Connect with Us

Mjeku nga Gyncburgu/ “Engjëll i vdekjes” në Aushvitc

Blog

Mjeku nga Gyncburgu/ “Engjëll i vdekjes” në Aushvitc

Publikuar

-

Josef Mengele, një mjek nga Gyncburgu kthehet në një vrasës masiv në Aushvitc. Ai arratiset në Amerikën Jugore. Viktimat e praktikave të tmerrshme të tij vuajnë ende edhe sot.

“Fytyra e tij nuk më kujtohet, vetëm çizmet që shkëlqenin nga llustra. Kur dëgjoja hapat që vinte, fshihesha poshtë dhogave ku flinim, strukesha dhe mbyllja sytë. Kujtoja se ashtu nuk do të më gjente dot,” tregon Lidia Maksymowicz, kur flet për Josef Mengelen. Lidian e dërguan në Aushvic-Birkenau – në dhjetor të 1943, ajo ishte tre vjeç. Gjermanët e patën marrë familjen e saj nga rrethinat e Minskut në Bjellorusi për ta dërguar në kampin e përqëndrimit.

Ajo nuk i ka harruar as sot pamjet e kampit ku mbërritën. Në mes të natës, platforma me dritë prozektorësh, njerëzit e SS që bërtisnin, qentë që lehnin. Familjarët ndahen nga njëri tjetri. Edhe Lidia ndahet nga e ëma dhe dërgohet në barakën e fëmijëve. Një barakë e ndërtuar me dhoga druri ku ishin vendosur radhë të gjata dërrasash mbuluar me kashtë. Kudo lëviznin parazitët, mbulesat ngrirë nga pisllëku. Fëmijët vuanin nga uria dhe i ftohti. Por ata kishin më shumë frikë nga vizitat e doktor Mengeles se sa nga uria dhe i ftohti.

Josef Mengele mit Freunden in Brasilien (picture-alliance/AP)Josef Mengele me shokët në një piknik në San Paulo

“Engjëlli i vdekjes” shkon në Aushvic

Josef Mengele është djali më i madh i Karl dhe Walburga-s, një familje sipërmarrësish nga Gyncburgu në jug të Gjermanisë. Ai studion mjekësi dhe antropologji. Pas përfundimit të studimeve punon në Institutin e Biologjisë Gjenetike dhe higjenës racore në Frankfurt.

Në verë të 1940-s ai shkon vullnetarisht të bëhet anëtar i SS-ve, krahut ushtarak të partisë naziste. Tre vjet më vonë majori 32 vjeçar dërgohet në Aushvic. Ai është shumë aktiv në seleksionimin e njerëzve dhe ishte veçanërisht i interesuar për fëmijët, sidomos binjakët dhe xhuxhët. Mengele bën prova për të parë, nëse mund të ndryshohet ngjyra e syve duke bërë gjilpëra me lëndë të ndryshme ngjyrorëse. Ai bën operacione tek fëmijët pa përdorur narkoza. Ai infekton binjakët me tuberkuloz dhe tifo. Shumë fëmijë vdesin pas këtyre ndërhyrjeve. Fëmijë të tjerë vriten me qëllim. Të internuarit i japin atij emrin: “Engjëlli i vdekjes”.

Luftë për mbijetesë

Lidia e vogël nuk shpëton dot nga Mengele. Ai provon tek ajo vaksinat. Mbas shumë gjilpërave ajo kthehet në gjysmë e vdekur. Kur e ëma futet fshehurazi në barakë për t’ i sjellë ushqim, e gjen fëmijën pa ndjenja dhe me temperaturë të lartë që rrinte në një nga dërrasat e fjetjes.

DW Schuld ohne Sühne - Liste von Auschwitz-Häftlingen (Agnieszka Maj/Interia)Lista e të burgosurve në Aushvitc

Mengele nuk ishte as ndonjë sadist i sëmurë as ndonjë nacionalsocialist fanatik, shkruan Zdenek Zofka në librin e tij “Gyncburg në kohën e nazizmit”. Zdenek Zofka është historian dhe mendon se tek Mengele me siguri kishte “cinizëm të pamasë”, që i jepte mundësinë që të mos i shihte viktimat si njerëz, por si “material të vdekur”, si kavie.

Mengele arratiset

Në janar të 1945, pak para mbërritjes së Ushtrisë së Kuqe, Mengele ikën në drejtim të perëndimit. Me emër të ndryshuar ai fshihet në Gyncburg. Më 1949 arratiset për në Amerikën e Jugut. Familja e tij jep para për kërkimin ndërkombëtar të kriminelëve nazistë. Më 1979 Josef Mengele vdes në një aksident në një pishinë në Brazil. Familja e tij e mban të fshehtë vdekjen për një kohë të gjatë. Në vitin 1985 e vërteta del në publik. Me siguri që familja e tij nuk donte të dënohej për fshehjen e një krimineli dhe për mostregimin e vendqëndrimit të një personi në kërkim.

Familje me ndikim të madh

 Auschwitz-Birkenau Nazi Party mit u.a. Josef Mengele (picture-alliance/ dpa)Party e nazistëve me pjesëmarrjen e Josef Mengele, Kampi i përqëndrimit Aushvic

Mengele vinte nga familje me ndikim të madh. Karl Mengele, i ati i Josefit, ka pas drejtuar që para lufte fabrikën “Mengele & Söhne”, e cila ka pas prodhuar makina bujqësore. Në nëntor 1932, Karl Mengele ia vë në dispozicion sallat e fabrikës Adolf Hitlerit për fushatë zgjedhore. Në maj të 1933 ai futet vetë në partinë naziste, NSDAP.

Në periudhën e pasluftës bizneset ecin edhe më mirë. Karl Mengele është këshilltar në bashkinë e qytetit dhe nënkryetar bashkie. Në vitin 1952 ai merr titullin Qytetar Nderi i qytetit. Një rrugë e qytetit merr emrin e tij. Kur ndërron jetë ai, i biri Alois, i vëllai i Josefit merr drejtimin e fabrikës. Sot fabrika ka falimentuar.

LEXO EDHE:  Papa përlotet gjatë vizitës në kampin e Aushvicit

Mungesë interesi për mediat

“Mengele” – thotë një grua në anën tjetër të telefonit, kur i bie numrit të telefonit të “Fondacionit Social të familjes së Dieter Mengeles”. Kur i kërkon një takim ajo i jep fund bisedës menjëherë duke thënë: “Ne nuk jemi të interesuar për konktakte me median,” dhe e mbyll telefonin.

Fondacioni që është krijuar në vitin 2009 nga Dieter Mengele, i biri i Alois Mengeles, ka harxhuar deri tani një çerek milioni euro për qëllime bamirësie. Por familja nuk do të ketë të bëjë me të kaluarën. Ata nuk marrin pjesë as në Fondacionin që merret me ish-të burgosurit me punë të detyruar, as me projekte civile që kujtojnë viktimat e Josef Mengeles.

DW Schuld ohne Sühne - Lidia Maksymowicz in russischen Medien (Agnieszka Maj/Interia)Historia e Lidias në mediat ruse

Kështjellë e nazistëve apo vendlindje e rastësishme?

Mbi emrin e këtij qyteti ekziston një “njollë monstruoze” thotë Rudolf Köppler, ish-kryetar bashkie në Gynzburg. Prej dekadash ky qytet i vogël në qendër të rajonit Schwaben është vendosur nën hijen e “Engjëllit të vdekjes”, që ka lindur më 1911 në Gynzburg dhe ka jetuar atje deri në maturë.

34 vjet më parë Gynzburg shfaqet në titujt e gazetave. Në shkurt 1985, në Përkujtimoren e Holokaustit në Yad Vashem zhvillohet një “gjyq” simbolik kundër Mengeles. Para kamerave të mbijetuarit tregojnë për mizoritë e mjekut të kampit të përqëndrimit.

Jehona është gjigande. Uashingtoni kërkon sërish të rishikohet rasti Mengele. Paratë që jepen për ta kapur arrijnë në 5 milionë dollarë. Reporterë nga e gjithë bota pushtojnë Gynzburgun, „Mengele-Town”. “The town where Dr. Death still casts his evil shadow” (Qyteti, në të cilin Doktor Vdekja hedh ende hijen e tij), shkruan “Daily Express” nga Britania e Madhe.

“Gynzburg nuk ka qenë kështjellë e nazizmit. Qyteti nuk është as më i keq as më i mirë se sa çdo qytet tjetër gjerman,” shpjegon Köppler. Mengele “mund të kishte lindur kudo”, thotë socialdemokrati 83 vjeçar. Ai nuk do që emri i rrugës Karl-Mengele-Straße të ndryshojë. “Kjo do të ishte të merrje hak tek familjarët, si në kohën e nazizmit”, argumenton ai.

Qytetarët kujtojnë viktimat e Mengeles

Jo të gjithë qytetarët janë të kënaqur me mënyrën se si qyteti është ballafaquar me historinë. Një prej tyre është mësuesi i gjimnazit, Siegfried Steiger. Angazhimi i tij ka bërë që të ngrihet një përmendore përkujtimore për Janusz Korczak, një pedagog polako- hebre, që është vrarë në vitin 1942 në kampin e zhdukjes në Treblinka.

Në mënyrë që krimet e Mengeles të mos bien në harresë, Steigers luan që në vitin 2005 në një teatër eksperimental pjesën “Loja me zjarrin – ose Josef M. dhe ata që janë si ai”. “Ne vemë me krah pas murit të gjithë mjekët që bëjnë eksperimente kriminele me njerëzit,” shpjegon ai.

Nga shoqëria civile është hedhur po ashtu ideja e ngritjes së një përmendoreje për viktimat e mjekut nazist. Në oborrin e Dossenbergerhauses është varur një pllakë përkujtimore me një citat nga Jean Améry: “Asnjë nuk i shpëton dot historisë së popullit të tij,” është shkruar në të.

Lidia i mbijeton Aushvitcit

Lidia përjeton futjen e trupave të Ushtrisë së Kuqe në 27 janar 1945. “Në ditën e çlirimit në barakë jetonin 160 fëmijë në moshën 2 deri 16 vjeç. Unë kam jetuar më shumë se gjithë të tjerët në Aushvic,” thotë ajo. Vetëm në Aushvic Birkenau kanë vdekur 200 mijë fëmijë.

Mbas luftës Lidia u adoptua nga një familje polake. E ëma mendohej se kishte vdekur. Pesë vjet më vonë nënë e bijë bëhen bashkë sërish. Por frika nga Doktor Mengele mbetet. Kur fëmijët luajnë dhe bëjnë zhurmë, Lidia u thotë: “Mos bërtisni kaq shumë, se përndryshe do vijnë gjermanët.”

Lidia Maksymowicz mëson pas luftës të bëhet kimiste, martohet dhe ka një firmë të vetën. Jeta familjare e saj vuan nga pasojat e qëndrimit në kamp. “Unë nuk kam qenë në gjendje të dua vërtet dhe me sinqeritet. Nuk kam qenë në gjendje të dua fëmijët e mi, siç i do një nënë fëmijët,” thotë 75 vjeçarja.

Nga seria me reportazhe “Faj pa shpagim”, një projekt i redaksisë polake të DW me Interia dhe Wirtualna Polska. dw.com/zbrodniabezkary/ DW

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pse njerëzit përdorin fotot në çift, si foto të profilit të tyre në mediat sociale

Publikuar

-

Nga

Ndërsa lëvizni lart e poshtë në Facebook, ju e shihni:Miku juaj, ka ndryshuar foton e profilit të tij. Por në vend të një fotoje ku ai ka dalë vetëm, ti sheh një foto në çift, të mikut tuaj me partneren e tij. Po përse njerëzit zgjedhin zakonisht fotot në çift, si foto të profilit të tyre?

Sipas një studimi më të fundit zgjedhja e fotove në çift, postimi i statusit të marrëdhënies së tyre dhe përmendja e partnerit në përditësimet e profilit në mediat sociale, të gjitha mund të
jenë shenja se si njerëzit ndihen në marrëdhëniet e tyre,dhe mund të dërgojnë një mesazh të rëndësishëm tek rivalët e mundshëm.

Po kush e bën këtë gjë? Ajo që psikologët socialë e quajmë “shfaqje diadike”, është relativisht e zakonshme. Në një studim të kohëve fundit, 29 për qind e përdoruesve të përfshirë në lidhje romantike, kishin si foto profili në Facebook një foto në çift. Shtatëdhjetë për qind e tyre, kishin të shënuar në status “në një marrëdhënie” ose “i martuar”.

Dhe pjesëmarrësit në studim, e përmendnin partnerin e tyre në 15 për qind të përditësimeve të tyre të fundit në Facebook. Disa njerëz, kanë më shumë të ngjarë të kenë sjellje të tilla, sesa
të tjerët. Njerëzit që janë shumë të kënaqur, ose të përkushtuar në marrëdhëniet e tyre romantike, kanë më shumë të ngjarë të postojnë foto të profileve në çift.

Sa më i dashuruar që është një person i lidhur, dhe sa më shumë xhelozi që raporton ai në pyetësor, aq më shumë të ngjarë ka të postojë statusin e marrëdhënies së tij në Facebook. Njerëzit që janë zakonisht në ankth në një marrëdhënie – pra që kanë frikë se mos partneri e refuzon apo braktis – kanë gjithashtu më shumë të ngjarë të përdorin një foto në çift si foto profili.

LEXO EDHE:  Procesi i Aushvicit në regjistrin e UNESCO-s

LEXO EDHE:  Procesi i Aushvicit në regjistrin e UNESCO-s

Nëse dikush e thekson apo jo statusin e tij në internet, kjo mund të ndryshojë në varësi të mënyrës sesi ndihet ai person në një kohë të caktuar. Njerëzit kanë më shumë gjasa të postojnë informacione që lidhen me marrëdhëniet në Facebook, në ditët kur ndjehen më të pasigurtë në lidhje me ndjenjat e partnerit të tyre, sesa në ditët kur ndjehen më të kënaqur nga marrëdhënia e tyre.

Një sondazh me 236 përdorues të Facebook e mbështeti këtë ide. Po ai zbuloi një arsye tjetër:Ata janë të motivuar të mbrojnë marrëdhëniet e tyre nga kërcënimet që ekzistojnë në mediat sociale. Përdorimi i Facebook, Twitter dhe rrjeteve të tjera sociale, i ekspozon njerëzit ndaj një sërë gjërash që mund të dëmtojnë potencialisht marrëdhëniet e tyre, përfshirë ish-partnerët, apo partnerët alternative.
Ndërkohë jashtë mediave sociale, hulumtimi ka treguar se njerëzit në një marrëdhënie romantike, përfshihen sërish në një mori sjelljesh për të mbrojtur marrëdhëniet e tyre, kundër kërcënimeve të paraqitura nga partnerë alternative dhe rivalë romantikë.

Përmendja e partnerit ose e marrëdhënies së tyre, është një mënyrë përmes së cilës njerëzit mund të përpiqen t’i largojnë këto probleme të mundshme. Studiues të tjerë, kanë zbuluar se disa njerëz e shfaqin partnerin dhe marrëdhënien e tyre në profilin që kanë në mediat sociale, pasi vetëdija se të tjerët e dinë që ata janë në një lidhje, u jep një rritje të vetëvlerësimit.
Movitimi për t’u ndier mirë me veten, është një nga arsyet pse njerëzit duan që miqtë e tyre në Facebook, ta dinë ata janë në një lidhje./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Intervista- Koronavirusi/ Vaksina do vonojë, katastrofë nëse përhapet tek vendet e varfra

Publikuar

-

Nga

Eksperti i sëmundjeve infektive, njëherazi drejtues i qendrës “Wellcome Trust”, Xheremi Farrar, flet për gjermanen ”Der Spiegel” mbi përhapjen e shpejtë të koronavirusit të ri, kërkimet e vështira për një vaksinë, mbi çështjen nëse qytetet në Evropë duhen futur në karantinë si ato në Kinë, dhe skenarin më të keq sipas tij:atë kur virusi mund të nisë të përhapet tek vendet me të varfra.

Keni paralajmëruar për vitesh, se në epokën e globalizimiy, një virus i rrezikshëm mund të përhapet në të gjithë botën në një mënyrë të pakontrollueshme. A është realizuar me koronavirusin e Vuhanit makthi juaj më i keq?

Në Kinë kjo është duke ndodhur. Virusi po përhapet shumë më shpejt sesa SARS-i. Pas vetëm disa javësh, ai ka infektuar më shumë njerëz në mbarë botën, dhe ka vrarë më shumë pacientë në Kinë sesa SARS-i në 9 muaj. Në Vuhan dhe në pjesë të tjera të Kinës, komunitetet po përjetojnë një makth.

A ka ndonjë rrezik të shohim skena të ngjashme në Gjermani dhe Evropë?

Unë besoj se më e keqja ka ende mundësi të parandalohet. Por kjo do të kërkojë marrjen e masave të ashpra brenda disa javëve. Duhet të mos harrojmë një fakt:Për sistemin tonë imunitar, ky virus është një kundërshtar i ri, i panjohur, dhe që është shumë i transmetueshëm midis njerëzve. Ai mund të shkaktojë gjithçka, nga simptoma shumë të lehta deri tek ato më të rëndat. Ky kombinim e bën këtë virus shumë të vështirë për t’u kontrolluar.

Cilat janë masat e ashpra, që mendoni se mund të jenë të nevojshme?

Mund të shohim izolimin e qyteteve apo rajoneve të veçanta. Ose disa javë ndërprerje të lidhjeve ajrore, hekurudhore apo detare, të cilat mund të kushtojnë miliarda dollarë. Edhe ne ekspertët po punojmë në një territor plotësisht të panjohur.
As me SARS-in dhe as me Gripin e Derrave, nuk u futën në karantinë qytete sikurse po ndodh tani në Kinë. Masa të ngjashme u morën për herë të fundit kundër Gripit Spanjoll në vitet 1918-1920, kur vdiqën deri në 50 milionë njerëz. Gjithsesi, Gjermania është e përgatitur mirë për këtë epidemi.

A ka gjasa të kërkohet futja në karantinë e qyteteve të mëdha, si Mynihu apo Parisi?

Kam shumë dyshime, sesi do ta përballonin banorët e qyteteve të mëdha perëndimore një gjë të tillë. Masa të tilla, do të shkaktonin një përçarje të madhe në mesin e komuniteteve. Nëse kjo gjë ndodh vërtet, njerëzve do t’u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi bazuar në vullnetin e tyre të lirë.
Por që masa të tilla të funksionojnë, është shumë e rëndësishme që politikanët dhe ekspertët e shëndetit publik të nisin që tani të përgatitin njerëzit, përmes një komunikimi të hapur, të ndershëm dhe transparent. Besimi është thelbësor, kërkon kohë, dhe mund të humbasë shumë shpejt.

A i druheni një pandemie të mundshme globale?

LEXO EDHE:  Papa përlotet gjatë vizitës në kampin e Aushvicit

LEXO EDHE:  Procesi i Aushvicit në regjistrin e UNESCO-s

Natyrisht, jam shumë i shqetësuar. Por nuk do të jetë frika, por puna ajo që do të na shpëtojë.

Cilat pjesë të botës do të jenë vendimtare, në përcaktimin nëse koronavirusi i ri ka dalë jashtë kontrollit:vendet e zhvilluara apo ato në zhvillim, që kanë një sistem shëndetësor të dobët?

Një situatë aq e keqe sa ajo në Vuhan, do të ushtronte shumë presion edhe mbi sistemet shëndetësore shumë të mira si ato në Gjermani apo Singapor, sidomos në dimër. Por në vende
të varfëra si Bangladeshi, Venezuela apo disa vende të Afrikës, edhe një epidemi e vogël do
të ishte katastrofike. Prandaj ne duhet të ndihmojmë vendet e varfëra me gjithçka që është e nevojshme: pajisje mbrojtëse, testim, ilaçe dhe këshilla mjekësore.

Cila do të ishte shenja e parë, se situata në mbarë botën po del jashtë kontrollit?

Gjëja më e rëndësishme në 2-3 javët e ardhshme, është nëse do të ketë apo jo një transmetim të qëndrueshëm të koronavirusit jashtë Kinës. Këtë javë pati një raport mbi një të sëmurë nga Koreja e Jugut, që kishte vizituar Tajlandën, por jo Kinën. Ai nuk kishte qenë në kontakt me ndonjë kinez, dhe sërish u infektua. Dhe kjo gjë është shumë shqetësuese.

A mund të ndihmojë parandalimin global të virusit, prodhimi i shpejtë i një vaksine?

Jo, vaksina do të vinte shumë vonë për këtë gjë. Koalicioni për Inovacionet e Gatishmërisë Epidemike (CEPI), një organizatë ndërkombëtare e financuar nga Ministria gjermane e Arsimit dhe Kërkimit, po mbështet kërkimet mbi zhvillimin e një vaksine.
Por ato do të zgjasin të paktën 6 muaj. Në fakt, vaksina nuk do të jetë gati para fundit të këtij viti. Vaksina është diçka që i bëhet njerëzve të shëndetshëm. Dhe duhet të jemi absolutisht të sigurt se ajo është e sigurtë. Nëse nuk kemi fat, mund të mos jemi në gjendje të zhvillojmë dot asnjë vaktinë kundër koronavirusit./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse Greqia duhet të zëvendësojë Turqinë, si partnere strategjike e SHBA-së në rajon

Publikuar

-

Nga

Nga Eric Edelman & Charles Wald “National Interest”

Në takimin e tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, kryeministri grek, Kiriakos Micotaqis, tha se Shtetet e Bashkuara duhet ta shohin vendin e tij
si një “aleat të besueshëm dhe të parashikueshëm”, në një pjesë të paparashikueshme të botës.
Një deklaratë e tillë në dukje e vërtetë, mund të tingëllonte qesharake vetëm disa vjet më parë, kur rajoni ishte i qetë dhe kur Turqia, dhe jo Greqia, ishte shtylla e stabilitetit. Por sot Athina
po bëhet një lojtare thelbësore pro-amerikane, në qendër të çështjeve të rëndësishme të sigurisë në Mesdheun Lindor.

SHBA-ja duhet të përfitojë nga kjo marrëdhënie në lulëzim mes 2 vendeve, si pjesë e një fokusimi të ri strategjik në rajon. Mesdheu Lindor, dhe sidomos Greqia, ishin thelbësore në vendimin që mori SHBA për të mbrojtur larine, dhe për të frenuar komunizmin pas Luftës së Dytë Botërore.
Tani gjeopolitika dhe gjeologjia, po rikthejnë konkurrencën në fushën e sigurisë në këtë udhëkryq strategjik, me Greqinë si nyjen kryesore. Nxitësi kryesor i këtij rivaliteti, ka qenë transformimi i Turqisë nën presidentin Rexhep Taip Erdogan.

Dikur një aleate demokratike e besueshme, Ankaraja është gjithnjë e më shumë një autokraci pro-ruse, që ka ambicie për një ndikim më të madh rajonal, në kurriz të ndikimit të SHBA-së, Greqisë, Izraelit dhe të tjerëve. Ndërkohë, në rajon po kthehet konkurenca mes fuqive të mëdha, teksa ka një ndërhyrje në rritje të Rusisë, Iranit dhe Kinës.

Një tjetër “mollë sherri” vjen nga zbulimi i njëkohshëm i sasive të mëdha të gazit natyror, dhe nga mundësia për të zbuluar shumë më tepër. Kjo gjë mund të promovojë një zhvillim ekonomik që kërkohet më dëshpërim, sidomos nga Greqia, dhe që mund të zvogëlojë varësinë shqetësuese për energji që ka Evropa ndaj Moskës.

Për këtë arsye vitet e fundit ka një afrim më të madh në Greqi të kompanive amerikane. Po kjo ka rritur ndërkohë tensionet midis Turqisë dhe të gjithë të tjerëve. Në dallim nga fqinjët e saj, Ankaraja nuk pranon të njohë ligjin ndërkombëtar mbi kufijtë e Zonës së saj ekskluzive Detare Ekonomike.
Përkundrazi, ajo po mbron pretendimet e saj territoriale, dhe dërgon rregullisht anije që kryejnë shpime në ujërat qipriote, duke kërcënuar pjesën tjetër për zhvillimin dhe eksportimin e burimeve të vlefshme natyrore. Këto zhvillime të mëdha, shpjegojnë aspiratat e Greqisë për ta zëvendësuar Turqinë si një qendër rajonale diplomatike dhe ekonomike, dhe që kohët e fundit ka një mosmarrëveshje me NATO-n.
Në fakt, Athina po bën pikërisht atë që kërkojnë politikëbërësit amerikanë nga aleatët:po merr përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen kolektive. Greqia shpezon tashmë një pjesë më të madhe të PBB-së saj për mbrojtjen, sesa çdo anëtar i NATO-s përveç Shteteve të Bashkuara.

Dhe kjo pasqyron mënyrën sesi pas disa dekadash marrëdhëniesh të ftohta në rastin më të mirë, ekziston një konsensus kombëtar në rritje, se partneriteti me Shtetet e Bashkuara duhet të përbëjë themelin e sigurisë së Greqisë. Kthesa e raporteve SHBA-Greqi nisi me Aleksis Cipras, ish-kryeministrin e majtë.

LEXO EDHE:  Procesi i Aushvicit në regjistrin e UNESCO-s

LEXO EDHE:  Papa përlotet gjatë vizitës në kampin e Aushvicit

Nismat e tij po zgjerohen tashmë nga qendra e djathtë e Demokracisë së Re, që është tradicionalisht më pro-amerikane. Gjithsesi, Greqia ka nevojë për një bashkëpunim më të madh, për të projektuar fuqinë amerikane dhe promovuar stabilitetin gjithnjë e më të trazuar në Mesdheun Lindor. Thelbësor për rolin e ri gjeopolitik të Greqisë, është udhëheqja e saj diplomatike, që po ndërton lidhje më të forta me Qipron, Izraelin dhe Egjiptin, mbi energjinë
dhe sigurinë.

Me kompanitë amerikane që po përfshihen gjithnjë e më shumë në eksplorimin e burimeve energjitike në rajon, Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë praninë e saj detare në Mesdheun Lindor, përfshirë vizitat në porte, stërvitjet e përbashkëta ushtarake, dhe integrimin e forcave detare greke me njësitë e aeroplanmbajtësev amerikane.
Ndërkohë SHBA-ja, duhet të përfitojnë nga padurimi i Greqisë për të bërë më shumë në këtë drejtim. Greqia do të ketë nevojë për financim të huaj ushtarak (FMF), për të modernizuar forcat e saj ajrore dhe detare. Në fund të vitit të kaluar, Kongresi autorizoi 3 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Greqinë; ndërsa Athinës i duhet më shumë më tepër.

Gjithashtu, politikëbërësit amerikanë duhet të marrin në konsideratë një prani më të fortë ushtarake amerikane në Greqi. Dhe kjo mund të përfshijë forcat detare amerikane në portet me rëndësi strategjike në Gjirin e Sudas dhe Aleksandropulit, ankorimin e cisternave, dhe zgjerimin e operacioneve trajnuese për helikopterët ushtarakë.

Greqia është ndërkohë një mundësi tërheqëse, për zhvendosjen e aseteve ushtarake amerikane nga Turqia. Po kështu mund të jetë Qipro, në varësi të zhvillimeve me Turqinë. Kjo do të siguronte një qasje të besueshme për forcat amerikane, dhe mund të krijojë një mekanizëm presioni, për të imponuar ndryshime në politikat gjithnjë e më destabilizuese të Ankarasë mbi rajonin.

Shënim:Eric Edelman, ish-ambasador i SHBA-së në Turqi. Charles Wald, ish-zëvendëskomandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së në NATO./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE