Connect with Us

Nga Ylli Rakipi/ Ilir Meta ka të drejtë, por nuk lejohet… Çfarë absurdi?!

Opinione

Nga Ylli Rakipi/ Ilir Meta ka të drejtë, por nuk lejohet… Çfarë absurdi?!

Publikuar

-

Edhe 24 orë na ndajnë, nga miting-manifestimi i shumëdiskutuar, që Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka thirrur ditën e hënë, në qendër të Tiranës.

– Ilir Meta ka të drejtë, por ky është një akt i paprecendent dhe i papranueshëm për një President Republike, – ka shumë ditë, që thonë analistët dhe mediat e Edi Ramës dhe ata të sektit të Rilindjes.

– Jam me Ilir Metën, ai ka të drejtë, por si mund të bëjë një akt të tillë Presidenti i Republikës, si mund të ndodhë kjo në një Republikë Parlamentare? – bërtet nga një studio televizive, të cilën e ka konceptuar vetë Edi Rama, një aktor-analist, siç thotë edhe vetë, shumë i njohur në Google.

Aktori në fjalë, improvizon kaq bukur, sa të kujton Koçin e famshëm të teto Ollgës, në komedinë e djeshme të realizmit socialist.

Pothuajse të njëjtën gjë, bën një kolegu im shumë i njohur, në emisionin e tij, ku edhe unë kam qenë shpesh i ftuar.

Kolegu moderator-analist, në fillim të emisionit përpara se të flasë me të ftuarit, e ka kthyer në zakon që të bëjë një monolog.

– Pse është tërbuar Ilir Meta? – pyet i shqetësuar analisti i njohur dhe përgjigjet po vetë, – Sepse në konferencën e donatorëve, Rama mori një mbështetje të shkëlqyer dhe duan t’i prishin festën. Kjo është një lojë e ndyrë politike! Meta ka dalë nga binarët e Kushtetutës! Kërkohet prishja dhe moshapja e negociatave!

-Por…Ilir Meta ka të drejtë për ato që thotë, – shprehet edhe kolegu i njohur.

E çuditshme! Sa të ngatërruar jemi bërë, në këtë vend kaq të vogël, ku jetojmë!

Ilir Meta paska të drejtë, por nuk i lejohet të thërrasë qytetarët, për të shpjeguar si po kapet Gjykata Kushtetuese, si janë kapur të gjithë pushtetet, si janë rrëmbyer kompetencat e Presidentit?!

Ilir Meta ka të drejtë, por nuk lejohet…?!

Është pohimi më absurd që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time.

Mos kujtoni se është naivitet. Kush mendon kështu gabohet. Është një përpjekje qesharake, për t’u kapur me thonjë e me dhëmbë, pas të ashtuquajturave korniza institucionale, kur vendi ka përfunduar në një regjim të plotë.

Ilir Meta ka të drejtë, por nuk lejohet… Çfarë turpi! Dhe i gjithë ky detashment analistësh, aktorësh, kontributorësh, militantësh mediatikë, harrojnë të thonë qoftë edhe një fjalë të vetme, për atë që ka ndodhur dhe po ndodh në këtë vend.

Kjo bandë e madhe, bën sikur nuk e sheh, që një njeri i vetëm i ka rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe e ka kthyer këtë vend në një regjim të plotë, në një shtet autoritar. Ky detashment, asnjëherë nuk ka dashur të shohë, që Edi Rama e ka zhytur këtë vend në një korrupsion të thellë politik, duke përdorur mekanizmin e blerjes edhe të njerëzve më të parëndësishëm të të gjithë pushteteve.

LEXO EDHE:  Çfarë ka ndodhur në Fier?!/ Rama publikon videon me të gdhirë

Analistët e sektit të Rilindjes, çuditërisht nuk e shohin braktisjen masive dhe shpopullimin me përmasa tragjike, që nuk ndodh as në vendet ku ka luftëra.

Sa të ngatërruar jemi!

Kolegët e mi, më ekstremistët kundër Lulzim Bashës, tani heshtin, janë gati të bëhen fansa të tij dhe ta puthin edhe në ballë.

Ata tani janë shumë të gëzuar që lideri i opozitës, është kthyer në infermier dhe po bën zëdhënësin e koronavirusit.

Dje, një kolegu im, që vazhdimisht tregonte dhe tregon anektoda për Lulzim Bashën, sot e sheh atë si opozitar konstruktiv, vetëm se ai ka lënë mënjanë opozitën, pi kafe dhe ble shegë me gjyshe Verën, ha paçe koke, mund në futboll fantazmën e Edi Ramës, duke lënë në mes të katër rrugëve opozitën.

Ilir Meta ka të drejtë, por nuk lejohet…

Sa të ngatërruar që jemi!

60 vjet më parë, ne u përpoqëm të vrisnim zotin. A ju kujtohet? Mos mendoni se zotin donte ta vriste vetëm Enver Hoxha, vetëm diktatori. JO! Ju të vjetrit, besoj e kujtoni! Ne të gjithë, si popull, u lëshuam të bënim atë që deri atëherë nuk e kishte bërë askush, të vrisnim zotin.

Jemi mësuar të nënshtrohemi dhe ta duam diktaturën dhe diktatorin. Edhe atëherë kur mbërrijmë në fatalitet.

Ilir Meta i ka thirrur njerëzit në shesh. I ka thirrur kundër regjimit, kundër puçit institucional, i ka thirrur, siç thotë ai, për shtetin e së drejtës, që nuk është më.

Ilir Meta nuk është Krishti, ai është një politikan shqiptar, puro shqiptar, që të gjithë e njohim dhe na njeh.  Dhe sot, ai na ka thirrur, sepse Rama i ka rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe i ka bërë një.

Është koha ta dëgjojmë Ilir Metën edhe nëse nuk e duam atë dhe politikën që përfaqëson ai.

Këtë herë, Ilir Meta ka të drejtë dhe nuk kanë pikë rëndësie kornizat dhe çfarë përfaqëson ai.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Kushtetuta, WC e maces së Gjirit të Lalëzit dhe koronavirusi kinez…

Publikuar

-

Nga

Nga Ilir Mborja

Fort i nderuar Z. President Ilir Meta! Më falni për shqetësimin që po Ju adresoj, por, siç do ta mësoni po të keni durimin ta lexoni deri në fund letrën time, jam besimplotë se do të më mirëkuptoni dhe do të më ndihmoni.

Shqetësimi im është ky: Para disa ditësh një zonjë, apo zonjushë (K. Miraku) që unë e njoh si lidere lokale të një partie me iniciale me tre gërma, m’u drejtua si e dërguara e Kryetares së Shoqatës së Mbrojtjes të të Drejtave të Maceve në Shqipëri. Emrin e saj (d.m.th. të kryetares) nuk po e përmend, pasi kjo do të dëmtonte etikisht tërthorazi edhe emrin Tuaj të nderuar dhe të një partie (të asaj me iniciale me tre gërma) që sot ajo drejton…

Meqenëse zonja, apo zonjusha, lidere lokale e asaj partisë me iniciale me tre gërma më njihte dhe e dinte që dikur kam kryer një shkollë për arte figurative e më vjen n’doresh të dizenjoj, më besoi e më ofroi punë për shkrimin e disa parrullave në pankartat që do të përdoreshin sipas saj nga anëtarët e Shoqatës së Mbrojtjes të të Drejtave të Maceve në Shqipëri në tubimin që keni thirrur Shkëlqesia Juaj në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë, ditën e hënë më 2 mars në ora 17.00.

Në fletën që më la në dorë zonja, apo zonjusha, lidere lokale e asaj partisë me iniciale me tre gërma, ishin shkruar disa parrulla me përmbajtje për të cilat me thënë të vërtetën isha e mbetem krejt indiferent. Për të llogaritur sasinë e bojës dhe të bezeve që do të më duheshin për të kryer atë punë, mua më interesoi vetëm numri dhe madhësia e gërmave. Duke llogaritur ato, pra: sasinë dhe markën cilësore të bojës (nga ajo që shiu që do të bjerë të hënën mbasdite i merr të keqen) dhe të bezes e ristelave mbajtëse, u morëm vesh dhe zonja, apo zonjusha në fjalë, u pajtua me preventivin i cili përfundimisht kushtoi 306 000 lekë të vjetra. Pa llogaritur hakun tim të punës dhe gërmat e parrullës për koronaviruesin që shitësi kinez i bojës kineze që përzgjodhëm premtoi se e sponsorizonte nga ana e tij… Pra, u llogaritën para për bojë për plot 306 gërma dhe shenja pikësimi.

Për transparencë të numrit të tyre (gërmat janë me gjatësi 1 metër secila) po Ju njoh me parrullat:

Mjau! deputetë shpërndahuni! çët, çët, çët!

Mjau, mjau! duam referendum!

Mjau, mjau! duam kushtetutë të re!

Të gjitha macet e shqipërisë – tualete më vete! mjau, mjau!..

Të sansionohet në kushtetutë mëvetësia e tualeteve tona! mjauuu!..

Mjau! të gjtha macet e shqipërisë me wc si mace sasha e lalëzit!

Duam kushte dhe privatësi për të bërë kakën! mjau, mjau, mjau!..

I nderuar Shkëlqesi!

Zonja, apo zonjusha, që bëmë kontratën në emër të Kryetares së Shoqatës së Mbrojtjes të të Drejtave të Maceve në Shqipëri u bë pishman dhe sot nuk erdhi t’i marrë në dorëzim parrullat e përfunduara nga ana ime. Më çoi haber se nuk do të vijë kurrë t’i marrë(!!!)… Me pak fjalë: Gjithë puna dhe mundi im shkoi dëm… Por kjo nuk më shqetëson aq shumë. S’di ku të futem nga pronari kinez të cilit i detyrohem për koston e bojës. Ai pret paratë dhe tani, meqë puna vajti kështu, më kërkon edhe ato që na kish falur për parrullën me përmbajtje: “JO KUSHTETUTËS! JO KORONAVIRUS! JO KAKA E MACEVE RRUGËVE!”. Pra shtoi edhe 49 000 lekë të tjera për 49 shkronjat… Pra, duke i shtuar 306 000 lekëve të para edhe 49 000 lekët për parrullën e koronaviruesit, unë tashmë i jam debitor shitësit kinez me plot 355 000 lekë të vjetra…

LEXO EDHE:  Meta akuza Gjiknurit/ Fshehu informacionin për “Unazën e Madhe”

LEXO EDHE:  Çfarë ka ndodhur në Fier?!/ Rama publikon videon me të gdhirë

Vendosa t’Ju drejtohem Juve jo vetëm se zonja apo zonjusha që m’u paraqit e foli në emër të Kryetares së Shoqatës së Mbrojtjes të të Drejtave të Maceve në Shqipëri përmendi familjarë (midis tjerash edhe emrin e maces Suaj “Sasha” dhe tualetin personal të Saj në banesën Tuaj me 11 të tilla në Gjirin e Lalzit), por se Ju jeni dhe mbeteni për mua i vetmi institucion legal e i besueshëm që mendoni vërtetë për hallet tona, mu ashtu, si për macen Tuaj, fisniken Sasha.

Gjithashtu, Ju drejtohem Juve se zonja, apo zonjusha, lidere lokale e partisë me siglën me tre iniciale e (që dikur ishte jo fort e parëndësishme) e cila më kontraktoi në emër të Kryetares së Shoqatës së Mbrojtjes të të Drejtave të Maceve në Shqipëri, gjithë këtë prerje në besë, e lidh (jam krejt i sigurtë abuzivisht) me Shkëlqesinë Tuaj…

Ajo më shpjegon se gjithçka ndryshoi për arsye se Ju keni ndryshuar mendim për përmbajtjen e tubimit të së hënës më 2 mars. Gjithnjë sipas saj, Ju, për arsye që mua personalisht s’më interesojnë, nuk do të merrni nismën për të shpërndarë parlamentin, por do të inicioni vetëm mbledhjen e 50 000 firmave për një referendum për ndryshimin e Kushtetutës… Për këtë, sipas saj, por edhe sipas zëdhënësit Tuaj z. Tedi Blushi, parrullat e shkruara me bojën cilësore kineze dhe me mundin e me djersën e një shqiptari të varfër siç jam unë, do të shmangen për t’u zëvendësuar me ca buqeta me lule mimoze(!!!)…

I nderuar Shkëlqesi!

Më falni, por mendoj se ky arsyetim është dashakeq për Ju dhe cënon abuzivisht nivelin e lartë të ndershmërisë Tuaj.

Ju lutem, ndërhyni pranë Kryetares së Shoqatës së Mbrojtjes të të Drejtave të Maceve në Shqipëri e më ndihmoni të më japin të paktën paratë që i detyrohem pronarit kinez të dyqanit të bojrave kineze. Është kohë koronaviruesi dhe ai më ka lënë të kuptohet se mund të hakmerret ndaj meje duke më infektuar. Teshtiu dy herë përpara meje dje kur më trokiti në derë pa maskë… Prandaj Ju lutem: Vëreni dorën në zemër për mua! Ju vë sinqerisht në dijeni se vuaj nga sëmundje shumë e rëndë kardiovaskulare… Pra, hyj tek njerëzit me risk të lartë e, nëse prekem nga koronaviruesi kinez, mortja mbaron punë shpejt me mua dhe pastaj nuk do të kem rast të votoj ashtu siç do ta kërkoni Ju të hënën më 2 mars me inicimin e referendumit për Kushtetutën e re…

Me konsideratë sipërore, Ilir Mborja.

LEXO TE PLOTE

Opinione

O mik i PD, bëhet fjalë për presidentin tonë, Ilirin

Publikuar

-

Nga

Nga Bashkim Kopliku

Bëhet fjalë presidentin tonë, Ilirin, atë që na organizoi “kryengritjen e Poliçanit” në 1992, kur unë isha ministër i brendshëm dhe ai deputet; kur unë, sipas tij “vrisja njerëz nga helikopteri turistik mbi Poliçan”; atëherë kur na morën peng oficerin e policisë, Pashkun, e kur u tha se organizatori ishte Iliri; atëherë kur policia, me urdhrin tim të prerë, hyri në Poliçan pa arme, nuk plagosi e as vrau njeri, siç na vranë në Shkodër më 2 prilll 1991…., pavarësisht se “kryengritësit e Ilirit”, na dogjën disa makina, e na….

Natyrisht, fajtorët banorë në Poliçan, i kapëm si minjtë, po atë mbrëmje, në shtëpitë e tyre, por nuk VRAMË njeri, Mik, se atëherë mendonim se demokratët nuk duhet të vrasin, kur ka mundësi të mos vrasësh, as në Poliçan, as në bulevard etj. etj.

Mbase ishin shpifje, ato për Ilirin në Poliçan, mbase nuk kishte një prapaskenë Berisha-Meta, siç u pat thënë!!! Unë nuk bëra punën as të prokurorisë, e as të presidentit të vendit, Sali Berisha, pavarësisht se, me të drejtë, më ankoheshin kolegët e Policisë, se po futen miq për të shpëtuar organizatorët e “kryengritjes”, se po detyrohen të ndryshojnë deklarimet fillestare disa oficerë policie, se po hyn politika, se po bëhen pazare mbi jetën e policëve.

Kishin të drejtë ata: ishte goditur Policia e shtetit, shokët e tyre! Mbase kështu na interesoi edhe “ne të PD-së”, atëherë, e shpëtoi Iliri nga akuzat…. Po e përsëris: nuk di gjë 100% të sigurt, ka vetëm indicje, mund të jenë edhe shpifje…, se ne kemi tradita të “lashta” për shpifje.

LEXO EDHE:  Çfarë ka ndodhur në Fier?!/ Rama publikon videon me të gdhirë

LEXO EDHE:  Ç'ndodhi në Llogara/Zbardhen detaje nga mbledhja e Ramës me ministrat e rinj

Nejse, se rrash edhe unë në pozitat tuaja: dalje nga tema.

Tema sot është Iliri nesër, në 2 mars 2020.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Henri Çili, trofeu i lakmuar i Drejtësisë enveriste SPAK & KLP

Publikuar

-

Nga

Nga Agron Tufa

Organet e Reja te Drejtësisë së Reformuar Enveriste (me Veting), prokurorët azganë, ish hetuesë të kohës së komunizmit – Arben Kraja, B. Sheshi, A. Dvorani etj), qysh pas përbetimit të janarit 2020 se do të mbrojnë njëri-tjetrin grusht bashkuar rreth kreut të SPAK-ut, sapo kanë filluar gjuetinë e krerëve apo peshqëve të mëdhenj të korrupsionit.

Në këtë vend të shfytyruar nga krimi i organizuar shtetëror e politik, që kanabizon kolumbishëm vendin, që me paratë e drogës ngre e rrëzon pushtete, blen ambasadorë të rëndësishëm të euroamerikës, blen zgjedhje elektorale qendrore e lokale, blen deputetë e vota deputetësh, blen opozitën dhe ngreh, sajon e emëron opozita-kukull; në këtë vend të kthyer në kosh plehërash për pastrim parash nga e gjithë bota apo terren kismeti për aventurat ekonomike të lloj-lloj dështaku e sharlatani – në këtë vend ku origjina e bizneseve të reja marramendëse kriptohet e përfundon tek deputetë e ministra (me ish e pa ish), – na qenka pra në këtë vend kryepersoni i rrezikshëm – Henri Çili!

Ky qenka Peshku i madh i korrupsionit ore!? O, ç’na gajasët më keq se Saja e çunat e Sajës! Po Henri qenka Oktpodi?! Apo nuk donit të dilnit duarthatë përballë zonjës Ambasadore?
Sigurisht liberali Çili ka kritikuar ashpër klikën e Rilindjes në pushtet (dhe duhet ta bëjë gjithkush këtë, duke e konsideruar si pushtet jo legjitim, thuajse pushtim), por kjo nuk është arsye për arrestim në mesnatë, në stil sigurimsash dhe me një batare akuzash.

Gjithë ato akuza, përveçse qesharake, ato e bëjnë me simpatike figurën e pedagogut, publicistit, sipërmarrësit e botuesit Henri Çilit.
Zelli, padyshim i tepëruar e i pabazë i drejtësisë së rikthyer komuniste, tregon se çfarë ekuivokesh mund të prodhojnë ish-shërbëtorët e diktaturës po t’u lësh drejtësinë në dorë. E nëqoftëse Rama është paranojak (për vete nuk kam pikë dyshimi) dhe nuk ndërhyn ta ndalojë këtë vodevil të turpshëm e të trashë, këtë instalacion psikopatik enveristësh e sigurimsash, atëherë shakaja do të vijë duke u zgjeruar përbindshëm: vetë do ta pësojë në një situatë disa herë më të egër, më absurde, me të vetmin ndryshim nga Çili, që kryeministri prej shumë vitesh e ka hak.

LEXO EDHE:  Përplasja Rama-Paloka/ Mediu “kryqëzon” kryeministrin

LEXO EDHE:  Ç'ndodhi në Llogara/Zbardhen detaje nga mbledhja e Ramës me ministrat e rinj

Unë shpresoj që gazetarët të reagojnë, ta tregojnë veten duke mbështur lirimin e kolegut të tyre Henri Çilis e të dëshmojnë kësisoj, se sa flluska janë të lirë.

P.S. Nuk kam qenë asnjëherë pedagog në UET-in e Çilit, nuk kam punuar në mediat e tij, nuk kam botuar asnjë libër në botimet Uetpres dhe Mapo etj., etj./ CNA.al

LEXO TE PLOTE