Connect with Us

U diplomua në Kembrixh, por u burgos nga komunistët/ Historia e panjohur e kryebashkiakut të Tiranës, që vdiq në mjerim

Histori

U diplomua në Kembrixh, por u burgos nga komunistët/ Historia e panjohur e kryebashkiakut të Tiranës, që vdiq në mjerim

Publikuar

-

Publikohet historia e panjohur të Rexhep Jellës, pinjoll i një prej familjeve autoktone më të njohura tiranase, i cili pasi u shkollua në Robert Kolezh të Stambollit dhe më pas në Kembrixh të Anglisë, u kthye në atdhe dhe pasi përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, shërbeu në disa funksione dhe poste të larta, si:  senator i Parlamentit, deputet i Prefekturës së Durrësit, prefekt në Gjirokastër e Korçë, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, etj.

Tërheqja e tij nga skena politike që në vitin 1939 edhe pse Mbreti Zog e kishte një nga të preferuarit e tij duke e dekoruar me me urdhërin e madh të “Kordonit të Skënderbegut”, për t’u marrë me studime dhe administrimin e pronave të tij në qytetin e Tiranës dhe fermën që kishte në fshatin Kashar dhe Kus.

Refuzimi i tij për të pranuar postin e Kryeministrit të Shqipërisë në periudhën e pushtimit gjerman të vëndit dhe arrestimi nga regjimi komunist që në vitin 1945 së bashku me të birin dhe vëllanë e tij, i cili fillimisht u dënua me vdekje, por iu fal jeta më ndërhyrjen e mikut të tij të ngushtë, Shefqet Bejës.

Kalvari i gjatë i vuajtjeve të Rexhep Jellës në burgje dhe internime deri në vitin 1974, kur ai ndërroi jetë në një barakë të vjetër në periferi të Kavajës, ku banorë të atij qyteti teksa ndiqnin me sy ata pak njerëz që po merrnin pjesë në funeralin e tij, nuk mund ta mendonin kurrë, se për në varreza po përcillej një nga njerzit më të shkolluar të Shqipërisë dhe që kishte përfaqësuar atë në Konferencën e Paqes në Paris.

Askush nga ata banorë të qytetit të vogël të Kavajës, që atë ditë të vërenjtur dhjetori të vitit 1974, shikonin një grup të vogël njerzish që kishin dalë nga një shtëpi buzë moçalishteve dhe ecnin në drejtim të varrezave publike me një arkivol në supe, nuk e dinin se atë ditë po dërgohej për tu prehur në banesën e fundit, një nga njerzit më të shkolluar që kishte Shqipëria e asaj kohe. Ai 80-të vjeçar, që ishte shuar aty në një barake të vjetër në periferi të Kavajës, quhej Rexhep Jella dhe ishte diplomuar në “Robert Kolexh” të Stambollit e Kembrixh të Londrës. Kush ishte ky njeri dhe cila ishte e kaluara e tij që i detyronte ata njerëz të vobegtë që ta përcillnin për në banesën e fundit vetëm me rrethin e ngushtë familjar?

Kush ishte Rexhep Jella?

Familja Jella, ku u lind Rexhepi në vitin 1895, është prej familjeve autoktone tiranase dhe që nga themelimi i qytetit, të parët e sajë janë vendosur me shtëpi diku afër urës së Tabakëve. Si shumë nga njerzit e familjes Jella, që ishin shkolluar në Turqi, u dërgua dhe Rexhepi, i cili studjoi në “Robert Kolexh”, të Stambollit së bashku me moshatarin e tij, Ahmet Zogun nga Burgajeti i Matit. Pasi mbaroi me rezultate të larta, studimet e mesme në atë gjimnaz, Rexhepi u kthye në vendlindjen e tij Tiranë, në vitin 1914-të. Këtu ai nuk qëndroi shumë gjatë, pasi shkolla angleze ku ai u diplomua, i akordoi një të drejtë studimi, për të vazhduar studimet e larta në Shkencat Politike, pranë Univetsitetit të Kembrixhit në Londër. Në këtë universitet, Rexhepi u regjistrua në degën e Jurisprudencës të cilën e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1915-të. Në vitin 1916-të, nisur nga arsimimi i plotë i tij, Rexhep Jella u caktua si jurist, në administrtën austro-hungareze që qeveriste Shqipërinë, e cila asokohe ishte vendosur në qytetin e Shkodrës.

Internohet nga austro-hungarezët

Po në vitin 1916-të, nga ana e autoriteteve të larta austro-hungareze, Rexhepi u internua në Mamola të Austrisë. Ndonëse nuk dihen ende dhe janë krejt të paqarta arsyet e vërteta të këtij internimi, lidhur me këtë ekzistojnë disa versione. Më i pranueshmi prej tyre, është ai, që asokohe austro-hungarezët, me preteksin e internimeve, tërhoqën disa shqiptarë që spikasnin në jetën politiko-ushtarake të Shqipërisë, duke i dërguar në Vjenë, për t’i përgatitur nëpër kolegje e universitete, të cilët një ditë do t’ju duheshin atyre, për t’i emëruar në funksione të larta në Shqipërinë e asaj kohe, ku ata mendonin të qëndronin gjatë. Në këtë kontekst, u muar nga qeveria austriake dhe Ahmet Zogu. Bashkë me Rexhep Jellën u dërguan në Austri dhe disa nga personalitetet e parisë së Shkodrës së asaj kohe, siç ishin Alush Lohja, Rexhep Suma, Himë Loku etj. Kjo dëshmohet dhe sipas disa dokumentave arkivore që hedhin dritë mbi këtë periudhë, ku Rexhep Jella përmendet në një letër-këmbim ndërmjet konsullit austro-hungarez në Shkodër, (Krol) dhe ministrit të tij të jashtëm. Po kështu në një telegram që dërgohej nga Vjena më 21 mars 1916-të, në adresë të konsullit Krol në Shkodër, bëhej e ditur që pas kthimit të Rexhep Jellës nga internimi, të merreshin masa që t’i caktohej si vendbanim i detyrueshëm Tirana, ku banonte dhe e ëma e tij. Po kështu, bëhet e ditur se dhe gjatë periudhës së internimit në Austri, ai vazhdoi aktivitetin e tij politik, duke pasur mardhënie me përfaqsuesit e fuqive të mëdha të Antantës.

Në Konferencën e Paqes në Paris

Në vitin 1918-të, duke qenë se Rexhepi kishte marrë pjesë aktive në jetën politike shqiptare, që pas diplomimit në 1915-ën, ai u caktua në përbërje të një prej dërgatave shqiptare që shkuan në Konferencën e Paqes në Paris. Lidhur me këtë, ndonëse ekziston një dokumentacion i pasur arkivor në arkivat vjeneze, veprimtaria e Rexhep Jellës në fushën politike, që nga Konferenca e Paqes e deri në vitin 1920-të, është akoma e pandriçuar mirë. Nga burime të ndryshme bëhet e ditur se; që pas kthimit nga Konferenca e Paqes, ku ai ishte përfaqësuesi me moshën më te re nga të gjithë dërgatat shqiptare, Rexhepi u inkuadrua në mënyrë aktive në jetën politike shqiptare, së bashku me shumë patriotë të tjerë tiranas, në mbrojtje të interesave kombëtare nga rreziku i coptimit të fqinjëve të sajë. Pas Konferencës së Parisit, ai u kthye në Tiranë në vitin 1920-të dhe më pas vendoset me punë në Shijak. Gjatë kësaj kohe, Rexhepi së bashku me disa patriotë të tjerë nga qyteti i Durrësit, bëhen iniciatorët e mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, ku ai mori pjesë në atë kongres, si delegat i Shijakut. Në vitin 1921, kur u mbajtën zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare, ai u caktua me detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të atyre zgjedhjeve, për prefekturën e Elbasanit. Pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 1921, Rexhep Jella u emërua me detyrën e prefektit në Elbasan dhe më pas në Durrës. Pasi kreu për disa kohë këto detyra, ai u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtëme dhe u ngarkua me detyrën e Drejtorit të përfaqsive konsullore, e atë të shefit të protokollit të asaj ministrie. Pasi punoi për disa kohë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtëme, në zgjedhjet e vitit 1923, Rexhep Jella u zgjodh deputet i Prefekturës së Durrësit e Asamblist (senator) në Parlamentin shqiptar.

 Kryetar i Bashkisë Tiranës

Pasi kreu për afro gjashtë vite funksionet e deputetit të Durrësit dhe Asamblist të Parlamentit, po kështu dhe atë të Prefektit në Korçë e Gjirokastër, nga fillimi i vitit 1930-të, Rexhep Jellës iu ngarkua një nga funksionet më të vështira dhe teper delikate, ajo e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në ato vite para kryeqytetit shqiptar ishin shtruar për zgjidhje, një mori e madhe problemesh, ku më kryesorja ishte rregullimi urbanistik i tij dhe ndërtimi i disa rrugëve e godinave kryesore të administratës qëndrore, të cilat asokohe ishin marrë përsipër nga shoqëritë italiane. Kështu pjesa më e madhe e rrugëve, bulevardeve, godinave të administratës shtetërore dhe atyre publike që u ndërtuan në vitet 1930-35, pa dyshim kanë dhe kontributin Kryetarit të Bashkisë, Rexhep Jellës. Një nga këto ndërtime, që u bënë asokohe është dhe ndërtimi i kompleksit të godinave të Ambasadës Amerikane, ku në përurimin e saj mori pjesë dhe Rexhep Jella.

LEXO EDHE:  Në protestë me nipin e Nexhmijes dhe Enveristët e Ilir Metës

Fjala në Legatën Amerikane

Në përurimin e atij kompleksi, ku morën pjesë autoritetet më të larta të Mbretërisë Shqiptare, pas fjalës së Kryeministrit Pandeli Evangjeli, e mori fjalën dhe Kryetari i Bashkisë, Rexhep Jella, i cili në mes të tjerash tha: “Çdo popull për të fituar pavarsinë e lirinë e vet, i duhet të bëjë sakrifica, ku më të mëdhaja e ku më të vogla, e duke pasur ndihmën e dikujt. Ne shqiptarët, kemi fituar lirinë e pavarsinë me gjakun tonë, pa i dhënë kujt ndonjë tagër, apo koncension për fitimin e lirisë. Shtetit tonë, ky popull i dha trajtën e Monarkisë, duke vënë në krye një gjeni me vullnet të fortë dhe me dorë të hekurt, me një urti të jashtëzakonëshme e më trimëri të pashembullt. Ai ka vënë vëndin në rrugën e qytetërimit dhe flamuri kombëtar valëvitet mbi të gjitha viset e Shqipërisë. Së dyti, me rastin e përurimit të kësaj ndërtese të Legatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila formon një nga pjesët më të bukura të kryeqytetit dhe është e para legatë e ngritur deri më sot, po përmend sot këtu me simpati e dashuri, popullin amerikan, që e ka parë me preçedencë fitimin e pavarsisë sonë politike, mjafton të përmendim punën e Kryqit të Kuq Amerikan në kohët e para të zhvillimit tonë. Amerikanët deshën të linin ndër ne një kujtim të përhershëm, e kështu me ndihmën e Kryqit të Kuq, të rinjtë ngritën ndërtesën e Shkollës Teknike, për të shëruar plagët e sëmundjet morale e për të luftuar paditurinë. Ne kryeqytetasit, nuk kemi për ta harruar kurrë se ishte Amerikani, ai që ngriti i pari spitalin, ku gjetën shërim mijra njerëz, e që është baza e të gjithë spitaleve që janë ngritur e do të ngrihen në këtë qytet”.

 S’pranon postin e kryeministrit

Në vitin 1937, kur Mbreti Zog dekoroi disa nga personalitetet e jetës politike e shoqërore nga të gjitha Prefekturat e Shqipërisë, u dekorua dhe Rexhep Jella me urdhërin e madh të “Kordonit të Skënderbegut”, për të cilën e kishte propozuar Prefektura e Tiranës. Pas vitit 1935, kur Rexhepi u largua nga posti i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ai u emërua si Prefekt i Durrësit, ku ishte njëkohsisht dhe deputet i atij qyteti. Në këtë detyrë, ai qëndroi deri në vitin 1937, ku mori titullin Prefekt i Klasit të Parë. Pas kësaj ai u largua përfundimisht nga funksionet drejtuese të pushtetit lokal, duke qëndruar vetëm si deputet. Në qytetin e Durrësit ai qëndroi deri nga viti 1939, e më pas u kthye përsëri në Tiranë, ku vazhdoi të banonte tek vila e tij pranë Urës së Tabakëve, së bashku me bashkëshorten, Fetie Beshiri dhe tre fëmijët e tyre. Mbas pushtimit të Shqipërisë, Rexhepi u tërhoq krejtësisht nga jeta politike dhe u mbyll brenda vetes në shtëpinë e tij, duke u marrë vetëm me studime. Nisur nga kjo, në vitin 1943 me ardhjen e gjermanëv, Rexhepi refuzoi ftesën që ju bë, për të marrë postin e Kryeministrit të qeverisë shqiptare. Gjatë gjithë atyre viteve që ai u shkëput nga jeta politike, Rexhepi u kujdes për pronat e tija që i kishte afër fshatit Kashar (në Kus) në periferi të Tiranës. Në nëntorin e vitit 1944, Rexhepi duke e ndjerë veten krejt të pastër për atë çka kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij, në dobi të shtetit shqiptar, nuk tentoi fare të largohej nga Shqipëria.

Burgoset nga komunistët, me vëllanë e djalin

Kur nuk kishin kaluar veçse dy muaj nga ardhja e komunistëve në pushtet, më 1 shkurt të vitit 1945, Rexhep u arrestua dhe u dërgua në hetuesinë e Tiranës. Mbas tre muajsh, më 26 maj u arrestua dhe djali i tij Isufi, i cili kryente shërbimin ushtarak në një repart të Korçës. Me tentativën e arratisjes, që në fakt ishte një akuzë e montuar, pasi Isufi nuk kishte tentuar kurrë të arratisej, gjygji ushtarak e dënoi atë me vdekje së bashku me shokun e tij, Muharrem Dashin. Me ndërhyrjen e Shefqet Bejës, mikut të afërt të familjes Jella, Isufit ju fal jeta dhe dënimi ju kthye në 25 vjet burg. Pas dënimit të Isufit, u dënua dhe Rexhepi me dy vjet burg, me akuzën se kishte marrë pjesë në qeveritë e Monarkisë. Sipas dokumenteve arkivore të Gjykatës së Lartë Ushtarake, në akuzën e tij thuhet: “Rexhep Jella, ka pasur lidhje me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë, “Rocco”, ku me ndërmjetësinë e tij ka bërë tregti me grosh duke i shitur ato në Korfuz. Ka pasur lidhje me kriminelët e luftës të popullit shqiptar, Irfan Ohri e Abaz Kupi dhe ka pasur edhe xhandar roje. Ka marrë pjesë me grupin e deputetëve tradhtarë”. Afro dy vite më vonë, në vitin 1947, komunistët arrestuan dhe vëllanë e Rexhepit, Ramazan Jellën, i cili nuk ishte marrë kurrë me politikë. Ramazani nuk arriti të dilte në gjygj, sepse ai vdiq pasi e hodhën nga shkallët e hetuesisë dhe pas asaj ju sekuestrua e gjithë pasuria, e familja u persekutua për vite me rrdhë. Pas burgosjes së Rexhepit, vila e tij pranë Urës së Tabakëve, u sekuestrua me të gjitha plaçkat, pasi i pëlqeu një koloneli sovjetik, i cili ja kërkoi atë personalisht Enver Hoxhës. Pas kësaj gruaja e Rexhepit së bashku me dy vajzat, u detyrua të shkonte në qytetin e Durrësit dhe më pas në atë të Kavajës, pranë të afërmëve të tyre.

Burgoset përsëri, e vdes në mjerim

Pasi vuajti për dy vjet dënimin, në vitin 1947, Rexhepi u arrestua përsëri dhe u dënua me pesë vjet burg, i akuzuar sikur kishte pasur lidhje me “Grupin e Deputetëve”, të kryesuar nga miku i ngushtë i tij Shefqet Beja. Një nga arsyet që Rexhepi u dënua vetëm me pesë vjet burg, ishte dhe një peticion që e firmosën një pjesë e madhe e banorëve të lagjes ku jetonte ai pranë Urës së Tabakëve, të cilët dëshmonin se ai nuk ishte marrë asnjëherë me veprimtari që binin ndesh me ligjet e shtetit komunist në fuqi. Rexhepi mundi të dalë nga burgu i Burrelit ku vuajti dënimin, në vitin 1952 dhe u vendos pranë familjes në një barake të rrënuar në periferi të qytetit të Kavajës. Në vitin 1957, doli nga burgu dhe djali Isufi, i cili deri sa vdiq në vitin 1986, punoi në punët më të vështira për të siguruar jetesën. Gjatë gjithë atyre viteve që Rexhepi jetoi në Kavajë, ai nuk dilte fare nga shtëpia, por ju kushtua leximeve. Rexhepi kishte një kulturë të gjerë dhe njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja, si arabishten, anglishten, italishten, frengjishten, e turqishten. Ai ishte tepër i pasionuar pas letërsisë, e kryesisht asaj gjermane, ku njihte thellësisht Gëten, për të cilin kishte dobësi të madhe. Rexhep Jella vdiq në mjerim të thellë, në vitin 1974 aty në një shtëpi gjysëm të rrënuar në periferi të qytetit të Kavajës, edhe pse në kryeqytetin e vëndit Tiranë, ku për ndërtimin e tij kishte dhënë kontributin personal, kishte një vilë që ja kishin sekuestruar komunistët./Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Kur Enveri i kërkonte Titos bashkimin me Jugosllavinë

Publikuar

-

Nga

Kur Enveri i kërkonte Titos bashkimin me Jugosllavinë

Një letër Enver Hoxhës, e cila i drejtohet diktatorit të Ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito tregon se Hoxha ka tentuar të afrohet me të për një bashkim me Jugosllavinë.

Letra e cila është botuar më pas edhe në librat me kujtime të Hoxhës, mban datën 17 mars 1948. Asokohe, Shqipëria kishte dalë nga lufta dhe në një gjendje të vështirë ekonomike, Hoxha synonte të gjente përkrahjen ngë lideri Jugsllav.

“Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë.

Ne duhet të punojmë për Federatën Jugosllave dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat , por çështja është që ne duhet të marrim iniciativën e parë për të kërkuar këtë gjë.

LEXO EDHE:  Kush është nipi i Nexhmijes që proteston krah Lulit

LEXO EDHE:  Në protestë me nipin e Nexhmijes dhe Enveristët e Ilir Metës

Ne kemi nevojë të na thuhet nga ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit e të mbërrijmë në konkluzione dhe, nga ana  tjetër, do të dëshironim të na jepeshin edhe sqarime më plotësuese që ju i shihni të arsyeshme në lidhje me faktorë të tjerë të këtij problemi. Pranoni të falat e mia më të nxehta shoqërore”, i shkruante Hoxha Titos.



Megjithatë, të falat e Enverit nisën të ftoheshin gradualisht, pasi në muajin korrik të po atij viti, marrëdhëniet me Jugosllavinë u prishën, dhe Enver Hoxha largoi nga Shqipëria brenda 48 orëve të gjithë njerëzit e Titos. /CNA.al

Letra e Enver Hoxhës, drejtuar Josip Broz Titos

 

 

 

LEXO TE PLOTE

Histori

Dëshmi të rralla/ Femrat që vuajtën në burgjet e regjimit komunist dhe abuzimet që bëheshin ndaj tyre

Publikuar

-

Nga

Dëshmi të rralla/ Femrat që vuajtën në burgjet e regjimit komunist dhe abuzimet që bëheshin ndaj tyre

Faqja që i dedikohet historive të trishta të periudhës së Komunizmit, ka nxjerrë sot dëshmitë e rralla të Tanush Kasos, kryetarit të Shoqatës së Burgosurve Politikë të Shqipërisë, të publikuara në librin e tij “Kalvari i burgjeve komuniste”, ku nga rrëfenjat e bashkëvuajtëseve të tij dhe nga ato që ai vetë ka parë e dëgjuar për torturat që u bëheshin femrave të burgosura në qelitë e Hetuesisë dhe burgjet e atij regjimi nga oficerët e Sigurimit të Shtetit, të cilët abuzonin mbi gratë dhe vajzat e dënuara me dhunë fizike e përdhunime. Cilët ishin disa nga ata ushtarakë të lartë të Ministrisë së Brendëshme që abuzonin ndaj femrave të dënuara dhe disa nga vetëvrasjet që erdhën si pasojë e kësaj dhunë të egër shtazore që u krye ndaj tyre?

Kalvari i gjatë i Musine Kokalarit

Dikur thuhej se “burgu për burrat është”. Dhe me të vërtetë, që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri sa u shfaq komunizmi, historia e vendit tonë nuk ka njohur asnjë grua të burgosur për motive politike. Fill pas vendosjes së pushtetit komunist, në burgjet shqiptare u dukën të dënuarat e para politike. Ndër ato, më e hershmja duhet të ketë qenë intelektualja e trimëresha gjirokastrite Musine Kokalari, e cila më 12 nëntor 1944, ende pa marrë fund lufta e pa u vendosur qeveria në Tiranë, u arrestua nga larot e Enver Hoxhës, vetëm për idealet kombëtare e demokratike që ajo ushqente, të cilat binin ndesh me doktrinën marksiste. U mbajt në fshehtësi dy javë, diku në zonat që i kishin nën kontroll Brigadat e Kuqe dhe mbasi i’a vranë pa gjyq të dy vëllezërit e saj, Vesimin dhe Muntazin, gjithashtu intelektualë dhe atdhetarë të shquar, e liruan, për ta burgosur përsëri në janar të vitit 1946, mbas një aktiviteti të shkurtër që ajo ndërmori kundër regjimit gjakatar të sapo instaluar në Shqipëri.

Musine Kokalari

Musineja do të kalonte krenare dhe e papërkulur për afër 40 vjet nëpër kalvarin e burgjeve dhe të internimit, duke u bërë simbol i qëndresës dhe i virtytit të femrës shqiptare. Kjo vajzë e talentuar, që ishte diplomuar në Universitetin e Romës, autore e tre librave dhe e shumë shkrimeve publicistike, të cilat synonin emancipimin e femrës dhe përparimin e kombit, që ishte një nga themelueset e Partisë Social-Demokrate Shqiptare, do t’i mbyllte sytë përgjithmonë e harruar dhe e vetmuar në vendinternimin e saj në Rrëshen të Mirditës, më 14 gusht 1983, pa mundur të shihte përmbysjen e tiranisë komuniste dhe agimin e lirisë e të demokracisë, për të cilat e shkriu jetën.

Gratë që u burgosën e internuan

Me qindra gra e vajza prej familjesh fisnike, me një edukatë e kulturë të shkëlqyer, por edhe plaka të moçme e fshatare të thjeshta, regjimi komunist i përplasi pa mëshirë nëpër burgje, ku vuanin e keqtrajtoheshin njëlloj si burrat, por edhe qëndronin njëlloj si burrat, si amazona të vërteta, prandaj i quanin edhe “burrnesha”. Faji i vetëm i tyre ishte se nuk i përkitnin komunizmit, sepse donin një Shqipëri të lirë e demokratike. I akuzuan për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”, për “pjesëmarrje në kryengritje të armatosur”, për “strehim të arratisurish”, për “mosdenoncim”, për “mbajtje armësh pa leje”, për “sabotim ekonomik”, për “tentativë arratisjeje”, për “tradhti të lartë” etj., etj.

Disa gra e vajza të guximshme i kishin konsumuar tërësisht ose pjesërisht këto nene për të cilat akuzoheshin. Ato kishin qenë kurdoherë pranë burrave në luftën e shenjtë për liri, për rrëzimin e diktaturës komuniste. Të tjera vetëm dyshoheshin si të tilla, por ishin arrestuar e dënuar pa kurrfarë provash. Shumë prej tyre ishin viktima të hakmarrjes politike të regjimit të Hoxhës, i cili nuk kishte ç’t’u bënte burrave, vëllezërve e baballarëve të tyre që luftonin maleve për liri ose që kishin shkuar jashtë shtetit, ku përpiqeshin e punonin për çështjen kombëtare. Nga torturat dhe vuajtjet pa fund, ato gra e vajza aq të brishta e të bukura u thinjën e u plakën para kohe. Shumë nga ato nuk patën fatin të gëzoheshin me fëmijë. Ato u privuan nga e drejta natyrore për të qenë nëna.

Burgjet e diktaturës komuniste

Puna e rëndë e krahut, varfëria dhe “biografia” nuk i’u ndanë as mbas daljes nga burgu, gjer në vdekje. Kështu kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste më shumë se 7367 gra e vajza, ndër të cilat kujtojmë: Musine Kokalari, Neva Frashëri, Olimbi Gavoçi, Frida Sadedini, Lavdie Petrela, Marie Ranxi, Marta Doda, Dylbere Pazari, Hazize Ferhati, Qefsere Bega, Liri Prifti, Shega Këlcyra, Semiramis Vërlaci, Erifili Bezhani, Rita Koka, Merushe Topulli, Elza Koh, Fatime Hoxha, Luçie Kola, Elsa Çika, Asamble Hatibi, Sanie Kosova, Gabriela Radiba, Fatbardha Qorri, Ana Daja, Terezina Pali, Adile Boletini, Vera Dema, Nexhibe Taraku, Agime Pipa, Drita Kosturi, Dhora Leka, Lefteri Dvorani, Ganimet Toptani, Ganimet Cuka, Mereme Gjuta, Pranvera Keqi, Qerime Bone, Viola Beqiri, Bianka Balliçi, Sanie Kollçinaku, Xhovana Qatja, Nurie Koculi, Hanza Borshi, Mih Riko, Samo Doko, Dodona Dako, Marika Dhima, Ana Dhamo, Zhaneta Ogranaja, Simona Koldai, Dragica Mosko, Alije Sula, Fiqiret Prishtina, Gjylso Kalo, Elena Preza, Delfiniz Prenushi, Merita Sokoli, Derka Panizeniç, Mine Shima, Afërdita Hajrullai, Fatime Demçe, Nadire Shima, Hilmie Lakasi, Lumturi Bakiri, Liri Mitrovica, Lindita Beka, Marie Levendi, Suzana Topçiu, Pranvera Lamaj, Behije Kalaja etj.

Burgjet ku vuajtën gratë

Gratë e burgosura në vitet e para mbaheshin në burgjet e burrave, në qytete të ndryshme, si Korçë, Tiranë, Shkodër etj., por në dhoma të veçanta. Më 1957-n gratë u grumbulluan në Burgun e Artizanatit, në Tiranë, ku bënin punë të ndryshme si rrobaqepësi, hekurosje, kopshtari, pastrime të ndryshme etj. Burrat e këtij burgu ishin të ndarë e nuk komunikonin me to. Më 1961-shin u krijua një kamp i punës së detyruar për gratë afër qytetit të Kuçovës, ku shfrytëzoheshin në punë të rënda bujqësore. Më 1970-n u vendosën në fshatin Kosovë të Dumresë, 50 km larg Elbasanit.



Kushtet e diferencuara higjienike, që janë të nevojshme për to, nuk merreshin aspak parasysh nga komanda e burgut. Papastërtia, era e rëndë dhe parazitët e kokës e të trupit përbënin një torturë me vete për ato fatzeza. Ligji nuk përfillte as gratë shtatzëna. Ato dënoheshin e mbaheshin njëlloj si të tjerat. Për t’u përmendur është rasti i Liri Gegës, e cila, duke qenë me barrë, u arrestua dhe u pushkatua bashkë me të shoqin, Dali Ndreun, që të dy militantë të Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo u bë e njohur botërisht nga një fjalim i Nikita Hrushovit. Por nuk është i vetmi rasti i pushkatimit të grave shtatzëna. Të tilla kanë vdekur nga keqtrajtimi në hetuesi. Nuk lejohej asnjë mjek i familjes të bënte autopsinë e tyre.

