Connect with Us

Koronavirusi, si “mjellma e zezë” për tregjet e financave

Blog

Koronavirusi, si “mjellma e zezë” për tregjet e financave

Publikuar

-

“Mjellma e zezë” në terminologjinë e financave përdoret për situata të paparashikuara me pasoja të rënda. Ekonomistët ndërkohë diskutojnë, se sa të rënda mund të jenë pasojat e epidemisë së virusit korona.

Kur në fund të janarit Gilles Guibout e pyetën, nëse mund të jetë virusi korona një “mjellmë e zezë”, ai u përgjigj: “Po, ndoshta për firmat, që kanë shumë biznese me Kinën.” Mendimi i tij ka peshë:  Guibout është strateg i aksioneve të Axa Investment Managers në Europë, një administrues pasurishë me një volum depozitash në vlerën 800 miliardë Euro.

Kur u prononcua lidhur me virusin strategu i Axa dhe pjesa tjetër e botës së investimeve as nuk mund ta parashikonte, që virusi kishte kohë që po infektonte qindra vetë përreth Milanos. Ndërkohë norvoziteti në tregjet e financave në mbarë botën është rritur ndjeshëm.

Sa kohë virusi korona do të paralizojë ekonominë?

Gjithnjë e më shpesh tani po përmendet mjellma e zezë, kur është fjala për pasojat ekonomike të virusit korona. Me këtë emërtohet një ngjarje krejt e papritur, që ndodh rrallë dhe ka pak gjasa të ndodhë, por që shkakton pasoja të rënda për tregjet e financave dhe ekonominë reale.

Aktualisht gjithnjë e më shpesh bëhen krahasime me krizën botërore para më shumë se dhjetë vjetësh. Edhe më 2008 për botën e financave ishte krejtësisht e paimagjinueshme, që banka kryesuse investimesh në SHBA me histori 150 vjeçare mund të falimentonin. Askush nuk do ta kundërshtonte, që pasojat e falimentimit të Bankës Lehman Brothers do të ishin jashtëzakonisht të mëdha.

Asokohe vala e shokut në tregjet e financave depërtoi duke prekur edhe ekonominë reale. Sot është e kundërta: Mbyllje fabrikash, panaire të anuluara, anulim fluturimesh dhe ndalimi për miliona njerëz që të largohen nga shtëpia e tyre, bëjnë që ekonomia reale të tkurret. Meqënëse si rrjedhojë ndërmarrjet fitojnë më pak, kjo ka pasoja për kurset e aksioneve të tyre e kësisoj ndikon edhe në tregjet e financave.

LEXO EDHE:  Koronavirusi, pse OBSH duhet të shpallë gjendjen globale të emergjencës

Qysh prej shpërthimit të virusit korona në Kinë dhe masave të zgjeruara të karantinës që ka marrë udhëheqja e shtetit dhe e partisë Republika Popullore si motor i koniunkturës botërore po mungon në shumë sektorë. Ish-shefi i Bundesbank Axel Weber parashikon që ekonomia kineze të tkurret në tremujorin e parë  me 1,5 përqind, e si rrjedhojë është e thjeshtë të llogarisësh pasojat globale – sepse Kina mbulon gati 20 përqind të rendimetit ekonomik mbarëbotëror.

Mjeshtri hesht

Shpikësi i konceptit mjellma e zezë si një fantazëm për tregjet e financave deri tani nuk është prononcuar publikisht. Nassim Nicholas Taleb, një matematicien financash nga SHBA, ish-profesionist në Wall Street dhe autor bestseller, hesht. Në vitin  2001 autori me origjinë nga Libani përdori në librin “Roli i nënvleftësuar i rastësisë – Budallenjtë e rastësisë” konceptin mjellma e zezë, për të përshkruar ngjarje me pasoja të mëdha në botën e financave.

Kur më 2007 u publikua libri i tij “Mjellma e zezë: Fuqia e ngjarjeve që vështirë s mund të ndodhin”, interesi për të ishte i kufizuar. Vetëm pas falimentimit të Lehman Brothers një vit më vonë vepra e tij u kthye në një bestseller global./ DW

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Kur produktet kozmetike ishin radioaktive

Publikuar

-

Nga

* Një krem i ​​mrekullueshëm, u prezantua në kryeqytetin francez Paris në vitin 1933. I cilësuar si një “produkt i bukurisë shkencore”, ai premtonte të përmirësonte qarkullimin e gjakut, indet e forta të muskujve, të zvogëlonte yndyrën në gjak, dhe të zhdukte rrudhat.

Produkti ishte pjesë e një linje kozmetike të quajtur “Tho-Radia”, sipas elementëve radioaktivë torium dhe radium që përmbante. Sot, askush nuk do të vendoste me dashje materiale radioaktive në fytyrën e vet. Por në vitin 1933, rreziqet nga radioaktivitetit nuk kuptoheshin plotësisht.

Kjo formë e re misterioze e energjisë, e zbuluar nga fizikanti francez Henri Bekerel në vitin 1896, ishte shndërruar në një forcë të fuqive mitike. “Para se njerëzit të nisnin të kishin frikë nga radioaktiviteti, gjithçka që dukej se dinin për të, ishte se ai përmbante shumë energji”-thotë Timoti J.Jorgensen, profesor i asociuar i mjekësisë së rrezatimit në Universitetin Xhorxhtaun.

“Thuhej se kjo energji zbardhonte dhëmbët, apo pastronte lëkurën e fytyrës, dhe i jepte asaj një shkëlqim të veçantë. Por në fakt, nuk kishte asnjë provë shkencore, që të tregonte se këto pretendime ishin të vërteta”-shton ai.

Menjëherë pas zbulimit, produktet kozmetike radioaktive, mbushën raftet e dyqaneve. Kremrat nuk funksiononin ashtu siç reklamohej, por kjo nuk e pengoi “Tho-Radia” të bëhej e famshme. Kishte një gamë të plotë produktesh, që të gjitha radioaktive, përfshirë buzëkuqët, pudrën e fytyrës, sapunin, pijet energjetike, dhe madje edhe prezervativët.

Kur filluan të prodhohen produktet e para radioaktive në fillim të viteve 1900, radioaktiviteti ishte një fushë krejt e re e shkencës. Bekerel u vlerësua për zbulimin e tij, por vetë termi “radioaktivitet” u shpik nga shkencëtarja polako-franceze Marie Kyri në vitin 1898, në të njëjtin vit që zbuloi radiumin.

Mjekët panë përdorime të sukseshme të saj, duke përdorur rrezet X, ndërsa shumë kompani u përpoqën të përfitojnë nga reputacioni i terapisë së rrezatimit. “Rrezet X, një formë tjetër e rrezatimit nisën të përdoren në mjekësi për të trajtuar një sërë sëmundjesh”- thotë eksperti Pol Frame.

“Kur përdoret si duhet nga dikush që e di se çfarë po bën, radioaktiviteti mund të kurojë kancerin. Ne përdorim ende sot burime radioaktive, megjithëse jo radium, për të kuruar disa lloje tumoresh”- shprehet ai. Radiumi ishte aq popullor në tregun e konsumit, sa që për shumë produkte pretendohej se ishin radioaktive, edhe kur nuk ishin të tilla.

LEXO EDHE:  Koronavirusi/ Shënohet viktima e katërt në Francë, 204 të infektuar

LEXO EDHE:  Kina është ekonomia e dytë në botë/ Pse kinezët rrezikojnë jetën për të emigruar në Britani?

Por rrezatimi ka një efekt shkatërrimtar mbi trupin e njeriut, dhe kur përdoret kundër qelizave kanceroze. Sa i rrezikshëm ishte përdorimi i kremrave ​​radioaktivë? Fatmirësisht, ato nuk shkaktuan shumë dëme. Por llojet e tjera të produkteve radioaktive, rezultuan vdekjeprurëse.

Radithor, një “pije energjetike” e prodhuar nga uji i distiluar, i përzier me një sasi të vogël radiumi të tretur në të. E reklamuar si një “kurë për të vdekurit e gjallë”, ajo premtoi të kuronte sëmundje të ndryshme, nga diabeti tek impotenca seksuale.

Por larg të qenit një ilaç, ajo e vrau mbrojtësin e saj më të famshëm, atletin amerikan Eben Bajers, që piu për vite me radhë 3 shishe “Radithor” çdo ditë. Ai vdiq prej saj në vitin 1932, dhe Ëall Street Journal shkroi titullin:”Uji i radiumit funksionoi mire, derisa nofulla doli jashtë funksionit”.

Por Bajers nuk ishte viktima e parë e rrezatimit. Në mesin e viteve 1920, orët e radiumit u bënë shumë popullore. Mbajtja në dorë e orëve të tilla nuk përbënte shumë rrezik, por punëtorët e fabrikës që i prodhuan ato, vuajtën nga efektet e tmerrshme në shëndetin e tyre.

Përdorimi i bojës radioaktive në fushën e orës ishte një detyrë delikate, por e mundimshme që kryhej nga gratë. Të ashtuquajturat “vajza e radiumit”, u udhëzuan t’i mbanin akrepat e orës të fiksuara duke përdorur buzët e tyre. Me kalimin e kohës, ato nisën të vuanin nga një gjendje e quajtur “nofulla e radiumit”, teksa rrezatimi ua shkatërroi gradualisht nofullat.

Goditja përfundimtare ndaj këtyre produkteve serdhi në vitin 1938, kur Akti Federal i Ushqimit, Barnave dhe Kozmetikës në SHBA, ndaloi reklamat mashtruese, duke e bërë më të vështirë promovimin e shumicës së produkteve radioaktive./ CNN-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Marrëveshja me Turqinë, e ka vendosur Europën me “shpatulla pas murit”

Publikuar

-

Nga

Nga Pierre Haski “Internazionale”

* Është e pashmangshme përjetimi i një ndjenje dezhavyje, para pamjeve dramatike që shihen në kufirin turko-grek, të cilat sjellin në mend katastrofën e dimrit të vitit 2015. E çfarë mund të jetë më keq, sesa një përsëritje e ngjarjeve të atij viti, që e përçanë Evropën, duke e nxjerrë në pah paaftësinë e saj totale, për t’u marrë me një krizë të tillë të papritur?

Në atë kohë, Bashkimi Evropian kishte arritur një marrëveshje me Turqi mbi problemin e emigracionit të paligjshëm, duke paguar para për një kontroll më të madh të autoriteteve turke, si dhe me koston e një poshtërimi të jashtëzakonshëm.

Sot ajo marrëveshje ekonomike po u kthehet kundër evropianëve, që ndërkohë janë sjellë sikur problemi të mos ekzistonte, kur në realitet refugjatët dhe emigranëtët thjesht janë zhvendosur përtej kufirit. Dhe mjaftoi një ngjarje e rëndësishme që të prishte stabilitetin e fasadës, dhe konkretisht konflikti në rajonin e Idlibit në veri-lindje të Sirisë, me ofensivën e regjimit të Bashar Al-Asad të mbështetur nga Rusia, Irani, dhe Hezbollahu libanez.

Kësaj i duhet shtuar edhe vendimi cinik i presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan, për të shndërruar miliona burra, gra dhe fëmijë të dëshpëruar në instrumente presioni drejt një Evrope, të cilën Ankaraja nuk e respekton dhe nuk e ka frikë.

Krizat janë dy, megjithëse të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën:ajo e Idlibit, ku ushtria turke pësoi humbje të mëdha, dhe hyri në një kurs përplasjeje me regjimin e Asadit; dhe atë që Turqia sapo e ka shkaktuar, duke i ftuar emigrantët që ka pritur prej vitesh në territorin e saj, që të nisen drejt Evropës, dhe në veçanti drejt Greqisë.

Më 3 mars, Ministri i Jashtëm i Francës Zhan Iv Lë Drian, e akuzoi Erdoganin se i kishte shfrytëzuar refugjatët për të ushtruar presion mbi Evropën, dhe për të fituar mbështetjen e saj në operacionin ushtarak që Ankaraja po zhvillon në Siri.

LEXO EDHE:  A po mbyllet “shekulli amerikan”, për t’i lënë vendin “shekullit kinez”?

LEXO EDHE:  Presidenti Trump mirëpret ndihmën e Rusisë dhe Kinës për Korenë e Veriut

Ashtu si kancelarja gjermane Angela Merkel më herët, Lë Drian e quajti të papranueshme sjelljen e presidentit turk. Ministri me sa duket ka të drejtë, dhe Erdogani vetëm sa e diskrediton veten kur mburret gjatë takimeve të ndryshme se ka dërguar në Evropë miliona njerëz.

Por kundërvënia ndaj Turqisë, që gjithsesi ka mirëpritur 4 milionë refugjatë, nuk është një përgjigje e përshtatshme politike, ashtu siç nuk është edhe ideja e një Evropë “kështjellë” të barrikaduar pas telave me gjemba.

Le ta pranojmë:për Evropën nuk ka asnjë skenar pozitiv. Evropianët nuk kanë asnjë shans që të ndikojnë në rrjedhën e konfliktit në Siri, që mbetet në fakt shkaku kryesor i presionit migrator. Për më tepër, Bashkimi Evropian nuk ka asnjë mënyrë që të ndikojë tek Turqia, dhe aq më pak tek Rusia, aktoret kryesorë në këtë krizë.

Së fundmi, dështimi i vitit 2015, na ka mësuar që Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të përcaktojë një politikë të përbashkët të emigracionit. Aktualisht jemi duke u përballur me një provë tjetër të ambicieve të Evropës.

Nëse kontinenti i vjetër nuk do të jetë në lartësinë e situatës, ai do të humbasë edhe atë besueshmëri që i ka mbetur, dhe do të lejojë lulëzimin e forcave populiste dhe ekstremiste, që zakonisht përfitojnë nga frika. Bashkimi Evropian ka një imperativ të trefishtë:të humanizmit, që fatkeqësisht mungon në skenat e tmerrshme që kanë vazhduar me ditë të tëra në kufirin grek; të solidaritetit me vendet që përbëjnë kufirin e jashtëm të Evropës; dhe në fund të koherencës për të gjetur zgjidhje diplomatike për këtë sfidë të re. Kjo gjë do të jetë shumë e vështirë. Por nga ana tjetër, është çmimi që duhet paguar për grumbullimin e problemeve, që janë injoruar në të kaluarën./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Koronavirusi/ A do jetë mes nesh për një kohë të gjatë?

Publikuar

-

Nga

* Rastet e infeksionit me koronavirus po shtohen çdo ditë. Dhe “marshimi” i koronavirusit të ri, duket të jetë i pandalshëm. Gjithsesi, vlen gjithmonë duhet të theksohet, se shkalla e tij e vdekshmërisë  mbetet e ulët. Por sipas disa ekspertëve, koronavirusi do të vazhdojë që të përhapet, dhe me siguri neve do të na duhet të mësojmë që të jetojmë me të. Por pa u trembur prej tij.

Sipas epidemiologëve, ne do të arrijmë në pikën kur frazës së famshme “po vjen gripi sezonal”, do të duhet t’i shtojmë frazën “bashku me Covid-19”. Arsyeja? Le t’ja fillojmë me një krahasim, atë me rastin e parë të gripit të shpendëve, kur në majin e vitit 1997 u regjistrua viktima e parë: një djalë 3-vjeçar që jetonte në Hong Kong.

Në atë rast, kaluan disa muaj para se një laborator në SHBA, të konfirmonte se virusi se ishte një variant i gripit, H5N1, i njohur deri atëherë që infektonte vetëm zogjtë. Dhe siç mund ta mbani mend Gripi i Shpendëve, kishte një shkallë vdekshmërie rreth 60 për qind.

Por, një sëmundje e rëndë si ajo e shkaktuar nga virusi H5N1, do të thotë gjithashtu që personat e infektuar mund të identifikohen dhe izolohen (ose të vdesin) shumë shpejt, duke mos lejuar që virusi të qarkullojë vërdallë, dhe për rrjedhojë të rrisë shkallën e tij të përhapjes.

Çështja është ndryshe me koronavirusin e ri, i njohur edhe si Sars-CoV-2, që po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, duke shkaktuar një sëmundje të frymëmarrjes, të njohur si Covid-19, që cila ka një shkallë vdekshmërie rreth 2 për qind. Me përzierjen e fuqishme të tipareve, ky virus duket se është i ndryshëm nga të tjerët: mund të jetë fatal, por jo shumë, dhe të shkaktojë infeksione, por jo në mënyra të parashikueshme dhe të identifikueshme.

Madje ndonjëherë mund të mos shkaktojë fare simptoma. Por ndryshe nga gripi i shpendëve, bota po reagon me një shpejtësi të paparë, dhe me një mobilizim të madh të burimeve. Në fakt, virusi i ri u  identifikua shumë shpejt, gjenoma e tij u sekuencua, dhe informacioni u përhap në të gjithë botën pas disa javësh.

“Unë mendoj se ndoshta ky virus nuk do të jetë i kontrollueshëm”- tha profesori i epidemiologjisë në Universitetin e Harvardit Mar Lipsit për “The Atlantic”. Masat frenuese janë hapi i parë për të reaguar ndaj çdo epidemie. Por sipas ekspertit, në rastin e Covid-19, shanset për të parandaluar një epidemi globale dukeshin të pakta që nga janari, kur Kina nisi të izolojë zona gjithnjë e më të gjera.

LEXO EDHE:  Presidenti Trump mirëpret ndihmën e Rusisë dhe Kinës për Korenë e Veriut

LEXO EDHE:  Koronavirusi, pse OBSH duhet të shpallë gjendjen globale të emergjencës

Virusi është zbuluar deri tani në 24 vende, dhe sipas parashikimeve të Lipsit brenda vitit të ardhshëm, afro 40-70 për qind e njerëzve në të gjithë botën do të infektohen me koronavirusin e ri. Por, ai sqaron se kjo nuk do të thotë se të gjithë do të vuajnë nga sëmundje serioze.

“Shumë prej tyre, ka të ngjarë të kenë një sëmundje të butë, ose mund të mos kenë fare simptoma”- tha eksperti. Ashtu si me gripin e zakonshëm, që shpesh është i rrezikshëm për njerëzit me sëmundje kronike, dhe ata që janë shumë të moshuar, në shumicën e rasteve ai mund të kalojë pa trajtim mjekësor.

Lipsit nuk është i vetëm në bindjen e tij se koronavirusi do të vazhdojë të përhapet. “Më duket se ky virus është arratisur nga Kina, dhe po përhapet shumë shpejt. Tani unë jam shumë më pesimist, nëse ai mund të kontrollohet”- thotë epidemiologu i Universitetit të Oksfordit, Kristopher Daj për revistën “Science”.

Në fakt, sipas mendimit të një numri gjithnjë e në rritje epidemiologësh, rezultati më i mundshëm i kësaj epidemie, mund të jetë ai i një sëmundje të re sezonale, një koronavirus “endemic”. Pra, i famshmi “sezoni i gripit”, mund të bëhet “sezoni i gripit, dhe Covid-19”./ Galileonet.it- Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE