Connect with Us

Historia e panjohur/ Si u botua “Lahuta e Malcisë”

Histori

Historia e panjohur/ Si u botua “Lahuta e Malcisë”

Publikuar

-

Ekziston një histori e panjohur e peripecive dhe botimit ilegal të librit “Lahuta e Malcisë” me paratë që austro-hungarezët i kishin dhënë Faik Konicës për librin e Filip Shirokës dhe ndihma e At Pashko Bardhit, si dhe personalitetet e njohura që dërguan telegrame ngushëllimi apo morën pjesë në varrimin e “Këngëtarit t’Lahutës”, më 31 dhjetor 1940, si; Prof. Eqerem Çabej, Zenel Prodani, Spiro Vinjau, Muharrem Bajraktari, Rexhep Mitrovica, Bahri Omari, Karl Gurakuqi, Frano Alkaj, Mihal Bellkameni, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Hafiz Murati etj.

Në fundin e nëntorit të vitit 2002, në kuadrin e 90-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, dekoroi me medaljen e artë “Nderi i Kombit”, Padër Gjergj Fishtën, njërin prej figurave e personaliteteve më të shquara të historisë së Shqipërisë, i cili gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ishte shpallur armik e reaksionar dhe gjithashtu vepra e tij ishte e ndaluar që në vitet e para të pas luftës. Vlen për t’u përshëndetur ajo nismë e Presidentit Moisiu, për të rivlersuar dhe për të vënë në vëndin që u takon shumë prej personaliteteve të fushave të ndryshme të historisë së Shqipërisë, të cilët gjatë periudhës së regjimit komunist, jo vetëm që u lanë në harresë, por u denigruan dhe u poshtëruan në mënyrën më të paskrupullt nga politika dhe propaganda e atij regjimi. Dekorata e Presidentit Moisiu e akorduar për Fishtën, i bashkangjitet atyre që kleriku, poeti, shkrimtari, politikani dhe publicisti i famshëm pati marrë nga Greqia, Turqia, Austro-Hunagria dhe Italia.

“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjegj Fishtës dhe e mahnitun mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fist tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë”. Këto fjalë pothuajse të panjohura deri më sot, janë ato të Prof. Dr. Aleksandër Xhuvanit, njërit prej lëvruesëve më të shquar të gjuhës shqipe, të mbajtura plot 79-vjet më parë në ceremoninë mortore të varrimit të poetit të madh, Padër Gjergj Fishta, në qytetin e Shkodrës. Ndonëse Prof. Dr. Aleksandër Xhuvani gjatë viteve të regjimit komunist për shumë kohë ishte i zgjedhur në funksionin e deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, edhe pse ai gjatë atyre viteve ishte një njeri shumë i nderuar dhe i respektuar për punën e tij të madhe në fushën e gjuhësisë, fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit të Poetit Kombëtar, Padër Gjergj Fishtës, nuk u botua, pasi siç dihet Fishta dhe vepra e tij u ndaluan që në vitet e para të pasluftës. Po çfarë ka thënë tjetër Prof. Aleksandër Xhuvani në atë fjalim që nuk është bërë asnjëherë publik që nga ajo kohë dhe kush ishin personalitetet e tjera të politikës, artit e letrave shqipe që morrën pjesë apo dërguan telegrame ngushëllimi në varrimin e tij? Lidhur me këtë bën fjalë shkrimi i mëposhtëm, të cilin e botojmë me rastin e përvjetorit (31 dhjetor 1940) të ndarjes nga jeta të kollosit të madh të letrave shqipe, poetit kombëtar, Padër Gjergj Fishta

Pagëzimi i Fishtës nga De Martino

Gjergj Fishta u lind më 23 tetor të vitit 1871 në katundin Fishtë të zonës së Zadrimës dhe ishte i biri i Ndokës së Simon Ndocit e i zonjës Prenda të Lazër Kuçit. Pas lindjes së tij, të dy prindërit që ishin besimtarë të më mëdhenj, e dërguan në kishë për ta pagëzuar ashtu si ishin ritet fetare të katolikëve. Ai fëmijë i porsalindur pati fatin që të pagëzohej nga Padër Leonardo De Martino, i cili përveçse detyrës së meshtarit që e kreu deri në fund të jetrës së tij, është tepër i njohur edhe si një nga poetët e shkrimtarët më të famshëm të arbëreshve të Italisë. Padër Leonardo De Martino e pagëzoi atë fëmijë të vogël me emrin Zef, i cili ishte dhe emëri i tij i vërtetë deri në periudhën që ai u dorzua si prift dhe mori emrin “Gjergj”.

Mësimet e para Fishta i mori në Kolegjin e Troshanit i cili në atë kohë ishte një nga më të njohurit jo vetëm në atë trevë të Shqipërisë Veriore, por edhe në Ballkan, për faktin se ai ishte direkt nën administrimin e kujdesin e Vatikanit dhe aty jepnin mësime disa nga klerikët më të famshëm katolikë të ardhur apsotafat nga Italia. Pasi përfundoi mësimiet në Kolegjin e Troshanit ku Fishta u dallue për inteligjencën e tij natyrore të rrallë, ai u mor nga pedagogët e tij (fretërit franceskan) dhe u dërgua për të ndjekur më tej studimet në fushën e teologjisë në Bosnjë të ish-Jugosllavisë, e cila në atë kohë ishte krahinë e perandorisë Austro-Hungareze.

Pas diplomimit në atë Kolegj Franceskan, ai u kthye në Shqipëri dhe u caktua si meshtar në fshatrat e Lezhës ku edhe dha meshën e parë më 25 shkurt të vitit 1894. Në zonën e Lezhës e cila asokohe ishte nën administrimin e Prefekturës së Shkodrës, Fishta shërbeu si meshtar për disa vjet dhe më pas u caktua edhe në disa fshatra të tjerë si Gomsiqe të Pukës dhe në krahinën e Hotit në zonën e Mbi-Shkodrës. Në vitin 1902 Gjergj Fishta u emërua me detyrën e drejtorit të kolegjeve franceskane të qytetit të Shkodrës dhe punën e parë që bëri në ato shkolla, ishte futja e gjuhës shqipe në të gjitha lëndët mësimore. Nisur nga puna e madhe që bëri Fishta në ato vite për përhapjen e gjuhës shqipe, në vitin 1908 kur u mbajt Kongresi i Manastirit, që caktoi dhe alfabetin e Gjuhës Shqipe, ai u zgjodh në mënyrë unanime nga të gjithë delegatët e tij, si Kryetar i Komisjonit të atij Kongresi. Në vitet që vijuan më pas, Padër Gjergj Fishta themeloi revistën “Hylli i Dritës”, të cilën e nxorri për herë të parë në vitin 1913-të, e cila vazhdoi më pas deri në vitin 1944, kur u mbyll nga komunistët që erdhën në pushtet.

Nga viti 1916-të e deri në vitin 1918-të, Padër Gjergj Fishta drejtoi edhe gazetën “Posta e Shqypnisë” dhe vazhdoi të ishte antar i rregullt i Shoqërisë Letrare “Bashkimi” me qëndër në Shkodër, e cila ishte themeluar që në vitin 1899. Në vitet e pas shpalljes së Pavarësisë, Padër Gjergj Fishta iu kushtua edhe politikës dhe në vitin 1919-të, kur u mbajt Konferenca e Paqes në Paris, ai dërgua si antar i një prej delegacioneve shqiptare që mori pjesë me të drejta të plota në atë mbledhje, ku morën pjesë shumë delegacione nga vënde të ndryshme të Botës. Në vitin 1921 në zgjedhjet e para parlamentare, Padër Gjergj Fishta u zgjodh deputet i Prefekturës së Shkodrës dhe pak kohë më vonë u zgjodh edhe nënkryetar i Parlamentit. Nisur nga ai funksion që mbante, Fishta u dërgua si përfaqësues i Shqipërisë në konferencat ndërballkanike që u zhvilluan në Athinë, Stamboll e Bukuresht. Po kështu në vitin 1932 ai bëri një udhëtim të gjatë prej disa javësh në SHBA-së, ku mori takime me mërgatën shqiptare që ishte vendosur aty dhe shumë prej personaliteteve të saj.

LEXO EDHE:  "Historia e jashtëzakonshme e popullit"/Flamuri shqiptar "shkon" në pikën më të thellë të Tokës

Konica sponsorizoi “Lahutën e Malcisë”

Vepra madhore e Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë” e filloi botimin e saj si fillim që në vitin 1905 me një vëllim të vogël me titull “Te ura e Rrazhnicës”, i cili u shtyp nga shtypshkronja “Vitalini” në Zarë të Dalmacisë. Botimi i atij libri të vogël në formë broshure u bë i mundur vetëm në sajë të Faik Konicës, i cili i dërgoi Fishtës 100 franga ari që ia kishte dhënë Ministria e Jashtme e Austro-Hungarisë për botimin e një libri të poetit shkodran Filip Shiroka. Duke qenë se në atë kohë që u dhanë ato para, Filip Shiroka nuk e kishte përgatitur akoma librin për botim, e nëse nuk kishte ndonjë vepër tjetër për t’u botuar në gjuhën shqipe, ishte vënë kusht që paret duhej të ktheheshin. Në atë kohë Faik Konica në një letër që i dërgoi Padër Pashko Bardhit, të cilin e kishte bashkëpunëtor të revistës “Albania”, e pyeste nëse Shoqëria Letrare “Bashkimi” kishte ndonjë vepër për botim dhe Pashko Bardhi menjëherë e rekomandoi botimin e vëllimit të Fishtës të titulluar “Te ura e Rrazhnicës”. Pas kësaj Faik Konica i dërgoi paratë me postë dhe libri u botua në mënyrë ilegale, pasi në atë kohë ishte e ndaluar me ligj që në tokat që ishin nën admistrimin e Austro-Hungarisë të botoheshin libra në gjuhën shqipe.

Botimi i librit u bë i mundur në saj të Pashko Bardhit i cili shkoi tek Ministri Fuqiplotë i Austro-Hungarisë në Dalmaci dhe iu lut që të gjendej ndonjë mënyrë për botimin e librit të Fishtës. Pasi e dëgjoi deri në fund, Minsitri austro-hungarez i tha Pashko Bardhit që emrin e autorit të mos e vinin në faqen e parë të librit, por në faqen e fundit dhe përpara se të shpërndahej libri, faqja e fundit të shkëputej që andej dhe vetëm ashtu mund t’i shpëtonte ndëshkimit ligjor. Në këtë mënyrë u bë shtypja e atij libri në vitin 1905 dhe në të gjitha kopjet e atij botimi ku disa ekzemplarë ruhen ende dhe sot, nuk figuron fare emri i autorit, Gjergj Fishtës.

Ribotimet e “Lahutës”

“Lahuta e Malcisë” që është dhe vepra kryesore e Gjergj Fishtës, është një vëllim me 30 këngë, e cila u botua e plotë vetëm në vitin 1937. Pas atij botimi ajo vepër pati një jehonë të madhe dhe nga kërkesat e shumta që iu bënë, Fishta u detyra dhe e ribotoi atë në vitin 1939. Pas këtyre dy botimeve, “Lahuta e Malcisë” u ribotua përsëri në vitin 1958 në diasporën shqiptare duke u përgatitur nga At Daniel Gjeçaj, në bashkëpunim me Martin Camajn dhe Dr. Petro Vuçanin. Ai ribotim kishte rreth 700 faqe sepse ishte i paisur edhe me shpjegime dhe komente të ndryshme. Përveç “Lahutës” që konsiderohet si një nga veprat më madhore dhe më të arrira të tij, Padër Gjergj Fishta shkroi edhe rreth 30 vepra të tjera, ku më të spikaturat janë: “Vallja e Parrizit”, “Mrizi i Zanave”, “Anzat e Parnasit”, “Gomari i Babatasit”, “Jerina” etj.

Përveç këtyre veprave Fishta bashkëpunoi ngushtë duke shkruar në të gjithë shtypin shqiptar të asaj kohe që nga “Albania” e Faik Konicës, te “Kalendari” i Mithat Frashërit, në “Hylli i Dritës” dhe në të gjitha revistat letrare shqiptare. Asokohe Padër Gjergj Fishta konsiderohej si një nga polemistët më të spikatur dhe ndër polemikat e tij mbahet mënd ajo me titull “Gabove Hilë”, në të cilën ai polemizonte me Ministrin e Arsimit, Hil Mosi, lidhur me mbylljen e shkollave private në Shqipëri. Ai artikull asokohe bëri një bujë të madhe në të gjithë vëndin dhe i gjithë shtypi shqiptar e komentoi gjatë atë.

Ceremonia e varrimit të Fishtës

Padër Gjergj Fishta u nda nga jeta më 29 dhjetor të vitit 1940-të në spitalin civil të qytetit të Shkodrës ku ai ishte shtruar nga një sëmundje e zemrës dhe e mushkrive. Varrimi i tij u krye një ditë më vonë në kishën Françeskane të Gjuhadolit ku morën pjesë me mijra e mijra vetë nga populli i Shkodrës, midis të cilëve dhe ajka e intelektualve shqiptarë dhe përfaqësues nga të gjitha shkollat e vëndit. Në mes shumë fjalimeve që u mbajtën në ceremoninë mortore të varrimit të tij e cila u bë në shkallët e godinës së Postës që qytetit, erdhën dhe shumë telegrame, ku midis tyre ishin ato të Prof. Eqerem Çabejt, Zenel Prodanit, Spiro Vinjaut, Muharrem Bajraktarit, Rexhep Mitrovicës, Bahri Omarit, Karl Gurakuqit, Frano Alkajt, Mihal Bellkamenit, Lasgush Poradecit, Ernest Koliqit dhe Hafiz Muratit. Fjala e fundit në atë ceremoni madhështore, u mbajt nga Prof. Aleksandër Xhuvani, që ishte një nga miqtë më të ngushtë të Fishtës, e cila ka qenë pothuajse e panjohur dhe nuk e pati parë kurrë dritën e botimit.

Fjalimi i Aleksandër Xhuvanit mbi varrin e Gjergj Fishtës

Për të krijuar idenë e oratorisë së Aleksandër Xhuvanit, mjafton të kujtojmë fjalimin e tij, mbi varrin e Atë Gjergj Fishtës. Kjo vlen gjithashtu, për të treguar qartë vlerësimin e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Këngëtarit të Lahutës. Për këtë arsye, nuk e kemi prekur origjinalin, në mënyrë që të njihemi edhe me trajtesat gjuhësore të asaj kohe:

“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahnitun mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj“. Kjo ishte një pjesë nga fjalimi i prof. Xhuvanit mbi varrin e poetit tonë, Gjergj Fishta./Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Letërkëmbimi midis Presidentit francez dhe Kadaresë në vitin 1989

Publikuar

-

Nga

Janë publikuar disa dokumente të panjohura arkivore të vitit 1989 me korespodencën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë dhe titullarit të saj, Reiz Malile, me ambasadën shqiptare në Paris dhe kreun e shtetit, Ramiz Alia, ku bëhet fjalë për letrën e presidentit francez, François Mitterand, që sapo i kishte dërguar nominalisht shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, me adresë: Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, ku ai e ftonte që të merrte pjesë në ceremonitë e festimeve të 200 vjetorit të Revolucionit Francez që do të zhvilloheshin më 13 e 14 korrikun e atij vitit, ku ishin ftuar 35 kryetarë shtetesh dhe Kadare ishte në listën e 12 miqve të ngushtë personal të presidentit francez që kishte “harruar” Ramiz Alinë. Përse e firmosi kreu i shtetit shqiptar të asaj kohe, Alia, lejen për shkrimtarin Kadare dhe çfarë shkruhet në raportin e tij mbi qëndrimin në Francë ku ai morri pjesë në ceremonitë festive të 200 vjetorit të Revolucionit Francez dhe bisedat koefidenciale me presidentin Mitterand?

Pas më shumë se një dekadë “embargo”-je që i kishte bërë udhëheqja komuniste e Tiranës shkrimtarit të njohur me famë botërore, Ismail Kadare, duke ia refuzuar pothuaj të gjitha ftesat që i vinin nga jashtë, papritur diku aty nga viti 1989, Tirana zyrtare duket se ishte “dorëzuar” më në fund. Dhe ishte vetë kreu i shtetit, Ramiz Alia që kishte firmosur për vajtjen e Kadaresë në Francë, për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez.

Ftesa e cila e kishte pasur zanafillën që nga viti 1985, (gjysmë zyrtarisht) tashmë kishte ardhur e nominuar nga vetë presidenti francez, François Mitterand dhe nisur nga ky fakt, presidentit Alia nuk i kishte mbetur gjë tjetër veçse të hidhte firmën mbi atë letër, edhe pse krejtësisht jashtë dëshirës së tij. Kjo, për arsyen e thjeshtë se presidenti francez, Mitterrand, nuk ia kishte bërë atij ftesën si homolog, ashtu siç kishte bërë me plot 35 kryetarë shtetesh të ndryshme nga e gjithë bota, por atë gjë ia kishte bërë një shkrimtari, qoftë edhe shumë i njohur, siç ishte Kadareja. Dhe këtë gjë, Alia nuk mund ta kapërdinte lehtë. Gjë të cilën, ai nuk mund ta linte pa e shprehur publikisht afro një vit më vonë, (24 korrik 1990) madje në kulmin e zemërimit të tij në një nga mbledhjet e Byrosë Politike, kur po diskutohej mbi “ngjarjet e ambasadave”. Ku midis të tjerash, ai do të shprehej: “Si nuk doli një intelektual që t’i thotë Kadaresë: ç’qe ajo ftesë që të erdhi nga presidenti francez”?! Dhe këto fjalë Alia i tha pikërisht kur në atë mbledhje po diskutohej problemi i Kadaresë, i cili nuk kishte pranuar të prononcohej publikisht kundër atyre mijëra shqiptarëve që ishin futur nëpër ambasada. Madje, jo vetëm kaq, por sipas Lisen Bashkurtit, asokohe Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës Shqipërisë, Kadaresë i kishin dërguar tri herë Remzi Lanin në shtëpi për t’i marrë një intervistë lidhur me atë problem, por ai nuk kishte pranuar. Dhe pas gjithë këtyre “zullumeve” të Kadaresë, i cili “e kishte mbushur kupën”, Ramiz Alia në kulmin e zemërimit, me një mllef të paparë, në mes të tjerash u shpreh: “Po atëherë, Kadareja ose të prononcohet sipas vijës së Partisë lidhur me ngjarjet e ambasadave, ose të dalë hapur në anën e armikut”?! Nisur nga këto “zullume” dhe ujërat që kishin rrjedhur në drejtim të kundërt me “mullirin” e Kadaresë, atëherë natyrshëm lind pyetja: Perse ia kishte dhënë viston Alia atij për të shkuar në Francë (në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez), kur gati përgjatë një dekade atij pothuaj i ishin refuzuar të gjitha ftesat?! Edhe kjo gjë mendojmë se e ka shpjegimin e saj, madje fare të thjeshtë. E para, se ajo gjë kishte të bënte direkt me Francën, e cila ishte e vetmja “portë e hapur” e Shqipërisë me Perëndimin, të cilin ai (Ramizi) e kishte trashëgim nga Enver Hoxha dhe mbyllja e saj, apo qoftë dhe krijimi i problemeve sado të vogla me të, Alisë as nuk do t’i shkonte kurrë në mend që t’i krijonte në çfarëdo lloj rrethanash. Kjo edhe për faktin e thjeshtë dhe të njohur tashmë, se atje vazhdonin të shkonin “shokët e udhëheqjes për kurime dhe vizita mjekësore”, siç thuhej atëherë, apo edhe thjesht për vakanca dhe “udhëtime tranzite”. Madje, jo vetëm ata, por dhe fëmijët e tyre, apo “taborri i dhëndurëve” etj., segmente të nomenklaturës së lartë të regjimit komunist të Shqipërisë. Kësisoj, këtë situatë Ramizi sado pushtet që kishte grumbulluar në atë kohë (pas vdekjes së Enverit), pothuaj ishte krejt i pafuqishëm ta prekte.

E dyta, Alia nuk mund të luante dot “urët e zjarrit” me Francën, pasi veç sa thamë më lart, edhe për faktin tjetër se ai donte të dukej, apo më saktë t’i krijonte vetes një imazh në sytë e Perëndimit, se në Shqipëri tashmë diçka po lëvizte në drejtim të “demokratizimit të jetës së vendit”. Dhe pse jo, qoftë dhe për të fituar statusin apo për të krijuar imazhin e një “Gorbaçovi” të vogël të Ballkanit, apo më e pakta dhe vetëm të Shqipërisë. Sidoqoftë, sa më lart, kjo mbetet në kuadrin e analizave apo konkluzioneve që gjithkush i nxjerr nga këndvështrimi i tij, por fakti është se Alia u detyrua dhe ia dha viston Kadaresë për të shkuar në Francë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez. Duke bërë kështu që ai të ishte dhe fizikisht në atë ngjarje të madhe, në krah të atyre burrashtetasve të Perëndimit, pasi me veprën e tij, ai kishte pothuaj dy dekada që ishte pranuar prej tyre. Duke qenë kështu, në një farë mënyre shqiptari i parë që pranohej nga Perëndimi, madje me shumë nderime. Dhe ashtu siç do të shohim edhe nga dokumentet në fjalë që publikohen për herë të parë dhe të plota në këtë pjesë të librit, me shumë gjasa kjo ka qenë dhe arsyeja kryesore që Kadare në bisedimet me presidentin Miterand, “ia ka ruajtur fytyrën” Alisë, pasi ashtu si pjesa më e madhe e shqiptarëve, (ndoshta dhe Kadareja) asokohe kishim një farë besimi dhe shprese tek ai, (në mos direkt pas vdekjes së Enverit, nga fundi i viteve ’80-të kur filluan të frynin “erërat nga Lindja”), së paku për një “tranzicion të butë”. Por që fatkeqësisht, siç rrodhën ngjarjet më vonë, ajo gjë mbeti vetëm shpresë. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të publikuara në faqet e këtij libri, edhe ky botohet i plotë dhe pa asnjë ndryshim.

Informacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtëme për letrën e presidentit francez, Drejtoria e Dytë

Ambasada franceze në Tiranë na dorëzoi një letër për shokun Ismail Kadare, dërguar nga Presidenca e Francës. Letra ishte e mbyllur. Shoku Ismail Kadare ishte në Itali dhe më datën 1 qershor u kthye. Më datën 2 qershor i dorëzuam letrën. Ai na vuri në dijeni se ishte një ftesë nga ana e Presidentit të Francës, Fransua Miteran, për të marrë pjesë në festimet e 200- vjetorit të Revolucionit Francës. Është i ftuar për datat 13 e 14 korrik të këtij viti. Me notë sot po njoftojmë ambasadën franceze në Tiranë që ftesën ia dorëzuam shokut Ismail Kadare.

Tiranë, më 3.6.1989
Th. Haxhi

Letra e presidentit francez, François Mitterrand për shkrimtarin Ismail Kadare

Presidenti i Republikës
Paris, më 9 maj 1989

I dashur Zotni

Franca celebron këtë vit me një shkëlqim të veçantë 200-vjetorin e Revolucionit të saj. Shpresa e emancipimit që u ngrit atëherë në vendin tim, shumë të tjerë që nuk ishin francezë e përqafuan gjithashtu atë. Duke festuar atë që shënoi për Francën agimin e një historie të re, ajo kërkon të bëjë lidhjen e të kaluarës me të tashmen, të idealeve të djeshme me betejat e sotme për një botë më të drejtë dhe më të lirë. Dëshiroj që arti, dëshmitar i pasurisë së pafundme të kulturave të botës, të marrë gjithashtu pjesë në festë dhe në veçanti ata të cilët, si juve, kanë ditur të gjejnë fjalët për të shprehur të drejtat e njerëzve. Prandaj do të isha i lumtur që ju të merrni pjesë pranë meje në manifestimet e 13 dhe të 14 korrikut, të cilat do të përbëjnë momentin më të rëndësishëm të këtyre ceremonive. Ju lutem pranoni, Zotni, shprehjen e ndjenjave të mia të mira!

LEXO EDHE:  ‘Pse burrat martohen me ku***?’ Armina Mevlani gjen përgjigjen

LEXO EDHE:  15 kthesat e mëdha që na “bënë njerëz”

Fransua Miteran.

Zotit Ismail Kadare

Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë

Tiranë.

Letra e ministrit Reiz Malile, për Ramiz Alinë, lidhur me telegramin nga Franca

Shoku Ramiz
Dje u takova me shokun Ismail Kadare, biseduam dhe i thashë të bënte një informacion të hollësishëm për vizitën e tij në Francë, sidomos për takimin me presidentin Miterand, kjo me qëllim që të nxjerrim ndonjë konkluzion për të çuar më përpara marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Francës. Bashkëlidhur ju dërgoj kopje të informacionit që shoku Ismail më dërgoi nga plazhi.

Tiranë më 26 korrik 1989.

Reiz Malile

Informacioni i shkrimtarit Ismail Kadare mbi qëndrimin e tij në Francë

Informacion rreth qëndrimit në Francë me rastin e 200-vjetorit të Revolucionit Francez
Midis datës 12 dhe 25 korrik qëndrova në Francë me ftesë të Presidentit të Republikës Franceze, Fransua Miteran, për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez. Si përfaqësues i kulturës shqiptare, bëja pjesë në grupin e vogël prej 12 vetash që ishin të ftuar personalë të presidentit. Ky grup të ftuarish u trajtua me po atë respekt si edhe 35 shefat e shteteve të ftuar nga vendet e paktë që patën një ftesë të tillë. (Ishte i vetmi vend ballkanik dhe vendi i dytë bashkë me Poloninë, nga Lindja). Ndër 12 të ftuarit, gjysma ishin shkrimtarë, ndër të cilët një amerikano-latin, (Markez-nobelist), një afrikan (Soynka-nobelist), një turk (Kemal), dy amerikanë (Starjon, dhe Vejsel) një shqiptar (d.m.th. përfaqësues i Evropës). Kjo listë të ftuarish u njoftua disa herë nga mjetet e informacionit francez. Gjatë ceremonive, pritjeve dhe darkave të shtruara nga presidenti Miteran pata rastin të takohem e të bisedoj me personalitete të ndryshme, qoftë politikë, qoftë shoqërorë. I’u tërhiqte vëmendjen fakti që Shqipëria përfaqësohej nga një personalitet i kulturës. Shfaqën interes për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera si dhe për kulturën shqiptare. Kam biseduar më gjerësisht me ministrin e Kulturës së Francës, Zhak Lang, me ministrin e Jashtëm francez, Roland Dyma, me shkrimtarë, filozofë, etj. Më shkurt, kam biseduar me kryeministrin francez Rokar, si edhe me të ftuar nga vende të tjera si Perez de Kuelar, gra presidentësh (zonja Kohl) etj. Midis të ftuarve politikë, m’u dha rasti të bisedoj me Presidentin e Jugosllavisë, Derzhovek, si edhe me ministrin e Jashtëm, Lonçar. Me presidentin jugosllav folëm për problemet e Kosovës dhe ndonëse biseda u zhvillua në prani të Zhak Lang, ai pa përfillur kurrfarë diplomacie, tha se si slloven, ai i kuptonte plotësisht shqiptarët, se ishte në anën e tyre dhe se ishte kundra shovinizmit serb. Kur Zhak Lang e pyeti se a mund të bënte diçka më tepër si president, ai ngriti supet me një gjest gjysmë të dëshpëruar. Më datën 22 korrik, presidenti Miteran më ftoi për të ngrënë mëngjesin në pallatin presidencial (Elize). Qëndruam mbi një orë e dhjetë minuta. Biseda që bëmë u përqendrua në këto motive:

Historia dhe kultura e popullit shqiptar, për të cilën ai kishte një njohje të mirë.

Për letërsinë si dhe konkretisht për librat e mi të botuara në Francë, pjesën më të madhe të të cilave ai i kishte lexuar.

Për “mbylljen” e Shqipërisë, për të cilën ai shprehu mendimin se ndonëse e kupton ndonjë sentiment tonin, ka mendimin se peizazhi i sotëm politik evropian presupozon një zgjerim marrëdhëniesh.

Lidhur me këtë, unë u përpoqa t’i shpjegoj se ka forca reaksionare sot në botë, që ndonëse bërtasin për “mbylljen” e Shqipërisë, janë tepër të interesuara që Shqipëria të jetë pikërisht “e mbyllur”, dmth., e izoluar nga bota. Sado që kjo mund të duket paradoksale, këto forca e urojnë këtë. Shembull: Serbia, e cila mbi këtë ka bazuar një pjesë të strategjisë për Kosovën.

Ai tha se e kuptonte logjikën e kësaj dhe kur Franca fliste për këtë mbyllje, ajo s’ka asnjë prapamendim ose dëshirë të kundërt. Pyetjes prej tij se si u zhvillua “tranzicioni i pushtetit”, dmth., në mënyrë të qetë dhe pa tronditje, (jo) siç ka ndodhur në disa vende të Lindjes, iu përgjigja thjesht pozitivisht. Dëshironte të dinte për shokun Ramiz Alia. E dinte që kishte punuar me propagandën dhe kulturën dhe se unë e njihja. Ndihej një simpati e tij për të. Folëm gjerësisht për problemin e Kosovës dhe të Jugosllavisë.

Pas pyetjes së tij se kishte dy informacione për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, njëra që e bënte të keqe, por jo aq tragjike dhe tjetra që e bënte tragjike, unë iu përgjigja se ishte shumë më tragjike se ç’përfytyrohej. Ai tha: “Edhe unë jam me këtë që thoni ju”.
Pas fjalëve të mia se ende vazhdon te një pjesë e inteligjencës shqiptare mendimi i vjetër se Franca mund të ketë një lidhje sentimentale me Serbinë, ai iu përgjigj shumë vendosmërisht: “Kjo gjë ka perënduar tashmë. S’ka më asnjë bazë”.

Shpjegimin tim se as Shqipëria nuk ka tendencë për aneksimin e Kosovës (ndryshime ideologjike, religjioze, etj.), dhe as Kosova për të njëjtat arsye ndoshta, nuk e ka këtë tendencë, ai e gjeti krejt të logjikshme. Shkurt, fjalët se Shqipëria është e interesuar për stabilitetin e Jugosllavisë, ai e gjente absolutisht reale dhe në logjikën e gjërave. Për çështjen e të drejtave të njeriut, objeksionit tim se sa më shumë të lidhen të drejtat individuale me ato të grupeve etnike dhe të popujve, aq më efikas do të jetë ky aksion, ai u përgjigj se Franca kohët e fundit përherë e më tepër po e bën këtë lidhje. Lidhur me këtë, Miterani tha se pavarësisht nga idetë që mbron çdo vend dhe që ishte e drejtë e secilit t’i mbrojë, kohët e fundit koncepti për të drejtat e njeriut sa vete po fiton një konsensus më universal (botëror) dhe se ai shpreson se Shqipëria nuk do të jetë kundra kësaj koncepti të unifikuar për to. Ky koncept është edhe një nga formulat bazë të paraqitjes së çdo vendi përpara komunitetit të popujve. Ai shtoi se në kushtet e represionit të gati gjysmës së kombit shqiptar që jeton në Jugosllavi, mendon se Shqipërisë i intereson të jetë një vend aktiv për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Folëm gjithashtu për organizimin e festive të 200-vjetorit, për të cilat ai qe kritikuar nga opozita. Së fundi tha se shpresonte të më takonte përsëri në të ardhmen.
Ismail Kadare

Tiranë, më 27. 7. 1989

(Ky shkrim është shkëputur nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist” i autorit, Dashnor Kaloçi që pritet të dalë së shpejti dhe është publikuar nga Memorie.al me rastin e dekorimit të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, me titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, nga ana e Presidentit francez, Emmanuel Macron)

LEXO TE PLOTE

Histori

Historia e Zija Mukës/ Gazetari që refuzoi regjimin komunist

Publikuar

-

Nga

Zija Muka, intelektuali nga qyteti i Shkodrës i cili gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut studioi në Itali për Teknik Gjeometër dhe pas kthimit në atdhe e braktisi atë profesion dhe i’u përkushtua gazetarisë, duke punuar në disa organe shtypi të asaj kohe dhe më pas si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve Botore dhe atë të Buqësisë. Në periudhën e pushtimit të vendit ai u caktua të punonte në Kosovë, ku e gjeti dhe mbarimi i Luftës, por nuk u kthye dot në Shqipëri pasi regjimi titist e akuzoi si “bashkëpunëtor të okupatorëve gjerman” dhe e dënoi me tetë vite burg politik, nga ku ai mundi të lirohet në 1949-ën, kur u prishën marrëdhëniet në mes dy vëndeve dhe ai u kthye në qytetin e tij të Shkodrës, si adhurues i Monarkisë së Mbretit Zog, ai refuzoi të merrte pjesë në të gjitha votimet që mbaheshin asokohe, deri në shëmbjen e regjimit komunist.

Gjatë gjithë periudhës 45-vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës, mosmarrja pjesë në votime, apo hedhja e votës kundër kandidatëve të Frontit Demokratik, që paraqiste PPSH-ja, përbënte një herezi që do t’i sillte shumë pasoja të rënda personit që s’pranonte të shkonte tek kutia e votimit dhe në rastin më të keq, ky veprim “paguhej” edhe me burg. Por ndonëse mjaft të rralla, ka pasur raste kur persona të ndryshëm nuk pranonin të votonin dhe nuk merrnin pjesë në zgjedhjet që organizoheshin për Kuvendin Popullor apo për Këshillat Popullore, duke i abandonuar hapur dhe në mënyrë demonstrative ato votime. Si p.sh. Zefe Mala, themelues i Partisë Komuniste, që pas disa vitesh burg e internim, në një nga letrat dërguar kryeministrit Mehmet Shehu, ndër të tjera do t’i shkruante: “Pushteti juaj mbaron te pragu i shtëpisë sime”, apo Hamit Gjylbegu nga Shkodra, i internuar në Elbasan, i cili nuk votoi kurrë në regjimin komunist duke e demonstruar hapur bojkton ndaj tyre. Një tjetër personazh nga ata të paktë rebelë që nuk kanë votuar gjatë regjimit komunist, ka qenë intelektuali shkodran Zija Muka, i cili mbahet mend nga të gjithë bashkëqytetarët e tij për mosmarrjen pjesë në të gjitha votimet e para viteve ’90-të. Por ndryshe nga Zef Mala dhe Hamit Gjylbegu, Zija Muka gjente mënyra të ndryshme që të mos votonte?!

Kush ishte Zija Muka, cila ishte e kaluara e tij, përse ai nuk merrte pjesë në votime dhe çfarë pasojash pati ai nga refuzimi që u bënte votimeve? Lidhur me këtë na njeh shkrimi që publikojmë më poshtë ekskluzivisht për Memorie.al, të cilën e kemi ndërtuar mbi bazën e informacioneve që kemi marrë nga disa të afërm të tij, por dhe persona të tjerë që e kanë njohur nga afër.

Kush ishte Zija Muka?

Zija Muka u lind në vitin 1912 në qytetin e Shkodrës, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij, mjaft e njohur në atë qytet. Shtëpia e madhe e Mukejve, e ndërtuar prej disa qindra vitesh, ndodhet edhe sot në qendër të qytetit të Shkodrës, fare pranë xhamisë së Parrucës. Babai i tij ishte familje qytetare shkodrane, nëna e Zijait ishte e bija e Oso Bilalit të famshëm nga qyteti i Ulqinit, i cili ka përfaqësuar ulqinakët në bisedimet me Portën e Lartë në Stamboll, për të luftuar kundër malazezëve. Babai i Zijait, Ramadan Muka, ka qenë i diplomuar për ekonomi dhe në vitet e Monarkisë së Zogut punoi si ekonomist në Pazarin e Ri të qytetit të Shkodrës. Ndërsa xhaxhai i tij ka qenë Shefqet Muka, drejtori i të parit gjimnaz laik të qytetit të Shkodrës. Veç të tjerash, familja Muka ka qenë e njohur edhe për lidhjet e saj miqësore me familjen Vuçiterni e Kosovës dhe Mulletët e Tiranës. Po kështu, familja e Zija Mukës kishte lidhje shumë të afërta miqësore edhe me Taip Alinë (babanë e ish-presidentit komunist të Shqipërisë, Ramiz Alia) dhe në shtëpinë e motrës së Zija Mukës (e cila ka qenë e martuar me ministrin e Zogut, Sali Vuçiterni) Ramiz Alia ka kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë së tij.

Titullar në Ministritë e Zogut

Pasi përfundoi mësimet në gjimnazin laik të qytetit të Shkodrës, me rezultate shumë të larta, Zija Muka shkoi në Itali ku bëri një kurs për gjeometër, por pas kthimit në Shqipëri, ai nuk e ushtroi fare atë profesion. Në fillimin e viteve ’30-të ai iu përkushtua gazetarisë, duke punuar për shumë kohë në organe të ndryshme të shtypit shqiptar të asaj kohe, ai ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja. Në fillimet e karrierës së tij si gazetar, ai punoi si redaktor i rubrikave historike dhe më pas si gazetar i faqeve sportive për Tiranën dhe Shkodrën. Si gazetar sportiv, Zijai ndoqi disa aktivitete ndërkombëtare të vendeve ballkanike, ku morën pjesë dhe atletët shqiptarë, si në Bullgari, Rumani, Hungari etj. Gjatë viteve të studimit në Itali, Zijai u njoh dhe pati miqësi me piktorin e njohur shqiptar, Ibrahim Kodra, i cili i realizoi edhe një portret bashkëatdhetarit të tij, që Zijai e ruajti si një kujtim të shtrenjtë deri në fund të jetës së tij. Në mesin e viteve ’30-të Zijai u largua nga gazetaria dhe filloi punë në administratën shtetërore të Monarkisë së Zogut, si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve Botore. Edhe pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, ai vazhdoi të shërbente në administratën shtetërore, duke punuar si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë. Gjatë asaj periudhe, qeveria shqiptare, e cila kishte nën juridiksion edhe Kosovën, e caktoi Zijain si përfaqësues të saj në atë krahinë për shpërndarjen e ndihmave. Këtë detyrë, të cilën ai e përmbushi me ndershmëri deri në mbarimin e Luftës, në dhjetorin e 1944-s, i krijoi disa probleme me regjimin titist të Beogradit, i cili e akuzoi atë si bashkëpunëtor të okupatorit gjerman dhe nuk e lejoi të kthehej në Shqipëri.

19 vite burg në Shqipëri e Jugosllavi

Regjimi titist i Beogradit jo vetëm që nuk e lejoi Zija Mukën që të kthehej në Shqipëri, por e nxori atë në gjyq dhe e dënoi me 8 vite burg politik, ku prokuror ishte Ali Shukriu, që njihej si pro titist. Zijai vuajti dënimin në burgun e Nishit deri në 1949,(vit ky që shënoi edhe prishjen e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave), fitoi pafajësinë mbas disa kërkesave të njëpasnjëshme. Regjimi titist jo vetëm që i dha pafajësinë, por i kërkoi që të qëndronte në Jugosllavi, duke punuar si gjeometër në qytetin e Ulqinit, ku ai kishte njerëzit e fisit të tij nga nëna. Por Zijai nuk pranoi të qëndronte dhe të punonte në Jugosllavi dhe po atë vit u kthye në Shqipëri, duke u vendosur në qytetin e Shkodrës. Për shumë vite ai qëndroi pa punë, pasi regjimi komunist i Tiranës nuk e kishte me sy të mirë për shkak edhe të funksioneve që kishte pasur gjatë viteve të Monarkisë së Zogut. Zijai, që ishte dhe vëllai i vetëm i pesë motrave, u detyrua të merrej me punë të ndryshme private për të siguruar jetesën. Aktivitetin privat ai e ushtroi deri më ’66-ën, kur regjimi komunist e ndaloi me ligj sektorin privat. Në atë kohë regjimi komunist e dënoi Zijain me 11 vite burg, gjoja për disa detyrime të pashlyera që ai kishte me shkollën Tregtare në Shkodër. Por në fakt arrestimi dhe dënimi i tij vinte për shkaqe të qëndrimit ndaj regjimit komunist në fuqi. Ai kishte shfaqur deri diku hapur që pas kthimit nga Jugosllavia më 1949, veç bindjeve politike zogiste, të cilat Zijai nuk ngurronte t’i shprehte hapur me miqtë e tij, që nga ’45-a ai nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në votime. Ky ishte shkaku kryesor i burgosjes së tij dhe dënimi i tij me 11 vite, ishte më tepër një paralajmërim që ai të mos i refuzonte votimet. Si rezultat i kësaj, Zijai vuajt vetëm dy vite e gjysmë burg dhe e liruan, duke i thënë se “kishte fituar pafajësinë”.

LEXO EDHE:  “Historia e jashtëzakonshme e popullit”/Flamuri shqiptar “shkon” në pikën më të thellë të Tokës

LEXO EDHE:  'Pse burrat martohen me ku***?' Armina Mevlani gjen përgjigjen

Nuk votonte që nga 1945-a

Po përse nuk kishte shkuar asnjëherë në votime dhe si ishte justifikuar Zija Muka për mospjesëmarrjen e tij në zgjedhjet e mbajtura gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës? Arsyeja kryesore e mospjesëmarrjes në votime ishin bindjet e tij politike, pasi ai ishte një adhurues i flaktë i Monarkisë së Zogut dhe si i tillë ai ishte edhe një kundërshtar i regjimin komunist. Nisur nga ky fakt, ai kishte vendosur të mos votonte asnjëherë, si në zgjedhjet për Kuvendin Popullor, ashtu dhe zgjedhjet lokale për Këshillat Popullore. Por duke e njohur mirë natyrën e regjimit komunist, i cili nuk e kishte për hiçgjë ta përplaste atë burgjeve, Zijaj nuk dilte hapur kundër votimeve. Ai përdorte disa lloj justifikimesh për t’u mbrojtur për mospjesëmarrjen e tij në votime. Nisur nga fakti se kishte ardhur në Shqipëri vetëm më 1949, Zijai thoshte se nuk figuronte në asnjë nga regjistrat e gjendjeve civile dhe normalisht as në listat e votimeve. Kur e kërkonin në Shkodër për të votuar, ai thoshte se e kishte emrin në listat e gjendjes civile të Tiranës, pasi aty kishte banuar nga mesi i vitetve ’30-të dhe gjatë pushtimit të vendit. Po kështu një justifikim tjetër i tij ishte ai se gjoja e kishte pashaportizimin në Kavajë, pasi në atë qytet Zijai kishte banuar për disa vite, kur motra e tij Pertefe Muka Mulleti, kishte qenë e internuar familjarisht. Këto justifikime ai i përdori edhe pas daljes nga burgu më 1968-ën, burg të cilin e kishte bërë pikërisht për shkak se nuk merrte pjesë në votime. Nisur nga fakti se ai u bë një person shumë problematik për regjimin, disa qytete ku ai kishte banuar, si Shkodra, Tirana dhe Kavaja, nuk dëshironin që ta kishin atë në listat e zgjedhësve, pasi ai u ulte përqindjen e pjesëmarrjes në votime. Jo vetëm që nuk donte të votonte, por nuk dëshironte të kishte asnjë lloj lidhje me regjimin dhe për ta konkretizuar këtë, në dhomën e shtëpisë ku banonte (në Parrucë), ai kishte shkëputur energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm, që ia siguronte shteti. Por për të mos u krijuar probleme njerëzve të familjes dhe të afërmëve, ai jetonte krejt i vetëm dhe nuk u martua. Më të shumtën e kohës Zijai e kalonte në dhomën e tij duke lexuar libra dhe duke shfletuar arkivin mjaft të pasur dokumentar që dispononte. Në dhomën e tij, ai mbante të varur në mur dhe një foto të Mbretëreshës Geraldinë, ndaj së cilës kishte të njëjtin adhurim si për Mbretin Zog dhe miqve të tij të ngushtë ju fliste hapur për të. Ai dilte rrallë nga shtëpia dhe miqtë e tij më të ngushtë ishin intelektualë shkodranë, të njohur si antikomuniste, si: Hamit Gjylbegu, Izet Bebeziqi, avokat Koliqi, pianistja e famëshme, Ida Melgushi etj., dhe disa klerikë katolik që regjimi komunist i konsideronte si “krerë të reaksionit”.

Presionet për të votuar

Presionet e vazhdueshme të regjimit komunist ndaj Zijait, që ai të merrte pjesë në votime, nuk pushuan edhe në fillimin e viteve ’80-të, kur ai ishte në një moshë tashmë të thyer. Në atë kohë presionet filluan të kanalizoheshin në drejtim të familjarëve dhe fisit të tij, në mënyrë që ata ta detyronin për të votuar. Kështu, në zgjedhjet e vitit 1982 (për Kuvendin Popullor) Komiteti i Partisë së Shkodrës thërri dy nipat e tij, Jusuf dhe Vildan Tufi, duke u thënë atyre që ta detyronin dajën e tyre për të votuar, pasi në rast të kundërt ata do të pushoheshin nga puna si inxhinier dhe pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik. Mbas shumë lutjesh, ata e detyruan Zijain që të shkonte në votime. Dhe duke e mbajtur për krahësh, ata e shoqëruan atë deri në qendrën e votimit, ku dhe e prezantuan me komisionin përkatës. Zijai e mori letrën e votimit dhe pasi shkoi në dhomën e fshehtë, veprim të cilin nuk e bënte njeri në atë kohë, e futi atë në kuti në mënyrë demonstrative. Pas kësaj, ai u largua i vetëm për në shtëpinë e tij dhe në të gjithë Shkodrën u hap lajmi se Zija Muka kishte votuar. Por kjo gjë nuk kishte qenë e vërtetë, pasi, kur u hapën kutitë e votimit, aty u gjet një letër e bardhë, e ndryshme nga ato të votimeve. Atë e kishte futur Zijai dhe letrën që ia kishte dhënë komisioni, ai e kishte marrë me vete në xhep dhe e kishte djegur sapo kishte shkuar në shtëpi. Në një rast tjetër ai i kërkoi komisionit që të futej në dhomën e fshehtë, dhe ata duke e ditur se ai do votonte kundër, për të mos u prishur shifrat 100%, i thanë të largohej, pasi gjoja nuk e kishte emrin në listat e tyre. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, Zijai nuk reshti së shkruari Ramiz Alisë (të cilin e kishte dhe kushëri), për të kërkuar të drejtat e tij, por nuk mori kurrë përgjigje prej tij.

Pas ’90-s, votonte për Leka Zogun

Zija Muka, pati fatin të jetonte gjatë dhe të merrte pjesë edhe në zgjedhjet që u bënë pas viteve ’90-të, kur u shemb ai regjim. Në zgjedhjet e para pluraliste të ’91-it Zijai shkoi në votime dhe pasi mori fletën ku ishin shënuar emrat e subjekteve elektorale, kërkoi emrin e Leka Zogut. Dhe pasi nuk e gjeti atë, e shënoi vetë me stilolaps dhe pastaj e futi në kutinë e votimit. Në zgjedhjet e tjera që pasuan ai votoi rregullisht për Partinë Lëvizja e Legalitetit, pasi ishte një idhtar i vjetër i asaj force politike dhe personalisht i Mbretit Zog. Zija Muka u nda nga jeta në moshën 89 vjeçare, në 23 janar të vitit 2003 dhe ai mbahet mend nga të gjithë bashkëqytetarët e tij shkodranë, si njeriu që nuk votoi kurrë gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës./Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Dokumenti i Komandës Gjermane/ 21 emrat e komunistëve që Enver Hoxha kërkon për t’i shkëmbyer me robërit tanë

Publikuar

-

Nga

Memorie.al publikon disa dokumente të rralla arkivore që botohen për herë të parë dhe që janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, të cilat i përkasin majit të vitit 1944, ku Shefi i Shtabit Madhor të trupave gjermane në Shqipëri, majori, Schulz, me anë të një letre që i ka dërguar në atë kohë zv/ministrit të Punëve të Jashtme, Vehbi Frashëri, i bën me dije për një listë emrash me 21 komunistë që ia ka dërguar Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, të cilët kërkon që t’i shkëmbejë me robërit gjermanë…

Marrëveshja që bëri Enver Hoxha me komandën gjermane në Shqipëri në tetorin e vitit 1944 për të shkëmbyer tre femrat gjermane, Elsa Koch, Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert, të cilat ishin kapur rob nga një pritë partizane më 5 shtator të atij viti teksa po tentonin të largoheshin nga Shqipëria me një autokolonë gjermane në rrugën Kukës-Prizren, marrëveshje të cilën Enveri nuk e zbatoi kurrë dhe si rezultat, solli ekzekutimin e 104 komunistëve dhe partizanëve shqiptarë që mbaheshin të izoluar në Kampin e Prishtinës më datën 23 tetor të atij viti, duket se nuk ka qenë e vetmja marrëveshje që Enver Hoxha me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kishte bërë me komandën e trupave gjermane në Shqipëri.

Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore që gjenden në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe që botohen për herë të pare, ekskluzivisht për Memorie.al, ku hidhet dritë mbi një tjetër marrëveshje që Enver Hoxha ka bërë me gjermanët, vetëm katër muaj më parë asaj për shkëmbimin e tre femrave gjermane, e cila daton më 14 maj të atij viti. Siç do të shikojmë dhe nga dokumentet në fjalë (shiko faksimilet përkatëse) më 15 maj 1944, Shefi i Shtabit të Forcave gjermane në Shqipëri, majori, Schoulz, në emër të gjeneralit komandues të trupave gjermane që ishin në vendin tonë, i ka dërguar një letër zv/ministrit të Punëve të Jashtme të qeverisë shqiptare, Vehbi Frashërit (i biri, i ish-kryeministrit, Mehdi Frashëri), letër në të cilën janë të shënuar emrat e 21 komunistëve shqiptarë, që asaj komande ia ka dërguar Enver Hoxha me Spiro Moisiun, duke u kërkuar që ata t’i shkëmbejnë me robërit gjermane që mbaheshin nga forcat partizane.

Letrën në fjalë, (bashkangjitur me letër ku është lista prej 21 emrash të komunistëve shqiptarë), që mban datën 14.V.1944, nënministri i Punëve të Jashtme, Vehbi Frashëri, ia ka dërguar një ditë më vonë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku i kërkon informacion më të plotë lidhur me emrat e këtyre komunistëve, nëse ndodhen në burgje dhe nëse dëshirojnë që vullnetarisht të deklarohen se janë komunistë e të pranojnë që të shkëmbehen, apo ata që nuk pranojnë që të identifikohen si të tillë dhe që nuk pranojnë dorëzimin e shkëmbimin me robërit gjermanë.

Si fillim duhet thënë se kjo marrëveshje është realizuar, pra këta komunistë janë shkëmbyer me robërit gjermanë që mbaheshin si pengje nga forcat partizane të Enver Hoxhës, pasi pothuaj të gjitha ata jetuan edhe pas mbarimit të Luftës, madje duke mbajtur poste të larta në hierarkinë partiake dhe shtetërore pas vitit 1944 e më tej. Nga sa shihet në letrën me emrat e 21 komunistëve, e cila sipas shefit të shtabit madhor të trupave gjermane, majorit Schulz, është e përpiluar nga Enver Hoxha, pothuaj shumica e tyre ishin persona me shumë rëndësi në Lëvizjen Komuniste dhe Ushtrinë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Mosiu, gjë e cila e ka detyruar Enverin që të kërkonte shkëmbimin e tyre me robërit gjermanë që ata i mbanin të izoluar dhe për t’i shkëmbyer.

LEXO EDHE:  Shqipëria një destinacion i panjohur

LEXO EDHE:  Histori të pathëna të konfliktit në Ballkan/ Kur kriminelet e luftës ishin gra

Pa hyrë në hollësira lidhur me detyrat dhe funksionet që mbanin këta pjesëtarë të kësaj liste prej 21 personash gjatë periudhës së Luftës, disa prej tyre ishin, shokë e miq të afërt me Enverin, apo kishin lidhje të ndryshme me të, si, p.sh.: Aqif Selfo, shok i ngushtë fëmijërie i Enver Hoxhës që në qytetin e Gjirokastrës ku i kishin shtëpitë shumë afër dhe më pas në Liceun e Korçës, por Enveri i pushkatoi disa nga kushërinjtë e tij, si Syrja dhe Reiz Selfon, e të tjerët ja persekutoi, Alo Dëshnica, vëllai i Esat Dëshnicës, (Deputet i Kuvendit Popullor), që mbajti Enverin me para gjatë Luftës, u vra në Kampin e Prishtinës, Justina Sata, apo Flora Dëshnica, sekretare e Enverit në Shtabin e Përgjithshëm dhe pas Luftës, bashkëshortja e Ymer Dishnicës, etj.

Nga lista në fjalë prej 21 personash, pjesa më e madhe e tyre pas mbarimit të Luftës mbajtën funksione drejtuese në hierarkinë partiake dhe shtetërore, ndërsa ndonjë prej tyre, si Skënder Kosova, Drit Çaushi, Ali Kubati, Flora Sata, etj që do të përfundonin burgjeve dhe internimeve. Krahas dokumenteve arkivore me listën prej 21 personash që Enver Hoxha ia kërkoi Komandës së lartë Gjermane në Shqipëri dhe i shkëmbeu me robërit gjermanë, të cilën po e publikojmë dhe me faksimilet përkatëse, po shënojmë edhe disa nga detyrat që këta eksponentë të lartë të Lëvizjes Komuniste mbajtën dhe ushtruan pas mbarimit të Luftës, si p.sh.:
Aqif Selfo, Shefi i Arsimit në Tiranë, menjëherë pas Luftës
Drit Çaushi, sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
Hatixhe Deliu, gruaja e Ramadan Çitakut, themelues i PKSH
QaziM Vaqarri, nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
Sali Angoni, zv/ministër i Ndërtimit për shumë vite
Ali Kubati, nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
Qibrie Ciu, zv/Ministre e Arsimit dhe më pas e internuar
Qamil Poda, kolonel, Komandant i Flotës Ushtarake Detare
Musa Agolli, (vëllai i Mahmut Agollit) me poste drejtuese
Liri Dodbiba, (motra e ministrit, Pirro Dodbiba), në Arsim
Alo Dëshnica, “dëshmor”, vëllai i Esat Dëshnincës, deputet
Justina Sata,(Flora Dëshnica), sekretare e Enverit në Luftë
Jani Thoma, kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së

K O N C E P T
SHTETI SHQIPTAR
MINISTRIA E PUNEVE TË JASHTËME Tiranë, më 15/V/1944
Nr.63/1 Rez
E ngutshme
P T
MINISTËR I P.T. MBRENDËSHME
T I R A N Ë
Për dijeni dhe veprim. Ju dërgojmë, bashkangjitun, shkresën, datë, 14/V/1944 të Gjeneralit të Komandës Gjermane, në lidhje me shkëmbimin e robërve, me lutje që të na jepet një përgjigjie, më ditën e nesërme, më 16. të këtij.
NËNMINISTRI
Vehbi Frashëri
………………………………………………………………………………………………………………………………………
Rezeravt

Zoti nënministër, Vehbi Frashëri

Tiranë
Në lidhje me bashkëfjalimin telefonik, që Ju, zoti nënministër, keni pasun me gjeneralin komandues, parashtrojmë këtu poshtë emrat e komunistëve të kërkuem nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, për shkëmbim me robërit e luftës gjermanë:
1.Aqif Selfo
2.Driti Çaushi
3.Hatixhe Deliu
4.Tefta Mano
5.Qazim Vaqarri
6.Sali Angoni
7.Ali Kubati
8.Zef Nikolla
9.Qibrie Ciu
10. Skënder Kosova
11.Musa Agolli
12. Astrit Leka
13. Liri Dodbiba
14. Alo Dëshnica
15.Justina Sata
16. Jani Thoma
17.Qemal Emin
18.Muzafer Kokobobo
19.Qamil Poda
20.Dragush Frashëri
21.Bedri Karapici
Jeni të lutur me na njoftue, se cilët komunistë jënë ndër burgje në dispozicjon e që dëshirojnë vullnetarisht me u dorzue, të cilët komunista janë ndër burgje që refuzojnë dorzimin (shkëmbimin) dhe të cilët persona janë dhe për ç’arsye nuk mund të shtihen në dorë.

Për gjeneralin komandues

Shefi i Shtabit madhor

I.A I.V

Schulz d.v. Major/Memorial.al

LEXO TE PLOTE