Connect with Us

“Mehmet, ulu po të them”/ Debatet e ashpra mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, për ndërtimin e aeroportit të Gjadrit

Politikë

“Mehmet, ulu po të them”/ Debatet e ashpra mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, për ndërtimin e aeroportit të Gjadrit

Publikuar

-

Memorie.al publikon historinë e panjohur me dëshmitë e rralla të  ish-Komandantit të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë dhe deputetit të Kuvendit Popullor, kolonel Edip Ohri, lidhur me debatet e ashpra të zhvilluara në Këshillin e Mbrojtjes në fillimin e viteve ‘70-të në mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut,  lidhur me kontraditat që kishin ata dhe udhëheqja e lartë e asaj kohe për shumë nga problemet e mbrojtjes, marrëdhëniet me kinezët dhe me vëndin ku duhet të ndërtoheshin disa nga veprat më të mëdha ushtarke, siç ishte aerporti i Gjadrit, etj…

“Kryemnistri Mehmet Shehu në mënyrë kategorike ishte kundër variantit që aeroporti ushtarak të ndërtohej në Luginën e Gjadrit dhe ai ngulte këmbë që ai të bëhej në Hekal të Mallakastrës. Pas shumë debateve, aty nga viti 1971 kjo çështje u shtrua për miratim në Këshillin e Lartë të Mbrojtjes, ku përveç Enver Hoxhës, bënin pjesë dhe Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Adil Çarçani dhe Hito Çako. Përveç Drejtorit të Xhenjos, Mendu Backës dhe kryeinxhinjerit, Lavdosh Dule, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, në atë mbledhje më thërritën edhe mua. Pas hapjes së mbledhjes nga Enver Hoxha, i pari e mori fjalën Mendu Backa, i cili tha se sipas konsultimit që ishte bërë edhe me palën kineze, Ministria e Mbrojtjes ishte e mendimit që aeroporti të ndërtohej në Gjadër, pasi vetëm ai i plotësonte të gjitha kushtet e parametrat e kërkuara. Në atë moment kur Mendu Backa nuk e kishte mbaruar akoma fjalën, Mehmet Shehu u çua në këmbë dhe tha: ‘Unë nuk jam dakort. Këta kërkojnë shumë, ajo është toka më pjellore e Lezhës’. Ndërkaq ndërhyri Enveri duke i thënë Mehmetit që të ulej, por ai vazhdoi të mbronte idenë e tij dhe nuk tërhiqej nga e vetja’. Biseda u acarua aq shumë, sa që Enveri u detyrua të çohej disa herë në këmbë dhe me një ton tepër të lartë i drejtohej Mehmetit, duke i thënë: ‘Mehmet, ulu po të them. Këtë janë specialistë, këta e dinë më mirë”.

Kështu e kujtonte koloneli në pension dhe ish-deputet i Kuvendit Popullor e Komandant i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, Edip Ohri në një intervistë të dhënë për ne vite më parë, debatet e ashpra që u zhvilluan në mes Enverit dhe Mehmet Shehut në vitin 1972, lidhur me vëndin se ku do të ndërtohej një nga aeroportet ushtarake më moderne të asaj kohe.

Po si lindi nevoja për ndërtimin e atij aeroporti dhe kush ishin katër ushtarakët e lartë shqiptarë që shkuan për të marrë eksperiencë në Korenë e Veriut lidhur me tunelizimin e ushtrisë shqiptare? Përse kryeministri Mehmet Shehu insistonte pranë specialistëve kinezë dhe atyre shqiptarë që ai aeroport të ndërtohej në Hekal të Mallakastrës dhe cilat ishin arsyet që kinezët refuzuan jo vetëm Hekalin, por edhe Fushën e Shtojit, Pish-Poron, Kukësin, Gjirokastrën, Cërrikun dhe Qafën e Kazanit në Ersekë? Cilat ishin debatet e ashpëra që u zhvilluan në mes Enverit dhe Mehmetit në Këshillin e Mbrojtjes dhe si u vendos ndërtimi i aeroportit në Luginën e Gjadërit?

Lidhur me këto, e plot ngjarje e fakte të tjera të panjohura më parë, si p.sh.: bisedimet sekrete ndërmjet ushtarakëve të lartë shqiptarë dhe atyre kinezë për sjelljen nga Kina të armatimeve të rënda, takimi në Pekin në dhjetorin e vitit 1972 në mes delegacionit të lartë të kryesuar nga Beqir Balluku dhe atij kinez të kryesuar prej kryeministrit Çu En Lai, refuzimit të palës kineze për kërkesat e palës shqiptare e cila me vendim të Byrosë Politike kërkonte 18 uzina ushtarake, kritikat e ashpëra të kryeministrit kinez kundër politikës militariste që po ndiqte Enver Hoxha dhe sugjerimet e tij që Shqipëria duhej të lidhte një pakt me Beogradin e Bukureshtin, për formimin e një Blloku mbrojtës ndaj Bashkimit Sovjetik, inçizimin e fjalës së Çu En Lait nga dy radistët e Ministrisë së Brendëshme të maskuar në përbërje të delegacionit shqiptar dhe dërgimin e tij urgjent Enver Hoxhës në Tiranë, si dhe të tjera ngjarje të cilat deri në fillimin e viteve ’90-të kanë qenë të mbyllura nëpër dosje të klasifikuara si tepër sekrete dhe të një rëndësie të veçantë, na njohin dëshmitë e Edip Ohrit, njëri nga ushtarakët e lartë shqiptarë i cili ka qenë vetë pjesmarrës në të gjitha ato takime.

Po kështu, në vijim të kësaj interviste të gjatë e cila do të botohet në disa numra rradhazi të Memorie.al, do njihemi edhe me arrestimin e tij në 16 tetorin e vitit 1980, kur hetuesit, në kundërshtim me të gjitha rregullat e asaj kohe, e pyesnin Ohrin edhe për Mehmet Shehun, njeriun që vazhdonte të ishte ende në postin e Kryeministrit të Shqipërisë.

Zoti Ohri, si dhe përse u vendos që krahas disa aeroporteve ushtarake që kishte Shqipëria në atë kohë, si Kuçova, Vlora e Rinasi, të ndërtohej edhe ai i Gjadrit?

Aty nga viti 1968-‘69 pas daljes së Shqipërisë edhe “de jure” nga Traktati i Varshavës, në varësi të konjukturave politike dhe ushtarake që po ndodhin në rajon, lindi ideja e tunelizimit të ushtrisë shqiptare. Për këtë gjë në atë kohë, një ekip i Ministrisë së Mbrojtjes i përbërë nga Mendu Backa, Alfred Moisiu, Lavdosh Dule dhe një person tjetër që nuk ja kujtoj dot emrin, u dërgua në Korenë e Veriut për të marrë eksperiencë.

Përse u vendos që të merrej eksperiencë nga Koreja e Veriut dhe jo nga Kina, me të cilën Shqipëria kishte marrëdhënie shumë të mira?

Vendimi për të marrë eksperiencë nga Koreja e Veriut, u bë pasi në luftën e gjatë me amerikanët, ajo kishte përdorur me sukses tunelizimin e ushtrisë, të cilin e kishte tepër të modernizuar”.

Pas kthimit nga Koreja të ekipit shqiptar të Ministrisë së Mbrotjes, çfarë vendimesh u morën?

Ndërmjet shumë masave që u morënnë atë kohë për tunelizimin e modernizimin e ushtrisë shqiptare, u vendos që të ndërtohej edhe një aeroport ushtarak dhe tunelet e Flotës Detare, për të cilin kohë më parë ishte lidhur një marrëveshje me kinezët. Pra sipas asaj marrëveshje të nëshkruar në mes Ministrisë sonë të Mbrojtjes dhe asaj kineze, ai aerodrom do të projektohej e ndërtohej i gjithi me financimet e palës kineze, të cilët pas ndërtimit, do të sillnin edhe avionët me të gjithë bazën e nevojshme logjistike. Ndërsa pala shqiptare do të vinte në dispozicion, vetëm krahun e punës dhe çimenton. Në këtë kuadër, për të bërë tunelet e Aviacionit dhe Flotës Luftarake, në atë kohë u kërkua ndihmë nga Kina, e cila menjëherë solli një grup specialistësh prej 10-15 vetësh. Atë grup e kryesonte një specialist tepër i talentuar i quajtur Sung, i cili ishte marrë me ndërtimin e tuneleve të aviacionit jo vetëm në Kinë, por edhe në disa shtete të tjera të Afrikës që ndimoheshin prej Kinës.

LEXO EDHE:  Rrëfimi i të birit/Letra e Mehmet Shehut për Enver Hoxhën dhe si u varros nga 6 veta

Kush i priti specialistët kinezë dhe çfarë u bisedua me ta fillimisht?

Me porosi të Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut, për pritjen dhe shoqërimin e specialistëve kinezë, u ngarkua inxhinjeri Lavdosh Dule nga Drejtoria e Xhenjës dhe unë, si Komandant i Përgjithshëm i Aviacionit. Unë u thashë specialistëve kinezë, se sipas porosisë që më kishte dhënë kryeministri Mehmet Shehu, ne do të shkonim në Hekal të Mallakastrës, ku Mehmeti mendonte të ndërtonim aeroportin.

Mehmeti e kishte përcaktuar vetë Hekalin si vëndin ku do të ndërtohej aeroporti, apo ishte konsultuar edhe me ushtarakë të tjerë?

Një vit më parë, Mehmeti na kishte thërritur mua me Babaçe Faikun e Niko Hoxhën dhe na e kishte sugjeruar atë vënd. Pas kësaj ne të tre shkuam në Hekal edhe me makinë edhe duke fluturuar aty me avion dhe kur u kthyem i thamë se aty nuk mund të bëhej aeroporti”.

Edhe pse ju i kishit thënë se në Hekal nuk bëhej aeroporti, Mehmeti ngulmonte përsëri ta ndërtonte aty?

Atij i ishte mbushur mëndja për Hekalin dhe atë gjë ia miratonin edhe Mendu Backa me Lavdosh Dulen, prandaj unë u detyrova dhe shkova atje së bashku me specialistët kinezë, të cilët i vunë vizë atij vëndi duke thënë se nuk bëhet.

Po më pas ku u vendos për ndërtimin e aeroportit?

Pas refuzimit që kinezët i bënë Hekalit, Mehmet Shehu na tha të shkonim në Pish-Poro të Vlorës, të cilin kinezët e refuzuan pasi aty ishte kënetë dhe kuota zero, por mbi të gjitha tunelet ishin shumë larg aerodromit. Pas kësaj Mehmeti na tha të shkonim në Fushën e Shtojit në Shkodër, sepse aty e kishim pothuaj gati aerodromin. Edhe për Fushën e Shtojit kinezët nuk deshën, pasi ajo ishte fare pranë kufirit me Malin e Zi dhe që nga Mali i Taraboshit, (pjesa jugosllave) e gjithë fusha dukej në pëllëmbë të dorës dhe mund të qëllohej fare lehtë me artileri. Por këtu dolën probleme, pasi disa thoshin që aty mund të bëhej aeroporti dhe Mehmeti na thërriti disa herë mua e Mendu Backën. Ne të dy i thamë se nuk bëhej dhe puna vajti deri në Këshillin e Mbrojtjes, ku Mehmeti i tha Enverit: “U kam dhënë Pish-Poron e Fushën e Shtojit, por këta nuk duan”. Pas kësaj ndërhyra unë duke thënë se në Fushë-Shtoj ulja e avionëve bëhej vetëm nga njëra anë, sepse ishte kufiri shumë afër. Pas kësaj, Enveri tha: “Mehmet, ne nuk duam aerodrom me një këmbë”. Pas kësaj problemi u mbyll”.

Si u vendos më pas për aerodromin?

Pas kësaj na thanë të gjenim vënde të tjera dhe unë i shoqërova specialistët kinezë pothuaj në të gjithë Shqipërinë, duke bërë rigonicione në Kukës, Gjirokastër, Ersekë, etj, por të gjitha këto vënde u refuzuan nga pala kineze, pasi ato ishin shumë afër, kufirit dhe mund të godi-teshin lehtë. Kështu që ne u detyruam dhe pamë Gjadrin e Cërrikun, por meqënse Cërriku ndodhej shumë afër fushës së Domosdovës ku ishte planifikuar të shtrihej Kombinati Metalurgjik dhe për disa arsye të tjera të karakterit ushtarak, versioni më i mundëshëm për ngritjen e atij aeroporti gjigand që do të ndërtohej falas nga pala kineze, mbetej vetëm Lugina e Gjadrit. Por i këtij mendimi nuk ishte Kryemnistri Mehmet Shehu i cili në mënyrë kategorike ishte kundër këtij versioni dhe ai ngulte këmbë që aeroporti ushtarak të ndërtohej vetëm në Hekal të Mallakastrës. Pas shumë debateve kjo çështje u shtrua për miratim në Këshillin e Lartë të Mbrojtjes ku përveç Enver Hoxhës, bënin pjesë dhe Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Adil Çarçani dhe Hito Çako.

Po Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku pse nuk ishte?

“Në mos gaboj, ai mungonte se ishte sëmurë. Në atë mbledhje që u zhvillua në nja nga sallat e Komitetit Qëndror, përveç Drejtorit të Xhenjos, Mendu Backës dhe kryeinxhinjerit, Lavdosh Dule, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, më kishin thërritur edhe mua. Pas hapjes së mbledhjes nga Enver Hoxha, i cili tha: “Jemi mbledhur për të vendosur për ndërtimin e aeroportit”, i pari e mori fjalën Mendu Backa, i cili tha se sipas konsultimit që ishte bërë edhe me palën kineze, Ministria e Mbrojtjes ishte e mendimit që aeroporti të ndërtohej në Gjadër, pasi vetëm ai i plotësonte të gjitha kushtet e parametrat e kërkuara. Në atë moment kur Mendu Backa nuk e kishte mbaruar akoma fjalën, Mehmet Shehu u çua në këmbë dhe tha: “Unë nuk jam dakort. Këta kërkojnë shumë, ajo është toka më pjellore e Lezhës”. Ndërkaq ndërhyri Enveri duke i thënë Mehmetit që të ulej, por ai vazhdoi të mbronte idenë e tij dhe nuk tërhiqej nga e vetja”. Biseda u acarua aq shumë, sa që Enveri u detyrua të çohej në këmbë disa herë dhe me një ton tepër të lartë i drejtohej Mehmetit, duke i thënë: “Mehmet, ulu po të them. Këtë janë specialistë, këta e dinë më mirë”.

Çfarë tha Mehmeti më pas?

“Mehmeti nuk foli më dhe mbledhja u mbyll pasi Enveri i ftoj të pranishmit ta miratonin versionin e Gjadërit. Kur dolëm Mehmeti nuk na dha as dorënm. Aty u bënë vetëm formalitetet, pasi Enveri kishte informacione edhe burime të tjera”.

Po Hysniu, Adili dhe Hito Çako, çfarë qëndrimi mbajtën gjatë mbledhjes?

“Ata nuk flisnin, por kur e kishim fjalën ne, ata na miratonin duke luajtur kokën”./Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Politikë

“E presim për “Javën e Verës”/ Llatja i përgjigjet Berishës, pas denoncimit se e kishin dhunuar

Publikuar

-

Nga

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i është përgjigjur ish kryeministrit Sali Berisha, lidhur me denoncimin që ky i fundit bëri, pak më herët në rrjetet sociale, ku shkruhej se ishte rrahur nga banda e dhëndrit të Qazim Sejdinit.

Në një prononcim për “Ballkan web”, Llatja mohon kategorikisht faktin që të ketë rënë pre e sulmeve, duke theksuar se çdo gjë e publikuar është absolutisht e pavërtetë dhe qesharake.

Mes të tjerash ai ftoi “qytetarin dixhital”, që bëri denoncimin tek Berisha, që t’i bashkohet festimeve të Bashkisë për “Javën e Verës”

“T’u përgjigjesh gënjeshtrave të publikuara nga “Qytetari Dixhital” është humbje kohe, por në përgjigje të shqetësimit të qytetarëve të Elbasanit, sqarojmë:

“Çdo gjë e publikuar është absolutisht e pavërtetë dhe qesharake. Por ata që merren me llafe, të vijojnë me llafe se vetëm këtë dinë të bëjnë.
Bashkia e Elbasanit dhe Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja kanë punë për të bërë, si për Elbasanin edhe për mandatin e tretë qeverisës.
“Qytetarin dixhital” e presim në Elbasan për “Javën e Verës” të shohim bashkë qytetin, të shijojmë ndryshimet pozitive që vijojnë e me atë rast të shohë me sytë e tij se si Kryetari i Bashkisë së Elbasanit ikën në punë në këmbë dhe lëviz në këmbë në çdo cep të qytetit apo fshatrave të Elbasanit.
“Qytetari Dixhital” është humbje kohe për një kryetar bashkie i cili plot energji dhe përkushtim po u shërben qytetarëve të tij, qytetarëve të vërtetë, ata të cilët e zgjodhën për t’i drejtuar dhe shërbyer.”, tha Llatja./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Politikë

I dënuar për drogë në Zvicër/ Prokuroria depoziton kërkesë në KQZ për një tjetër zyrtar të PS

Publikuar

-

Nga

partia socialiste selia qendrore

Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar me një kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërpresë mandatin këshilltarit socialist në Kamzës, Mirush Dema.

Ai ka deklaruar një ndalim për verifikim në Gjenevë dhe dëbim në Suedi e në vendet e BE-së, deri në tetor 2019.

28 vjecari ka deklaruar edhe ndërrimin e mbiemrit, pas martese, nga Troci në Dema, por ka fshehur disa të dhëna interesante raporton TV “Abc News”.

Sipas vendimit të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Xholi, Mirush Dema ka fshehur dy dënime në Zvicër. Në dokument thuhet se në dhjetor të vitit 2014 këshilltari i bashkisë Kamëz, i ka ofruar 4 qese heroinë për t’ia shitur një polici të infiltruar për 400 euro.

LEXO EDHE:  Nju Jork Tajms, 1982/ Shqipëria, aty ku po luhet me ekuilibrin e fuqive Lindje-Perëndim

LEXO EDHE:  Foto/ Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në 20 shkurt 1991

Ai është takuar me policin, sic kishin rënë dakord, por shitja nuk është bërë, pasi Mirush Dema ka hequr dorë sepse ka kuptuar që po fliste me një polic.

Për këtë vepër ai është dënuar, por dënimi i është konvertuar në gjobë.

Po në Gjenevë, Dema është dënuar dhe për dhunim banese, pasi ka hyrë pa leje në një bodrum.

KQZ do të mblidhet të mërkurën përtë vendosur rreth fatit të mandatit të këshilltarit socialist të Kamzës.

LEXO TE PLOTE

Politikë

Duma për strategjinë e re të Bashës/ “Nuk ka shans të fitosh një beteje, duke ndjekur vetëm një trajektore”

Publikuar

-

Nga

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, e ftuar në studion e emisionit “Top Talk”, ka folur për strategjinë e re të kryedemokratit Lulzim Basha “Po të dëgjoj”,  i cili troket derë më derë, dhe futet në shtëpitë e qytetarëve për të bashkëbiseduar lidhur me shqetësimet e tyre.

Duma u shpreh se trajektorja  “Po të dëgjoj” është një trajektore normale, pasi gjithmonë jemi prirur të shikojmë atë që me show është dukur shumë e bukur.

“Opozita kërkon një tjetër theks, një theks më të dëgjuar, se çfarë do të ofrojmë kur të vijmë në pushtet dhe kjo ditë po vjen.

E vetmja mënyrë për të tejkaluar krizën është revolta. Nuk ka asnjë shans të fitosh një beteje, duke ndjekur vetëm një trajektore.

Opozita duhet ti bëjë të gjitha, duhet që të bëjë dëgjesën, por duhet të bëjë edhe protestën.

Reforma Zgjedhore sot është themeltare për të ndërtuar të nesërmen. Aty nis embrioni.

LEXO EDHE:  Hetimi i fejesës së djalit të Mehmet Shehut/ Dyshime për radion që përdorte

LEXO EDHE:  Nju Jork Tajms, 1982/ Shqipëria, aty ku po luhet me ekuilibrin e fuqive Lindje-Perëndim

Protestat e kësaj opozite nuk kanë ndaluar. Me të gjithë këtë avulli protestat  e opozitës kanë qenë më të mirat e mundshme.

Ne nuk duhet të bazohemi tek forca e inatit dhe urrejtjes, por e dëgjimit. Është theksim i një elementi të nevojshëm që do të thotë qytetarët afër meje, që jemi tashmë me ta.

Mendoj që këtë mënyrë të kryetarit të opozitës e përciell normaliteti, mendoj që nuk ka pasur normalitet në politikën shqiptare, gjithmonë jemi prirur të shikojmë atë që me show është dukur shumë e bukur, individë që hyjnë në politke për të bërë teatrin e vet.

Trajektorja  “e po të dëgjoj” është një trajektore normale. Nuk është tentuar të shkohet te skamja për të treguar realitetin e shqiptarëve vetëm në një drejtim.”, u shpreh Duma./CAN.al

LEXO TE PLOTE