LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Doktoraturat e shërbimit të fshehtë duhet të shenjohen

28 Dhjetor 2019, 18:30, Kosova & Bota CNA
Doktoraturat e shërbimit të fshehtë duhet të shenjohen

Policia e fshehtë kishte një fakultet sekret universitar, ku mund të diplomoheshin agjentët. Titujt atyre nuk mund t’u hiqen, por personi që mbikqyr dokumentat kërkon rietiketim të tyre…

Fjala është për atë që ka ndodhur në ish Gjermaninë Lindore të kohës së komunizmit dhe çfarë është propozuar të ndodhë me ish oficerët e shërbimit të fshehtë të cilët mbajnë titullin “Doktor”.

“I ngarkuari Federal për dokumentet e shërbimit të fshehtë të Republikës Demokratike Gjermane, Stasi, Roland Jahn, dëshiron të arrijë që ish-oficerët e Stasit me titull doktori ta mbajnë këtë titull me shtesën “Stasi”. Sipas Autoritetit për Dokumentacionin e Stasit, shumica e doktoraturave përkatëse janë fituar në universitetin sekret të Ministrisë për Sigurinë e Shtetit (MfS). Nga jashtë, institucioni mbante emrin Shkolla e Drejtësisë Potsdam. Aty u mbrojtën 174 teza doktorature nga gjithsej 485 autorë”, shkruan media gjermane DW, sipas të cilës:

“Një nga kushtet e marrëveshjes së ribashkimit midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore ishte njohja e barabartë e kualifikimeve akademike në të dyja anët e Murit të Berlinit, diçka që vlen edhe për ata që janë diplomuar në Ministrinë e Sigurisë së Shtetit (MfS)

Këto teza doktorature ishin dokumente të imazhit të vetvetes të policisë sekrete të RDGJ, tha Jahn. Në to sqarohet, për shembull, shkatërrimi i jetës personale të kundërshtarëve ose lufta kundër opozitës politike. “Këto ishin udhëzime për shkeljen e të drejtave të njeriut.” Kjo nuk është e pranueshme dhe tani duhet të trajtohet dhe t’i vihet pikëpyetje nga politika.

“Doktor i Stasit – kjo do të ishte transparenca e vërtetë,” u shpreh Jahn në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve dpa. Në kohën e RDGJ-së Jahn-i ishte aktiv në opozitë. Prej vitit 2011, ai ishte i Ngarkuari Federal për dokumentet e Stasit.

 Sipas Zyrës që administron dokumentat e Stasit, karakteristikë e doktoraturave në fjalë ishte që shumica e tyre nuk ishin shkruar vetëm nga një autor. Në një rast morën pjesë në hartim dhjetë studentë të doktoratës. Sipas autoritetit të Dokumentave të Stasit, fakti që punimet janë shkruar nga disa autorë është në kundërshtim me rregulloret e sotme për doktoraturat.

Jahn u shpreh se kjo nuk ka të bëjë me damkosjen dhe me dënimin e njerëzve përgjithmonë. Përkundrazi, rëndësi ka më tepër pyetja: si ka vepruar personi në fjalë me të kaluarën e tij..?”

 

Lajmet e fundit nga