Connect with Us

Nga Artan Fuga/ Cila është data e republikës?

Opinione

Nga Artan Fuga/ Cila është data e republikës?

Publikuar

-

Historianë, juristë, konstitucionalistë – nuk e di nëse ka vërtetë të tillë – shoh se janë zhytur në një debat sa të kotë, aq budalla, edhe dogmatik.

A është 11 janari dita e republikës dhe a duhet mbajtur si e tillë?

O Zot! Pak probleme ka Shqipëria sa të merremi me të tilla çilimillëqe? !

Ngatërrohen logjikisht dy probleme të ndryshme që as një gjimnazist nuk do të duhej t’i ngatërronte. I ngatërron sepse mësimi i historisë, filozofisë, logjikës në shkollë të mesme është për ibret!

Por çfarë faji do të kishin kalamajtë kur mjekroshat ngatërrohen si çiliminj!

O njerëz qendroni në dy parime metodologjike dhe pushoni se na turpëruat!

E para, në historinë e një vend, sikurse të Shqipërisë nuk është themeluar një, por më shumë se një republika, ndoshta tre a katër me shkeputje kohe mes tyre, dhe ndoshta nja dhjetë pak a shumë si nënvariante të tipologjive kryesore. Prandaj nuk ka vetëm një datë themelimi republike, por ka data të ndryshme themelimi republikash të ndryshme, pavarësisht nëse janë quajtur kështu ose jo!

E dyta republika e 11 janarit 1946 është themeluar atë ditë dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Kush do t’a festojë ta festojë, të hajë bakllava, mish me oriz, të bëjë si ta mendojë. Mirëpo 11 janari 1946 është data e themelimit të asaj Republike, që sot dikush e do dhe dikush e urren. Natyrisht dhe natyrshëm! Por ajo nuk është data e kësaj republikës ku jetojmë sot!

Ajo quhej republikë popullore dhe kishte tipologjinë vet, kurse kjo e sotmja është republikë formalo-juridike që ka tipologjinë vet.

Pavarësisht se sipas librit tim “Shoqëria Piramidale”, të dyja përfunduan në Tirani!

Por janë dy republika të ndryshme. Nuk mund të mbahet 11 janari 1946 si data e një republike të themeluar në 1991, as të hiqet 11 janari meqë nuk është data e themelimit të republikës që na ka rënë në kokë sot!

LEXO EDHE:  “Pinokë të ndyrë! Morali juaj është korruptiv!”/ Nuk përmbahet Artan Fuga

Por mua sot po të më pyesësh se kush është më e mirë : Republika apo Monarkia, unë do të përgjigjesha që varet nga konteksti. Ka shumë të ngjarë që në shumë raste republika të duket thjesht si një lloj zdërhalljeje, zallamaije kaotike, zgjyre, para monarkive. Nuk besoni? Ja a mund të krahasohet republika jonë tiranike e sotme te ne me mbretërinë e Belgjikës, po me atë të Anglisë, po me atë të Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë, etj?

Problemi te ne nuk është monarkia, problemi është se ne nuk kemi mbret! Nuk kemi individin që ta fronëzojmë!

Ne kemi më shumë se mbret, me radhë janë kryetarët e partive që kanë pasur pushtetin!

Ne jemi mbretëri në republikë dhe republikë në mbretëri, mbretëri jokushtetonjëse, sepse pa kushtetutë, dhe ky është më i keqi nga rregjimet e mundshme politike!

Dhe thonë pastaj se nuk e ka fajin sistemi, por vetëm individi!!!:

Kjo është sikur të kemi një makinë rrotaxhile, pa shasi, pa frena, pa timon, dhe me shofer pa patentë, dhe ata që e shohin që ka rënë në kanal apo bën zigazake duke rrezikuar udhëtarët dhe kalimtarët, të pyesin dehshëm:

E ka fajin makina – sistemi – apo e ka fajin shoferi?!

O ju hangsha pyetjen !!!

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Acari i Tiranës/ “Në Kosovë më shumë kanë të drejta kinezët se shqiptarët e Shqipërisë”: Ç’ka ndodh kur Rama e takon Kurtin?

Publikuar

-

Nga

Nga Enver Robelli-

Pritja që kryeministri i Shqipërisë i bëri kryeministrit të Kosovës ishte e acartë. Një atmosferë siberiane në qendër të Tiranës. Kjo vërehej në çdo gjest, në pothuaj çdo fjalë, në çdo veprim të Edi Ramës. “Ti je i ri në këto punë”, “ti nuk e di se pa Mini-Schengen nuk ka Makro-Schengen shqiptar”, “më shumë kanë kinezët të drejta në Kosovë se shqiptarët e Shqipërisë”. Këto ishin, pak a shumë, fjalët e kryeministrit shqiptar drejtuar kolegut të tij nga Kosova. Ajo fjalia e Ramës me kinezët ishte së paku argëtuese, por larg të së vërtetës. Së fundi një shtetas kinez ka kërkuar azil në Kosovë, ndërsa nga Shqipëria, aq sa dihet, askush nuk ka kërkuar azil në Kosovë. Pra, muhabeti mund të mbahet edhe në nivel humori ngacmues.

Pritja e akullt e Albin Kurtit në Tiranë tregon hendekun që ekziston mes tij dhe Edi Ramës. Kryeministri shqiptar viteve të fundit me mendjelehtësi ia ka mbajtur anën një krahu politik në Kosovë. E ka përkrahur këtë krah edhe në aventurat e viteve të fundit për “zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Nuk është Edi Rama nismëtari i prishjes së kufijve të Kosovës, por ka pasur momente kur ai ka lënë përshtypjen se ka hipur në atë tren dhe kur e ka parë se në ç’drejtim po shkon, ka kërcyer nga treni. Ka të tillë që thonë se ende nuk ka kërcyer nga ky tren. Në Kosovë turmat e botës digjitale Ramës ia kanë vënë etiketën e “tradhtarit”. Kjo është mënyra më e lehtë për të mos u ballafaquar me pyetje të vështira lokale. Njëra ndër to është kjo: kush e zgjodhi në Kosovë këtë klasë politike që sundoi deri në fillim të shkurtit?

Nga ana tjetër, Albin Kurti duke e mbiçmuar rolin e tij, është sjellë sikur me ardhjen e tij në pushtet do ta nxjerrë në selamet jo vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë. Pas zgjedhjeve në Kosovë Kurti mrizin e tij të zanave e gjeti në studiot televizive të Tiranës. I rrethuar me analistë që janë kritikë të ashpër të Ramës, Kurti lejoi të përdoret si një “anti-Ramë” i ri, i cili vjen nga Prishtina dhe e nisë revolucionin për ndryshime të mëdha politike edhe në Tiranë. Kurtit i pëlqente ky rol i një Azem Bejte me kravatë dhe pa Shote Galicën, por realiteti i studiove televizive shpesh nuk përputhet me realitetin në terren. Kjo vlen edhe për Shqipërinë. Ndryshimet politike në Shqipëri mund të ndodhin kur njerëzit nga Kukësi në Sarandë të kenë vullnet për ndryshim.

Natyrisht që kushdo që ka besuar se Kurti do t’ia rrezikojë pushtetin edhe Edi Ramës, duhet të jetë injorant dhe iluzionist i madh. Shqipëria nuk mund ta huazojë opozitën apo ndonjë lider inspirues në Kosovë – dhe anasjelltas. Megjithatë, ka pasur momente kur Edi Rama (dëshironte të) besonte se rreziku i kanoset nga Kosova, më konkretisht nga Vetëvendosja. Për shembull kur në fund të vitit 2018 në Shqipëri nisën protestat e mëdha studentore. Rama gabimisht (e ndoshta edhe qëllimisht) besonte se pas protestave qëndronte Vetëvendosje. Mund të ketë pasur në mesin e studentëve ndonjë simpatizant nga Kosova, por arsyet e demonstratave studentore gjendeshin brenda kufijve të Shqipërisë. Nuk kishte dorë “armiku i jashtëm” në këto protesta.

Rama dhe Kurti janë politikanë tepër të dashuruar në opinionet e tyre. Në shumë shkrime që në fillim të viteve 90-të Rama ka treguar se është gjuhëbrisk. Kurti ka një retorikë që në veshët e masave popullore tingëllon joshëse. Mesazhi i tij në Tiranë ishte ky: “Unë erdha të bëjë Makro-Schengenin shqiptar, por Rama po më thotë se ky s’bëhet dot pa Mini-Schengenin me vendet e rajonit”. Rama reagoi me nervozizëm, duke e reduktuar Kurtin në një kalama që ende duhet të mësojë se si ecin punët e mëdha të shtetit. Edi Rama ndihet i keqkuptuar në Kosovë dhe sedërfyer. Por shkathtësi do të ishte ta tejkalonte sedrën dhe të ishte më i hapur ndaj kritikave. Në ambientin e dalldisur shqiptar, ku ose të shpallin tradhtar ose patriot, kjo shpesh është e vështirë, por një politikan e tregon zotësinë e tij kur nuk merret me grindjet e lagjes.

Sa i përket Mini-Schengenit: Kosova nuk ka pasur qasje serioze ndaj kësaj nisme. Para një dekade presidenti i atëhershëm fliste për një Schengen ballkanik dhe kishte organizuar edhe një samit nën hijen e pishave të Brezovicës për të diskutuar këtë temë me kryetarët e shteteve fqinje (me përjashtim të Serbisë). Mandej Kosova hyri në qorrsokakun e “marrëveshjeve historike” me Serbinë. Rezultati i këtyre marrëveshjeve është ky: çdo kosovar që niset me veturë për të shkuar në Serbi, me vete duhet të ketë një kaçavidë për të çmontuar targat në kufi (nën ndikimin e gjermanishtes në Kosovë kaçavidës i thonë: sh(t)rafciger, nga Schraubenzieher).

Kur nisma e fundit për Mini-Schengen mori formë më konkrete me takimin e Novi Sadit, Shqipëria nuk do të duhej të merrte pjesë pa Kosovën. Serbia nuk do të pranonte që kryeministri i atëhershëm i Kosovës apo presidenti të shkonin në Novi Sad – kundër të dyve Serbia ka shpallur fletarrest për shkak të rolit të tyre në luftën e viteve 1998/99. Përse nuk insistoi Tirana që takimi i parë të mbahet në Ohër? Ose, fundja, në një shtet të Bashkimit Europian si Bullgaria? Acarimi i raporteve mes Prishtinës dhe Tiranës do të mund të evitohej po të mos i frynin zjarrit të dy palët.

Nga Tirana ka zëra që thonë se nga Prishtina ka pasur sinjale se së paku ministri i atëhershëm i Jashtëm do të merrte pjesë në takimin e Ohrit. Kur kjo nuk ndodhi, Edi Rama kaloi në modusin e idhnakut, që me gjuhë të papërmbajtshme nisi të kacafytej verbalisht me pothuaj të gjithë në Kosovë, e më së shumti me Ramush Haradinajn pas akuzave të këtij të fundit se Edi Rama për disa miliardë euro a dollarë deshi t’ia shesë Serbisë gjysmën e Kosovës. Situata është pak më e ndërlikuar dhe nuk mund të reduktohet në shitblerje, siç pretendon Haradinaj. Hapja e debatit për prekjen e kufijve të Kosovës është pasojë e paaftësisë kolosale të klasës politike të Kosovës. Cila ka qenë strategjia e Prishtinës pasi Gjykata Ndërkombëtare i dha legjitimitet shtesë pavarësisë së Kosovës? Është biseduar me Serbinë për rregullimin e brendshëm të Kosovës! Këto negociata e pollën asociacionin e komunave serbe brenda Kosovës, një lloj “republike serbe”.

LEXO EDHE:  Metës i ka ardhur “zogu” në dorë/ Basha të garojë në Shkodër

LEXO EDHE:  Po sikur të çmenden të gjithë deputetët dhe ...?!

Gati një dekadë Kosova i lëshon pe Serbisë në shumë çështje dhe shpreson se një ditë do të vijë shpërblimi i madh nga Brukseli. E Brukseli, përmes një diplomateje të paaftë italiane me simpati për Rusinë, një ditë thotë: “Hashim dhe Aleksandër, zgjidheni ju vetë problemin, mund të takoheni edhe nëpër përfaqësi të BE-së në Europë dhe të diskutoni të lirë edhe për punën e kufijve”.

Në debatin për Mini-Schengen, të cilin Edi Rama bëhet sikur e ka shumë për zemër, ka një përhapje të miteve. Kur Edi Rama tha se qytetarët e Kosovës tani në Shqipëri mund të kërkojnë punë pa procedura burokratike, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë në Kosovë janë të barabartë me kinezët – kjo deklaratë e tij ka nevojë për një shpjegim. Nuk është se Shqipëria po bën ndonjë ligj të veçantë për shqiptarët e Kosovës që ata të gjejnë më lehtë punë në Durrës apo në Tiranë. Ligji po bëhet për të gjithë, përfshirë serbët, malazezët, maqedonasit. Pastaj vetë nocioni Mini-Schengen është mashtrim. Schengeni si koncept përfshinë lëvizjen e lirë, jo hapjen e tregut të punës.

Ideja e Mini-Schengenit ballkanik përmban brenda vetes “katër liri”, siç ekzistojnë në BE: lirinë e qarkullimit të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe personave. Më korrekte do të ishte të flitej për një përpjekje për krijimin e një “Mini-BE-je ballkanike”. Thuhet se kjo parashihet edhe nga Procesi i Berlinit. Por, çka është Procesi i Berlinit? Një sheqerkë që u hidhet ballkanasve për të mos folur për hyrjen në BE. Në ministrinë e Jashtme të Gjermanisë vokabulari është përshtatur: nuk flitet për “anëtarësim në BE” të vendeve të Ballkanit, por për një “proces afrimi”. Dallimi është i madh.

Në Schengen është edhe Zvicra, por Zvicra për hapjen e tregut të punës nuk negocionin me ndonjë instancë të Schengenit, por me Bashkimin Europian. Kush hyn në BE, e dorëzon një pjesë të sovranitetit në Bruksel. Ku do të dorëzohet ky sovranitet në rastin e një “Mini-BE-je ballkanike”? Debati për të ashtuquajturin Mini-Schengen është një shtirje e udhëheqësve politikë në Beograd, Tiranë e Shkup për të dukur bashkëpunues para BE-së. Nëse nxjerr si përfitim hapjen e negociatave për hyrje në BE, kjo shtirje mund t’i falet edhe Edi Ramës, por ai nuk ka nevojë ta mitizojë dhe fetishizojë “Mini-BE-në ballkanike”.

Në një gjë Edi Rama, megjithatë, ka të drejtë: gjithnjë varet se kush i thotë gjërat. Kur ambasadori amerikan në Berlin pa asnjë paralajmërim shfaqet në opinion dhe u thotë serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës: “Urime linja ajrore mes Beogradit dhe Prishtinës”, në kryeqytetin e Kosovës edhe Ramush Haradinajt i skuqen duart duke duartrokitur, pëfshirë këtu edhe segmente të shoqërisë civile që nguten për t’u dukur sa më “proamerikanë”. Mund të merret me mend se Edi Rama do shpallej kryetradhtar e poliagjent po të thoshte para një viti apo gjashtë muajsh këtë që tha ambasadori amerikan në Berlin.

Për t’u kthyer te kinezët e Edi Ramës që gjoja në Kosovë paskëshin më shumë të drejta se dikush nga Saranda apo Durrësi që vjen në Drenas apo Gjilan: ekonomistë në Kosovë thonë se Shqipëria është ndër vendet me më së shumti pengesa për prodhimet nga Kosova. Hapja e tregut të punës nuk duhet të mitizohet – këtu shqiptarët janë një: si në Kosovë si në Shqipëri nuk ka shumë vende të lira të punës. Kjo është arsyeja që njerëzit po ikin në Gjermani e gjetiu. Por më lehtë është të flitet për hapje të tregut të punës se sa për ikjen e njerzëve që nuk gjejnë vende të punës.

Pas takimit të sotëm mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit u tha se në fund të marsit do të mbahet një mbledhje e dy qeverive në Shkodër. U tha po ashtu se do të krijohet një komision ndërshtetëror për zbatimin e 77 marrëveshjeve mes dy vendeve. Këtu qëndron krejt problemi mes Kosovës dhe Shqipërisë: ju mund të miratoni edhe marrëveshjet më fantastike, por duhet të keni administratë që e zbaton dhe që heq pengesat. Për këtë duhet edhe vullnet politik. Nganjëherë gjërat mund të tejkalohen mbase veç me humor. Është dëgjuar shpesh Albin Kurti duke thënë se Shqipëria do të duhej të ishte e Kastriotit dhe jo e Kastratit (duke aluduar në një biznesmen të Tiranës). Rastësi apo jo: më 13 shkurt në hotelin e këtij biznesmeni në Tiranë Kosova do të organizojë pritjen me rastin e 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Një rast i mirë që bijtë e shqipes nga Mitrovica në Sarandë të diskutojnë mbi privilegjet e kinezëve në Kosovë.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Bledi Mane/ E përdhunova edhe unë Tiranën!

Publikuar

-

Nga

Unë hyra pa trokitur, madje shkelmova derën dhe u futa brenda teje gjithë arrogancë. Ti e lodhur po flije. Të zgjova, të ngrita nga krevati, të nxorra jashtë lakuriq. Ishte ftohtë, e mban mend?

Binte shi dhe të lashë të lageshe e të dridheshe nga acari i dimrit. Shtëpinë ta ktheva përmbys, të prisha traditat, arkitekturën, të shkula caracin, ta thava pusin, ta piva rakinë, ta hëngra tavën e sheut.

Tapinë e shtëpisë ta vodha, dola jashtë, ta kyça derën, nxitova në gjykatë te Gjin Gjoni dhe e tjetërsova pronën. Ti prisje aty jashtë në shi e lagur dhe e ngjethur nga i ftohti. Sa më pe mua, qeshe dhe më pyete:

-Të futem edhe unë brenda?

Derën ta përplasa në fytyrë dhe të lashë të qulleshe deri në palcë. Rëmbeva telefonin dhe njoftova të gjithë miqtë e mi. Ata erdhën me rradhë një e nga një: Sali Kelmendi, Sali Berisha, Brokaj, Aleksandër Meksi, Fatos Nano, Ylli Bufi, Edi Rama, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Lulzim Basha, Ilir Meta, Erion Veliaj e pasi i kërcënova dhe i josha nuk nguruan të më japin leje. Te shtëpia jote e bukur me pjergulla, lule dhe oksigjen ndërtova kullat e larta. Parkingje, dyqane, zyra, apartamente pa fund por ty nuk të dhurova asgjë. Ua shita skraparllinjve, tropojanëve, vlonjatëve, matjanëve, korçarëve, kuksianëve…

2./

LEXO EDHE:  Nga Artan Fuga/ Shpifjet e Pellumb Xhufit si strategji uzurpimi e akademisë të shkencave

LEXO EDHE:  Nga Artan FUGA/Cili eshte kanceri i vertete i kombit?

Ne jetojmë të gjithë të lumtur në pronat tona të reja ndërsa ti ende qëndron aty jashtë lakuriq, e drobitur, e raskapitur, e lagur, e ngjethur.

Ne të shikojmë çdo ditë nga dritaret e apartamenteve dhe makinavr tona të shtrenjta tek qëndron aty e vetmuar por ti përsëri qesh dhe na pyet:

-Të futem edhe unë brenda se kam ftohtë, por ne arogantët dhe mosmirënjohësit e pandreqshëm xhirrojmë gomat e makinave dhe ta lëndojmë çdo ditë e më tepër mikpritjen tënde!

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Andi Bushati/ Pse s’ranë dakord? Ramën dhe Albinin i largon Vuçiçi

Publikuar

-

Nga

analisti dhe gazetari andi bushati

Edi Rama e ka yshtjen për ironi më të fortë se atë për vetëpërmbajtje. Vesin e tij ai nuk ia kurseu në konferencën e shtypit, as Albin Kurtit. Duke e etiketuar si “të ri në detyrë”, ai mëtoi të theksonte gjithë naivitetin dhe ëndërrat fluturake që ngërthen ky togfjalësh. Pasi ia ka thënë më parë edhe privatisht, gjatë takimit të tyre të mëhershëm në Tiranë, se realiteti i qeverisjes bie shpesh ndesh me poezinë e opozitës, ai u rimundua ta fusi në këtë steriotip edhe publikisht bashkëbiseduesin e tij.

Por, në fakt, divergjenca e thellë që Rama dhe Kurti shfaqën këtë të martë, ajo e mospajtimit për idenë e mini Shengenit Ballkanik, nuk ka të bëjë thjesht me ndryshimin mes një njeriu që u është nënshtruar ingranazheve të pushtetit dhe një tjetri që vazhdon inercinë idealiste të opozitës.

Ajo mbi të gjitha është thelbësore, parimore dhe patriotike.

Mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit qëndron një hendek i thellë : i pari e sheh Kosovën si mish për top për pushtetin e tij. Për këtë, ai është i gatshëm, që përkrah Aleksandar Vuçiçit, të kërkojë një zgjidhje që i vë të dy në piedestalin e liderëve të pashmangshëm të Ballkanit.

Vetëm kështu mund të justifikohen piruetat krejtësisht haluçinante, që bëjnë dhe shiun dhe diellin në fare pak kohë. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si këta dy politikanë u shndërruan papritmas nga idhtarë të zgjidhjeve me ngritje muresh, me ndarje etnike, me shkëmbime territoresh dhe popullsish, në krejt të kundërtën, në partizanë të rrëzimit të mureve, të heqjes së kufijve, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, sipas modelit të Europës së bashkuar.

Mjafton vetëm ky kapërcim i pabesueshëm, për të mos e parë Edi Ramën as si idealist, as si realist, por thjesht si oportunist.

Me Albin Kurtin e opozitës, në 22 vjet, ka ndodhur e kundërta. Ai ka vuajtur burgun serb për Kosovën e pavarur, ai ka duruar prangat e UMNIK-ut për një shtet pa enklava të dirigjuara nga Beogradi, ai është shndërruar në deputet radikal me gaz lotsjellës në dorë, për të mos dorëzuar pjesë të territorit, ai ka pasur gjithmonë një yll polar, të diskutueshëm për shumëkënd, por të panegociueshëm për të: bashkimin kombëtar.

Pikërisht këto dy modele politikanësh janë përballur në takimin e tyre të parë zyrtar në Tiranë.

LEXO EDHE:  Paradokset tona

LEXO EDHE:  Nga Artan FUGA/Cili eshte kanceri i vertete i kombit?

Ashtu sikurse u duk edhe nga fjalët e tyre, ata nuk kanë rënë dakord. Sepse, sipas Albinit (shiko linkun e shkrimit lart) më parë duhet një “Makro- Shengen” midis vetë shqiptarëve. Ndërsa, sipas Ramës, ai nuk mund të arrihet kurrë, pa mini Shengenin, pra pa lejen e Beogradit dhe të Vuçiçit.

Ky pra është hendeku, i cili u vu re sot. Ai mes një politikani që qëndron prej 22 vitesh në pushtet dhe që e sheh gjithçka vetëm me cinizmin e përfitimit të vet personal dhe një lideri që vjen nga opozita dhe që ruan ende idealin e të folurit në emër të shumicës.

Pikërisht këtë përplasje, Edi Rama u mundua ta fshehë përmes ironisë me steriotipin e “të riut në detyrë”, duke lënë të kuptohet se koha dhe pushteti do ta transformojnë edhe Albin Kurtin.

Natyrisht askush nuk mund të vërë bast për këtë.

Por, mosmarrëveshja e sotme na tregoi një gjë: se udhëheqës si Rama, nuk mund të ndryshojnë dot më, ata kanë vetëm një shpresë, ta bëjnë edhe Albinin si vetja.

Ndërsa Kurti ende na mëkon me besimin për të dyshuar, se nuk ekziston një rrugë e vetme, se për të qëndruar gjatë në politikë nuk duhet patjetër të kalosh nga Beogradi, nuk mund t’u nënshtrohesh edhe kompromiseve më të ulta, se në fund të fundit, nuk duhet vetëm të përulesh, por edhe të besosh.

LEXO TE PLOTE