LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Sulejman Gjana/ Mungesa e shtetit

21 Janar 2020, 18:22, Opinione CNA
Nga Sulejman Gjana/ Mungesa e shtetit

21 Janari është ?ksuar tashmë në memorien kolektive të qytetarëve shqiptarë si referencë ndaj ngjarjeve tragjike të vitit 2011. Me të drejtë ajo ngjarje ishte tejet tragjike në tërësinë e saj.

Tragjike ishin motivet e organizimit të protestës, tragjike ishin përgatitjet dhe skenari që çuan në përfundime poaq tragjike, me pasojë humbje jetësh të pafajshme njerëzore dhe rrënim të imazhit të vendit. Ndërkohë shteti mori një goditje të rëndë nga pamundësia e vet për t?i parandaluar shkaqet dhe pasojat e asaj ngjarjeje.

Për fat të keq politika në Shqipëri, pozita dhe opozita, i konsiderojnë ende si legjitime aksionet që ndërmarrin, në çdo rast dhe në të gjitha rastet, pa marrë parasysh dëmet që i shkaktojnë shtetit. Dhe kjo ndodh pikërisht sepse gjatë 29 viteve të tranzicionit (derivate të klonuara këto të 45 viteve të diktaturës), shteti është përdorur thjesht si instrument i pushtetit dhe si folezë që të siguron rehatinë. Për legalistët dhe kombëtaristët, asnjëri prej akteve të dramës së 21 Janarit 2011 nuk duhet përsëritur, kurrnjëherë.

Pikërisht për këtë arsye, në memorien tonë kolektive mbisundon 21 janari i vitit 1920, kur në Kongresin e Lushnjes u mblodh elita atdhetare e vendit për të marrë vendime të rëndësishme për jetësimin e pavarësisë së shpallur pak vite më parë dhe për formimin e shtetit e institucioneve, në format dhe mënyrat më optimale për kushtet e kohës. Kur vlerësohen vendimet e marra në atë Kongres në raport me kushtet dhe rrethanat e brendshme e ndërkombëtare, kuptohet qartë se shumica e shtetarëve të asaj kohe kishte një format tjetër dhe ata ishin brumosur me ndjenja të forta kombëtare e me vetëdijen se prioritare e mbi gjithçka janë arsyet e shtetit dhe interesat e popullit dhe të kombit.

Nëse logjika e hekurt e shtetformimit, nëse logjika e ligjit të formuluar dhe të zbatuar mbi arsyen e shëndoshë, mbi të Drejtën e jetësuar në ligje dhe në interesat e të drejtat e qytetarëve do të zbatoheshin në kohërat tona, sikurse vepruan formuluesit dhe miratuesit e vendimeve shpëtimtare të Kongresit të Lushnjes të 21 Janarit 1920 – asnjë 21 Janar tjetër nuk do të përmendej sot. Madje do të ndodheshim në një situatë kur 21 Janari kalendarik i ngjarjeve më të mëdha historike do të kremtohej me ceremoni shtetërore, si datë e çmuar për kombin. Por që të nderohen me ceremoni shtetërore datat që vulosin shtetformimin, së pari duhet të ekzistojë shteti…

* Ish-kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit

Lajmet e fundit nga