Connect with Us

Kercenon Irani: Do godasim brenda ne SHBA po u pergjigjen

Bota

Kercenon Irani: Do godasim brenda ne SHBA po u pergjigjen

Publikuar

-

Në kanalin e Telegram, Garda Revolucionare Iraniane shkruan se “Pentagoni njofton se SHBA do t’i përgjigjet sulmeve të Iranit”.

IRGC thekson në një shënim, “Këtë herë ne do t’ju përgjigjemi në Amerikë”, raporton CNN.

Qendrimi ka ardhur pak minuta me pare, ndersa pritet dalja e presidentit Trump dhe reagimi i SHBA-ve/Cna.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosova & Rajoni

Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Opozita kritikon Hotin për “koncesione” në Uashington

Publikuar

-

Nga

Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Opozita kritikon Hotin për "koncesione" në Uashington

Dy partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, kritikuan qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti për marrëveshjen e arritur në Uashington, me Serbinë.

Sipas opozitës, Hoti në Uashington – ku më 4 shtator u arrit marrëveshje për normalizim ekonomik me Serbinë – bëri koncensione sa i përket Liqenit të Ujmanit, që gjendet në veri të Kosovës, pranimit që Kosova të futet në nismën e mini-Shengenit dhe heqjes së një pike nga marrëveshja ku flitej për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike. Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë raportimit në kuvend, tha se marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington, është arritur pas një roli aktiv të Shteteve të Bashkuara.

“Kjo marrëveshje i ka 16 pika, prej të cilave janë edhe projektet e mëdha infrastrukturore. Vlerësoj që ky është momentum i ri i marrëdhënieve BE-SHBA sa i përket dialogut Kosovë-Serbi”, tha Hoti gjatë interpelancës, që u thirr nga partia opozitare, Partia Demokratike e Kosovës.

Hoti tha se me marrëveshjen e arritur, Kosova do të kthehet në epiqendër të aktivitetit ekonomik infrastrukturor.

“Investimet e mëdha infrastrukturore dhe sjellja e gazit në Kosovë, do të jenë infuzion i madh për zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë”, tha ai.

Sipas tij, me këto projekte, Kosova kthehet në “qendër të aktivitetit ekonomik në rajon dhe më gjerë sa i përket komunikacionit rrugor dhe hekurudhor, duke lidhur Selanikun me Durrësin, dhe pastaj me Podgoricën, dhe pastaj me Serbinë dhe Evropën Qendrore”.

“Ky është një momentum i ri ndërkombëtar i marrëdhënieve BE-SHBA, i cili ka për qëllim të prodhojë një projekt përfundimtar normalizimi dhe paqeje, përmes njohjes mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Duke folur për dialogun me Serbinë në Bruksel, Hoti përsëriti qëndrimin e tij se Kosova nuk po zhvillon dialog teknik, por vetëm dialog për marrëveshje finale, e cila, sipas tij, duhet të ketë njohjen e ndërsjellë dhe normalizimin e plotë të marrëdhëneve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Integriteti territorial është i panegociueshëm dhe nuk është shtruar si çështje para meje. Organizimi kushtetues i Kosovës nuk bën të preket, nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë. Për këto dy parime të dialogut, ka mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Parimi i tretë është se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Hoti.

Ai para deputetëve u shpreh se marrëveshja duhet të përmbajë elemente që shfuqizojnë rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti lidhur me marrëveshjen e arritur në Uashington, më 4 shtator, për shkak se, siç tha ai, nuk e kishte njoftuar paraprakisht Kuvendin e Kosovës për marrëveshjen që do të nënshkruante e në të cilën, sipas tij, janë bërë shumë koncesione ndaj Serbisë.

Ai ka ngritur një varg pyetjesh për kryeministrin Hoti, lidhur me pikat e marrëveshjes, duke i kontestuar ato si të dëmshme për Kosovën, ndërkaq që, sipas tij, ai ia ka humbur shansin Kosovës që të sjellë fitore nga vendi më i duhur, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova nuk del me fitore nga nënshkrimi juaj zotëri Hoti. Nga ai nënshkrim, më së shumti kanë përfituar të tjerët. Në këtë rast, përfituesi më i madh del Serbia sepse përfitoi dalje në Adriatik, bashkëpronësi në Ujman, zhbërje të kufirit shtetëror, pra, nga kufij shtetëror në pikë të kalimit të përbashkët, realizimin e idesë për mini-Shengen, që në fakt është zonë e Novi Sadit. E stopon Kosovën në njohjet e saj, e stopon Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, e kthen Kosovën shumë prapa në shtetbërjen e saj”, theksoi Selimi.

LEXO EDHE:  Tensionohen marrëdhëniet SHBA-Turqi/ Urdhërarrest për ish-zv.kreun e CIA-s

LEXO EDHE:  “Nuk do të ketë përjashtime”/ Trump merr vendimin, kush rrezikon 10 vite burg

Duke iu drejtuar kryeministrit Hoti, Selimi shtoi se ai ka bërë gabim të madh dhe me pasoja për të ardhmen e vendit.



Në kuadër të marrëveshjes së 4 shtatorit, një ndër pikat parasheh hartimin e një studimi të fizibilitetit me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë. Ky studim i fizibilitetit është thënë se do të bëhet nga Departamenti amerikan për Energji.

Në marrëveshjen e Uashingtonit, Kosova është zotuar se do të bëhet pjesë e mini-Shengenit, një nismë kjo për bashkëpunim ekonomik rajonal, që është shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në tetor të vitit të kaluar.

Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, theksoi që delegacioni i Kosovës në krye me kryeministrin Hoti, nuk ka negociuar fare për marrëveshjen në Uashington, ndërkaq ajo që është arritur në Shtëpinë e Bardhë është “meritë e amerikanëve dhe jo e delegacionit të Kosovës”.

Ai e ka kritikuar qeverinë, që për shkak të insistimit të Serbisë, ka pranuar që nga dokumenti largohet pika që parashihte njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prapa së cilës pikë, sipas Hoxhajt, kanë qëndruar i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, dhe këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien.

Hoxhaj, gjithashtu, ka paralajmëruar që pika e marrëveshjes së Uashingtonit, e cila ka të bëjë me pronën e Kishës Ortodokse Serbe, paraqet “hapje të Planit të Ahtisarit”.

“Ajo çka po ndodh këto ditë është hapja e Pakos së Ahtisari. Dhe, ky është shqetësimi ynë dhe nuk ka të bëjë me atë se unë jam në opozitë, por po e them në mënyrën më të sinqertë. Paragrafi i marrëveshjes së Uashingtoni që flet për kishat është hapje e Pakos së Ahtisarti. Sot në Bruksel kur Skender Hyseni flet për aranzhimet për komunitetin joshumicë, është hapje e Pakos së Ahtisarit”, tha Hoxhaj.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se Kosova në Uashington me marrëveshjen e arritur, ka bërë një hap përpara në procesin e dialogut.

Ajo tha se SHBA-ja në këtë proces tregoi lidership botëror dhe konfirmoi edhe njëherë interesin strategjik për paqe, për prosperitet ekonomike e stabilitet në Kosovë dhe rajon.

“Tani pritjet tona janë që edhe Bashkimi Evropian të tregojë përkushtimin dhe seriozitetin e njëjtë për dialogun”, tha deputetja Kadrijaj, partia e së cilës është pjesë e koalicionit qeverisës.

Ajo tha se parimet e dialogut, të cilat i ka prezantuar kryeministri Hoti, janë qëndrime që AAK-ja i ka mbështetur dhe do t’i mbështesë deri në fund.

“Parimi numër një lidhet me tërësinë territoriale të Kosovës dhe mosdiskutimi i asnjë teme që ndërlidhet me kufirin e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, ashtu siç është e paraparë në pika kufitare. Ne qëndrojmë të paluhatshëm në këtë temë”, tha ajo.

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, rinisi më 16 korrik, pasi ishte ndërprerë që prej fundit të vitit 2018.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

Të enjten të dyja delegacionet në nivel të ekspertëve po diskutojnë në Bruksel për çështjet financiare.

Kryeministri i Kosovës e ka obligim kushtetues që t’i raportojë kuvendit edhe për çështje të politikës së jashtme, në veçanti për dialogun./ REL

LEXO TE PLOTE

Bota

Trump kundërshton drejtorin e CDC-së për vaksinat dhe maskën

Publikuar

-

Nga

Trump kundërshton drejtorin e CDC-së për vaksinat dhe maskën

Presidenti Donald Trump kundërshtoi të mërkurën një deklaratë të drejtorit të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, lidhur me planet e administratës së tij për të vënë në dispozicion vaksinën për koronavirysin dhe për efektivitetin e maskës. Ndërkohë, kandidati demokrat për president, paraqiti planin e tij për vaksinën, nëse fiton në zgjedhjet e nëntorit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara sjell hollësitë.

Një vaksinë kundër koronavirusit do të jetë në dispozicion në sasi të kufizuar në periudhën mes nëntorit dhe dhjetorit, u tha ligjvënësve të mërkurën drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Por ai tha se nuk do të ishte gjerësisht në dispozicion për publikun, deri shumë më vonë.

“Mendoj se bëhet fjalë për fundin e tremujorit të dytë, ose tremujorin e tretë, 2021”, tha ai.

Vetëm disa orë më pas, Presidenti Donald Trump kundërshtoi ekspertin e administratës së tij.

“Mendoj se gaboi kur e tha një gjë të tillë, është thjesht informacion i pasaktë. E telefonova dhe nuk më tha të njëjtën gjë, besoj se tani e ka të qartë, mund të jetë ngatërruar, ndoshta është shprehur gabim. Ne jemi gati të fillojmë menjëherë pasi të shpallet vaksina dhe mund të shpallet në tetor “.

Përgjigjia e Amerikës ndaj pandemisë është një çështje kyçe në garën presidenciale të nëntorit dhe zoti Trump ka thënë se një vaksinë mund të jetë gati deri ditën e zgjedhjeve.

Zoti Trump kundërshtoi gjithashtu deklaratën e drejtorit të CDC–së se maskat janë të efektshme dhe mund të mbrojnë më shumë se sa një vaksinë.

Në një diskutim me votues në Filadelfia të martën mbrëma, organizuar nga ABC News, zoti Trump sugjeroi që imuniteti i turmës mund të bëjë që koronavirusi të zhduket pa një vaksinë.



Një imunitet në masë ndodh kur një përqindje e lartë e popullatës infektohet, duke tkurrur gjasat e prekjes për individët që nuk e kanë këtë imunitet.

LEXO EDHE:  Rama në konferencën “World Leaders”/ Shqipëria shembull i tolerancës fetare, njohëm të parët në Evropë të drejtën e hebrenjve

LEXO EDHE:  Zgjedhjet e parakohshme/ PD i përgjigjet Ramës: I kërkon SHBA dhe BE

“Mënyra e vetme për të arritur imunitetin e turmës pa një vaksinë është që virusi të bëjë gjithçka vetvetiu. Kështu virusi do të infektonte shumë, shumë njerëz dhe do të sëmurte shumë, shumë njerëz, do të çonte shumë prej tyre në spital, dhe do të kishte shumë vdekje të njerëzve të të gjitha moshave, fëmijëve, të rinjve dhe natyrisht, shumë të moshuarve dhe njerëzve me sëmundje kronike. Jo, ne nuk do ta dëshironim këtë”, thotë Profesori i Universitetit Vanderbilt, William Schaffner, një specialist i sëmundjeve infektive.

Në përpjekje për të paraqitur një kontrast me qëndrimin e zotit Trump për të luftuar pandeminë, kandidati demokrat për president Joe Biden paraqiti të mërkurën planin e tij për të zhvilluar dhe shpërndarë një vaksinë nëse zgjidhet.

“Këtu përfshihen afatet e detajuara për marrjen e vaksinës, përcaktimi i qartë i grupeve që kanë përparësi, mjetet dhe mekanizmat konkrete për transportin dhe ruajtjen e vaksinave në temperaturën e duhur. Dy prej vaksinave që po testohen, duhet të mbahen dhe shpërndahen në temperaturë minus 21 gradë Celsius. Ndarja e përgjegjësisë duhet të jetë e qartë. Dhe unë do të tregoj udhëheqjen e nevojshme për ta zbatuar atë plan”, tha ai.

Ndërsa disa amerikanë fillojnë të dërgojnë me postë votat e tyre për zgjedhjet e nëntorit, një anketë e fundit nga ABC News dhe Ipsos, tregon se 65 për qind e amerikanëve nuk e miraton mënyrën se si po e menaxhon presidenti Trump pandeminë./VOA

 

LEXO TE PLOTE

Bota

Sistemet zgjedhore në SHBA/ Nuk ka shenja sulmi kibernetik

Publikuar

-

Nga

Sistemet zgjedhore në SHBA/ Nuk ka shenja sulmi kibernetik

Zyrtarët më të lartë amerikanë të agjencive të zbatimit të ligjit, zyrtarët ushtarakë dhe të shërbimeve të zbulimit po shprehin besim në aftësinë e tyre për të mbrojtur sigurinë e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, pavarësisht provave në rritje se disa vende mbeten të gatshme të ndërhyjnë në këto votime.

Zyrtarët janë përgatitur për sulme ndaj zgjedhjeve për gati katër vjet, që kur bashkësia e shërbimeve amerikane të zbulimit arriti në përfundimin se Rusia kërkoi të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Por, tani që mbeten më pak se 50 ditë derikur votuesit t’u drejtohen qendrave të votimit më 3 nëntor, ata thonë se nuk ka shenja që Rusia ose dikush tjetër po përpiqet të sulmojë sistemet kritike zgjedhore.

“Ne nuk kemi parë sulme kibernetike këtë vit deri më sot në regjistrat e votuesve ose në ndonjë sistem të përfshirë në votimin primar”, tha Drejtori i FBI-së Christopher Wray të mërkurën në një takim virtual të organizuar nga Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Agjencia e Sigurisë së Infrastrukturës (CISA).

Dhe pavarësisht përshkrimit të përpjekjeve të FBI-së për të mbrojtur sistemet kritike të SHBA si një “betejë pa mbarim”, zoti Wray tha se duket se masat paraprake të vendosura që nga zgjedhjet e vitit 2016 po japin rezultat.

“Me sa dimë, asnjë qeveri e huaj nuk është përpjekur të ndërhyjë në numërimin e votave në Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Duke folur në një konferencë të veçantë virtuale të mërkurën, komandanti i Komandës Kibernetike amerikane gjithashtu u përpoq të siguronte votuesit përpara Ditës së Zgjedhjeve.

“Unë jam shumë i bindur se do të kemi një sukses të jashtëzakonshëm, të vazhdueshëm, bazuar në punën e përbashkët nga të gjitha agjencitë (qeveritare) dhe partnerët tanë”, tha gjenerali Paul Nakasone, i cili është gjithashtu drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.

Këto vlerësime janë në përputhje me vlerësimet e tjera të ofruara nga zyrtarë të lartë amerikanë javët e fundit në lidhje me kërcënimin ndaj zgjedhjeve presidenciale – se megjithëse kundërshtarët e SH.B.A.-së si Kina, Rusia dhe Irani po kërkojnë të ndërhyjnë në zgjedhje, ato përpjekje ende nuk kanë depërtuar sistemet në të cilat vendi do të mbështetet për të kryer votimin.

“Këto do të jenë zgjedhjet më të sigurta në historinë moderne”, tha Drejtori i Agjencisë së Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) Christopher Krebs javën e kaluar, duke përsëritur një frazë që ai e ka përdorur shumë herë që nga korriku.

Si pjesë e përpjekjeve për të siguruar zgjedhjet, qeveria amerikane ka punuar me shtetet amerikane për të rritur numrin e sensorëve që vëzhgojnë për aktivitete të dëmshme kibernetike. Më shumë se 90% e zonave zgjedhore të vendit tani kanë sisteme të krijuara për t’u siguruar se ka një regjistrim në letër për çdo votë të hedhur, vetëm në rast se diçka shkon keq.

Zyrtarët e lartë gjithashtu kanë minimizuar shqetësimet e ngritura nga Presidenti Donald Trump se shtimi i qasjes tek votimi me postë për shkak të pandemisë së koronavirusit mund të çojë në “zgjedhjet më të MANIPULUARA në historinë e vendit tonë”.

LEXO EDHE:  “Nuk do të ketë përjashtime”/ Trump merr vendimin, kush rrezikon 10 vite burg

LEXO EDHE:  Rama në konferencën "World Leaders"/ Shqipëria shembull i tolerancës fetare, njohëm të parët në Evropë të drejtën e hebrenjve

“Nuk kemi asnjë informacion ose të dhëna zbulimi se ndonjë aktor i ndonjë shteti që përbën rrezik është duke u përfshirë në ndonjë lloj aktiviteti për të dëmtuar ndonjë pjesë të votimit me postë ose fletëvotimet”, tha një zyrtar i lartë i shërbimeve amerikane të zbulimit muajin e kaluar, ndërsa informoi gazetarët në kushte anonimiteti.



Megjithatë, ndërsa zyrtarët amerikanë janë të sigurt në infrastrukturën e përforcuar amerikane të votimit, ata mbeten të shqetësuar për mënyrën se si kundërshtarët synojnë të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve me fushata ndikimi dhe propagandë.

Të mërkurën, gjenerali Nakasone përshkroi operacionet e ndikimit si një kërcënim që ka të ngjarë të përkeqësohet ndërsa teknologjia vazhdon të përparojë.

“Operacionet e ndikimit, në përgjithësi, për ne do të jenë një nga gjërat me të cilat do të merremi jo vetëm çdo dy ose katër vjet”, tha ai. “Unë mendoj se do ta shohim atë në proceset tona diplomatike. Ne do ta shohim atë në luftë. Do ta shohim në mbjelljen e mosbesimit civil në vende të ndryshme”.

Ka shenja që Kina, Rusia dhe Irani po shtojnë përpjekjet e tyre.

Javën e kaluar, kompania Microsoft njoftoi se kishte zbuluar prova se hakerat e lidhur me të tre vendet e dyshuara kanë synuar në mënyrë aktive fushatën e rizgjedhjes së Presidentit Trump, si dhe fushatën e sfiduesit të tij kryesor, ish-Nënpresidentit Joe Biden.

“Grupet e huaja kanë shtuar përpjekjet e tyre me objektiv zgjedhjet 2020 siç ishte parashikuar dhe është në përputhje me atë që qeveria amerikane dhe të tjerët kanë raportuar”, shkruante në blogun e tij javën e kaluar Tom Burt, nënpresident i korporatës i Microsoft për sigurinë e klientëve.

“Shumica e këtyre sulmeve u zbuluan dhe u ndaluan nga mjetet e sigurisë të futura në produktet tona”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, William Evanina, drejtori i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit dhe Sigurisë, paralajmëroi se Kina, Rusia dhe Irani po kërkonin të “dëmtonin besimin e popullit amerikan në procesin tonë demokratik”.

Në atë paralajmërim të rrallë publik, zoti Evanina tha se Rusia duket se synon të dëmtojë fushatën e zotit Biden, ndërsa disa aktorë të lidhur me Kremlinin “po kërkonin të forconin kandidaturën e Presidentit Trump në mediat sociale dhe televizionin rus”.

Zoti Evanina tha se si Kina, edhe Irani duket se favorizojnë kandidaturën e zotit Biden.

Por, megjithë shqetësimet, ka ende pikëpyetje në lidhje me çfarë lloji ndikimi do të kenë operacionet e influencimit kinez, rus dhe iranian te votuesit amerikanë kur ata të hedhin votat.

“Edhe nëse mund ta vërtetosh origjinën e një operacioni, edhe nëse vërtet mund të mblidhësh të dhëna mbi shtrirjen e operacionit, është shumë e vështirë të përllogarisësh se cili është ndikimi”, tha Daniel Kimmage, zëvendëskordinatori kryesor kryesor i Qendrës së Angazhimit Global të Departamentit amerikan të Shtetit. “Mendoj se mbetet një nga sfidat e jashtëzakonshme në këtë fushë”./ VOA

LEXO TE PLOTE