike të telefonisë në River Plate, ndërsa ditën studionte për tregti dhe administrim portesh.

Duke vënë në jetë atë që mësoi nga librat, Onazis hapi biznesin e tij të parë në sektorin e import-eksportit, duke fituar një shumë të madhe parash, dhe duke shitur duhan në Argjentinë. Në moshën 25-vjeçare, ai bëri të parin nga shumë miliona dollarët që do të pasonin në të ardhmen.

Manjati i transportit

Gjatë viteve 1930, Onazis përfitoi nga Depresioni i Madh, duke blerë 6 anije me një çmim qesharak. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ua dha me qira trupave aleate, teksa pas luftës bleu 23anije të tjera. Flota e tij e transportit arriti shpejt në mbi 70 anije, dhe një pjesë e madhe e pasurisë së tij vinte nga kontratat fitimprurëse me çmime fikse me kompanitë e mëdha të naftës si për shembull “Texaco”.

Gjatë bumit të naftës në vitet 1950, Onazis hyri në bisedime me Mbretin e Arabisë Saudite, për të siguruar një marrëveshje transporti përmes çisternave. Por marrëveshja alarmoi SHBA-në, pasi një kompani amerikano-arabe kishte deri në ato momente monopolin e transportit të naftës.

Për pasojë, Onazis u zhyt shumë shpejt në telashe. FBI nisi një hetim ndaj tij për mashtrim, pas shfaqjes së një flamuri amerikan në anijet e tij, kur këtë gjë mund ta bënin vetëm ata me nënshtetësi amerikane. Si dënim, Onazis duhej të paguante një gjobë prej 7 milionë dollarësh.

Përveç duhanit dhe naftës, Onazis pati sukses edhe në industrinë e gjuetisë së balenave.

Por anijet e tij në brigjet e Amerikës së Jugut, i kushtuan pak vëmendje kufizimeve ndërkombëtare. Ndaj ato u kapën nga ushtria peruane pasi gjuajtën pa leje balenat shumë afër ujërave kombëtare të Perusë.

Madje, peruanët lëshuan bomba që shpërthyen pranë anijeve. Në fund, Onazis ia shiti kompaninë e tij një kompanie japoneze që merrej me gjuetinë e balenave. Duke e zgjeruar perandorinë e tij gjithnjë në rritje, Onazis u zhvendos me banim në Nju Jork. Por më parë ai krijoi një fondacion që inkurajonte tregtinë ndërkombëtare.



Projekti Omega

Onazis mbërriti në Monako në vitin 1953, duke filluar të blinte aksione të Shoqërisë së Monakos (SBM). SBM zotëronte kazinotë, hotelet dhe pronat e tjera në resortin e famshëm Monte Karlo. Por rritja e pushtetit të tij në Monako e përplasi shumë shpejt me Princin e Monakos Rainier në vitet 1960.

LEXO EDHE:  Mediat shpallën Joe Biden fitues/ Donald Trump nuk dorëzohet: Të hënën i drejtohemi gjykatës

LEXO EDHE:  SHBA: Politika paralizon Krishtlindjen

Princi donte qëtë zhvillonte më tej turizmin, duke investuar në ndërtimin e hoteleve të reja, ndërsa Onazis donte që ta mbante Monakon si një resort ekskluziv. Konflikti midis tyre u bë gjithnjë e më i tensionuar, sidomos kur presidenti francez Sharls de Gol nisi një bojkot ndaj Monakos në vitin 1962.

Pasi humbi shumë para dhe aksione në SBM, Onazis ia shiti shtetit aksionet e tij të mbetura dhe u largua nga Monako. Në tetorin e vitit 1968, ai njoftoi nisjen e programit të tij të investimeve prej 400 milionë dollarësh, për të ndërtuar infrastrukturën industriale në Greqi: “Projekti Omega”.

Onazis kishte joshur paraprakisht diktatorin e juntës greke Jorgo Papadhopulos, duke i dhënë hua përdorimin e vilës së tij dhe duke blerë fustane të shtrenjta për gruan e tij. Për fatin e keq të Onazis, përçarjet e brendshme brenda udhëheqjes së juntës, bënë që projekti të ndahej mes investitorëve të ndryshëm, përfshirë edhe rivalin e Onazis në biznes, Stavros Niarkos.

Olympic Airways

Në vitet 1950, shteti grek nuk kishte më mundësi të menaxhonte linjat ajrore për shkak të mungesës së parave dhe grevave të shumta nga punonjësit. Prandaj, linjat ajrore iu shitën investitorëve privatë, njëri prej të cilëve ishte edhe Aristotel Onazis.

Në pamundësi për të përdorur simbolin olimpik që tregon 5 unazat e ndërlidhura për logon e linjës së tij ajrore, Onazis i shtoi një unazë tjetër dhe e quajti kompaninë e tij ajrore“Olympic Airways”. Ajo kohë mbahet mend si një epokë e artë, për shkak të investimit të tij në trajnim dhe në përdorimin e teknologjisë së fundit.

Pol Joanidhis, një nga drejtuesit e “Olympic Airways”, thoshte se Onazis “ishte i martuar me detin, por Olimpia ishte e dashura e tij”. Onazis e drejtoi atë kompani nga viti 1957 deri në vitin 1974, kur përfunduan grevat, dhe kur qeveria krijoi kompaninë “Olympic Airlines”, shoqëruar me një ligj që ndalonte pushimin e punonjësve nga puna.

Xheki Kenedi

Në vitin 1946, Aristotel Onazis u martua me Athina Livanos, vajzën e një manjati tjetër të anijeve, e cila ishte 23 vite më e re se ai. Së bashku ata patën 2 fëmijë: Aleksandrin, që vdiq në vitin 1973 në një aksident ajror, dhe Kristinën, emrin e së cilës mori super-jahti i familjes.

Megjithatë, martesa e tyre përfundoi në vitin 1960 kur Athina e kapi Onazis duke e tradhtuar me një tjetër. Po ashtu biznesmeni i njohur pati një lidhje me këngëtaren greke të operas, Maria Kalas, që nga viti 1957. Më 20 tetor 1968, Onazis u martua me mikeshën e tij të ngushtë Xheki Kenedi në ishullin e tij privat, Skorpios.

Edhe pse ajo ishte një grua e njohur, Onazis mundi t’i ofronte të vesë së ish-presidentit amerikan mbrojtje dhe luks. Martesa e tyre ishte e papëlqyeshme për shumë katolikë konservatorë në SHBA, pasi Onazis ishte një burrë i divorcuar. Martesa i dha ish-Zonjës së Parë të Amerikës pseudonimin “Xheki O”.

Megjithatë, vajza e Onazis, Kristina, e bëri të qartë se nuk i pëlqente aspak Xheki, sidomos pas vdekjes së të vëllait, Aleksandrit. Madje ajo u përpoq ta bindte të atin se Xheki bartte me vete një mallkim, pas vrasjes së vëllezërve Xhon dhe Robert Kenedi.

Aristotel Onazis vdiq në Paris më 15 mars 1975, duke ia lënë 55 për qind të pasurisë vajzës së tij Kristina. Kjo e fundit pranoi t’i jepte Xhekit 26 milionë dollarë, me kushtin që ajo të mos kundërshtonte testamentin e Onazis. Ai u varros në ishullin e tij, Skorpios, së bashku me djalin e tij Aleksandrin. Pjesa tjetër e pasurisë së tij shkoi për Fondacionin e Përfitimeve Publike “Alekandër S.Onazis”./ Historyhit.com-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Udhëheqësit autoritarë po e forcojnë sundimin e tyre, a mund t’i rrëzojë dot kush?

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Nga Jeremy Cliffe “New Statesman”

18 muajt e ardhshëm do të sjellin 3 palë zgjedhje të rëndësishme në nivel ndërkombëtar, në të cilat do të vihet në rrezik mbijetesa e demokracisë në vendet në fjalë. Në prill ose maj të vitit të ardhshëm, kryeministri hungarez Viktor Orban do të përballet në qendrat e votimit me një koalicion të bashkuar opozitar.

Tetorin e vitit të ardhshëm, Brazili do të mbajë zgjedhje, ku do të përballet presidenti i djathtë Zhair Bolsonaro kundër të majtit Luiz Innjacio Lula da Silva. Më pas në Turqi, në gjysmën e parë të vitit 2023, presidenti Rexhep Taip Erdogan duhet të përballet me garën më të vështirë elektorale deri më sot.

Tre udhëheqës autoritarë të famshëm në skenën ndërkombëtarë; tre sfida serioze për sundimin e tyre; tre teste të demokracisë që mund të përcaktojnë epokën që po jetojmë.

Në Hungari, Brazil dhe Turqi, votuesit janë të lodhur nga korrupsioni dhe keqqeverisja. Pandemia e Covid-19 ka minuar seriozisht pozitat e këtyre liderëve autoritarë, nacionalizmi i fortë i të cilëve është dëshmuar të jetë një zëvendësues i dobët i kompetencës.

Në të tre vendet opozita është rishtazi e gjallëruar dhe e sigurt, dhe ka një mundësi të fortë për një ndryshim të lidershipit. Të tre vendet janë demokraci shumëpartiake, në dallim nga Rusia e Vladimir Putinit apo Kina e Xi Jinping. E megjithatë, në të tre vendet, loja anon gjithnjë e më shumë nga liderët aktualë.

Orban, Bolsonaro dhe Erdogan i kanë sulmuar sistematikisht institucionet demokratike të vendeve të tyre. Nuk është aspak e sigurt se votat legjitime kundër ndonjërit prej tyre, do të përktheheshin në tranzicion paqësor dhe të drejtë të pushtetit. Në nivel global, demokracia ka qenë në tërheqje vitet e fundit.

Hungaria, Brazili dhe Turqia, kanë regjistruar një rënie veçanërisht të madhe në këtë aspekt. Por ndonëse sot këto vende simbolizojnë të ashtuquajturin recesion demokratik, dikur lavdëroheshin për zbatimin shembullor të reformave demokratike. Në vitin 1989, ishte Hungaria ajo që siç tha kancelari i atëhershëm i Gjermanisë Perëndimore, Helmut Kol, “hoqi tullën e parë nga Muri i Berlinit”, dhe hyri në epokën e re me traditat më të thella liberale demokratike sesa çdo shteti post-sovjetik.

Edhe Turqia konsiderohej dikur si një fanar i demokracisë, si një shembull se shtetet e Lindjes së Mesme mund të ishin myslimane, por njëherazi edhe anëtarë laikë, demokratikë dhe integralë të aleancës perëndimore. Më 6 janar të këtij viti, kur Kongresi Amerikan po çertifikonte vendimet e Kolegjit Elektoral të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, një turmë mbështetësish të Donald Trump sulmuan Kapitol Hill në Uashington.

Sulmi dhe kaosi që pasoi shkaktoi 5 të vdekur dhe më shumë se 100 të plagosur. Për cilindo qëi kushton vëmendje ndryshimeve në politikën amerikane, ato skena nuk ishin befasuese. Analisti Arieh Kovler, i kishte parashikuar ato në Twitter disa javë më parë. Orban, Bolsonaro dhe Erdogan përballen me perspektivën e humbjes së zgjedhjeve të tyre të ardhshme. Të gjithë e kanë parë nga afër përpjekjen e Trump për ta sfiduar humbjen që pësoi.

Në të tre rastet një “6 janar” tjetër – kur një lider autoritar dhe mbështetësit e tij synojnë të përmbysin një rezultat legjitim të zgjedhjeve kombëtare – është në mënyrë alarmante i imagjinueshëm.

Demokracia në të tre vendet do të vihet në provë. Pasojat e tyre do të orientojnë se si Trump dhe ndjekësit e tij do t’i qasen zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 në SHBA. Budapesti dhe Brazilia sot, Ankaraja nesër, dhe Uashingtoni pasnesër?



Zgjedhjet në Hungari në pranverën e ardhshme, konsiderohen gjerësisht si një mundësi e fundit për të shpëtuar demokracinë e vendit. Orban e filloi karrierën e tij politike në opozitën demokratike liberale kundër komunizmit. Ai ishte për pak kohë student në Oksford, dhe qeverisi si një konservator gjatë mandatit të tij të parë kryeministror në vitet 1998-2002. Por gjatë 3 mandateve të tij të mëtejshme që nga rikthimi në pushtet në vitin 2010, partia e tij Fidesz ka neutralizuar gradualisht institucionet që e bëjnë një demokraci të hapur dhe konkurruese.

LEXO EDHE:  Britania votoi për pavarësi, por ajo po izolohet nga bota

LEXO EDHE:  Nga SHBA-ja tek India/ Pesë vendet, që janë thuajse të pamundura për t’u pushtuar

Ai ndryshoi sistemin zgjedhor për të dobësuar opozitën e fragmentuar hungareze, mbushi gjykatat me besnikët e tij, mbylli mediat e pavarura dhe organizatat e shoqërisë civile, dhe ka përdorur autoritetet shtetërore kundër kundërshtarëve.

Por tani Orban përballet me një sfidë serioze. Menaxhimi i pandemisë ka qenë skandaloz, dhe më në fund BE ka vendosur t`i kufizojë fondet për qeverinë e tij të korruptuar. Opozita e përçarë prej kohësh, ka krijuar tashmë një front të gjerë anti-Orban, duke filluar nga e djathta ekstreme dhe deri tek e majta progresiste.

Më 17 tetor ajo zgjodhi kandidatin e saj për kryeministër Peter Marki-Zaj, një kryetar bashkie konservator dhe të pavarur, që vjen nga një qytet i vogël, dhe që është baba i 7 fëmijëve. Një sondazh i kohëve të fundit e vendosi koalicionin opozitar përpara Fidesz. Por për të rrëzuar Orban, opozita do të duhet të fitojë në rrethana të pafavorshme.

Mediat e vendit që janë në shumicë dërrmuese pro-Fidesz, po i bëjnë jehonë teorive të ndryshme konspirative rreth Marki-Zaj, përfshirë edhe pretendimin se ai është një kukull e Ferenc Gurshani, ish-kryeministrit super të pasur të vendit. Fidesz ka ndërhyrë në listat e votuesve dhe e ka rregulluar hartën e zonave zgjedhore sipas interesave të saj.

Po ashtu ajo kontrollon edhe komisionin qendror zgjedhor dhe Autoritetin e Auditimit të Mediave. Gjithçka e mundshme do të përdoret kundër Marki-Zaj dhe aleancës së tij të gjerë. Ndërkohë, sot mund të harrohet me lehtësi fakti që Erdogan e filloi sundimin si një reformator.

Ai u bë kryeministër në vitin 2003 duke predikuar pluralizmin, demokracinë dhe përparimin drejt anëtarësimit në BE. Por ashtu si Orban, politika e tij është shndërruar në një nacionalizëm përçarës, si dhe në një islamizëm gjithnjë e më politik. Në vitin 2017, Erdogan ndërmori disa ndryshme në Kushtetutë, të cilat çmontuan ndarjen e pushteteve dhe shkatërroi pavarësinë e legjislativit dhe gjyqësorit.

Por ashtu si Orban dhe Bolsonaro, fuqia politike e Erdoganit po bie. Ekonomia turke po kalon nga kriza në krizë. Mbështetja për AKP-në e tij, një parti konservatore fetare me lidhje gjithnjë e më të ngushta me Vëllazërinë Myslimane të Egjiptit, ka rënë deri në 30 për qind në sondazhe, nga 53 për qind në zgjedhjet e fundit në vitin 2018.

Opozita turke është gjithnjë e më e sigurt se do të jetë e aftë ta mposhtë atë në vitin 2023. Ashtu si homologu i saj hungarez, ajo po largon ndarjet e së kaluarës dhe po shkon drejt një fronti të gjerë e të përbashkët kundër këtij udhëheqësi autoritar.

Megjithatë, ashtu si Orban dhe Bolsonaro, edhe Erdogan mund të tentojë ta sfidojë humbjen legjitime. Tani po flitet për ndryshime në ligjin elektoral, kërcënime ndaj liderëve të opozitës përmes padive në gjykatë si dhe për sulme ndaj “armiqve” të Turqisë. Sulmi ndaj 10 ambasadorëve të Evropës Perëndimore dhe Amerikës, ishte vetëm shembulli më i fundit.

Shumë demokraci janë në zonën e rrezikut, duke përfshirë Indinë, Poloninë, Meksikën, Filipinet dhe Afrikën e Jugut. Por ngjarjet e 18 muajve të ardhshëm në Hungari, Brazil dhe Turqi do të na tregojnë shumë rreth tendencave të ardhshme./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE