Connect with Us

Koronavirusi do ta transformojë globalizimin

Blog

Koronavirusi do ta transformojë globalizimin

Publikuar

-

Nga Jeremy Cliffe “New Statesman”

* Ndërsa Covid-19 vazhdon që të përhapet, ekonomia botërore ka “ndezur” dritat e alarmit. Më 2 mars, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), deklaroi se koronavirusi mund të përgjysmojë për këtë vit rritjen globale të ekonomisë, në rreth 1.5 për qind, krahasuar me parashikimin e tij të mëparshëm prej 2.9 për qind.

Kjo deklaratë erdhi pasi Dow Jones, indeksi kryesor i tregut të aksioneve në SHBA-së, ra me 4.4 për qind, në rënien më të madhe që pësuar ndonjëherë brenda një dite. Ndërkohë, Baltic Dry Index, një masë e kostove të transportit për mallrat me shumicë, tregon se normat e qirasë për anijet më të mëdha të transportit kanë rënë me dy të tretat që nga fillimi i dhjetorit 2019.

Kërkesat e konsumatorit po bien, flukset e tregtisë po ngadalësohen, dhe zinxhirët e furnizimit po prishen. Edhe para shpërthimit të epidemisë, analistët kishin folur për një “de-globalizim”. Tregtia globale e kishte ndalur rritjen, dhe populizmi proteksionist ishte në rritje, i ilustruar më së miri nga lufta tregtare e Donald Trumpit me Kinën, por edhe nga Brexit.

Disa ndërmarrje, ishin “riorganizuar”, duke e orientuar prodhimin nga ekonomitë me kosto të ulët. Dhe ekonomia e re dixhitale, ishte dëshmuar më pak e lirë nga sa pritej, me rregullat e ndryshme për mbrojtjen e të dhënave, ekosistemet rivale teknologjike, dhe ndërhyrjet e qeverisë që prodhonin një të ashtuquajtur “splinternet”.

Që të gjitha ishin shumë larg nga idealizmi i fundit të viteve 1990 për një botë ”të sheshtë” apo të “post-gjeografisë”. Dhe që me epideminë e Covid-19 – për të cilën mund të mos ketë një vaksinë deri në vitin 2021 – kërcënon të intensifikohet më tej.

“Koronavirusi e ka futur globalizimin në procesin e kundërt”-argumentonte në një editorial të fundit gazeta “Financial Times”. Por a është vërtet kështu? Së pari, narrativa e deglobalizimit e mbivlerëson shkallën e globalizmit që është arritur deri më sot.

Shumica e biznesit, zhvillohet ende brenda kufijve kombëtarë, dhe integrimi i botës gjatë 3 dekadave të fundit ka qenë i pabarabartë:mallrat i kanë kapërcyer kufijtë në vëllime të rritura shumë, por shërbimet – të cilat janë shpesh të rrënjosuara në aspektin gjuhësor dhe kulturor –janë globalizuar shumë pak.

Politika dhe qeverisja, duken veçanërisht të ngulitura në truallet kombëtare. Përhapja kaotike e Covid-19, vetëm sa po e ilustron mungesën e një dimensioni të sofistikuar politik drejt globalizmit. Koncepti “deglobalizim”, e tepron me përmbysjen e gjeravë që ka ndodhur viteve të fundit.

Integrimi ekonomik global mund të ketë ngecur vërtet, por një indeks i publikuar në dhjetor 2019 nga kompania logjistike DHL dhe Shkolla Stern e Biznsit, arriti në përfundimin:”Bota mbetet më e lidhur se sa thuajse në çdo moment tjetër të historisë… pa shenja të një përmbysjeje të gjerë të globalizmit deri më tani”.

Duke vlerësuar të dhënat për tregtinë, investimet dhe aktivitetet e tjera ndërkufitare, studimi nuk gjeti “asnjë tërheqje të madhe nga globalizimi i korporatave”. Pra në vend se të bjerë, globalizimi po ndryshon. Së pari, ai është duke u bërë më pak një histori e integrimit përmes anijeve me kontejnerë, sesa e integrimit përmes shtrirjes më të gjerë shoqërore.

LEXO EDHE:  BE po e thotë troç/ Negociatat varen nga zbatimi i vettingut

Ndërsa studimi i DHL/Stern tregon që mallrat dhe flukset e kapitalit janë duke u ngadalësuar, ai raporton gjithashtu se flukset e informacionit dhe të njerëzve (trafiku ndërkufitar në internet dhe thirrjet telefonike, studentët e universiteteve ndërkombëtare, migracioni dhe turizmi) po vazhdojnë që të rriten fuqishëm.

Ekonomia e aplikacioneve, po standardizon përbërësin e shërbimeve të ekonomive më të zhvilluara. Së dyti, ndryshimet në globalizim nuk po kërkojnë një kthim tek kufijtë kombëtarë, por një forcim të pozitave brenda kufijve rajonalë. Për shembull, flukset e tregtisë ndër-rajonale brenda Evropës ose Azisë Lindore, janë rritur që nga viti 2012.

Aty ku bisedimet globale të tregtisë kanë ngecur, ato bilaterale – si midis BE-së dhe Koresë së Jugut, apo brenda rrjetit të Brezit dhe Rrugës të Kinës në Azinë Qendrore – kanë triumfuar. Dhe interneti po ndahet jo në blloqe kombëtare, por në blloqe rajonale.

Gjigandët e teknologjisë amerikane, si Google dhe Amazon, janë dominuese në shumë pjesë të botës. Gjigandët kinezë si Huauei po komandojnë të tjerët, ndërsa Evropa po e pozicionon veten si përcaktuese e standardeve globale në rregullimin e veprimtarisë së teknologjisë.

Së treti, globalizimi po i nënshtrohet ngadalë një dukurie që dukej se e anashkalonte prej kohësh: politikës. Debatet që edhe në kulmin e entuziazmit globalist në vitet 1990 kufizoheshin nga kufijtë kombëtarë – migracioni, teknologjia dhe ndryshimi i klimës – tani janë vërtet ndërkombëtare.

Sot përhapja e Covid-19, duket se po i përshpejton që të tria këto ndryshime. Ajo do t’i inkurajojë kompanitë të riatdhesojnë zinxhirët e tyre të furnizimit, duke përshpejtuar ri-vlerësimin e prodhimit të mallrave. Por, duke detyruar më shumë punonjës të punojnë nga shtëpia dhe të mbajnë takime në distanca, kjo do të tregojë sesa pak rëndësi ka vendi, dhe në këtë mënyrë do t’i hapë rrugën një epoke të artë në shërbimet e jashtme.

Dhe ndërsa kronavirusi mund të dekurajojë tregtinë transglobale midis ekonomive të largëta si Kina dhe SHBA, ai do të theksojë ndërkaqë më shumë ndërvarësinë, përfitimet e tregjeve të ndryshme, dhe prodhimin më pak të kushtueshëm. Përpjekja për t’u bërë më elastike pa sakrifikuar diçka nga përfitimet e integrimit, mund të nxisë investimet më “afër vendit” nga ana e ekonomive më të mëdha në botë:në Evropën Lindore, Azinë Qëndrore dhe Juglindore dhe Amerikën Qendrore.

Së fundmi, Covid-19 do të jetë një përvojë e zakonshme, duke përafruar debatet politike dhe përparësitë në vende të ndryshme, dhe kjo kërkon një shkallë më të madhe të qeverisjes globale sesa ekziston aktualisht. Bota po i përshtatet dalëngadalë një debati realisht të globalizuar mbi ndryshimin e klimës, dhe ndryshimeve të politikës që ajo kërkon.

Por rezultati nuk do të jetë de-globalizimi, por një përshpejtim i evolucionit të globalizmit në diçka më pak të përqëndruar tek mallrat, drejt diçkaje më rajonalë dhe më politike. Në vend të shpejtojë shkatërrimin e globalizmit, koronavirusi mund të paralajmërojë kapitullin e tij të ardhshëm./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Koronavirusi, si “mjellma e zezë” për tregjet e financave

Publikuar

-

Nga

“Mjellma e zezë” në terminologjinë e financave përdoret për situata të paparashikuara me pasoja të rënda. Ekonomistët ndërkohë diskutojnë, se sa të rënda mund të jenë pasojat e epidemisë së virusit korona.

Kur në fund të janarit Gilles Guibout e pyetën, nëse mund të jetë virusi korona një “mjellmë e zezë”, ai u përgjigj: “Po, ndoshta për firmat, që kanë shumë biznese me Kinën.” Mendimi i tij ka peshë:  Guibout është strateg i aksioneve të Axa Investment Managers në Europë, një administrues pasurishë me një volum depozitash në vlerën 800 miliardë Euro.

Kur u prononcua lidhur me virusin strategu i Axa dhe pjesa tjetër e botës së investimeve as nuk mund ta parashikonte, që virusi kishte kohë që po infektonte qindra vetë përreth Milanos. Ndërkohë norvoziteti në tregjet e financave në mbarë botën është rritur ndjeshëm.

Sa kohë virusi korona do të paralizojë ekonominë?

Gjithnjë e më shpesh tani po përmendet mjellma e zezë, kur është fjala për pasojat ekonomike të virusit korona. Me këtë emërtohet një ngjarje krejt e papritur, që ndodh rrallë dhe ka pak gjasa të ndodhë, por që shkakton pasoja të rënda për tregjet e financave dhe ekonominë reale.

Aktualisht gjithnjë e më shpesh bëhen krahasime me krizën botërore para më shumë se dhjetë vjetësh. Edhe më 2008 për botën e financave ishte krejtësisht e paimagjinueshme, që banka kryesuse investimesh në SHBA me histori 150 vjeçare mund të falimentonin. Askush nuk do ta kundërshtonte, që pasojat e falimentimit të Bankës Lehman Brothers do të ishin jashtëzakonisht të mëdha.

Asokohe vala e shokut në tregjet e financave depërtoi duke prekur edhe ekonominë reale. Sot është e kundërta: Mbyllje fabrikash, panaire të anuluara, anulim fluturimesh dhe ndalimi për miliona njerëz që të largohen nga shtëpia e tyre, bëjnë që ekonomia reale të tkurret. Meqënëse si rrjedhojë ndërmarrjet fitojnë më pak, kjo ka pasoja për kurset e aksioneve të tyre e kësisoj ndikon edhe në tregjet e financave.

LEXO EDHE:  Papa jep alarmin/BE kërcënohet nga shpërbërja

LEXO EDHE:  Zjarr dhe furi!/SHBA-Kore e Veriut gati për luftë vdekjeprurëse! (Video)

Qysh prej shpërthimit të virusit korona në Kinë dhe masave të zgjeruara të karantinës që ka marrë udhëheqja e shtetit dhe e partisë Republika Popullore si motor i koniunkturës botërore po mungon në shumë sektorë. Ish-shefi i Bundesbank Axel Weber parashikon që ekonomia kineze të tkurret në tremujorin e parë  me 1,5 përqind, e si rrjedhojë është e thjeshtë të llogarisësh pasojat globale – sepse Kina mbulon gati 20 përqind të rendimetit ekonomik mbarëbotëror.

Mjeshtri hesht

Shpikësi i konceptit mjellma e zezë si një fantazëm për tregjet e financave deri tani nuk është prononcuar publikisht. Nassim Nicholas Taleb, një matematicien financash nga SHBA, ish-profesionist në Wall Street dhe autor bestseller, hesht. Në vitin  2001 autori me origjinë nga Libani përdori në librin “Roli i nënvleftësuar i rastësisë – Budallenjtë e rastësisë” konceptin mjellma e zezë, për të përshkruar ngjarje me pasoja të mëdha në botën e financave.

Kur më 2007 u publikua libri i tij “Mjellma e zezë: Fuqia e ngjarjeve që vështirë s mund të ndodhin”, interesi për të ishte i kufizuar. Vetëm pas falimentimit të Lehman Brothers një vit më vonë vepra e tij u kthye në një bestseller global./ DW

LEXO TE PLOTE

Blog

Kur produktet kozmetike ishin radioaktive

Publikuar

-

Nga

* Një krem i ​​mrekullueshëm, u prezantua në kryeqytetin francez Paris në vitin 1933. I cilësuar si një “produkt i bukurisë shkencore”, ai premtonte të përmirësonte qarkullimin e gjakut, indet e forta të muskujve, të zvogëlonte yndyrën në gjak, dhe të zhdukte rrudhat.

Produkti ishte pjesë e një linje kozmetike të quajtur “Tho-Radia”, sipas elementëve radioaktivë torium dhe radium që përmbante. Sot, askush nuk do të vendoste me dashje materiale radioaktive në fytyrën e vet. Por në vitin 1933, rreziqet nga radioaktivitetit nuk kuptoheshin plotësisht.

Kjo formë e re misterioze e energjisë, e zbuluar nga fizikanti francez Henri Bekerel në vitin 1896, ishte shndërruar në një forcë të fuqive mitike. “Para se njerëzit të nisnin të kishin frikë nga radioaktiviteti, gjithçka që dukej se dinin për të, ishte se ai përmbante shumë energji”-thotë Timoti J.Jorgensen, profesor i asociuar i mjekësisë së rrezatimit në Universitetin Xhorxhtaun.

“Thuhej se kjo energji zbardhonte dhëmbët, apo pastronte lëkurën e fytyrës, dhe i jepte asaj një shkëlqim të veçantë. Por në fakt, nuk kishte asnjë provë shkencore, që të tregonte se këto pretendime ishin të vërteta”-shton ai.

Menjëherë pas zbulimit, produktet kozmetike radioaktive, mbushën raftet e dyqaneve. Kremrat nuk funksiononin ashtu siç reklamohej, por kjo nuk e pengoi “Tho-Radia” të bëhej e famshme. Kishte një gamë të plotë produktesh, që të gjitha radioaktive, përfshirë buzëkuqët, pudrën e fytyrës, sapunin, pijet energjetike, dhe madje edhe prezervativët.

Kur filluan të prodhohen produktet e para radioaktive në fillim të viteve 1900, radioaktiviteti ishte një fushë krejt e re e shkencës. Bekerel u vlerësua për zbulimin e tij, por vetë termi “radioaktivitet” u shpik nga shkencëtarja polako-franceze Marie Kyri në vitin 1898, në të njëjtin vit që zbuloi radiumin.

Mjekët panë përdorime të sukseshme të saj, duke përdorur rrezet X, ndërsa shumë kompani u përpoqën të përfitojnë nga reputacioni i terapisë së rrezatimit. “Rrezet X, një formë tjetër e rrezatimit nisën të përdoren në mjekësi për të trajtuar një sërë sëmundjesh”- thotë eksperti Pol Frame.

“Kur përdoret si duhet nga dikush që e di se çfarë po bën, radioaktiviteti mund të kurojë kancerin. Ne përdorim ende sot burime radioaktive, megjithëse jo radium, për të kuruar disa lloje tumoresh”- shprehet ai. Radiumi ishte aq popullor në tregun e konsumit, sa që për shumë produkte pretendohej se ishin radioaktive, edhe kur nuk ishin të tilla.

LEXO EDHE:  Intervista/ Mikail Gorbaçov: Pse ishte e pashmangshme shembja e sistemit komunist

LEXO EDHE:  Zjarr dhe furi!/SHBA-Kore e Veriut gati për luftë vdekjeprurëse! (Video)

Por rrezatimi ka një efekt shkatërrimtar mbi trupin e njeriut, dhe kur përdoret kundër qelizave kanceroze. Sa i rrezikshëm ishte përdorimi i kremrave ​​radioaktivë? Fatmirësisht, ato nuk shkaktuan shumë dëme. Por llojet e tjera të produkteve radioaktive, rezultuan vdekjeprurëse.

Radithor, një “pije energjetike” e prodhuar nga uji i distiluar, i përzier me një sasi të vogël radiumi të tretur në të. E reklamuar si një “kurë për të vdekurit e gjallë”, ajo premtoi të kuronte sëmundje të ndryshme, nga diabeti tek impotenca seksuale.

Por larg të qenit një ilaç, ajo e vrau mbrojtësin e saj më të famshëm, atletin amerikan Eben Bajers, që piu për vite me radhë 3 shishe “Radithor” çdo ditë. Ai vdiq prej saj në vitin 1932, dhe Ëall Street Journal shkroi titullin:”Uji i radiumit funksionoi mire, derisa nofulla doli jashtë funksionit”.

Por Bajers nuk ishte viktima e parë e rrezatimit. Në mesin e viteve 1920, orët e radiumit u bënë shumë popullore. Mbajtja në dorë e orëve të tilla nuk përbënte shumë rrezik, por punëtorët e fabrikës që i prodhuan ato, vuajtën nga efektet e tmerrshme në shëndetin e tyre.

Përdorimi i bojës radioaktive në fushën e orës ishte një detyrë delikate, por e mundimshme që kryhej nga gratë. Të ashtuquajturat “vajza e radiumit”, u udhëzuan t’i mbanin akrepat e orës të fiksuara duke përdorur buzët e tyre. Me kalimin e kohës, ato nisën të vuanin nga një gjendje e quajtur “nofulla e radiumit”, teksa rrezatimi ua shkatërroi gradualisht nofullat.

Goditja përfundimtare ndaj këtyre produkteve serdhi në vitin 1938, kur Akti Federal i Ushqimit, Barnave dhe Kozmetikës në SHBA, ndaloi reklamat mashtruese, duke e bërë më të vështirë promovimin e shumicës së produkteve radioaktive./ CNN-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Marrëveshja me Turqinë, e ka vendosur Europën me “shpatulla pas murit”

Publikuar

-

Nga

Nga Pierre Haski “Internazionale”

* Është e pashmangshme përjetimi i një ndjenje dezhavyje, para pamjeve dramatike që shihen në kufirin turko-grek, të cilat sjellin në mend katastrofën e dimrit të vitit 2015. E çfarë mund të jetë më keq, sesa një përsëritje e ngjarjeve të atij viti, që e përçanë Evropën, duke e nxjerrë në pah paaftësinë e saj totale, për t’u marrë me një krizë të tillë të papritur?

Në atë kohë, Bashkimi Evropian kishte arritur një marrëveshje me Turqi mbi problemin e emigracionit të paligjshëm, duke paguar para për një kontroll më të madh të autoriteteve turke, si dhe me koston e një poshtërimi të jashtëzakonshëm.

Sot ajo marrëveshje ekonomike po u kthehet kundër evropianëve, që ndërkohë janë sjellë sikur problemi të mos ekzistonte, kur në realitet refugjatët dhe emigranëtët thjesht janë zhvendosur përtej kufirit. Dhe mjaftoi një ngjarje e rëndësishme që të prishte stabilitetin e fasadës, dhe konkretisht konflikti në rajonin e Idlibit në veri-lindje të Sirisë, me ofensivën e regjimit të Bashar Al-Asad të mbështetur nga Rusia, Irani, dhe Hezbollahu libanez.

Kësaj i duhet shtuar edhe vendimi cinik i presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan, për të shndërruar miliona burra, gra dhe fëmijë të dëshpëruar në instrumente presioni drejt një Evrope, të cilën Ankaraja nuk e respekton dhe nuk e ka frikë.

Krizat janë dy, megjithëse të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën:ajo e Idlibit, ku ushtria turke pësoi humbje të mëdha, dhe hyri në një kurs përplasjeje me regjimin e Asadit; dhe atë që Turqia sapo e ka shkaktuar, duke i ftuar emigrantët që ka pritur prej vitesh në territorin e saj, që të nisen drejt Evropës, dhe në veçanti drejt Greqisë.

Më 3 mars, Ministri i Jashtëm i Francës Zhan Iv Lë Drian, e akuzoi Erdoganin se i kishte shfrytëzuar refugjatët për të ushtruar presion mbi Evropën, dhe për të fituar mbështetjen e saj në operacionin ushtarak që Ankaraja po zhvillon në Siri.

LEXO EDHE:  Tek politikanët e sotëm evropianë, dominion kulti i individit

LEXO EDHE:  Intervista/ Mikail Gorbaçov: Pse ishte e pashmangshme shembja e sistemit komunist

Ashtu si kancelarja gjermane Angela Merkel më herët, Lë Drian e quajti të papranueshme sjelljen e presidentit turk. Ministri me sa duket ka të drejtë, dhe Erdogani vetëm sa e diskrediton veten kur mburret gjatë takimeve të ndryshme se ka dërguar në Evropë miliona njerëz.

Por kundërvënia ndaj Turqisë, që gjithsesi ka mirëpritur 4 milionë refugjatë, nuk është një përgjigje e përshtatshme politike, ashtu siç nuk është edhe ideja e një Evropë “kështjellë” të barrikaduar pas telave me gjemba.

Le ta pranojmë:për Evropën nuk ka asnjë skenar pozitiv. Evropianët nuk kanë asnjë shans që të ndikojnë në rrjedhën e konfliktit në Siri, që mbetet në fakt shkaku kryesor i presionit migrator. Për më tepër, Bashkimi Evropian nuk ka asnjë mënyrë që të ndikojë tek Turqia, dhe aq më pak tek Rusia, aktoret kryesorë në këtë krizë.

Së fundmi, dështimi i vitit 2015, na ka mësuar që Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të përcaktojë një politikë të përbashkët të emigracionit. Aktualisht jemi duke u përballur me një provë tjetër të ambicieve të Evropës.

Nëse kontinenti i vjetër nuk do të jetë në lartësinë e situatës, ai do të humbasë edhe atë besueshmëri që i ka mbetur, dhe do të lejojë lulëzimin e forcave populiste dhe ekstremiste, që zakonisht përfitojnë nga frika. Bashkimi Evropian ka një imperativ të trefishtë:të humanizmit, që fatkeqësisht mungon në skenat e tmerrshme që kanë vazhduar me ditë të tëra në kufirin grek; të solidaritetit me vendet që përbëjnë kufirin e jashtëm të Evropës; dhe në fund të koherencës për të gjetur zgjidhje diplomatike për këtë sfidë të re. Kjo gjë do të jetë shumë e vështirë. Por nga ana tjetër, është çmimi që duhet paguar për grumbullimin e problemeve, që janë injoruar në të kaluarën./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE