Kosova & Rajoni
“Gozhda” e dytë e Ramush Haradinajt / Nxjerr një tjetër “sekret” për Tiranën zyrtare

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka ngulur një tjetër “gozhdë” Tiranës zyrtare, ndërkohë që ka nxjerrë një “sekret” të pa artikuluar më parë nga ana e tij.
Pasi më parë ka akuzuar kryeministrin Rama se në bashkëpunim me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë serb Vuçiç ka përkrahur strategjinë e shkëmbimit të territoreve të Kosovës me Serbinë, Haradinaj gjatë një interviste dhenë TV “T7” në Prishtinë, ndër të tjera ka dekonspiruar se autoritet e Tiranës e kanë detyruar të paguajë tarifa rrugore edhe gjatë vizitave të tij zyrtare në vendin amë.
Kryeministri Haradinaj pohoi se autokolona e tij është ndalur dhe detyruar të paguajë tarifën rrugore të Shqipërisë, megjithëse ishte nën përcjellje protokollare.
“Shqipëria e ndal kryeministrin e Kosovës në autorrugë, nuk më ka ndalur as Maqedoni e as Bullgari, ju siguroj, nuk e kanë ndalur, si e kanë marrë vesh që është makina e kryeministrit, ka dalë polici, nuk të vonon sepse nuk duhet, nuk parashihet janë këto protokolle të sigurisë. Për shembull pyetja shtrohet, a paguan Edi Rama kur të vjen nga andej? Nëse ai nuk paguan si kryeministër pse e trajton kryeministrin e Kosovës ndryshe? Unë jam duke e thënë një të vërtetë, kësaj here kemi qenë duke shkuar në një intervistë në Shqipëri, kanë qenë dy makina të policisë shqiptare, një xhip dhe një makinë lokale, u ndal krejt dhe unë thashë çka ndodhi, sa herë që kam shkuar si kryeministër mua më kanë ndalur të bëj aty pagesën”, tha Haradinaj.
Në anën tjetër, i pyetur nga radioja amerikane “VOA” lidhur me këtë pohim të Haradinajt, Ministria e Jashtme e Shqipërisë tha se kjo ka ndodhur pasi të gjitha autoritetet e nivelit të lartë, qofshin shqiptare apo jo, përfshirë edhe delegacione të nivelit të lartë në vizita zyrtare nuk janë të përjashtuar nga taksa rrugore./ CNA.al