LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si ushqyerja me gji e fëmijëve, ndihmoi në krijimin e qyteteve të mëdha në lashtësi

2 Janar 2020, 10:05, Aktualitet CNA
Si ushqyerja me gji e fëmijëve, ndihmoi në krijimin e qyteteve

Nga Chris Stantis ?Newsweek?

Historianët kanë ekzaminuar në kohë të ndryshme, ecurinë e popullsisë në shoqëritë antike. Por shumica e tyre kanë pasur prirjen të përqëndrohen tek ngjarjet e dominuara nga meshkujt: luftërat, politika dhe paratë. Por ka një anë tjetër të së shkuarës që duhet të dëgjohet, përveç vringëllimës së shpatave.

Kolegët e mi dhe unë në Universitetin e Bërnmëthit në Britaninë e Madhe dhe Universitetin e Varshavës në Poloni, përdorëm teknika të përparuara kimike, për të studiuar ushqyerjen me gji në disa nga qytetet e hershme të botës, në zona antike të Sirisë dhe Libanit.

Ne analizuam copa të vogla kockash nga foshnjet, fëmijët dhe nënat e tyre në varrezat e lashta të epokës së bronzit ndërmjet viteve 2800-1200 Para Erës Sonë, duke përdorur një teknikë që njihet si analiza e qëndrueshme e izotopeve. Bazuar në të, ne ndërtuam modele kompjuterike që vlerësuan moshën e futjes së ushqimeve plotësuese në dietën e një fëmije që ushqehet me gji, dhe ndalimin e ushqyerjes me gji në këto popullata.

Studimi ynë zbuloi se gratë duket se i kanë ushqyer fëmijët me qumësht gjiri në moshën 6 muajshe, dhe ua kanë ndërprerë atë plotësisht rreth moshës 2 vjeç e gjysmë, shumë më herët sesa ishte e zakonshme diku tjetër në atë periudhë të historisë. Këto periudha, mund të kenë ndihmuar në rritjen e popullsisë së këtyre qyteteve, të cilat u bënë qendra të lulëzimit të civilizimit.

Vendet që ne gërmuam ishin qendra urbane në bregun e Mesdheut, dhe midis lumenjve Tigër dhe Eufrat, në atë që quhej dikur Mesopotamia. Kockat e fëmijëve të gjetura nga arkeologët, janë shpeshherë më të brishta se ato të të rriturve, pasi janë më të vogla dhe jo tërësisht të mineralizuara (kockat e tyre kanë më pak materiale inorganike si kalciumi, sesa ato të të rriturve).

Kjo do të thotë se ato dëmtohen më shpesh ose humbasin gjatë procesit të dekompozimit.

Sitet antike ku ne gërmuam ishin qendra metropolitane, që kishin me siguri kontakte të gjera

nga njerëz në të gjithë botën antike. Brenda këtyre qyteteve, gratë duket se i kanë ushqyer ekskluzivisht me gji fëmijët e tyre deri në moshën 6-muajshe, një praktikë që përputhet me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit për ushqyerjen e shëndetshme të foshnjave.

Ndërsa ushqimet e tjera shtesë, duket se janë futur pas 6 muajsh, ushqimi me gji ndalej tërësisht rreth moshës 2 vjeç e gjysmë. Dhe këto afate, duket se përshtaten me të dhënat e shkruara në këtë pjesë të botës.

Për shembull, ekzistojnë disa kontrata babilonase që datojnë në vitin 1000 Para Erës Sonë midis prindërve dhe një infermiereje, që do të ushqente fëmijën me gji si të ishte e saji. Sipas këtyre kontratave, infermierja do ta ushqente fëmijën me gji për një kohë të caktuar, shpesh për rreth 2-3 vjet, dhe do të paguhej me një sasi elbi, vaji, leshi dhe ndonjëherë edhe argjendi.

Ushqyerja me gji e fëmijëve mesatarisht për 2 vjet e gjysmë, mund të duket si një kohë e gjatë në shumicën e kulturave të sotme. Por ajo është më e shkurtër se sa në shumë shoqëri të tjera antike, siç zbulohet edhe nga studimet arkeologjike nga e gjithë bota, duke përdorur sërish analizat e izotopeve.

Ato zbuluan se kohëzgjatja mesatare globale në atë kohë e ushqyerjes vetëm me qumësht gjiri në shoqëritë para-industriale, ishte 1 vit (në krahasim me gjashtë muaj në qytetet tona të lashta.) Dhe shkëputja e plotë e gji-dhënies, ndodhte rreth moshës 3-vjeçare.

Koha dhe mënyra e ushqyerjes me gji, dhe gjumi i plotë kanë ndikime të qëndrueshme mbi shëndetin në jetën e një foshnje, madje edhe kur ajo rritet. Por, përtej ndikimit të tyre në shëndetin e individëve, strategjitë e ushqyerjes me gji, dhe ushqyerja e foshnjave ndikojnë gjithashtu në strukturat e popullatës.

Ushqyerja me gji për një kohë më të gjatë, do të thotë që gratë kanë hapësira kohore bosh midis shtatëzënive, dhe kjo është konsideruar si një faktor kryesor në kontrollin e pjellorisë në grupet e gjahtarëve-grumbullues, ku ushqyerja me gji deri në moshën 5-vjeçare ose më shumë, ishte një normë.

Në të kundërt, ndërprerja më hershme, shoqërohet me komunitete të hershme bujqësore, dhe më një rritje më të madhe të popullsisë. Kjo do të thotë që koha më e shkurtër e ushqyerjes me gji, mund të ketë ndihmuar në rritjen e popullatës së qyteteve të Sirinë dhe Libanin antik. Kjo mund të ketë qenë rezultat i qasjes në drithëra si gruri, elbi dhe produktet e qumështit si kosi, me të cilat mund të ushqehen lehtësisht fëmijët që hiqen nga gjiri./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga