Connect with Us

Si historia tragjike në familje, e nxiti Samuel Morsin të shpikte telegrafin

Blog

Si historia tragjike në familje, e nxiti Samuel Morsin të shpikte telegrafin

Publikuar

-

Ishte shkurti i vitit 1825, dhe 34-vjeçari Samuel Mors, një piktor i realizuar ndodhej në Uashington, duke punuar mbi një portret të porositur nga një biznesmen i madh. Ai i shkroi një ditë gruas së tij të dashur:”Dua të më shkruash se çfarë po bën”. Në fakt, prej saj nuk do të vinte më kurrë asnjë përgjigje.

Në mungesë të tij, ajo vdiq befas nga një sulm në zemër. Lajmi tragjik mbërriti shumë vonë tek Mors, dhe ai nuk ishte i pranishëm as në funeralin e bashkëshortes së tij. Kjo ngjarje do të linte një shenjë të thellë në shpirtin e artistit, dhe do ta nxiste atë të shpikte në një pajisjet më revolucionare, që do të ndryshonte historinë e komunikimit.

Po kush ishte Samuel Mors? Lindi në prillin e vitit 1792 në Çarlstaun të Masaçusetsit. Ai ishte fëmija i parë i Xhedidiah Mors, gjeograf në profesion. Samuel u arsimua në Akademinë Filips në vendlindje. Ai nuk ishte një student shumë i mirë, edhe pse shfaqi që herët talentin e tij artistik. Më vonë ai nisi studimet në Kolegjin e Jeilit.

Mors ndoqi kurse në matematikë, filozofi fetare por dhe për energjinë elektrike, një fushë që më vonë do të kishte një rëndësi të madhe për të. Samuel donte të bëhej një artist, por i ati kishte plane të tjera. Ai synoi ta bënte një botues librash. Por kur e pa se i riu Mors nuk po përshtatej dot, vendosi të mbështesë aspiratat e tij artistike.

Në vitin 1811, Mors shkoi për 3 vite në Angli, duke studiuar dhe përsosur artin e tij të pikturës. Ai u zgjodh anëtar i Akademisë Mbretërore Britanike. Në atë kohë, realizoi tablonë që cilësiohet nga kritika si vepra e tij më e mirë, një imazh të heroit mitik Herkulit, në grahmat e vdekjes.

Pasi u rikthye në SHBA, ai vazhdoi të pikturojë në një studio në Boston. Në vitin 1818 u martua me Lukrecia Uokerin, që do të vdiste papritur në moshën 25-vjeçare. Në 7 vitet e martesës, çifti do të sillte në jetë 3 fëmijë. Më e madhja, Suzan, ishte vetëm 5-vjeçe kur i vdiq e ëma.

Edhe pse veprat e tij, tërhoqën vëmendjen e publikut, shitjet e tyre ishin të pakta. Ndaj Samuel u detyrua të merrte porosi për portrete aty ku mundte, duke udhëtuar kudo ku kërkohej. Një porosi e tillë ishte ajo e francezit Zhilber dë Motje, i njohur më shumë si Marezi dë Lafajet.

Ai ishte një personazh i nderuar në Amerikë, për shkak të ndihmës që dha si komandant ushtarak në mposhtjen e britanikëve gjatë Luftës Revolucionare.

Pagesa për portretin do të ishte 1.000 dollarë, një shumë e madhe për kohën. Mors u largua nga shtëpia e tij në Nju Hejvën në Konektikat, dhe udhëtoi për 4 ditë derisa mbërriti në Uashington. Ai la në shtëpi bashkëshortjen e tij Lukrecia, që ishte në muajt e fundit të shtatzënisë me fëmijën e tyre të tretë.

Ajo i shkroi me dashuri burrit të saj:”Jam e lumtur kur mendoj, se nuk ka mbetur edhe shumë kohë kur t’i do të jesh sërish këtu, në gjirin e familjes tënde të dashur”. Mors mori pak ditë më vonë një letër tjetër, por këtë herë nga i ati që e njoftonte:”Zemra ime është e copëtuar, dhe jam thellësisht i trishtuar, të të njoftoj për vdekjen e papritur të gruas tënde të dashur!”.

LEXO EDHE:  Erion Veliaj si Don Kishoti/ I shpall luftë me heshtë medias kritike

Për shkak të vonesave të pashmangshme, si pasojë e shpërndarjes së ngadaltë të postës me kuaj në vitet 1820, Mors nuk arriti të ishte i pranishëm në funeralin e saj. Edhe pse u shkatërrua shpirtërisht nga humbja e Lukrecias, Samuel e vazhdoi dhe për disa vite karrierën e tij si artist. Ai udhëtoi sërish drejt Evropës në vitin 1829. Këtë herë destinacioni i tij ishte kryeqyteti francez, Parisi. Nga aty ai vizitoi Zvicrën dhe Italinë.

Ai realizoi atje disa tablo, të cilat nuk u shitën sa shpresonte. Në vitet 1830 i hyri politikës, dhe kandidoi për kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, po u zhgënjye shpejt dhe doli prej saj. Pasi as piktura nuk po i garantonte dot një jetesë normale, Mors nisi t’i kushtojë vëmendje telegrafit. Ai e kishte përshkruar konceptin mbi të që në vitin 1832.

Ai synonte të ndërtonte një makinë që do të dërgonte sinjale përmes një teli, dhe një qarku elektrik të mbyllur. Makina marrëse do të përdorte një elektromagnet, për të shënuar sinjalet si një seri pikash dhe vijash. Këto të fundit mund të deshifrohen më pas, me përdorimin e një çelësi të koduar, që do të shndërronte sinjalet e thjeshta në numra dhe shkronja, të cilat do të formonin një mesazh.

Në eksperimentet e tij, u ndihmua nga kimisti i Universitetit të Nju Jorkut, Leonard Gejl.

Ky shpiku një metodë, për të rritur fuqinë e baterisë dhe magnetit që përdorte Mors. Ata dërguan me sukses një mesazh përgjatë një linje 500 metra të gjatë. Më vonë pajisja u përshtat, për të dërguar sinjale në një distancë të pakufizuar.

Në fillim shpikja e tij u prit ftohtë. Ndaj Mors e pati shumë të vështirë me mbledhjen e fondeve, për ndërtimin e të parit rrjet telegrafik në botë. Ai arriti të bindë Kongresin dhe Senatin Amerikan vetëm në vitin 1842, përmes një demonstrimi konkret. Qeveria i dha 30.000 dollarë një vit më vonë, për të ndërtuar një linjë telegrafike midis Uashingtonit dhe Baltimorës, në një distancë 61 km.

Ajo u hap zyrtarisht në vitin 1844, dhe mesazhi i parë i transmetuar ishte një citat biblik nga Libri i Ligjit të Përtërirë:”Çfarë ka bërë Zoti?”. Falë vendosmërisë së Mors, bota kishte për herë të parë një sistem komunikimi të menjëhershëm në distanca të gjata. Shumë shpejt, sistemi telegrafik i Mors dhe kodi i tij, do të përhapeshin në mbarë botën. Samuel Mors vdiq në vitin 1872, në moshën 80-vjeçare si një njeri i pasur dhe i nderuar./ Historicalpost-Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Krokodilë si kafshë shtëpiake/ Çfarë nuk dini mbi presidentët amerikanë

Publikuar

-

Nga

Xhorxh Uashingtoni ishte një flokëkuq

Xhorxh Uashingtoni, njihet botërisht nga imazhi i tij në karmonedhën e dollarit. Në fakt, ato që duken si flokë të bardhë, janë paruket që ai mbante në atë kohë, dhe që ishin për kohën një modë dominuese. Flokët e tij origjinale ishin të kuqe.

Xhon Adams ishte presidenti i parë që jetoi në Shtëpinë e Bardhë

Ai ishte presidenti i dytë në historinë e Amerikës, por i pari banor i Shtëpisë së Bardhë. Ai u transferua aty më 1 nëntor 1800, në vitin e fundit të mandatit të tij të parë dhe të vetëm. Më herët, jetoi në “Shtëpinë e Presidentit”, një godinë 3-katëshe prej tulle në qytetin e Filadelfias.

Tre presidentë kanë vdekur më 4 korrik, Ditën e Pavarësisë

Në festën më të madhe kombëtare të SHBA-së kanë vdekur presidentët Xhon Adams, Tomas Xheferson dhe Xhejms Monro. Madje Adams dhe Xheferson vdiqën në të njëjtën ditë:4 korrik 1826. Monro vdiq 5 vjet më vonë, më 4 korrik 1831.

Xhon Kuinsi Adams, mbante në vaskën e banjos një krokodil si kafshë shtëpiake.

Edhe pse ka disa dyshime mbi vërtetësinë e kësaj historie, supozohet se krokodili ishte një dhuratë e veçantë nga ana e gjeneralit të famshëm francez për ndihmën që u dha kolonive amerikane gjatë Luftës Revolucionare, Markezi dë Lafajet.

Martin van Buren, ishte i vetmi president që mësoi anglishten si gjuhë të dytë

Presidenti i tetë, Martin van Buren, ishte presidenti i parë që lindi dhe u rrit plotësisht si një qytetar amerikan. Ai lindi në komunitetin holandez të Kinderhuk në Nju Jork, dhe gjuha e tij e parë ishte holandishtja. Kjo e bën presidentin e vetëm amerikan, që e fliste anglisht si gjuhën e tij të dytë.

Uilliam Herrison, mbajti fjalimin më të gjatë gjatë inaugurimit në detyrë, por pati presidencën më të shkurtër.

Më 4 mars 1841, Herrison mbajti atë që hyri në histori si fjalimi më i gjatë i një presidenti amerikan në ceremoninë e inaugurimit. Plot 8.445 fjalë, dhe gati 2 dy orë për t’u lexuar. Mjerisht, vetëm 32 ditë më vonë ai vdiq nga pneumonia, pasojë e një ftohjej që e mori pikërisht gjatë fjalimit të tij maratonë.

Xhon Tajler pati 15 fëmijë, më shumë se çdo president tjetër

Tajler pati 8 fëmijë me gruan e tij të parë, Leticia Kristian, që vdiq nga një goditje në tru në vitin 1842, gjatë mandatit të tij parë dhe të vetëm. Dy vjet më vonë, ai u martua me Xhulia Gardiner, me të cilën pati edhe 7 fëmijë të tjerë.

LEXO EDHE:  Pse do të funksionojë strategjia e Donald Trumpit ndaj Iranit

LEXO EDHE:  Ja pse Bob Marli quhej “Djali i bardhë” kur ishte fëmijë

Xhejms Bukanan, ishte presidenti i vetëm beqar i SHBA-së

Presidenti i 15-të i Amerikës, ishte beqari i vetëm që ka jetuar në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë disa historianë, spekulojnë se ai kishte një lidhje intime me politikanin Uilliam King.

Abraham Linkolni e rriti mjekrën, bazuar në këshillën e një vajze 11-vjeçare

Kur nisi fushatën për president, Linkolni ishte i rruar. Por në tetorin e vitit 1860, ai mori një letër nga 11-vjeçarja Grejs Bedel. “Nëse do të mbani mjekër, unë do të përpiqem t’i bind vëllezërit e mi që të votojnë për ju. Do të dukeni shumë më mirë, pasi fytyra juaj është shumë imcake”- shkruante vajza. Një muaj më vonë, Linkolni nisi të shfaqet në publik me mjekër.

Gjenerali me pesë yje Duajt Ajzenhauer, nuk mori mori pjesë në asnjë luftim në fushën e betejës

Ajzenhauer u bë president kryesisht për shkak të karrierës së tij të dalluar ushtarake. Ai shërbeu 35 vjet në ushtrinë amerikane, dhe në të dyja luftërat botërore. Gjatë Luftës së Dytrë Botërore ai u emërua Komandant Suprem i Forcave Aleate, dhe drejtoi Operacionin Overlord për çlirimin e Evropës në qershorin e vitit 1944. Por në asnjë rast, ai nuk pati një përvojë reale në fushën e betejës.

Para vrasjes, Xhon Kenedi ishte 5 herë shumë pranë vdekjes

Të gjithë e dinë se Kenedi u vra në Dallas më 22 nëntor 1963. Por vdekjen e ka pasur pranë edhe 5 herë të tjera. Në moshën 2-vjeçare, për pak sa nuk vdiq nga ethet e kuqe. Gjatë luftës së Dytë Botërore, po lundronte me njësinë e tij ushtarak në Paqësor, kur japonezët e bombaduan anijen. Ai u detyrua të notonte për 4 orë, deri në ishullin më të afërt.
Katër vjet më vonë, Kennedy u shtrua në spital me sëmundjen e Adison. Sëmundja iu përsërit disa vite më vonë, kur gati vdiq. Ndërkohë në vitin 1954, pësoi një infeksion të traktit urinar pas një operacioni. Gjatë dy përvojave të fundit, Kenedi përfundoi për disa orë në gjendje kome./Përshatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

A është një lider i lindur, fëmija më i madh i familjes?

Publikuar

-

Nga

Të gjithë e dinë se fëmijët e parëlindur janë udhëheqës natyralë, të dytët janë rebelë, dhe më të vegjlit janë të llastuar me besim të tepruar tek vetja. Të paktën, kjo është ajo që na kanë mësuar. Por a ka ndonjë gjë të vërtetë në këtë thënie?

Në vitet 1930, psikoterapisti austriak Alfred Adler, ishte i pari që studioi rendin e lindjes së fëmijëve dhe efektin e tij në personalitetin e njeriut. Ai besonte se “çdo vështirësi në zhvillimin e fëmijës, shkaktohej nga rivaliteti dhe mungesa e bashkëpunimit në familje”.

Sipas Adlerit, një fëmijë i vetëm s’ka nevojë të garojë asnjëherë për vëmendjen e prindërve të tij, dhe nuk “zëvendësohet” kurrë nga motrat apo vëllezërit e tjerë. Ngjashëm, fëmija më i madh merr pjesën më të madhe të vëmendjes së prindërve, dhe ka të ngjarë të ndihet përgjegjës për kujdesin ndaj vëllezërve dhe motrave më të vegjël, gjë që reflektohet tek përsosmëria, puna e palodhur dhe vetëdija e tyre.
Edhe fëmijët e lindur të dytët, garojnë vazhdimisht me motrën apo vëllain e tyre më të madh për vëmendje. Fëmijët midis të mëdhënjve dhe më të vegjëlve ndodhen midis, të cilët shpesh mund t’i lënë jashtë vëmëndjes së tyre. Për pasojë, këta fëmijë mund të zemërohen me lehtësi dhe të jenë më të ndjeshëm ndaj kritikave.

Fëmija më i vogël, është shpesh më i mërzituri në familje. Ai varet nga familja më shumë se sa të tjerët. Shtimi i një fëmije në familje, ka një ndikim në mënyrën e funksionimit të një familje. Por Adler sugjeron se këtu luajnë një rol edhe faktorë të tjerë si madhësia e familjes, shëndeti, mosha, kultura apo gjinia e fëmijës.
Ndërkohë sipas një studimi të fundit suedez, të parëlindurit kanë tipare më të favorshme të personalitetit, përfshirë hapjen ndaj përvojave të reja, vetëdijësimin, të qënit miqësorë dhe të pasurit e një stabilitetit më të madh emocional, sesa vëllezërit e tyre të lindur më vonë.
Për pasojë, ata kanë më shumë të ngjarë të bëhen drejtues dhe menaxherë të rëndësishëm, ndërsa fëmijët e lindur më vonë, që i kanë qejf rreziqet, përfundojnë shpesh të vetëpunësuar. Të parëlindurit, kanë tendencën të zotërojnë tipare psikologjike që kanë lidhje me udhëheqjen, si përgjegjshmërinë, krijimtarinë, bindjen dhe dominimin.

Ata kanë ndërkohë më shumë të ngjarë të kenë aftësi akademike, dhe nivele më të larta të inteligjencës, sesa vëllezërit dhe motrat e tyre më të vegjël. Janë këto cilësi, që besohet se i bëjnë të parëlindurit më të suksesshëm. Kjo gjë shpjegohet në dy 2 mënyra.
Nga këndvështrimi evolucionar, prindërit favorizojnë dhe investojnë shumë (për strehim dhe ushqim) tek i parëlinduri i tyre, për të rritur shanset e tyre të mbijetesës dhe riprodhimit. Por kjo vjen me një kosto, pasi prindi tani nuk është në gjendje të investojë të njëjtën sasi burimesh tek pasardhësit e lindur më vonë.

LEXO EDHE:  Fundi i pritshëm mjeran i diktatorëve/ Stalini, Hitleri, Mao dhe të tjerët

LEXO EDHE:  Pse do të funksionojë strategjia e Donald Trumpit ndaj Iranit

Vëllezërit më të vegjël, duhet të garojnë për këto burime të kufizuara, por edhe për vëmendjen e reduktuar prindërore. Kështu, është vënë re se prindërit kalojnë më pak kohë duke ndihmuar fëmijët e tyre të lindur më vonë në kryerjen e detyrave të shkollës, pikërisht për shkak të mungesës së burimeve rezervë.
Por ndodh shpesh që fëmijët e lindur të fundit, kanë shpesh një trajtim preferencial. Kjo pasi prindërit kanë tashmë mundësinë e fundit për të investuar burimet e tyre. Ata janë gjithashtu të moshuar, dhe kanë prirjen të kenë më shumë para në atë periudhë të jetës së tyre.
Kësisoj, prindërit kanë më shumë të ngjarë të investojnë në edukimin e pasardhësve të tyre të lindur më vonë.

Ndërkohë pritshmëritë e prindërve, mund të shpjegojnë tiparet më të favorshme të personalitetit tek të parëlindurit. Kjo do të thotë se ata priren të jenë më të rreptë me të parëlindurin. Ata e bëjnë këtë, pasi të parëlindurit duhet të jenë modele për vëllezërit dhe
motrat e tyre të lindur më vonë, dhe të mbrojnë vlerat e prindërve./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

A po rritet pushteti ”i butë”, apo bota po bëhet më e mençur?

Publikuar

-

Nga

Nga David Howell “Japan Times”

Më shumë se 30 vjet më parë, nisi të diskutohej i ashtuquajturi dimensioni i butë i
politikave publike dhe çështjeve botërore, përmes një artikull me titull “Politikat e buta ekonomike:Leksione të mençura nga Japonia”.

Disa vjet më vonë, përmes një analize brilante, politologu i Univeristetit të Harvardit Xhozef Ni e zgjeroi konceptin, për ta zbatur atë në çështjet ndërkombëtare, përmes konceptit të “fuqisë së butë”, në menaxhimin e e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ushtrimin e ndikimit, me bindjen
se bashkëpunimi kulturor do të zëvendësonte fuqinë shtrënguese në çështjet botërore.

Koncepti u përhap me shpejtësi, teksa nocionet e vjetra ushtarake si “fuqia është e drejtë”, nisën të duken demode në një botë të ngarkuar me më shumë njohuri, dhe gjithnjë e më shumë të ndërlidhur. Pastaj erdhi menaxhimi i butë, një koncept që u përhap në botën e biznesit.
Dhe sot kemi apelet për udhëheqje “të butë”, dhe për një kombinim delikat të udhëzimeve strategjike me fuqizimin masiv, duke kërkuar një përzierje të përulësisë dhe mençurisë të qeverive kombëtare, që duket se mungon ende në botën e sotme.

Të gjitha këto ide, që sfidojnë mendimin tradicional se si funksionon bota, janë ende në hapat e para. Dhe ato kundërshtohen nga shumë shembuj të dukshëm të një fuqie të ashpër dhe të shëmtuar që dominon, nga brutaliteti i papërshkrueshëm i Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme, deri tek tirania dhe padrejtësia që gjallon në shumë vende, apo vrasjet dhe trazirat e dhunshme.
As fuqizimi masiv i lëvijeve populiste, i mundësuar nga teknologjia e re, nuk rezulton gjithmonë të jetë i butë apo veçanërisht tolerant. Një popull i zemëruar, është shpesh larg nga të qenit i butë. Megjithatë, prirja drejt qasjeve më të buta, më tolerante dhe më delikate në të gjitha degët e qeverisjes dhe menaxhimit, si në marrëdhënie, institucione dhe biznese, është qartazi atje dhe
po mbështetet gjerësisht.

Kjo qasje po i tejkalon ndarjet e vjetra politike midis të djathtës dhe të majtës, dhe midis atyre konservatore dhe liberale. Ndoshta vetë termi “i butë” është mashtrues, përdersa ai që propozohet mund të jetë ende një presion real. Për shembull, sanksionet ekonomike mund të përdoren më shumë sesa bombat, por ato mund të shkaktojnë akoma vuajtje të vërteta deri në arritjen e synimeve.
Ndoshta “fuqia e zgjuar” ose “ekonomia e mençur”, janë frazat më të mira për të arritur qëllimet me mjete delikate. Më shumë se 2.000 vjet më parë, gjenerali kinez Sun Tzu dinte gjithçka mbi fuqinë e butë dhe sesi arrihej fitorja pa një përplasje apo konflikt të ashpër.

LEXO EDHE:  Haki “Droga” i përgjigjet presidentit Meta si drejtor Cullhaji Berishës

LEXO EDHE:  Rishfaqet aleanca ruso-kineze, SHBA dhe aleatët e saj duhet të reagojnë  

Sot ne spekulojmë për luftë pa viktima njerëzore, beteja përmes dronëve, me ushtri robotike dhe pa pilotë, për përdorimin e marinës dhe forcave ajrore në vijën e parë të frontit. Në fakt, sot është e pashmangshme që ndërsa robotët marrin përsipër punët e rënda – ngritjen e peshave të mëdha, madje edhe luftimet – njerëzit janë të detyruar ta gjejnë veten në role të ndryshme.
Është truri dhe jo muskujt, që do të përdoren gjithnjë e më shumë për të zgjidhur problemet dhe tensionet më serioze në botë. Kjo do të thotë se gjenerata e ardhshme, duhet të pranojë pasigurinë, të tolerojë paradokset, të jetojë me të panjohurën, të zhvillojë aftësi për të bërë
pyetjet e duhura, të sfidojë pohimet “shkencore”.

Ndoshta, roli në rritje i grave në qeverisje thuajse kudo, ofron një qasje “të butë” ndaj çështjeve të vështira botërore. Dhe me testimin e menjëhershëm të pikëpamjeve të secilit person përmes teknologjisë së të dhënave të mëdha, bëhen më të qarta rreziqet dhe disavantazhet e një veprimi “të ashpër” nga udhëheqësit që pretendojnë se “e dine” se cili është vullneti i popullit.
Sido që të shkojnë gjërat, ai në krye duhet tani të përballet me ata në fund, në mënyra që më parë nuk ishin përcaktuar qartazi. Edhe diktatorët dhe autokratët e sotëm, po e mësojnë këtë gjë. Bota është ende një vend i egër, madje shumë i egër për miliona refugjatë që vuajnë, dhe për familjet e shpërngulura dhe pakicat e shtypura.

Ajo ka ende udhëheqës si ai i Koresë së Veriut, Kim Jong Un me raketat e tij qesharake, apo si Kina me avionët e saj luftarakë në ishujt artificialë prej betoni në Detin e Kinës Jugore, për të na kujtuar se disa njerëz mendojnë se tregimi i fuqisë së ashpër, mbetet ende mënyra që garanton fitoren.
Por dalëngadalë po pranohet, se dhuna ka një efekt bumerang, dhe se metodat e buta, dhe jo ato të ashpra dhe konfrontuese, janë sot shansi më i mirë për të stabilizuar shoqëritë. Ndoshta falë hiper-lidhjes mes nesh, transparencës totale dhe inteligjencës artificiale – të gjitha rezultate të epokës së mikroçipit – ka ardhur sërish koha e Sun Tzu./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE