LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Forumi i Holokaustit në Yad Vashem/ Bashkë kundër antisemitizmit

21 Janar 2020, 09:49, Kosova & Bota CNA
Forumi i Holokaustit në Yad Vashem/ Bashkë kundër antisemitizmit

75 vjet pas fundit të Holokaustit hebrejtë në Europë e kudo tjetër kanë frikë prej sulmeve. Çfarë duhet bërë kundër antisemitizmit? Në forumin për Holokasutin në Yad Vashem diskutuan politikanë nga 40 vende.

Sulmuesi erdhi nga pas. Ai hyri në dhomën e veshjes në një studio fitnesi dhe i zhvati nga koka kipën një djali të ri e duke e hedhur në kosh kapuçin tradicional të hebrejve thirri: “ti çifut i qelbur” dhe “Palestina e lirë”. Ky sulm antisemitist drejtohej kundër një 19 vjeçari në Freiburg në jug të Gjermanisë në fund të vitit të kaluar. Ai është njëri prej mijërave rasteve të ngjashme që ndodhin çdo vit në Gjermani me sfond antisemitizmin dhe kriminalitetin nga urrejtja.

“I sulmuari është një shok i imi, ndaj ky rast më ka prekur veçanërisht”, thotë Arthur Bondarev në bisedë për DW. Bondarev është po ashtu hebre, ai është konservator dhe mban kipën e zizitin, xhufkat në rroba që duhet t’i kujtojnë atij urdhëresat e Zotit. 28-vjeçari studion shkencat ekonomike në Konstancë. Ai asnjëherë nuk ka përjetuar dhunë, por edhe atë e kanë ofenduar persona që i urrejnë hebrejtë. “E di që në rrugë duhet të kem kujdres. Gjithmonë kam ndjenjën, se ka njerëz, që mund të më sulmojnë.”

Urrejtja nuk merr fund

Që nga kohët e vjetra ekziston urrejtja ndaj hebrejve. Atë e kanë kultivuar etërit e krishterë të kishës, në Mesjetë ajo shpërtheu në formën e pogromave nga Granada deri në Vroclav. Në kohën e re ishin kryesisht racistët dhe nacionalistët ata, që i përjashtuan hebrejtë si të huaj. Ky antisemitizëm modern arriti kulmin me vrasjen e miliona hebrejve në Europë prej nacionalsocialistëve gjermanë. Por edhe pas Holokaustit vazhdojnë fantazitë, sikur bota drejtohet prej hebrejve të fuqishëm, në çdo anë të botës hebrejtë i ofendojnë dhe i sulmojnë.

A do të marrë fund kjo ndonjëehrë? “Nga pikëpamja ime religjoze ndoshta kjo do të marrë fund, kur të mbërrijë Mesiasi”, thotë Arthur Bondarev.” Por deri atëherë detyra jonë e përbashkët është që t’i kundërvihemi kësaj. Edhe nëse ne ndoshta asnjëherë nuk do ta shmangim plotësisht antisemitizmin, kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të luftojmë ndaj kësaj dukurie.”

“Të kujtojmë Holokasutin, të luftojmë antisemitizmin”

Njerëzit si Arthur Bondarev këtë luftë e zhvillojnë në hapa të vegjël çdo ditë. Se si duhet të jetë lufta kundër antisemitizmit në skenën e politikës botërore, për këtë do të diskutohet më 23 janar në Jeruzalem, ku do të marrin fjalën princër, kryeministra e presidentë. Memoriali Yad Vashem i ka ftuar ata nën kujdesin e presidentit të Izraelit Reuven Rivlin për të pestën herë në “Holocaust Forum”.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar përfaqësues nga 40 vende, ndër ta presidenti i Rusisë, i Francës, Putin e Macron, trashëgimtari i fronit në Britaninë e Madhe Princi Charles, zëvendëspresidenti i SHBA-së, Mike Pence dhe presidenti i Gjermanisë Steinmeier. Presidenti i Polonisë, Andzej Duda e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të një grindjeje me presidentin rus Putin. Kjo veprimtari zhvillohet nën titullin “Të kujtojmë Holokausitn, të luftojmë antisemitizmin”. Në program janë fjalime, muzikë dhe vendosjes kurorash.

A sjell gjë një takim i tillë në luftën kundër antisemitizmit? Po, thotë Samuel Salzborn, profesor për shkencat politike në Universitetin e Giessen-it dhe autor i librit “Antisemitizmi global”. “Ne aktualisht kemi arritur në një pikë, kur mund të kesh paksa shpresën, që ka rritje të sensibilitetit në politikë, se faktikisht antisemitizmi është një problem”, thotë për DW Salzborn. “Unë them paksa, sepse gjithmonë shtrohet çështja, se sa proklamimet bëhen realitet, sa zbatohen në veprimin politik deklarimet për vullnetin e mirë.”

Arsimim sa nuk është vonë

Sipas Salzborn, krerët e qeverive që do të vijnë në Jeruzalem, do të duhej që së pari të ndryshojnë politikat e arsimit. “Ne duhet të kemi parasysh, që askush nuk lind si antisemit në këtë botë. Ky është një botëkuptim, që krijohet përgjatë procesit të socializimit.” Ndaj përmes edukimit dhe arsimit që në fëmijëri dhe rini mund të arrihet shumë. “por ne e dimë, që në shkolla bëhet shumë pak dhe se librat shkollorë janë deficitarë.”

Nëse një antisemit e ka formësuar tërësisht botëkuptimin e tij, atëherë ai nuk mund të jetë më i hapur për argumenta dhe fakte, thotë Salzborn. Por edhe politika duhet të veprojë kundër kriminalitetit nga urrejtja. “Në këtë drejtim kemi të bëjmë me detyra që i përkasin policisë dhe prokurorisë, bëhet fjalë për represione dhe sanksione. edhe sa i përket kuadrit juridik disa gjëra duhet të përmirësohen.”

Terror në Halle, Pittsburgh, Paris

Në disa vende ndërkohë po punohet për përmirësimin e ligjeve për një përndjekje më të mirë të krimeve antisemitiste nga urrejtja. Edhe në Gjermani ka nisur një nismë përkatëse, pas indinjatës që shkaktoi sulmit terrorist në tetor 2019 ndaj një sinagoge në Halle. Numri i akteve me sfond antisemitizmin që nga viti 2013 është rritur mbi 40 përqind. Në këtë kuotë janë të përfshira vetëm rastet e denoncuara në polici.

Tronditëse ishin edhe një sulm antisemitist ndaj një sinangoge në Pittsburgh në SHBA më 2018 si dhe ndaj një supermarketi hebre në Paris më 2015. “Antisemitizmi, pikërisht në formën e tij të dhunshmë, është i pranishëm kryesisht në ato rajone të botës, ku lëvizjet nacionaliste e ato raciste janë të forta, ose ku janë të fuqishme lëvizjet islamiste”, thotë Salzborn.

Një shtëpi e Zotit si shenjë shprese

Ruajtja e kujtimit të Holokaustit vlen për shumë ekspertë si një komponente e rëndësishme në luftën kundër antisemitizmit. Kjo duhet të bëhet sërish e qartë në Yad Vashem. Krahas kësaj është vendimtar edhe kontakti i drejtpërdrejtë me hebrejtë për të hequr paragjykimet, mendon Arthur Bondarev nga Konstanca. Pasiguria dhe kujdesi shumicën e rasteve zëvendësohen prej interesit, kur ai u afrohet njerëzve, që e shohin me habi prej kipës, na thotë ai.

Tek dëgjon Bondarev të forcohet shpresa, se antisemitizmi mund të mposhtet. Ai vë në dukje rritjen e bashkësisë hebreje në Konstancë. Ajo që e emocionon më shumë është përurimi nëntorin e kaluar i një sinagoge të re për 300 anëtarë të komunitetit. “Ishte impresionuese”, thotë ai. Me Torën në dorë i shoqëruar prej qindra vetëve, ai ka ecur rrugës nga ndërtesa e vjetër për tek e reja duke kaluar mespërmes qytetit. “Ne kemi përshkuar pikërisht rrugët, që kanë bërë para 80 vjetësh hebrejtë që u deportuan.” Me këtë ne kemi dhënë një sinjal, “se urrejtja nuk do të fitojë, që antisemitizmi dhe racizmi nuk do të fitojnë. Ne hebrejtë jemi dëshmia e gjallë për këtë.”/ DW

Lajmet e fundit nga