Lajme
Nga Armir Shkurti/ Ç’është më i rrezikshëm se coronavirusi

Më zarar mund të bëjë ilaçi se vetë sëmundja në këtë rastin e coronavirusit. Domethënë trajtimi i epidemisë. Mbyllja e shkollave sot i hodhi vellon gri Tiranës. Më shumë maska, sirena ambulancash dhe teori konspirative. Madje një astrolog parashikonte edhe një nivel të fundit që do të na kthente në zombi. Të qeshurat e batutat thjesht janë kamomil për të qetësuar sa të mundemi veten prej ankthit e panikut.
Por për sa kohë?
Pas pacientit zero (ndryshe nga bota në fakt, ne patëm dy zero) po flitet për karantinë, vetkarantinë, maska, ilaçe dhe…natyrisht për mungesat. E para punë që në gjithë botën bëjnë njerëzit, blejnë rezerva. Në Nju Jork , më tregon një koleg që jeton aty, nuk gjeje ujë dhe letër higjenike nëpër markete. Pra kërcënimi më i dukshëm është vërshimi nëpër dyqane dhe zbrazja e rafteve, me qëllim krijimin e rezervave. Raftet bosh apo mungesat natyrshëm shtojnë panikun e nga ana tjetër ngrenë çmimet. Nëse zbatojmë një plan të ngjashëm me Italinë, pra kufizime në lokale e vende publike e nga ana tjetër , prej situatës
1. Nuk shpenzojmë më para as në bare e as lokale e as me blerje që nuk janë doemosdoshmëri,
2 . Nuk shkojmë nëpër punëra për shkak se shumë prej tyre duhen mbyllur, atëhere ekonomia një Zot e di se ku do të gremiset.
Në këtë skenar kontrolli mbi rendin bëhet jashtëzakonisht i vështirë, për shkak se paniku dhe kriza do të prekte të gjithë vendin. Në situata të tilla (kujtojmë vitet ’90, ’91, ’92, ’97 ) mjafton një thashethem për të djegur një qytet. Të mos harrojmë se edhe policët , edhe mjekët, edhe infermierët, njerëz janë. Mund të preken vet, si prej virusit ashtu edhe prej panikut apo përdorimit të panikut prej të tjerëve. Të mos ju duken fantashkencë , sepse dje në televizionet publike italiane transmetoheshin lajme për revolta në disa burgje të atij vendi…Dhe këtu nuk po e zgjas më tej, sepse ne nuk është se nuk e kemi parë ndonjëherë këtë film.
Ndaj më shumë se virusi dhe vdekja prej tij mua personalisht më dëshpëron pasojat në ekonomi, jetën sociale, sjelljen sociale, kriminalitet, rend, stabilitet. Në SHBA këshilli i sigurisë kombëtare s’mbahet mend sa herë është mbledhur. Ne jemi hala me konferenca shtypi, tweeter e facebook./ CNA.al