LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Edison Ypi/ Farmaqet për t'u ruajtur nga patriotat shejtanbudallenj

20 Janar 2020, 08:09, Opinione CNA
Nga Edison Ypi/ Farmaqet për t'u ruajtur nga patriotat

Farmaqe

Shqiptari patriot është njeri inteligjent, thellësisht i kulturuar, i sofistikuar, i sjellshëm, modest. Mirpo sorollopat gjoja atdhetarë, gjoja nacionalistë, që sheh në televizor janë budallenj me brirë, aspak modestë, gdhëra që ta shpifin, të papëmbajtur, invadentë, burracakë.

Tek ua dëgjon gomarllëqet, këmbët nuk të mbajnë, kockat nisin të zbuten, supet të dridhen, dhëmbët të këcasin. Mos shko në farmaci. Ta jap unë një recetë me farmaqet e duhura për tu ruajtur nga patriotat shejtanbudallenj; Treqint gram allçi për kockat. Një tas spinaq për muskujt. Dhjetë gram çimento për dhëmbët. Futi në një kovë lëveresh. Trazoi me një shkop. Ç?do mbrëmje nga një garuzhde.

Ta kanë shpifur taborri i hajvanëve që në Fejsbuk gjithë kohës s’bëjnë gjë tjetër veçse mburrin veten. Për të evituar damllanë që për shkak të mutërve autoreferencialë mund të bjeri nga çasti në çast, ndiq këtë këshillë farmakologjike; Mblidh llumrat e kafeve të një dite të një kafeneje. Shtoi dy litra baltë. Valoje. Hidhe mbi kokë. Damllaja do largohet prej teje si djalli nga Zoti.
Bën një biznes të mbarë. Por të ka ikur gjumi. Në kokë të rreh pyetja; Shqipërinë e dua shtet të fortë, por taksa nuk dua të paguaj. Si i bëhet ?

I bëhet. Mos e kërko shërimin te pagimi i taksave, respektimi i ligjit, forcimi i shtetit, ekonomia e tregut, librat e Lokut, teoritë e Smithit. Stomakut dhe trurit tënd i mungojnë disa farmaqe. Një gotë uji me shurrë mëngjezi. Shtoji pak salep. Zjeje. Lëre të ftohet. Pi nga një lugë gjelle sa herë të vijë në kokë pyetja mundonjëse me Shqipëri të fortë dhe taksa të papaguara.

Për arësye që s?i di as dreqi në kokë të rreh si çekan pyetja; Femrat janë të ëmbla. Por janë edhe dinake. Dinakëria femërore, është e lindur apo e imponuar nga rrethana shoqërore, si reagim vetmbrojtës ndaj vrazhdësisë së burrave ? Qartësimi i kësaj dileme kërkon një recetë psikoterapike. Ulëriti gruas një mbrëmje me britma dhe kërcënime jo më pak se njëzet minuta rresht. Pastaj ndal dhe thuaji të shqiptojë një dinakëri femre nga ato në formë autokritike shoqëruar me lotë pasi kanë bërë një faj inekzistent. Mblidhja lotët në një filxhan. Ktheje me eks.

Menjëherë do të lëvizi ipçka e kokës. Do zbulosh në çast sekretet e të fshehtave frymëndalëse të femrave; temperaturat e skutave, shpërthimet që ndjellin dhe ndezin dëshirat, harqet e mermerta ku rrëshqasin shikimet, kalldrëmet ku hijshëm trokasin çapat, llagëmet ku u lëvrijnë dëshirat, luginat e psherëtimave, rrugicat dhe ngushticat e kënaqësive, qafat e qefeve, brigjet e çlodhjeve, kthesat e taksirateve, semaforat e dilemave, autostradat e udhëtimeve, aeroportet e fluturimeve. Ke për të parë se do ndalësh së dërdëllituri për dinakërinë e tyre. Se na shurdhove bythën dhe ti me gjithato pyetje e ankesa për femrat që janë mrekullia e jetës.

Të ka gjetur një belà. I je qepur aq keq kompjuterit sa ke harruar të përkëdhelësh me dorë, të puthësh me buzë, të nuhatësh me hundë.
Nëse virusi ka hyrë kaq thellë, s’të lypsen farmaqe. Mblidhi në një vend kompjuterin, modemin, printerin, USB-rat, flash-at, blue toothat, infra redat, chatat, forumat, mailat, JPG-rat, filet, harduerat, softuerat, CD-rat. Hidhi nga ballkoni. Kërcitja gjumit. Kur të zgjohesh do jeshë shëruar.
Je simpatizant serioz i partisë që të pëlqen apo fanatik i sëmurë ? Këtë s’e gjen dot kurrë. Nuk ka farmak për këtë çrregullim psiqik. Dilemën cfilitëse do vazhdosh ta vuash derisa të ngordhësh.
Nuk gjen dot derman me asnjërin nga farmaqet e mësipërme ? Të qahet ? Është normale për vdekëtarët e pamposhtur. Fshiji lotët me duar. Mjer? a ti i mjeri ç?pate dashuruar.

Lajmet e fundit nga