Connect with Us

Shoiçi Jokoi, japonezi që u fsheh 28 vjet në xhungël, dhe nuk e dinte se lufta kishte përfunduar

Blog

Shoiçi Jokoi, japonezi që u fsheh 28 vjet në xhungël, dhe nuk e dinte se lufta kishte përfunduar

Publikuar

-

Shoiçi Jokoi ishte 26-vjeç, kur u rekrutua në radhët e ushtrisë japoneze në 1941. Në atë kohë, ushtarëve u mësohej se dorëzimi tek armiku, ishte fati më i keq i mundshëm për një ushtar. Prandaj kur forcat amerikane pushtuan në vitin 1944 ishullin e Guamit që kontrollohej deri në atë kohë nga trupat japoneze, Jokoi u fsheh në xhungël.

Ai gërmoi një shpellë nën tokë pranë një ujëvare, e mbuloi atë me dru bambuje dhe kallamishte, dhe qëndroi aty për 28 vite, deri kur u zbulua më 24 janar 1972 nga 2 gjahtarë pranë një lumi. Jokoi i sulmoi gjahtarët, por ata e neutralizuan shpejt ushtarin që ishte kockë e lëkurë, dhe e shoqëruan atë tek autoritetet, ku ai rrëfeu historinë e tij të çuditshme.

Në shumicën e kohës Jokoi, besonte me vendosmëri se ish-shokët e tij do të ktheheshin një ditë për ta shpëtuar. Edhe kur u zbulua pas gati 3 dekadash, ish-ushtari tashmë 57-vjeçar besonte se lufta vazhdonte ende, dhe se jeta e tij ishte në rrezik. “Ai ishte vërtet i frikësuar”- u shpreh më vonë nipi i tij Omi Hatashin.

Gjatë mungesës së thuajse 3-dekadëshe, Japonia kishte ndryshuar shumë. Disa e cilësuan frymëzues stoicizmin dhe besnikërinë e tij, të tjerët një gjë absurde. Ai u martua po atë vit, vetëm pak muaj nga rikthimi i tij në atdhe dhe vdiq në vitin 1997, në moshën 82-vjeçare.

Ai dëshironte të takonte perandorin Hirohito, dhe në fund pati mundësi të takonte pasardhësin e tij perandorin Akihito në vitin 1991. “Jukoi druhej se do ta cilësonin një rob lufte, dhe kjo gjë do të ishte turpi më i madh për një ushtar japonez, dhe për familjen e tij”- thekson Hatashin.

Kur po e largonin nga shpella e tij në xhungël, Jokoi iu përgjërua që ta vrisnin. Duke përdorur kujtimet e vetjake të Jokoit, botuar në japonisht 2 vjet pas zbulimit të tij, si dhe dëshminë e atyre që e gjetën atë ditë, Hatashin shpenzoi vite duke shkruar historinë dramatike të xhaxhait të tij. Libri i tij, “Lufta dhe jeta private e Jokoit në Guam, 1944-1972”, u botua në anglisht në vitin 2009.

“Unë jam shumë krenar për të”- thotë nipi. Vetëizolimi i tij i gjatë nisi në korrikun e vitit 1944, kur forcat amerikane sulmuan Guamin, si pjesë e ofensivës së tyre kundër japonezëve në Paqësor. Luftimet ishin të ashpra, dhe viktimat e shumta nga të dyja palët.

LEXO EDHE:  A do të jetë Kisha e Shën Sofisë në Stamboll, viktima e radhës e Erdoganit?

Por kur komanda japoneze u shpërbë, ushtarëve si Jokoi u mbeti të kujdeseshin vetë për fatin e tyre. Ata u kujdesën shumë që të mos zbuloheshin. Vitet e para, u reduktuan shpejt në numër, dhe ushqeheshin duke kapur dhe vrarë bagëtitë që mbarështonin banorët e zonës.

Nënkoloneli Hiro Onoda, drejtoi një forcë guerile në ishullin Lubangut në Filipine, edhe për shumë vite pas përfundimit të luftës. Ai u dorëzua shumë vite më vonë dhe u riatdhesua vetëm në marsin e vitit 1974. Teruo Nakamura, një ushtar nga Tajvani, u gjet në ishullin indonezian Morotai në dhjetorin e vitit 1974.

Nga frika e zbulimit nga trupat amerikane, dhe më vonë nga gjahtarët vendas, japonezët u tërhoqën gradualisht më thellë në xhungël. Atje konsumonin bretkosa, ngjala dhe minj. Jokoi ndërtoi me kallamishte një mjet për kapjen e ngjalave të lumit.

“Ai ishte një tip shumë i shkathët”-thotë Hatashin. Duke e mbajtur veten me punë, ai kishte mundësi të mos mendonte shumë për gjendjen e tij të vështirë apo familjen në shtëpi. Në kujtimet e tij Jokoi, flet për bindjen e tij për të mos hequr dorë nga shpresa, sidomos në 8 vitet e fundit kur jetoi krejtësisht i vetëm, dhe kur 2 shokët e tij të fundit që mbijetuan, vdiqën gjatë një përmbytje në vitin 1964.

Duke kujtuar në një rast nënën e tij të moshuar që kishte lënë në shtëpi, ai shkruan:”Ishte e kotë t’i shkaktoja dhimbje zemrës time, duke u ndalur në gjëra të tilla”. Dhe për një rast tjetër, kur ishte shumë i sëmurë shkroi:”Jo! Unë nuk mund të vdes këtu. Nuk mund ta ekspozoj kufomën time ndaj armikut. Duhet të kthehem të vdes në shpellën time për të vdekur. Deri tani ia kam dalë të mbijetoj, por gjithçka po shkon drejt fundit”.

Dy javë pas zbulimit në xhungël, Jokoi u kthye në shtëpi në Japoni, ku u mirëprit në aeroport si një hero nga mijëra njerëz. Ai u intervistua në radio dhe televizion, dhe u ftua rregullisht të flasë në universitete dhe shkolla në mbarë vendin. Hatashin, tha se xhaxhai i tij ishte gjithnjë e më shumë nostalgjik për të kaluarën e tij, dhe para vdekjes së tij në vitin 1997, u rikthye disa herë në Guam bashkë me gruan e tij./ BBC-Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Kush ishin spiunët që ua shitën sovjetikëve sekretet e bombës atomike?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Që gjatë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë kundër Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik nisi një përpjekje të gjerë për të mbledhur informacione mbi programin sekret të bombave bërthamore anglo-amerikane, që do të bëhej i njohur si Projekti Manhatan.

Si pjesë e operacionit Enormoz (që do të thotë shumë  i madh), agjentët sovjetikë rekrutuan jo pak spiunë amerikanë dhe britanikë, të cilët ishin komunistë të përkushtuar, përfshirë disa shkencëtarë në laboratorin e Los Alamos.

Shtrirja e këtij rrjeti spiunazhi ishte e panjohur deri pas luftës, kur Shtetet e Bashkuara dhe Britania arritën të deshifrojnë kodin e përdorur nga telegrafët sovjetikë. Për shkak se projekti i deshifrimit, i njohur si Venona, mbeti i klasifikuar deri në vitin 1995, provat e marra nga ai nuk mundën të përdoren në gjykatë. Kjo bëri që shumë spiunë të dyshuar t’i shpëtojnë ndjekjes penale.

Xhon Keirnkros

Xhon Keirnkros punonte si sekretar personal i Sër Moris Hankej, një zyrtar i lartë britanik i përfshirë në ‘Tube Alloys’, programi sekret bërthamor britanik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai i dërgoi Moskës një listë të shkencëtarëve atomikë amerikanë, dhe mund të ketë vjedhur informacion në lidhje me një raport që vlerësonte perspektivat e Britanisë për të ndërtuar një bombë me uranium në vitin 1941.

Pasi u mor në pyetje nga shërbimi sekret britanik, MI5, në vitet 1960, ku pranoi se ishte spiun sovjetik, Keirnkros dha informacione në këmbim të imunitetit nga ndjekja penale. Në vitin 1990, ai u identifikua si “Njeriu i Pestë” në grupin famëkeq të spiunëve britanikë, ku bënin pjesë edhe Kim Filbi, Gai Barxhes, Donald Maklin dhe Entoni Blënt, që u njohën me njëri-tjetrin gjatë studimeve në Universitetin e Kembrixhit në vitet 1930. Keirnkros vdiq më 8 tetor 1995 në Hirfordshajër, Angli.

Melita Norud

Spiunia më jetëgjatë e Bashkimit Sovjetik në Britani, Norud punoi si sekretare e kreut të projektit ‘Tube Alloys’. Teksa bënte një jetë në dukje normale në periferinë e Londrës, ajo

u kaloi informacione agjentëve sovjetikë gjatë gjithë luftës dhe në vitet 1970. Mbetet e paqartë se sa e ndihmoi spiunazhi i saj programin atomik sovjetik.

Por fakt është se ajo u nderua zyrtarisht për punën e saj kur vizitoi Moskën në vitin 1979. Kur u demaskua më në fund në vitet 1990, Norud e pranoi me gëzim atë që kishte bërë, dhe tha se do e bënte sërish po të kishte mundësi.

Klaus Fuks

Fuks, ishte një fizikant me origjinë gjermane. Ai u arratis në Angli pas ardhjes së nazizmit në krye të Gjermanisë në vitin 1933, dhe u bë shtetas britanik në vitin 1942. Që në atë kohë, ai ishte ofruar të spiunonte për sovjetikët.

Në fundin e vitit 1943, Fuks iu bashkua një grupi shkencëtarësh britanikë që udhëtuan në Los Alamos, për të punuar për Projektin Manhatan. Më vonë ai u kaloi sovjetikëve informacionet kryesore në lidhje me ndërtimin e armëve atomike. Kjo mundësoi përshpejtimin e programit bërthamor të Bashkimit Sovjetik. Fuks u demaskua dhe pranoi gjithçka në fillim të vitit 1950.



Dejvid Gringlas

Një inxhinier i ushtrisë amerikane, Gringlas kishte punuar në bazën sekrete bërthamore në Ok Rixh, Tenesi, para se të caktohej me punë në Los Alamos në vitin 1944. I rekrutuar për të spiunuar për sovjetikët nga kunati i tij, Julius Rozenberg, Gringlas u dha informacione sekrete sovjetikëve në mesin e vitit 1945,që përfshinin një skicë të bërë me dorë dhe shënime që përshkruanin bombën atomike.

LEXO EDHE:  Mega-Skandali Leskaj/ CNA.al ju bën thirrje misioneve diplomatike që të ndërhyjnë

LEXO EDHE:  A do të jetë Kisha e Shën Sofisë në Stamboll, viktima e radhës e Erdoganit?

Griglas u kap në vitin 1950. Në rrëfimin e tij ai implikoi të motrën, Etel Rozenberg. Bashkëpunimi i garantoi një dënim më të lehtë dhe imunitet për gruan e tij, Rut. Bazuar kryesisht në dëshminë e Gringlas, çifti Rozenberg u dënua me vdekje dhe u ekzekutua

në qershorin e vitit 1953.

Rasëll Meknat

Meknat ishte një inxhinier civil në Nju Jork dhe një mik i Julius Rozenberg. Në fundin e vitit 1943, ky i fundit e inkurajoi të niste punë në Keleks, një kompani që po ndërtonte uzinën masive të difuzionit të gaztë për të ndarë uraniumin në Ok Rixh. Rozenberg e lidhi Meknat me KGB sovjetike.

Edhe pse u dha sovjetikëve modelin e uzinës, Meknat e refuzoi ofertën e Keleks për t’u zhvendosur nga Nju Jorku në Ok Rixh, ku ai do të kishte pasur qasje tek më shumë të dhëna shkencore. Pas luftës, Meknat punoi për “Gulf Oil”. Spiunazhi i tij u zbulua më vonë nga shënimet e Aleksandër Vasiliev, gazetar dhe ish-oficer i KGB-së.

Klarens Hiskej

Hiskej, me profesion kimist, nisi të punojë mbi shpërbërjen e gazit në Universitetin e Kolumbias, dhe më vonë u transferua në Laboratorin Metalurgjik të Çikagos (Met Lab), një nga degët kryesore të Projektit Manhatan. Hiskej i kaloi informacione sekrete GRU, shërbimit sekret ushtarak sovjetik.

Në vitin1944 ai u fotografua duke u takuar me agjentin e njohur sovjetik Artur Adams. Zyrtarët e shërbimit sekret të ushtrisë amerikane e zhvendosën nga Çikago në Alaskë. Pas luftës Hiskej u thirr për të dëshmuar para një komiteti të Kongresit, por nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me spiunazhin e tij të dyshuar.

Teodor Holl

Në mesin e viteve 1990 u zbulua se Holl, fizikanti më i ri në Projektin Manhatan, ishte spiuni i tretë i dyshuar prej kohësh në Los Alamos. Në fund të  vitit 1944 ai vendosi kontakte me sovjetikë, dhe më  vonë  u dha atyre informacione mbi zhvillimin e bombës me plutonium. FBI mësoi mbi spiunazhin e tij në fillim të vitit 1950. Më vonë Holl u transferua në Britani, ku u bë një pionier i kërkimit biologjik.

Oskar Seborer

Në vitin 2019, pas kërkimit në dosjet e de-klasifikuara së  fundmi të FBI-së, u raportua një spiuni katërt sovjetik në Los Alamos. Oskar Seborer, ishte djali i 2 emigrantëve hebrenj nga Polonia. Me profesion inxhinier elektrik, ai punoi në Los Alamos gjatë viteve 1944-46.

Ndonëse nuk dihet ende saktësisht se çfarë informacioni u dha Seborer sovjetikëve, puna e tij i dha qasje në informacione të ndryshme, përfshirë të dhënat kryesore në lidhje me metodën e shpërthimit të bombës. Kur FBI zbuloi spiunazhin e Seborer në mesin e vitit 1950, ai ishte arratisur nga SHBA dhe ishte vendosur në Rusi, ku jetoi deri sa vdiq në vitin 2015./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Geishat, kush janë “zonjat argëtuese” enigmatike të Japonisë

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

(Pjesa e dytë)

Me kalimin e kohës, dhe sidomos gjatë epokës së lulëzuar perandorake Heian, Geishat u vendosën me banim në oborrin Perandorak Japonez. Në atë kohë një theks i madh iu vu bukurisë, dhe Geishat janë mishërimi i atij koncepti. Por nga ana tjetër është e rëndësishme të kuptohet koncepti japonez mbi “bukurinë”.

Kjo e fundit gjendet tek gjërat e thjeshta dhe delikate, tek eleganca fizike dhe paqja shpirtërore, tek qetësia dhe natyra e thjeshtë. Kështu, Geisha është elegante, ajo i kryen gjërat ngadalë dhe me masë.

Ajo është melankolike dhe ka një sjellje shumë paqësore.

Gjatë periudhave të Mesjetës dhe të modernitetit të hershëm, Geisha nisi të shfaqë çdo aspekt të asaj që konsiderohej si bukuri. Ajo paraqitej së jashtmi me një grim të rëndë në fytyrë: Aristokratet japoneze dhe Geishat, paraqiteshin me fytyra të bardha me shumë pudër, buzëkuq shumë të shndritshëm dhe dhëmbët e zinj.

Ekziston një keqkuptim modern – që filloi pas Luftës së Dytë Botërore – se Geishat janë kurtizane dhe punëtore seksi. Por kjo është larg të vërtetës. Para shekullit VII-të Pas Krishtit, Geishat dilnin vërtet nga kurtizanet, sidomos nga ato rangjeve më të larta. Por ato ishin të afta në vallëzim, në shkrimin dhe recitimin e poezive, në aftësi të ndryshme sociale, si dhe në luajtjen e instrumenteve të ndryshme.

Nga ai moment ato morën rolin e Geishës siç është edhe sot, që nuk lidhet ekskluzivisht me aktivitetin seksual. Shoqëria japoneze – si çdo shoqëri tjetër në këtë botë – ka pasur prostituta dhe konkubina, por ato nuk ishin Geisha. Nga ana tjetër, Geisha mund të zgjidhte të kishte një partner apo mbrojtës më intim.

Ai njihet si partneriteti “danna”, ku Geisha mund të kishte një mbrojtës që i paguante shpenzimet, i blinte dhurata, dhe që do të përfshihej më shumë personalisht me të. Kjo marrëdhënie përfshinte shpesh seksin, dhe shpesh ishte e rezervuar për burrat më të pasur dhe më me ndikim në shoqërinë japoneze.

Por Geisha e bënte këtë me dëshirën e saj, dhe shpesh e nxitur nga dashuria e saj për personin në fjalë. Është një fakt i trishtë që shumica e Geishave në periudhën mesjetare të Japonisë, e kishin origjinën nga shtresat më të varfra të shoqërisë.

Një okiya – shtëpia e Geishave – rekrutonte vajza të reja nga familjet që detyroheshin t’i  shisnin vajzat e tyre për shkak të varfërisë ekstreme. Ai moment ishte gati në çdo rast hera e fundit që vajza do ta shihte familjen e saj. Kur të hynte në okiya, vajzat do të jetonin në një shoqëri rreptësisht matriarkale, pa burra përreth.

Okaa-san, ose ‘nëna’ e shtëpisë, ishte një grua e martuar që mbikëqyrte trajnimin rigoroz

të kandidateve për Giesha, proces që zgjaste shpesh për dekada. Ajo do të investonte shumë në një Geisha potenciale, dhe nga vajza pritej që ta shlyente atë borxh më vonë gjatë karrierës së saj. Kjo është arsyeja pse shumë Geisha vendosën të kishin një bamirës, ​​një  mbrojtës “danna”, që do të paguante një pjesë të shpenzimeve të tyre të mëdha.

Një jetë e përkushtuar këtij profesioni, dhe një trajnim shumë rigoroz

Natyrisht, një Geisha e mundshme do të duhej të ngrihej gradualisht në rangjet e hierarkisë. Në fillim, një vajzë e re do ta fillonte si një shërbëtore e thjeshtë e shtëpisë, dhe më vonë mund të bëhej një nxënëse. Me kalimin e viteve, dhe pas shumë mësimeve të marra, ajo mund të ngrihej në gradën e lakmuar të një Geishe me një status të plotë.

Nuk ishte ndonjë sekret fakti, që vajzat e sapoardhura të shiheshin shpesh shtrembër, apo të keqtrajtoheshin nga vajzat me përvojë të shtëpisë. Por në këto rrethe, kishte edhe shumë lidhje dhe miqësi të forta, sidomos kur një vajzë bëhej nxënëse e një Geishe veterane.

Një hap vendimtar në rrugën e vajzës së re për t’u bërë një Geishë, ishte ceremonia e quajtur  mizuage. Një ngjarje prestigjioze dhe plot detaje, mizuage ishte ankandi i virgjërisë së një vajze të re. Burra të rangut të lartë, të pasur dhe me ndikim, të cilët duhej të ishin të nderuar dhe me sjellje të qytetëruara – do të ofronin çmimin më të lartë për t’i zhvirgjëruar ato.

LEXO EDHE:  A do të jetë Kisha e Shën Sofisë në Stamboll, viktima e radhës e Erdoganit?

LEXO EDHE:  Mbërrijnë 37 afganë të tjerë në Shqipëri/ Ja ku do akomodohen



Shuma e parave të paguara do të merrej për “nënën” e shtëpisë, dhe do të ishte pjesë e shlyerjes së borxhit të Geishës së ardhshme. Kur prostitucioni në Japoni u ndalua me ligj, u ndal edhe kjo praktikë. Nuk ishte e pazakontë që burrat të binin dëshpërimisht në dashuri me një Geisha.

Kjo pasi ato ishin mishërimi i nurit dhe i elegancës femërore. Në një epokë kur martesat bëheshin me shkes, burrat ishin shpesh të pakënaqur nga familja e tyre. Kështu, ata kërkonin shpesh shoqërinë e një Geishe.

Këta ishin zakonisht komandantë ushtarakë të rangjeve të larta, biznesmenë të pasur, apo figura politike me ndikim. Me paratë dhe prestigjin e mjaftueshëm, këta burra mund të siguronin një takim kokë më kokë me një Geisha, e cila nuk përfshinte intimitetin.

Një seancë do të zgjasë për aq kohë sa të digjej një shkop i bërë prej drurit të temjanit, senkodai. Me kalimin e kohës, një burrë që magjepsej nga një Geisha, mund të bëhej mbrojtësi i saj, danna, gjithnjë nëse binte dakord kjo e fundit.

Mbrojtësi do të bëhej bamirës dhe dashnor i Geishës. Sa më i fuqishëm dhe me ndikim të ishte ai, aq më shumë do të rritej reputacioni i Geishës. Nëse do ishte shumë i pasur, i dashuri i saj mund të ndihmonte në shlyerjen e borxhit të saj të madh, dhe t’i garantonte asaj një jetë me prestigj dhe ndikim.

Një Geisha mund të ketë vetëm një “danna” të vetëm në të njëjtën kohë, dhe mund t’i jepte fund lidhjes nëse dëshironte, dhe të kërkonte një lidhje të re. Me stilin e tyre shumë kompleks, dhëmbët e nxirë, stilin unik të flokëve, mirësjelljen, dhe veshjet e tyre të shtrenjta kimono, Geishat ishin ato që diktonin tendencat e modës në kohën e tyre. Sigurisht, për shkak të kostos së madhe të këtyre privilegjeve, shumica e këtyre tendencave ishin gati të pamundura për t’u arritur nga gratë e tjera.

Këmbëngulje përgjatë gjithë epokave, ashtu siç e di vetëm një Geisha

Lufta e Dytë Botërore, pati efekte shkatërrimtare në të gjithë kulturën japoneze dhe traditat e saj, përfshirë Geishat. Pas luftës, një pjesë e madhe e popullsisë së Japonisë u zhvendos, dhe u harruan traditat e vjetra. Në fund të luftës, shtëpi të shumta të Geishave u shkatërruan nga trupat amerikane.

Geishat e gjetën veten në një botë, ku hasën jo pak vështirësi të rruanin bukurinë, dhe të gjenin kohë për ta shijuar edhe një herë atë. Kjo i detyroi shumë Geisha veterane të kërkonin punë të tjera.

Po ashtu, punonjëset e zakonshme të seksit ishin në gjendje të imitonin Geishat, duke e maskuar veten si të tilla, dhe duke ofruar shërbime seksuale për trupat amerikane. Nga ana tjetër kjo krijoi një keqkuptim të shumë-përhapur, se Geishat ishin në të vërtetë prostituta të shoqërisë së lartë.

Kjo nuk është e vërtetë. Lufta i zbehu traditat e Geishave, dhe reduktoi ndjeshëm numrin e tyre. Për pasojë sot në Japoni ka vetëm disa qindra Geisha të vërteta dhe tradicionale, kryesisht në Kioto. Sigurisht, në kohët moderne, të qenit Geisha nuk nënkupton më një jetë as strikte sa dikur.

Shumica e këtyre grave bëjnë një  jetë normale:ato mund të ndjekin shkollën e lartë, të martohen, dhe të krijojnë një familje. Sidoqoftë, rruhen ende tiparet më të famshme të Geishës, të cilat përmirësohen në një nivel të lartë aftësimi, duke e vazhduar kësisoj këtë traditë shekullore. Dhe është pikërisht Geisha, ajo që ndihmon në ruajtjen e misterit të Japonisë dhe traditave të saj të pavdekshme./CNA.al

Geishat, kush janë “zonjat argëtuese” enigmatike të Japonisë

LEXO TE PLOTE

Blog

Si funksionon valixhja bërthamore e Presidentit Amerikan?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Me kërcënimet e ardhshme që vijnë nga ndryshimi i klimës, koronavirusi, luftërat e gjata dhe të pafrytshme, destabilitetin politik të shumë-përhapur, asteroidët, si dhe rreziqet e tjera të panumërta që e kërcënojnë ekzistencën tonë tokësore, mund të jetë e lehtë të harrosh “pajisjet e Apokalipsit” që shpikëm fatkeqësisht gjatë shekullit që shkoi.

Në janar të këtij viti, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë, e vendosi orën e “fundit të botës” që mban vetëm 100 sekonda afër “mesnatës bërthamore”, që mund të shkaktohet nga bombat bërthamore, të cilat në fakt nuk duhej t’i kishim shpikur kurrë.

Buletini thekson se “nëse njerëzimi do që të shmangë një katastrofë ekzistenciale –  e cila do t’ia kalonte gjithçkaje që ka parë bota deri më sot- udhëheqësit kombëtarë duhet të bëjnë një punë shumë më të mirë për të luftuar fushatat e keqinformimit, për t’i kushtuar vëmendje shkencës, dhe për të bashkëpunuar për të zvogëluar rreziqet globale”.

Me fjalë të tjera, jemi të gjithë në një rrezik të madh. Që nga viti 1962, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka bërë punën e tij për të siguruar që ne të mos vdesim të gjithë nga retë e tmerrshme që shkakton zjarri radioaktiv, duke na ruajtur njëkohësisht nga mundësia e një fati kaq të tmerrshëm.

Sipas “Smithsonian Magazine”, ajo ishte koha kur qeveria amerikane nisi të praktikonte “futbollin bërthamor”, që kishte të bënte me një valixhe të zezë që mbahej pranë presidentit në çdo kohë, teksa ai mund të ketë nevojë që të nisë një sulm bërthamor. Po si funksionon kjo procedurë, dhe si na mbron ajo nga shkatërrimi i ndërsjellë?

Presidenti mund të lëshojë një raketë bërthamore brenda pak minutash

Edhe pse valixhja bërthamore, nuk përmban ndonjë buton të madh të kuq që mund të lëshojë menjëherë një armë bërthamore, procesi super-kompleks mund të kryhet brenda pak minutash nga vendimi i presidentit.

Sapo presidenti merr vendimin për të nisur një sulm bërthamor, ai mban një takim me këshilltarë e tij ushtarakë të rangut të lartë. Takimi zhvillohet përmes një linje telefonike të sigurt, edhe nëse presidenti është në udhëtim e sipër.

Pas konsultimit me ta, nëse presidenti synon ende që të godasë me armë një shtet armik, urdhri duhet të verifikohet përmes një kodi që i lexohet presidentit, i cili do ta vërtetojë atë me “biskotën”, një kartë që përmban përgjigjen përkatëse ndaj kodit që merr.

LEXO EDHE:  A do të jetë Kisha e Shën Sofisë në Stamboll, viktima e radhës e Erdoganit?

LEXO EDHE:  A do të jetë Kisha e Shën Sofisë në Stamboll, viktima e radhës e Erdoganit?

Në hapin tjetër, Pentagoni duhet të dërgojë një mesazh të koduar tek ekipet përkatëse të lëshimit të raketave bërthamore. Këto të fundit aktivizojnë njëkohësisht çelësat e tyre. Megjithëse çdo ekuipazh ka 5 çelësa, për të nisur një raketë kërkohen vetëm 2 të tilla.



Ky skenar mund të nisë të zbatohet brenda pak minutash nga vendimi i presidentit për të përdorur valixhen bërthamore. Që të lëshohen armët bërthamore të lëshuara nga nëndetëset, duhet të miratohen nga kapiteni, oficeri ekzekutiv dhe 2 oficerë të tjerë në bord.

Ky proces mund t’i bëjë gati bombat atomike brenda 15 minutave nga urdhri i presidentit. Përkundër këtyre kontrolleve dhe ekuilibrave të shumtë në këtë proces kompleks, “futbolli bërthamor” i jep presidentit të fillojë “fundin e botës”.

Të qenit kreu i qeverisë amerikane, i jep natyrshëm presidentit një aurolë madhështie. Kjo mund të na bëjë të harrojmë ndonjëherë faktin që Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Amerikane është po aq njerëzor sa ne të tjerët. Dhe siç na kujton ajo shprehja e vjetër, marrëzia është në natyrën e njeriut.

Gjithsesi, në kushtet kur një neglizhencë e thjeshtë njerëzore mund të sjellë vdekjen e të gjithëve njerëzve mbi Tokë, presidentët amerikane duhet të kenë kujdesin më të madh të mundshëm. Mjerisht nuk ka ndodhur gjithmonë kështu.

Sipas BBC, ish-presidenti Bill Klinton e harroi valixhen pas një takimi të samitit të NATO -s në vitin 1999. Xherald Ford e harroi në një rast në bordin e avionit presidencial “Air Force One” kur mbërriti në Paris për një samit ekonomik. Edhe Xhimi Karter e harroi kartën me kodet në kostumin që kishte dërguar për pastrim kimik.

Kodet u lanë shkujdesur në një qese plastike në një korridor të spitalit, kur mjekët e zhveshën presidentin Ronald Reagan për ta operuar për shkak të një plage me armë zjarri, pas një atentati të dështuar ndaj tij në vitin 1981.

Shpresojmë që një ditë të jetojmë në një botë ku as “futbolli bërthamor’ dhe as valixhja famëkeqe, të mos jenë më të nevojshme. Deri atëherë, na mbetet vetëm të shpresojmë që presidentët e ardhshëm amerikanë të jenë pak më të kujdesshëm me kodet e tyre bërthamore./CNA.al

LEXO TE PLOTE