Connect with Us

Si janë shfaqur gjuhët që flasim?/ Ja se çfarë thonë ekspertët

Blog

Si janë shfaqur gjuhët që flasim?/ Ja se çfarë thonë ekspertët

Publikuar

-

Si u krijuan gati 6.000 gjuhët, që janë folur ose fliten sot në botë? Studiuesit nga Qendra e Kërkimeve në Lajpcig për Zhvillimin e Hershëm të Fëmijërisë në Universitetin e Lajpcigut, dhe Instituti Maks Plank për Antropologji Evolucionare në Gjermani, janë përpjekur të simulojnë procesin e zhvillimit të një sistemi të ri komunikimi në një eksperiment.

Rezultatet ishin befasuese:edhe fëmijët parashkollorë, mund të zhvillojnë spontanisht sisteme komunikimi, që shfaqin vetitë thelbësore të një gjuhe natyrore. Se si u shfaqën gjuhët e botës, kjo gjë mbetet kryesisht një mister. Por duke pasur parasysh se kanë kaluar mijëra vjet, është intriguese të shihet sesi edhe njerëzit e shurdhër, mund të krijojnë spontanisht gjuhën e shenjave.

Vëzhgimet kanë treguar se kur njerëzit e shurdhër nga kombësi të ndryshme, bëhen bashkë në një komunitet, ata e gjejnë shumë shpejt gjuhën e tyre të shenjave. Shembulli më i famshëm i kësaj është Gjuha Nikaraguane e Shenjave, e cila u shfaq në vitet 1980.

Interesant është fakti, që fëmijët luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre gjuhëve të reja. Sidoqoftë, sesi ndodhi kjo nuk është dokumentuar. Sikurse shprehet Manuel Bon:”Ne dimë relativisht pak, se si ndërveprimi social shndërrohet në një gjuhë. Këtu hyn në lojë studimi ynë i ri”.

Në një seri studimesh, studiuesit në Qendrën e Kërkimeve në Lajpcig për Zhvillimin e Hershëm të Fëmijërisë në Universitetin e Lajpcigut, dhe Instituti Mak Plank për Antropologji Evolucionare, u përpoqën të rikrijonin pikërisht këtë proces. Ideja kishte qarkulluar prej kohësh, thotë Gregor Kashel.

Por kishte një problem:si t’i bëjmë fëmijët të komunikojnë me njëri-tjetrin, pa i detyruar ata të flasin me njëri-tjetrin? Zgjidhja erdhi gjatë bisedave në Skype midis dy studiuesve nga Gjermania, dhe kolegut të tyre amerikan Majkëll Tomazelo.

Në studim, fëmijët u ftuan të qëndronin në dy dhoma të ndryshme, dhe mes tyre u krijua një lidhje me Skype. Pas një njohjeje të shkurtër me eksperimentin, studiuesit fikën zërin, dhe vëzhguan ndërsa fëmijët gjetën mënyra të reja të komunikimit, që shkojnë përtej gjuhës së folur.

Detyra e fëmijëve ishte të përshkruanin një imazh me motive të ndryshme, në një lojë që kishte në qendër koordinimin. Me gjëra konkrete – si një çekiç ose pirun – fëmijët shpejt gjetën një zgjidhje, duke imituar veprimin përkatës (pra ngrënien) me një gjest.

Por studiuesit i sfidonin vazhdimisht fëmijët, me fotografi të reja më abstrakte. Për shembull, ata u treguan atyre një fletë të bardhë, si të ishte një foto. Fjala “asgjë” është e vështirë të imitohet. Kashel përshkruan se si dy fëmijë, e kaluan gjithsesi edhe atë test:

”I pari provoi të gjitha llojet e gjesteve të ndryshme për t’ia shpjeguar, por partneri në studim matanë xhamit i bëri të ditur se nuk e dinte se çfarë kuptimi ishte. Papritmas, i pari tërhoqi bluzën e tij në njërën anë dhe i tregoi një pikë të bardhë. Që të dy e kuptuan:natyrisht e bardhë! Si letra! ”

LEXO EDHE:  Ekspertët e lidhjeve ngrenë flamurin e kuq ndaj këtyre partnerëve

Më vonë, kur rolet u ndërruan, marrësi i mesazhit nuk kishte një pikë të bardhë në bluzën e saj, megjithatë reagoi njëlloj:”Tërhoqi bluzën e vet anash dhe tregoi ngjyrën. Menjëherë partneri i saj në eksperiment, e dinte se çfarë duhej të bënte”. Brenda një kohe shumë të shkurtër, të dy fëmijët kishin krijuar një shenjë për një koncept abstrakt.

Gjatë studimit, imazhet që do të përshkruheshin u bënë gjithnjë e më komplekse, gjë që u pasqyrua edhe në gjestet që prodhuan fëmijët. Për shembull, për të komunikuar një ndërveprim midis dy kafshëve, fëmijët shpikën gjeste të veçanta për aktorët, dhe filluan t’i ndërthurin ato, duke krijuar kështu një lloj gramatike të vogël zanore.

Po si shfaqet një gjuhë ? Bazuar në studimin e tanishëm, hapat e mëposhtëm duket të jenë të besueshme:së pari, njerëzit krijojnë referenca për veprimet dhe objektet, përmes shenjave që u ngjajnë gjërave për të cilat janë duke folur. Parakushti për këtë, është një bazë e zakonshme e përvojës midis partnerëve ndërveprues.

Gjithashtu ata koordinojnë duke imituar njëri-tjetrin, në mënyrë që të përdorin të njëjtat shenja për të njëjtat sende. Kësisoj, shenjat fitojnë një kuptim ndërnjerëzor, dhe përfundimisht simbolik. Me kalimin e kohës, marrëdhëniet midis shenjave dhe gjërave bëhen më abstrakte, dhe kuptimi i shenjave individuale më specifik.

Strukturat gramatikore përdoren gradualisht, kur ekziston nevoja për të komunikuar fakte më komplekse. Sidoqoftë, aspekti më i spikatur i studimeve aktuale, është se këto procese mund të vëzhgohen në rrethana të kontrolluara edhe brenda 30 minutave.

Studimet tregojnë se komunikimi, nuk mund të reduktohet vetëm në fjalë. Kur s’ka asnjë mënyrë për të përdorur gjuhën e folur konvencionale, njerëzit gjejnë mënyra të tjera për ta përçuar mesazhin e tyre. Kjo dukuri, formon bazën e zhvillimit të gjuhëve të reja.

Studimi i Manuel Bon, Gregor Kashel dhe Majkëll Tomazelos, tregon se si mund të jenë hapat e parë në zhvillimin e një gjuhe të re. Por sipas Bon, në këtë pikë lindin shumë pyetje:”Do të ishte shumë interesante të shihej se si sistemet e komunikimit të shpikura rishtas, ndryshojnë me kalimin e kohës. Për shembull, kur ato u kalohen “brezave” të rinj të përdoruesve. Ka të dhëna, se ajo gjuhë bëhet më sistematike kur trashëgohet më tutje”./Përshtati për shqip CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Opsionet e Turqisë pakësohen në Siri/ Rusia mbështet lëvizjen e Asadit

Publikuar

-

Nga

Një ofensivë siriane e mbështetur nga Rusia në Idlib i ka sjellë forcat turke në konfrontim të drejtpërdrejtë me trupat e Presidentit Asad. Kjo kërcënon të minojë një marrëveshje të brishtë mes Turqisë dhe Rusisë.

Bisedimet për qetësimin e situatës midis përfaqësuesve të Rusisë dhe Turqisë nuk kanë arritur asnjë marrëveshje, pasi 13 ushtarë u vranë gjatë javës së kaluar kur forcat e Presidentit sirian Bashar Asad vazhduan përpjekjet e tyre për të marrë autostradën strategjike M5 për në Alepo nga kryengritësit, për herë të parë që nga viti 2012. Deri në fund të së martës, ishte e paqartë nëse përpjekjet e qeverisë siriane ishin të suksesshme.

Turqia ka dërguar javën e kaluar qindra automjete ushtarake dhe trupa në pozicionet e saj në Idlib, në një nga konfrontimet më serioze midis Turqisë dhe qeverisë së Sirisë në luftën nëntë vjeçare. Megjithëse Presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan ka kërcënuar se qeveria e Asadit do të paguajë “një çmim shumë të lartë” për ushtarët turq të vrarë, ai mund të mos dëshirojë të rrezikojë një përplasje të drejtpërdrejtë me avionët dhe personelin rus që mbështesin forcat siriane, gjë që mund të çojë në një përshkallëzim edhe më të rrezikshëm.

Rusia dhe Turqia nuk janë “të gatshme të heqin dorë as nga parimi as nga terreni” në Idlib, i tha DW Tobias Schneider, studiues në Institutin e Politikës Publike në Berlin. “Ne mund të shohim një përshkallëzim të vogël siç e pamë në vitin 2015, kur turqit rrëzuan një avion rus, dhe pastaj do të shohim se kush do të tërhiqet së pari,” tha Schneider. “Kjo është e panjohura e madhe tani.”

                                                  Sirianë të mbështetur nga Turqia

Soçi 2.0

Pasi Rusia hyri në luftë me mbështetje ajrore për forcat e Asadit në vitin 2015, duke e kthyer dinamikën në favor të regjimit, Turqia mbështeti në vitin 2016 disa grupe kryengritëse, që kërkonin pjesë të veriut të Sirisë. Por një armëpushim i ndërmjetësuar nga qeveritë e Turqisë, Rusisë dhe Iranit në Astana dhe bisedimet e Soçit tani duken të kërcënuara, pasi Kremlini mbështet ofensivën e Asadit në zonat e kontrolluara nga Turqia.

Kjo e vë Turqinë në një pozitë më të dobët, thotë Schneider. Mosmarrëveshjet e Ankarasë me anëtarët e tjerë të NATO-s e kanë zvogëluar mundësinë që Shtetet e Bashkuara ose vendet evropiane të ndihmojnë në rivendosjen e balancës.

LEXO EDHE:  Pse prokuroria nuk hetoi kurrë Fahri Balliun/ Faktet e reja rihapin dosjen Meta

LEXO EDHE:  Dosjet e mëdha të krimit dhe korrupsionit/Ekspertët të ndarë për nenin 449

Më shumë të ngjarë, tha Schneider, është një vazhdim i “kolapsit të ngadaltë të menaxhuar” të Idlibit, pasi Asadi vazhdon të ndërmarrë fushata periodike më të vogla. Të martën, Zyra e OKB për Koordinimin e Çështjeve Humanitare paralajmëroi se qyteti i Idlibit, vendstrehimi i 280.000 njerëzve, mund të kthehet në varrezë po të vazhdojnë armiqësitë.

Që nga dhjetori, ofensiva ka zhvendosur 700.000 civilë brenda provincës veriore prej 3 milionë banorësh – më shumë se në çdo kohë tjetër gjatë luftës, sipas OKB-së, me shumë vetë që përballen edhe me të ftohtët ekstrem.

Erdogani ka paralajmëruar se po të kalojnë kufirin një numër i madh refugjatësh, ai do të lejojë që shumë të kalojnë në Bashkimin Evropian, në kundërshtim me marrëveshjen e arritur mes BE-së dhe Turqisë në vitin 2016. Në atë rast BE-ja me siguri do të rinegociononte me Turqinë dhe ndoshta do të vendoste sanksione kundër saj, thotë Schneider.

“Në një kohë që askush nuk dëshiron një katastrofë në Idlib, evropianët me të vërtetë e shohin atë si një çështje të sigurisë kufitare dhe të migrimit, dhe janë mjaft të sigurtë në aftësinë e tyre për ta përmbajtur atë problem,” thotë ai. “Ata mendojnë se në thelb mund ta zgjidhin këtë duke dërguar shumë çadra dhe duke e mbyllur kufirin.”/ DW

Tom Allinson, Imane Mellouk

LEXO TE PLOTE

Blog

Çmimi barbar për luftën e Hitlerit/ Ç’ndodhi 75 vjet më parë në Drezden?

Publikuar

-

Nga

Drezdeni pandehte se ishte i sigurtë, besonte se mburojë kishte estetikën e veçantë arkitektonike. Por qyteti pagoi një çmim barbar për luftën e Hitlerit duke përjetuar para 70 vjetësh një bombardim të pashembullt.

Drezden 2004. Këshilli i qytetit krijoi një komision ndërdisiplinor, i cili duhet të merret me çështjen: Sa vetë vdiqën gjatë bombardimeve më 13., 14. dhe 15 shkurt 1945? Për dekada me radhë është spekuluar për këto shifra. Flitej për 70.000 të vdekur, si serioze u provua shifra 35.000 – por edhe kjo bazohej vetëm në vlerësime. Komisioni Drezden ka arritur në konkluzionin e vet. 25.000 të vdekur prej bombave e ka llogaritur ai dhe ky numër është paraqitur në raportin përfundimtar, i cili u publikua në vitin 2010.

Shkatërrimi vetëm në 23 minuta

Ndërkohë që me më shumë preçizion mund të dekumentohet ajo që ndodhi mbi Drezden 75 vjet më parë. Më 13 shkurt u nisën 245 avionë katër-motorik të tipit “Lancaster” nga Anglia. Kjo ishte flota e 5-të bombarduese britanike. Destinacioni i saj: Drezdeni, qytet anës Elbës. Një qytet që asokohe kishte 630.000 banorë me – siç vlerësohej – edhe rreth qindra mijëra refugjatë. Drezdeni nga pikëpamja strategjike dhe ekonomike ishte i parëndësishëm për ecurinë e luftës në përgjithësi, fati i së cilës qe përcaktuar tashmë qysh në vitin 1944.

Shkatërrimi i Drezdenit

Në orën 21:39 gjëmuan sirenat e alarmit në qytetin anës Elbës. Rreth 3.000 bomba të rënda shpërthyese, 250 bomba me rreze djegëse dhe 400.000 bomba flakëhedhëse vërshuan mbi “Firencen e Elbës’, siç quhet ndryshe Drezdeni, i cili shquhet për bukurinë arkitektonike dhe pasurinë e artefakteve. E gjitha kjo ndodhi në vetëm 23 minuta. Qendra e qytetit u bë prush në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ndriçimi i zjarrit ishte aq intensiv sa që pilotët britanikë kanë protokolluar se kanë parë Drezdenin të digjet që nga distanca mbi 320 kilometra dhe nga 6.700 metra lartësi. Nxehtësia arrinte temperatura, që shkrijnë edhe qelqin e shisheve nëpër bodrumet e farmacive. Gjatë dy valëve të sulmit të bombarduesve britanikë dhe një sulmi pasues të SHBA u rrafshuan rreth 15 kilometra katror të qytetit.

Në shkatërrimin e Drezdenit ishin të përfshirë pilotë britanikë dhe amerikanë, por njëri kishte komandën: Arthur Harris, “komandant i përgjithshëm” i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF). Njeriu i Churchill-it i ngarkuar për bombardimin masiv të Gjermanisë naziste, një mjet lufte për të demoralizuar armikun.

Arthur “Kasapi” Harris

“Asnjë hobby. S’ka lexuar asnjëherë ndonjë libër. Nuk e pëlqen muzikën. Jetonte vetëm për punën e tij.” Një nga përshkrimet më konçize mbi qenien e ushtarakut të lartë britanik, i cili edhe sot e kësaj dite është figurë mjaft e kontestuar. Harris ishte një antipod i britanikut. Ai nuk e njihte njerëzillëkun dhe mirësjelljen, ai ishte i vrazhdë dhe për më tepër shpesh edhe njeri që fyente. Shumë e quanin atë thjesht “Butcher”, kasap. Qysh në periudhën mes dy luftërave botërore Harris e kishte zbuluar pasionin e tij për luftën ajrore. Në Pakistan dhe Irak, ai kishte qenë komandant i skuadroneve të RAF, shpesh fluturonte vetë dhe preferonte të përdorte bomba me zjarr kundër kurdëve dhe arabëve. Kasollet e tyre prej kashte digjeshin me flakë deri në qiell. Ai entuziazmohej prej efektit të luftës ajrore.

Ashtu si shumë oficerë të aviacionit ushtarak edhe jashtë Mbretërisë, Harris besonte në superioritetin ushtarak të bombarduesve. Që në fillim të vitit 1943 ai besonte se vetëm nga ajri pa mobilizimin e trupave të këmbësorisë do të mund ta çonte Gjermaninë drejt kapitullimit. Një vit më pas, në 1944, Harris arrin në konkluzionin, se 45 nga 60 qytetet e mëdha gjermane ishin shkatërruar. Duke përfshirë edhe Këlnin e Hamburgun. Tani duhet të përfundojë pjesa tjetër, kërkoi ai. Drezdeni është një prej tyre.

LEXO EDHE:  Pse prokuroria nuk hetoi kurrë Fahri Balliun/ Faktet e reja rihapin dosjen Meta

LEXO EDHE:  Ndryshimet gjuhësore dhe pastërtia e shqipes/ Flasin ekspertët

Monumenti i Martin Lutherit rrëzohet nga bombardimet

Luftë qyteteve

Disa historianë shohin në bombardimin e Drezdenit një element të rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes fuqive perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik në etapën e fundit të luftës. Pasi kishte mbetur në vendnumëro ofensiva e Forcave Aleate kundër Gjermanisë në Frontin Perëndimor që nga fundi i 1944, në të njëjtën kohë që Ushtria e Kuqe po përparonte më shpejt në lindje, Churchill-i në janar, pak para Konferencës së Jaltës, udhëzoi të verifikohej nëse tani “Berlini … e gjithashtu edhe qytete të tjera të mëdha në lindje të Gjermaninë… .ndoshta nuk ishin objektiva që ia vlenin.” E gjitha kjo për t’i tërhequr vëmendjen Moskës, sepse Stalini kishte dyshime. Për vite të tëra ai kishte kërkuar nga fuqitë perëndimore, hapjen e një fronti të dytë në Perëndim. Një tezë tjetër ndjek logjikën: Meqënëse sovjetikëve u ishte premtuar Gjermania Qendrore si zonë e pushtimit para Konferencës së Jaltës, britanikët dhe amerikanët u turrën me një vrull të shfrenuar shkatërrimi ndaj Drezdenit dhe qyteteve të tjera në Lindje të Gjermanisë.

Por pavarësisht nga kjo, Drezdeni ishte në planin e Harris-it. Dhe ka pasur paralajmërime shumë kohë përpara 13 shkurtit. Lajmet e radiove si dhe gazetat e vendeve aleate paralajmëronin skenarin, se çdo qytet gjerman mund të kthehej në një qytet-front, për aq kohë sa vazhdonte lufta. Drezdeni ishte përveç kësaj edhe një udhëkryq i rëndësishëm i linjave hekurudhore si të Lindjes edhe të Perëndimit, ashtu edhe të Veriut e Jugut. Gjithashtu aleatët e konsideronin Drezdenin si një qendër të mundshme të tërheqjes së Hitlerit dhe nazistëve në rast se do të ndërpriteshin nyjet e qarkullimit Berlin dhe Lajpcig si linja furnizimi. Drezden pra ishte në fokus dhe Churchill-i ishte padyshim më shumë se vetëm një tolerues i praktikave të pamëshirshme të strategut të tij të aviacionit Harris. Këtë ai e ka deklaruar pak para vdekjes së tij, se Drezdeni “në atë kohë konsiderohej nga njerëz që ishin shumë më të rëndësishëm se unë, si një domosdoshmëri ushtarake”.

Monumenti i Arthur Harris në Londër

Akti dhe dorasi – një çështje e diskutueshme edhe sot e kësaj dite

Ushtria e Kuqe nën Marshall Zhukovin në shkurt të vitit 1945 ndodhej vetëm 80 kilometra në lindje të Drezdenit, kur bombarduesit britanikë dhe amerikanë donin t’i demonstronin sovjetikëve një shenjë bashkëpunimi kundër Gjermanisë së Hitlerit. “Një barbari të tillë nuk do ta kishte bërë kurrë ushtria sovjetike”, ka gjykuar më vonë Zhukovi. Edhe në Angli bombardimi i Drezdenit vazhdon të jetë një çështje e diskutueshme. Kur në vitin 1992, “bombarduesit Harri” iu kushtua në qendër të Londrës një statujë bronzi 2,70 metra e lartë Queen Mum e vlerësoi atë si “lider frymëzues”, ndërsa qindra protestues thërrisnin “vrasës në masë, vrasës në masë”./ DW

LEXO TE PLOTE

Blog

Xi Jinping, po e humb kontrollin e “kontrollokracisë” që ka ngritur në Kinë

Publikuar

-

Nga

Nga Xiao Qiang “Project Syndicate”

* Në librin e tij të vitit 2016 “Diktatura e përsosur:Kina në shekullin XXI”, politologu norvegjez Stein Ringen, e përshkruan Kinën bashkëkohore si një “kontrollokraci”, duke argumentuar se sistemi i saj i qeverisjes është shndërruar në një regjim të ri më të ashpër dhe më ideologjik se më pare.

Tashmë “kontrollokracia” e Kinës, mban përgjegjësinë kryesore për epideminë e koronavirusit, që po përhapet gjerësisht në vend dhe botë. Presidenti kinez Xi Jinping, do të takohet në shtator me krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së në samitin BE-Kinë në Lajpzig të Gjermanisë.

Evropianët duhet ta kuptojnë, se përmes këtij samiti do t’i japin atij një fitore politike shumë të nevojshme, në rast se nuk do i kërkojnë llogari për dështimin e tij në respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht në Tibet, Xinjiang dhe Hong Kong.

Gjatë 8 viteve të fundit, udhëheqja qendrore e Partisë Komuniste të Kinës, ka ndërmarrë hapa për të forcuar autoritetin personal të presidentit Xi Jinping, si dhe për zgjerimin e kompetencave të vetë PKK-së, në kurriz të ministrive dhe qeverive lokale dhe krahinore.

Autoritetet qendrore, kanë reaguar vazhdimisht me brutalitet ndaj mosmarrëveshjeve, gjë e cila është ndjerë në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike në vend. Nën kontrollokracinë, janë mbyllur faqet e internetit; janë burgosur avokatë, aktivistë dhe shkrimtarë.

Ndërkohë, sistemi që ka instaluar Xi që nga viti 2012, po shfrytëzon teknologjitë e reja në Kinë, sidomos Inteligjencën Artificiale për të forcuar kontrollin e qeverisë qendrore mbi shoqërinë kineze. Rasti i parë i koronavirusit u shfaq në Vuhan, kryeqyteti i provincës së Hubeit më 1 dhjetor 2019.

Dhe që në mesin e atij muaji, autoritetet kineze kishin prova se virusi mund të transmetohej nga një njeri tek tjetri. Gjithsesi, qeveria nuk e pranoi zyrtarisht epideminë deri më 20 janar të këtij viti. Gjatë këtyre 7 javëve, policia e Vuhan burgosi 8 mjekë dhe infermierë, me akuzën e përhapjes së panikut në mediat sociale.

Ata u akuzuan për “përhapjen e thashethemeve”, dhe përçarjen e “rendit shoqëror”. Ndërkohë, qeveria rajonale e Hubeit, vazhdoi të fshehë numrin e vërtetë të rasteve me koronavirus. Censurimi i madh, shkatërroi çdo mundësi për të vënë virusin nën kontroll, përpara se ai të ishte përhapur në Vuhan, një qytet me 14 milionë banorë.

Deri më 23 janar, kur qeveria shpalli më në fund karantinën për banorët e Vuhanit, rreth 5 milionë njerëz ishin larguar tashmë nga qyteti, duke shkaktuar epideminë që tani po përhapet me shpejtësi në Kinë dhe pjesën tjetër të botës.

LEXO EDHE:  Video-Ekspertët: Silicon Mix nuk është i dëmshëm/ Ligji nuk e ndalon

LEXO EDHE:  Ndryshimet gjuhësore dhe pastërtia e shqipes/ Flasin ekspertët

Kur më në fund u bë publike shkalla e vërtetë e epidemisë, opinioni publik kinez pati një përzierje të parashikueshme të zemërimit, ankthit dhe dëshpërimit. Njerëzit e përdorën masivisht internetin për të shfryrë mllefin dhe zhgënjimin e tyre.

Por nuk kaloi shumë kohë dhe shteti rivendosi censurën, duke kufizuar ndjeshëm aftësinë e gazetarëve dhe qytetarëve të shqetësuar për të shkëmbyer informacione rreth krizës. Pastaj më 3 shkurt, pasi presidenti Xi drejtoi takimin e dytë të Komitetit të Përhershëm për epideminë, aparati propagandistik i PKK u urdhërua të “udhëzojë opinionin publik, dhe të forcojë kontrollin e informacionit”.

Në praktikë, kjo do të thotë një kontroll të rreptë të të gjitha komunikimeve dhe publikimeve në internet. Kontrollokracia tani po funksionon tani me kapacitet të plotë, me algoritmet e njohjes së fytyrës, imazhit  dhe zërit, që përdoren për të parashikuar dhe shtypur çdo kritikë të mundshme të qeverisë, dhe për të zhdukur të gjitha informacionet “jozyrtare” në lidhje me epideminë.

Më 7 shkurt, Li Uenliang, një nga mjekët që u përpoq të jepte alarmin për epideminë, vdiq nga koronavirusi, dhe kjo gjë shkaktoi një reagim të madh në mediat sociale. Publiku kinez e përkujton atë si një hero, por edhe si një viktimë që u përpoq të tregonte të vërtetën.

Për herë të parë që nga ngjitja në pushtet, makineria e censurimit të Xi Jingping, po ndeshet me një rezistencë të fortë nga miliona përdorues të internetit në Kinë. Kontrollokracia, është duke u vënë në provë. Por me shumë gjasa, kjo gjë do të përdoret për të justifikuar edhe më shumë mbikëqyrje dhe kontroll të popullatës.

Xi është një diktator safi. Por diktatura e tij është larg nga të qenit “perfekte”. Nevoja e tij obsesive për të kontrolluar informacionin, i ka privuar qytetarët kinezë nga e drejta e tyre për të mësuar atë që po ndodh në komunitetet e tyre, dhe potencialisht brenda trupave të tyre.

Deri më 9 shkurt, epidemia kishte vrarë më shumë se 900 njerëz, dhe infektuar 40.000 të tjerë në mbi 25 vende të botës. Pavarësisht gjithë teknologjive të saj të përparuara dixhitale, dhe fuqinë e jashtëzakonshme ekonomike dhe ushtarake, Kina po qeveriset si të ishte një autokraci para-moderne. Kinezët meritojnë më mirë. Por fatkeqësisht, ata dhe pjesa tjetër e botës, do të vazhdojnë të paguajnë një çmim të lartë për despotizmin hi-tech të presidentit kinez./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE