LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ndryshim në Kroaci

6 Janar 2020, 10:32, Kosova & Bota CNA
Ndryshim në Kroaci

Socialdemokrati, Zoran Milanoviç do të jetë presidenti i ri i Kroacisë. Në balotazh ai fitoi kundër presidentes konservatore, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor, Milanoviç arriti të marrë afër 53% të votave, kurse Grabar-Kitaroviç pak më shumë se 47% në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të dielën, 5 janar 2020. Me këtë fitorja e socialdemokratit është më e dukshme, se e parashikonin sondazhet. Që në raundin e parë para dy javësh, Milanoviç kryesonte, megjithëse me një rezultat të ngushtë. Plani i Grabar-Kitaroviç për marrjen e votave nga përkrahësit e muzikantit ultra të djathtë, Miroslav Skoro nuk pati sukses.

Nga pushimet politike drejt e në postin më të rëndësishëm

Për Milanoviç kjo është detyra e dytë më e lartë shtetërore. Nga viti 2011-2016, kryetari i atëhershëm i partisë socialdemokrate, SDP ka qenë kryeministër i Kroacisë. Në kohën e mandatit të tij, në vitin 201 kriza e refugjatëve ishte në kulmin e saj. Me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, Milanoviç shkëmbeu replika të ashpra, kur Orban ngriti gardhin në kufirin me Serbinë duke e devijuar fluksin e refugjatëve në Kroaci.

Në fund të vitit 2015, socialdemokratët i humbën zgjedhjet, në pushtet erdhi partia konservatore, Bashkësia Demokratike Kroate HDZ. Milanoviç u dorëhoq nga posti i presidentit dhe i ktheu shpinën politikës aktive. Kreu i shtetit ka një pozicion përfaqësues në Kroaci.

Shenja për zgjedhjet parlamentare?

Zgjedhjet presidenciale konsiderohen si tregues të popullaritetit të kampit të djathtë dhe të majtë në zgjedhjet parlamentare që mbahen në gjysmën e dytë të këtij viti në Kroaci. Dështimi i Kolinda Grabar-Kitaroviç duhet të shkaktojë nervozitet tek HDZ, që e mbështeti atë si kandidate. Kroacia, anëtarja më e re e BE ka marrë presidencën e radhës në Bashkimin Europian për herë të parë më 1 janar 2020./ DW

Lajmet e fundit nga