Connect with Us

Çmimi barbar për luftën e Hitlerit/ Ç’ndodhi 75 vjet më parë në Drezden?

Blog

Çmimi barbar për luftën e Hitlerit/ Ç’ndodhi 75 vjet më parë në Drezden?

Publikuar

-

Drezdeni pandehte se ishte i sigurtë, besonte se mburojë kishte estetikën e veçantë arkitektonike. Por qyteti pagoi një çmim barbar për luftën e Hitlerit duke përjetuar para 70 vjetësh një bombardim të pashembullt.

Drezden 2004. Këshilli i qytetit krijoi një komision ndërdisiplinor, i cili duhet të merret me çështjen: Sa vetë vdiqën gjatë bombardimeve më 13., 14. dhe 15 shkurt 1945? Për dekada me radhë është spekuluar për këto shifra. Flitej për 70.000 të vdekur, si serioze u provua shifra 35.000 – por edhe kjo bazohej vetëm në vlerësime. Komisioni Drezden ka arritur në konkluzionin e vet. 25.000 të vdekur prej bombave e ka llogaritur ai dhe ky numër është paraqitur në raportin përfundimtar, i cili u publikua në vitin 2010.

Shkatërrimi vetëm në 23 minuta

Ndërkohë që me më shumë preçizion mund të dekumentohet ajo që ndodhi mbi Drezden 75 vjet më parë. Më 13 shkurt u nisën 245 avionë katër-motorik të tipit “Lancaster” nga Anglia. Kjo ishte flota e 5-të bombarduese britanike. Destinacioni i saj: Drezdeni, qytet anës Elbës. Një qytet që asokohe kishte 630.000 banorë me – siç vlerësohej – edhe rreth qindra mijëra refugjatë. Drezdeni nga pikëpamja strategjike dhe ekonomike ishte i parëndësishëm për ecurinë e luftës në përgjithësi, fati i së cilës qe përcaktuar tashmë qysh në vitin 1944.

Deutschland Dresden Jahrestag der Zerstörung Dresdens Weltkrieg (AP)
Shkatërrimi i Drezdenit

Në orën 21:39 gjëmuan sirenat e alarmit në qytetin anës Elbës. Rreth 3.000 bomba të rënda shpërthyese, 250 bomba me rreze djegëse dhe 400.000 bomba flakëhedhëse vërshuan mbi “Firencen e Elbës’, siç quhet ndryshe Drezdeni, i cili shquhet për bukurinë arkitektonike dhe pasurinë e artefakteve. E gjitha kjo ndodhi në vetëm 23 minuta. Qendra e qytetit u bë prush në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ndriçimi i zjarrit ishte aq intensiv sa që pilotët britanikë kanë protokolluar se kanë parë Drezdenin të digjet që nga distanca mbi 320 kilometra dhe nga 6.700 metra lartësi. Nxehtësia arrinte temperatura, që shkrijnë edhe qelqin e shisheve nëpër bodrumet e farmacive. Gjatë dy valëve të sulmit të bombarduesve britanikë dhe një sulmi pasues të SHBA u rrafshuan rreth 15 kilometra katror të qytetit.

Në shkatërrimin e Drezdenit ishin të përfshirë pilotë britanikë dhe amerikanë, por njëri kishte komandën: Arthur Harris, “komandant i përgjithshëm” i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF). Njeriu i Churchill-it i ngarkuar për bombardimin masiv të Gjermanisë naziste, një mjet lufte për të demoralizuar armikun.

Arthur “Kasapi” Harris

“Asnjë hobby. S’ka lexuar asnjëherë ndonjë libër. Nuk e pëlqen muzikën. Jetonte vetëm për punën e tij.” Një nga përshkrimet më konçize mbi qenien e ushtarakut të lartë britanik, i cili edhe sot e kësaj dite është figurë mjaft e kontestuar. Harris ishte një antipod i britanikut. Ai nuk e njihte njerëzillëkun dhe mirësjelljen, ai ishte i vrazhdë dhe për më tepër shpesh edhe njeri që fyente. Shumë e quanin atë thjesht “Butcher”, kasap. Qysh në periudhën mes dy luftërave botërore Harris e kishte zbuluar pasionin e tij për luftën ajrore. Në Pakistan dhe Irak, ai kishte qenë komandant i skuadroneve të RAF, shpesh fluturonte vetë dhe preferonte të përdorte bomba me zjarr kundër kurdëve dhe arabëve. Kasollet e tyre prej kashte digjeshin me flakë deri në qiell. Ai entuziazmohej prej efektit të luftës ajrore.

Ashtu si shumë oficerë të aviacionit ushtarak edhe jashtë Mbretërisë, Harris besonte në superioritetin ushtarak të bombarduesve. Që në fillim të vitit 1943 ai besonte se vetëm nga ajri pa mobilizimin e trupave të këmbësorisë do të mund ta çonte Gjermaninë drejt kapitullimit. Një vit më pas, në 1944, Harris arrin në konkluzionin, se 45 nga 60 qytetet e mëdha gjermane ishin shkatërruar. Duke përfshirë edhe Këlnin e Hamburgun. Tani duhet të përfundojë pjesa tjetër, kërkoi ai. Drezdeni është një prej tyre.

Luftë qyteteve

Disa historianë shohin në bombardimin e Drezdenit një element të rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes fuqive perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik në etapën e fundit të luftës. Pasi kishte mbetur në vendnumëro ofensiva e Forcave Aleate kundër Gjermanisë në Frontin Perëndimor që nga fundi i 1944, në të njëjtën kohë që Ushtria e Kuqe po përparonte më shpejt në lindje, Churchill-i në janar, pak para Konferencës së Jaltës, udhëzoi të verifikohej nëse tani “Berlini … e gjithashtu edhe qytete të tjera të mëdha në lindje të Gjermaninë… .ndoshta nuk ishin objektiva që ia vlenin.” E gjitha kjo për t’i tërhequr vëmendjen Moskës, sepse Stalini kishte dyshime. Për vite të tëra ai kishte kërkuar nga fuqitë perëndimore, hapjen e një fronti të dytë në Perëndim. Një tezë tjetër ndjek logjikën: Meqënëse sovjetikëve u ishte premtuar Gjermania Qendrore si zonë e pushtimit para Konferencës së Jaltës, britanikët dhe amerikanët u turrën me një vrull të shfrenuar shkatërrimi ndaj Drezdenit dhe qyteteve të tjera në Lindje të Gjermanisë.

Por pavarësisht nga kjo, Drezdeni ishte në planin e Harris-it. Dhe ka pasur paralajmërime shumë kohë përpara 13 shkurtit. Lajmet e radiove si dhe gazetat e vendeve aleate paralajmëronin skenarin, se çdo qytet gjerman mund të kthehej në një qytet-front, për aq kohë sa vazhdonte lufta. Drezdeni ishte përveç kësaj edhe një udhëkryq i rëndësishëm i linjave hekurudhore si të Lindjes edhe të Perëndimit, ashtu edhe të Veriut e Jugut. Gjithashtu aleatët e konsideronin Drezdenin si një qendër të mundshme të tërheqjes së Hitlerit dhe nazistëve në rast se do të ndërpriteshin nyjet e qarkullimit Berlin dhe Lajpcig si linja furnizimi. Drezden pra ishte në fokus dhe Churchill-i ishte padyshim më shumë se vetëm një tolerues i praktikave të pamëshirshme të strategut të tij të aviacionit Harris. Këtë ai e ka deklaruar pak para vdekjes së tij, se Drezdeni “në atë kohë konsiderohej nga njerëz që ishin shumë më të rëndësishëm se unë, si një domosdoshmëri ushtarake”.

Arthur Harris Denkmal in London (picture alliance/akg-images)
Monumenti i Arthur Harris në Londër

Akti dhe dorasi – një çështje e diskutueshme edhe sot e kësaj dite

Ushtria e Kuqe nën Marshall Zhukovin në shkurt të vitit 1945 ndodhej vetëm 80 kilometra në lindje të Drezdenit, kur bombarduesit britanikë dhe amerikanë donin t’i demonstronin sovjetikëve një shenjë bashkëpunimi kundër Gjermanisë së Hitlerit. “Një barbari të tillë nuk do ta kishte bërë kurrë ushtria sovjetike”, ka gjykuar më vonë Zhukovi. Edhe në Angli bombardimi i Drezdenit vazhdon të jetë një çështje e diskutueshme. Kur në vitin 1992, “bombarduesit Harri” iu kushtua në qendër të Londrës një statujë bronzi 2,70 metra e lartë Queen Mum e vlerësoi atë si “lider frymëzues”, ndërsa qindra protestues thërrisnin “vrasës në masë, vrasës në masë”./ DW

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Xi Jinping, po e humb kontrollin e “kontrollokracisë” që ka ngritur në Kinë

Publikuar

-

Nga

Nga Xiao Qiang “Project Syndicate”

* Në librin e tij të vitit 2016 “Diktatura e përsosur:Kina në shekullin XXI”, politologu norvegjez Stein Ringen, e përshkruan Kinën bashkëkohore si një “kontrollokraci”, duke argumentuar se sistemi i saj i qeverisjes është shndërruar në një regjim të ri më të ashpër dhe më ideologjik se më pare.

Tashmë “kontrollokracia” e Kinës, mban përgjegjësinë kryesore për epideminë e koronavirusit, që po përhapet gjerësisht në vend dhe botë. Presidenti kinez Xi Jinping, do të takohet në shtator me krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së në samitin BE-Kinë në Lajpzig të Gjermanisë.

Evropianët duhet ta kuptojnë, se përmes këtij samiti do t’i japin atij një fitore politike shumë të nevojshme, në rast se nuk do i kërkojnë llogari për dështimin e tij në respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht në Tibet, Xinjiang dhe Hong Kong.

Gjatë 8 viteve të fundit, udhëheqja qendrore e Partisë Komuniste të Kinës, ka ndërmarrë hapa për të forcuar autoritetin personal të presidentit Xi Jinping, si dhe për zgjerimin e kompetencave të vetë PKK-së, në kurriz të ministrive dhe qeverive lokale dhe krahinore.

Autoritetet qendrore, kanë reaguar vazhdimisht me brutalitet ndaj mosmarrëveshjeve, gjë e cila është ndjerë në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike në vend. Nën kontrollokracinë, janë mbyllur faqet e internetit; janë burgosur avokatë, aktivistë dhe shkrimtarë.

Ndërkohë, sistemi që ka instaluar Xi që nga viti 2012, po shfrytëzon teknologjitë e reja në Kinë, sidomos Inteligjencën Artificiale për të forcuar kontrollin e qeverisë qendrore mbi shoqërinë kineze. Rasti i parë i koronavirusit u shfaq në Vuhan, kryeqyteti i provincës së Hubeit më 1 dhjetor 2019.

Dhe që në mesin e atij muaji, autoritetet kineze kishin prova se virusi mund të transmetohej nga një njeri tek tjetri. Gjithsesi, qeveria nuk e pranoi zyrtarisht epideminë deri më 20 janar të këtij viti. Gjatë këtyre 7 javëve, policia e Vuhan burgosi 8 mjekë dhe infermierë, me akuzën e përhapjes së panikut në mediat sociale.

Ata u akuzuan për “përhapjen e thashethemeve”, dhe përçarjen e “rendit shoqëror”. Ndërkohë, qeveria rajonale e Hubeit, vazhdoi të fshehë numrin e vërtetë të rasteve me koronavirus. Censurimi i madh, shkatërroi çdo mundësi për të vënë virusin nën kontroll, përpara se ai të ishte përhapur në Vuhan, një qytet me 14 milionë banorë.

Deri më 23 janar, kur qeveria shpalli më në fund karantinën për banorët e Vuhanit, rreth 5 milionë njerëz ishin larguar tashmë nga qyteti, duke shkaktuar epideminë që tani po përhapet me shpejtësi në Kinë dhe pjesën tjetër të botës.

LEXO EDHE:  Bota injoroi shenjat paralajmëruese, tani Lindja e Mesme është buzë humnerës

LEXO EDHE:  Lufta ndaj krimit të organizuar/ Leksione nga lufta anti-mafia në Itali

Kur më në fund u bë publike shkalla e vërtetë e epidemisë, opinioni publik kinez pati një përzierje të parashikueshme të zemërimit, ankthit dhe dëshpërimit. Njerëzit e përdorën masivisht internetin për të shfryrë mllefin dhe zhgënjimin e tyre.

Por nuk kaloi shumë kohë dhe shteti rivendosi censurën, duke kufizuar ndjeshëm aftësinë e gazetarëve dhe qytetarëve të shqetësuar për të shkëmbyer informacione rreth krizës. Pastaj më 3 shkurt, pasi presidenti Xi drejtoi takimin e dytë të Komitetit të Përhershëm për epideminë, aparati propagandistik i PKK u urdhërua të “udhëzojë opinionin publik, dhe të forcojë kontrollin e informacionit”.

Në praktikë, kjo do të thotë një kontroll të rreptë të të gjitha komunikimeve dhe publikimeve në internet. Kontrollokracia tani po funksionon tani me kapacitet të plotë, me algoritmet e njohjes së fytyrës, imazhit  dhe zërit, që përdoren për të parashikuar dhe shtypur çdo kritikë të mundshme të qeverisë, dhe për të zhdukur të gjitha informacionet “jozyrtare” në lidhje me epideminë.

Më 7 shkurt, Li Uenliang, një nga mjekët që u përpoq të jepte alarmin për epideminë, vdiq nga koronavirusi, dhe kjo gjë shkaktoi një reagim të madh në mediat sociale. Publiku kinez e përkujton atë si një hero, por edhe si një viktimë që u përpoq të tregonte të vërtetën.

Për herë të parë që nga ngjitja në pushtet, makineria e censurimit të Xi Jingping, po ndeshet me një rezistencë të fortë nga miliona përdorues të internetit në Kinë. Kontrollokracia, është duke u vënë në provë. Por me shumë gjasa, kjo gjë do të përdoret për të justifikuar edhe më shumë mbikëqyrje dhe kontroll të popullatës.

Xi është një diktator safi. Por diktatura e tij është larg nga të qenit “perfekte”. Nevoja e tij obsesive për të kontrolluar informacionin, i ka privuar qytetarët kinezë nga e drejta e tyre për të mësuar atë që po ndodh në komunitetet e tyre, dhe potencialisht brenda trupave të tyre.

Deri më 9 shkurt, epidemia kishte vrarë më shumë se 900 njerëz, dhe infektuar 40.000 të tjerë në mbi 25 vende të botës. Pavarësisht gjithë teknologjive të saj të përparuara dixhitale, dhe fuqinë e jashtëzakonshme ekonomike dhe ushtarake, Kina po qeveriset si të ishte një autokraci para-moderne. Kinezët meritojnë më mirë. Por fatkeqësisht, ata dhe pjesa tjetër e botës, do të vazhdojnë të paguajnë një çmim të lartë për despotizmin hi-tech të presidentit kinez./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse disa njerëz qëndrojnë elegantë, pavarësisht gjërave që hanë?

Publikuar

-

Nga

A keni menduar ndonjëherë, se si disa njerëz ia dalin të qëndrojnë elegantë pavarësisht se hanë atë që ju pëlqen, ndërsa juve ju duket se shtoni në peshë edhe vetëm me ajrin që thithni? Nga studime rezulton se sekreti për fizikun e tyre elegant, nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me regjimin e stërvitjes, por me përbërjen gjenetike.

Një studim, i kryer nga një ekip studiuesish në Universitetin e Kembrixhit, ka zbuluar se disa njerëz kanë një kodim gjenetik unik, që i ndihmon ata të ruajnë të njëjtën peshë trupore gjatë gjithë jetës së tyre.
Edhe pse hulumtimet e mëparshme, kanë hedhur dritë mbi ndikimin gjenetik tek mbipesha trupore, ky studim është përqendruar në shumë më tepër detaje. Studimi, botuar në revistën PLOS Genetics, është më i madhi në llojin e tij deri më tani. Ekipi krahasoi ADN-në e rreth 14.000 njerëzve, të cilët u ndanë në grupe të ndryshme sipas peshave, për të zbuluar se si gjenet mund të ndikojnë në peshën e një personi.
Sadaf Faruki, profesor në Institutin e Shkencës Metabolike në Universitetin e Kembrixhit,
ishte drejtues i studimit që u mbështet nga Këshilli Evropian i Kërkimit. Synimi. Studimet e mëparshme, kishin treguar se gjenet e gabuara, mund të jenë përgjegjëse për rastet e rënda të mbipeshës, që vërehen shpesh në moshë të re.

Gjithsesi, ky studim i veçantë sugjeroi se një kombinim i gjeneve “të elegancës”, ose më saktë, mungesa e “gjeneve të lidhura me mbipeshën”, mund të ndihmojë që dikush të mbetet i dobët pavarësisht asaj që ha. Profesori Faruki dhe ekipi i tij, në bashkëpunim me dr.Ines Barroso e institutit “Wellcome”, mblodhën dhe krahasuan ADN-në e 14,000 pjesëmarrësve, 1.622 prej të cilëve ishin legantë.
Ndërkohë, 1.985 vullnetarë ishin tepër obezë, dhe 10.433 të tjerët kishin një peshë normale. ADN e njeriut, është e përbërë nga një sekuencë molekulash të quajtura “çifte bazë”. Shkronjat A, C, G dhe T paraqesin çiftet bazë, dhe vargjet e tyre përbëjnë rajonet gjenetike.

LEXO EDHE:  Rikthimi i politikës së fuqive të mëdha

LEXO EDHE:  Denoncimi në CNA.al/ Administrata sjellje skandaloze, nënës me dy fëmijë nuk i jepet asistenca

Gjenet tona diktojnë mënyrën se si funksionojnë trupat tanë, dhe variacionet, siç është një C aty ku duhet të jetë një A, mund të kenë një ndikim delikat ose dramatik në tipare të tilla si ngjyra e syve, ngjyra e flokëve dhe natyrisht pasha trupore. Ekipi i studiuesve hasi në disa variante gjenetike që studiuesit kishin identifikuar tashmë dhe që lidheshin me mbipeshën.

Gjithsesi, studimi i fundit zbuloi rajone të reja gjenetike që mund të jenë përgjegjëse për dobësimin e shëndetshëm. Për të zbuluar se si gjenet ndikojnë në peshën e dikujt, studiuesit morën parasysh të gjitha variantet e ndryshme gjenetike, dhe dolën me një “hartë” të rreziqeve gjenetike për mbipeshën.
Siç dyshuan studiuesit, rezulton se njerëzit obese, kanë një rezultat më të lartë të rrezikut gjenetik, çka i bën ata më të predispozuar të jenë mbipeshë se sa njerëzit me peshë normale.

Nga ana tjetër njerëzit elegantë, kanë një rezultat dukshëm më të ulët të rrezikut gjenetik.
Atyre u mungojnë ndërkaq variantet gjenetike, që dihet se janë përgjegjëse për shkaktimin e mbipeshës. Studimi tregoi kësisoj se njerëzit që kanë qenë gjithmonë të dobët, pavarësisht
nga dieta dhe zgjedhjet e tyre të jetesës, duhet të falënderojnë gjenet e tyre unike.

Megjithëse gjenet mund të përcaktojnë peshën e një personi, kjo nuk do të thotë aspak se ju duhet të hiqni dorë nga një dietë e shëndetshme ushqimore, dhe një stil jetese i shëndetshëm në përgjithësi. Studimi tregoi thjesht se si gjenet mund të jenë përgjegjës për shtimin e peshës tek njerëz të ndryshëm. Shanset mund të jenë në favor ose kundër jush. Por veprimet personale, luajnë një rol kritik kur bëhet fjalë për menaxhimin e peshës./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Ja cilat janë gënjeshtrat që të gjithë i tregojnë në Facebook dhe Instagram

Publikuar

-

Nga

Sot shumica prej nesh, janë pjesë e të paktën njërës prej platformave të mediave sociale. Dhe ndërsa Facebook dhe Instagram, mund të duken si mënyra të mira për t’u lidhur me miqtë, kolegët dhe anëtarët e familjes që nuk i shihni shpesh, profilet e tyre mund të zbulojnë se shumica e tyre janë mashtruese. Njerëzit largohen shumë nga vetvetja, për të paraqitur versionin më të mirë në mediat sociale, edhe nëse ai version nuk është tamam i vërtetë.

Gënjeni për arritjet tuaja

Të gjithë duan që dikush të jetë krenar (ose ziliqar) për ta. Nevoja që njerëzit e tjerë të shohin sukseset dhe arritjet tuaja, ka krijuar kulturën e trillimit ose ekzagjerimit të tyre, sidomos në mediat sociale.
Zmadhoni rëndësinë që keni në punët tuaja

Ne të gjithë duam të duket, sikur kemi një rol qëndror në punën tone. Aq sa shumë njerëz zbukurojnë rëndësinë e rolit të tyre,duke e ndarë atë me shoqërinë e tyre në mediat sociale. Madje në jo pak raste, njerëzit pranojnë pozicione pune “më të larta”, pavarësisht pagës më të ulët.
Silleni sikur puna që bëni është më magjepsëse, nga sa është në të vërtetë

Çfarë postoni zakonisht në mediat sociale:momente të lumtura nga festa e kompanisë në fundvit, apo vizitën e një personi të famshëm në zyrën tuaj. Ndërkohë fshini shumë gjëra që nuk shkojnë, probleme me kondicionerin gjatë verës, zënkat me kolegët etj.

Gënjeni për vendet e huaja që keni vizituar

Pavarësisht nëse fabrikoni një palë pushime që nuk i keni bërë, apo thjesht gënjeni njerëzit se keni shkuar diku në të kaluarën, kjo gjë nuk është një praktikë e pazakontë në mediat sociale.

Pretendoni se jeni një gjendje më të mirë financiare, sesa jeni në realitet

Postimi me veshje firmato, nënkupton që keni para. Prandaj shumë shpesh, sidomos femrat, postojnë foton e një çante firmato nga dyqani, pa pasur mundësi që ta blejnë atë. Edhe dukuria e djemve që pozojnë para veturave luksoze, që në fakt nuk janë të tyre, është një shembull tipik.

Gënjeni për regjimin tuaj të palestrës

Shumë profesionistë të fitnesit, kanë në fakt çrregullime në stërvitje ose çrregullime të trupit. Por a i shfaqin këto realitete në internet? Jo dhe aq. Përkundrazi, ata tregojnë fizikun e tyre dhe flasin për suksesin dhe arritjet e tyre.

Silleni sikur dini shumë, kur realiteti është krejt ndryshe

Është shumë e thjeshtë të krijoni në internet fasadën e një njeriu shumë të lexuar. Postoni një fotografi të kopertinës së romanit Ana Karenina të Tolstoit, dhe njerëzit do të mendojnë se jeni një qenie njerëzore inteligjente, edhe pse mund të mos e keni kaluar asnjëherë nëpër duar atë libër. Siç shprehej dikur Karl Grinfilld, me shfaqjen e internetit “nuk ka qenë kurrë kaq e thjeshtë të pretendosh se di kaq shumë, kur në fakt nuk di asgjë!”.

Shfaqeni sikur jeni prindër të përsosur

Ndjekësit tuaj në rrjetet sociale, mund të mendojnë se fëmijët tuaj janë “engjëj të vegjël të përsosur”, pasi kjo është gjithçka që ju e tregoni në internet. Por realitetet e prindërimit, janë shumë më të komplikuara se sa kaq. Sociologu Kojel Bandjopadhjaj, mendon se prindërit e fiksuar pas mediave sociale, u kalojnë fëmijëve të tyre komplekse jo të shëndetshme. “Për ta, prindërimi bëhet një konkurs, dhe fëmijët përpiqen të përmbushin ambiciet e prindërve të tyre”-thotë ai.

LEXO EDHE:  Sulmet me raketa vetëm fillimi/ Ja si ka gjasa të kundërpërgjigjet më tej Irani

LEXO EDHE:  Sulmet me raketa vetëm fillimi/ Ja si ka gjasa të kundërpërgjigjet më tej Irani

Pretendoni se jeni gjithnjë të lumtur

Një sondazh zbuloi se 73 përqind e rinjve, përpiqen gjithmonë të shfaqen të lumtur në mediat sociale. Ju mund të postoni një selfi të vjetër apo të ri duke buzëqeshur, por në fakt mund të jeni duke qarë apo shumë të stresuar. Është e qartë se jeta nuk është gjithmonë ashtu siç duket në mediat sociale.
Pretendoni se jeni në një lidhje të lumtur

Nëse bazohemi vetëm tek ato që postohen në mediat sociale, marrëdhënia e të gjithëve është në thelb një romancë e ëmbël. Por ata që mburren me shpesh së të tjerët me “romancën” e tyre, fshehin në fakt diçka. Në një studim të vitit 2018, më shumë se gjysma e të rinjve pranuan se e bëjnë marrëdhënien e tyre të duket më e lumtur në internet, sesa është në të vërtetë. Dhe 42 përqind ishin përpjekur në maksimum të shfaqnin në rrjetet sociale “një marrëdhënie të përsosur”. Në realitet, të gjithë këto çifte kanë mosmarrëveshjet e tyre në jetën reale.

Shtirreni më socialë me të tjerët ,nga sa jeni në realitet

Të gjithë përpiqen që të duken më shumë “socialë” në mediat sociale ,sesa janë në të vërtetë. Tek e fundit, njerëzit duan që të duken në sytë e të tjerëve sikur kanë shumë miq, të cilët duan të qëndrojnë gjithmonë me ta. Por sërish realiteti është krejt ndryshe.

Postoni si tuajat postimet e të tjerëve

Në një botë ku është kaq shumë e rëndësishme të dukesh origjinal, nxitja për përmbajtje autentike është më e madhe se kurrë. Por nëse dikush krenohet me postimet origjinale që bën, ka shumë njerëz që vjedhin postimet e njerëzve të tjerë, dhe përpiqen t’i prezatojnë si të tyret. Sipas ekspertëve, kjo ndodh rëndom me shumë blogerë të njohur.

Shtirreni sikur jeni bamirës të mëdhenj

Shumë njerëz i zmadhojnë dhe i fryjnë veprat e tyre të mira në internet, kur në realitet nuk bëjnë asnjëherë ndonjë punë vullnetare, apo të dhurojnë diçka për bamirësi. Në fakt, Byroja e Statistikave të Punës në SHBA, raportoi se vetëm rreth 25 përqind e amerikanëve janë vullnetarë të paktën një herë në vit.

Gënjeni për moshën

Teksa njerëzit plaken, ata kanë prirjen të duan të duken të rinj, edhe nëse detyrohen të gënjejnë për ta realizuar këtë. Por ata nuk janë të vetmit. Edhe fëmijët e vegjël, gënjejnë për moshën, pasi për të pasur një llogari në Facebook duhet të jesh 13 vjeç e sipër.

LEXO TE PLOTE