LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Projekti neo-otoman i Erdoganit, mund të nisë dështimin e tij që nga Libia

18 Janar 2020, 07:27, Blog CNA
Projekti neo-otoman i Erdoganit, mund të nisë dështimin e tij

Nga Simon Schofield ?Euobserver?

* Turqia ka nisur zbatimin e një strategjie neo-otomane, duke synuar të rivendosë veten si një fuqi e madhe rajonale. Kjo strategji, përfshin njëkohësisht edhe përfitimet nga anëtarësimi në NATO, teksa ndjek një politikë të jashtme ekspansioniste, që përfshin edhe një partneritet të debatueshëm me Rusinë në Siri.

Sidoqoftë, me holandezët që kanë pezulluar privilegjet që i garantonte Turqisë Neni 5, dhe me konfliktin e përshkallëzuar në Libi, që po e vendos Ankaranë në një kurs përplasjeje me Moskën, presidenti Rexhep Taip Erdogan, mund ta gjejë veten shumë shpejt mes 2 zjarresh.

?Turqia është një nga anëtaret më të forta të NATO-s. Unë nuk mendoj se NATO mund të bëjë pa Turqinë, si në rrafshin gjeopolitik ashtu edhe në atë strategjik?- deklaroi kohët e fundit kryeministri i Holandës Mark Rute.

Gjithsesi, kjo nuk e ndaloi Unionin Kristian dhe Partinë Socialiste, partnerët e tij në koalicionin qeverisës, të votonin kundër partisë së tij VVD dhe në favor të 2 mocioneve: i pari që kërkon mbështetje shtesë për Forcat Demokratike Siriane (SDF) në perëndim dhe veri të Sirisë, dhe tjetri që bën thirrje për një refuzim automatik të çdo evokimi të Nenit 5 të aleancës nga ana e Turqisë, për sa kohë që Ankaraja vazhdon operacionet kundër kurdëve të SDF.

Në përgjigje të sulmit turk në Rojava, dy anëtare të NATO-s, Norvegjia dhe Holanda, pezulluan eksportet e armëve drejt Ankarasë. Këto janë vetëm 2 shembuj të rritjes së distancës midis Turqisë, dhe pjesës tjetër të aleancës. Në vend se të veprojë në koordinim të ngushtë me NATO-n, Turqia po zgjedh të maksimizojë lirinë e saj të manovrimit, duke u inkuadruar në një numër partneritetesh të leverdishme për momentin:me Rusinë, Katarin, Iranin dhe Venezuelën.

Njëherazi, ajo po e zgjeron sferën e saj të ndikimit duke shfrytëzuar Vëllazërinë Myslimane dhe milicitë xhihadiste nga Siria në Libi, si mbështetës politikë dhe ushtarakë. Këto grupe nuk kanë asnjë interes tek rrikthimi i stabilitetit dhe prosperitetit në këto shtete të shkatërruara nga lufta, për shkak se ato po lulëzojnë mbi kaosin dhe shkatërrimin që kanë shkaktuar vetë.

Shërbimi ndaj aleatëve dhe marrëdhënia me kombet e tjera mbi baza tregtare dhe transaksionale, mund të duket tërheqëse. Por kjo qasje mund të përfundojë në një mënyrë katastrofike për Turqinë në Libi. Me Vëllazërinë Myslimane që përfaqëson një fraksion jetik brenda qeverisë libiane të Akordit Kombëtar (GNA), Turqia ka një nxitje ideologjike të fortë për ta mbështetur atë.

Por Ankaraja po sheh gjithashtu mundësinë për përfitime ekonomike në Libi. Për këtë arsye, ajo nënshkroi një marrëveshje me GNA, që zgjeroi Zonën Ekskluzive Ekonomike Detare të Turqisë (EEZ) në Libi, një akt ky i diskutueshëm, sidomos për Greqinë anëtare të NATO-s, duke pasur parasysh që ishulli grek i Kretës, gjendet midis EEZ turke dhe asaj libiane.

Për të mbështetur qeverinë e GNA kundër Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA) të gjeneralit Khalifa Haftar, Turqia shpalli në fillim të këtij muaji planet për të vendosur trupa në Tripoli, duke përfshirë edhe militantët sirianë dhe ushtarët turq. LNA, që mbështetet nga mercenarët rusë, pushtoi javës që shkoi Sirten, një qytet me rëndësi të madhe strategjike, dhe kjo e ka lënë qytetin e Misratës shumë të ekspozuar ndaj sulmeve.

Misrata është bastioni i fundit i qeverisë së Tripolit. Ka shumë të ngjarë që ajo të jetë objektivi i radhës i LNA. Dhe kjo gjë i vendos trupat turke dhe mercenarët rusë, në anët e kundërta të një lufte të ashpër. Presidentët Erdogan dhe ai rus Putin, u takuan javën e kaluar për të diskutuar më tej mbi Libinë.

Nëse takimi përfundoi me një marrëveshje xhentëllmenësh për të ndarë plaçkën e luftës, apo nëse Turqisë  i është lënë në dorë lëvizja e fundit dhe kësisoj është e dënuar të dështojë, kjo mbetet për tu parë. Tani për tani, që të dyja palët kanë ndërmjetësuar një armëpushim të brishtë midis GNA dhe LNA.

Por vetëm koha do të tregojë se sa i frytshëm do jetë ai. Nëse partneritetiTurqi-Rusi është pragmatik dhe i momentit, dhe nëse mund të prishet ky bashkëpunim, kur të kenë ndryshuar interesat e tyre, kjo do të vërtetohet në një periudhë më afatgjatë.

Kjo do ta detyronte Ankaranë të niste një kërkim të dëshpëruar për aleatë, në kushtet kur NATO po e cilëson atë si një anëtare gjithnjë e më të pabesueshme. Marrëdhëniet me Iranin do tendosen për shkak të Sirisë; Rusia do t?i kundërvihet në Libi; Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit Persik, do të bëjne sehir për shkak të aleancës së pamatur të Turqisë me Katarin, në një kohë që Egjipti do të vazhdojë të jetë i shqetësuar për mbështetjen e turqve ndaj Vëllazërisë Myslimane. Ankaraja mund të zbulojë se tani e tutje rruga do të jetë vetëm e përpjetë./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga