LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A mund të ketë një fillim të ri të procesit të anëtarësimit të Ballkanit në BE?

24 Dhjetor 2019, 07:29, Blog CNA
A mund të ketë një fillim të ri të procesit të

Nga Dilek Kutuk ?Daily Sabah?

* Procesi i evropianizimit në vendet jo-anëtare të BE, ishte tepër joshës gjatë viteve 1990. Kjo sepse Bashkimi Evropian, ishte në gjendje të ndikonte në politikat kombëtare të shteteve jo-anëtare, përmes normave dhe vlerave të dakorduara në Deklaratën e Kopenhagës, duke garantuar një perspektivë të mirë për këto vende.

Deri më sot, procesi i integrimit evropian, ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në rindërtimin e institucioneve dhe shoqërive ballkanike pas luftërave që ndodhën atje, për konsolidimin e demokracisë në këto vende, dhe për fillimin e procesit të pajtimit midis shteteve dhe kombeve të rajonit.

Gjithsesi, vitet e fundit një numër faktorësh politikë dhe ekonomikë, po e shtojnë pasigurinë mbi procesin e anëtarësimit në BE. Këto ndryshime në union, kanë krijuar një Evropë konservatore, çka në një farë mënyre nënkupton procese integruese më të ngadalta, dhe me kritere më të forta. Vendet ballkanikë, janë shumë pakënaqura nga kjo që po shohin, dhe kjo gjë ka çuar në dështimin e respektimit të kritereve të kërkuara.

Humbje e besueshmërisë

Bashkimi Evropian, ka parandaluar për 3 dekada luftën në kontinent. Mjerisht, ky mjedis paqësor, nuk ka çuar në një BE më të organizuar. Dhe kjo anomali, ndihet më shumë tek vendet e Ballkanit, që e kanë humbur durimin e tyre me procesin e anëtarësimit në BE.

Për shembull, Maqedonia e Veriut ka sot në krye një qeveri pro-BE, e cila e zgjidhi mosmarrëveshjen e vjetër me Greqinë, përmes ndryshimit të emrit. Kosova me qeverinë e saj të re, planifikon të heqë dorë nga taksa në nivelin 100 për qind për importet nga Serbia, dhe mund të rinisë së shpejti procesin e dialogut me Beogradin, me ndërmjetësimin e BE-së.

Ndërkohë, Shqipëria dhe Serbia, kanë marrëdhënie të mira fqinjësore mes tyre. Kjo do të thotë, që këto përmirësime pozitive mund ta çojnë BE-në në një drejtim të ri. Fatkeqësisht, shumë vende aspirante e kanë humbur besimin e tyre në procesin e pranimit në union, pasi nuk panë rezultate konkrete, përkundër reformave të mëdha që kanë ndërmarrë, konform standardeve evropiane.

Këshilli dhe Komisioni Evropian, kanë ndryshuar udhëheqje, me presidentin e ri të Parlamentit Evropian, Davide Sasoli, dhe presidenten e re të Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen. Brukseli ka një administratë të re, por ajo po merret ende me çështje të vjetra. Dhe çështja kryeore, është procesi i ngrirë i anëtarësimit evropian të vendeve ballkanike.

A duhet që vendet e Ballkanit të vazhdojnë të synojnë anëtarësimin në union, në një të ardhme të afërt? Sikurse shprehet eksperti Paolo Radaeli, procesi i evropianizimit tani është në fazën e riformatimit. Sipas tij, ky proces mund të prodhojë 4 rezultate të mundshme:inerci, përthithje, shndërrim dhe ndërprerje.

E fundit nënkupton që politikat kombëtare të vendeve anëtare dhe jo-anëtare, do të bëhen më pak evropiane nga sa kanë qenë më pare, dhe se është zbehur forca transformuese e BE-së. Për më tepër, një udhëheqje e përçarë e pamundëson ndryshimin e situatës. Franca, Austria, Holanda dhe disa vende të tjera, nuk e mbështesin procesin e zgjerimit.

Edhe pse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, kanë plotësuar shumë nga kriteret e kërkuara nga BE, ato janë në pritje të çeljes së bisedimeve të anëtarësimit, të premtuar shumë muaj më parë. Ndërkaq, Serbia dhe Mali i Zi, nuk shpresojnë të jenë së shpejti anëtare të unionit, ndonëse kanë çelur aktualisht shumë kapituj, dhe kanë mbyllur me sukses disa prej tyre.

Por vonesat në hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, që u vunë re në samitin e tetorit të këtij viti të liderëve të BE-së, u prit me shqetësim në të gjithë Ballkanin. Bashkimi Evropian, mendon se e ardhmja e Ballkanit është në union.

E megjithatë, Bruksli po vazhdon të shpërfillë zhgënjimin e madh që po ndihet në rajon. Nga ana tjetër, ndërsa Rusia po vazhdon të rrisë ndikimin e saj politik dhe ekonomik, Kina po investon gjithnjë e më shumë në rajon, në një përpjekje për të rritur ekspansionin e saj ekonomik në portin grek të Pireut, por edhe ndikimin e vet politik, si pjesë e Nismës së saj të Brezit dhe Rrugës, që lidh një numër vendesh ballkanike dhe të Evropës Lindore.

Ndërkohë, udhëheqësit në Ballkan janë përpjekur të forcojnë bashkëpunimin me vende të tjera si Japonia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Azerbajxhani. Mund të thuhet se vendet e Ballkanit, kanë diversifikuar opsionet e tyre të investimeve të huaja direkte, për të zvogëluar ndërvarësinë nga vendet  BE-së.

Për më tepër, ato kanë promovuar disa nisma mes tyre. Për shembull, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, kanë diskutuar kohët e fundit një projekt për një zonë ballkanike sipas modelit të Shengenit, që do të zhdukë pengesat në lëvizjen e mallrave dhe njerëzve midis tre vendeve, por edhe mes Shqipërisë dhe Kosovës. Edhe këto janë hapa në drejtim të krijimit të alternativave të tyre, përkundrejt rrugëtimit në BE.

Fuqia fransformuese

Pra vitet e fundit, një numër faktorësh politikë dhe ekonomikë, kanë përhapur pasiguri në

lidhje me anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE. Për pasojë, ka dalë në pah mungesa e fuqisë transformuese të BE-së në rajon. Faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, që ndikojnë në funksionimin e procesit të anëtarësimit në union, dhe ulje-ngritjet e tij gjatë viteve të fundit, kanë ndikuar në përparimin e tij në tërësi.

Megjithëse Brukseli po tenton ta mbajë të ?freskët? procesin e anëtarësimit, fakt është që ai ka mbetur në vend. Në këto kushte, presidencat e reja të BE-së, do të duhet të merren me çështje të vjetra. Ato kanë nevojë për një konsensus mbi procesin e zgjerimit. Nga ana tjetër, vendet e Ballkanit vazhdojnë të hedhin hapa të mëdhenj përpara./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga