LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Letërkëmbimi midis Presidentit francez dhe Kadaresë në vitin 1989

3 Janar 2020, 14:02, Aktualitet CNA
Letërkëmbimi midis Presidentit francez dhe Kadaresë në vitin

Janë publikuar disa dokumente të panjohura arkivore të vitit 1989 me korespodencën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë dhe titullarit të saj, Reiz Malile, me ambasadën shqiptare në Paris dhe kreun e shtetit, Ramiz Alia, ku bëhet fjalë për letrën e presidentit francez, François Mitterand, që sapo i kishte dërguar nominalisht shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, me adresë: Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, ku ai e ftonte që të merrte pjesë në ceremonitë e festimeve të 200 vjetorit të Revolucionit Francez që do të zhvilloheshin më 13 e 14 korrikun e atij vitit, ku ishin ftuar 35 kryetarë shtetesh dhe Kadare ishte në listën e 12 miqve të ngushtë personal të presidentit francez që kishte ?harruar? Ramiz Alinë. Përse e firmosi kreu i shtetit shqiptar të asaj kohe, Alia, lejen për shkrimtarin Kadare dhe çfarë shkruhet në raportin e tij mbi qëndrimin në Francë ku ai morri pjesë në ceremonitë festive të 200 vjetorit të Revolucionit Francez dhe bisedat koefidenciale me presidentin Mitterand?

Pas më shumë se një dekadë ?embargo?-je që i kishte bërë udhëheqja komuniste e Tiranës shkrimtarit të njohur me famë botërore, Ismail Kadare, duke ia refuzuar pothuaj të gjitha ftesat që i vinin nga jashtë, papritur diku aty nga viti 1989, Tirana zyrtare duket se ishte ?dorëzuar? më në fund. Dhe ishte vetë kreu i shtetit, Ramiz Alia që kishte firmosur për vajtjen e Kadaresë në Francë, për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez.

Ftesa e cila e kishte pasur zanafillën që nga viti 1985, (gjysmë zyrtarisht) tashmë kishte ardhur e nominuar nga vetë presidenti francez, François Mitterand dhe nisur nga ky fakt, presidentit Alia nuk i kishte mbetur gjë tjetër veçse të hidhte firmën mbi atë letër, edhe pse krejtësisht jashtë dëshirës së tij. Kjo, për arsyen e thjeshtë se presidenti francez, Mitterrand, nuk ia kishte bërë atij ftesën si homolog, ashtu siç kishte bërë me plot 35 kryetarë shtetesh të ndryshme nga e gjithë bota, por atë gjë ia kishte bërë një shkrimtari, qoftë edhe shumë i njohur, siç ishte Kadareja. Dhe këtë gjë, Alia nuk mund ta kapërdinte lehtë. Gjë të cilën, ai nuk mund ta linte pa e shprehur publikisht afro një vit më vonë, (24 korrik 1990) madje në kulmin e zemërimit të tij në një nga mbledhjet e Byrosë Politike, kur po diskutohej mbi ?ngjarjet e ambasadave?. Ku midis të tjerash, ai do të shprehej: ?Si nuk doli një intelektual që t?i thotë Kadaresë: ç?qe ajo ftesë që të erdhi nga presidenti francez??! Dhe këto fjalë Alia i tha pikërisht kur në atë mbledhje po diskutohej problemi i Kadaresë, i cili nuk kishte pranuar të prononcohej publikisht kundër atyre mijëra shqiptarëve që ishin futur nëpër ambasada. Madje, jo vetëm kaq, por sipas Lisen Bashkurtit, asokohe Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës Shqipërisë, Kadaresë i kishin dërguar tri herë Remzi Lanin në shtëpi për t?i marrë një intervistë lidhur me atë problem, por ai nuk kishte pranuar. Dhe pas gjithë këtyre ?zullumeve? të Kadaresë, i cili ?e kishte mbushur kupën?, Ramiz Alia në kulmin e zemërimit, me një mllef të paparë, në mes të tjerash u shpreh: ?Po atëherë, Kadareja ose të prononcohet sipas vijës së Partisë lidhur me ngjarjet e ambasadave, ose të dalë hapur në anën e armikut??! Nisur nga këto ?zullume? dhe ujërat që kishin rrjedhur në drejtim të kundërt me ?mullirin? e Kadaresë, atëherë natyrshëm lind pyetja: Perse ia kishte dhënë viston Alia atij për të shkuar në Francë (në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez), kur gati përgjatë një dekade atij pothuaj i ishin refuzuar të gjitha ftesat?! Edhe kjo gjë mendojmë se e ka shpjegimin e saj, madje fare të thjeshtë. E para, se ajo gjë kishte të bënte direkt me Francën, e cila ishte e vetmja ?portë e hapur? e Shqipërisë me Perëndimin, të cilin ai (Ramizi) e kishte trashëgim nga Enver Hoxha dhe mbyllja e saj, apo qoftë dhe krijimi i problemeve sado të vogla me të, Alisë as nuk do t?i shkonte kurrë në mend që t?i krijonte në çfarëdo lloj rrethanash. Kjo edhe për faktin e thjeshtë dhe të njohur tashmë, se atje vazhdonin të shkonin ?shokët e udhëheqjes për kurime dhe vizita mjekësore?, siç thuhej atëherë, apo edhe thjesht për vakanca dhe ?udhëtime tranzite?. Madje, jo vetëm ata, por dhe fëmijët e tyre, apo ?taborri i dhëndurëve? etj., segmente të nomenklaturës së lartë të regjimit komunist të Shqipërisë. Kësisoj, këtë situatë Ramizi sado pushtet që kishte grumbulluar në atë kohë (pas vdekjes së Enverit), pothuaj ishte krejt i pafuqishëm ta prekte.

E dyta, Alia nuk mund të luante dot ?urët e zjarrit? me Francën, pasi veç sa thamë më lart, edhe për faktin tjetër se ai donte të dukej, apo më saktë t?i krijonte vetes një imazh në sytë e Perëndimit, se në Shqipëri tashmë diçka po lëvizte në drejtim të ?demokratizimit të jetës së vendit?. Dhe pse jo, qoftë dhe për të fituar statusin apo për të krijuar imazhin e një ?Gorbaçovi? të vogël të Ballkanit, apo më e pakta dhe vetëm të Shqipërisë. Sidoqoftë, sa më lart, kjo mbetet në kuadrin e analizave apo konkluzioneve që gjithkush i nxjerr nga këndvështrimi i tij, por fakti është se Alia u detyrua dhe ia dha viston Kadaresë për të shkuar në Francë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez. Duke bërë kështu që ai të ishte dhe fizikisht në atë ngjarje të madhe, në krah të atyre burrashtetasve të Perëndimit, pasi me veprën e tij, ai kishte pothuaj dy dekada që ishte pranuar prej tyre. Duke qenë kështu, në një farë mënyre shqiptari i parë që pranohej nga Perëndimi, madje me shumë nderime. Dhe ashtu siç do të shohim edhe nga dokumentet në fjalë që publikohen për herë të parë dhe të plota në këtë pjesë të librit, me shumë gjasa kjo ka qenë dhe arsyeja kryesore që Kadare në bisedimet me presidentin Miterand, ?ia ka ruajtur fytyrën? Alisë, pasi ashtu si pjesa më e madhe e shqiptarëve, (ndoshta dhe Kadareja) asokohe kishim një farë besimi dhe shprese tek ai, (në mos direkt pas vdekjes së Enverit, nga fundi i viteve ?80-të kur filluan të frynin ?erërat nga Lindja?), së paku për një ?tranzicion të butë?. Por që fatkeqësisht, siç rrodhën ngjarjet më vonë, ajo gjë mbeti vetëm shpresë. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të publikuara në faqet e këtij libri, edhe ky botohet i plotë dhe pa asnjë ndryshim.

Informacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtëme për letrën e presidentit francez, Drejtoria e Dytë

Ambasada franceze në Tiranë na dorëzoi një letër për shokun Ismail Kadare, dërguar nga Presidenca e Francës. Letra ishte e mbyllur. Shoku Ismail Kadare ishte në Itali dhe më datën 1 qershor u kthye. Më datën 2 qershor i dorëzuam letrën. Ai na vuri në dijeni se ishte një ftesë nga ana e Presidentit të Francës, Fransua Miteran, për të marrë pjesë në festimet e 200- vjetorit të Revolucionit Francës. Është i ftuar për datat 13 e 14 korrik të këtij viti. Me notë sot po njoftojmë ambasadën franceze në Tiranë që ftesën ia dorëzuam shokut Ismail Kadare.

Tiranë, më 3.6.1989
Th. Haxhi

Letra e presidentit francez, François Mitterrand për shkrimtarin Ismail Kadare

Presidenti i Republikës
Paris, më 9 maj 1989

I dashur Zotni

Franca celebron këtë vit me një shkëlqim të veçantë 200-vjetorin e Revolucionit të saj. Shpresa e emancipimit që u ngrit atëherë në vendin tim, shumë të tjerë që nuk ishin francezë e përqafuan gjithashtu atë. Duke festuar atë që shënoi për Francën agimin e një historie të re, ajo kërkon të bëjë lidhjen e të kaluarës me të tashmen, të idealeve të djeshme me betejat e sotme për një botë më të drejtë dhe më të lirë. Dëshiroj që arti, dëshmitar i pasurisë së pafundme të kulturave të botës, të marrë gjithashtu pjesë në festë dhe në veçanti ata të cilët, si juve, kanë ditur të gjejnë fjalët për të shprehur të drejtat e njerëzve. Prandaj do të isha i lumtur që ju të merrni pjesë pranë meje në manifestimet e 13 dhe të 14 korrikut, të cilat do të përbëjnë momentin më të rëndësishëm të këtyre ceremonive. Ju lutem pranoni, Zotni, shprehjen e ndjenjave të mia të mira!

Fransua Miteran.

Zotit Ismail Kadare

Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë

Tiranë.

Letra e ministrit Reiz Malile, për Ramiz Alinë, lidhur me telegramin nga Franca

Shoku Ramiz
Dje u takova me shokun Ismail Kadare, biseduam dhe i thashë të bënte një informacion të hollësishëm për vizitën e tij në Francë, sidomos për takimin me presidentin Miterand, kjo me qëllim që të nxjerrim ndonjë konkluzion për të çuar më përpara marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Francës. Bashkëlidhur ju dërgoj kopje të informacionit që shoku Ismail më dërgoi nga plazhi.

Tiranë më 26 korrik 1989.

Reiz Malile

Informacioni i shkrimtarit Ismail Kadare mbi qëndrimin e tij në Francë

Informacion rreth qëndrimit në Francë me rastin e 200-vjetorit të Revolucionit Francez
Midis datës 12 dhe 25 korrik qëndrova në Francë me ftesë të Presidentit të Republikës Franceze, Fransua Miteran, për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez. Si përfaqësues i kulturës shqiptare, bëja pjesë në grupin e vogël prej 12 vetash që ishin të ftuar personalë të presidentit. Ky grup të ftuarish u trajtua me po atë respekt si edhe 35 shefat e shteteve të ftuar nga vendet e paktë që patën një ftesë të tillë. (Ishte i vetmi vend ballkanik dhe vendi i dytë bashkë me Poloninë, nga Lindja). Ndër 12 të ftuarit, gjysma ishin shkrimtarë, ndër të cilët një amerikano-latin, (Markez-nobelist), një afrikan (Soynka-nobelist), një turk (Kemal), dy amerikanë (Starjon, dhe Vejsel) një shqiptar (d.m.th. përfaqësues i Evropës). Kjo listë të ftuarish u njoftua disa herë nga mjetet e informacionit francez. Gjatë ceremonive, pritjeve dhe darkave të shtruara nga presidenti Miteran pata rastin të takohem e të bisedoj me personalitete të ndryshme, qoftë politikë, qoftë shoqërorë. I?u tërhiqte vëmendjen fakti që Shqipëria përfaqësohej nga një personalitet i kulturës. Shfaqën interes për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera si dhe për kulturën shqiptare. Kam biseduar më gjerësisht me ministrin e Kulturës së Francës, Zhak Lang, me ministrin e Jashtëm francez, Roland Dyma, me shkrimtarë, filozofë, etj. Më shkurt, kam biseduar me kryeministrin francez Rokar, si edhe me të ftuar nga vende të tjera si Perez de Kuelar, gra presidentësh (zonja Kohl) etj. Midis të ftuarve politikë, m?u dha rasti të bisedoj me Presidentin e Jugosllavisë, Derzhovek, si edhe me ministrin e Jashtëm, Lonçar. Me presidentin jugosllav folëm për problemet e Kosovës dhe ndonëse biseda u zhvillua në prani të Zhak Lang, ai pa përfillur kurrfarë diplomacie, tha se si slloven, ai i kuptonte plotësisht shqiptarët, se ishte në anën e tyre dhe se ishte kundra shovinizmit serb. Kur Zhak Lang e pyeti se a mund të bënte diçka më tepër si president, ai ngriti supet me një gjest gjysmë të dëshpëruar. Më datën 22 korrik, presidenti Miteran më ftoi për të ngrënë mëngjesin në pallatin presidencial (Elize). Qëndruam mbi një orë e dhjetë minuta. Biseda që bëmë u përqendrua në këto motive:

Historia dhe kultura e popullit shqiptar, për të cilën ai kishte një njohje të mirë.

Për letërsinë si dhe konkretisht për librat e mi të botuara në Francë, pjesën më të madhe të të cilave ai i kishte lexuar.

Për ?mbylljen? e Shqipërisë, për të cilën ai shprehu mendimin se ndonëse e kupton ndonjë sentiment tonin, ka mendimin se peizazhi i sotëm politik evropian presupozon një zgjerim marrëdhëniesh.

Lidhur me këtë, unë u përpoqa t?i shpjegoj se ka forca reaksionare sot në botë, që ndonëse bërtasin për ?mbylljen? e Shqipërisë, janë tepër të interesuara që Shqipëria të jetë pikërisht ?e mbyllur?, dmth., e izoluar nga bota. Sado që kjo mund të duket paradoksale, këto forca e urojnë këtë. Shembull: Serbia, e cila mbi këtë ka bazuar një pjesë të strategjisë për Kosovën.

Ai tha se e kuptonte logjikën e kësaj dhe kur Franca fliste për këtë mbyllje, ajo s?ka asnjë prapamendim ose dëshirë të kundërt. Pyetjes prej tij se si u zhvillua ?tranzicioni i pushtetit?, dmth., në mënyrë të qetë dhe pa tronditje, (jo) siç ka ndodhur në disa vende të Lindjes, iu përgjigja thjesht pozitivisht. Dëshironte të dinte për shokun Ramiz Alia. E dinte që kishte punuar me propagandën dhe kulturën dhe se unë e njihja. Ndihej një simpati e tij për të. Folëm gjerësisht për problemin e Kosovës dhe të Jugosllavisë.

Pas pyetjes së tij se kishte dy informacione për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, njëra që e bënte të keqe, por jo aq tragjike dhe tjetra që e bënte tragjike, unë iu përgjigja se ishte shumë më tragjike se ç?përfytyrohej. Ai tha: ?Edhe unë jam me këtë që thoni ju?.
Pas fjalëve të mia se ende vazhdon te një pjesë e inteligjencës shqiptare mendimi i vjetër se Franca mund të ketë një lidhje sentimentale me Serbinë, ai iu përgjigj shumë vendosmërisht: ?Kjo gjë ka perënduar tashmë. S?ka më asnjë bazë?.

Shpjegimin tim se as Shqipëria nuk ka tendencë për aneksimin e Kosovës (ndryshime ideologjike, religjioze, etj.), dhe as Kosova për të njëjtat arsye ndoshta, nuk e ka këtë tendencë, ai e gjeti krejt të logjikshme. Shkurt, fjalët se Shqipëria është e interesuar për stabilitetin e Jugosllavisë, ai e gjente absolutisht reale dhe në logjikën e gjërave. Për çështjen e të drejtave të njeriut, objeksionit tim se sa më shumë të lidhen të drejtat individuale me ato të grupeve etnike dhe të popujve, aq më efikas do të jetë ky aksion, ai u përgjigj se Franca kohët e fundit përherë e më tepër po e bën këtë lidhje. Lidhur me këtë, Miterani tha se pavarësisht nga idetë që mbron çdo vend dhe që ishte e drejtë e secilit t?i mbrojë, kohët e fundit koncepti për të drejtat e njeriut sa vete po fiton një konsensus më universal (botëror) dhe se ai shpreson se Shqipëria nuk do të jetë kundra kësaj koncepti të unifikuar për to. Ky koncept është edhe një nga formulat bazë të paraqitjes së çdo vendi përpara komunitetit të popujve. Ai shtoi se në kushtet e represionit të gati gjysmës së kombit shqiptar që jeton në Jugosllavi, mendon se Shqipërisë i intereson të jetë një vend aktiv për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Folëm gjithashtu për organizimin e festive të 200-vjetorit, për të cilat ai qe kritikuar nga opozita. Së fundi tha se shpresonte të më takonte përsëri në të ardhmen.
Ismail Kadare

Tiranë, më 27. 7. 1989

(Ky shkrim është shkëputur nga libri ?Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist? i autorit, Dashnor Kaloçi që pritet të dalë së shpejti dhe është publikuar nga Memorie.al me rastin e dekorimit të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, me titullin ?Oficer i Madh i Legjionit të Nderit?, nga ana e Presidentit francez, Emmanuel Macron)

Lajmet e fundit nga