Connect with Us

Gjermanët, optimistë të matur për ekonominë e tyre

Bota

Gjermanët, optimistë të matur për ekonominë e tyre

Publikuar

-

Ekspertët presin një rritje më të madhe ekonomike të Gjermanisë në vitin 2020. Por rreziku i recesionit për ekonominë më të madhe të BE nuk është eliminuar, shkruan Auron Dodi.

Parashikimi se Gjermania do të ketë rritje më të mirë ekonomike këtë vit bazohet kryesisht në faktorë të jashtëm botërorë. Kjo pasi dihet që ekonomia gjermane është shumë e varur nga suksesi i eksporteve të mallrave gjermane. Dhe problemet aktuale që ka ekonomia gjermane nuk janë të tilla sa të përjashtojnë një zhvillim më të fuqishëm të ekonomisë, edhe 14 vjet pas rritjes së vazhdueshme të prodhimit ekonomik në Gjermani.

Ishte ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Peter Altmajer ai që deklaroi në ditët e fundit të vitit 2019 se “qartësia më e madhe për Brexitin”, do të ndikojë pozitivisht për ekonominë gjermane. Në Gjermani kanë besim, se qeveria e Boris Johnsonit, me shumicën e fortë që ka në parlament, do t’i japë fund periudhës së pritjes pezull për të gjithë, pra edhe për sipërmarrësit gjermanë. Një faktor i dytë shpresëdhënës lidhet me deklaratën e Vitit të Ri se SHBA dhe Kina do të nënshkruajnë në mes të janarit një marrëveshje tregtare. Kjo shpresohet se do të ndikojë në shtensionimin e marrëdhënieve tregtare botërore, edhe të Kinës me shtetet e tjera. Tarifat e vendosura doganore, në plan afatmesëm, e godasin kudo mirëqënien.

Sfidat kryesore të ekonomisë gjermane

Njëkohësisht, sfidat për ekonominë gjermane mbeten të njëtja. Katër sfida vështrohen aktualisht si kryesore për ekonominë gjermane: së pari, digjitalizimi i procesit të prodhimit. Këtu Gjermania ecën ngadalë deri tani. Shkaku ka qenë kryesisht skepticizmi te sipërmarrjet e mesme.

Së dyti është kalimi te automjetet elektrike. Nuk ka rëndësi që ke shpikur automjetin e parë me motor me djegie të brendshme, më tha një menaxher i Daimler-Benzit një ditë. “Sot të gjithë duan të ndërtojnë automjete elektrike. Madje edhe Google dhe Apple bëjnë teste për automjete pa drejtues”.

Gjermanët - optimistë të kujdesshëm për ekonominë, shkruan Auron Dodi

Sfida e tretë është deglobalizimi. Ka humbur shumë besimi në proceset ndërkombëtare. Dhe kjo ndihet edhe në Gjermani. Ka një rënie të dukshme të besimit te fuqia detyruese e kontratave ndërkombëtare. Një ekonomiste e Deutsche Bank tha se sipërmarrjet mund të mbështeten tani më pak në zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar, se sa vitet e kaluara. Kjo mund të bëjë që vendet e punës të krijuara jashtë të tërhiqen më fort në Gjermani e Evropë.

Sfida e katërt është reduktimi i emisioneve të dioksidit të karbonit. Kjo nuk është sfidë vetëm për automjetet gjermane, por për gjithë ekonominë.

Vitin e kaluar Gjermania pati rritjen më të ulët ekonomike në Eurozonë. Me 0,5 përqind mendohet se u rrit prodhimi ekonomik i Gjermanisë në 2019-ën. Kjo ndonëse në fillim të vitit pritej një rritje prej 1,8 përqind. Vetëm Italia e zhytur në borxhe pati rritje më të dobët ekonomike se Gjermania. Sipas Frankfurter Allgemeine Zeitung, lokomotiva gjermane e rritjes u rreshtua kështu brenda një kohe të shkurtër në fund të autokolonës së kombeve të mëdha të industrializuara. Me përjashtim të viteve të krizës 2012-2013, kjo ishte rritja më e ulët ekonomike prej recesionit të gjerë të vitit 2009.

LEXO EDHE:  40% i shqiptarëve të varfër pasqyra më e mirë e qeverisjes Rama

Në Gjermani u krijua dyfishi i vendeve të punës të Eurozonës  

Në tregun e punës gjendja vazhdon të jetë e mirë. Kur lexon shifrat që publikohen këto ditë e kupton edhe më mirë burimin e raportimeve mediatike thuajse vetëm pozitive për zhvillimin e Gjermanisë; ato janë shpjegim edhe se pse Gjermania vazhdon të dallohet si magnet për shumë të huaj, që duan të vijnë të punojnë në Gjermani. Sipas të dhënave të Frankfurter Allgemeine Zeitung, nga viti 2007 deri vjet në Gjermani janë krijuar mbi pesë milionë vende të reja pune. Ky është dyfishi i vendeve të reja të punës që janë krijuar në të gjitha vendet e Eurozonës së bashku.

Gjermanët - optimistë të kujdesshëm për ekonominë, shkruan Auron Dodi

Kurse numri i të papunëve për një kohë të gjatë, në fund të vitit 2019 ra për herë të parë në 700.000 vetë. Përballë 45,6 milionë të punësuarve me sigurime sociale vitin e kaluar. Megjithë lajmet negative në 2019-ën për perspektivat e ekonomisë gjermane, edhe sipërmarrjet e mëdha gjermane vazhdojnë të punësojnë me ritme të larta. Por nga ana tjetër është dyfishuar edhe numri i pushimeve nga puna, krahasuar me një vit më parë. Vjet ai arriti në 93.000 vetë.

Digjitalizimi dhe automatizimi – shkak për pushimet nga puna?

Si shkaqe për pushimet nga puna në sipërmarrje shpesh citohen digjitalizimi dhe automatizimi i proceseve të punës, që po avancojnë edhe në Gjermani.Por ekspertë të ndryshëm thonë se digjitalizimi i procesit të punës për momentin e ka shtuar punën, pasi edhe transformimi bëhet nga njerëzit. Pushimet nga puna sipas tyre kanë të bëjnë kryesisht me dy shkaqe: së pari me transformimin në industrinë automobilistike, me kalimin nga motori me djegie të brendshme në motorin elektrik. Ky proces është në fillim edhe në Gjermani. Por dihet që për motorin elektrik nevojiten më pak hapa pune se për motorin me djegie të brendshme. Kështu që pushime nga puna kanë bërë ndërtues të mëdhenj automjetesh si Audi, Volkswageni, Opeli, Fordi. Por veç tyre edhe firma furnizuese si Continental-i, Bosch-i, Schaefler etj. Shkaku i dytë për pushimet nga puna në Gjermani janë konfliktet tregtare në botë, si ai mes Kinës dhe SHBA dhe Brexiti.

Ndërsa në sektorin e shërbimeve në Gjermani, gjendja është e mirë dhe sipas ekspertëve pritet të përmirësohet edhe më tej. Në këtë sektor në Gjermani nevojiten që nga personeli sanitar e ai përkujdesës deri të mësuesit. Por shërbimet pritet të shtohen edhe në sektorin e transportit, p.sh. për mirëmbajtjen e skuterave elektrikë, që i sheh prej disa muajsh edhe në rrugët e Gjermanisë. Industria e ndërtimeve, artizanati dhe konsumi privat vazhdojnë gjendjen e nisur shumë të mirë./ DW

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

Rrëzohet avioni turistik në Itali/ Humbin jetën dy persona

Publikuar

-

Nga

Një aeroplan i vogël turistik është rrëzuar në provincën e Sirakuzës, në Itali.

Pas rrëzimit, aeroplani u përfshi nga zjarri duke shkaktuar vdekjen e dy personave që ndodheshin në bord, një instruktor ekspert dhe një nxënës.
Aksidenti i ‘Tecnam P2002’ ndodhi gjatë një fluturimi stërvitor.

Viktimat janë Stefano Baldo, 53 vjeç, ish pilot i Alitalia dhe ish-pilot dhe instruktor i Marinës pas diplomimit në Akademinë Detare të Livornos, dhe Gioele Bravo, 20 vjeç.

LEXO EDHE:  40% i shqiptarëve të varfër pasqyra më e mirë e qeverisjes Rama

LEXO EDHE:  Alarmi/Edhe profesioni i ekonomistit jepet me “koncesion”!

Zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Fluturimit mbërritën në vendngjarje për të inspektuar mbetjet e avionit kurse prokuroria e Sirakuzës ka nisur hetimet./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Albin Kurti merr “në dorë frerët”/ Ul pagat për qeveritarët, fillon shkarkimet

Publikuar

-

Nga

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë, ditën e sotme ka ulur pagat për veten dhe ministrat e tij.

Gjithashtu Kurti ka filluar me shkarkimet në radhët e institucioneve.
Mësohet se janë shkarkuar me vendim qeverie të gjithë koordinatorët nacionalë në Kosovë. Mes tyre edhe djali i ish- Presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, Mendim Rugova i cili nga sot nuk është më koordinator nacional

Ai u emërua në detyrë si koordinator për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit nga Ramush Haradinaj në vitin 2018./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Bota

Pas Brexit, BE: Gati t’i ofrojmë Britanisë diçka që nuk e kemi ofruar kurrë më parë

Publikuar

-

Nga

BE është i gatshëm t’i ofrojë Britanisë së Madhe “diçka që nuk e kemi ofruar kurrë më parë” si marrëveshje tregtare tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, por jo pa paraqitur kërkesa të vetat.

Ursula von der Leyen e deklaroi këtë në Strasburg, në lidhje me ato që priten të jenë negociata të vështira për të ardhmen e tregtisë midis bllokut të BE dhe Britanisë së Madhe, që u largua nga BE.Presidentja e përshëndeti thirrjen e fundit të kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson që Mbretëria e Bashkuar pas Brexitit të bëhet “kampione globale e tregtisë së lirë”. Eurodeputetëve ajo u tha se edhe BE e mirëpret një sistem tregtar “më të drejtë dhe më të fortë”.

“Një sistem tregtar që është i hapur nga njëra anë, dhe është i drejtë nga ana tjetër,” tha ajo. Presidentja e Komisionit i vlerësoi marrëveshjet e tanishme tregtare të lidhura me Japoninë dhe Kanadanë, duke thënë se BE është i gatshëm t’i ofrojë Britanisë së Madhe “diçka që nuk e kemi ofruar kurrë, kurrë më parë për këdo tjetër”. BE ka përfytyrimin për një marrëveshje pa dogana dhe kuota tregtare për të gjitha mallrat, tha Presidentja.

BE: ‘Jo iluzione’ për shërbimet financiare

“Një model i ri tregtie, qasje unike,” vazhdoi ajo. “Por sigurisht kjo kërkon garanci korresponduese për konkurrencë korrekte dhe standarde sociale, mjedisore dhe të konsumatorëve.” Të gjitha marrëveshjet tregtare vijnë “jo vetëm me të drejta, por edhe me detyrime nga të dyja palët”, tha ajo.
Në lidhje me shërbimet financiare – një sektor kyç për ekonominë e Britanisë së Madhe – Michel Barnier, kryenegociatori i BE për Brexit-it dhe pas-Brexitin, theksoi se Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të ketë “asnjë iluzion për këtë çështje; nuk do të ketë asnjë ekuivalent të përgjithshëm, global ose të përhershëm në shërbimet financiare”.
Më herët, shefi i thesarit në Mbretërinë e Bashkuar Sajid Javid, tha në një artikull për të përditshmen e biznesit City A.M. se Britania është e prirur të zhvillojë një “marrëdhënie të qëndrueshme” me BE për shërbimet financiare. Ai theksoi nevojën “për të trajtuar nevojat afatgjata të industrisë për një proces të besueshëm ekuivalent”, duke iu referuar kornizës së BE për qasje në tregjet financiare të të gjithë BE. Javidi beson se arritja e ekuivalencës nuk duhet të jetë “e ndërlikuar” dhe shtoi se rregulloret duhet të jenë “të pajtueshme”, por jo domosdoshmërisht “identike”.

‘Modeli’ australian?

LEXO EDHE:  Shqipëria, vendi me taksa më të larta në rajon

LEXO EDHE:  Deputetët e rinj të Metës hidhen në sulm ndaj Ramës/Alarmante kjo që po ndodh

Von der Leyen u shpreh e habitur, megjithatë, që Johnson përmendi kohët e fundit “modelin australian”, pasi BE-ja aktualisht nuk ka një marrëveshje tregtare me Australinë, por po kërkon ta ndryshojë këtë gjendje. “Ne thjesht jemi në momentin kur po biem dakord me Australinë që duhet t’i japim fund kësaj situate dhe po punojmë për një marrëveshje tregtare me ta,” tha von der Leyen, duke shtuar se “natyrisht Mbretëria e Bashkuar mund të vendosë për më pak, unë personalisht besoj se duhet të jemi më ambiciozë”.

Ambicia reciproke e tregtisë dhe një marrëveshje e përshtatshme do të “shkaktonin një konkurrencë dinamike në rritje”, nga e cila do të përfitonin të dyja palët, tha von der Leyen para Parlamentit Evropian. BE ka thënë që sa më shumë t’u përmbahet Britania e Madhe rregullave të bllokut, aq më e afërt do të jetë marrëdhënia ekonomike midis dy palëve.

Britania e Madhe u largua nga BE më 31 janar, pas 47 vjetësh anëtarësimi./DW

LEXO TE PLOTE