LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

32 gjyqtarë dhe prokurorë të lidhur me krimin/ Komisioni i Vettingut “amniston” të dyshuarit

9 Janar 2020, 09:44, Politikë CNA
32 gjyqtarë dhe prokurorë të lidhur me krimin/ Komisioni i

Procesi i Vettingut ka nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë qindra gjyqtarë e prokurorë.

Vetëm nga muaji shkurt i vitit 2018 deri në muajin dhjetor të vitit 2019, Komisioni ka marrë 221 vendime. Bëhet fjalë për  94 vendime për konfirmim në detyrë për subjektet e rivlerësimit, 83 vendime për shkarkim nga detyra për subjektet e rivlerësimit dhe 19 vendime për ndërprerje të procesit  sipas nenit G, të Aneksit të Kushtetutës, pas dorëheqjes së subjektit të rivlerësimit.

Është pushuar procesi i rivlerësimit për 8 subjekte, në bazë të nenit 56, të ligjit nr. 84/2016 (dorëheqje nga detyra brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 84/2016).

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, bazuar në nenin 95 të Kodit të Procedurave Administrative,  në ligjin nr. 96/2016 dhe në  ligjin nr. 84/2016, ka përfunduar procesin e rivlerësimit pa një vendim përfundimtar për 16 subjekte rivlerësimi (15 prej të cilëve iu kishte mbaruar statusi i magjistratit për shkak të mbushjes së moshës për pension). Komisioni ka marrë vendim për pezullimin nga detyra për një periudhë 1-vjeçare për 1 subjekt rivlerësimi.

Në bazë të nenit 4, të ligjit nr. 84/2016, Komisioni ka të drejtë të marrë vendimin përfundimtar për subjektet e rivlerësimit bazuar në një ose disa prej kritereve të vlerësimit, në vlerësimin e përgjithshëm të të tria kritereve ose në vlerësim tërësor të procedurave.

Gjatë kësaj periudhe pjesa më e madhe e vendimeve të Komisionit është bazuar  në vlerësimin e subjektit mbi tri kritere (vlerësimi i pasurisë; vlerësimi i figurës; dhe vlerësimin e aftësive profesionale). Vendimet e tjera janë marrë bazuar në një ose dy prej kritereve të  vlerësimit, kjo si rezultat i qartësisë së gjetjeve dhe i  krijimit të bindjes së brendshme të trupit gjykues në vendimmarrje, por gjithashtu edhe për ekonomi gjyqësore, raporton CNA.al.

Nga shkurti i vitit 2018 deri  në  dhjetor 2019 , 141 vendime janë dhënë bazuar në të tria kriteret e vlerësimit, 13 vendime bazuar në dy kritere  vlerësimi dhe 25 vendime bazuar vetëm në një kriter vlerësimi.

Ndërsa vetëm për periudhën shtator 2019 ? dhjetor 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  ka dhënë 13 vendime konfirmim në detyrë, 15 vendime shkarkim nga detyrasi dhe 4 vendime ndërprerje procesi sipas nenit G, të Aneksit të Kushtetutës.

Nga 32 vendime në total për këtë katër mujor 29 vendime janë marrë në unanimitet, ku të gjithë anëtarët e trupit gjykues kanë votuar në mënyrë të njëjtë, ndërsa  në 3 prej tyre me shumicë votash.

KPK hedh poshtë gjetjet e DSIK

Ndërsa sipas raporteve të ILDKPKI-së për 178 subjekte rivlerësimi, kanë rezultuar pa probleme me pasurinë 119 subjekte rivlerësimi dhe me probleme 59 prej tyre, ndërkohë që hetimi i kryer nga Komisioni ka dhënë rezultate të tjera: kanë rezultuar 80 subjekte pa probleme me pasurinë dhe 98 subjekte me probleme.

Nga raportet e DSIK-së për 152 subjekte rivlerësimi, kanë rezultuar të papërshtatshëm për vijimin e detyrës 32 subjekte rivlerësimi, ndërkohë që nga hetimi i Komisionit rezultuan me probleme 21 prej tyre, shkruan CNA.al. 

Thënë më qartë, KPK, ka hedhur poshtë gjetjet e DSIK, duke amnistuar prokurorët dhe gjyqtarët të dyshuar si të lidhur me krimin.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me herët me raportet e ILDKPKI-së.

 ?Rrëzohen? 50 gjyqtarëve dhe 31 prokurorë

Më saktësisht 94 vendime kanë qenë për konfirmimin në detyrë të 39 gjyqtarëve, 46 prokurorëve dhe 9 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë

83 vendime kanë qenë për shkarkimin nga detyra të 50 gjyqtarëve, 31 prokurorëve dhe 2 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë.

19 vendime kanë qenë për ndërprerjen e procesit të 13 gjyqtarëve, 5 prokurorëve dhe 1 ish ndihmës ligjor;

8 vendime kanë qenë për pushimin e procesit të 3 gjyqtarëve, 1 prokurori dhe 4 ndihmësve ligjorë.

16 vendime kanë qenë për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, për kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 10 gjyqtarëve dhe 5 prokurorëve.

Ndërsa 1 vendim ka qenë  për pezullim nga detyra për një periudhë 1-vjeçare./CNA.al

Lajmet e fundit nga