LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pas tre muajsh negociatash në Austri u arrit koalicioni i parë i konservatorëve dhe i të Gjelbërve

3 Janar 2020, 08:54, Kosova & Bota CNA
Pas tre muajsh negociatash në Austri u arrit koalicioni i parë i

Pas tre muajsh negociatash në Austri u arrit koalicioni i parë i konservatorëve dhe i të Gjelbërve: programi qeveritar ndërthur “më të mirën e të dy botëve”, tha ish-kancelari dhe kancelari i ardhshëm, Sebastian Kurz.

Pasi ranë dakord për një aleancë të përbashkët, kryetari i ÖVP dhe ish-kancelari Sebastian Kurz dhe kryetari i Gjelbërve Werner Kogler prezantuan programin e qeverisë së tyre tek Presidenti Federal i Austrisë, Alexander Van der Bellen. Programi parashikon vendosjen e arrestit parandalues, që ka ngjallur debate dhe shtrirjen e ndalimit të shamisë në shkolla për vajzat deri në moshën 14 vjeç.

U arrit të “kombinohen më të mirat nga të dyja botët”, tha 33-vjeçari Kurz, i cili do të kthehet në krye të qeverisë shtatë muaj pasi u rrëzua me një votë mosbesimi. Të dy palët duan të mbrojnë “klimën dhe kufijtë”.

Të Gjelbrit marrin “super ministrinë”

Konservatorët kanë shumicën e ministrive të ardhshme: ata siguruan ministritë për punët e brendshme, financat, mbrojtjen dhe politikën e jashtme. Të Gjelbërit marrin përsipër katër ministri, përfshirë një “super ministri” për mbrojtjen e klimës, mjedisin, energjinë, mobilitetin, inovacionin dhe teknologjinë. Sipas agjencive të lajmeve, shefi i Të Gjelbërve Kogler si zëvendëskancelar pritet të jetë përgjegjës për sportin, shërbimin publik artin dhe kulturën.

Programi qeveritar fillimisht nuk parashikon ndonjë taksë për CO2. Sidoqoftë, duhet të kryhet një reformë ekologjike e taksave, e cila me siguri do të përfshijë një rregullore të re mbi biletat dhe do ta bëjë fluturimin më të shtrenjtë. Taksa për qarkullimin e kamionëve gjithashtu pritet të bëhet më ekologjike.

ÖVP vazhdon politikën e migrimit

Me programin qeveritar, Kurz-i vazhdon gjithashtu linjën e tij të ashpër ndaj migrimit: programi qeveritar parashikon krijimin e një agjencie të kujdesit për azilkërkuesit dhe krijimin e qendrave të kthimit, në mënyrë që të mbështetet më mirë kthimi i migrantëve në vendet e tyre të origjinës ose në vendet e treta. Këtë e bën të ditur agjensia austriake e Lajmeve APA.

Rreth 280 delegatë të të Gjelbërve votuan të shtunën në një konferencë të jashtëzakonshme partie për pjesëmarrjen në qeveri. Pritet mbështetje, megjithëse të Gjelbërve u duhet të gëlltisin shumë për çështje si ndalimi i shamisë së kokës. Deri tani, shamia myslimane e kokës është ndaluar në kopshte dhe për vajza deri në moshën dhjetë vjeç në shkollat popullore në Austri. Sipas APA-s, betimi i qeverisë së re është caktuar për të martën e ardhshme./ DW

Lajmet e fundit nga