LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Armir Shkurti/ Edi i Madh në derë të Moskës

27 Shkurt 2020, 18:40, Opinione CNA
Nga Armir Shkurti/ Edi i Madh në derë të Moskës

Kryeministri i jashtëm i Shqipërisë më në fund takoi ministrin e jashtëm të Rusisë! Odhiseu do ketë plasur prej zilisë nga dinakëria e Edi Ramës! Është kryeministër por ka veshur qyrkun e ministrit të jashtëm e me atë qyrk ka mbatur edhe poturet e të parit të OSBE – së dhe kur i hyn në zyrën e ndaluar prej vitesh Ministrit të Jashtëm të Rusisë çvishet e i del si Edi i Madh! I madh për disa arsye:

E para, për “dinakërinë” dhe përdorimin e një titulli tjetër (kryesuesit të OSBE- së) për të mbaruar punë si kryetar i rilindjes bolshevike në Shqipëri.

Së dyti, ” i madh” sepse ka një alibi të hekurt për këtë takim mjaft të diskutueshëm me autoritetin e një vendi, i cili nuk renditet as ndër aleatët as ndër dashamirësit e Shqipërisë. Aq e fortë kjo alibi sa deri në këto çaste asnjë qëndrim, qoftë edhe jozyrtar, nuk ka opozita!

Së treti, ” i madh” për elokuencën! Rikujtoj që ishte në Moskë, si kryesues i OSBE- së dhe që ATY na thotë se ” ça ti boj lala amerikonve, se e kisha kput rusin”! Ose, fjalë për fjalë: “…çdo shkrirje në këto marrëdhënie ka kufizimet e veta jo sepse neve na e dikton dikush por interesi ynë strategjik është të qëndrojmë shumë fortë të lidhur me ata që mbështesin interesat strategjike të shqiptarëve”.

Vihet re se nuk fajëson Rusinë për “ngricën” e marrëdhënieve por shqiptarët. Qeveritë e mëparëshme. Vesi më i ndyrë i shqipfolësve që shesin shqiptarët pa hezitim para çdo të huaji. Pastaj, nga zemra e Rusisë na mbush mendjen se, në mënyrë krejt të pavarur (jo se na detyron kush ) nuk ka ç’i bën “interesit strategjik që na detyron të qëndrojë lidhur fort” me SHBA. Sepse në ligjëratë të drejtë më tej sqaron: “Kosova u çlirua nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, u çlirua nga Perëndimi” dhe përsërit se “ne jemi të kyçur në një aleancë” të cilën në fakt shqiptarët e zgjodhën menjëherë sapo u çkyçën nga një bllok kriminal ku kishin mbetur që nga mbarimi i luftës botërore.

Së katërti, “lideri global” na u shfaq vërtet si i tillë kur shpjegoi se “Rusia nuk është armik, nuk është as armik i Perëndimit, është një konkurrent kërcënues dhe mbi të gjitha nuk mund të kesh luhatje në marrëdhënie”. Vështirë të kapet ideja, sepse në thelb të gjitha vendet e botës janë konkurrente. Madje edhe ato që janë brenda BE- së janë konkurrente me njëra – tjetrën. Nëse sheh politikën ruse dhe sovjetike të shekullit të fundit vështirë të gjeshë përfitime në interes të Shqipërisë dhe Kosovës nga ky “konkurrent”. Perëndimi, ku nënkuptohet SHBA, ndërtoi armatime bërthamore e konvencionale pafund në dekadat e fundit për tu mbrojtur nga ky “konkurrenti”. Sa e sa herë bota edhe sot është vënë në alarm prej lëvizjeve të “konkurrentit” që nuk qenkësh armik?

A mos vallë për shkak të “Aleancës ku jemi kyçur” as ky kryeministër e as ata mëparshmit, për të cilët ky i sotmi thotë se janë fajtorët e ngrirjes së marrëdhënieve, nuk kanë patur takime me Moskën?

A qe ky “kali i Trojës” së OSBE- së mjeti për të çarë muret e Kremlinit Edi Rama, pa qenë i shtrënguar ti japë hesap aleatëve dhe pa u penguar prej kushtëzimeve ruse për marrëdhëniet dypalëshe?

Përse iu desh kryeministrit të Shqipërisë kjo “shkrirje”?

I kam vetëm pyetje, natyrisht me pafundësisht pikëpyetje në vetvete, por po hezitoj, deri në çastin kur të marr vesh pse po heshtin të gjithë…

Lajmet e fundit nga