Connect with Us

Çfarë ndodh kur vdesim?

Blog

Çfarë ndodh kur vdesim?

Publikuar

-

* Ajo se çfarë ndodh kur vdesim, është ndoshta një nga misteret më të mëdha të botës, sepse askush nga ne nuk e di përgjigjen, edhe pse në fund të gjithë do ta përjetojmë vdekjen. Në vitin 1994, kirurgu ortopedik Toni Çikoria mund të ketë qenë afër zgjidhjes së këtij misteri të madh, kur u godit nga një rrufe.

Ai e ndjeu veten të shkëputej për disa kohë nga trupi i tij në koma. Ai pa një grua të kryente masat për reanimimin e tij, përpara se të fluturonte drejt shkallëve për të parë fëmijët e tij që luanin në dhomat e tyre. “Në atë moment isha i rrethuar nga një dritë e bardhë. Kisha një ndjenjë të jashtëzakonshme të mirëqenies dhe paqes… Më dolën para syve momentet më të vështira dhe ato më të lumtura. Pastaj u riktheva”- kujtoi më vonë ai.

Sipas doktor Sem Parnias, që studion prej vitesh përvojat pranë vdekjes, përjetimi i Çikorias nuk ishte një dukuri e rrallë. “Vdekja është një proces. Nuk është një moment bardh e zi”-thotë ai. Ndërsa mund të mos e kuptojmë plotësisht ndjenjën e vdekjes derisa ta provojmë vetë atë, ne e dimë se çfarë ndodh menjëherë pas vdekjes me gjendjen e trupave tanë.

Sipas doktoreshës Nina O’Konor, frymëmarrja e personit bëhet e çrregullt, ose jashtëzakonisht e cekët ose shumë e thellë. Dhe frymëmarrja e tyre më pas mund të nisë të tingëllojë si një ngulçim, dhe kjo ndodh pasi personi nuk është në gjendje të nxjerrë jashtë sekrecionet përmes kollitjes.

“Kjo ndodh për shkak të procesit të ngadalësimit të funksioneve trupore”- thotë ajo. Në momentin e vdekjes, çdo muskul në trup relaksohet. Kjo mund të bëjë që personi të ankohet sa herë që merr frymë. Ndërkohë, ndërsa trupi relaksohet, kokërdhokët e syve zgjerohen, nofullat mund të hapen, ndërsa lëkura varet.

Por siç sugjeron Parnia, vdekja nuk ndodh në çast. Disa studiues pohojnë se truri ynë mund të funksionojë deri në 10 minuta pasi zemrat tona ndalojnë së rrahuri. Brenda orës së parë pas vdekjes, trupi fillon “ftohtësia e vdekjes”, e quajtur edhe ‘algor mortis’. Pra kufoma merr temperaturën e dhomës përreth tij.

Pas disa dy orësh, gjaku fillon të grumbullohet në zonat e trupit që janë më afër tokës, për shkak të gravitetit. Kjo dukuri njihet si ‘livor mortis’. Nëse trupi qëndron në të njëjtin pozicion për disa orë, këto pjesë të trupit do të fillojnë të mavijosen, ndërsa pjesa tjetër e trupit bëhet më e zbehtë.

Gjymtyrët dhe nyjet do të fillojnë të ngurtësohen brenda disa orësh pas vdekjes, gjatë një procesi të quajtur ‘rigor mortis’.

Kur trupi është në ngurtësinë e tij maksimale, gjunjët dhe bërrylat do të përkulen, dhe gishtat mund të shtrembërohen. Pas rreth 12 orësh, lëkura nis të tkurret, gjë që mund të krijojë iluzionin se flokët dhe thonjtë e personit janë rritur, por ky është vetëm një mit.

LEXO EDHE:  Vajza iu vdiq në spital pas aksidentit/Familjarët mesazh prekës për mjekët

Tkurrja e lëkurës, krijon ndërkohë iluzionin sikur gjaku është thithur nga kufomat, dhe kjo ka frymëzuar legjendat e vampirëve në Evropën Mesjetare. Për shkak se shumica nga ne nuk do të ketë një përvojë pranë vdekjes gjatë jetës sonë, siç ndodhi me Çikorian, mbetet të pyesim:Si janë momentet e fundit?

Sipas mjekes Kler Gerada, vdekja mund të ndjehet ndonjëherë sikur keni nevojë të shkoni në banjë. “Shumica e njerëzve vdesin në shtrat, por nga pjesa tjerët, shumica do të vdesë ulur në banjë. Kjo për shkak se ka disa ngjarje fatale, si një sulm shumë i madh në zemër ose mpiksje e gjakut në mushkëri, ndjesia trupore është sikur të doni të jashtëqitni”.

Por nëse një person nuk vdes nga një ngjarje që sjell vdekjen e menjëhershme, dhe kalon më ngadalë nga një sëmundje afatgjatë, vdekja mund të ndihet disi si një lloj depresioni. Në fund të jetës së tyre, njerëzit kanë tendencë të hanë dhe pinë më pak, çka u sjell lodhje dhe mungesë energjie. Kjo bën që ata të lëvizin, të flasin dhe mendojnë më ngadalë.

Po ku shkojmë pas vdekjes? Kjo ndryshon nga feja në fe. Dhe ritualet diktohen nga këto besime.

Rabini Korej Helfand thotë:”Sipas teksteve që lexojmë tek Zanafilla, përderisa Adami vinte nga Toka, ne i kthejmë Tokës dhe Zotit trupat tanë. Dhe kjo është arsyeja pse i varrosim të vdekurit tanë”.

Prandaj hebrenjtë i varrosin njerëzit e tyre zhveshur, të mbështjellë me një çarçaf pambuku, dhe të vendosur në një arkivol të thjeshtë prej druri pishe, në mënyrë që trupi të dekompozohet natyrshëm. Myslimanët bëjnë të njëjtën gjë me të vdekurit e tyre, duke i varrosur në disa raste pa arkivol.

Egjiptianët e lashtë, besonin se të vdekurit kalonin në fillim nëntokë, para se të mund të pushonin në jetën e përtejme. Por udhëtimi drejt jetës së përtejme ishte i mbushur me pengesa, ndaj i varrosnin të dashurit e tyre me hamajli magjike, për t’i mbrojtur dhe udhëhequr ata në vendin e tyre të fundit të pushimit të përjetshëm./Allthatsinteresting-Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pse flitet ende për Platonin, edhe 2.100 vjet më vonë?

Publikuar

-

Nga

* E gjithë filozofia perëndimore, shkroi dikur matematikani dhe filozof britanik Alfred Uajdthed, është “një seri shënimesh për Platonin”. Filozofi i mençur grek, që e nisi karrierën si një nxënës dhe ithtar i Sokratit, hodhi bazat e 2 mijëvjeçarëve të mendimit filozofik.

“Dialogjet” e tij, përfshirë “Republikën”, kërkohet që të lexohen nga çdo student i filozofisë, dhe Akademia e tij në Athinë krijoi modelin për universitetet e sotme. Po kush ishte ky njeri? Platoni i Koletit lindi rreth vitit 428 Para Erës Sonë, në kohën e rënies së Epokës së Artë të Athinës.

Ai e njohu Sokratin kur ishte shumë i ri, dhe u bë një ndjekës i flaktë i filozofit provokues të rrugës, që i hutonte njëlloj si politikanët ashtu edhe prostitutat me pyetjet e tij që hynë në histori si “metoda sokratike”. Platoni ishte rreth 20-vjeç, kur Athina e humbi Luftën e Peloponezit ndaj rivales së saj Spartës.

Pasi nisi të mendonte një karrierë në politikë, Platoni u zhgënjye shumë nga drejtuesit e korruptuar, dhe nga ekzekutimi tragjik i Sokratit, heroit dhe mentorit të tij. Platoni besonte se vetëm “filozofia e duhur”, mund t’i jepte fund vuajtjeve njerëzore dhe të siguronte drejtësi.

Ndaj Platoni i fokusoi të gjitha energjitë e tij tek edukimi, duke studiuar nën drejtimin e matematikanëve të famshëm si Pitagora dhe duke udhëtuar nëpër Siçili, Itali dhe Egjipt.

Në fillim të të 30-ave, ai u rikthye në Athinë dhe themeloi akademinë e tij.E hapur për burra dhe gra, akademia tërhoqi njerëzit më e aftë nga e gjithë bota greqishtfolëse. Mes tyre Aristotelin.

Platoni nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë. Ai vdiq në fillim të të 80-ave të tij, por jetoi përgjithmonë me prozën e tij tërheqëse, dhe pyetjet që provokonin mendime, të regjistruara në 30 dialogë të gjallë dhe sfidues. Por çfarë trajtohet brenda tyre?

Leximi i çdo njërit prej dialogjeve të Platonit, është si përgjimi i një bisede tërheqëse dhe marramendëse. Ato ndërtohen si drama intelektuale me Sokratin. Në to, Sokrati bën pyetje dhe kërkon përgjigje nga shokët e tij athinas, duke zbuluar paqartësinë e të vërtetave të thjeshta.

Dialogët e hershëm të Platonit i detyrohen shumë Sokratit, që nuk la asnjë shkrim të vetin. Por idetë e Platonit shfaqen në veprat e mëvonshme.

Ashtu si Sokrati, Platoni nuk e lodh lexuesin kokë me filozofinë e tij, por preferon një qasje indirekte, që e detyron lexuesin të nxjerrë përfundimet e veta. “Në dialogët e tij, Platoni nuk thotë ”Ja ku janë përgjigjet dhe arsyet, pranojini ato për shkak të autoritetin tim”- thotë Eri Braun, profesor i filozofisë në Universitetin e Uashingtonit.

“Platoni do t’i frymëzojë njerëzit të filozofojnë, dhe të mendojnë vetë. Dhe dialogjet e bëjnë këtë. Ato mbyllen me shumë pyetje të hapura. Nuk zgjidhin gjithçka. Unë mendoj se kjo është një nga arsyet, pse Platoni ka pasur kaq shumë lexues ndër shekuj. Ai la për lexuesin shumë detyra, që ai mund t’i kryejë”- thotë ai.

Nëse Platoni ka një doktrinë qendrore, ai është koncepti i “formave”, ideja që bota që ne e perceptojmë me shqisat tona fizike është plot të meta. Por ekziston ndërkohë një botë e veçantë e formave të përsosura e të përjetshme përtej perceptimit tonë. Këto forma të përsosura, janë ideale abstrakte si bukuria, barazia, mirësia, qenia dhe dija.

LEXO EDHE:  Nuk ishte një person real, por ja pse u krijua miti i Robin Hudit

LEXO EDHE:  Kërcënimet ekonomike që i vijnë Evropës, nga apatia ndaj fuqive të mëdha

Kjo filozofi quhet platonizëm, dhe filozofët që janë marrë me të gjatë mijëvjeçarëve njihen si platonistë. “Platonizmi është ideja që ka të vërteta, shkaqe ose parime që janë abstrakte, jo të përdorshme për të kuptuar perceptimin, por vetëm për të menduar. Dhe se kur i qasemi atyre,  jemi në një pozitë më të mirë për të kuptuar mënyrën se si është bota, dhe në një pozitë më të mirë për të jetuar një jetë të mirë”- nënvizon Braun.

Ndërkohë dialogje të shkëlqyera ka tek “Simpoziumi” dhe “Fedo”. “Simpoziumi” diskuton mbi dashurinë, përfshirë “dashurinë platonike” (një term që vetë Platoni nuk e përdori asnjëherë), që është shumë më e nuancuar, sesa thjesht një marrëdhënie joseksuale.

Platoni bën dallimin midis Erosit Hyjnor dhe atij Vulgar. Erosi Hyjnor është një dashuri që e tejkalon tërheqjen fizike (Erosin Vulgar), dhe mbërrin tek Bukuria Supreme, që e bën njeriun të mendojë për gjërat shpirtërore. Ndërkohë, “Fedo” hulumtoi natyrën e shpirtit. Por vepra më e lexuar e Platonit është padyshim “Republika” .

Aty ai paraqet një numër propozimesh të guximshme, përfshirë pretendimin se qyteti ideal do të sundohej nga një klasë mbretërësish dhe filozofësh të virtytshëm meshkujsh dhe femrash. Një nga pasazhet më të famshme tek “Republika”, është alegoria e shpellës. Aty, një grup robërish janë të lidhur me zinxhirë brenda një shpellë të errët, që ndriçohet vetëm nga një e zbehtë e një pishtari të ndezur.

Njohuria e tyre e vetme mbi botën jashtë, janë hijet që lëvizin në muret e shpellës, dhe copëzat e bisedave të dëgjuara përmes jehonës nga jashtë. Njëri nga robërit arrin të arratiset, dhe zbulon se jashtë shpellës ka një realitet të tërë. Shkëlqimi i diellit ia djeg sytë, por dhimbja ia vlen që të njohë të vërtetën.

Kur rikthehet në shpellë për të liruar shokët, ata tallen me interpretimet e tij mbi hijet e tyre të dashura, dhe vendosin që ta vrasin. Këtu Platoni i kthehet konceptit të tij të së vërtetës, që ekziston jashtë perceptimit tonë të kufizuar. Braun beson se alegoria e shpellës, flet posaçërisht mbi natyrën dhe funksionin e vërtetë të arsimimit.

“Edukimi i vërtetë nuk është mbudhja me dije. Është një transformim i shpirtit tuaj, një riorientim i vlerave tuaja. Për Platonin, kur ju ndaloni së interpretuari botën ashtu si ju duket, kur ndaloni së besuari mendimet e njerëzve të tjerë për atë që është me vlerë, dhe kur nisni të kërkoni atë që gjendet përtej atyre paraqitjeve të thjeshta, ky është momenti kur jeni duke u edukuar”./ History.howstuffworks-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pas tërmetit në Shqipëri, sfida më e madhe është ajo e rindërtimit të besimit

Publikuar

-

Nga

Nga Louis Seiller “Equal Times”

* “Ishallah bëjnë diçka të bukur në Thumanë. Diçka që nuk kemi parë kurrë… pasi ne ndjehemi të braktisur në fatkeqësinë tonë”. Ashtu si çdo ditë, Devi dhe miqtë e tij, në të 20-tat, përpiqen të zbusin ankthin e tyre, duke shëtitur nëpër qendrën e shkatërruar të qytetit.

Pas fëmijëve që dalin nga shkolla, shtrihet një fushë gërmadhash, në mes të së cilës ndodhen rroba, lodra dhe lule. Këtu Devi pa të vdiste një nga miqtë e tij, i bllokuar nën rrënojat e pallatit ku banonte. Qyteti i vogël i Thumanës, 35 kilometra larg kryeqytetit shqiptar Tiranë, u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019:24 njerëz vdiqën kur u shembën shtëpitë e tyre (nga gjithsej 51 viktima).

Tre muaj pas tërmetit, asgjë nuk ka ndryshuar në thelb në këtë qytezë të harruar dhe shkatërruar shqiqptar, që nga shëmbja e diktaturës staliniste në vitin 1991.  Ndërtesat e qytezës, janë një kujtesë e prekshme e “tranzicionit” të pafundëm të ekonomisë të tregut:një përzierje e të varfërve, mungesës së burimeve financiare, korrupsionit dhe qëndrimit indiferent të autoriteteve. Disa nuk i rezistuan tërmetit me magnitudë 6.4, epiqendra e të cilit ishte vetëm 20 kilometra larg.

Gati kudo në qytetin e vogël, kulmet e çadrave të shpërndara nga Agjensia Turke për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), mund të shihen sipër mureve të ulëta. “Njerëzit kanë shumë frikë të kthehen në shtëpi”- thotë Devi.

“Edhe nëse shtëpia e tyre është cilësuar e banueshme nga ekspertët, ata ende preferojnë të qëndrojnë në tenda”- shton ai. Në mes të këtij muaji, Ministria e Rindërtimit vlerësoi se nga 17.000 njerëz të mbetur pa strehë nga katastrofa, më shumë se 10.000 janë duke fjetur ende në çadra.

Imeri nuk mori çadër. Fermeri 50-vjeçar bashkë më gruan e tij, po i kalojnë netët e ftohta të dimrit në serrën e vogël me perime që kanë ndërtuar në oborrin e shtëpisë. “Ne mbështillemi në batanije dhe përpiqemi të flemë”-thotë ai i hidhëruar, duke ndezur një cigare. “Unë nuk kërkova të zhvendosem, pasi këtu kam tokën, dhe s’mund të largohem”- shton ai.

Vetëm disa metra larg strehës së tij me plastmasë, shtëpia e tij e vjetër është shënuar me një kryq të verdhë. “Kryqi i verdhë do të thotë se duhet të riparohet. Por nga ato që dëgjova, ajo do të shkatërrohet”- thotë Devi. Nuk është e qartë se çfarë kanë vendosur ata për rindërtimin. Në Thumanë, ashtu si në qytetet fqinje, njerëzit janë në ankth se si do të jetë rindërtimi i premtuar nga autoritetet.

Rreth 50 kilometra më tej në jug, Durrësi është një qytet “martir”. Qyteti i dytë më i madh në vend, dhe porti kryesor i Shqipërisë, ruan ende shenjat e katastrofës. Këtu aty, dhe sidomos gjatë rrugës së plazhit, pallatet kanë mbetur të hapura, të plasaritura; me grumbuj tullash të thyera që dergjen mbi trotuarë.

Pranë një pallati të madh 12-katësh me muret e brendshme të shembura, një burrë tek të 40-at po fut një televizion në makinën e tij. Ai nxiton të hyjë sërish përmes derës së copëtuar:perimetri nuk është i sigurt. “Na dhanë një dhomë në një hotel për 2 muaj, dhe tani jemi zhvendosur në një apartament me qira me premtimin e bonusit të qerasë, por nuk kemi marrë ende asgjë”- ankohet Lulja, nëna e tij, që mban në krahë nipin e saj 3-vjeçar.

“Banesa ku shkuam është totalisht bosh. Ndaj duhet të vijmë këtu dhe të marrin gjërat e shtëpisë, të ngjitemi lart nëpër këto shkallë të shkatërruara, dhe të rrezikojmë veten. E çfarë mund të bëjmë tjetër? S’kemi para për të blerë mobilje të reja”- thotë ai.

Shumë ndërtesa, 5 ose 50-vjeçar, e treguan brishtësinë e tyre në një rajon ku aktiviteti sizmik dihet se është veçanërisht i lartë. Më shumë se 80.000 ndërtesa u prekën nga tërmeti, dhe dëmi është më shumë se 900 milionë euro, sipas një raporti zyrtar të qeverisë shqiptare.

LEXO EDHE:  Pse flitet ende për Platonin, edhe 2.100 vjet më vonë?

LEXO EDHE:  Mega-Skandali Leskaj/ CNA.al ju bën thirrje misioneve diplomatike që të ndërhyjnë

Ndërsa vendi po hapet drejt turizmit masiv, dhe rezidencat luksoze po ndërtohen me shpejtësi të madhe në kryeqytet dhe bregdet, tërmeti është një kujtesë e ashpër e varfërisë në të cilën jetojnë shumica e shqiptarëve. Sipas Bankës Botërore, shkalla e varfërisë është ende 34 për qind.

Si rezultat i tërmetit dhe i ndikimit të tij në veprimtarinë ekonomike, rreth 26.000 njerëz janë zhytur në varfëri sipas qeverisë shqiptare. Natyrisht, fatkeqësia ishte natyrore. Por, madhësia e dëmeve në njerëz dhe materiale, i detyrohet urbanizimit kaotik të 30 viteve të kaluara, dhe dështimit të autoriteteve për të hartuar planet e duhura zhvillimore, dhe për t’i mbajtur paratë jashtë duarve të rrjeteve kriminale.

Shkrimtari dhe polemisti shqiptar Fatos Lubonja, nuk ngurron ta përshkruajë këtë zhvillim urban në një intervistë për Equal Times, si “një shfaqje ekstreme të sistemit neoliberal, ku politikanët janë menaxherët e interesave kriminale”. Në Shqipëri, janë të zakonshme godinat 10-katëshe, ndërsa ligji lejon vetëm 4-5 kate.

“Për shkak të konflikteve të interesit, politikanët nuk janë të interesuar që qytetet të kenë plane urbane, të cilat përcaktojnë lartësinë e ndërtesave sipas zonave sizmike dhe gjeologjike. Ky shtet, ka anashkaluar institucionet publike që kontrollojnë metodat e ndërtimit, dhe e ka lënë industrinë e ndërtimeve në duar të korruptuara dhe kriminale”-thotë Lubonja.

Autoritetet e kanë vlerësuar koston e rindërtimit në mbi 1 miliardë euro. Puna do të fillojë këtë pranverë, por sfida e vërtetë do të jetë rindërtimi i besimit që është shkatërruar. Shqiptarët i kanë ende të freskëta imazhet e fazave të hershme të katastrofës, kur banorët dhe policia lokale kishin në dispozicion vetëm duart dhe lopatat e tyre, gjatë përpjekjeve për të shpëtuar jetën e atyre që gjendeshin nën rrënoja.

U deshën orë që të kishte një organizim të mirë, dhe kjo falë ndihmës nga jashtë. “Nisur nga kjo përvojë, mungesa e besimit të shqiptarëve tek perspektiva e rindërtimit të shpejtë dhe të ndershëm, është mëse e kuptueshme”- thekson Lubonja.

Që nga viti 2017, Shqipëria ka rënë 23 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (IIK) të publikuar nga organizata Transparency International. I drejtuar prej 7 vitesh nga kryeministri Edi Rama, vendi renditet sot në vendin e 106-të nga 180. Gjithsesi, qeveria synon që të vërë tashmë rregull në sektorin e ndërtimit.

Ajo ka shpallur një program për modernizimin e standardeve të ndërtimit. Autoritetet kanë njoftuar gjithashtu ndjekje penale për ndërtuesit, që kanë abuzuar me ndërtimet e tyre. Që nga dhjetori 2019, janë arrestuar dhjetëra njerëz, inxhinierë, arkitektë, nëpunës civilë etj.

Në Thumanë, Imeri më tregon pemët frutore dhe fushën aty pranë, që tani janë pasuria e tij e vetme. Ndërsa thotë se ka besim se qeveria do të ringjallë qytetin e tij, ai është ende i shqetësuar. Si thuajse gjysma e popullsisë shqiptare, ai nuk ka çertifikatë pronësie për tokën e tij. “Kushdo që ka para, mund të marrë dokumente të ligjshme të tokës. Për të tjerët, nuk është njëlloj”-psherëtin ai, duke parë nga rrënojat. “Marrja e tokës, do të ishte një vdekje e dytë për mua pas tërmetit”- përfundoi ai./ Përshtatur nga CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Zbulohet kafsha e vetme, që nuk ka nevojë për oksigjen që të jetojë

Publikuar

-

Nga

* Thithja e oksigjenit, shihet si një tipar themelor i kafshëve shumëqelizore. Por shkencëtarët kanë zbuluar së fundmi një specie që nuk thith fare oksigjen. “Ajo e ka humbur aftësinë për të thithurr oksigjen”-thotë Doroti Haçon e Universitetit të Tel Aviv në Izrael.

Mbetet mister se si kjo kafshë, një parazit që infekton, merr energjinë që i nevojitet pa praninë e oksigjenit, thotë ajo. Haçon shton se siguri kjo specie e vjedh atë nga organizmi ku rri si parazit. Të gjitha bimët dhe kafshët, mendohej se përdorin oksigjen për të gjeneruar një lloj “karburanti” të quajtur adenozina trifosfat (ATP), që fuqizon proceset qelizore.

Prodhimi i ATP nga oksigjeni, ndodh në strukturat e quajtura mitokondri. Çdo mitokondri ka gjenomin e vet të vogël, që është i ndarë nga gjenomi kryesor në bërthamën e qelizës. Por kur Haçon dhe kolegët e saj sekuencuan ADN-në e Henneguya Salminicola, që gjendet bashkë me kandilët e detit, ata menduan se mund të kishin bërë ndonjë gabim, pasi nuk gjetën asnjë ADN mitokondriale.

Isshin studimet e mëtejshme, ato që konfirmuan gjetjen e çuditshme. Kur ekipi e ngjyrosi H. Salminicola me një ngjyrë blu fluoreshente që lidhet me ADN, asnjë ADN nuk ishte e dukshme në qelizat jashtë bërthamës. Përkundrazi, kur lyen me bojë një parazit të lidhur ngushtë me të, pikat blu që i korrespondojnë me gjenomet mitokondriale ishin të dukshme jashtë bërthamës.

Pra, ndërsa qelizat e H. Salminicola kanë struktura që duken si mitokondri, ato nuk mund të prodhojnë enzimat e nevojshme që përdorin oksigjenin për të prodhuar ATP-në.

“Këto nuk janë mitokondri të vërteta”- thotë Haçon. Kjo do të thotë që H.Salminicola është një kafshë shumëqelizore, që mund të mbijetojë plotësisht pa oksigjen. “Ka shumë specie që mund të jetojnë për periudha të gjata pa oksigjen, por asgjë deri tani që ta kalojë gjithë ciklin jetësor pa të”- shprehet Nik Lein nga Kolegji Universitar i Londrës.

LEXO EDHE:  A do të rrëzohet qeveria në Iran?

LEXO EDHE:  Sa para ekzistojnë gjithësej në botë?

Në vitin 2010, Roberto Danovaro i Universitetit Politeknik të Markes në Itali, raportoi se një grup kafshësh të vogla të quajtura loriçiferans, që jetojnë në sedimente nën thellësinë e detit nuk kishin ndonjë mitokondri të dukshme kur shiheshin me mikroskop, dhe se ato duhet të mbështeten në burime të tjera të energjisë si sulfidi i hidrogjenit.

Ndërkohë, biologë të tjerë thonë se janë të nevojshme studime gjenomike, për të konfirmuar nëse loriçiferans e kanë humbur vërtet aftësinë për të thithur oksigjen. “Analizat gjenomike janë duke u zhvilluar. Nuk mund të them më shumë”- konfirmon Danovaro.

Ne nuk e dimë pse H.Salminicola e ka humbur këtë aftësi, ndërsa të gjithë të afërmit e saj të afërt që kemi identifikuar e përdorin oksigjenin për frymëmarrje. Ndërsa këta parazitë lëvizin përgjatë ciklit të tyre të jetës, ata mund të jetojnë ndërkohë brenda një paraziti thuajse pa oksigjen./ Newscientist.com-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE