Connect with Us

Xi Jinping, po e humb kontrollin e “kontrollokracisë” që ka ngritur në Kinë

Blog

Xi Jinping, po e humb kontrollin e “kontrollokracisë” që ka ngritur në Kinë

Publikuar

-

Nga Xiao Qiang “Project Syndicate”

* Në librin e tij të vitit 2016 “Diktatura e përsosur:Kina në shekullin XXI”, politologu norvegjez Stein Ringen, e përshkruan Kinën bashkëkohore si një “kontrollokraci”, duke argumentuar se sistemi i saj i qeverisjes është shndërruar në një regjim të ri më të ashpër dhe më ideologjik se më pare.

Tashmë “kontrollokracia” e Kinës, mban përgjegjësinë kryesore për epideminë e koronavirusit, që po përhapet gjerësisht në vend dhe botë. Presidenti kinez Xi Jinping, do të takohet në shtator me krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së në samitin BE-Kinë në Lajpzig të Gjermanisë.

Evropianët duhet ta kuptojnë, se përmes këtij samiti do t’i japin atij një fitore politike shumë të nevojshme, në rast se nuk do i kërkojnë llogari për dështimin e tij në respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht në Tibet, Xinjiang dhe Hong Kong.

Gjatë 8 viteve të fundit, udhëheqja qendrore e Partisë Komuniste të Kinës, ka ndërmarrë hapa për të forcuar autoritetin personal të presidentit Xi Jinping, si dhe për zgjerimin e kompetencave të vetë PKK-së, në kurriz të ministrive dhe qeverive lokale dhe krahinore.

Autoritetet qendrore, kanë reaguar vazhdimisht me brutalitet ndaj mosmarrëveshjeve, gjë e cila është ndjerë në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike në vend. Nën kontrollokracinë, janë mbyllur faqet e internetit; janë burgosur avokatë, aktivistë dhe shkrimtarë.

Ndërkohë, sistemi që ka instaluar Xi që nga viti 2012, po shfrytëzon teknologjitë e reja në Kinë, sidomos Inteligjencën Artificiale për të forcuar kontrollin e qeverisë qendrore mbi shoqërinë kineze. Rasti i parë i koronavirusit u shfaq në Vuhan, kryeqyteti i provincës së Hubeit më 1 dhjetor 2019.

Dhe që në mesin e atij muaji, autoritetet kineze kishin prova se virusi mund të transmetohej nga një njeri tek tjetri. Gjithsesi, qeveria nuk e pranoi zyrtarisht epideminë deri më 20 janar të këtij viti. Gjatë këtyre 7 javëve, policia e Vuhan burgosi 8 mjekë dhe infermierë, me akuzën e përhapjes së panikut në mediat sociale.

Ata u akuzuan për “përhapjen e thashethemeve”, dhe përçarjen e “rendit shoqëror”. Ndërkohë, qeveria rajonale e Hubeit, vazhdoi të fshehë numrin e vërtetë të rasteve me koronavirus. Censurimi i madh, shkatërroi çdo mundësi për të vënë virusin nën kontroll, përpara se ai të ishte përhapur në Vuhan, një qytet me 14 milionë banorë.

Deri më 23 janar, kur qeveria shpalli më në fund karantinën për banorët e Vuhanit, rreth 5 milionë njerëz ishin larguar tashmë nga qyteti, duke shkaktuar epideminë që tani po përhapet me shpejtësi në Kinë dhe pjesën tjetër të botës.

LEXO EDHE:  Denoncimi në CNA.al/ Administrata sjellje skandaloze, nënës me dy fëmijë nuk i jepet asistenca

Kur më në fund u bë publike shkalla e vërtetë e epidemisë, opinioni publik kinez pati një përzierje të parashikueshme të zemërimit, ankthit dhe dëshpërimit. Njerëzit e përdorën masivisht internetin për të shfryrë mllefin dhe zhgënjimin e tyre.

Por nuk kaloi shumë kohë dhe shteti rivendosi censurën, duke kufizuar ndjeshëm aftësinë e gazetarëve dhe qytetarëve të shqetësuar për të shkëmbyer informacione rreth krizës. Pastaj më 3 shkurt, pasi presidenti Xi drejtoi takimin e dytë të Komitetit të Përhershëm për epideminë, aparati propagandistik i PKK u urdhërua të “udhëzojë opinionin publik, dhe të forcojë kontrollin e informacionit”.

Në praktikë, kjo do të thotë një kontroll të rreptë të të gjitha komunikimeve dhe publikimeve në internet. Kontrollokracia tani po funksionon tani me kapacitet të plotë, me algoritmet e njohjes së fytyrës, imazhit  dhe zërit, që përdoren për të parashikuar dhe shtypur çdo kritikë të mundshme të qeverisë, dhe për të zhdukur të gjitha informacionet “jozyrtare” në lidhje me epideminë.

Më 7 shkurt, Li Uenliang, një nga mjekët që u përpoq të jepte alarmin për epideminë, vdiq nga koronavirusi, dhe kjo gjë shkaktoi një reagim të madh në mediat sociale. Publiku kinez e përkujton atë si një hero, por edhe si një viktimë që u përpoq të tregonte të vërtetën.

Për herë të parë që nga ngjitja në pushtet, makineria e censurimit të Xi Jingping, po ndeshet me një rezistencë të fortë nga miliona përdorues të internetit në Kinë. Kontrollokracia, është duke u vënë në provë. Por me shumë gjasa, kjo gjë do të përdoret për të justifikuar edhe më shumë mbikëqyrje dhe kontroll të popullatës.

Xi është një diktator safi. Por diktatura e tij është larg nga të qenit “perfekte”. Nevoja e tij obsesive për të kontrolluar informacionin, i ka privuar qytetarët kinezë nga e drejta e tyre për të mësuar atë që po ndodh në komunitetet e tyre, dhe potencialisht brenda trupave të tyre.

Deri më 9 shkurt, epidemia kishte vrarë më shumë se 900 njerëz, dhe infektuar 40.000 të tjerë në mbi 25 vende të botës. Pavarësisht gjithë teknologjive të saj të përparuara dixhitale, dhe fuqinë e jashtëzakonshme ekonomike dhe ushtarake, Kina po qeveriset si të ishte një autokraci para-moderne. Kinezët meritojnë më mirë. Por fatkeqësisht, ata dhe pjesa tjetër e botës, do të vazhdojnë të paguajnë një çmim të lartë për despotizmin hi-tech të presidentit kinez./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Opsionet e Turqisë pakësohen në Siri/ Rusia mbështet lëvizjen e Asadit

Publikuar

-

Nga

Një ofensivë siriane e mbështetur nga Rusia në Idlib i ka sjellë forcat turke në konfrontim të drejtpërdrejtë me trupat e Presidentit Asad. Kjo kërcënon të minojë një marrëveshje të brishtë mes Turqisë dhe Rusisë.

Bisedimet për qetësimin e situatës midis përfaqësuesve të Rusisë dhe Turqisë nuk kanë arritur asnjë marrëveshje, pasi 13 ushtarë u vranë gjatë javës së kaluar kur forcat e Presidentit sirian Bashar Asad vazhduan përpjekjet e tyre për të marrë autostradën strategjike M5 për në Alepo nga kryengritësit, për herë të parë që nga viti 2012. Deri në fund të së martës, ishte e paqartë nëse përpjekjet e qeverisë siriane ishin të suksesshme.

Turqia ka dërguar javën e kaluar qindra automjete ushtarake dhe trupa në pozicionet e saj në Idlib, në një nga konfrontimet më serioze midis Turqisë dhe qeverisë së Sirisë në luftën nëntë vjeçare. Megjithëse Presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan ka kërcënuar se qeveria e Asadit do të paguajë “një çmim shumë të lartë” për ushtarët turq të vrarë, ai mund të mos dëshirojë të rrezikojë një përplasje të drejtpërdrejtë me avionët dhe personelin rus që mbështesin forcat siriane, gjë që mund të çojë në një përshkallëzim edhe më të rrezikshëm.

Rusia dhe Turqia nuk janë “të gatshme të heqin dorë as nga parimi as nga terreni” në Idlib, i tha DW Tobias Schneider, studiues në Institutin e Politikës Publike në Berlin. “Ne mund të shohim një përshkallëzim të vogël siç e pamë në vitin 2015, kur turqit rrëzuan një avion rus, dhe pastaj do të shohim se kush do të tërhiqet së pari,” tha Schneider. “Kjo është e panjohura e madhe tani.”