LEXO EDHE:  “Mao më frymëzoi më 1949-ën, por ëndrrat e mia u shkatërruan shumë shpejt”

LEXO EDHE:  “Mao më frymëzoi më 1949-ën, por ëndrrat e mia u shkatërruan shumë shpejt”

Liri Gega

Njihen disa raste lindjesh në burg të grave të arrestuara në gjendjen e shtatzënisë, të cilat nuk paraqisnin kurrfarë rrezikshmërie shoqërore. Në burg, por sidomos në birucat e izolimit, disa hetues të autorizuar përpiqeshin t’i nënshtronin gratë duke i përdhunuar. Në Burgun e Burrelit, siç tregonin të burgosurit e vjetër, gratë qëndronin të bashkuara si një trup i vetëm. Musineja me shoqe nuk lejonin që policët t’i shkëpusnin vajzat e reja prej tyre, gjoja për të fshirë e pastruar korridoret dhe oborrin. Ato dërgonin ndonjë plakë për të bërë pastrimin. Kështu e ruanin nderin dhe krenarinë e tyre. Por, gjatë paraburgimit, në qelitë e hetuesisë ka pasur raste kur ndonjëra është çnderuar me forcë nga ndonjë kryepolic ose hetues si: Nevzat Haznedari, Xhavit Struga, Skënder Kosova dhe ndonjë tjetër i pajisur me “carta bianca”.

Disa gra janë vetëvrarë gjatë hetuesisë dhe të tjera janë çmendur. Drejtësia komuniste nuk shqetësohej fare kur arrestonte nënat me fëmijë, duke shkatërruar kështu familjen. Ndoshta ky ishte dhe qëllimi i fshehtë i saj. Për Sigurimin e Shtetit, çdo grua e huaj e martuar me një shqiptar ishte një “agjente e huaj” që duhej survejuar gjithmonë dhe në rastin më të parë të arrestohej, të dënohej dhe të asgjësohej, ose të largohej nga Shqipëria. Është një listë e tërë e këtyre grave fatkeqe, të cilat dashuria njerëzore i solli në këtë vend “romantik” të Ballkanit dhe që pastaj kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste.

Po përmendim disa prej tyre: Xhovana Simoneti, italiane, martuar me Haki Qatën, nga Tirana. Që të dy u burgosën dy herë: Bianka Balliçi, austriake, e martuar me Nedin Balliçin, nga Elbasani. Bëri dhjetë vjet burg në gjendje çmendurie. Mbas lirimit vdiq në spitalin psikiatrik. Barbara Orgocka, polake, burgosur si edhe i shoqi, inxhinier, Vasil Orgocka, nga Korça. Vanda Tiko, polake, martuar me mjekun Lefter Tiko nga Korça, burgosur të dy. Elena Cami, ruse, martuar me ing. Minella Cami nga Korça. Burgosur të dy. Dina Thaçi, ruse, e martuar me Ahmet Thaçin nga Shijaku. Arrestuar që të dy. Barbara Haxhihasani, hungareze. I shoqi, Fatos Haxhihasani, vari veten në hetuesi. Ajo u çmend në burg. Viola Beqiri, çifute ruse, me arsim të lartë. Akuzohej për spiunazh. Sigurimi e detyroi burrin dhe fëmijët që ta braktisnin.

Si pasojë e burgosjes ose e pushkatimit të njerëzve të familjes së tyre dhe e luftës psikike që bëhej mbi to, mjaft nëna, motra, gra e vajza me ndjenja të brishta kanë humbur aftësinë mendore. Disa prej tyre kanë kaluar deri në vetëvrasje. Kështu përfundoi e shoqja e Teme Sejkos, që i vranë burrin dhe një djalë, ndërsa tjetrin ia burgosën. Bujana, vajza e urtë dhe e zgjuar e Tuk Jakovës, edhe sot endet e çmendur nëpër Tiranë. Nuk mund të mos çmendej edhe Mereme Gjuta, së cilës ia hodhën te pragu i derës fëmijët e saj të bërë shoshë nga plumbat e komunistëve teksa u orvatën të shpëtonin nga thonjtë e diktaturës dhe të dilnin në botën e lirë. Sikur të mos mjaftonte kjo, kriminelët e Sigurimit e burgosën atë nënë fatkeqe.

 “Çnderimi” një torturë më vete

Vetëm pas shembjes së diktaturës u arrit të konstatoheshin pasojat ende të freskëta të gjëmës antinjerëzore. Në vitin 1991, një komision i Helsinkit, mbasi u njoh me “dosjet e gjalla”, arriti në përfundimin se këto vende kishin qenë një ferr i vërtetë. Deri vonë ekzistonin pranë hetuesve të burgjeve e të Degëve të Brendshme dhoma të posaçme torturash. Mjaft njerëz që kanë pasur fatin e keq të hyjnë në to nuk kanë mundur t’i tregojnë askujt ato që provuan mbi trupin dhe shpirtin e tyre mbasi kanë dalë të vdekur që andej.
Por, përveç vdekjes, si të fundit të torturave, ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe e dinin se ndjenja e çnderimit është poshtëruese për një femër. Ajo e mposht krenarinë e saj dhe e bën të nënshtrohet. Prandaj edhe vepron pa hezitim në këtë drejtim. Nga disa të burgosur shkodranë tregohen rrëfenja të vërteta mbi përdorimin e kësaj metode torturimi që punonjësit e Sigurimit ushtronin mbi disa gra e vajza të të pushkatuarve, të arratisurve e të burgosurve. Shumë herë atyre u kishte hasur sharra në gozhdë, kishin ndeshur rezistencën e vendosur të këtyre femrave, që përpara nderit kishin pranuar vdekjen duke u hedhur nga dritaret e shtëpive ose që pas përdhunimit ishin vetëvrarë.

Vetë ish-kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Hilmi Seiti (i cili më pas do të vdiste mizorisht nga dora e Sigurimit të Shtetit), këtë lloj torture, që i falte kënaqësi, e kishte metodë të vazhdueshme pune. Tregojnë se ai ngjitej me shkallë natën dhe futej nga dritarja në shtëpinë e ndonjë gruaje të vetmuar dhe mbasi kryente punë, nën kërcënimin e revolverit, e detyronte të nënshkruante deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin. Ai kishte arritur të shtinte në dorë një artiste të re e të bukur, shumë të njohur në qytetin e Shkodrës, që i përkiste një familjeje me të arratisur, të pushkatuar e të burgosur. E mbante si mantenutë dhe si agjente personale, aq sa kishte rënë shumë në sy dhe ishte bërë objekt bisedash.
Po ashtu, Llambi Peçini, kur ishte kryetar i Degës së PB në Fier, me këtë mënyrë torture kërkonte t’i nënshtronte disa femra prej familjesh “të prekura” politikisht, si dhe disa të internuara.

Rastet e ‘gjalla’

Rreth viteve ’60, në një fshat të Dibrës, punëtori i Sigurimit i vuri syrin një vajze të fshatit që ishte ndërkaq e fejuar me një fshatar. Operativi i krijoi një akuzë false të fejuarit të vajzës, të cilin shumë shpejt e arrestuan. Ndërkohë që ai vuante burgun në kampin e Rubikut, vajza ra në duar të punonjësit të shtetit. Kur i shoqi mësoi të vërtetën, për habinë e të gjithëve, e humbi kontrollin, mbuloi kokën me një batanije dhe i nxori të dy sytë. E shtruan në spital, por asgjë nuk mund t’ia kthente shikimin, e me gjithë këtë, e rikthyen në burg.
Një rast tjetër është ai i Lezhës e Mirditës. Punonjësi i Sigurimit njihej nga fshatarët e zonës me nofkën “Toger Baba”. Përdorte dhunë të tmerrshme. I fuste vajzat në një thes, lakuriq, e brenda fuste edhe një mace. E qëllonin më pas macen dhunshëm në mënyrë që t’i çirrte gratë e shkreta. Ky rast ekstrem pati ankesa nga gjithë banorët e fshati dhe qeveria, për të larë duart, e ekzekutoi dhunuesin. Tanush Kaso/Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Dokumenti i vitit 1987/ Si Enver Hoxha persekutonte popullin, qytetet me më shumë kontigjentë

Publikuar

-

Nga

Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës sundoi duke përdorur përgjime masive dhe duke mbajtur nën terror qytetarët, nëpërmjet të ashtuquajturve agjentë.

Sigurimi i Shtetit, ishte një ndër institucionet ndoshta më famëkeqet e regjimit komunist.

I themeluar më 10 dhjetor 1944, në një popullsi të dalë nga Lufta e Dytë Botërore me 800 mijë banorë, Sigurimi i Shtetit arriti që në rreth 48 vite të hapte 120 mijë dosje, në të cilat të kishte agjentë, bashkëpunëtorë, rezidentë, strehues dhe të gjithë rrjetin e tyre informativ brenda Shqipërisë dhe jashtë saj.

Nga aktiviteti i tij rezulton të kenë vuajtur rreth 100 mijë shqiptarë që nisin nga më e rënda pushkatimi e burgosja e deri te përndjekja.



Të ashtuquajturit “agjentë”, ishin vegla që diktatura përdorte për të mbrojtur veten dhe për të persekutuar popullin.

LEXO EDHE:  Basha jep alarmin/ Zbulon planet e “pasardhësve të xhelatëve”

LEXO EDHE:  Jozefina Topalli tregon historinë e dhimbshme/Frikë e terror i padëgjuar ...! (Foto)

Në një dokument të siguruar nga CNA.al, i cili i përket vitit 1987, shikohet se numrin më të lartë të kontigjenteve, e mbante Tirana, si kryeqyteti i Shqipërisë.

Sipas dokumentit në fjalë, vetëm në Tiranë, regjimi komunist kishte 185 agjentë dhe 6435 kontigjentë, më pas vjen Shkodra, me 140 agjentë dhe 7495 kontigjentë, Korça me 90 agjentë dhe 3850 kontigjentë, Vlora 70 agjentë dhe 3561 kontigjentë dhe Gjirokastra me 64 agjentë dhe 3722 kontigjentë.

Kështu diktatura mbante nën kontroll, qytetete kufitare, dhe Tiranën si kryeqyteti i vendit. Mbronte veten, duke persekutuar popullin./ CNA.al

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: