LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Denis Dyrnjaja/ Për nënën e vrarë dhe për nënat në rrezik nga injoranca e moralit

6 Shkurt 2020, 13:05, Opinione CNA
Nga Denis Dyrnjaja/ Për nënën e vrarë dhe për

Nëna e pajetë!

Një grua, një bashkëshorte, një bijë prindërish, një motër por mbi të gjitha një nënë nuk jeton më. Mendja s’më shqitet në pasazhin e përfytyruar kur 3 fëmijët e nënës së pajetë rrinin mbi trupin e saj dhe më i vogli i tyre kërkonte gji se ishte vetëm 1 vjeç, ndërsa trupi i saj dergjej në dyshemenë e shtëpisë pa jetë, masakruar me thikë.

Babai biologjik ua kishte ndalur mëmësinë barbarisht pasi marrëzia e xhelozisë e shtyu t’i merrte jetën gruas me të cilën kishte 3 fëmijë. Po si mundet që zemra e shpirti të të shtyjë në këtë marrëzi, cilido qoftë shkaku dhe sado i fortë motivi? Si mundet të kryesh një akt mesjetar duke ditur se do lësh 3 fëmijë jetim e se për ta do jesh për jetë babai kriminel?!

A ka motiv më të fortë se t’i thuash vetes ndal kur mendon se po lë jetim fëmijë pa nënë?! Si mundet që në këtë shoqëri thika ngulet kaq lehtë në mish e për më shumë e më shpesh në mishin e një gruaje, e grave, nënave dhe motrave tona?! Një ngjarje që kalon me raportime rutinë lajmesh.

Asnjë analizë psiko/sociologjike. Nga mëngjesi deri në darkë merren portale e kanale me dashnore e dëshnorë pseudo/vipash, pseudo arti dhe gjithçka tjetër, por askush nuk flet për dramën e familjes dhe shoqërisë shqiptare, për nënën e vrarë dhe për nënat në rrezik nga injoranca e moralit, nga llumi i thashethemeve, nga nevoja për jetesë apo dhe mbijetesë që ndan njerëzit në kurbet e më pas prodhon drama e tragjedi të tilla që tronditin këdo në botë, por jo më këtë milet.

Tani jemi mësuar dhe bashkëjetojmë me krimin, vrasjen, përdhunimin, rrëmbimin. I kemi fenomene normale. Po si është e mundur të mos ketë një protestë të këtyre shoqatave që mbrojnë të drejta grash dhe fëmijësh?! Heshtje varri, si varri që mban trupin e shumë nënave e grave të masakruara nga injoranca dhe errësira mendore mashkullore. Jemi turpi i vetes që jetojmë me aromën e vdekjes, sepse hundët na janë zënë nga parfumi i injorancës!

Lajmet e fundit nga