                                                  Sirianë të mbështetur nga Turqia

Soçi 2.0

Pasi Rusia hyri në luftë me mbështetje ajrore për forcat e Asadit në vitin 2015, duke e kthyer dinamikën në favor të regjimit, Turqia mbështeti në vitin 2016 disa grupe kryengritëse, që kërkonin pjesë të veriut të Sirisë. Por një armëpushim i ndërmjetësuar nga qeveritë e Turqisë, Rusisë dhe Iranit në Astana dhe bisedimet e Soçit tani duken të kërcënuara, pasi Kremlini mbështet ofensivën e Asadit në zonat e kontrolluara nga Turqia.

Kjo e vë Turqinë në një pozitë më të dobët, thotë Schneider. Mosmarrëveshjet e Ankarasë me anëtarët e tjerë të NATO-s e kanë zvogëluar mundësinë që Shtetet e Bashkuara ose vendet evropiane të ndihmojnë në rivendosjen e balancës.

LEXO EDHE:  Pse Kina po heziton të dërgojë tanket, për të shtypur protestat në Hong Kong

LEXO EDHE:  Si u ekzekutuan në Nurenberg kriminelët nazistë të luftës

Më shumë të ngjarë, tha Schneider, është një vazhdim i “kolapsit të ngadaltë të menaxhuar” të Idlibit, pasi Asadi vazhdon të ndërmarrë fushata periodike më të vogla. Të martën, Zyra e OKB për Koordinimin e Çështjeve Humanitare paralajmëroi se qyteti i Idlibit, vendstrehimi i 280.000 njerëzve, mund të kthehet në varrezë po të vazhdojnë armiqësitë.

Që nga dhjetori, ofensiva ka zhvendosur 700.000 civilë brenda provincës veriore prej 3 milionë banorësh – më shumë se në çdo kohë tjetër gjatë luftës, sipas OKB-së, me shumë vetë që përballen edhe me të ftohtët ekstrem.

Erdogani ka paralajmëruar se po të kalojnë kufirin një numër i madh refugjatësh, ai do të lejojë që shumë të kalojnë në Bashkimin Evropian, në kundërshtim me marrëveshjen e arritur mes BE-së dhe Turqisë në vitin 2016. Në atë rast BE-ja me siguri do të rinegociononte me Turqinë dhe ndoshta do të vendoste sanksione kundër saj, thotë Schneider.

“Në një kohë që askush nuk dëshiron një katastrofë në Idlib, evropianët me të vërtetë e shohin atë si një çështje të sigurisë kufitare dhe të migrimit, dhe janë mjaft të sigurtë në aftësinë e tyre për ta përmbajtur atë problem,” thotë ai. “Ata mendojnë se në thelb mund ta zgjidhin këtë duke dërguar shumë çadra dhe duke e mbyllur kufirin.”/ DW

Tom Allinson, Imane Mellouk

LEXO TE PLOTE

Blog

Çmimi barbar për luftën e Hitlerit/ Ç’ndodhi 75 vjet më parë në Drezden?

Publikuar

-

Nga

Drezdeni pandehte se ishte i sigurtë, besonte se mburojë kishte estetikën e veçantë arkitektonike. Por qyteti pagoi një çmim barbar për luftën e Hitlerit duke përjetuar para 70 vjetësh një bombardim të pashembullt.

Drezden 2004. Këshilli i qytetit krijoi një komision ndërdisiplinor, i cili duhet të merret me çështjen: Sa vetë vdiqën gjatë bombardimeve më 13., 14. dhe 15 shkurt 1945? Për dekada me radhë është spekuluar për këto shifra. Flitej për 70.000 të vdekur, si serioze u provua shifra 35.000 – por edhe kjo bazohej vetëm në vlerësime. Komisioni Drezden ka arritur në konkluzionin e vet. 25.000 të vdekur prej bombave e ka llogaritur ai dhe ky numër është paraqitur në raportin përfundimtar, i cili u publikua në vitin 2010.

Shkatërrimi vetëm në 23 minuta

Ndërkohë që me më shumë preçizion mund të dekumentohet ajo që ndodhi mbi Drezden 75 vjet më parë. Më 13 shkurt u nisën 245 avionë katër-motorik të tipit “Lancaster” nga Anglia. Kjo ishte flota e 5-të bombarduese britanike. Destinacioni i saj: Drezdeni, qytet anës Elbës. Një qytet që asokohe kishte 630.000 banorë me – siç vlerësohej – edhe rreth qindra mijëra refugjatë. Drezdeni nga pikëpamja strategjike dhe ekonomike ishte i parëndësishëm për ecurinë e luftës në përgjithësi, fati i së cilës qe përcaktuar tashmë qysh në vitin 1944.

Shkatërrimi i Drezdenit

Në orën 21:39 gjëmuan sirenat e alarmit në qytetin anës Elbës. Rreth 3.000 bomba të rënda shpërthyese, 250 bomba me rreze djegëse dhe 400.000 bomba flakëhedhëse vërshuan mbi “Firencen e Elbës’, siç quhet ndryshe Drezdeni, i cili shquhet për bukurinë arkitektonike dhe pasurinë e artefakteve. E gjitha kjo ndodhi në vetëm 23 minuta. Qendra e qytetit u bë prush në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ndriçimi i zjarrit ishte aq intensiv sa që pilotët britanikë kanë protokolluar se kanë parë Drezdenin të digjet që nga distanca mbi 320 kilometra dhe nga 6.700 metra lartësi. Nxehtësia arrinte temperatura, që shkrijnë edhe qelqin e shisheve nëpër bodrumet e farmacive. Gjatë dy valëve të sulmit të bombarduesve britanikë dhe një sulmi pasues të SHBA u rrafshuan rreth 15 kilometra katror të qytetit.

Në shkatërrimin e Drezdenit ishin të përfshirë pilotë britanikë dhe amerikanë, por njëri kishte komandën: Arthur Harris, “komandant i përgjithshëm” i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF). Njeriu i Churchill-it i ngarkuar për bombardimin masiv të Gjermanisë naziste, një mjet lufte për të demoralizuar armikun.

Arthur “Kasapi” Harris

“Asnjë hobby. S’ka lexuar asnjëherë ndonjë libër. Nuk e pëlqen muzikën. Jetonte vetëm për punën e tij.” Një nga përshkrimet më konçize mbi qenien e ushtarakut të lartë britanik, i cili edhe sot e kësaj dite është figurë mjaft e kontestuar. Harris ishte një antipod i britanikut. Ai nuk e njihte njerëzillëkun dhe mirësjelljen, ai ishte i vrazhdë dhe për më tepër shpesh edhe njeri që fyente. Shumë e quanin atë thjesht “Butcher”, kasap. Qysh në periudhën mes dy luftërave botërore Harris e kishte zbuluar pasionin e tij për luftën ajrore. Në Pakistan dhe Irak, ai kishte qenë komandant i skuadroneve të RAF, shpesh fluturonte vetë dhe preferonte të përdorte bomba me zjarr kundër kurdëve dhe arabëve. Kasollet e tyre prej kashte digjeshin me flakë deri në qiell. Ai entuziazmohej prej efektit të luftës ajrore.

Ashtu si shumë oficerë të aviacionit ushtarak edhe jashtë Mbretërisë, Harris besonte në superioritetin ushtarak të bombarduesve. Që në fillim të vitit 1943 ai besonte se vetëm nga ajri pa mobilizimin e trupave të këmbësorisë do të mund ta çonte Gjermaninë drejt kapitullimit. Një vit më pas, në 1944, Harris arrin në konkluzionin, se 45 nga 60 qytetet e mëdha gjermane ishin shkatërruar. Duke përfshirë edhe Këlnin e Hamburgun. Tani duhet të përfundojë pjesa tjetër, kërkoi ai. Drezdeni është një prej tyre.

LEXO EDHE:  Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit paralajmëron rrëzimin e Ramës nga pushteti

LEXO EDHE:  Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit paralajmëron rrëzimin e Ramës nga pushteti

Monumenti i Martin Lutherit rrëzohet nga bombardimet

Luftë qyteteve

Disa historianë shohin në bombardimin e Drezdenit një element të rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes fuqive perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik në etapën e fundit të luftës. Pasi kishte mbetur në vendnumëro ofensiva e Forcave Aleate kundër Gjermanisë në Frontin Perëndimor që nga fundi i 1944, në të njëjtën kohë që Ushtria e Kuqe po përparonte më shpejt në lindje, Churchill-i në janar, pak para Konferencës së Jaltës, udhëzoi të verifikohej nëse tani “Berlini … e gjithashtu edhe qytete të tjera të mëdha në lindje të Gjermaninë… .ndoshta nuk ishin objektiva që ia vlenin.” E gjitha kjo për t’i tërhequr vëmendjen Moskës, sepse Stalini kishte dyshime. Për vite të tëra ai kishte kërkuar nga fuqitë perëndimore, hapjen e një fronti të dytë në Perëndim. Një tezë tjetër ndjek logjikën: Meqënëse sovjetikëve u ishte premtuar Gjermania Qendrore si zonë e pushtimit para Konferencës së Jaltës, britanikët dhe amerikanët u turrën me një vrull të shfrenuar shkatërrimi ndaj Drezdenit dhe qyteteve të tjera në Lindje të Gjermanisë.

Por pavarësisht nga kjo, Drezdeni ishte në planin e Harris-it. Dhe ka pasur paralajmërime shumë kohë përpara 13 shkurtit. Lajmet e radiove si dhe gazetat e vendeve aleate paralajmëronin skenarin, se çdo qytet gjerman mund të kthehej në një qytet-front, për aq kohë sa vazhdonte lufta. Drezdeni ishte përveç kësaj edhe një udhëkryq i rëndësishëm i linjave hekurudhore si të Lindjes edhe të Perëndimit, ashtu edhe të Veriut e Jugut. Gjithashtu aleatët e konsideronin Drezdenin si një qendër të mundshme të tërheqjes së Hitlerit dhe nazistëve në rast se do të ndërpriteshin nyjet e qarkullimit Berlin dhe Lajpcig si linja furnizimi. Drezden pra ishte në fokus dhe Churchill-i ishte padyshim më shumë se vetëm një tolerues i praktikave të pamëshirshme të strategut të tij të aviacionit Harris. Këtë ai e ka deklaruar pak para vdekjes së tij, se Drezdeni “në atë kohë konsiderohej nga njerëz që ishin shumë më të rëndësishëm se unë, si një domosdoshmëri ushtarake”.

Monumenti i Arthur Harris në Londër

Akti dhe dorasi – një çështje e diskutueshme edhe sot e kësaj dite

Ushtria e Kuqe nën Marshall Zhukovin në shkurt të vitit 1945 ndodhej vetëm 80 kilometra në lindje të Drezdenit, kur bombarduesit britanikë dhe amerikanë donin t’i demonstronin sovjetikëve një shenjë bashkëpunimi kundër Gjermanisë së Hitlerit. “Një barbari të tillë nuk do ta kishte bërë kurrë ushtria sovjetike”, ka gjykuar më vonë Zhukovi. Edhe në Angli bombardimi i Drezdenit vazhdon të jetë një çështje e diskutueshme. Kur në vitin 1992, “bombarduesit Harri” iu kushtua në qendër të Londrës një statujë bronzi 2,70 metra e lartë Queen Mum e vlerësoi atë si “lider frymëzues”, ndërsa qindra protestues thërrisnin “vrasës në masë, vrasës në masë”./ DW

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse disa njerëz qëndrojnë elegantë, pavarësisht gjërave që hanë?

Publikuar

-

Nga

A keni menduar ndonjëherë, se si disa njerëz ia dalin të qëndrojnë elegantë pavarësisht se hanë atë që ju pëlqen, ndërsa juve ju duket se shtoni në peshë edhe vetëm me ajrin që thithni? Nga studime rezulton se sekreti për fizikun e tyre elegant, nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me regjimin e stërvitjes, por me përbërjen gjenetike.

Një studim, i kryer nga një ekip studiuesish në Universitetin e Kembrixhit, ka zbuluar se disa njerëz kanë një kodim gjenetik unik, që i ndihmon ata të ruajnë të njëjtën peshë trupore gjatë gjithë jetës së tyre.
Edhe pse hulumtimet e mëparshme, kanë hedhur dritë mbi ndikimin gjenetik tek mbipesha trupore, ky studim është përqendruar në shumë më tepër detaje. Studimi, botuar në revistën PLOS Genetics, është më i madhi në llojin e tij deri më tani. Ekipi krahasoi ADN-në e rreth 14.000 njerëzve, të cilët u ndanë në grupe të ndryshme sipas peshave, për të zbuluar se si gjenet mund të ndikojnë në peshën e një personi.
Sadaf Faruki, profesor në Institutin e Shkencës Metabolike në Universitetin e Kembrixhit,
ishte drejtues i studimit që u mbështet nga Këshilli Evropian i Kërkimit. Synimi. Studimet e mëparshme, kishin treguar se gjenet e gabuara, mund të jenë përgjegjëse për rastet e rënda të mbipeshës, që vërehen shpesh në moshë të re.

Gjithsesi, ky studim i veçantë sugjeroi se një kombinim i gjeneve “të elegancës”, ose më saktë, mungesa e “gjeneve të lidhura me mbipeshën”, mund të ndihmojë që dikush të mbetet i dobët pavarësisht asaj që ha. Profesori Faruki dhe ekipi i tij, në bashkëpunim me dr.Ines Barroso e institutit “Wellcome”, mblodhën dhe krahasuan ADN-në e 14,000 pjesëmarrësve, 1.622 prej të cilëve ishin legantë.
Ndërkohë, 1.985 vullnetarë ishin tepër obezë, dhe 10.433 të tjerët kishin një peshë normale. ADN e njeriut, është e përbërë nga një sekuencë molekulash të quajtura “çifte bazë”. Shkronjat A, C, G dhe T paraqesin çiftet bazë, dhe vargjet e tyre përbëjnë rajonet gjenetike.

LEXO EDHE:  Pse ndodh ecja në gjumë?/ Shkencëtarët nuk kanë ende një përgjigje shterruese

LEXO EDHE:  Braçe irritohet me PD/ A mund ta dorëzojmë pushtetin te Basha?

Gjenet tona diktojnë mënyrën se si funksionojnë trupat tanë, dhe variacionet, siç është një C aty ku duhet të jetë një A, mund të kenë një ndikim delikat ose dramatik në tipare të tilla si ngjyra e syve, ngjyra e flokëve dhe natyrisht pasha trupore. Ekipi i studiuesve hasi në disa variante gjenetike që studiuesit kishin identifikuar tashmë dhe që lidheshin me mbipeshën.

Gjithsesi, studimi i fundit zbuloi rajone të reja gjenetike që mund të jenë përgjegjëse për dobësimin e shëndetshëm. Për të zbuluar se si gjenet ndikojnë në peshën e dikujt, studiuesit morën parasysh të gjitha variantet e ndryshme gjenetike, dhe dolën me një “hartë” të rreziqeve gjenetike për mbipeshën.
Siç dyshuan studiuesit, rezulton se njerëzit obese, kanë një rezultat më të lartë të rrezikut gjenetik, çka i bën ata më të predispozuar të jenë mbipeshë se sa njerëzit me peshë normale.

Nga ana tjetër njerëzit elegantë, kanë një rezultat dukshëm më të ulët të rrezikut gjenetik.
Atyre u mungojnë ndërkaq variantet gjenetike, që dihet se janë përgjegjëse për shkaktimin e mbipeshës. Studimi tregoi kësisoj se njerëzit që kanë qenë gjithmonë të dobët, pavarësisht
nga dieta dhe zgjedhjet e tyre të jetesës, duhet të falënderojnë gjenet e tyre unike.

Megjithëse gjenet mund të përcaktojnë peshën e një personi, kjo nuk do të thotë aspak se ju duhet të hiqni dorë nga një dietë e shëndetshme ushqimore, dhe një stil jetese i shëndetshëm në përgjithësi. Studimi tregoi thjesht se si gjenet mund të jenë përgjegjës për shtimin e peshës tek njerëz të ndryshëm. Shanset mund të jenë në favor ose kundër jush. Por veprimet personale, luajnë një rol kritik kur bëhet fjalë për menaxhimin e peshës./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE