Connect with Us

Nga Ilir Levonja/ Përse Henrin të parin dhe jo Edi Ramën

Opinione

Nga Ilir Levonja/ Përse Henrin të parin dhe jo Edi Ramën

Publikuar

-

Ka një fërkim duarsh dhe urrejtje frontale, sidomos nga ata që i lumturon qeveria, karshi arrestimit të Henri Çilit. Madje një shpurë e mirë deklarojnë me seriozitet të rëndë se ka shkelur ligjin, ka bërë atë që nuk bëhet duke tentuar të lirojë dy të akuzuar për vrasjen e një polici në Lazarat. Jemi një lukuni mashtruesish dhe masturbuesish së pari karshi vetevetes dhe së dyti karshi gjithkujt që del sadopak kundër qeveriut. Megjithëse duhet thënë se personi në fjalë vitet e fundit ka qënë pro qeveriut në të gjitha daljet publike. Ashtu siç edhe ishte pro qeveriut të parë kur qeveriste PD-ja dhe më vonë aleanca PD-LSI. Nga ana tjetër u pa qartë një frikë panik ndër panelistë të tjerë se ku i dihet ndonjë reprezalje mëngjesi mund t’u thyej derën edhe atyre, jetojmë në Shqipëri dhe ndërhyrja është meritë, bakshishi strategji. Mund të kenë bërë edhe ata ndonjë telefonatë, të ndërhyn fëmija, gruaja, vëllai, nipi, halla, tezja, xhaxhai, komshiu, shoku, i njohuri që të ka bërë një nder dikur. Nëse e mohojmë këtë kulturë gënjejmë veten, do na duhen edhe nja dy shekuj që të bëhemi si Austria, Danimarka a Belgjika. Jeni në listë dhe në periudhë kongresesh, partia do ca shpërblime, ka ndërmend të aplikojë edhe planifikimet me 3 a 5 vjeçare. Sa më shumë të rrisni kultin e individit në një kongres, aq më shumë keni thelluar luftën e klasave, gjuetinë e shtrigave. Zakonisht kongreset partiake janë rrahje debati midis fraksioneve dhe mendimit ndryshe në parti, ku pranohen hapur të gjitha, sukseset dhe dështimet, tek ne ndodh e kundërta, ka vetëm sukses dhe lartim të kultit të individit. E nxjerrim njëshin më të fort, e bëjmë babazot dhe shtrojmë qilima, shtojmë drita si që ikona e tij të dominojë universin. Ky arrestim ishte një buqetë gjigande dhuratë për njëshin dhe kongresin e tij, jo veprim i drejtësisë shqiptare. Kjo po ndodh aktualisht në Tiranë por ju nuk keni sy ta shihni. Aksioni i Lazaratit ishte një nga shfaqjet më propogandistike të qeverisë së kohës, shkatërroi një fshat për të kthyer gjithë vendin në një laborator droge, megjithatë një nga ish ministrat e akuzuar për këtë, nuk u dënua kurrë. Dhe këta që sot fërkojnë duart me të ashtuquajturën luftë krimit, atëherë videove që vinin nga fushat e Myzeqesë dhe të Zadrimës mbi ca kaçatorrë transportues, i përgjigjeshin me batutat e Ramës, se janë mushkonja a çimka. Nuk ka në Shqipëri trafik lëndësh narkotike. Dhe e kanë këtë bindje akoma edhe pse një avion ngeci në pistën ranore të Divjakës. Jo më pak se 1 muaj një i dënuar i përjetshëm që vrau 5 policë, shkoi me badiguardë të pastronte dhëmbët në Bllok në mes të Tiranës, megjithatë asnjë i dënuar nuk ekspozua duke ia thyer derën herët. Sot dalin paneleve dhe thonë, u kap duke përgjuar. Ka gabuar rëndë. Megjithëse u ça duke transmetuar video RAI 3 për grupin e Shijakut dhe lidhjet e tija me bashkiakun e Durrësit, Departamaneti i Shtetit e shpalli non grata në Amerikë, kryeministri tha që me përgjimet merreni ju, janë të pa baza. Se çfarë bën Amerika, nuk dua t’ia di, personin e kam mik. Megjithëse për gjatë vitit të kaluar një tabloit gjerman u ça duke nxjerrë përgjime, madje ku përmendej edhe vetë kryeministri, me emra, se si bliheshin votat në qarkun e Dibrës, se si ndaheshin postet dhe premtimet për karrierë, askush nuk u dënua, përkundrazi u shpërblyen. Ky nuk është një dyzim social, por plotësisht një nënshtrim. Një nënshtrim sa ju ka bërë të jeni gjithmonë gati të hiqni edhe brekët po tua kërkojnë njëshat. Ka kohë që vendit tonë i mungon një fuqi reale e opozitarizmit me rezistencë, pak a shumë si ajo e grupimit për teatrin. E drejta civile duhet të jetë sot më imponuese se kurrë, ku përfshihet vendimmarrja dhe vokacioni social. Nuk është e drejtë që 4 persona të vendosin se si do votojë dhe kush e ka të drejtën e votës në Shqipëri, i takon sovranit. Nuk është e drejtë që të ulen dy njerëz në një qoshe mejhaneje dhe të zgjedhin presidentin, i takon sovranit. Këto janë përfundime që i ka sjellur koha për shkak të ngërçeve dhe krizave të vazhdueshme politike. Vetëm në Shqipëri gjërat janë gjithmonë krizë dhe pronë e 2 apo 3 emrave. E drejta civile duhet të ulet këmbëkryq dhe nuk duhet ta lëshojë bulevardin deri në zhdukjen e dy standartiteve dhe vendosjen e faktit që ligji është një për të gjithë. Nëse do ishte kështu edhe këta që fërkojnë duart me këtë arrestim duhet të iishin me kohë kontingjent burgu, por nuk janë. Eshtë e gjitha një gjueti shtrigash në një vend ku prodhimi me cilësinë më unikale në botë është propaganda. Dhëntë Zoti dhe kthjellohemi sa më shpejtë. A mundet drejtësia shqiptare të arrestojë kryeministrin? Ka vjedhur votat, u verifikua me përgjimet. Jo, nuk mundet. Atëherë nuk po vendosni, nuk po bëni drejtësi por luftë brenda sojit.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Nga Lorenc Vangjeli/ Henri Çili, viktimë perfekte e rrethanave fatkeqe apo e botës që ndërtoi vetë

Publikuar

-

Nga

Henri Çili është viktima perfekte. Djali që erdhi nga periferia e Elbasanit dhe u vetëkrijua në pak vjet si një nga qytetarët e njohur të Tiranës, vlen të goditet me gurë. Nga të gjithë. Duke nisur me ata që i ka pasur pranë dhe që tani mund të gogësijnë me çorape tek goja: kishte një gjë që nuk shkonte tek ai! Mund ta godasin ata që i ka pasur kundër: e patë si I ka bërë paratë ai farë skuthi!

Henri Çili është shënjestra perfekte e gurëve nga gjithkush që tek suksesi i tjetrit sheh arsyen e vetme të dështimit vetjak, të atij që hungëron luanërisht përpara të dobtit dhe mjaullin si kotele përpara të fortit. Paranojakë e delirantë, të vënë përfund nga zilia e të mposhtur nga xhelozia, cilido që pranon të humbasë një sy me kusht që fqinji të humbasë të dy sytë, kush nuk ka mundur të bëjë shkollë dhe kush është edhe me diplome universitare, edhe analfabet funksional, madje edhe kush ndan qelinë në këto netë me Çilin dhe i duket vetja si ai, duke hedhur një gur mbi Henrin, mund të ndjehet i shpaguar.

Të tjerë njerëz që i fshehin botës dritëhijët e tyre, ata që kanë bërë kompromise të rënda dhe kanë njolla të errëta në të shkuarën, kush ka thyer këmbët në piruetat e baletit të përditshëm, kush ka refuzuar dashuri dhe është orgazmuar në tradhëti njerëzore, kush është valëvitur sa nga përunjësia tek arroganca, sa nga sinqeriteti i vonuar tek iluzioni i përditshëm, pra, kushdo që sheh tek vetja një listë të tillë që mund të shpallet nga miqtë dhe armiqtë e Çilit si CV-ja e tij, miq e armiq të tij dhe gjithë bota anonime e rrjteve sociale, mund të godasin Henrin me gurë. Sepse pesha që heqin nga vetja dhe e hedhin mbi të, jep përshtypjen se lehtëson mëkatet e gurëhedhësit.

Gurë mund të hedhin edhe të gjithë ata që janë pjesë e jetës publike në këtë vend si një mënyrë për t’u shplarë nga balta e frikshme që llumi i dalë në majë dhe maja që zbret dhe vetë në llum, e prodhojnë ditë mbas dite. Madje edhe Henri duhet të gjejë një gur për kokën e tij, sa kohë që rrethanat fatkeqe apo zgjedhja e vullnetshme, keqkuptimi fatal apo vetecja në fatalitet, shkon në drejtim tërësisht të kundërt me çfarë vetë Çili ka deklamuar dhe besuar.

Henri Çili ka një betejë të jashtëzakonshme përballë vetes dhe gjithë njerëzve që e njohin trajektoren e jashtëzakonshme të jetës së tij nga këmbët e kodrës në Fushë Labinot e deri në kodrën e Rolling Hills-it në Tiranë. Ai duhet të luftojë betejën e jetës së tij, mbas të cilës, ai do të jetë humbës edhe nëse e fiton totalisht.

Akuzat janë të rënda dhe serioze. Pjesë e një shoqërie në lëngim të plotë moral, ku korrupsioni është mundësi, mitmarja mënyrë jetese, ndërhyrja e favori pjesë genetike, absolutisht momenti më i vështirë dhe vija e kuqe mes fajësisë dhe pafajësisë, mes qytetarit normal të shoqërisë anormale dhe personazhit që duhet ndëshkuar e izoluar, është vetëm hesapi fatal me gjakun e policit të vrarë. Nëse kjo gjë ka ndodhur, atëherë vetë Henri Çili, duhet të zgjedhë të jetë prokuror për veten! Dhe të jetë njëkohësisht edhe gjykatësi që do ta ndëshkojë në emër të një akuze që do të shkon në të kundërt me atë që vetë Henri Çili është munduar të bëjë gjatë jeës së tij të stuhishme: ka shkuar kundër interesit publik.

LEXO EDHE:  Rama vlerëson, çfarë bëri mirë PD –ja gjatë qeverisjes së saj

LEXO EDHE:  Rama vlerëson, çfarë bëri mirë PD –ja gjatë qeverisjes së saj

Lajmet e para dhe të rezervuara duke hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur, e bëjnë edhe më të thellë misterin e asaj që ka ngjarë. Qindra orë përgjimesh, duke gjykuar njerëzit me të cilët Çili fliste dhe shkruante, do të kenë venë në merak të madh shumë personazhe. Ata janë duke kontrolluar mesazhet e shkëmbyera, pyesin sesa e  mundur është zbardhja e komunikimit në ëts-ap, viber a gjetkë, tentojnë të kujtojnë çfarë kanë thënë me njëri-tjetrin dhe çfarë kanë “blerëshitur” reciprokisht. Ata janë kryesisht në politikë dhe në biznes. Në të djathtën e saj ku Çili është zhvendosur prej muajsh, mbas një disa vjeçari gjysmëflirti me të majtën në pushtet dhe në të majtë të politikës, nga e cila Çili u distancua gradualisht. Ky është thesari i fshehtë që ndodhet në CD-të e pazbardhura ende, në të cilat mund të gjendet identikiti i vërtetë i shumë personazheve që bëjnë make up kur dalin në televizion. Eshtë ende herët për të folur për këtë anë të dosjes, në të cilën, siç ndodh rëndom tashmë, sa herë që bëhet fjalë për drogën, dalin dhe emra vajzash instagrami.

Henri Çili ka pohuar se nuk ka bërë asnjë faj dhe se do të luftojë për të drejtën e tij. Eshtë e vvështirë që nga liria t’i jepet dikujt këshillë se çfarë duhej të bënte për rikthimin në liri nga qelia. Në një vend kur dyshimi për mospagimin e një fature energjie apo kur grabitja e më pak se 100 eurove është krim i provuar nga prokurorë me kostume mijëra euro dhe gjykatës që ngrohin me energji të vjedhur ujin e pishinës private, fati i afërm i Henri Çilit që banon në vilë, duket i paravendosur. Mentaliteti i përdhunshëm sovjetik i gjithë shoqërisë shqiptare – edhe vetëm dyshimi për faj, të shpall fajtor – i le pak shans e shpresë një vendimi të arsyeshëm. Me pizhamet me vija të burgut, Henri Çili nuk ka mundësi as të largohet në arrati, as të prishë provat e hetimit dhe as të pengojë zbardhjen e të vërtetës. Duke e pritur fatin e hetimeve të tij në gjysëm liri, rasti Çili mund të ishte për ironi të fatit, një shans për vetë këtë mentalitet që dyshimin e quan provë dhe provën e përdor vetëm si thikë kundër të dyshuarit.

Henri Çili është viktima perfekte e klimës sovjetike në vend, që tenton të ndërtojë kapitalizmin duke urryer me gjithë ligësinë e shpirtit kapitalistët. Ai është viktimë e një shoqërie që adhuron si perëndi paranë dhe neverit paranë në xhepin e tjetrit, që ngre piedestale vetjake morali dhe kurvëron me nge sa herë që ka mundësinë, që nuk bën keq se nuk do, por se nuk mund, që nuk e quan kur bën një vepër të mbarë, nëse nuk ja lavdëron gjithkush.

Henri Çili është gjithashtu viktima perfekte e vetvetes. Një Lysien de Rubempre ballkanas, si  personazhi i famshëm i Balzakut, që shkëlqeu dhe ra në Parisin e pothuaj dy shekujve më parë, atij i duhet të rikthehet sërish në Tiranë nga periferia. Por kësaj here, rruga është më e gjatë. Përmeti i trëndafilave, e ka rrethuar me gjëmba mosbesimi betejën e tij, rrethanat vetjake, fatin e fatalitetin e papritur: nga sot, distanca e Përmetit me Tiranën është pak më larg sesa hapësira që ndan Tiranën me botën që ai i kishte ndërtuar vetëvetes.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Bledi Mane/ Coronavirus ku je, pse nuk po vjen?

Publikuar

-

Nga

Pardje djali u zgjua me temperaturë dhe i djersitur. Kollitej shpesh, ndihej i drobitur por gjithësesi donte të shkonte në shkollë. Nuk i ndahet shpirti nga shokët e klasës së parë dhe mësuesen e do tmerrësisht. Ne, u trembëm disi dhe vendosëm që ta lemë në shtëpi me gjyshen.

Hëngrën mëngjesin të dy, luajtën pak bashkë dhe si gjithmonë gjyshja ndezi televizorin të ndiqte lajmet e ditës ndërsa djali u lëshua më kokë mbi laptop.

-Qyqja, klithi gjyshja ndërsa djali zgjati kokën nga ekrani i kompjuterit drejt ekranit të televizorit. Titrat e kuqe të lajmit të fundit pulsonin si zemra e një atleti:

Vrasje e dyfishtë në Mirditë/ Fatmir Koleca vret gruan dhe kunatin…

U drodh gjyshja, u drodh djali, u drodh edhe zëri i spikerit kur lexonte lajmin.

Djali kapërdiu pështymën në fytin e hollë, nisi të luante përsëri në kompjuter kur gjyshja para televizorit bërtiti përsëri. Djali zgjati kokën nga ekrani i kompjuterit drejt ekranit të televizorit. Titrat e kuqe të lajmit të fundit rrihnin si zemra e një trumcaku të trembur:

Gjakoset Vlora/ 77 vjeçari Muço Malaj plagoset me thikë nga një tjetër pensionit 68 vjeçar…

Dridhja e zërit të spikerit të lajmit drodhi televizorin, gjyshen, djalin.

Djali kaploi qepallat e syve, qëndroi para kompjuterit si i mpirë dhe tashmë shikonte vetëm gjyshen.

-Fike televizorin, fike, të lutem fike o nënaaaa! Përgjërimi i djalit ishte i kotë, ndërkohë që gjyshja rrëmbeu pultin, lajmi tjetër erdhi i freskët nga qyteti bregdetar:

Horror në Durrës/ Ruzhdi Tasuni vret gruan e tij me mjete të forta…

-Fikeeee, fikeeee bërtiste djali dhe sapo gjyshja bëhej gati të shtypte butonin e kuq të pultit, lajme të tjera të skuqura me gjak pulsonin në ekranin e televizorit:

Aksident në Mamurras, makina shtyp 41 vjeçarin!

LEXO EDHE:  Doris Pack apel Ramës/ Sulmon edhe Komisionin e Parlamentit Europian

LEXO EDHE:  Doris Pack apel Ramës/ Sulmon edhe Komisionin e Parlamentit Europian

Vdes 30 vjeçarja, hidhet nga kati i gjashtë i një pallati në Fier!

Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit vdes në moshën 99 vjeçare!

Pllakos zija në shtëpinë e gazetarit Andi Bushati, i vdes gjyshja 98 vjeçare.

2./

Unë u ktheva para gruas në shtëpi rreth orës pesë pasdite. Asnjë zhurmë, asnjë lodër nëpër këmbë, asnjë frymë njeriu. I thirra djalit, i thirra edhe gjyshes së djalit por nuk morra përgjigje. Kontrollova çdo qoshe të shtëpisë i shqetësuar për familjarët e mi dhe ashtu i shokuar i gjeta të dy të zverdhur fshehur poshtë tavolinës së ngrënies. Nuk flisnin, sytë e shqyer të tyre tregonin panik. Qëndronin të përqafuar të dy dhe nuk më shikonin mua, por shikonin nga ku ishin fshehur, ekranin pa zë të televizorit. Titrat e skuqura nga fraktura e lajmit pulsonin haberin e fundit:

Pasi vrau gruan dhe kunatin, Fatmir Kolecaj vret veten në një fshat të Mirditës…

3./

Pse po vonon, ku je, ku mbete, ku humbe?

Eja, eja i dashur Coronavirus në këtë vend dhe mbylli këta njerëz brenda nga frika jote. Boshatisi rrugët dhe lagjet, mejhanet dhe katundet. Mbylli dhe tmerroi për pak kohë që të marrin veten e ti thërrasin mendjes. Mbylli dhe kaploi nga frika kolektive që të mos kenë shans as të shtypin njerëz nëpër rrugë dhe as të mos vrasin gratë apo veten e tyre.

Eja Coronavirus, mos vono!

Foto e publikuar nga Bledi Mane

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

A janë të pastra paratë e shqiptarëve?!

Publikuar

-

Nga

Nga Hekuran Vladi

*1. Morrat e kohës së tallonit.

Në fund të viteve ’90, kohë që përveç të tjerash, shpalosi krizën ekonomike të akumuluar në shumë vite, ndodhi edhe një “shaka” e pistë në treg.

Sapuni, që normal merrej me tallonë e që nuk mjaftonte kurrë, doli me defekt.

Në vend që të ndihmonte për zhdukjen e morrave, ndihmonte në shtimin e tyre.

Se nga vinte kjo, mund ta shpjegojë ndonjë kimist, unë veç di se është e vërtetë.

Do t’jua them më vonë pse e fillova shkrimin me morra.

2. Çfarë është pastrimi i parave?

Përkufizimi më përfshirës për pastrimin e parave është ai i fenomenit të kryerjes së një, ose shumë transaksioneve të aseteve (para, etj), në mënyrë që të ardhurat nga punë të paligjshme të duken si të ardhura nga punë të ligjshme.

Theksoj “të duken”, pasi diçka që bëhet, nuk mund të zhbëhet dhe përfitimet e paligjshme mbeten të tilla përgjithmonë.

Pra, termi “pastrim parash” është një togfjalësh, ku fjala “pastrim” nuk është në kuptimin e parë të saj, por në kuptimin “maskoj, fsheh të pistën”.

3. Pastrimi i parave në Shqipëri.

Pastrimi i parave është një biznes që ka filluar vitet e fundit edhe në Shqipëri, më saktë 10-15 vitet e fundit.

Kjo, pasi përveç se të ardhurat e paligjshme vinin gjithmonë e në rritje, nuk ndjehej aspak domosdoshmëria, që këto të dukeshin të ligjshme.

Me antarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, ratifikimin e shumë konventave të rëndësishme, por sidomos fillimi i asocim-stabilizimit me BE, edhe Shqipëria filloi të perceptohej si vend me risk për paranë e paligjshme, kësisoj filloi edhe pastrimi i parasë.

Në fjalë të tjera, duke përsëritur veten, personat me burime të paligjshme pasurore filluan të bëjnë transaksione shtesë, në mënyrë që të pastronin ato.

Me shtimin e burimeve të paligjshmërisë në fitimin e parasë, është zgjeruar edhe biznesi i pastrimit të parasë.

Vlerësohet që sasia e parasë kriminale në vend është rreth 25% e GDP e rrjedhimisht edhe turn-over i biznesit të pastrimit të parasë është pak më i vogël se kjo shifër, pra rreth 2.5 miliardë euro.

4. Ku pastrohet para?

4.1. Tregu i ndërtimit dhe ai i pasurive të patundshme.

Një nga format klasike të pastrimit të parasë.

Ajo që po vërehet me shqetësim aktualisht në Shqipëri është rritja e ndërtimeve në kushtet e uljes së kërkesës për apartamente.

Me mbajtjen lart të çmimeve të shitjes nga këta ndërtues, rregullat e tregut dalin jashtë përdorimit dhe lënia bosh e apartamenteve shpjegon “sinqerisht” se aty po pastrohet para.

4.2. Bankat e nivelit II

Tregu i parasë në vend është shumë dinamik.

Me një ekonomi informale mbi 50% dhe përdorim të parasë cash më të lartin në rajon, në pamje të parë duket sikur nuk ka shumë punë për bankat.

Në fakt ka punë për ta dhe disa shit-blerje të fundit, të kryera në gjysëm errësirë, i kanë shtuar dyshimet se disa prej bankave i kanë shtuar cv së tyre pastrimin e parasë.

4.3. Shoqëritë financiare jo – bankare.

Shoqëritë e sigurimeve e kanë filluar pak më herët pastrimin e parasë. Tashmë disa prej tyre e ofrojnë për të tretët.

Shoqëritë e kursim – kreditit janë në rritjen e biznesit të tyre dhe çuditërisht janë përfshirë edhe në pastrimin e parasë.

4.4. Bastet, llotaritë dhe kazinotë

Për momentin ka një moratorium për lojrat e fatit. Megjithatë ligji ka një klauzolë për lejimin e kazinove në hotelet me 5 yje e lart.

4.5. Spitalet private, shkollat private, futbolli.

Nuk zënë ndonjë peshë të madhe në totalin e vendit, por kanë pjesën e vet. Transaksioni më i fundit ishte blerja në Tiranë e disa magazinave të viteve ’70, të adaptuara keq si spital.

4.6. Shpenzimet për bizhuteri, piktura dhe gjëra të tjera të luksit.

Bëhet rëndom kudo në botë dhe është një nga format e kamufluara të pastrimit të parasë.

Në Shqipëri nuk ka ndonjë shifër se sa ndodh, përveç tregut relativisht fitimprurës të bizhuterive dhe materialeve të çmuara, i cili nga ana e vet është një tregues i tërthortë i asaj për të cilën po flasim.

4.7. Mallrat e konsumit luksoz dhe jeta luksoze në përgjithësi.

Shpenzimet e pajustifikuara të jetesës janë karakteristikë e disa grupeve shoqërore në Shqipëri, ku mund të listohen elementë të krimit të organizuar, politikanë dhe familjarë të tyre, biznesmenë, etj.

Format më të dukshme të shpenzimeve të tyre të pajustifikuara janë makinat e shtrenjta, restorantet luksoze që frekuentojnë, etj.

5. Kush pastron para në Shqipëri?

5.1. Trafikantët lokalë të drogës dhe qenieve njerëzore.

Shqipëria është tashmë furnitori kryesor i Europës me hashash të prodhuar në vend. Ky prodhim kontrollohet bashkë me eksportin nga banda kriminale me aktivitet brenda vendit.

Përveç hashashit, Shqipëria po zë një vend të rëndësishëm edhe në trafikun e heroinës dhe atë të kokainës.

Trafiku i qenieve njerëzore, kryesisht gra dhe fëmijë, jashtë dhe brenda vendit, po njeh sërish rritje vitet e fundit.

Totali i të ardhurave nga këto biznese kriminale vlerësohet diku tek 1 miliardë euro/vitin e fundit.

5.2. Bandat kriminale shqiptare në Europë, UK dhe Amerikë.

Raportet e fundit nga këto vende tregojnë se shqiptarët janë ndërkohë të dalluar në trafikun e drogës dhe qenieve njerëzore.

Pamundësia e shqiptarëve për t’u integruar në punë të ligjshme ka bërë që në vite, një pjesë e tyre të bëjnë karrierë në fushën e krimit të organizuar.

Përsa i përket parave që fitojnë, mbeten “patriotë”, pasi shumicën e tyre i dërgojnë në Shqipëri e kjo sigurisht jo për patriotizëm, por për lehtësitë në pastrimin e tyre.

Vlerësohet se totali i të ardhurave kriminale prej tyre në vend të jetë rreth 1 miliardë euro/vitin e fundit.

5.3. Politikanë, funksionarë të lartë, gjykatës, prokurorë.

Ryshfetet, shitja e të drejtave publike, shitja e vendimeve të gjyqit, janë disa nga shfaqjet korruptive që gjenerojnë para’ dhe rrjedhimisht shtojnë sasinë e parasë për t’u pastruar në vend.

Në raportin më të fundit, KLSH vlerëson që dëmi ekonomik vjetor i qeverisë ishte 1 miliardë euro.

Gjithsesi, shuma e parasë neto për t’u pastruar nga kjo kategori vlerësohet rreth 300 milion euro/vitin e fundit. Një specifikë e tyre është edhe që janë më pak “patriotë” se antarët e bandave, pasi kanë filluar të depozitojnë para’ nëpër llogari off shore në parajsa fiskale jashtë vendit.

5.4. Biznesmenë

Kontrabanda me mallrat e akcizës dhe evazioni fiskal janë 2 fusha që prodhojnë shumë para’ të jashtëligjshme dhe kjo për një grup shumë të vogël biznesmenësh.

Megjithatë, në saj të sistemit tejet të korruptuar fiskal, këta biznesmenë raportojnë çfarë duan në bilancet e tyre, kështu që e mbyllin brenda për brenda pastrimin e produktit kriminal të tyre.

Aq shumë e influencojnë sistemin fiskal kjo kategori biznesmenësh, saqë ndryshimet ligjore dhe rregullative dhe gjithashtu emërimet e larta bëhen vetëm me kërkesën, apo miratimin e tyre.

Së fundmi ekspertët po kristalizojnë mendimin e tyre edhe për përdorimin e kontratave me qeverinë, kryesisht ato PPP, për qëllim pastrimi parash.

Vlera e parasë që ata nxjerrin nga sistemi dhe e pastrojnë sërish është rreth 400 milion euro/vitin e fundit.

LEXO EDHE:  Rama si zombi/ Basha tmerron banorët e Koplikut

LEXO EDHE:  Basha paralajmëron Ramën/Vëri gishtin kokës dhe falju Zotit se ...!

6. Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri.

6.1. Kapaciteti ligjor dhe rregullativ për luftën kundër pastrimit të parasë.

Shqipëria ka disa ligje dhe akte nënligjore, që lidhen me këtë luftë. Janë kryesisht të blera nga ekspertiza ndërkombëtare e ofruar bujarisht nga BE, por shpesh edhe nga SHBA.

Kjo ekspertizë ka ndërtuar një kornizë aspak të përshtatshme ligjore për t’u zbatuar.

Në shumicën e rasteve ekspertët kanë dhënë modele bazuar në eksperiencën e vendeve te tyre, e cila vlen pak ose aspak në rastin tonë, ndërsa në pakicën e tyre, ata kanë qenë ekspertë të midhjes dhe peshkut, jo ekspertë të luftës kundër pastrimit të parave.

Nga ana tjetër, është për të ardhur keq, që kapacitetet intelektuale të angazhuara dhe të specializuara nuk kanë krijuar traditën institucionale përkatëse, në mënyrë që të jenë të afta të prodhojnë ligje e rregulla adekuate.

Emerimet nepotike dhe politike janë karakteristika kryesore e personelit edhe për këtë kategori.

6.2. Kapaciteti i institucioneve të zbatimit të ligjit.

Teknikisht janë 5, por produkti që ofrojnë është jashtëzakonisht i dobët.

6.2.1. Banka e Shqipërisë. Ka filluar t’i bjerë larg e larg çështjes së pastrimit të parasë, por konkretisht nuk kemi asnjë konstatim të tyre në bankat e nivelit II, apo në istitucionet financiare jo – bankare, të cilat i ka në objekt kontrolli.

Padyshim që nuk është vetëm çështje paaftësie, por shumë më tepër.

Përkundrazi, duket se BSH ka shumë për të bërë transparencë, pasi deri më tani nuk i ka ofruar as prokurorit, as publikut një akt auditimi serioz për skandalin e ish – Guvernatorit, që u kap duke ndërruar karta me kartëmonedha.

6.2.2. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Shpresoj që të paktën ta dinë se ligji i tyre i ngarkon edhe me çështje të luftës kundër pastrimit të parave.

Në raportet e tyre, kjo gjë nuk duket.

6.2.3. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Varet nga Ministri i Financave, pra nga qeveria, e cila është objekt i punës së saj dhe konflikti i interesit nuk është thjesht në dukje, por real.

Vartësia e kësaj drejtorie duhet të ndryshojë dhe të jetë tek BSH, ose Prokurori i Përgjithshëm.

Është një institucion që përdoret si çomangë nga pushteti për të vendosur gjoba të mëdha dhe nga drejtori i radhës për gjoba të vogla.

Përdoret gjithashtu për realizimin e planit të sekuestrimeve, që normalisht iu kthehen të zotëve dhe për pak sa harrova, përdoret edhe për pritje – përcjelljen e ekspertëve të huaj.

Në raportin vjetor të aktivitetit gënjen çdo vit.

6.2.4. Drejtoria e Luftës Kundër Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Është një shaka institucionale. Punonjësve të kësaj drejtorie, në përgjithësi, iu vjen turp të tregojnë ku punojnë.

Një strukturë e ngritur prej më shumë se 10 vitesh dhe që nuk ka një manual sado të dobët të punës, apo një metodologji sado të shkurtër.

Për të mos përmendë çështje të ekspertizës së stafit, tek e cila lëvizjet e shpeshta të organikës e kanë këtë sektor si xhep apandesiti.

6.2.5. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

E kam thënë dhe vazhdoj ta them, që pa përfshirjen e kontrollit fiskal, asgjë nuk ka prej luftës kundër pastrimit të parave dhe parandalimit të krimit të organizuar në përgjithësi.

Kjo është një temë shumë e larmishme, të cilën e trajtoj dhe në librin tim të fundit që pret botimin, por duhet theksuar patjetër, që roli i fiskut në kontrollin e parasë është i pazëvendësueshëm.

Ajo, që ndodh në të vërtetë, është hë për hë veç përmendja e pastrimit të parave në ndryshimet e ligjit të tatimit mbi të ardhurat.

6.3. Vullneti politik për luftën kundër pastrimit të parave.

Lufta kundër pastrimit të parave është një tabu për shumicën e qeverive në botë.

Ku më shumë, siç është Shqipëria, e ku më pak ligjbërësit dhe ligjzbatuesit janë edhe ata objekt i kësaj lufte, ndaj realisht është një nga punët që lënë më shumë pas dore.

Gjithsesi, në Shqipëri, vullneti i shprehur politik edhe i qeverisë, edhe i opozitës është në mbështetje të luftës kundër pastrimit të parave.

7. Çfarë është për ekonominë pastrimi i parave dhe a janë të pastra paratë e shqiptarëve?

MONEYVAL, një trupë monitoruese e ngritur dhe që funksionon brenda KE, e specializuar për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, e ka Shqipërinë objekt të punës së vet.

Në raportin e tyre të fundit e klasifikojnë Shqipërinë në listën e zezë, teknikisht pra të vendeve që duhen mbajtur nën vëzhgim të rreptë.

Ata përmendin në raport të gjitha kërkesat e plotësuara dhe të paplotësuara nga Shqipëria.

Mua nuk më thotë ndonjë gjë të madhe ai raport, pasi situata e vërtetë është shumë e keqe, krahasuar me atë që përshkruan raporti.

Jam në gjendje të kuptoj qartë se ekspertët kanë qene nga ata të midhjes dhe të peshkut, megjithatë nuk kanë arritur të japin një notë kaluese.

Ky raport, pra, megjithëse i dobët, dëmin mund ta bëjë të madh në mars kur të ri – diskutohet çështja e fillimit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Siç e pamë më lart, ja pra një nga të këqijat e mëdha të pastrimit të parave.

Shkatërrimi i konkurencës dhe rrjedhimisht bllokimi i investimeve serioze të drejtpërdrejta të vendit dhe të huaja.

Korruptimi i sistemit dhe shkatërrimi i kuadrit ligjor e rregullativ në favor të një grushti njerëzish.

Shkatërrimi i tregut të lirë, ku kërkesë – oferta nuk ka më kuptim dhe çmimet kontrollohen prej këtij grupi njerëzish.

Rritja e importeve, dmth thellim i deficitit tregtar, pasi kriminelët janë të interesuar në zbrazjen e magazinave nëpër botë në vend të investimeve për rritjen e prodhimit vendas.

Rritja e papunësisë dhe rrjedhimisht ulja e nivelit të jetesës, që shoqërohet me diferencimin e madh të shtresave shoqërore.

Rritja e varfërisë, kriminalitetit, etj, etj.

Paratë e pista, pra, janë morri i ekonomisë.

Problemi është se sapuni duket sikur po i shton morrat dhe kjo është qeveria e korruptuar, e cila po akuzohet, jo vetëm për kaq, por për bashkëpunim.

Unë nuk hyj tek ai grup njerëzish, që e fillojnë ditën me dyshime.

Aq më tepër, profesioni që kam dhe ekspertiza që ofroj më diktojnë, që të jap këshilla në vend të akuzave.

Transparencë e ka emrin këshilla ime e parë për qeverinë. Le t’i pranojmë të vërtetat, pasi vetëm ashtu mund të pretendojmë ndonjë përmirësim.

Në vitin ’97 e pyetën njëfarë kryetar shteti për punën e ca kompanive rentiere, që po plaçkisnin popullin haptazi fare.

Përgjigja e tij ishte, sipas meje, më kriminalja e mundshme.

Ai tha: “Paret e shqiptarëve janë më të pastrat në botë!”

Sikur gjysmën e të vërtetës të kishte thënë atë ditë ai burrë, lëre më sikur t’i ofronte publikut transparencën e nevojshme, historia e Shqipërisë do të ishte ndryshe.

Kriminalizimi i ekonomisë, që po ndodh sot, kërkon transparencë dhe veprim, përndryshe 97 do kujtohet për mirë, krahasimisht me simotrën që babëzia e krimit po përgadit.

LEXO TE PLOTE