Connect with Us

 A do të sinjalizojë virusi i ri korona fundin e globalizimit?

Blog

 A do të sinjalizojë virusi i ri korona fundin e globalizimit?

Publikuar

-

A do të përshpejtojë virusi korona tendencën e shkëputjes prej globalizmit të preferuar nga Donald Trump? Henrik Böhme, beson se të paktën mund të pritet një rivlerësim për ndarjen globale të punës. 

Thjesht shikoni një makinë që del nga linjat e montimit në Sindelfingen ose Wolfsburg të Gjermanisë: Qoftë një Mercedes i klasit E ose një Golf VW – “Made in Germany” nuk është më me të vërtetë e prodhuar po në këtë vend. Vetëm rreth një e katërta e të gjitha pjesëve të këmbimit vazhdojnë të jenë nga vetë prodhuesit e makinave, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga furnizuesit e shumtë. Pjesët e këmbimit vijnë nga të gjitha skajet e botës.

Kjo është një sfidë e madhe logjistike. Menaxhimi i zinxhirit të furnizimit nuk është një sipërmarrje e thjeshtë. Dhe, nëse themi, që një kontejer me pjesë këmbimi të prodhuara në Kinë nuk mbërrin në portin e Hamburgut, Sindelfingen dhe Wolfsburgu mund të ketë shumë shpejt një problem të madh.

Skenarë të tillë aktualisht janë duke u analizuar nga shumë kompani në Gjermani dhe më gjerë. Prodhuesit e automjeteve merren me këtë çështje, dhe po kështu edhe prodhuesit e makinave, bizneset e vogla dhe të mesme dhe firmat e regjistruara në DAX (Indeksi gjerman i Aksioneve në Bursë). Tema është bërë virale edhe në sistemin e kujdesit shëndetësor në Gjermani, ku virusi i ri Korona ka bërë që të ndjehen më fort edhe mungesat në furnizimet me ilaçe.

Shumë njerëz po pyesin nëse po përjetojmë ndërkohë fillimin e fundit të globalizmit. A duhet të rivlerësojmë ndarjen globale të punës? A duhet që kombet ta rikthejnë prodhimin në vend? A ka ndonjë alternativë pune për fabrikën globale të konceptuar gjatë tri dekadave të fundit?

Riatdhesimi i prodhimit

Është zhgënjimi i parë ky për të gjithë ata që besojnë, se të gjitha problemet aktuale në botë janë shkaktuar nga globalizimi: Nuk ka zgjidhje të lehtë. Sepse globalizimi ka çuar në një rritje të madhe të pasurisë dhe mirëqenies, dhe jo vetëm në kombet e industrializuara.

Disa kombe ia kanë dalë të shkëputen nga statusi si vende në zhvillim dhe duke u zhvilluar si ekonomi në ekspansion, kanë arritur të nxjerrin me miliona e miliona njerëz nga varfëria ekstreme.

Boehme Henrik Kommentarbild App
Henrik Böhme

Sigurisht që nuk duhet të injorohen problemet që lidhen me kushtet e punës, ose standardet sociale dhe mjedisore. Por nëse dikush në Perëndim kërkon që prodhimi të riatdhesohet, nëse kjo do të ndodhte do të humbisnin shumë vende pune diku tjetër.

Dhe ju lutem jo standarde të dyfishta! Shumë njerëz indinjohen kur Presidenti i SHBA Donald Trump flet për “America first” dhe kthimin e vendeve të punës në Amerikë. Por kur ministri gjerman i Ekonomisë Peter Altmaier ose homologu i tij francez, Bruno Le Maire, flasin për krijimin e më shumë lehtësive prodhuese në Europë dhe kthimin e kapaciteteve kryesore të prodhimit, njerëzit këtu janë shumë më pak të shqetësuar, ose aspak.

LEXO EDHE:  Shqipëria mbetet jashtë hartës së koronavirusit/ 42 raste të testuara rezultuan negative

Por kjo nuk do të thotë se nuk kërkohen ndryshime. Marrim shembull industrinë farmaceutike. Nëse Gjermania, ashtu si Franca, merr rreth 80% të të gjithë përbërësve të nevojshëm aktiv për ilaçe nga jashtë (40% vetëm nga Kina), atëherë duhet ndryshuar diçk në sistem.

Por, të mos harrojmë se si u krijua kjo varërsi. Prodhimi i brendshëm u rrit shumë, por edhe kostot e tij dhe industria u vu nën presionin e jashtëzakonshëm të shpenzimeve për sigurimet shëndetësore. Megjithatë është e gabuar të besosh, se Gjermania është plotësisht në duart e lojtarëve kinezë në shumë degë të industrisë. Ekonomia gjermane si pjesë integrale dhe përfituese nga ndarja globale e punës nuk varet nga ndonjë vend i veçantë. Asnjë prej partnerëve të saj tregtar nuk përbën më shumë se 10% të importeve dhe eksporteve të përgjithshme të vendit përkatësisht, sipas Shoqatës së Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë Gjermane (DIHK).

Kthim në shekullin XIX?

Sigurisht, COVID-19 po i nxit kompanitë të rivlerësojnë hallkat e tyre të furnizimit me qëllim të zvogëlimit të mëtejshëm të varësisë nga aktorët e zgjedhur në treg. Mund të ketë gjithashtu një debat mbi atë se sa i mirë është me të vërtetë koncepti “just in time” apo nëse do të ishte më i mençur kthimi në një politikë të blerjeve në avancë.

Unë nuk jam dakord me kreun e Dhomës së Tregtisë së Bashkimit Evropian në Kinë, Jörg Wuttke, i cili beson se kanë marrë fund kohët që kompanitë të prodhojnë atje ku kjo mund të bëhet në mënyrën më efikase. Veçanërsht kjo mund të ndikonte negativisht në Gjermani si një komb i orientuar nga eksporti.

Prodhimi ekonomik i Gjermanisë ra me 5% në vitin 2009 në kulmin e krizës globale financiare. Humbja do të ishte shumë më e madhe nëse globalizimi do të sprapsej. Kthim tek prodhimi vendas? Kthim në shekullin XIX? E duam këtë vërtetë? Koniunkturë e lartë për proteksionizëm?

Kush e dëshiron vërtetë një gjë të tillë duhet të parashtrojë disa argumenta të forta, për t’u bërë të qartë njerëzve humbjet e mëdha në mirëqenie, që do të ishin të pritshme./ DW

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Studimi/ Ndotja e ajrit, vret më shumë sesa pirja e duhanit, luftërat dhe SIDA

Publikuar

-

Nga

* Ndotja e ajrit, shkakton më shumë vdekje sesa luftërat, pirja e duhanit, dhe sëmundje të tilla të rënda si malarja dhe SIDA. Sipas shumë studimeve, ndotja e ajrit është një vrasëse vërtet e heshtur, që na e shkurton secilit mesatarisht me 3 vjet jetën. Vetëm në vitin 2015, ajo shkaktoi të paktën 8.8 milionë vdekje të parakohshme.

Sa për krahasim, pirja e duhanit shkaktoi “vetëm” 7.2 milionë të vdekur, SIDA 1 milionë, sëmundjet e bartura nga insektet si malarja 600 mijë, ndërsa nga dhuna, përfshirë luftërat, 530 mijë. Alarmi u ngrit nga autorët e një studimi, të botuar në revistën “Studime Kardiovaskulare”, të cilët janë të bindur se ndotja e ajrit është përgjegjëse për një pandemi të vërtetë globale.

Vdekjet nga ndotja, sëmundjet që “peshojnë” më shumë

Shkencëtarët përdorën një model të veçantë, për të vlerësuar se sa “peshon” ndotja mbi numrin vjetor të të vdekurve, dhe në humbjen e viteve të jetës, duke përdorur sa informacionet që kanë lidhje me ekspozimin ndaj ndotësve, po aq edhe të dhëna të tilla si dendësia e popullsisë, rajoni, mosha, dhe faktorët e rrezikut për sëmundje të ndryshme.

Në veçanti, studiuesit u përqëndruan tek pasojat që sjell ndotja e ajrit në 6 kategori të ndryshme sëmundjesh:infeksione akute të frymëmarrjes (si për shembull pneumonia), sëmundje kronike obstruktive pulmonare, kanceri i mushkërive, sëmundje të zemrës , sëmundje cerebrovaskulare, dhe ç’rregullime të tjera të tilla si presioni i lartë dhe diabeti.

Rezultatet treguan se sëmundjet e zemrës dhe ato cerebrovaskulare, janë përgjegjëse për numrin më të madh të vdekjeve, që i atribuohen ndotjes së ajrit. Siç mund ta imagjinoni, ndotja e ajrit prek më shumë njerëzit e moshuar (75 për qind e vdekjeve, prekin njerëzit që janë mbi 60 vjeç) dhe fëmijët nën moshën 5-vjeç në vendet me të ardhura të ulëta.

Ndotja natyrore, përkundrejt ndotjes nga aktiviteti i njeriut

LEXO EDHE:  Infektohet nga koronavirusi/ Humb jetën mjekja anesteziste në Itali

LEXO EDHE:  Shqipëria mbetet jashtë hartës së koronavirusit/ 42 raste të testuara rezultuan negative

Ndërkohë, studimi u fokusua edhe tek shkaqet e ndryshme të ndotjes, duke i ndarë ato në shkaqe natyrore që nuk mund të shmangen, siç është për shmbull rëra e shkretëtirës apo tymi i shkaktuar nga zjarret në pyje, me ato të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore.

Rezultatet treguan se rreth 2/3 e vdekjeve të parakohshme, shkaktohen nga ndotja e shkaktuar nga njeriu, kryesisht ajo për shkak të përdorimit të karburanteve fosile. Nëse hiqet dorë nga këto të fundit, mund të shpëtohen çdo vit 5 milionë e gjysmë jetë njerëzore.

Ndotja si një pandemic globale

Studimi nuk u ndal këtu. Ai u ndal edhe tek efektet e ndotjes së ajrit në rajone të ndryshme të planetit. Pjesa lindore e Azisë, ka rënien më të madhe të jetëgjatësisë, mesatarisht 4 vjet. Në Evropë kjo shifër është 2.2 vjet, ndërsa në SHBA 1.4 vjet. Ndalimi i përdorimit të karburanteve fosile, do të çonte në një rritje prej 1 vit të jetëgjatësisë mesatare.

“Ndikimi i ndotjes së ajrit në shëndetin publik, është shumë më serioz nga sa pritej, dhe ka një ndikim të madh në nivel global. Rezultatet tona, zbulojnë praninë e një pandemie të vërtetë”- thotë Tomas Munzel, autori kryesor i studimit. “Qeveritë dhe komuniteti mjekësor, duhet t’i kushtojnë shumë më tepër vëmendje këtyre të dhënave”- përfundoi ai./ Galileonet.it –Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Marrëveshja Kosovë-Serbi, test për politikën e jashtme të Donald Trumpit

Publikuar

-

Nga

Nga Dimitar Bechev “Al Jazeera”

* Në vitin 2016, Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, me premtimin se do të arrinte marrëveshjet më të mira në dobi të vendit në arenën ndërkombëtare. Megjithatë kur po mbushen 4 vjet si president, shumë nga premtimet nuk janë mbajtur.

As “faza e parë” e marrëveshjes mbi tregtinë, që ai nënshkroi me Kinën pak kohë më parë, dhe as marrëveshja e sapoarritur e paqes me talebanët në Afganistan, nuk janë arritje shumë domethënëse në politikën e tij të jashtme. Por ai mund të shënojë një fitore të madhe në Evropë. Dhe kjo është ajo për të cilën po punon.

Të hënën e shkuar, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi, ishin që të dy në Shtëpinë e Bardhë për një takim me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Robert O’Brajen, dhe ambasadorin amerikan në Gjermani, Riçard Grenëll, që është gjithashtu i dërguari special i Trump për Serbinë dhe Kosovën që nga tetori i vitit të shkuar

Shumë analistë të Ballkanit, e panë atë takim si një shenjë të qartë se presidenti amerikan e ka shprehur pikëpamjen e tij, se Beogradi duhet të normalizojë lidhjet me Prishtinën. Raportet midis Serbisë dhe Kosovës, janë të tensionuara që nga lufta e vitit 1999, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 10 mijë njerëzve.

Forcat e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja ndërhynë për t’i dhënë fund konfliktit. Pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, nuk është njohur nga Beogradi, Rusia dhe 5 vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, ai akt është njohur nga SHBA-ja, dhe më shumë se 100 vende të tjera të botës.

Bindja e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, në këmbim të lëshimeve nga Prishtina, do të zgjeronte ndikimin e SHBA-së në rajon, dhe siç spekulojnë, disa mund t’i sigurojë Trumpit fitimin e Çmimit Nobel për Paqe. Zgjidhja e kësaj mosmarrëveshje, do të nxirrrte BE-në në një dritë negative, duke nënvizuar dështimin e unionit për të zgjidhur tensionet në oborrin e saj të pasmë.

Dhe Grenëll, ka arritur tashmë një lloj përparimi në këtë drejtim. Më 14 shkurt, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ai mbikëqyri nënshkrimin e një marrëveshje për rinisjen e funksionimit të linjës hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ndërtimit të një autostrade të re midis 2 kryeqyteteve.

Një muaj më herët, po Grenëll ndërmjetësoi një marrëveshje që parashikon rinisjen e fluturimeve për qëllime tregtare midis dy fqinjëve ballkanikë. Pastaj, i dërguari i Trump u mor me zgjidhjen e një çështje edhe më delikate: tarifat ndëshkuese që Kosova ka vendosur mbi importet serbe, në kundërpërgjigje të fushatës që Beogradi ka ndërmarrë për anulimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Si pasojë e kësaj fushatë që nga viti 2017, 15 vende kryesisht në Afrikë, e kanë tërhequr njohjen. SHBA-ja dëshiron që Kosova të heqë këto tarifa ndaj Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me CEFTA-n, një marrëveshje rajonale e tregtisë së lirë.

Dhe Prishtina duket se është gati që ta dëgjojë këtë apel. Të hënën e shkuar, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i dërgoi një letër presidentit Trump, ku e informonte se vendi i tij do të heqë gradualisht tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, si një gjest të vullnetit të mirë.

Nuk është ndonjë habi pse funksionon diplomacia amerikane në Kosovë. Uashingtoni ka ende  shumë popullaritet tek shumica shqiptare në Kosovë, ashtu si edhe tek shqiptarët e tjerë që jetojnë në Ballkan, për shkak të ndërhyrjes së vitit 1999. Edhe pse shumë njerëz në Kosovë, janë kundër heqjes së sanksioneve tregtare ndaj Serbisë, ata e shohin Uashingtonin si aleatin e tyre kryesor në arenën ndërkombëtare, ndaj nuk duan që ta mërzisin.

LEXO EDHE:  Koronavirusi/ “Maskat kirurgjikale nuk ju mbrojnë”

LEXO EDHE:  A po e bëjnë rrjetet sociale më të frikshëm Koronavirusin, nga sa është vërtet?

Nga ana tjetër, besueshmëria e BE-së në Kosovë ka pësuar një rënie të madhe. Ngurrimi i Brukselit për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës, megjithë plotësimin e të gjitha kritereve teknike, i ka mërzitur shumë kosovarët. Edhe pse shumë gjëra po gatuhen në prapaskenë, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, ka ende shumë sfida përpara.

Hashim Thaçi, që po lobon shumë për një marrëveshje përfundimtare, përfshirë idenë e një shkëmbimi territoresh, ndodhet në një pozitë gjithnjë e më të vështirë. Që nga zgjedhjet e tetorit 2019, Partia Demokratike e Kosovës e Thaçit është në opozitë.

Kryeministri i ri, njëherazi udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, synon të ndjekë një linjë të ashpër ndaj Serbisë. Ai është shprehur hapur kundër planeve të Thaçit dhe Vuçiçit, për shkëmbime territoresh. Kurti ka qenë ndërkohë kritik, edhe ndaj alternativës së ofruar nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, për t’i dhënë një autonomi të gjerë komunitetit serb në Kosovë.

Kurti është i prirur t’i heqë Thaçit primatin e politikës së jashtme të Kosovës. Ministri i tij i Jashtëm, Glauk Konjufca, shkarkoi kohët e fundit ambasadorët e Kosovës në disa nga kryeqytetet kryesore të botës, përfshirë edhe atë në Uashington. Kurti mund t’i bindet herë pas here kërkesave të SHBA, por ai nuk do të nxitojë që të nënshkruajë një marrëveshje me Aleksandër Vuçiçin.

Dhe në fund, “topi” mund të jetë sërish në “fushën” e BE-së. Vëmendja e kufizuar e Trumpit nga tani e tutje, për shkak të afrimit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, do ta shtyjë Kosovën shumë poshtë përparësive të administratës së tij në muajt në vijim.

I dërguari i Trumpit për Kosovën dhe Serbinë, Riçard Grenell, është emëruar së fundmi drejtor i përkohshëm i të gjitha agjensive të inteligjencës amerikane. Detyrat e tij të reja, ka të ngjarë që të shmangin vëmendjen e tij nga Ballkani. Ndërkohë BE-ja, do të vazhdojë që të merret ngushtësisht me tensionet që rriten në oborrin e saj të pasmë.

Në maj, presidenca kroate e Bashkimit Evropian, do të organizojë në Zagreb samitin vjetor BE-Ballkani Perëndimor. S’ka dyshime se Kroacia, do ta vendosë në axhendën e samitin kërkesën e Kosovës për liberalizimin e vizave. Duke marrë një vendim të shpejtë mbi këtë çështje, BE mund të rifitojë besimin e Prishtinës, dhe të jetë sërish ndërmjetësja kryesore në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit pozitive, një pazar i madhe trumpian mbi Kosovën, nuk duket se ka gjasa që të ndodhë. Por, siç e tregon edhe suksesi i përpjekjeve të fundit diplomatike, mund të bëhen shumë gjëra për të ringjallur bisedimet e ngrira për normalizimin e raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës. Meqë administrata Trump nuk ka gjasa të mbetet e fokusuar me të njëjtin intensitet dhe t’i përfundojë negociatat, BE-ja duhet që të rritë përpjekjet e saj për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Virusi i frikës, shumë më i rrezikshëm se koronavirusi

Publikuar

-

Nga

Nga Ian Buruma “Project Syndicate”

* Në shtatorin e vitit 1923, Tërmeti i Madh i Kantos shkatërroi pjesë të mëdha të Tokios, kryesisht për shkak të zjarreve. U përhapën zëra, të cilat përsëriteshin edhe nga gazetat kryesore, që akuzonin koreanët, një pakicë e përbuzur dhe e varfër, se kishin planifikuar të përfitonin nga katastrofa, duke nisur një rebelim të dhunshëm.

Japonezët më vigjilentë, të armatosur me shpata, shtiza bambuje, dhe madje edhe armë, nisën të eleminojnë çdo njeri që dukej si korean. U vranë gati 6.000 njerëz, ndërsa policia bënte sehir, dhe ndonjëherë merrte pjesë edhe vetë në ato masakra.

Ashtu si ndryshimi i klimës, pandemia COVID-19 është një shembull i përsosur, pse ne njerëzit kemi nevojë për multilateralizëm në një botë të globalizuar. Në vend se të përdorin një racizëm paksa të maskuar, por edhe politikat izoluese, udhëheqësit globalë – veçanërisht Shtetet e Bashkuara – duhej të kishin nisur që javë më parë organizimin e një përgjigje kolektive ndaj kësaj sëmundje.

Ai që përmenda më lart, nuk qe një dukuri unikale japoneze. Turmat që masakrojnë pakicat jopopullore, janë mjerisht tepër të zakonshme. Kur hindutë nisën të vrisnin myslimanët në Nju Delhi kohët e fundit, policia indiane ishte sa pasive, po aq edhe fajtore, sa ishin edhe autoritetet japoneze në vitin 1923.

Por nuk kemi nevojë të shkojmë aq shumë larg në kohë, në historinë evropiane apo amerikane, për të gjetur raste të ngjashme, apo edhe më keq, të linçimit dhe vrasjeve masive. Dhuna iracionale, lind shumë shpesh nga paniku. Dhe paniku, mund të lindë lehtësisht gjatë një krize shëndetësore, apo pas një fatkeqësie natyrore.

Mungesa e informacionit të vërtetë për publikun, mund të çojë në stisjen e teorive konspirative, të cilat bëhen vdekjeprurëse kur politikanët ose media, i nxisin ato me qëllim. Në Japoninë e vitit 1923, Ministria e Brendshme u kërkoi vetë policëve që të merreshin me koreanët, të cilët sipas saj dukej se po e kërkonin vetë belanë.

Në Nju Delhi, një politikan vendas i Partisë Baratija Janata në qeverisjen e vendit, Kapil Mishra, nxiti njerëzit të ushtronin dhunë, duke premtuar se do të dërgonte turmën për të prishur një protestë të qetë të myslimanëve, nëse policia nuk do të vepronte e para me ashpërsi. A mund të ketë pasoja të ngjashme paniku aktual ndaj koronavirusit të ri, COVID-19?

Fatmirësisht, deri më tani nuk ka pasur masakra. Por sjellja e disa politikanëve ka qenë më së paku shqetësuese. Në Itali, lideri i ekstremit të djathtë në opozitë, Mateo Salvini, është shprehur se emigrantët janë një kërcënim për vendin si bartës të virusit, ndërsa kritikoi qeverinë për shpëtimin në det të një numri refugjatësh afrikanë.

Ndërkaq, nacionalistët e ekstremit të djathtë në Greqi, po bëjnë thirrje për ngritjen e kampeve të përqendrimi për refugjatët, që të mbrohet popullsia vendase nga infektimi. Pastaj është presidenti amerikan Donald Trump. Shqetësimi i tij kryesor, është se paniku mbi COVID-19, do të dëmtojë tregjet e aksioneve.

Prandaj, gjëja e parë që bëri ishte akuza ndaj rivalëve të tij politikë për “politizimin” e epidemisë. Kjo nuk është mënyra më e mirë se si duhet informuar publiku, dhe garanton një bazë solide për teoritë e konspiracionit. Djali i Trump, Donald Jr, shkoi më tej duke deklaruar se demokratët shpresojnë që sëmundja të vrasë miliona njerëz, vetëm që të mundin të atin në zgjedhjet e nëntorit.

LEXO EDHE:  Shqipëria mbetet jashtë hartës së koronavirusit/ 42 raste të testuara rezultuan negative

LEXO EDHE:  Koronavirusi nuk kursen as kabinetin qeveritar/ Ministri i Kulturës rezulton pozitiv

Senatori republikan nga Arkansasi, Tom Kotën, njëherazi një kandidat i mundshëm i ardhshëm presidencial, përsëriti spekulimet se qeveria kineze e ka prodhuar vetë COVID-19 si një armë biologjike. Absurditete të tilla, “zbuten” ndonjëherë, kur shkaktojnë shumë bujë në publik. Por dëmi tashmë është bërë. Një miku im në Nju Jork, pa javën e kaluar se si një mashkull i bardhë ndali enkas në rrugë 2 gra me pamje aziatike, për t’u thënë atyre se shpresonte që koronavirusi t’i vriste sa më parë, “ashtu si bëmë ne me njerëzit tuaj në Hiroshima”.

Shumëkush shpreson që shumica e amerikanëve, përfshirë edhe shumicën e meshkujve të bardhë, të tmerrohen nga një sjellje e tillë. Problemi është se kur senatorë të njohur, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, u bëjnë jehonë teorive dashakeqe të komplotit, njerëzit të tillë ndihen të lejuar të thonë dhe të bëjnë gjëra, që në rrethana normale nuk mund t’i bënin.

Dhe nuk duhen shumë njerëz të tillë, që të formohet një turmë e dhunshme. Është kjo arsyeja, pse është e gabuar që njerëzit që kryejnë një mori vrasjesh në emër të një ideologjie racore, politike, apo fetare, të cilësohen thjesht të vetmuar apo të çmendur.

Njerëz si Anders Breivik, që vrau 77 njerëz në Norvegji në vitin 2011, si pjesë e luftës së tij për të shpëtuar Perëndimin nga marksistët, multikulturalizmat dhe myslimanët, mund të jenë në fakt sulmues të vetmuar. Por njerëzit që përhapin teori konspirative, dhe që nxisin të veprojnë vrasës të tillë, duhet të mbajnë të paktën njëfarë përgjegjësie.

E njëjta gjë vlen edhe për ekstremistët myslimanë, që bëjnë thirrje për një ‘luftë të shenjtë’ për të pafetë, apo politikanët që pretendojnë se refugjatët që bartin me vete sëmundje të tmerrshme, janë duke kërcënuar vendet e tyre. COVID-19 është vërtet një kërcënim serioz, ashtu si të gjitha sëmundjet që mund të çojnë në një pandemi.

E megjithatë Trumpi u përpoq të reduktojë buxhetin për Qendrat e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, teksa nuk ka zëvendësuar ekipet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, përgjegjëse për reagimin ndaj pandemive. Presidenti dhe mbështetësit e tij, nuk u besojnë ekspertëve dhe njeriu i caktuar prej tij për të udhëhequr luftën kundër koronavirusit, zv/presidenti Majk Pens, është skeptik në lidhje me shkencën.

Por është shkenca, dhe jo lutjet, e domodoshme për të frenuar një sëmundje që kërcënon sot botën. Ndërtimi i mureve të mëdha, ose mbyllja e njerëzve në kampe përqendrimi, përveçse janë akte çnjerëzore, nuk janë mjete efektive. Dhe shfrytëzimi i krizës për të nxitur urrejtje, mund të ketë pasoja vdekjeprurëse.

Ajo që na duhet është ekspertiza, bashkëpunimi ndërkombëtar, dhe fjalët e udhëheqësve tanë politikë, që synojnë të qetësojnë frikën e njerëzve. Mjerisht në shumë pjesë të botës, po shohim të kundërtën./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE