Connect with Us

Dëshmia e rrallë e kolonelit/ Enveri ka gisht në vrasjen e Vojos dhe spiunoi Koci Xoxen te italianët

Histori

Dëshmia e rrallë e kolonelit/ Enveri ka gisht në vrasjen e Vojos dhe spiunoi Koci Xoxen te italianët

Publikuar

-

Publikohen kujtimet e panjohura të kolonel Hamit Keçit, ish-shok kursi me Mehmet Shehun në shkollën ushtarake në Itali dhe më pas në akademinë ushtarake të Moskës. Memorie.al shkruan se ai në periudhën e Luftës, ishte një nga drejtuesit kryesorë të njësiteve guerile të Tiranës së bashku me Beqir Ballukun, dhe për atë kontribut, iu besua detyra e Komandantit të Brigadës së XXII-të Sulmuese, pas Luftës ajo e Shefit të Zbulimit pranë Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes ku dhe përfundoi në burg pas një konflikti me Enver Hoxhën. Dëshmitë e Keçit për implikimin e Enverit në vrasjet e bujshme të komunistëve në Tiranë, nga tre Heronjtë e Kodrës së Kuqe me në krye Vojo Kushin, te pesë komunistët nga Fieri me në krye Ferit Xhajkun, si dhe Koci Xoxen, të cilit Enveri i sugjeroi të ndërtinte një barakë, ku dhe e arrestuan italianët…?!

Një nga ata persona që pas viteve ’90-të kanë hedhur hije dyshimi dhe kanë bërë akuza të drejtpërdrejta ndaj Enver Hoxhës, duke e bërë atë përgjegjës kryesor në vrasjen e disa prej komunistëve kryesorë gjatë periudhës së Luftës në vitet 1939-1944, ka qenë edhe koloneli në pension Hamit Keçi, një nga komunistët e parë në Tiranë dhe më pas komandant i Brigadës së 22-të dhe i Korpusit të Parë të Tiranës. Pas mbarimit të Luftës, ai përfundoi Akademinë Ushtarake në Bashkimin Sovjetik dhe shërbeu në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke mbajtur funksionin e drejtorit të Zbulimit. Në vitin 1949, ai u arrestua teksa tentonte të hynte me forcë në vilën e Enver Hoxhës, ku donte të sqaronte disa konflikte që i kishin lindur me kuadrot kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm. Pas kësaj ai u dënua me 15 vite burg, pasi Enver Hoxha kujtoi se ai kishte shkuar për ta vrarë. Pas dënimit të Hamitit, të njëjtin fat pësuan edhe dy vëllezërit e tij, Isufi (nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës) dhe Maliqi, si dhe burri i motrës së tyre, ministri i Transporteve, kolonel Njazi Islami, i cili u vra nga Sigurimi i Shtetit, duke e shpallur si vetëvrasje. Pas viteve ’90-të, Hamit Keçi filloi të shkruajë kujtimet e tij për periudhën e Luftës, ku ndër të tjera e akuzonte Enver Hoxhën si përgjegjësin kryesor për disa nga vrasjet e bujshme që u bënë në atë kohë në Tiranë. Disa prej atyre ngjarjeve koloneli në pension Hamit Keçi na i ka dëshmuar publikisht pak kohë para se të ndërronte jetë, ndërsa në shkrimin e mëposhtëm, ekskluzivisht për Memorie.al po botojmë disa ngjarje të tjera nga kujtimet e tij të lëna në dorëshkrim.

“Zbulimi i depos së armëve”

Një ndër akuzat e para të Hamit Keçit ndaj Enver Hoxhës është ajo që thotë se Enveri ka treguar tek italianët vendndodhjen e depos sekrete të armëve, e cila ishte në bodrumin e shtëpisë së Shyqëri Këllezit, njërit prej anëtarëve të Grupit Komunist të të Rinjve të Tiranës. Sipas Keçit, Enveri e bëri atë për të implikuar dhe fshehur kontributin e punën e atij grupi në dobi të Luftës, krerët e të cilit, Anastas Lulën dhe Sadik Premten, ai i shihte si rivalë kryesorë për kreun e PKSH-së. Lidhur me ngjarjen e zbulimit të depos nga ana e italianëve, midis të tjerash, në kujtimet e tij, Hamit Keçi ka shkruar: “Aty nga viti 1940 Anastas Lulo dhe Sadik Premtja ndërtuan një dhomë në oborrin e shtëpisë së Shyqëri Këllezit. Poshtë dhomës ata ndërtuan një bodrum të fshehtë, me qëllim që të fusnin aty armët që do të grumbullonin për çetat partizane që do të formoheshin në rrethin e Tiranës. Armët u sollën në Tiranë pjesë-pjesë gjatë periudhës kur zhvillohej lufta italo-greke dhe transporti i tyre bëhej nga shokët e Vlorës me në krye Fejzo Gjomemën.

Kështu, aty në atë bodrum të ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim, u strehuan gjithsej: 6 mitraloza të lehtë tip “Breda”, 24 pushkë, 17 revolverë dhe dy arka me bomba dore. Për këtë depo armësh nuk është folur asnjëherë nga Enver Hoxha në kujtimet e tij, sepse Enveri asnjëherë nuk e ka pranuar që Anastasi dhe Sadik Premtja të kenë qenë për luftë kundër okupatorit. Në kohën kur ato armë ndodheshin të fshehura aty, në shtëpinë e Shyqëri Këllezit, erdhi dhe u strehua Miladin Popoviçi, të cilin e liroi nga kampi i Peqinit, Mustafa Gjinishi. Në kujtimet e veta në librin e tij “Kur lindi Partia”, në mes të tjerash Enveri shkruan: ‘Miladinin e vendosëm në një bazë të sigurtë’. Por ai nuk thotë se në atë bazë, e cila ishte shtëpia e Shyqëri Këllezit, ndodhej edhe depoja e armëve. Po kështu, Enveri nuk e tregon edhe faktin se në atë bazë Miladinin e solli Anastas Lulo, i cili bashkëpunoi me Gjinishin për sjelljen e tij në Tiranë. Shumë të paktë ishin ata që kishin dijeni atëherë për atë bazë, dhe unë e dija nga goja e Anastasit, i cili më kishte porositur disa herë që t’i kontrolloja ato armë a ishin vendosur dhe ambalazhuar mirë, me qëllim që të mos ndryshkeshin nga lagështia. Ky veprim u ndërpre nga vendosja në atë dhomë e Miladinit. I pyetur para tre vjetësh për fatin e asaj depoje armësh, Shyqëri Këllezi ka dëshmuar se aty kishte shkuar tre herë policia për kontroll dhe vetëm herën e tretë ata kishin mundur që të gjenin hyrjen sekrete të depos. Nuk ka asnjë dyshim se këtë depo ia dorëzoi armikut vetëm Enver Hoxha”.

Keçi: “Enveri tregoi Ferit Xhajkon”

Një nga akuzat e dyshimet e tjera që Hamit Keçi ka hedhur në kujtimet e tij për Enver Hoxhën, është edhe ajo ku thuhet se Enveri ka treguar tek italianët për Ferit Xhajkon e shokët e tij, të cilët u arrestuan në vitin 1942 në dalje të qytetit të Fierit. Lidhur me këtë ngjarje, në mes të tjerash Keçi ka shkruar: “Pasi kishte spiunuar Koçi Xoxen tek italianët, Enveri bëri të njëjtën gjë, duke futur në burg Sinan Gjonin (Rrumbullakun), i cili në atë kohë ishte sekretar organizativ i Qarkorit Komunist të Vlorës. Në 12 prill të vitit 1942, Sinani erdhi në Tiranë si ilegal për të marrë pjesë në mbledhjen e aktivit të PKSH-së, së bashku me Hysni Kapon, i cili ishte sekretar politik i Qarkorit të Vlorës. Në mbarim të mbledhjes, Miladin Popoviçi e lavdëroi Sinanin për punën e mirë dhe plot aktivitet që kishte bërë Qarkori i Vlorës, i cili në atë kohë kishte organizuar aksionin e hapjes së depove të grurit duke ia shpërndarë popullit, si dhe hedhjen në erë të depove të municionit të italianëve në Rradhimë. Pas mbledhjes, Enveri e ndau Sinanin nga Hysniu, dhe për atë gjë në kujtimet e tij ai shprehet: ‘Hysniun e mbajtëm për disa punë në Tiranë, kurse Sinanin e nisëm për në Vlorë të shoqëruar me tre ilegalë’. Por e vërteta qëndron ndryshe, nuk ishin tre, por pesë ilegalë: Hamdi Mëzezi, Ferit Xhajko, Nikolla Tupe, Spiro Dhima e Niko Arapi. Në kujtimet e tij, Enver Hoxha e vazhdon gënjeshtrën, duke thënë: ‘Hamdiun, Feritin, Nikollën e Sinanin i arrestuan në Fier, Sinanin e internuan në Itali, kurse tre shoqëruesit, pasi i torturojnë i varën’. Me atë dëshmi Enveri kërkon të njollosë Sinan Gjonin, për të cilin thotë se e internuan në Itali, kurse tre shoqëruesit i varën.

Në fakt, e vërteta është kështu: pesë ilegalët dhe Sinani, me një makinë pesëvendëshe, u nisën për në Vlorë. Në të dalë të Fierit, te postblloku, policia ndalon veturën dhe një polic i detyron të zbresin nga makina. Gjatë kontrollit, në xhepin e pasmë të pantallonave ai i gjeti një komunikatë Ferit Xhajkos. Pas kësaj policia kontrolloi gjithë veturën, ku gjeti edhe pesë revolverë të fshehur në motorin e saj. Pas gjetjes së armëve, ata i arrestojnë menjeherë dhe i nisin për në Fier, ku pasi i torturojnë, i marrin që andej dhe i sjellin në Tiranë. Edhe në Tiranë ata u torturuan nga kuestura, por nuk treguan asgjë. Nisur nga kjo gjë, ata i nxjerrin në gjyq dhe i dënojnë të pestë me vdekje, kurse shoferin me 15 vjet burg. Pasi i dënuan, ata i sollën në burgun e vjetër ku ndodhesha dhe unë në atë kohë. Një ditë aty erdhën nga Gjykata Ushtarake duke i pyetur përsëri një nga një, se ku po shkonin atë ditë që ishin arrestuar e ç’qëllime kishin. Ata u premtuan se po të tregonin, do t’u falej jeta, por ata nuk e hapën gojën. Mbas tre ditësh, Feritin, Nikollën e Hamdiun i varën, kurse Sinanit, Spiros e Nikos ua falën jetën. Të tre ata që u falën, më pas u bashkuan me ne dhe Sinani, që unë e njihja prej kohësh kur vinte në shtëpinë time përpara formimit të Partisë, më tregoi të vërtetën se si kishte ndodhur arrestimi i tyre. Pak ditë më vonë, Sinanin e morën dhe e internuan në ishullin San-Stefano në Itali, nga ku ai u kthye në vitin 1944. Në fillimin e vitit 1945, Sinanin e arrestuan dhe e burgosën, e pa e nxjerrë fare në gjyq, e marrin një natë dhe e pushkatojnë. As sot nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e tij. Kjo ngjarje m’u kujtua kur kam lexuar librin e Enverit “Kur lindi Partia”, dhe që nga ajo kohë, duke e ditur të gjithë ngjarjen, unë kam krijuar bindjen e plotë se ata u tradhtuan nga Enver Hoxha.

LEXO EDHE:  Foto-Dokumentetet sekrete të CIA-s/ Hoxha akuzoi Hrushovin se ai vetë nxiti kultin e Stalinit, përgjigja nga Moska

“Enveri i tha Koçit të ndërtonte një barakë dhe aty e arrestuan”
Në kujtimet e tij, Hamit Keçi ka shkruar edhe për mënyrën se si Enver Hoxha erdhi në krye të Partisë Komuniste, duke zënë vendin e Sekretarit të Komitetit Qendror, funksion i cili, sipas Keçit, në mbledhjen e 8 nëntorit 1941 i ishte ngarkuar Koçi Xoxes. Lidhur me manovrat që përdori Enveri për të ardhur në krye të Partisë, midis të tjerash Keçi ka shkruar: “Në fundin e muajit tetor 1941, në shtëpinë e Bije Vokshit u bë një mbledhje nën drejtimin e Dushanit, me qëllim që të sheshoheshin divergjencat ne mes të grupeve komuniste. Kjo mbledhje përfundoi pa sukses. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Anastas Lulo dhe Sadik Premtja shkuan aty, duke kujtuar se ajo do të ishte vazhdim i asaj mbledhjeje dhe do të diskutonin përsëri për të sqaruar divergjencat e më pas të binin dakord për formimin e Partisë Komuniste. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Anastasi dhe Sadiku u ndodhën përpara një kurthi të përgatitur që më parë. Të mbetur vetëm, Anastasi dhe Sadiku pranuan që më parë të formohej Partia, dhe pastaj të diskutohej për të sheshuar divergjencat që kishin grupet në mes tyre. Kështu, Partia u formua edhe me votat e tyre, ndërsa diskutimet vazhduan edhe për disa ditë të tjera. Akuza kryesore që i bëhej Grupit të të Rinjve, ishte se nuk pranuan direktivat e Kominternit, ndërsa Grupi i Korçës i kishte përqafuar dhe i kishte vënë në jetë. Këto ishin pallavra të kota. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Koçit i është thënë se ishte zgjedhur Sekretar i Komitetit Qendror provizor dhe për arsye të konspiracionit të thellë, votimet aty ishin bërë pa emra, por vetëm me të dhënat e biografive. Kjo gjë nuk iu tha anëtarëve të Komitetit Qendror. Gjatë mbledhjes së aktivit të Partisë që u zhvillua nga data 12 deri më 14 prill 1942, në të cilën nuk merrte pjesë Koçi Xoxe pasi ishte në burg, pranë Miladinit qëndronte Enver Hoxha. Të gjithë pjesëmarrësit e asaj mbledhjeje që vinin nga rrethet, duke parë Enverin pranë Miladinit, e konsideruan atë si Sekretar të Komitetit Qendror të Partisë. Po si kishte ndodhur arrestimi i Koçit? Në atë kohë Enveri e këshilloi Koçin që të ndërtonte një barakë ku të ushtronte zanatin e tij si teneqexhi, në mënyrë që të zhdukte çdo dyshim nga policia dhe spiunët. Kur Koçi po e përfundonte barakën me ndihmën e Andon Deçkës, befasisht aty vijnë dy policë dhe e arrestojnë së bashku me Andonin. Pasi i arrestuan, ata të dy i dërguan direkt në burgun e vjetër të Tiranës. Në këtë mënyrë Enveri e hapi rrugën për të zënë vendin e Sekretarit të Komitetit Qendror provizor”.

Dëshmia e Keçit: Enveri i implikuar në vrasjen e Vojo Kushit

Një ndër akuzat e shumta të Hamit Keçit për Enver Hoxhën është edhe ajo për vrasjen e Vojo Kushit, Xhoxhi Martinit e Sadik Stavalecit, të cilët njihen ndryshe edhe si tre heronjtë e Kodrës së Kuqe. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij Keçi ka shkruar: “Në tetorin e vitit 1942, pasi Sadik Stavaleci ishte kthyer nga sanatoriumi i Barit në Itali, Enveri e caktoi që të shkonte në Kosovë. Në mëngjesin e 7 tetorit ai u gjet i rrethuar në shtëpinë e Haxhi Farkës. Në mbrëmjen e 6 tetorit, në atë shtëpi ka shkuar edhe Enver Hoxha, gjë të cilën mua ma ka treguar vëllai im, Maliqi (Keçi), që kishte shkuar aty atë natë për të parë Xhoxhi Martinin, me të cilin kishte shumë shoqëri. Xhoxhi qëndronte në atë shtëpi pasi ishte plagosur në këmbë, gjatë një përpjekjeje me armë që kishin bërë me policinë Isuf Keçi, Mërkur Çela dhe Xhoxhi, në shtëpinë e Isuf Radës. Në mbrëmjen e 6 tetorit, një orë para se të mbyllej qarkullimi, në shtëpinë e Haxhi Farkës vjen Enver Hoxha dhe përzë prej aty Maliqin e një person tjetër të quajtur Muharrem Llanaj, i cili kishte ardhur aty nga çeta e Matit, ku ishte caktuar si i deleguar i KQ të PKSH-së. Enveri i përzuri ata të dy, duke u thënë se nuk duhej të strehoheshin shumë komunistë në një bazë, se mund të diktoheshin nga italianët, ashtu siç kishte ndodhur pesë muaj më parë me Qemal Stafën. Pasi i përzuri ata të dy nga ajo bazë, aty mbetën vetëm Vojo Kushi, Sadik Stavaleci dhe Xhoxhi Martini, të cilët ishin anëtarë të Grupit të të Rinjve të Tiranës.

Pak minuta pas largimit të Enverit, Muharrem Llanaj u kthye përsëri aty në atë bazë, pasi ai nuk kishte se ku të shkonte. Siç dihet, ajo bazë u rrethua nga italianët dhe të katër shokët që ndodheshin aty, luftuan kundër tyre me armë në dorë. Siç dihet, Vojo, Xhoxhi dhe Sadiku luftuan deri në pikën e fundit të gjakut në një luftë të pabarabartë, duke u bërë simbol heroizmi për brezat që do vijnë. Kurse Muharremi u kap i gjallë dhe u burgos nga italianët në burgun e Tiranës, ku ai u prezantua jo me emrin e tij, por me një emër të rremë. (Më pas Muharremi doli nga burgu dhe pas çlirimit ai ka qëndruar në internim në fshatrat e Lushnjës deri në 1991, duke mos u përmendur asnjëherë si pjesëmarrës i betejës së Kodrës së Kuqe). Nuk ka asnjë dyshim se në rrethimin e shtëpisë së Haxhi Farkës ka qenë dora tradhtare e Enver Hoxhës, i cili synonte eleminimin e Sadik Stavalecit, pasi e shihte atë si një pretendent të mundshëm për vendin e Sekretarit të PKSH-së. Në këtë post Enveri u zgjodh në Konferencën e Parë të PKSH-së që u mbajt në Labinot nga data 17 deri më 22 mars 1943, ku u zgjodh dhe Komiteti Qendror definitiv, me Enverin Sekretar të Përgjithshëm. Është marrë vesh se në mbarim të punimeve të asaj mbledhjeje, nën kryesinë e Enver Hoxhës është mbajtur një mbledhje tjetër sekrete, ku janë dënuar me vdekje të gjithë anëtarët kryesorë të Grupit të të Rinjve. Zbatimi i atij vendimi filloi shumë shpejt mbas kësaj mbledhjeje. I pari u ekzekutua Anastas Lula dhe pas tij me radhë Neki Ymer Hoxha, Xhemil Çakërri, Sadik Premtja (u plagos dhe u arratis nga Shqipëria), Pali Terova, Sinan Gjoni, Fejzo Gjomema etj.”/Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Nga Kastriot Dervishi/ Sigurimi shqiptar nuk e dinte ku jetonte Martin Camaj në vitet ’50

Publikuar

-

Nga

Nga Kastriot Dervishi/ Sigurimi shqiptar nuk e dinte ku jetonte Martin Camaj në vitet '50

Martin Camaj u arrestua më 5.5.1948. Akuzohej si bashkëpunëtor i Gjon Lulash Destanishtës. Pesë ditë më vonë, iu zhvillua një proces hetimor dhe iu kërkua të bashkëpunonte për të shtënë në dorë Gjon Destanishtën dhe nipin e tij. Në hetuesinë e zhvilluar (2 faqe e gjysmë) nuk ka asnjë informacion rëndues dhe as është përdorur ndonjë element ndaj dikujt tjetër, por janë përmendur persona që ishin ekzekutuar më 4.3.1946, si Atë Daniel Dajani, At Giovani Fausti, si dhe një emër i padëgjuar si At Roza (nuk dihet në është emër i vërtetë). Në gjuhën e shërbimeve sekrete, nuk njihen raste të raportimit apo “spiunimit” të të vdekurve.

Me t’u liruar, Camaj njoftoi dy personat të cilët ishte ngarkuar t’i “spiunonte” dha informatat të rreme e çorientuese, u tall sa deshi dhe u arratis nga Shqipëria më 9.8.1948 bashkë dy personat që duhej të raportonte. Në vitet 1948-1959, Sigurimi nuk ka asnjë informacion rreth tij, madje as e dinte ku ishte. Mungesa e të dhënave, shihet edhe te raportin biografik i datës 15.11.1958, në të cilin ndër të tjerash shkruhej:

LEXO EDHE:  Kur opozitën e tërheq zvarrë Blloku

LEXO EDHE:  Kur opozitën e tërheq zvarrë Blloku

“Për të gjithë aktivitetin armiqësor që kishte treguar i lartpërmenduri dhe lidhjet që ka pas me të arratisur, qe arrestuar nga ish seksioni i rrethit të Shkodrës, ku qe proceduar dhe pranuar për fajet që kishte bërë dhe pranoi të bashkëpunojë me organet e sigurimit për të na fut në dorë të arratisurin Gjon Destanishta dhe për këtë qe rekrutuar agjent në bazë materiali komprometues të tij. Mirëpo, pas sa kohëve, bie në lidhje me kriminelin e përmendur, por gjithmonë na jepte informata të rreme, d.m.th. na dezorientonte, të cilën gjë e vazhdon deri në tradhtinë e Titos. Me tradhtinë e Titos, Martin Kolë Cama, së bashku me Gjon Destanishtën e Lazër Palin, ilegalizohet në Jugosllavi ku edhe sot gjendet atje (në fakt ishte në Itali nga viti 1956)”.  Veprimtaria e Martin Camajt në vitet 1948-1959 ishte thellësisht e panjohur. Madje Sigurimi nuk dinte as ku jetonte ai.

LEXO TE PLOTE

Histori

Del libri i bujshëm/ Enveri dërgoi 675 diversantë kundër Titos

Publikuar

-

Nga

“Tito dhe shokët”, një monografi voluminoze dhe interesante vjen në shqipe nga Shtëpia botuese BOTART

Është quajtur ndryshe dhe si “një monografi monumentale”. Dhe flitet për librin voluminoz të autorit slloven Jože Pirjevec, titulluar “Tito dhe shokët”.

Libri ka ardhur në shqipe nga Shpresa Rupar dhe është botuar nën kujdesin e Shtëpisë botuese “Botart”. Ky libër, që cilësohet si një biografi e plotë, voluminoze, profesionale dhe shumë interesante, sjell këndvështrime të reja për jetën e Titos, si dhe për rolin e tij vendimtar për forminin dhe zhvillimin e një Jugosllavie tjetër.

Autori është mbështetur mbi një numër dokumentesh, të cilat ruhen në arkivat personale dhe shtetërore në Lubjanë dhe në kryeqytete të tjera të republikave të ish-Jugosllavisë. Ai gjithashtu hulumtoi mes materialeve që janë në dispozicion në arkiva të ndryshme në Uashington, Nju-Jork, Moskë, Berlin, Kajro, Nju-Delhi.

Autori gjatë kërkimeve të ndryshme arriti të kishte qasje edhe te materialet e arkivave të shërbimeve sekrete vendase dhe të huaja, si STAS-i dhe KGB-ja, ku mësoi fakte të reja për vendimet e Titos dhe reagimet e shokëve të tij më të afërt në çastet historike kyçe.

Për herë të parë, libri sjell detaje të panjohura nga përplasjet e forta të udhëheqësit jugosllav me Stalinin, flirtet me Çurçillin dhe presidentin amerikan, Nikson, si dhe ndihmat ushtarake dhe ekonomike që përfitoi nga SHBA-ja dhe Anglia.

Roli i Titos në krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe organizimin e rezistencës antifashiste. Përse kishte frikë prej shqiptarëve, raportet e vështira me Enver Hoxhën dhe infiltrimi i agjentëve nga Shqipëria në Kosovë… Më poshtë gazeta “Fjala” boton disa fragmente nga libri, të cilat kanë të bëjnë me Shqipërinë.

*

Në një njoftim të lëshuar nga KQ i PKBS-së në vitin 1958, me rastin e përvjetorit të Revolucionit të Tetorit, Jugosllavia nuk u përfshi mes vendeve që “ndërtojnë socializmin”. Prandaj, LKJ-ja nuk u ftua në Kongresin XX të PKBS-së, i planifikuar në vitin 1959.

Me gjithë e polemikat e ashpra, Moska ishte e mendimit se me jugosllavët ishte mirë të ruanin të paktën marrëdhëniet në nivelin shtetëror. Bashkëpunimi ekonomik, kulturor dhe shkencor vazhdoi.

Qëndrimi më radikal ndaj “revizionizmit” u mor nga bullgarët dhe shqiptarët, të cilët, për shkak të mosmarrëveshjeve në kufi, Jugosllavinë e shikonin si armikun e tyre më të keq. Siç shkroi “Politika”, më 17 shtator 1958, këta të fundit ua kërkuan haptas bashkatdhetarëve të tyre në Kosovë që ta kundërshtonin regjimin e Titos.

Ajo besonte se Shqipërisë, “me këtë veprim të pacivilizuar” i ishte ngarkuar roli i provokatorit, dhe e akuzoi qeverinë e Enver Hoxhës se, me këtë veprim, kishte kapërcyer gjithë “vulgaritetin” e vet të mëparshëm.

Vërtet që qëndrimet armiqësore të bullgarëve dhe të shqiptarëve nuk befasuan askënd në Beograd, por ndodhi e kundërta me ata që kishin ardhur nga Kina. Bashkëpunimi politik, ekonomik dhe kulturor i Jugosllavisë, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me të më 11 shkurt 1955, ishte më se korrekt, edhe pse jo i përzemërt, pasi Tito dhe shokët, që në 1948-n kishin parë te Mao Ce Duni aleatin e tyre natyror kundër “vëllait të madh moskovit”.

Gjithashtu, tek ata ndikoi edhe fakti që komunistët kinezë e kishin organizuar revolucionin me forcat e tyre, ashtu si ata jugosllave. Shumë shpejt kuptuan që ishte thjesht një iluzion, pasi kinezët pa hezitim kaluan në krahun e palës së Stalinit.

Megjithatë, pas vitit 1955 ata e ndryshuan qëndrimin e tyre dhe e pranuan publikisht se me politikën e tyre ndaj Jugosllavisë ata kishin gabuar. Madje, Mao Ce Duni, pas vizitës së Hrushovit në Beograd, në një pritje deklaroi publikisht: “Unë e përgëzoj Titon për atë që nuk hoqi dorë nga parimet e tij. Deklarata e Beogradit është dokumenti më i rëndësishëm që ka dalë deri më tani nga lëvizja punëtore”.

Vetë Çu En Laj, bashkëpunëtori më i ngushtë i Maos, i tha ambasadorit jugosllav në Indi, ku ai ndodhej për një vizitë, në fund të vitit 1956, se “Ne duhet të jemi dhe do të jemi miq”.

Në takimin e Moskës të vitit 1950, me rastin e 40-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, Mao mbajti një qëndrim shumë miqësor ndaj delegacionit jugosllav dhe, sipas mënyrës së tij, ai theksoi ngjashmërinë e LKJ-së dhe PK të Kinës në lidhje me PKBS: “Ju dhe ne ndryshojmë vetëm për atë që ju keni mustaqe, ndërsa ne nuk kemi”.

Një vit më vonë, më 28 shkurt 1958, të dyja vendet nënshkruan protokollin tregtar që parashikonte shkëmbimin e mallrave deri në 19,6 milionë dollarë.

Kinezët nuk ranë dakord me pretendimin heretik të Kongresit VII, që eliminimi i blloqeve do ta shpëtonte botën nga rreziqet e luftës atomike. Jugosllavët i akuzuan se ata hoqën dorë nga revolucioni dhe nga diktatura e proletariatit, por veçanërisht, kundërshtuan faktin që pikëpamjet e tyre jokonformiste i kthyen gati në doktrinë.

Pati edhe një polemikë mediatike, ku gazeta ideologjike e KQ të PK të Kinës, “Flamuri i Kuq”, nuk ngurroi t’i fyente drejtuesit kryesorë jugosllavë, duke filluar me Titon, duke i quajtur “agjentë të imperializmit”.

Kjo shkaktoi ftohjen e marrëdhënieve diplomatike, pasi të dy ambasadorët, si ai kinez në Beograd, Wu Hsiu-Chuan, dhe ai jugosllav në Pekin, Vladimir Popoviç, u larguan nga ambasadat e tyre. Në fakt, pas gjithë kësaj fshiheshin konflikte gjithnjë e më të mprehta midis Mao Ce Dunit dhe Hrushovit, të cilat, për momentin, superfuqitë nuk donin t’i bënin publike.

Pas goditjes që mori Bashkimi Sovjetik, për shkak të kryengritjes hungareze, Pekini dëshironte ta forconte statusin e tij brenda botës komuniste, duke krijuar një linjë ideologjike që nuk do të varej nga Moska.

Qysh në mbledhjen e nëntorit të 1957-s në Moskë, Kardeli e kuptoi përçarjen mes dy palëve dhe i paralajmëroi shokët e tij se “tashmë, mes rusëve dhe kinezëve kishte filluar beteja e përparësisë ideologjike në lëvizjen punëtore ndërkombëtare”.

Por askush në Beograd nuk e priste që konflikti do të zhvillohej ashtu siç u zhvillua. Dy superfuqitë, të paktën në fillim, nuk debatuan hapur, por secila prej tyre, në vend të fajtorit të vërtetë, zgjodhi “mëkatarin”, i cili duhej të pranonte goditjet.

Kinezët zgjodhën Jugosllavinë, veçanërisht Titon, “tradhtarin e proletariatit botëror”, ndërsa sovjetikët Shqipërinë, e cila kohët e fundit ishte kthyer në vasalen e Pekinit në Ballkan. Natyrisht që jugosllavët e kishin të qartë atë që po ndodhte prapa skenave, por ata, siç thoshte Vladimir Popoviç, nuk pranonin të “gjunjëzoheshin”, madje, ata i hodhën edhe më shumë benzinë zjarrit të polemikave që u ndezën pas Kongresit VII.

Në komentin e tij për politikën që mbretëronte midis Moskës dhe Uashingtonit drejt fundit të viteve pesëdhjetë, në Zagreb, në dhjetor të 1959-s, Tito theksoi se njerëzimi, për shkak të zhvillimit teknologjik, po hyn në një “epokë të re”, që Marksi dhe Lenini nuk mund ta parashikonin. Problemet e reja që dolën nuk lidhen më me çështjen e paqes ose të luftës, por janë probleme të bashkëpunimit dhe konkurrencës ndërkombëtare.

“Duke vepruar kështu, ky rebel hedh plotësisht poshtë çështjen e kontradiktave të klasave, si dhe të luftës së klasave”, komentoi Hung-ch’i më 16 prill 1960, dhe kërkon “të mohojë analizën marksiste-leniniste të kohës sonë, e cila është kohë e imperializmit dhe e revolucionit proletar, si dhe fitoret e socializmit dhe komunizmit.

Në epokën e re të Titos nuk ekziston as imperializmi, as revolucioni proletar dhe as diktatura e proletariatit. Pika thelbësore të kontradiktave të klasave dhe të luftës së klasave në kohën tonë nuk ka, mungojnë çështjet thelbësore të leninizmit, në fakt leninizëm nuk ka”.

Për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve, me urdhër të Komitetit Ekzekutiv, Kardeli shkroi me nxitim, në vetëm njëzet ditë, traktatin Socializmi dhe lufta, të botuar në gusht të 1960-s. Në të, ideologu slloven nuk e kurseu hegjemonizmin sovjetik.

Në të ai argumentonte se lufta midis vendeve socialiste, e cila kishte si synim që vendeve të tjera t’u impononte interpretimin e vendit agresor për konceptin e socializmit, do të quhej “veprim reaksionar”.

Pa dyshim, me këtë e kishte fjalën për sovjetikët. Por kur shtrohej pyetja, nëse lufta midis blloqeve ishte e pashmangshme, ai i dha të drejtë Hrushovit dhe hodhi poshtë tezën kineze se imperializmi ishte vetëm një “tigër prej letre”, që nuk kishte arsye për ta pasur frikë. Lufta me të, pretendonin kinezët, do të jetë e pashmangshme, për sa kohë që ekziston.

“Asgjë nuk mund të ishte më e gabuar”, shkroi gjeneral Hsiao Hua, zëvendësdrejtor i njësisë politike të Ushtrisë Çlirimtare Popullore në Jen min Jih pao, më 4 qershor 1960, “sesa mendimi se kishte ndryshuar natyra sulmuese e imperializmit, dhe se perspektiva e një lufte globale kundër kampit socialist ishte zhdukur”.

Ashtu siç kishte thënë Tito, vetëm nga fundi i prillit të 1958-s deri në fund të tetorit të po atij viti, blloku sovjeto-kinez publikoi 670 artikuj antijugosllavë, ku numri më i madh vinte nga kinezët, të ndjekur nga sovjetikët, shqiptarët, bullgarët dhe nga çekosllovakët.

LEXO EDHE:  Nga Arben Kallamata/ 5 Maji apo 7 Prilli?

LEXO EDHE:  Grabitja e armëve në Pashaliman/ Zbardhet dëshmia e ushtarakut që u largua nga vendi i punës

Traktati i Kardelit e përkeqësoi akoma edhe më shumë polemikën, megjithëse Hrushovi insistonte me tezën se është e nevojshme që të dënohet titizmi, por, duke ruajtur marrëdhënie të mira me popujt jugosllavë, ai këtë gjë e përsëriti edhe në Kongresin XXI. Jugosllavët, natyrisht nuk qëndruan duarkryq.

Me rastin e 40-vjetorit të themelimit të PKJ-së, më 19 prill 1959, Tito mbajti një fjalim të rëndësishëm, ku ai tregoi historinë e saj tronditëse, duke theksuar rolin e komunistëve jugosllavë në luftën për vendosjen e socializmit në Evropë.

Për këtë flasin varret e tyre të shpërndara nga Madridi deri në Arktik në Norvegji. “Nuk është aspak e tepërt të thuhet se ka pak parti që mund të përballen me proletariatin ndërkombëtar me këtë lloj bilanci, në dyzet vitet e fundit. /…/ Ne mund t’u dëshmojmë të gjithëve se ngritëm lart flamurin e Marksit, Engelsit dhe Leninit.”

Pavarësisht këtyre fjalëve krenare, Tito gjithsesi nuk dëshironte t’i hidhte benzinë zjarrit, prandaj në vitin 1959 pranoi sugjerimin që në veprat e tij, të botuara në Zagreb në atë kohë, t’i censuronin kritikat më të mprehta ndaj Bashkimit Sovjetik dhe ndaj sistemit të tij shoqëror, kritika që i kishte bërë në fillim të dekadës, veçanërisht me fjalimet e tij të Kongresit VI.

Ai iu përgjigj sulmeve që ndërmori në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine, madje duke e kaluar atë dhe në Moskë e në Pekin. Tashmë, nga një raport i ambasadës së Gjermanisë Lindore në kryeqytetin kinez, e dimë që ambasada jugosllave, në vjeshtën e vitit 1960 i mbyti përfaqësitë e huaja, sidomos ato socialiste, me materiale propagandistike, të cilat ato pjesërisht i dogjën, pjesërisht ia kthyen dërguesit. E vetmja gjë që bënë ambasadorët ishte se, të paktën ata e lexuan materialin dhe për përmbajtjen e tij iu raportuan ministrave të tyre të jashtëm.

Kulmi i polemikës arriti në Moskë, më 6 nëntor 1959, gjatë takimit të 81 partive përfaqësuesve komuniste dhe partive të punës, me rastin e festimeve për Revolucionin e Tetorit. Me këtë rast, ata u përpoqën ta kapërcejnë mosmarrëveshjen në rritje midis Pekinit dhe Moskës, duke e dënuar njëzëri “oportunizmin ndërkombëtar” të Jugosllavisë.

Duke përqafuar me kokëfortësi tezat e tyre revizioniste, liderët jugosllavë largohen gjithnjë e më shumë nga parimet e marksizëm-leninizmit, duke e bërë vendin e tyre gjithnjë e më shumë të varur nga imperializmi, veçanërisht nga ai amerikan, dhe kjo bën që të kthehen kundër kampit socialist.

Përfaqësuesit e këtij të fundit, këtë fakt e mbështetën edhe duke vënë në dukje se disa nga liderët më të shquar jugosllavë, Kardeli, Bakariçi, Vukmanoviçi, Stamboliçi, vijnë nga shtresa borgjeze.

Sipas tyre, bëhej fjalë për një rrymë të vërtetë revizioniste brenda partisë, e cila, duke botuar një program të miratuar në Kongresin VII, mendohej të kishte sukses, çka do të thoshte goditje e re për aspiratat e Bashkimit Sovjetik, dhe kjo me qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve midis LKJ-së, PKBS, si dhe palëve të tjera vëllazërore.

Njerëzit e vetëm në kamp, të cilët ranë disi dakord me jugosllavët, ishin polakët. Por edhe ata menduan se jugosllavët ishin “budallenj, sepse nuk dinë si t’i fshehin mendimet e tyre”.

Një vit më vonë, në shtator të 1960-s, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, midis Titos dhe Hrushovit pati një afrim të papritur. Të dy burrat e shtetit u takuan katër herë dhe ata ranë dakord që t’u jepnin fund polemikave.

“Ne u pajtuam plotësisht,- tha Hrushovi, pas takimit të parë dyorësh,- sepse pikëpamjet tona janë identike ose shumë të afërta.” Këto fjalë u drejtoheshin kryesisht kinezëve, pasi marrëdhëniet mes tyre dhe sovjetikëve ishin drejt kolapsit përfundimtar.

Ishte më se e qartë se Hrushovi atyre po u dërgonte një paralajmërim të qartë: politikën e jashtme të bllokut sovjetik ai do ta drejtonte në përputhje me pikëpamjet e tij, pavarësisht qëndrimeve të Pekinit, të cilit ai nuk kishte ndër mend t’i bënte lëshime në asnjë drejtim. Kinezët reaguan të indinjuar, natyrisht në mënyrën e tyre, kështu që ata filluan t’i godisnin përsëri jugosllavët me të gjitha mënyrat.

Në shkurt të vitit 1961, kjo polemikë u intensifikua. Në Tiranë u mblodh Kongresi i PPSH-së, në të cilin, në lidhje me Deklaratën e Moskës, Enver Hoxha akuzoi me forcë jugosllavët për idealizëm metafizik, gjë që çonte drejtpërdrejt në revizionizëm dhe oportunizëm.

Midis dy vendeve u krijua një situatë tepër e tensionuar dhe pati një seri incidentesh, të cilat çuan deri në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Në prill të 1961-shit, jugosllavët e akuzuan Shqipërinë për ndjekjen e një politike që shkel Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Në “Librin e bardhë”, të cilin e botuan për këtë rast, shkruhej se Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë, në dy vitet e fundit kishin mbajtur 145 fjalime urrejtjeje kundër Jugosllavisë, dhe se që nga viti 1948 deri në shtator të 1960-s qeveria e Tiranës ishte përpjekur të fuste kontrabandë në Jugosllavi 675 diversantë dhe spiunë.

Jehona e këtyre polemikave në Perëndim ishte krejtësisht ndryshe. Në Perëndim, jo vetëm që e ndoqën Jugosllavinë me shumë vëmendje, por ata gjithashtu e inkurajonin atë që të këmbëngulte me qëndrimet e saj të guximshme.

Kur në tetor të 1958-s, ambasadori i ri jugosllav në Uashington, Marko Nikeziç, filloi mandatin e tij dhe vizitoi Shtëpinë e Bardhë, presidenti Ajzenhauer, në fjalën e tij të mirëseardhjes tha se “qeveria amerikane ndjek me respekt dhe përzemërsi vendosmërinë e jugosllavëve dhe të qeverisë së tyre.

Jugosllavia, e cila i ka rezistuar me sukses ndikimit sovjetik, do të vazhdojë të marrë ndihma nga SHBA-ja për të siguruar prosperitetin e saj”. Dhe kështu ndodhi. Në vjeshtën e vitit 1958, jugosllavët kërkuan një kredi prej 100 milionë dollarësh nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe; në dhjetor administrata amerikane vendosi të diskutonte se si ta zbatonin programin e ri për ta ndihmuar regjimin e Titos.

Një vit më vonë, si mbështetje për rolin e rëndësishëm që Jugosllavia luajti, ajo dha një kredi shtesë për zhvillimin e hidrocentralit afër Dubrovnikut. Qeveria e Beogradit e tregoi mirënjohjen e saj ndaj këtij veprimi, duke e porositur shtypin që të mos e sulmonin më Perëndimin. Kjo gjë vlente kryesisht për SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën.

Përmbajtja e librit

“Tito dhe shokët” është libri biografik më i plotë i botuar deri sot për jetën e liderit të Jugosllavisë. Autori slloven Jože Pirjevec, si profesionist i sprovuar në fushën e historisë dhe akademik i mirënjohur, sjell këndvështrime të reja për rrugëtimin e Titos, si dhe për rolin e tij vendimtar në krijimin dhe zhvillimin e një shteti ndryshe nga paraardhësit.

Ky botim hedh dritë mbi disa prej enigmave që kanë shoqëruar figurën e famshme politike të shekullit të 20-të, për të cilën ende flitet dhe debatohet gjerësisht. Duke shfrytëzuar një arkivë të jashtëzakonshme në disa shtete të mëdha, madje dhe dosjet e shërbimeve sekrete më të rëndësishme të botës, Pirjevec vizaton me detaje jetën plot zigzage të Titos, që ua bëri të qartë shokëve që në fillimet e karrierës së tij: “Unë jam përgjegjës për Jugosllavinë!

Unë vendos për të!” Në libër përshkruhet me detaje roli dhe veprimtaria politike e shokëve të ngushtë të udhëheqësit jugosllav: Milovan Gjilas, Aleksandër Rankoviç dhe Eduard Kardel. Në një kapitull të zgjeruar trajtohet jeta private e Titos dhe historia e pesë grave më të rëndësishme që e shoqëruan nga koha e studimeve në Bashkimin Sovjetik dhe deri kur mbylli sytë në vitin 1980.

Lexuesit të hapësirës shqiptare në Ballkan dhe më gjerë, i intereson ky libër meqë nëpër rreshta mund të zbulojë disa nga dilemat e fatit tragjik që ka shoqëruar kombin shqiptar gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, si dhe shkaqet e vërteta të konfliktit mes Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe Jugosllavisë së Josip Broz Titos.

AUTORI

Dr. Jože Pirjevec, i lindur më 1940, e filloi karrierën e tij akademike në vitin 1971, në Universitetin e Pizës duke vazhduar më vonë në Trieste dhe në Padovë. Në vitin 1996 ai u bë shef i Katedrës për Historinë e Kombeve Sllave në Fakultetin e Filologjisë në Trieste. Po në të njëjtin vit u emërua këshilltar shkencor në Qendrën e Kërkimeve Shkencore në Koper të Sllovenisë.

Në vitin 1988, për librin Tito, Stalini dhe Perëndimi, fitoi çmimin e Fondacionit Kidriç, ndërsa në vitin 2002 për monografinë Lufta jugosllave 1991-1999, mori çmimin Premio Acqui. Në vitin 2007 mori titullin Ambasador i Shkencave dhe dy vjet më vonë u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Sllovenisë./Fjala

LEXO TE PLOTE

Histori

Rrëfimi i të dënuarit me vdekje që theu burgun para ekzekutimit/ Prej 60 vitesh kam plumbin në mushkri

Publikuar

-

Nga

Rrëfimi i të dënuarit me vdekje që theu burgun para ekzekutimit/ Prej 60 vitesh kam plumbin në mushkri

Publikohet historia e panjohur e Zef Pren Ndocit me origjinë nga fshati Spaç i Mirditës, familja e të cilit gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut pati shumë probleme dhe atyre u’a dogjën kullat, pasi një nga burrat më të dëgjuar të saj që ishte diplomuar në Vienë, shërbente si sekretar dhe këshilltar i Kapidanit të Oroshit, Gjon Markagjonit dhe morri pjesë në kryengritjen e Mirditës në vitin 1921. Shkollimi i Zef Ndocit në Internatin e Oroshit dhe në Shkollën Bujqësore amerikane të Golemit, ku ai pasi denoncoi idetë komuniste që përhapnin nxënësit e asaj shkolle, si Mhill Doçi, Pal Mëlyshi, Rexhep Doda etj., u bashkua me forcat e çetës së Abaz Kupit, duke marrë pjesë në disa luftime që zhvilloi ajo kundër italianëve. Mospranimi i Zefit për t’u larguar nga Shqipëria në nëntorin e ’44-ës me eksponentët e tjerë të Ballit dhe Legalitetit dhe kthimi nga Shkodra në Mirditë, për të organizuar rezistencën antikomuniste në atë krahinë. Qëndimi i tij në malet e Mirditës deri në vitin 1947, duke marrë pjesë në shumë luftime kundra Forcave të Ndjekjes, ku dhe u plagos dy herë prej tyre.  Si pranoi Zefi dhe 100 burra të tjerë mirditorë të dorzoheshin pas një amnistie që dha qeveria komuniste e Tiranës, pasi i kishin vënë dy kushte Bardhok Bibës. Dënimi i Zefit me pushkatim dhe thyerja e burgut të Pukës para se ai të ekzekutohej, dhe arrestimi i tij për herën e dytë, pasi e preu në besë familja nga Gjegjani i Pukës ku ai qëndroi i strehuar, nga ku ai përfundoi burgjeve dhe internimeve deri në vitin 1977.

“Nga mbarimi i Luftës e deri në shtatorin e vitit 1947, unë qëndrova nëpër male me grupet e rezistencës antikomuniste që udhëhiqeshin prej Mark Gjonmarkajt, duke rënë disa herë në përpjekje me repartet e Forcave të Ndjekjes dhe ato të Sigurimit të Shtetit që drejtoheshin prej Kryetarit të Degës së Brendëshme të Mirditës, Bardhok Bibës. Në një nga ato përpjekje të zhvilluar në fshatin Dom afër Gjegjanit, unë u rrethova prej tyre dhe mbeta i plagosur nga një plumb të cilin edhe sot pas 60 vjetësh e kam akoma në mushkëri. Duke mos pasur asnjë rrugëzgjidhje tjetër, në shtatorin e vitit 1947, unë bashkë me 100 burra të tjerë të Mirditës, u dorëzova pas një amnistie të dhënë nga qeveria komuniste e Tiranës”. Kështu e kujtonte periudhën kur ishte në arrati, Zef Pren Ndoci, me origjinë nga fshati Spaç i Mirditës, ish- pjestar dhe komandant i grupeve të rezistencës antikomuniste në vitet 1945-1947, i cili na rrëfente të gjithë historinë e tij, që nga periudha e Luftës kur luftonte në çetën e Abaz Kupit, dhe më pas me Komitetin e Maleve që udhëhiqej nga djemtë e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit.

Mosmarrëveshjet me Mbretin Zog

Zef Ndoci u lind në vitin 1924 në fshatin Spaç të Mirditës prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila asokohe kishte tre kulla të mëdha. Më i njohuri i fisit të tyre ishte një nga kushurinjtë e parë të Zefit, i quajtur po me emrin Zef Ndoci, i cili ishte diplomuar në Vjenë të Austrisë dhe shërbente si këshilltar e sekretar i Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit. Pas Kryengritjes së Mirditës në vitin 1921, Zef Ndoci u largua për në Jugosllavi dhe në atë kohë shtëpia e tyre u dogj nga forcat qeveritare, të cilat kishin marrë pjesë në shtypjen e asaj kryengritje irredentiste. Dy vjet më vonë, në vitin 1926, Zef Ndoci u kthye nga Jugosllavia dhe mbeti i vrarë në Orosh të Mirditës, në një përpjekje me forcat qeveritare.

Që nga ajo kohë familja Ndoci ra në një armiqësi dhe në mosmarrveshje të vazhdueshme me Ahmet Zogun, të cilat u sheshuan aty nga viti 1928, kur Nikoll Pjetër Ndoci, u vesh si oficer Xhandarmërie me gradën e kapitenit. Në atë detyrë Nikolla shërbeu deri në vitin 1932, kur u vra për probleme hasmërie nga disa persona që ishin kundër Gjonmarkajve. Pas vrasjes së Nikollës, Mbreti Zog dekretoi si oficer (kreshnik) në rezervë, kushëririn e tij, Ndue Pjetër Ndocin dhe që nga ajo kohë, problemet e familjes Ndoci me Mbretin Zog, pothuaj u normalizuan plotësisht. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë e gjithë familja Ndoci njihej si mbështetëse e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit dhe në prillin e vitit 1939, kur ai mblodhi forcat për të shkuar e luftuar në Durrës, u bashkua me ta me armë në dorë edhe babai i Zefit, Pren Ndoci.

Në çetën e Abaz Kupit

Zef Ndoci mbaroi shkollën unike me bursë shtetërore në Internatin e Oroshit në Mirditë dhe më pas ai ndoqi mësimet në shkollën Teknike-Buqësore Amerikane të Golemit të Kavajës, bashkë me patriotët e tij nga Mirdita, Pal Mëlyshi, Mhill Doçi, Ndue Pjetër Gjomarkaj dhe Rexhep Doda nga Reçi i Peshkopisë. Lidhur me këtë dhe aktivitetin e tij pas mbarimit të asaj shkolle, Zef Ndoci kujtonte: “Gjatë kohës që isha student në Bujqësoren e Golemit, ashtu si shumë të rinj të asaj kohe, edhe unë u njoha për herë të parë dhe rashë në kontakt me idetë komuniste. Por pasi u njoha mirë me atë doktrinë demagogjike nëpërmjet broshurave të ndryshme që na sillnin nga Tirana, që në mbledhjen e parë të celulës unë u largova duke i denoncuar hapur idetë komuniste. Kjo gjë ka ndodhur aty nga viti 1942 dhe pas marrjes së diplomës në gushtin e atij viti, unë vendosa të bashkohesha me forcat e Abaz Kupit, ku ishte dhe axha im, Ndue Pjetër Ndoci.

Atë vendim timin e bërë realitet menjëherë, duke shkuar në fshatin Shënmëri të Krujës, ku ishte Abaz Kupi me shtabin e tij. Që nga ajo kohe e deri në datën 6 maj të vitit 1944, unë kam qenë efektiv i çetës së Abaz Kupit, ku bashkë me axhën tim, kemi marrë pjesë në disa luftime kundra italianëve. Nga ato luftime mund të përmënd ato në fshatin Mallkuç të Krujës, ku na u vra major Marka Jaku nga Kurbini, bashkë me tre të tjerë dhe betejën kundra garnizonit italian të Burrelit më 31 korrik të vitit 1944. Ato luftime të cilat u zhvilluan bashkarisht edhe me forcat partizane, u udhëhoqën nga Abaz Kupi, Bilal Kola, Kurt Sulkurti, Isuf Beg Selmani dhe të tjerë krerë nacionalistë. Më pas unë mora pjesë edhe në betejën e Qaf-Shtamës, ku nën komandën e Abaz Kupit, ne i zumë pritë forcave italiane që u tërhoqën nga Burreli, ku mbeti i vrarë komandanti i tyre me gradën e kolonelit. Pas asaj beteje ne kemi luftuar edhe kundra gjermanëve që erdhën me tre kamionë në Krujë, ku u asgjesuam një pjesë të madhe të tyre.

Aty nga fundi i pranverës së vitit 1944, kur forcat partizane nisën operacionet kundra krahinës së Mirditës, Gjon Markagjoni dha kushtrimin që të mblidheshin të gjithë burrat nën armë. Por unë me axhën tim, Ndue Pjetër Ndocin, nuk mundëm që të shkonim në Mirditë, pasi ishim me forcat e Abaz Kupit. Më datën 6 maj të atij viti, xhaxhai im Ndueja, më nisi për në fshatin Gjurë të Matit, ku ishte shtëpia që streohej Cen Elezi me krerët e tjerë nacionalistë dhe oficeret anglezë që ishin atashuar pranë shtabit të Abaz Kupit. Aty në atë shtëpi unë u takova me Abaz Kupin dhe i tregova për kushtrimin që kishte lëshuar Kapidani i Mirditës. Pasi më dëgjoi deri në fund, Abaz Kupi më tha: “Të mblidhni forca dhe të shkoni në Mirditë tek Gjon Markagjoni, për të luftuar në front kundra komunistëve”. Që nga ajo ditë bashkë me axhën tim, Nduen, e disa të tjerë shkuam në Mirditë dhe pasi u takuam me Gjon Markagjonin, morëm pjesë në luftimet kundra forcave partizane që përbëheshin nga Brigada e VI-të, e VII-të dhe e XVII-të, ku luftimet më të ashpëra i bëmë në fshatin Gëziq”, kujtonte Zef Ndoci atë kohë kur luftonte në çetën e Abaz Kupit dhe nën komandën e Gjon Markagjonit, kundra forcave partizane që kishin filluar operacionet për nënshtrimin e Mirditës.

Vrasja e babait të Zefit

Aty nga fundi i shtatorit të vitit 1944, në shtëpinë e Gjon Fushës në fshatin Bulger të Rubikut, u zhvillua një mbledhje e gjatë ku morën pjesë disa nga krerët kryesorë të forcave nacionaliste të Legalitetit, Ballit Kombëtar, si dhe të Bllokut Indipendent. Në atë mbledhje ku mori pjesë dhe Zef Ndoci, krerët nacionalistë diskutuan gjatë rreth masave që duhet të merrnin për t’u mbrojtur nga goditjet e partizanëve që kishin nisur një mësymje në shkallë të gjerë kundër tyre. Mbarimi i Luftës e gjeti Zef Ndocin në nënprefekturën e Shpalit të Mirditës, ku pas vrasjes së xhaxhait të tij, Ndue Pjetër Ndocit, ai kishte marrë komandën e forcave në vënd të tij. Lidhur me këtë dhe ngjarjet që rrodhën më pas, Zef Ndoci dëshmonte: “Unë i kisha të gjitha mundësitë që të largohesha nga Shqipëria, ashtu si shumë eksponentë të tjerë nacionalistë, por mendova se lufta kundër komunistëve duhej të zhvillohej vetëm këtu në Shqipëri. Aty nga fillimi i dhjetorit të vitit 1944, kur ndodheshim ende në qytetin e Shkodrës, Mark Gjonmarkaj më ngarkoi si detyrë që të kthehesha në malet e Mirditës, me qëllim që të riorganizonim luftën kundër forcave komuniste.

LEXO EDHE:  Zbardhet takimi sekret mes Enver Hoxhës dhe Zahariades në Korçë/ Shqipëria ndihmoi komunistët grekë, por Hoxha i trembej një plani pushtues nga Athina

LEXO EDHE:  “Lista e zezë” e Enver Hoxhës/ Emra të personaliteteve të njohur, të eleminuar

Ndonëse ajo gjë ishte tepër e vështirë dhe krejtësisht e pamundur, unë së bashku me Frrok Mëlyshin, Ndue Gjet Simonin, Ndrec Pren Tucin, Ndue Bajraktarin dhe disa mirditorë të tjerë, u kthyem në Mirditë për të zbatuar detyrën e ngarkuar. Aty nga data dhjetë janar e vitit 1945, forcat partizane të Divizionit të VIII të Mbrojtjes Popullore që vazhdonin operacionet në Mirditë, të udhëhequra nga Bardhok Biba, Mat Doda, Mark Dodani, Pal Mëlyshi etj., m’i dogjën shtëpitë në fshatin Spaç dhe na i sekuestruan të gjitha pasuritë që kishte familja jonë. Pas kësaj ata më morën peng, babanë tim, Pren Ndocin, të cilin e mbajtën me vete në një udhëtim të gjatë duke përshkuar rrugën: Mirditë-Tiranë- Korçë-Shkodër. Bashkë me babën tim, si peng të komunistëve ishin dhe disa burra të tjerë mirditorë, si: Gjet Vokrri nga Fani, Gjet Ndoi nga Oroshi, Ndue Përnoci etj. Babai im Preni, vdiq në tortura në një nga qelitë e burgjeve që kishin hapur asokohe komunistët në qytetin e Shkodrës, saqë e dhe sot nuk dihet se ku prehen eshtrat e tij”, kujtonte Zef Ndoci, lidhur me hakmarrjen e komunistëve kundër familjes së tij dhe për vrasjen e të jatit që komunistët e mbajtën si peng për shumë kohë.

Plagosja në përpjekje me Sigurimin

Po si rrodhën më pas ngjarjet me Zef Ndocin dhe familjen e tij? Lidhur me këtë, ai dëshmonte: “Në atë kohë pas vrasjes së babait, unë ndodhesha i arratisur në mal bashkë me Pjetër Lleshin, Nikoll Ndue Përdedën, Bardhok Markagjokën, Gjon Gjinajn etj., dhe në mal mësova se komunistët kishin internuar familjen tonë në qytetin e Beratit dhe më pas në qytetin e Lezhës. Që nga ajo periudhë e deri në shtatorin e vitit 1947 që unë qëndrova i arratisur nëpër malet e Mirditës, së bashku me shumë shokë të tjerë kemi rënë në përpjekje dhe jemi rrethuar rreth 25 herë nga Forcat e Ndjekjes. Sipas situatave të ndryshme, unë hera herës kisha dhe detyrën e komandantit të çetës, por të gjithë ne ishim nën urdhart dhe komandën e Komandantit të Përgjithshëm të Rezistencës Antikomuniste, Mark Gjonmarkajt, i cili u vra më 13 qershor të vitit 1947, në fshatin Prosek. Në atë betejë të përgjakshme me forcat komunisite, bashkë me Markun, mbeti i vrarë dhe vëllai im, Nikoll Ndoci.

Disa ditë më vonë, më 17 korrik, unë së bashku me Pjetër Kimzën dhe Dedë Laloshin, në fshatin Dom afër Gjegjanit, u rrethuam nga forcat e Sigurimit që i udhëhiqte Bardhok Biba. Pas çarjes së rrethimit nga dy shokët e mi, unë mbeta krejt i vetëm dhe u fsheha në një zgavër të madhe lisi, ku qëndrova pa lëvizur për disa ditë me rradhë. Në atë betejë unë mbeta i plagosur rëndë nga një plumb, të cilin edhe sot pas 60-vjetësh e kam akoma në mushkri. Ashtu i plagosur qëndrova nëpër male duke u strehuar nëpër shpella, deri në muajin shtator të atij viti, kur qeveria komuniste e Tiranës shpalli një amnisti për të gjithë të arratisurit. Në atë kohë shumë prej nesh u arratisën nga Shqipëria dhe dolën në Perëndim, kurse unë së bashku me 100 burra të tjerë, vendosëm të dorzoheshim.

Atë vendim, si unë ashtu dhe të tjerët, e morëm jo për vete, por për të lehtësuar vuajtjet e familjeve tona që ndodheshin nëpër internime. Vendimin për t’u dorzuar, ne e morëm vetëm pasi i vumë dy kushte Bardhok Bibës. Kushti i pare, ishte që të mos na e kërkonin se kush na kishte mbajtur me bukë gjatë kohës që ishim në arrati dhe kushti tjetër, ishte falja e jetës. Vetëm pasi u pranuan këto dy kushte nga ana e Bardhok Bibës që në atë kohë ishte Kryetar i Degës së Brendshme, unë bashkë me 100 burra të tjerë mirditorë u dorzuam në fshatin Shpal, që ishte qëndra e nënprefekturës së Mirditës. Por Bardhok Biba nuk e mbajti besën e dhënë dhe pas dorzimit, ku na prisnin forcat e Divizionit të VIII-të, ne na lidhën të gjithëve me tela dhe të hipur në tre kamionë, na nisën për në Degën e Brendshme të Shkodrës”, kujtonte Zef Ndoci lidhur me dorzimin e tij pas amnistisë që kishte nxjerrë qeveria e Tiranës në vitin 1947.

Dënimi me vdekje dhe arratisja

Po si rrodhën ngjarjet më pas me Zef Ndocin dhe antikomunistët e tjerë që u dorzuan në besë të Bardhok Bibës? Lidhur me me këtë, ai dëshmonte: “Në qytetin e Shkodrës ne gjetëm edhe 150 burra të tjerë nga Veriu i Shqipërisë, të cilët ishin dorzuar si ne. Në mes tyre kishte dhe emra shumë të njohur, si: Mark Mala, Pal Thani, Mark Sadiku, Lek Vojvoda, etj., dhe gjyqi kundër nesh u zhvillua në shtëpinë e familjes Pogu, ku ndër 17 të pandehurit e parë isha edhe unë. Në fillim, pretenca e prokurorit kërkoi për të gjithë dënimin me vdekje, por më pas ne na dhanë dënimin me burg të përjetshëm. Gjatë asaj kohe që unë isha në burg për atë dënim, u akuzova edhe për disa vrasje politike dhe për atë akuzë u mbajta për gjashtë muaj i lidhur kokë e këmbë.

Kjo gjë vazhdoi deri në 11 janarin e vitit 1948, kur unë dhe shumë të burgosur të tjerë, u liruam pas një amnistie që u dha nga qeveria komuniste me rastin e tre vjetorit të Shpalljes së Republikës. Një muaj pasi isha liruar nga burgu, më thirri Bardhok Biba dhe më kërkoi që të bashkëpunoja me Sigurimin, por unë nuk pranova duke e refuzuar atë në mënyrë kategorike. Në fillimin e gushtit të vitit 1949, kur u vra Bardhok Biba, unë ndodhesha i shtruar në spitalin e Shkodrës nga plumbi që kisha në mushkri.

Ato ditë pasi ishin arrestuar dhe internuar me qindra mirditorë për atë vrasje, në burgun e Shkodrës më erdhi nënkryetari i Degës së Brendshme të Pukës, Mat Doda dhe deshi të më arrestonte. Por mua më mbrojti Dr. Mborja i cili u tha: Unë nuk u lejoj që ta merrni tani, sepse kam për detyrë që ta shëroj. Pastaj ju po të donin mund ta pushkatoni. Po atë ditë mua më arrestuan dhe më nisën për në Degën e Pukës, ku dy gardianë që dikur kishin qenë dhe karabinierë, më treguan se donin të më pushkatonin.

Pas kësaj ashtu i lidhur, unë theva burgun dhe u arratisa që andej. Ajo gjë shkaktoi alarm të madh dhe ardhjen e forcave të shumta ushtarake nga Tirana, Shkodra, Kukësi etj., të cilat nuk lanë vënd pa kontrolluar. Pas 15 ditësh mua më kapën, pasi më preu në besë një familje nga Gjejgjani i Pukës ku isha i strehuar. Pasi më lidhën këmbë e duar, më dërguan përsëri në Degën e Brendshme të Shkodrës, ku më lanë për tre vjet me rradhë në një birucë. Në vitin 1951 më nxorrën në gjyq dhe më dënuan me shtatë vjet burg, pastaj më ulën dy vjet dhe si përfundim unë u lirova në vitin 1954, pasi vuajta katër vjet burg në kampin e artizanatit të Tiranës.

Pas daljes nga burgu, qëndrova në fshatin tim në Mirditë, ku u arrestova përsëri në vitin 1966 dhe pasi vuajta një vit në burg, në vitin 1967 më internuan në fshatin Shtyllas të Fierit, ku qëndrova deri në vitin 1977”. Kështu e përfundonte rrëfimin e tij, Zef Ndoci, një nga ish-pjestarët më aktivë të grupeve të rezistencës antikomuniste, që luftoi përreth tre vjet nëpër malet e Mirditës me Forcat e Ndjekjes, prej të cilëve ka si “kujtim” një plumb automatiku që e ruan edhe sot në mushkrinë e tij./Memorie.al

LEXO TE PLOTE