LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Problemi kryesor i zgjerimit: Partneriteti i BE-së me elitat e korruptuara në Ballkan

9 Shkurt 2020, 09:17, Blog CNA
Problemi kryesor i zgjerimit: Partneriteti i BE-së me elitat e korruptuara

Nga Toby Vogel & Kurt Bassuener ?Eu Observer?

Komisioni Evropian, humbi një mundësi të artë me qasjen e saj të re ndaj zgjerimit të BE-së. Në vend se të analizojë pse po dështon procedura aktuale për pranimin e anëtarëve të rinj, KE është përpjekur të qetësojë kundërshtaren më të zëshme të zgjerimit – Francën – përmes disa ndryshimeve kryesisht kozmetike.

Qasja e re ka të ngjarë të arrijë qëllimin e saj të menjëhershëm, pra që Franca të heqë veton e saj kundër nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Natali Luaso, ish-Ministre e Evropës në qeverinë fracenze, që tashmë është zëdhënëse e presidentit Emanuel Makron në Parlamentin Evropian, e mirëpriti ngrohtësisht propozimin e paraqitur nga komisioneri i zgjerimit Oliver Varheli, edhe pse paralajmëroi:?Rëndësi ka ajo çfarë ndodh, dhe jo ajo që shkruhet në një copë letër!?.

Por fakt është se qasja e re, nuk arrin të adresojë mangësitë e vetë politikës së zgjerimit, që ka qenë në krizë prej disa kohësh. Megjithë përmbushjen e kushteve të BE-ë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u bllokuan nga Franca (e mbështetur edhe nga Holanda dhe Danimarka).

Serbia dhe Mali i Zi, po bisedojnë përkatësisht prej 6 dhe 8 vitesh për anëtarësimin në BE. Dhe negociatat nuk dihet se kur do të përfundojnë, në kushtet kur vërehet një sprapësim i konsiderueshëm në aspektin e sundimit të ligjit dhe praktikave demokratike në Serbi, dhe kur ka shumë pak ndryshime pozitive në Malin e Zi.

Kosova dhe Bosnje Hercegovina, janë vite larg nisjes së bisedimeve të tilla, teksa po përballen me pengesa të mëdha, përpara se të shpresojnë të bëhen pjesë e këtij procesi. Në fakt, disa nga ndryshimet e prezantuara janë të mirëpritura.

Në kontrast me propozimin jo zyrtar të Makron, qasja e re e Komisionit Evropian e vë theksin tek normat demokratike dhe sundimi i ligjit, përpara çështjeve ekonomike. Në dokumentin francez, mungonin fjalët ?demokraci?, ?korrupsion? dhe ?kapje e shtetit?.

Ndërsa projekti francez ishte transaksional në natyrën e tij, dhe i orientuar nga ekonomia, projekti i Komisionit Evropian e njeh potencialin transformues që ka zgjerimi i unionit. Dhe që ky potencial të shfrytëzohet, BE-ja duhet të jetë serioze në përballjen me elitat e korruptuara në vendet kandidate.

Metodologjia e re e miratuar këtë javë, nuk do ta bëjë vetë këtë. Por ajo përmban tregues se KE ka filluar që ta kuptojë këtë, megjithë dështimin e tij për të rishikuar në themel politikën e zgjerimit. Ajo riafirmon përkushtimin e BE-së për të mbështetur kushtëzimin në këtë proces, dhe propozon një mekanizëm që nuk do të lejonte më një pakicë shtetesh anëtare të bllokonin sanksionet kundër vendeve kandidate, që bëjnë hapa pas në raport me detyrimet e tyre.

Për më tepër, roli i zgjeruar i shteteve anëtare mbart si mundësi, ashtu edhe rreziqe. Shtetet anëtare mund të forcojnë mesazhet që vijnë nga Brukseli, dhe potencialisht mund të jenë më të drejtpërdrejtë dhe të hapur në mesazhe sesa vetë Komisioni Evropian.

Ndërsa këta elementë pozitivë janë të mirëseardhur, ata janë jashtëzakonisht të papërshtatshëm.

Qasja e re është një zgjidhje për një jo-problem:problemi nuk ka qenë kurrë metodologjia por vullneti politik nga ana e shteteve anëtare të BE-së, për t?u përballur me kapjen e shtetit nga elitat që janë sot në pushtet në Ballkan.

Metodologjia e re, i sheh ende qeveritë ballkanike si përfaqësuese dhe të përgjegjshme, në vend se të pranojë se qytetarët janë fokus-grupi ku duhet të bazohet direkt politika e zgjerimit e BE-së, pa filtrin e mediave të kontrolluara nga partite politike, dhe një ekonomi e drejtuar nga patronazhi.

Propozimi i fundit KE, lë disi të kuptohet një zhvendosje të pjesshme drejt një komunikimi më të drejtpërdrejtë të BE-së me qytetarët në vendet kandidate. Por ai është ende larg revolucionit kulturor që do të duhej të ndoshte, kur zyrtarët evropianë t?i njihnin qytetarët e Ballkanit si partnerët e tyre kryesorë.

Kjo do të forconte përpjekjet e Brukselit, për t?i detyruar qeveritë e rajonit të zbatojnë angazhimet e tyre. Metodologjia e re, nuk arrin të reflektojë mbi rolin kundërproduktiv dhe të dëmshëm që kanë fondet e BE-së, në forcimin e ekonomive rajonale të kapura nga partitë politike.

Së fundmi, edhe pse është e qartë se ekziston një interes për të mbajtur Malin e Zi dhe Serbinë në pararojë të procesit, dhe për të ftuar me vonesë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për çeljen e negociatave, statusi i Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës nuk mund të injorohet, dhe as nuk mund të lejohet që këto të fundit të shndërrohen në geto.

Natyra e luftërave, i ka sakatuar tashmë këto vende. Kërcënimet më të mëdha janë tashmë rënia e madhe demografike, teksa qytetarët kanë vendosur të emigrojnë në BE, nëse BE nuk do të shkojë tek ata. Ndërkohë, propozimi i fundit i Komisionit Evropian, nuk arrin të adresojë problemet kryesore të politikës së zgjerimit:partneriteti me elitat e korruptuara të Ballkanit, mungesa e vullnetit për të përdorur mjetet ekzistuese, dhe potenciali përçarës i shteteve anëtare jo-liberale të BE-së, si Hungaria dhe Polonia./Përshtatur nga CNA.al

 

Lajmet e fundit nga