Connect with Us

“Po paguani karmën e asaj që keni bërë”/ Analisti ia plas në sy Vasilit

Politikë

“Po paguani karmën e asaj që keni bërë”/ Analisti ia plas në sy Vasilit

Publikuar

-

Ish kreu i LSI-së, Petrit Vasili është i ftuar mbrëmjen e sotmë në emsionin “Zonë e Lirë”.

Përballë analistit Arjan Çuri, Vasili ka komentuar përplasjen Rama-Meta.

Çuri ia ka thënë në sy Vasilit se LSI-së po paguan karmën e asaj që bëri gjatë historisë së saj politike.

“Sulmin LSI e ka nga të dyja partitë. LSI për mua nuk e ka bërë atë që duhet të bënte, sot po paguan karmën e asaj që bëri gjatë historisë së saj politike. Nëse sot e tutje zgjedh ta bëjë, është e mirëpritur. Meta dikur ka rrëzuar vet dekretet e Presidentit që ka qenë para tij”, tha Çuri.

“Së pari, e tërë ekspozeja dua ta konsideroj si një ekspoze nga pavëmendja. Të vërtetat janë këto; LSI nuk ka bërë ato që thua ti… Në Shqipëri, u përkrah Nisma për Mbrojtjen e Kushtetutës, vite më parë. E dyta, kishte me sistemin zgjedhor. Edhe aleanca nga interesi s’ka bërë LSI. Në 2013 aleanca ishte në atë kohë që u quajt e natyrshme midis dy forcave që kishin vokacion të majtë. Në emër të kësaj gjëje, Ilir Meta nguli këmbë, mund të bënte pazar me Edi Ramën, por bëri një sakrificë të jashtëzakonshme, që të përfshinte opozitën brenda. Nuk pranoi të hynte në zgjedhjet e 2017 pa opozitën. Hamendjet dhe bizantinizmat nuk janë zanati im. Unë merrem me fakte”, ka thënë Vasili.

LEXO EDHE:  Nuk përmbahet Mentor Kikia/ “Jemi bërë gazi i botës duke pajtuar politikën shqiptare”

“Karma është e tmerrshme në univers. Ndihmuat maxhorancën atëherë të merrte nën kontroll KLD. Nuk u futët në çadër, nuk e mbështetët PD në çadër”, u shpreh Çuri./CNA.al

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

“Disa prej tyre ulen në gjunjë duke lutur Zotin”/ Frrok Çupi zbulon se si i ka pushtuar frika politikanët

Publikuar

-

Nga

Tani janë pushtuar nga frika; deri dje ishin në delirin e madhështisë dhe të dominimit. Ça ishin të tjerët, ti e unë e ai tjetri që ecim me dy këmbë përtokë?!… Ata na gjetën në rrugë dhe në rrugë na lanë, duke vështruar veten me tmerr se ‘mos vallë ngjanin si ne.

Frika se mos ishin si të tjerët… Kjo ishte frika e parë që ndjenë këta që tani duhet të paraqiten para ligjit, para policit, para prokurorit dhe para qelisë për krimet që kanë kryer.

As tani nuk ndjehen si ‘të tjerët’, dmth., si humanët, sepse ‘të tjerët’ prapë i shikojnë si armiq e hakmarrës. Një klasë e tërë politike ngërtheu në vetvete grupimet e krimit dhe të vjedhjes dhe e quajti veten të aftë për t’u marrë jetën dhe pasurinë ‘të tjerëve’ që ecin me dy këmbë përtokë. Tani po thuhet se ka ardhur koha kur Drejtësia e Re, e iniciuar nga Shtetet e Bashkuara, do t’ia këpusë oktapodit të gjashtë këmbët e tjera dhe do t’i lërë me vetëm dy këmbë, si ‘të tjerët’.

Por nuk do të bazohej vetëm këtu gjithë shpresa se populli me nofkën ‘të tjerët’ do të çlirohej nga ‘oktapodi’ i tyre. Shpresa bazohet në ligjësitë humane ku nuk ‘humb gjaku dhe pasuria’. Në njërin nga paragrafët e Kanunit të shqiptarëve në periudhën para- politike të kombit, thuhet se ‘gjaku nuk bëhet gjobë’.

Jo pse thjesht ‘na u dashka’ një Drejtësi e re për të vënë Drejtësinë mes kombit, por sepse speciet dhunuese e kanë mbyllur ciklin. Këta që vranë njerëz me qindra (në vitin 1997, psh., u numëruan tre mijë dhe shifra nuk u kundërshtua kurrë), që groposën të gjitha fitimet e shqiptarëve deri në vitin 1997, që grabitën floririn nga depot e shtetit, që bënë ligjin 7501, që ndërtuan gjykatën speciale të plepave për t’u mbrojtur nga frika, këta që ndërtuan gjënë më të vogël- vilat milionëshe, që i kanë rrëmbyer financat kombëtare dhe i kanë futur në dhè ‘për një ditë’ për vete.., këta edhe sikur t’i falë gjykata, nuk i fal cikli…

A nuk i patë ‘katalanët’ e bllokut komunist se si një ditë u vunë në radhë e dorëzuan vilat e marra peng, dorëzuan burgjet, hekurat, ngrefosjen? Ja në këtë pikë kanë ardhur këta: Të dorëzojnë floririn, vilat, pasurinë e nëndheshme, kapitalet e fshehura, pushtetin…. Veçse ‘blloku’ i këtyre është disa herë më i pasur se blloku i atyre të parëve; asnjë nga këta nuk arnon më çorapet.

Bashkë me ciklin e dorëzimit, ka mbërritur edhe cikli i frikës.

LEXO EDHE:  Vizita në SHBA/ Ilir Meta pritet nga Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, Kongresmeni Ed Royce dhe nga Senatori John Cornyn

LEXO EDHE:  Presidenti Ilir Meta vizitë zyrtare në Gjermani

Në analogji me sjelljen sociale të miut dhe bletës- kanë zbuluar studiues të frikës- edhe te qeniet humane është zbuluar induskioni i ndjeshmërisë përmes ‘nuhatjes së ankthit’ nga personi tjetër…

Frika, e cila shfaqet hapur te udhëheqësit e tre dekadave, kalon nëpër disa rrahë, si të Dantes.

Është rrethi i parë i frikës së ‘mbinjerëzve’ ndaj Drejtësisë.

Drejtësia që Perëndimi po instalon këtu, sipas modelit të post- James Bond në Amerikë ose sipas gjyqeve anti- naziste të Nurembergut, ka në fokus gjykimin e pamëshirshëm pa pyetur se ‘cili është mbinjeriu’ e cili njeriu. Janë përqendruar mijëra dosje në procedurat e Posaçme, janë përzgjedhur gjykatës të kontrollueshëm, janë hapur gardhet me të cilat këta ruanin veten. Disa prej tyre po thërrasin se ‘kjo nuk është reformë në Drejtësi’, ndërsa të tjerë po ulen në gjunjë duke lutur zotin… Frika para Drejtësisë i bën të gjitha.

Është rrethi i dytë i frikës ndaj rajasë.

Raja e këtyre ishte gjithë populli i varfër, por në plan të parë janë kategoria e vrasësit dhe e hajdutit. Hajdutët që grabitën për shefin, u shpërblyen me punë në zyrat e larta të shtetit. Ministra që vodhën ‘për partinë’ janë lënë me ca miliona, por larg. Vrasësit që garantonin pasurinë e shefave- këta janë më të frikshmit tani.

Është rrethi i njerëzve të afërt në duar të të cilëve është vënë pasuria.

Këta kanë pasuri të pafund, po jo me burim nga vetja. Një pjesë të madhe e kanë bërë vila ose makina e apartamente luksoze për fëmijët. Rrethi të afërmve po lutet në Zot që shefat të shkojnë në ferr; dhe pastaj pasuria u mbetet shegertëve. Frika është e dyanshme: Sa kanë frikë shegertët se mos nuk po këpusin qafën ‘pronarët’, më shumë kanë frikë zyrtarët e lartë se mos vallë shegertët do tua hanë fjalën për pasurinë. Përveç këtyre janë rojet e vilave që paguhen me një kothere, por janë gati të vrasin nga frika para pasurisë së ‘mbinjeriut’.

Por është edhe rrethi i frikës mes qeverisë plus Drejtësi e re dhe ‘mbinjerëzve’ të frikësuar.

Qeveria nuk po arrin të çlirojë nga frika qytetarët e vet, duke manifestuar votë maxhoritare, forcë kundër krimit dhe shpagim. As edhe një zyrtar të prishur nga mendtë nuk po e largon nga zyra. Shteti nuk po mposht dot individin që na rrezikon lirinë… Të gjitha i bën frika.

Tmerr është, më shumë se në analogjinë me miun.

LEXO TE PLOTE

Politikë

Skandali i Barcelonës/ Si e mbylli Prokuroria dosjen e pagesave të Fushës për krerët e bashkisë

Publikuar

-

Nga

Më 17 dhjetor 2019, Prokuroria e Tiranës iu drejtua gjykatës me kërkesë për pushimin e hetimit ndaj zyrtarëve të lartë të Bashkisë së kryeqytetit, të cilët akuzohen se përfituan pagesa nga biznesmeni Shkëlqim Fusha për qëndrimin e tyre në një hotel me 5 yje në Barcelonë në qershor 2018.

Vendimi për pushim u ndërmor vetëm 3 muaj pas regjistrimit të një procedimi penal me akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit, pas publikimit në media të një fature të paguar nga karta personale e biznesmenit Fusha për llogari të nënkryetarit të Bashkisë, Arbjan Mazniku.

Por ndryshe nga konkluzioni i Prokurorisë, dokumentet hetimore të siguruara nga BIRN ngrejnë pikëpyetje të dyfishta mbi seriozitetin e hetimit dhe zyrtarët e përfshirë në këtë çështje –të cilët rezultojnë se jo vetëm përfituan qëndrimin në hotel nga Fusha, por përfituan edhe rimbursim për kostot e akomodimit në Barcelonë nga arka e Bashkisë së Tiranës.

Ceremonia e ndarjes së çmimit “European Prize for Public Urban Space” u zhvillua më 20 qershor në Barcelonë dhe Bashkia e Tiranës u përfaqësua në këtë event nga një delegacion prej 5 vetash.

Në të morën pjesë kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, nënkryetari Arbjan Mazniku, drejtori i Planifikimit Urban, Ditjon Baboçi, drejtori i Shërbimeve Mbështetëse, Fatjon Sallaku dhe dy përfaqësues të drejtorisë së Medias, Denis Dedej dhe Luis Tanushi. Drejt Barcelonës udhëtuan më 19 qershor edhe biznesmeni Fusha dhe djali i tij, me ftesë të projektuesit belg të sheshit “Skënderbej”.

Ndërsa kryebashkiaku Veliaj u akomodua në hotelin “Alma Barcelona” nga organizatorët e eventit, dokumentet tregojnë se Mazniku e Baboçi zgjodhën të qëndrojnë në të njëjtin hotel me kryetarin falë bujarisë së biznesmenit Fusha, i cili e pagoi faturën e qëndrimit të tyre për dy netë me një vlerë prej 1816 euro në total.

Pas kthimit në Tiranë, Mazniku dhe Baboçi u rimbursuan edhe nga arka e Bashkisë e Tiranës për shpenzimet e hotelit me 1465 euro në total.

Në dëshmitë e tyre për Prokurorinë, Mazniku dhe Baboçi në njërën anë dhe biznesmeni Fusha në anën tjetër dhanë deklarime kontradiktore për rrethanat e pagesës së hotelit nga ky i fundit. Por në kërkesën e Prokurorisë, dëshmia e biznesmenit Fusha konsiderohet si “versioni zyrtar” i historisë, duke shkarkuar nga përgjegjësia zyrtarët e kallëzuar.

Mazniku dhe Baboçi pretenduan gjithashtu para Prokurorisë se ia kthyen paratë e hotelit Fushës në cash, pas mbërritjes së tyre në Tiranë.

I pyetur nga BIRN për përfitimin e dyfishtë të pagesës së hotelit, Mazniku tha se nuk kishte koment, pasi sipas tij “çështja në fjalë është ezauruar në sistemin e drejtësisë”.

“Kur flet drejtësia, të tjerët duhet të heshtin,” tha Mazniku përmes një mesazhi. Ditjon Baboçi nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga BIRN.

Ndërsa drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj nuk i shpjegoi kontradiktat e hetimit në një bisedë telefonike me BIRN.

“Prokurori nuk mbyll hetime, por i bën kërkesë gjykatës. Presim një verdikt të gjykatës nëse kërkesa jonë për pushimin e procedimit do të vlerësohet apo jo e drejtë,” tha Imeraj.

Vendimi i Prokurorisë së Tiranës për pushimin e hetimit shihet me dyshim nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila është pjesë e këtij procesi në cilësinë e kallëzuesit.

“Kemi dyshime për ligjshmërinë e kërkesës së Prokurorisë për mbylljen e hetimit,” tha Adriana Kalaja, përfaqësuese e Aleancës për BIRN. “Mendojmë që hetimet me ndërhyrje nuk janë të plota dhe ne nuk jemi thirrur për t’u pyetur nga Prokuroria,” shtoi ajo.

“Nuk kishte dhoma, ndaj u dhashë të miat”

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku, duke folur në njëmbledhje të Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, | Foto : LSA

Në ceremoninë e ndarjes së çmimit “European Prize for Urban Public Space” më 20 qershor 2018 në Barcelonë, projekti i sheshit “Skënderbej”, i zbatuar nga kompania Fusha sh.p.k, fitoi çmimin e parë. Fusha Sh.p.k është kontraktori më i madh i bashkisë së Tiranës prej kohës që ky institucion drejtohet nga Erion Veliaj.

Suksesi i Bashkisë në Barcelonë u mjegullua megjithatë në gusht 2019 nga publikimi në portalin JOQ i një fature hoteli të paguar nga karta personale e biznesmenit Fusha për llogari të Maznikut.

Ngjarja u denoncua si “konflikt i pastër interesi” nga Partia Demokratike në opozitë, ndërsa në Prokurorinë e Tiranës mbërritën dy kallëzime paralele për hetimin e çështjes, një nga Prokuroria e Përgjithshme dhe i dyti nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Përgjatë tre muajve të hetimit, prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Alket Mersini administruan procedurat e ndjekura nga Bashkia e Tiranës për mbulimin e shpenzimeve të aktivitetit si dhe dëshmitë e personave të përfshirë.

Urdhrat e shërbimit tregojnë se Bashkia shpenzoi mbi 1.2 milionë lekë dhe 590 euro për bileta avioni, pagesa hoteli dhe dieta për pesë anëtarët e delegacionit- me përjashtim të hotelit të Veliajt që rezulton i paguar nga organizatorët.

Zyrtarët e Bashkisë u ndanë në dy hotele gjatë qëndrimit të tyre në Barcelonë: Veliaj, Mazniku dhe Baboçi u akomoduan në hotel Alma –vetëm disa hapa larg bulevardit kryesor “Passeig de Gràcia”, ndërsa tre punonjësit e tjerë në hotelin “Astoria”.  Biznesmeni Fusha dhe djali i tij rezultojnë të kenë qëndruar në hotelin “Majestic”.

Në dëshmitë e tyre për Prokurorinë, Mazniku dhe Baboçi mohuan që të ishin në dijeni se dhomat e hotelit të tyre për 19 dhe 20 qershorin ishin paguar më parë nga biznesmeni Fusha. Ata deklaruan se ishin akomoduar në hotel Alma në Barcelonë në orët e vona të natës, ndërsa të nesërmen e kishin kaluar ditën në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Pagesën e faturës nga Fusha, Mazniku tha se e kishte mësuar mëngjesin e 21 qershorit 2018, kur kishte shkuar në recepsion për të paguar faturën.

“Nga personeli i hotelit jam informuar që pagesa [578 euro për dy netë] ishte kryer nga shtetasi Shkëlqim Fusha, administrator i shoqërisë Fusha sh.p.k. Kam komunikuar me shtetasin Shkëlqim Fusha, të cilit i kam thënë se do ta bëj rimbursimin me t’u kthyer në Tiranë, për faktin se atë ditë kam udhëtuar në Londër…,” ka thënë Mazniku në Prokurori.

LEXO EDHE:  A ishte Ilir Meta tersi për Kombëtaren ?

LEXO EDHE:  Vasili: Mos u habisni fare kur të dëgjoni shkollëpaktin të thotë broçkulla të reja

Mazniku ka shtuar gjithashtu se faturën e hotelit e kishte dorëzuar në Bashki dhe ishte rimbursuar nga Bashkia më 8 tetor 2018 në llogarinë së pagës. I pyetur mbi formën e pagesës së shumës ndaj Shkëlqim Fushës, Mazniku është përgjigjur “ia kam bërë në kesh”.

Ndryshe nga Mazniku, Baboçi ka deklaruar në Prokurori se e kishte mësuar në Tiranë faktin se fatura e dhomës së tij në vlerën 887 euro ishte paguar nga biznesmeni Fusha, por nuk e mbante mend se nga kush. Edhe Baboçi deklaroi se paratë ia kishte kthyer Fushës cash në dorë.

Biznesmeni Shkëlqim Fusha tregoi një tjetër version të historisë përballë Prokurorisë. Ai tha se kishte planifikuar të shkonte në Barcelonë së bashku me bashkëshorten, vajzën, djalin dhe drejtuesin teknik të kompanisë.

Më 16 qershor 2018, ai tha se pagoi në mënyrë të pakthyeshme dy dhoma në hotel “Alma” për veten, bashkëshorten dhe vajzën dhe për shkak të mungesës së dhomave të tjera, kishte rezervuar në hotel Majestic dy dhoma të tjera për djalin dhe drejtuesin teknik.

Planet sipas Fushës ndryshuan, pasi bashkëshortja dhe e bija e anuluan udhëtimin për arsye shëndetësore, ndërsa drejtuesi teknik e anuloi për arsye familjare.

Kur Fusha me të birin mbërritën në hotel Alma në Barcelonë, dikush nga delegacioni i Bashkisë i kishte thënë se nuk kishte më dhoma të lira në hotel.

“Nuk më kujtohet se cili nga përfaqësuesit e bashkisë më ka thënë që nuk paska më dhoma të lira në këtë hotel. Aty u kam thënë që nëse dëshironi mund të përdorni dhomat e mia të cilat i kisha të prenotuara në hotelin “Alma Barcelona”, pasi kisha edhe dy dhoma të tjera të prenotuara te hoteli tjetër,” tha Fusha.

Fusha ka pretenduar në Prokurori se kishte mësuar më 21 qershor se në dhomat e paguara prej tij ishin akomoduar Mazniku dhe Baboçi. Ai pretendoi gjithashtu se hoteli i kishte dërguar një formular pas mbërritjes në Shqipëri për shkak të mospërputhjes së emrit të prenotuesit me personat që kishin fjetur- por shtoi se nuk e dispononte këtë dokument.

Fusha pretendoi gjithashtu se i kishte marrë mbrapsht pagesat e hotelit nga Mazniku dhe Baboçi.

“Pasi jam kthyer në Tiranë më ka kontaktuar shtetasi Ditjon Baboçi me të cilin jam takuar dhe më ka bërë rimbursimin cash sipas faturës së hotelit për netët e qëndrimit te Alma Barcelona. Disa ditë më pas, të njëjtin veprim ka kryer edhe Arbjan Mazniku,” përfundon Fusha në dëshmi.

Mbyllja e hetimit

Kreu i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elisabeta Imeraj | Foto mga : LSA

Prokuroria e Tiranës i nisi hetimet më 26 shtator 2019 për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Hetimet u kryen nga drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe prokurori Alket Mersini.

Megjithatë më 17 dhjetor 2019, prokurorët i kërkuan gjykatës pushimin e procedimit penal, me konkluzionin se Mazniku dhe Baboçi  “nuk kanë përfituar në mënyrë të paligjshme asnjë lloj përfitimi, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi”.

Prokuroria i justifikon pagesat e hotelit që Mazniku dhe Baboçi përfituan nga Bashkia e Tiranës me argumentin se ata kishin dorëzuar pranë financës së Bashkisë dokument justifikues për këtë shpenzim, e cila është fatura e lëshuar nga hotel Alma në Barcelonë. Sipas Prokurorisë, rimbursimi i shpenzimeve nga buxheti i bashkisë është kryer në periudhën korrik-gusht në llogaritë personale të anëtarëve të delegacionit.

Ndërsa për justifikimin e pagesës së faturës së hotelit nga karta personale e biznesmenit Shkëlqim Fusha, prokurorisë i ka ardhur në ndihmë dëshmia e këtij të fundit.

“Nga aktet hetimore e pikërisht referuar dokumentacionit të administruar rezulton se shtetasit Arbjan Mazniku e Ditjon Baboçi nuk kanë bërë rezervim hoteli dhe në datën 19 qershor 2018… nga recepsioni i hotelit janë vënë në dijeni se nuk ka dhoma për akomodimin e tyre,” deklaron Prokuroria.

“Në këtë kohë, shtetasi Shkëlqim Fusha i gjendur i pranishëm u ka ofruar qëndrimin e tyre në dhomat e prenotuara nga ai për llogari të punonjësve dhe familjarëve të tij…,” argumenton më tej Prokuroria.

Dy prokurorët argumentojnë gjithashtu se nuk provohet që Mazniku dhe Baboçi të kenë qenë në dijeni se fatura e hotelit të tyre ishte paguar nga Fusha –fakt që sipas Prokurorisë e kanë mësuar kur janë pajisur nga recepsioni me faturat përkatëse të qëndrimit të tyre në hotel.

Prokuroria argumenton në anën tjetër se e ka të provuar faktin që më 16 qershor 2018, biznesmeni Fusha ka paguar në mënyrë të pakthyeshme me kartën e tij personale përmes faqes “Booking” dy dhoma për dy netë qëndrimi në hotelin Alma Barcelona dhe ka prenotuar dy dhoma të tjera në të njëjtën datë në hotelin “Majestic”.

Prokuroria merr gjithashtu për të mirëqenë pretendimin se hotel Alma i kishte dërguar Fushës një formular tip për saktësimin e mospërputhjes së emrit të prenotuesit me emrat e personave që kanë fjetur –ndonëse Fusha deklaroi se nuk e kishte ruajtur atë dhe një dokument i tillë nuk ekziston në dosjen hetimore.

“Sa më sipër, megjithëse ekzistojnë dyshime nuk ka prova që të vërtetojnë se shtetasit Arbjan Mazniku dhe Ditjon Baboçi të kenë kryer veprën penale të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal,” thonë prokurorët.

“Gjithashtu fakti i provuar nuk parashikohet nga ligji as si ndonjë vepër penale e parashikuar në Kodin Penal,” përfundojnë ata, duke kërkuar pushimin e hetimit.

Seanca paraprake në Gjykatën e Tiranës për këtë kërkesë do të zhvillohet më 25 mars./Reporter.al

LEXO TE PLOTE

Politikë

Raporti i Komisionit të Venecias/ Vjen reagimi i Ambasadës Amerikane

Publikuar

-

Nga

Pas publikimit të një pjese të raportit paraprak të Komisionit të Venecias, lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe përplasjet Mazhorancë-President, ka ardhur edhe reagimi i Ambasadës Amerikanë në vendin tonë.

Ambasada porosit klasën politike që të respektojë procesin përfshirë edhe konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet.

Gjithashtu, në reagimin e ambasadës thekson mirëpritjen ndaj deklaratës së bërë nga presidenti Ilir Meta gjatë konferencës për shtyp me homologun bullgar.

“Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet. Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë.”/CNA.al

LEXO TE PLOTE