Connect with Us

Masakra e Katinit/ Kur Stalini firmosi shfarosjen e elitës polake

Blog

Masakra e Katinit/ Kur Stalini firmosi shfarosjen e elitës polake

Publikuar

-

Blitzkrieg-u (sulmi rrufe) i Gjermanisë naziste mbi Poloninë, nisi më 1 shtator 1939. 16 ditë më vonë, 650 mijë ushtarë rusë – që vepronin nën Paktin e Mos-sulmimit Molotov-Ribentrop – e sulmuan Poloninë nga lindja, duke pushtuar gjysmën e territorit të saj.

Rusia pretendoi se Polonia kishte pushuar së ekzistuari si shtet, dhe se ajo duhej të kujdesej për njerëzit e saj. Realiteti ishte tmerrësisht ndryshe. në fillim, rreth 500 mijë të burgosur polakë, ukrainas dhe bjellorusë u morën nga sovjetikët, ndërsa më 19 shtator 1939, Rusia ngriti Zyrën e të Burgosurve të Luftës, të drejtuar nga NKVD (më vonë KGB-ja) e frikshme.

Edhe pse më vonë u liruan 350 mijë robër të keqtrajtuar, më shumë se 40.000 të burgosur polakë mbetën të mbyllur në 3 kampe paraburgimi. Dhe gati 30.000 prej tyre do të vriteshin në një plan të hartuar enkas për ta shkatërruar ushtrinë polake, përmes eleminimit të shumicës së udhëheqësve të saj.

Masakra e Katinit siç u bë e njohur më vonë, filloi në pranverën e vitit 1940. Më 5 mars 1940, në bazë të një shënimi për Josif Stalinin nga shefi i shërbimit sekret Laventri Beria, 6 anëtarë të Byrosë Politike Sovjetike – Stalini, Molotovi, Kaganoviçi, Voroshillovi, Mikojani dhe Kalini – nënshkruan një urdhër për të ekzekutuar 25.700 “nacionalistë dhe kundërrevolucionarë polakë”, që mbaheshin në kampe dhe burgje në Ukrainën dhe Bjellorusinë Perëndimore.

Udhëheqja sovjetike, dhe Stalini në veçanti, i konsideronin të burgosurit polakë si një “problem”, pasi ata mund të rezistonin duke qenë nën sundimin sovjetik. Ndaj urdhëruan ekzekutimin e 8.000 anëtarëve të Korpusit të Oficerëve Polakë, 6.000 oficerëve të lartë të policies, dhe 8.000 anëtarëve të inteligjencës polake.

Midis atyre që u vranë në ato ditë ishin pronarë të mëdhenj tokash dhe të fabrikash, avokatë, zyrtarë publikë dhe klerikë të njohur. Vrasjet në Katin, përfshinin 20 profesorë universitarë, 300 mjekë, disa qindra avokatë, mësues dhe profesionistë të tjerë, 100 shkrimtarë dhe gazetarë, dhe gjysmën e Korpusit të Oficerëve Polakë, përfshirë 14 gjeneralë, 24 kolonelë dhe 258 majorë.

Për të bërë një krahasim, kjo do të nënkuptonte sot vrasjen e kryeministrit, ministrave, politikanëve dhe personaliteteve më të njohura të një vendi.

Masakra ishte një goditje e qëllimshme, që synonte të dëmtonte emocionalisht vendin, dhe ta zhyste shoqërinë polake në një depresion të thellë psikologjik. Ata që ishin vënë në shënjestër do të zhdukeshin pa gjurmë, duke i lënë familjet e tyre pa asnjë informacion lidhur me fatin apo vendndodhjen e tyre.

Kjo është pikërisht ajo që arriti Rusia me persekutimin ndaj Polonisë, dhe që i shërbeu mjaft mirë qëllimeve të saj kur mori kontrollin e plotë të këtij vendi pas Luftës së Dytë Botërore. Si për ironi, ishin nazistët, ata që duke injoruar shkeljet e tyre të tmerrshme si masakra e vitit 1941 e 33.771 hebrenjve në Babi Jar të Ukrainës, që bënë për herë të parë publike tmerret e Katinit, duke ngritur një komision për të hetuar varret masive që kishin zbuluar.

LEXO EDHE:  Si luftohet terrorizmi i ekstremit të djathtë

Në prillin e vitit 1943, kur Gjermania pushtoi Smolenskun, oficeri i inteligjencës Rudolf von Gersdorf zbuloi një gropë të thellë në Pyllin e Katinit aty pranë. Ai mbikëqyri gërmimet që zbuluan trupat e rreth 4.243 të burgosurve polakë, secili i vrarë me një të shtënë në pjesën pasme të kokës.

Ishte zbulimi i tij që çoi në fund në zbulimin e vrasjes së më shumë se 27.000 të burgosurve polakë, të arrestuar pas pushtimit rus. Josif Stalini, një nga nënshkruesit e urdhrit të ekzekutimit, i kishte dhënë një kopje të tij majorit Vasili Blokin, që ta zbatonte atë.

Dhe Blokin e zbatoi me një zell të madh. Me urdhër të tij, të burgosurit u rreshtuan në Pyllin e Katinit, dhe më pas u qëlluan në pjesën e pasme të kokës, teksa trupat e tyre grumbulloheshin njëri pas tjetrit në një gropë të hapur. Blok kreu personalisht vrajen e mbi 7.000 të burgosurve polakë.

Ata u transportuan në Kalinin, rreth 300 kilometra larg, ku Blokin kreu kryen nga 300 vrasje çdo ditë për 28 ditë rresht brenda një dhome të quajtur “Dhoma Leniniste”. Ai përdori qëllimisht një pistoletë të kalibrit gjerman “Ëalther 25”, për të hedhur dyshime mbi nazistët.

Përgjatë viteve të luftës dhe më gjerë, thuhet se Blokin vrau me dorën e tij dhjetëra mijëra njerëz të pafajshëm. Në vitin 2010, Libri i Rekordeve Gines e cilësoi si ekzekutorin më të madh në histori. I varur nga alkooli, Blokin kreu vetëvrasje në vitin 1955.

Por me herët Stalin e shpërbleu me një pension mujor, dhe me Urdhrin e Banderolës së Kuqe për “aftësinë dhe organizimin e tij në kryerjen efektive të detyrave speciale”. Në vitin 1991, Bashkimi Sovjetik e pranoi më në fund fajin për Masakrën e Katinit. Por edhe atëherë, pranoi vetëm 14.500 nga vrasjet, në një kohë që deri më sot Partia Komuniste në Rusi, e mohon tërësisht përgjegjësinë mbi këtë ngjarje./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pse politikanë kaq të moshuar, po garojnë për drejtimin e Amerikës?

Publikuar

-

Nga

Nga Derek Thompson “The Atlantic”

* Kur Xhon Bajden u ngjit në skenë në Kaliforni, për të festuar rikthimin e tij në garë gjatë Super të Martës në garën partiake brenda Partisë Demokratike, 3 gjëra ndodhën brenda disa minutash. Ai u prit me duartrokitje të mëdha nga turma. Ngatërroi gruan për motrën e tij. Dhe mbajti një fjalim të ngadaltë, dhe ku u ngatërrua jo pak herë, diçka që i ka ndodhur shpesh në daljet publike të kohëve të fundit.

Dikush mund të presë që një kundërshtar tipik t’i kapë këto gafa, dhe të pyesë nëse mos Bajden, që sot është 77 vjeç, është shumë i moshuar për ta garuar për president. Por rivali e tij Berni Sanders, që tashmë ka pësuar një sulm në zemër gjatë kësaj fushate, është një vit më i madh.

Në janarin e vitit të ardhshëm, 3 persona ka më shumë të ngjarë të jenë presidenti i ardhshëm i SHBA-së:Bajden, Sanders dhe presidenti aktual, Donald Trump. Secili do të ishte presidenti më i moshuar, që ka mbajtur ndonjëherë një fjalim inaugurues në historinë e Amerikës.

Që të tre burrat e bardhë kanë lindur në vitet 1940, para pavarësisë së Indisë dhe Izraelit. Dhe secili është aktualisht më i madh në moshë nga 3 presidentët e fundit të SHBA-së. Nëse, përmes disa ndryshimeve kushtetuese, Bill Klinton, Xhorxh W.Bush apo Barak Obama do të garonin në presidencialet e 2020-ës, secili do të bëhej papritmas kandidati më i ri në moshë në këtë garë.

Por pleqëria, po e dominon thellë politikën moderne presidenciale. Elizabet Uorren, do të ishte gjithashtu presidentja e zgjedhur më e moshuar në historinë e vendit.

Humbësit e 2 zgjedhjeve të fundit presidenciale, Mit Romni dhe Hilari Klinton, kanë lindur që të dy në vitin 1947. Misteri i kandidatëve të moshuar për president, nxit 2 pyetje. Së pari, a ka arsye pse votuesit e sotëm mund të preferojnë kandidatët më të moshuar, se sa ata më të rinj?

Dhe së dyti, pse mosha e kandidatëve të suksesshëm presidencialë është kaq e avancuar me kalimin e viteve? Arsyeja më e qartë pse kandidatët presidencialë janë kaq të moshuar, mund të jetë se amerikanët po plaken. Votuesit mbi 65 vjeç shkojnë më shpesh të votojnë, sesa votuesit e rinj. Dhe studimet shkencore, kanë zbuluar se votuesit preferojnë zakonisht kandidatët “që janë më afër moshës së tyre”.

Dhe kjo duket si një formulë universale:Vendet e plakura, prodhojnë politikanë të moshuar.

Por që nga vitet 1980, gati çdo vend evropian është plakur, ndërsa udhëheqësi tipik i Bashkimit Evropian, është në fakt në një moshë më të re. Në Britani, edhe pse njerëzit mbi 55-vjeç dominojnë mbi njerëzit nën 30 vjeç, kryeministri aktual Boris Johnson, është “vetëm” 55-vjeç. Bajden, Sanders dhe Trump, janë që të gjithë më të moshuar se sa 5 kryeministrat e mëparshëm britakë, duke nisur nga Toni Bler.

LEXO EDHE:  Rreziqet e pajtimit të Evropës me Rusinë

LEXO EDHE:  Dy aplikacionet e lajmeve/ Informohu në kohe reale

Pra, preferenca ndaj kandidatët shumë të moshuar, duket të jetë tipikisht amerikane. E si shpjegohet kjo? Ndoshta ndikojnë dekadat e shkëputjes së të rinjve nga politika. Sipas “The Economist”, amerikanët e moshuar tejkalojnë dukshëm të rinjtë amerikanë me një diferencë më të gjerë, sesa në një vendin tipik të OECD.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në nivelin lokal. Siç shprehet Timoti Noah në “Politico”, studimet kanë zbuluar se mosha mesatare e votuesve në zgjedhjet lokale në SHBA është 57-vjeç, pra gati një brez më i moshuar sesa mosha mesatare e votuesve të ligjshëm. Ose ndoshta bëhet fjalë për preferencën e elektoratit amerikan për “fillestarët me përvojë”.

Që nga viti 1996, çdo president i ri ka pasur më pak përvojë në politikën kombëtare, sesa parardhësi. Bill Klinton ishte një fytyrë më e freskët se Xhorxh H.W Bush, por kishte më shumë përvojë guvernatoriale sesa Xhorxh W.Bush, që nga ana tjetër kishte qenë më shumë vite guvernator sesa Barak Obama senator.

Dhe pastaj erdhi Trump, që nuk kishte asnjë përvojë politike. Me këtë prirje, kandidati i ardhshëm presidencial i Amerikës, do të jetë një influencues 35-vjeçar në YouTube. Udhëheqja amerikane, përbëhet në tërësi nga njerëz të moshuar. Mosha mesatare në Kongres, është më e madhja e gjitha kohërave.

Të jemi të qartë, kjo dukuri është më e madhe se politika. Në biznes, shkencë dhe financë, pushteti është përqendruar tek të moshuarit. Dhe ky dominim është pa dyshim i lidhur me mbizotërimin e të plakurve. Amerikanët me të ardhura më të mëdha, po jetojnë më gjatë se kurrë më parë, dhe ndërkohë punojnë më gjatë.

Ndërkohë, gerontokracia (pushteti i të moshuarve), është një “kushërirë” e plutokracisë. Fuqia e përqendruar në duart e njerëzve të moshuar që janë gjithashtu të pasur, do të çojë në mënyrë të parashikueshme në politika nga të cilat përfitojnë të moshuarit dhe të pasurit, në kurriz të më pak të privilegjuarve.

Nga ana tjetër, qeverisja e të moshuarve mund të jetë një qeverisje e keqe. Në fund të Luftës së Ftohtë, një kritikë e zakonshme ndaj Bashkimit Sovjetik, ishte se vendi po shkatërrohej pjesërisht pasi politbyroja sovjetike përbëhej nga anëtarë shumë të moshuar, dhe që nuk ishte në kontakt me realitetin për të drejtuar vendin në një botë në ndryshim.

Studimet të shumta tregojnë se përkeqësimi i funksionit njohës tek njerëzit, përshpejtohet në të 70-at . Pra duket se është e rrezikshme, të lihen çështjet më të rëndësishme të jetës, vdekjes dhe mirëqenies, në duart e një grupi udhëheqësish të moshuar./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Historia/ Kur nisën njerëzit të lajnë duart me sapun?

Publikuar

-

Nga

Përkundër besimit popullor se njerëzit në kohën e Mesjetës kutërbonin në masë erë të keqe, ata i lanin shpesh duart, zakonisht kur ngriheshin nga gjumi në mëngjes, si dhe para dhe pas ngrënies. Dhe kjo gjë nuk ishte vetëm një akt i një sjellje të mirë, por ata ishin të ndërgjegjshëm për lidhjen midis papastërtisë dhe sëmundjeve.

Për pasojë, kirurgu i shekullit XIV, Xhon i Ardernes, u kërkoi praktikantëve të tij të ardhshëm të mjekësisë që të “pastronin duart e tyre nga të gjitha papastërtitë dhe fëlliqësirat”. Larja e duarve kishte rëndësi, sepse shihej si një mjet që hiqte si papastërtitë e jashtme, ashtu edhe jashtëqitjet e dëmshme trupore.

Shqetësimi i dyfishtë mbi papastërtitë dhe jashtëqitjet trupore, vazhdoi edhe gjatë periudhës së Rilindjes. Mjeku italian Tomazo Rangone (1493-1577), këshillonte që duart duhet “të pastrohen rregullisht nga papastërtitë, djersitja, dhe pisllqet e tjera që natyra shpesh i depoziton në atë vend”.

Mjekë të tjerë të kohës, e pranonin se duart mund të transmetonin sëmundje të ndryshme, edhe pse shqetësimet e tyre fokusoheshin tek sëmundjet e lëkurës siç ishte zgjebja, sesa nga Murtaja që ishte më famëkeqja. Prandaj, larja e duarve mendohej se ishte e nevojshme për një shëndet të mirë.

Shqetësimet e hershme në lidhje me higjenën e duarve, përqendroheshin më shpesh tek ushqimi. Prandaj shumica e njerëzve, lanin duart para dhe pas ngrënies. Disa libra me këshilla, këmbëngulnin që edhe duart e pastra duhet të rilaheshin në tryezë, duke përdorur një legen, në mënyrë që të gjithë të tjerët të ndjehen shumë më të sigurt për ndarjen e ushqimit.

                  Samuel Pepys

Si e tillë, higjena e dobët mund të provokonte një reagim të ashpër. Pasi hëngra darkën me xhaxhain Uajt në vitin 1663, shkruan Samuel Pepis, “pamja e duarve të tezes time… gati më solli zorrët tek goja!”. Shoqëria e shtresës së lartë në Britaninë xhorxhiane, shqetësohej shumë për higjenën e duarve të shërbëtorëve, sidomos gjatë përgatitjes së ushqimit dhe shërbimit të tyre në tryezë.

Shkrimtarja e shekullit XVIII-të, Eliza Hejud kërkoi nga shërbëtoret e saj që t’i lanin duart rregullisht, dhe nga pjesa tjetër e personelit që shërbente, që t’i mbante duart “të rregullta dhe të pastra”, sipas një libri të sjelljes të asaj kohe.

LEXO EDHE:  Kthimi i refugjatëve në vendet e tyre, po e bën botën më të rrezikshme

LEXO EDHE:  Killerat e Putinit/ Ja si agjentët rusë i eleminojnë armiqtë e Kremlinit

“Udhëzimet për shërbëtorët” e vitit 1745 e shkrimtarit Xhonatan Suift, kritikonin enkas shërbëtorët që përgatitnin sallata me duar të palara, pasi ishin marrë me gatimin e mishit, apo pasi kishin shkuar në tualet. Në shekullin XIX, shkencëtarë tillë si Lui Pastër dhe Jozes Lister, bënë përparime të rëndësishme në teorinë e mikrobeve, dhe në zbatimet e saj praktike, të cilat shpjegonin qartë se përse larja e duarve funksionon në frenimin e përhapjes së sëmundjeve. Ndonëse më pak i njohur, një tjetër pionier i rëndësishëm në këtë drejtim ishte mjeku obstetër hungarez me banim në Vjenë, Injac Semelveis (1818–1865), i cili e kuptoi se gratë e klasës punëtore infektoheshin me sëmundjen e etheve nga mjekët, të cilët shkonin direkt nga morgu për në sallën e lindjeve.

Ai vërtetoi se vdekshmëria e nënave gjatë lindjes, mund të redukohej shumë me larjen rutinore të duarve me një lëng me bazë klori. Kjo njohuri e re revolucionare, pati çuditërisht pak ndikim të menjëhershëm, pjesërisht për shkak të rezistencës nga mjekët, që nuk pranuan të fajësohen për vdekjen e pacientëve të tyre.

Sidoqoftë, në dekadat që pasuan u bënë përpjekje të shpeshta për ta bindur publikun më të gjerë mbi vlerën e madhe që ka higjena e duarve. Në vitet 1920, kompania prodhuese e sapunëve “Lever Brothers”, zhvilloi një fushatë të duarve të pastra, dhe u kërkoi fëmijëve të lanin duart “para mëngjesit, para darkës dhe pas shkollës”.

Sapuni i tyre ”Lifebuoy”, u promovua si mënyra më e mirë për të zhdukur mikrobet, pasi në një reklamë të vitit 1927, shfaqej një baba që e këshillonte të birin se ”duart e pista, janë të rrezikshme”. Reklama të tilla, patën ndikim të konsiderueshëm, por mesazhi i tyre vazhdon të përsëritet edhe sot./ Historyextra –Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

SHBA-ja s’ka nevojë për një kandidat, që ka nostalgji Bashkimin Sovjetik

Publikuar

-

Nga

Nga Garry Kasparov “CNN”

* Në një vit zgjedhor, në të cilin vështirë se dikush bie dakord për ndonjë gjë, ajo që mund ta themi me siguri, është se rreziqet janë tepër të mëdha. Donald Trump, i inkurajuar nga shfajësimi që mori nga republikanët në Senat, do të kandidojë për t’u rizgjedhur në detyrë.

Por sulmi i tij gjatë mandatit të dytë ndaj institucioneve amerikane dhe rendit global, do t’i bënte 3 vitet e fundit që të dukeshin të mërzitshme. Gjykata Supreme do të zëvendësojë 2 gjyqtarë liberalë me Trumpistët e rinj (jo konservatorë, por Trumpistë), dhe Trump madje mund të emërojë të pestin, nëse gjyqtari më i vjetër konservator, Klarens Tomas, tërhiqet në pension.

Presidenti rus Vladimir Putin, do të vazhdojë të zhvillojë luftërat e tij, dhe të nxisë destabilitet më ndërhyrjen e tij në presidencialet amerikane.

Besueshmëria e qeverisë samerikane, do të bjerë edhe më tej pasi Trump ushqen frikën ndaj emigrantëve, shpërfill rregulloret mjedisore, dhe flirton me diktatorët. Ndërsa shumica e votuesve demokratë, kanë si prioritet mposhtjen e Trumpit, disa anëtarë të një fraksioni të udhëhequr nga Berni Sanders, duket se janë më të interesuar për pastërtinë ideologjike, sesa fitoren në zgjedhjet e nëntorit.

Por fitorja e madh e Xho Bajden gjatë Super të Martës në Karolinën e Jugut, tregoi se votuesit demokratë nuk e kanë pranuar plotësisht si një pashmangshmëri rizgjedhjen e Trumpit për një mandat tjetër. Të moderuarit Bajden, Tom Stejer, Pit Batigig, Emi Klobushar dhe së fundmi Majkëll Blumberg, e dëmtojnë jo pak figurën e Trumpit.

Por Sanders, ashtu si i ngjashmi i tij socialist Xheremi Korbyn, udhëheqësi i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, është shumë ekstremist në të majtë. Unë kam pak përvojë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi linda në Bashkimin Sovjetik. Dhe si sovjetik, e kam zili aftësinë e qytetarëve të botës së lirë që të zgjedhin udhëheqësit e tyre.

Ndaj për mua është e bezdisshme, se si një amerikan gjen ndonjë gjë për të admiruar në regjimin tonë totalitar komunist. Por ishte Sanders, asokohe kryetar i bashkisë së Barlingtonit në Vermont, që u kënaq shumë gjatë vizitës së tij të vitit 1988 në Bashkimin Sovjetik. “Le të marrim në konsideratë pikat e forta të të dyja sistemeve. Dhe le të mësojmë nga njëri-tjetri”- tha ai kur u rikthye në SHBA.

Do të ishte një kthesë mizore, të kesh një president që admiron diktaturën aktuale në Rusi, duke garuar ndaj një kundërshtari që lavdëron diktaturën e dikurshme. Sovjetikët i lejonin vizita të tilla, vetëm nëse mund t’i shfrytëzonin ato për propagandë, dhe Sanders bëri pikërisht këtë.

Sanders bëri të njëjtën gjë me Kubën e Fidel Kastro, duke përhapur mite mbi mungesën e problemeve ekonomike atje, po ashtu edhe për Kinën së fundmi. “Kina është një vend autoritar. Por a mund ta mohojë dikush, se ata kanë nxjerrë gjithnjë e më shumë njerëz nga varfëria ekstreme, se sa çdo vend tjetër në histori?”- tha ai gjatë një interviste për CNN.

LEXO EDHE:  A është plakja një sëmundje e parandalueshme?

LEXO EDHE:  Kthimi i refugjatëve në vendet e tyre, po e bën botën më të rrezikshme

Bashkimi Sovjetik prodhoi një art madhështor, përparime shkencore, dhe disa kampionë bote në shah. Por ai gjithashtu prodhoi Terrorin e Madh, dhe skllavëroi qindra miliona njerëz. Qytetarët në Kubë dhe Kinë mbijetojnë, nganjëherë lulëzojnë, pavarësisht socializmit të tyre dhe përkundër regjimeve të tyre brutale.

Nëse ka diçka që mund mësoni nga regjime të tilla, pse të mos zgjidhni shembuj që përfshijnë censurën, gulagët dhe vrasjet masive, midis “arritjeve” të tyre? Për Berni Sanders, përgjigjja është sepse ai donte dhe do që të promovojë socializmin. Ai dhe ndjekësit e tij, mund të dëshirojnë të ndjekin shembullin e Danimarkës dhe Finlandës, por fjalët e tij lavdërojnë edhe diktaturat socialiste të Nikaraguas, Kubës dhe Bashkimit Sovjetik.

Demokratët duhet të fokusohen tek integriteti dhe kompetenca e kandidatëve. Kolegji Zgjedhor në SHBA është një instrument i vjetër, por gjithsesi ekzistent. Sanders do të kishte nevojë për një pjesëmarrje rekord në mesin e të rinjve, që të kishte qoftë edhe një shans kundër Trumpit në shtetet e lëkundura të Mes-Perëndimit.

Florida ka të ngjarë të mos votojë kurrësesi për Sanders, pas komenteve të tij mbi Kubën dhe Izraelin. Pensilvania do të humbiste qindra mijëra vende pune, sipas një propozimi të frikshëm të Sanders (që mbështetet edhe nga Elizabeth Uorren).

Dhe një studim, zbuloi se një kandidaturë e Sandersit, ka më shumë të ngjarë të rrisë pjesëmarrjen në zgjedhje për Trumpin, dhe jo për demokratët. Përkundrazi, një demokrat i moderuar mund të tërheqë disa nga shumë votuesit e pakënaqur të Trumpit, ose t’i mbajë ata në shtëpi.

Progresistët militantë, mund të jenë të gatshëm të rrezikojnë gjithë axhendën e tyre dhe të ardhmen e republikës, me shansin iluzoar për ta parë heroin e tyre socialist “të pushtojë Shtëpinë e Bardhë”. Por unë shpresoj që shumica do të bjerë rakord ,se rruga më e sigurt për të ecur përpara, është rivendosja e arsyes dhe stabilitetit.

Edhe nëse e doni Berni Sanders, dhe jeni dakord me mesazhin e tij, është shumë e rrezikshme të besoni se ai është më i miri për t’u dërguar në Shtëpinë e Bardhë./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE