LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ëndrra të çuditshme/ Ja pse shohim makthe

6 Janar 2020, 18:23, Aktualitet CNA
Ëndrra të çuditshme/ Ja pse shohim makthe

Njerëzit kalojnë një të tretën e jetës së tyre duke fjetur, që është një copëz kohe mjaft e madhe. Megjithëse ëndrrat dhe kuptimet e tyre kanë tërhequr interesin e njerëzve për një kohë të gjatë, shkenca e ëndrrave nuk ka shkuar aq larg, kështu që nuk ka shumë të dhëna mbi këtë botë pa materie. Mirëpo, falë zhvillimit të teknologjisë, është bërë i mundur studimi i aktivitetit të trurit ndërsa njeriu fle, dhe shkencëtarët e psikologët në të gjithë botën vazhdojnë të bëjnë publike rezultatet e tyre, duke hapur kështu ngadalë perdet për temën e panjohur dhe gjithnjë e më intriguese.

Por, çfarë është mësuar tashmë në lidhje me makthet dhe ëndrrat e çuditshme që kemi?

Përse shohim ëndrra të çuditshme?

Ndoshta secili prej nesh ka një histori për një ëndërr ku ndodhin gjëra të çuditshme të cilat pas zgjimit apo edhe gjatë ëndrrës duken si marrëzi.

Kur bie në gjumë, truri i njeriut vazhdon të punojë, duke shpërndarë në memorie momente afatshkurtër dhe afatgjatë. Ai krahason ngjarjet që kanë ndodhur kohët e fundit me ato që kanë ndodhur shumë kohë më parë. Kjo është arsyeja pse ju mund të shihni gjëra nga fëmijëria juaj në një vend ku mund të jetoni aktualisht.

E gjitha ndodh gjatë fazës së lëvizjes së shpejtë të syrit që zgjat 10-20 minuta dhe përsëritet disa herë gjatë natës. Kjo fazë njihet edhe si “gjumi paradoksal”, që e mori emrin e tij për shkak të ngjashmërive fiziologjike me gjendjen e zgjuar të një personi.

Në këtë faze, të gjitha pjesët e trurit bëhen aktive, përveç asaj që është përgjegjëse për logjikën. Për më tepër, vëmendja zvogëlohet gjatë gjumit. Prandaj nuk është për t’u habitur që ëndrrat tona humbasin sensin dhe maturinë e normalitetit.

Përse shohim makthe?

Pse shohim makthe apokaliptike me zombi, gjarpërinj, përndjekje apo sëmundje? Përse bëhemi pjesë e skenareve të frikshme dhe jo fort të këndshme në ëndrrat tona? Shkencëtarët zviceranë dhe amerikanë kryen një eksperiment, ku ata arritën të gjejnë përgjigjen e këtyre pyetjeve. Sipas mendimit të tyre, kjo ndodh për shkak të një funksioni të sistemit nervor, i cili ndihmon një person të përballojë emocione negative në jetën reale.

Në artikullin e tyre, shkencëtarët shkruajnë se emocionet që ndiejmë në ëndrra na ndihmojnë të zgjidhim presionin emocional dhe të bëjmë një person të gatshëm për streset e mundshme që mund të përjetojë në të ardhmen.

Shkencëtarët studiuan aktivitetin e pjesëve të ndryshme të trurit gjatë gjumit duke përdorur një elektroencefalogram. 18 vullnetarë u zgjuan disa herë gjatë natës dhe u pyetën se çfarë ëndrrash po shihnin e nëse ato ëndrra ishin makthe. Falë përgjigjeve të tyre dhe analizës së veprimtarisë së trurit, studiuesit kanë identifikuar dy zona të trurit që janë përgjegjëse për makthet. Këto janë insula dhe korteksi midcingulat.

Sado interesante të duket, këto 2 pjesë të trurit aktivizohen në të njëjtat situata kur një person ndihet i shqetësuar ose frikësohet në jetën reale. Insula është përgjegjëse për vlerësimin e emocioneve dhe aktivizohet automatikisht, sapo një person të ndjejë ankth. Korteksi midcululues përgatit një person për një reagim adekuat gjatë shfaqjes së një kërcënimi dhe kontrollon mënyrën se si ai person sillet kur është në rrezik.

Në një studim të mëtejshëm, shkencëtarët zbuluan se ata që kishin makthe për një kohë të gjatë, reagonin më pak ashpër ndaj gjërave negative në jetën reale.

Deri më tani, është bërë e qartë se mënyra se vetëdija jonë komunikon me ne dhe na ndihmon në zgjidhjen e çështjeve dhe është pikërisht ajo që na bën të ndihemi të shqetësuar. Për shembull, të shohësh në ëndërr sikur po përndiqesh, shpesh shoqërohet me çështje të pazgjidhura të një personi në jetën reale, sipas shkencëtarëve./Përshtati nga brightside.me, CNA.al

Lajmet e fundit nga