LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vdekja e shqiptarit në burgun e Francës/ Reagon Ministira e Jashtme

10 Shkurt 2020, 14:47, Aktualitet CNA
Vdekja e shqiptarit në burgun e Francës/ Reagon Ministira e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar në lidhje me vdekjen e shqiptarit Mentor Rexha në burgun e qytetit Lorient në Francë.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se sipas autoriteteve të policisë franceze, shtetasi Mentor Rexha është vetëvrarë gjatë natës së 31 janarit 2020, por pas pretendimeve të familjarëve se e kanë vrarë kanë kërkuar informacion shtesë.

“Ditën e shtunë, datë 8 shkurt 2020, të afërmit mundën të vizitojnë trupin e të ndjerit. Gjatë kontaktit me Ambasadën shqiptare, ata shprehën dyshime lidhur me shkaqet e vdekjes së tij. Bazuar në këto pretendime, Ambasada shqiptare në Francë ka kërkuar informacion suplementar nga autoritetet franceze mbi ngjarjen dhe ka sugjeruar që paralelisht familja e të ndjerit të kontaktojë një avokat për ndjekjen e çështjes nga ana ligjore. Ambasada është në pritje të një informacioni zyrtar më të detajuar nga ana e autoriteteve policore dhe gjyqësore franceze, në lidhje me të gjitha pretendimet dhe dyshimet e ngritura nga të afërmit e shtetasit Mentor Rexha”, thuhet në njoftim.

Ministria thotë se për këtë ngjarje, Ambasada shqiptare në Francë është njoftuar nga të afërmit e të ndjerit ditën e diel, datë 2 shkurt 2020.

“Që nga ajo ditë e në vazhdim, shërbimi konsullor i Ambasadës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e tij, për të mundësuar vendosjen e kontakteve me qendrën penitenciare të Lorient, si dhe për të lehtësuar udhëtimin e njërit prej familjarëve të tij nga Italia në Francë. Ambasada shqiptare në Francë njofton se, që nga momenti i njohjes me ngjarjen, ka përcjellë nga afër çdo praktikë ligjore dhe ka qëndruar në kontakte të pandërprera me familjarët e shtetasit shqiptar, Mentor Rexha”. sqaron ministria./CNA.al

Lajmet e fundit nga