LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Turkish Stream, një gazsjellës me forcë simbolike

9 Janar 2020, 14:15, Blog CNA
Turkish Stream, një gazsjellës me forcë simbolike

Putini dhe Erdogani festuan hapjen e gazsjellësit të ri, edhe Vuçiçi dhe Borisovi të pranishëm.

Ekonomia dhe popullsia turke po rriten me shpejtësi të madhe – dhe bashkë me to edhe kërkesa për energji. Turqia e merr gazin kryesisht nga Rusia. Deri më tani atë e sillte në Turqi nëpërmjet Detit të Zi me anë të gazsjellësit “Blue Stream”. Gjatë viteve të fundit, ky gazsjellës është zgjeruar dhe tani e tutje quhet Turkish Stream: Dy tuba të rinj do ta furnizojnë tani vendin e etur për energji me gati 16 miliardë metra kubikë gaz në vit – kjo pothuajse do t’i dyfishojë kapacitetet.

Të mërkurën, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, e përuruan gazsjellësin e ri me një ceremoni në Stamboll. Një pjesë e madhe e furnizimeve të gazit ka për destinacion tregun turk – një degë e tij është paraparë të furnizojë edhe vendet e BE-së me gaz natyror. “Gazsjellësi do ta përmirësojë sigurinë energjetike në të gjthë Evropën”, tha Putini në Stamboll.

Në aktivitet morën pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov. Dega evropiane e gazjellësit do të kalojë nëpërmjet Bullgarisë me destinacion Evropën Jugore dhe Juglindore. Gazi do të kalojë nga Bullgaria e Serbia, nëpërmjet gazsjellësit Balkan Stream, për të vazhduar më tej, në rast nevoje, në Sllovaki, Hungari ose dhe Austri. Borissow tha se punimet për pjesën bullgare të Balkan Stream-it do të përfundojnë qysh në maj të vitit 2020.

Boshti Moskë-Ankara është duke u formësuar

Turqia kërkon kësisoj edhe që të përfitojë nga gjeopozita e saj e ekspozuar mes Lindjes dhe Perëndimit dhe të bëhet një qendër e rëndësishme e energjisë. Ndërsa për Moskën, gazjellësi është një rrugë alternative shtesë për të sjellë  gazin në Evropë, duke mos përdorur Ukrainën.

Partneriteti dypalësh midis Moskës dhe Ankarasë po bëhet gjithnjë e më i ngushtë. “Unë jam i bindur se Rusia dhe Turqia do të realizojnë shumë projekte të tjera në të ardhmen”, tha Erdogani. Ai foli për një bashkëpunim win/win, pra ku do të ketë vetëm përfitues. “Nuk kemi lejuar që mosmarrëveshjet e së kaluarës të na bllokojnë interesat tona të përbashkëta”, tha Erdogani, duke pasur parasysh mosmarrëveshjet aktuale mes dy vendeve.

Thirrje për armëpushim në Libi. 

Libia dhe Siria janë dy nga fushat ku dy liderët rajonalë kanë konflikte interesash. Më 9 tetor, Turqia filloi një operacion për zbrapsjen e milicisë kurde nga kufiri turk. Në fund të tetorit, Putini dhe Erdogan ranë në ujdi në Soçi dhe i përfunduan luftimet. Në atë kohë, Ankarasë iu dha leja për të ngritur një zonë sigurie në veri të Sirisë.

Ndërsa në rastin e Libisë, qeveria turke mban anën e qeverisë së kryeministrit Fajis al-Sarradsch, i cili njihet  ndërkombëtarisht dhe i dërgoi këtij trupa përforcuese. Moska mbështet gjeneralin, Chalifa Haftar, i cili me  Ushtrinë e tij Kombëtare të Libisë (LNA) po përpiqet të marrë në dorë Tripolin. Që Turqia dërgon trupa në Libi, këtë Moska e sheh me dyshim. “Ankarasë i është thënë tashmë, se ushtarët turq nuk duhet të luftojnë kundër milicisë së gjeneralit Haftar”, thuhet nga qarqet diplomatike ruse. Në Stamboll dy krerët e shteteve u bënë thirrje palëve për armëpushim./ DW

Lajmet e fundit nga