Connect with Us

Revolucioni i Nolit dhe Triumfi i Legalitetit/ 95 vjetori, 24 dhjetor 1924-2019

Histori

Revolucioni i Nolit dhe Triumfi i Legalitetit/ 95 vjetori, 24 dhjetor 1924-2019

Publikuar

-

Nga Ekrem Spahiu

Legjitimiteti – e drejta për të qeverisur në emër të shumicës e cila njeh, pranon dhe mbështet autoritetin e qeverisësit, është guri i themelit për një shtet të qëndrueshëm. Vetëm mbi bazën e këtij legjitimiteti mund të ngrihen e të funksionojnë institucione efikase, të cilat, nga ana e tyre, krijojnë kushte për stabilitet, siguri e zhvillim. Vetëm mbi bazën e këtij legjitimiteti mund të sigurohet edhe njohja e gjerë ndërkombëtare.

Ky prizëm, tashmë i vërtetuar historikisht nga sistemi i të drejtës, përshkon gjithë procesin dhe produktin politik të nisur në vitin 1923. Pas zgjedhjeve të 27 dhjetorit 1923 për Kuvendin Kushtetues, Ahmet Zogu krijoi qeverinë e re. Me humbjen në zgjedhje, grupet opozitare e shihnin shumë të vështirë ardhjen në pushtet me rrugë legale, prandaj u bënë më agresive dhe intensifikuan veprimtarinë e tyre për të penguar ngritjen e institucioneve shtetërore dhe zhvillimin normal politik kushtetues të vendit.

Meqënëse opozita nuk arriti që, me anën e zgjedhjeve, ta mënjanojë Ahmet Zogun nga drejtimi i qeverisë, atëherë vendosi ta eliminojë atë fizikisht, me atentat. Më 23 shkurt 1924, i riu Beqir Bajram Valteri nga Mati (anëtar i organizatës “Bashkimi”), qëlloi me tri të shtëna në drejtim të kryeministrit tek shkallët e Asamblesë. Ahmet Zogu, edhe pse i plagosur rëndë, hyri në sallën ku do të zhvillohej mbledhja e Asamblesë pa dhënë asnjë shenjë alarmi. Një rrjedhë e ngjarjeve e pakontrolluar autoritarisht brënda sallës së mbushur me asamblistë që ishin të armatosur, rrezikonte ta kthente kuvendin shqiptar në një skenë gjakderdhjeje të pashembullt në historinë parlamentare. Prandaj Ahmet Zogu, për të qetësuar situatën dhe për të shmangur rrezikun e një përleshjeje me armë, me një gjakftohtësi dhe vetpërmbajtje të jashtëzakonshme, iu drejtua kryetarit të Seancës dhe deputetëve: “Zotërinj, nuk është hera e parë në botë që në një parlament ndodh një gjë si kjo që më ndodhi mua. Unë u lutem miqve të mi ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe ta harrojnë për një çast atë çka ndodhi”.

Gjithsesi, atentati në Parlament ndaj Kryeministrit Ahmet Zogu e ndërlikoi shumë situatën politike në Tiranë. Për t’i mos i dhënë shkak një ndërlikimi të mëtejshëm të situatës, e cila do ta destabilizonte ndoshta në mënyrë të pakthyeshme stabilitetin dhe sigurinë e vendit, më 25 shkurt 1924 Ahmet Zogu dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit. Zogu, qoftë me qetësinë që ruajti ndaj atentatit kundër tij, qoftë edhe me dorëheqjen, dha qartësisht dhe urtësisht mesazhin se më i rëndësishëm për të ishte stabiliteti politik dhe siguria e vendit.

Pas atentatit dhe dorëheqjes së Ahmet Zogut, vendin e mbuloi kriza e qeverisjes. Kur “Këshilli i Lartë” mendonte kandidaturën e Iliaz Vrionit për kryeministër, “Dora e Kuqe” e kërcënonte atë me vdekje në rast se merrte në kabinetin e tij Ahmet Zogun. “Oficerët e rinj janë betue për të shfarosur gjithë ahmedistët tradhtar” shkruhej në një letër kërcënuese. Pas afro 6 javësh, më 30 mars 1924 “Këshilli i Lartë” ngarkoi Shefqet Bej Vërlacin të formonte qeverinë e re. Mospjesmarrja e Zogut në qeveri ishte një lëshim që blloku qeveritar i bëri opozitës me kërkesën e “të pavarurve”.

Mirëpo opozitës nuk i pëlqeu edhe qeveria e re, sepse Vërlaci shihej si një përfaqësim i Ahmet Zogut, pasi lidhjet familjare mes tyre në atë periudhë ishin të mira. Për të qetësuar situatën, Vërlaci i bëri edhe një lëshim tjetër opozitës. Pas dy javësh, më 17 prill pranoi t’i jepte asaj disa vende në qeverinë e tij, duke e paraqitur atë si qeveri koalicioni. Luigj Garakuqit iu dha posti i Ministrit të Financave. Dr. Fahri Reshitit (Gjilani) nga Kosova iu dha posti i Ministrit të Arsimit. Ndërkohë, në parim u pranua që opozitës t’i jepej edhe posti i Ministrisë së Luftës. Opozita jo vetëm që i pranoi postet, por që në mbledhjen e parë të Asamblesë lavdëruan qeverinë dhe qëllimet e larta atdhetare të kryeministrit. Por e vërteta flet ndryshe: opozita besonte se duke pasur në dorë këto dikastere, sidomos atë të luftës, në një qeveri pa A. Zogun kurdo mund ta përmbyste situatën e pushtetit dhe ta kthente atë në favorin e saj.

Më 20 prill 1924, në një rrugë të Tiranës, Avni Rustemi – deputet i opozitës në Asamblenë Kushtetuese dhe kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” u plagos rëndë nga Isuf Reçi, një mullixhi dhe shërbëtor i vjetër i Esat Pashës dhe pas dy ditësh vdiq. Lajmi u përhap me shpejtësi dhe situata u rëndua. Në kushtet e mjegullës që shoqëroi krimin, opozita akuzoi qeverinë për këtë vrasje dhe nuk pranoi të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Kushtetuese.

Opozita vendosi që varrimi i Avni Rustemit të bëhej në Vlorë dhe ceremonia të zhvillohej më 1 maj, duke e shndërruar këtë ngjarje në një manifestim politik kryengritës. Mbi varrin e tij, Fan Noli shpalli përpara turmës se gjëndja ku kishte arritur Shqipëria nuk mund të zbërthehej veçse me revolucion. Politikanë dhe pasues të opozitës gjetën rast të ushtronin oratorinë për të nxitur në turmat histerinë e luftës revolucionare. Ali Këlcyra dhe Qazim Koculi tregoheshin më të “pikëlluar” se të tjerët nga kjo vrasje dhe kërkonin pa vonesë të rrëmbenin armët për kryengritje.

Varrimi, i cili u shndërrua në manifestim, u zhvillua me moton: “Ja ne në fuqi… ja Shqipëria gurë e hi” – një perifrazim me sens të mbrapshtë të vargjeve të një kënge kushtuar Luftës së Vlorës të 1920-ës: “Ja do bënet Vlora jonë (Shqipëri), / ja do bënet gur e hi”.

Asamblistët e opozitës, regjenti Sotir Peci dhe ministri Luigj Garakuqi, pas ceremonisë së varrimit të Avni Rustemit nuk u kthyen në Tiranë, por qëndruan në Vlorë që të merreshin me organizimin e kryengritjes së armatosur për të sulmuar qeverinë. Për drejtimin e kryengritjes në Vlorë u krijua edhe një Komision Administrativ i Përkohshëm, kryesinë e të cilit e mori Fan Noli. Komisioni i përbërë nga 4 veta mori edhe atributet e një qeverie provizore.

Noli do të drejtonte punët e jashtme, Sulejman Delvina punët e brendshme, Kosta Paftali ato botore dhe Mustafa Tragjasi çeshtjet financiare. Si drejtues i veprimeve ushtarake në prefekturën e Kosovës dhe zonat e tjera verilindore u caktua Bajram Curri, për zonën e Shkodrës Rexhep Shala dhe për Shqipërinë e Jugut Kasem Qafëzezi.

Më 24 maj 1924, Bajram Curri filloi sulmin mbi Krumë. Pasi e morën atë më 26 maj, kryengritësit vazhduan sulmin në Bytyç, Bicaj, në Kalanë e Dodës për të vazhduar në drejtim të Dibrës dhe Matit. Më 30 maj Rexhep Shala sulmoi godinën e prefekturës në Shkodër, e cila ra më 31 maj pas një qëndrese të forcave qeveritare ku u vra komandanti i xhandarmërisë kapiten Ferit Frashëri.

Anëtarë të organizatës “Bashkimi” organizuan në Vlorë një demonstratë për të shprehur gatishmërinë për kryengritje kundër qeverisë. Meqënëse populli nuk bashkohej me kryengritjen, u vendos që, për rrëzimin e qeverisë, të përdorej ushtria. Komandanti i garnizonit, nënkolonel Kasëm Qafëzezi më 26 maj u deklarua kundër qeverisë.

Grupi i asamblistëve të Korçës, të trembur nga ndonjë ndërhyrje e forcave greke që ishin grumbulluar në Follorinë e Janinë, kërkuan pajtimin e palëve. Kështu, duke mos dashur të derdhet gjak, Shefqet Verlaci dha dorëheqjen më 27 maj dhe më 31 maj Iliaz Vrioni formoi qeverinë e re.

Forcat e garnizonit të Përmetit, sëbashku me vullnetarët e Skraparit të udhëhequr nga kapiten Riza Cerova iu drejtuan Beratit, i cili ra në duart e kryengritësve më 3 qershor, pas dy ditë luftimesh. Ndërkohë, forcat e ardhura nga Vlora hynë në Fier dhe më pas në Lushnje ku u bashkuan me forcat e tjera që erdhën nga Berati. Më 5 qershor ra Peshkopia dhe më 9 qershor Kavaja. E kapur nga paniku, Qeveria e Iliaz Vrionit u shpërngul në Durrës. Më 10 qershor 1924, forcat të ardhura nga Shkodra nën komandën e Ndokë Gjeloshit, të prira nga deputeti Xhemal Bushati hynë në Tiranë.

LEXO EDHE:  Nga Ekrem Spahiu/ Pse Ahmet Zogu lartësohet gjithnjë e më shumë

Kështu, brenda pak ditëve, forcat kryengritëse nga të gjitha anët e vendit, hynë në Tiranë më 10 qershor. Po atë ditë Zogu me një pjesë të rrethit të tij u nisën për në Dibër dhe pastaj në Jugosllavi, ndërsa antarë të tjerë të qeverisë dhe asamblistët kishin ikur tri ditë më parë për në Itali dhe Greqi.

Mbështetur në garnizonet ushtarake, opozita e mori pushtetin nëpërmjet dhunës dhe në mënyrë antikushtetuese. Fan Noli u bë shtytësi dhe simboli i këtij “revolucioni”. Historiografia marksiste e ka cilësuar këtë si revolucion, gjë që le shumë hapësira për ta diskutuar e kundërshtuar. Përdorimi i institucioneve ushtarake nga anëtarë të parlamentit për përmbysjen e qeverisë nuk mund të emërtohet ndryshe përveçse një grusht shteti.

Në rrethana të tilla të marrjes së pushtetit, Asamblea Kushtetuese u shpërnda vetvetiu. Nga Regjenca (Këshilli i Lartë) kishte mbetur vetëm Sotir Peci, sepse Gjon Çoba kishte dhënë dorëheqjen qysh me 24 maj dhe dy të tjerët Xhafer Ypi dhe Refik Toptani ishin larguar nga Shqipëria.

Zgjedhja e kryeministrit, më 16 qershor 1924 u bë me short, ku mëtues për këtë post ishin Sulejman Delvina, Qazim Koculi dhe Fan Noli. Secili kishte miqtë dhe kundërshtarët e vet. Një votim i rregullt parlamentar nuk mund të bëhej, në radhë të parë sepse nuk kishte fare Parlament. Pastaj, e dyta, edhe sikur të kishte, deputetët e “revolucionit” nuk përbënin shumicën. Atëherë u përdor sistemi i shortit, si në lojëra fati! Fati zgjodhi Fan Nolin dhe ai u bë kryeministër.

Noli sapo erdhi në pushtet u mor me gjyqe ndaj kundërshtarëve politikë dhe kjo ishte e natyrshme për mënyrën se si erdhi në pushtet. Në Tiranë u ngrit gjyqi politik për afro 170 vetë. Gjyqi dënoi me vdekje në mungesë dhe me konfiskim të pasurisë Ahmet Zogun, Shefqet Vërlacin, Iliaz Vrionin, Koço Kotën, Myfit Libohovën, Abdurrahman Dibrën, etj.

Zotimet për reforma radikale që mori qeveria “revolucionare”, jo vetëm që nuk u realizuan, por u prishën edhe ato që ishin arritur, sepse Noli nuk kishte asnjë instrument me identitet kombëtar për realizimin e programit tij. Çarmatimi nuk u bë dhe nuk mund të bëhej, sepse qeveria nuk kishte as forca dhe as vullnet. Bajraktarët e Dukagjinit kërkonin të mos u merreshin armët. Malësorët i kërkonin Luigj Garakuqit dhe Rexhep Shalës që të mbanin premtimet që u kishin dhënë për të gëzuar autonominë e malësive. Lindi kështu rreziku i copëtimit politik të vëndit në kantone. Ishte premtuar gjithashtu se, pasi të vinin në pushtet da ta bënin Shkodrën kryeqytet. Në Jug, prefekti i Gjirokastrës Koço Tasi nxiste psikozën e luftës së shënjtë dhe të ringritjes së problemit “epiriot”.

Në këto kushte të një qeverie jo legjitime dhe të paaftë të garantonte sigurinë kombëtare, qeveria jugosllave organizoi në veri një provokacion të rëndë, duke sulmuar dhe pushtuar zonën e Kelmendit, duke përfshirë edhe Vermoshin. Anarkia mbuloi vendin dhe asgjë nuk kishte garanci. Njerzit vriteshin në të katër anët e vendit, komunikimet ndërkrahinore u ndërprenë dhe qeveria nuk mund të dërgonte as postën. Paralelisht, brënda ish-opozitës së vjetër filluan konflikte të mëdha brenda grupimeve e grupeve të saj. Oficerët e grupit të Përmetit vendosën të bënin një puç për zevendësimin e qeverisë së Nolit me një qeveri ushtarake por nuk mundën. Pasuesit e Zogut porositeshin të qëndronin jashtë këtij konflikti. Për këtë realitet, Sejfi Vllamasi shkruante, “Në këtë anarshi ku ishte zhytur vendi, një ditë vendosëm të shkojmë te Noli, në zyrën e tij, në kishën ortodokse, Bahri Omari, Rasim Babameto dhe unë (Sejfi Vllamasi), për të biseduar me të mbi situatën. Ora ka qënë 11. Nolin e gjetëm vetëm, porsa ishte ngritur nga gjumi dhe ishte duke i rënë fyellit. Folëm mbi situatën, shfaqëm sinqerisht mendimet tona vetëm e vetëm në interes të shtetit, pa prekur aspak çështje partije. Por Noli na priti keq dhe as nuk u vinte vesh fjalëve tona, që ishin për të mirën e vendit dhe për të mirën e tij”.

Qeveria e Nolit, që nuk kishte legjitimitetin e duhur nga pikëpamja e përfaqësimit, u njoh vetëm nga dy shtete, Greqia dhe Rusia. Ky fakt është shumë domethënës: Rusia bolshevike ndjehej se ishte e izoluar dhe kërkonte eksperimentim të bolshevizmit në Ballkan, ndërsa Greqia mendonte se mund ta kishte më të lehtë për të realizuar synimet e saj ekspansioniste.

Britania e Madhe dhe vendet e tjera të demokracive perëndimore nuk pranonin asnjë kontakt së paku derisa në Shqipëri të zhvilloheshin zgjedhje që legjitimonin qeverinë me vullnetin e popullit. Është krejt logjike të pohohet se ishte vetë Noli që po përgatiste rikthimin e Zogut në pushtet, pikërisht me mënyrën se si e mori pushtetin dhe se si po e “qeveriste” vendin. Me Nolin në krye të qeverisë, Shqipëria shihej nga Fuqitë evropiane si një vatër tensioni e bolshevizmit në Ballkan, prandaj u vunë në lëvizje për të përgatitur dhe mbështetur Ahmet Zogun të rikthehej në pushtet.

Më 13 dhjetor 1924, dy anëtar të Këshillit të Naltë që ishin jashtë vendit, Refik Toptani dhe Xhaferr Ypi, autorizuan Iljaz Vrionin, si Kryeministër legjitim, të organizonin operacionin e rikthimit të qeverisë legale në Tiranë. Ahmet Zogu u emërua komandant i përgjithshëm i operacionit. Vetë Zogu dhe personalitetet politike afër tij, u angazhuan për të ndërgjegjësuar të gjithë faktorët influentë diplomatikë për këto hapa legjitimë. Ishte pikërisht ky proces dhe ky produkt politik legjitim i triumfit të legalitetit që shtruan linjat e njohjes pothuaj të menjëhershme ndërkombëtare nga demokracitë evropiane.

Trupat e Ahmet Zogut, pas një përgatitje të kujdesshme dhe të organizuara mirë, hynë nga disa drejtime në Shqipëri. Ahmet Zogu nëpërmjet Dibrës, Ceno Beg Kryeziu nga prefektura e Kosovës, Koço Kota nga Kapshtica, Myfit Libohova nga Kakavija, ndërsa vetë Iljaz Vrioni hyri nga Italia. I paralajmëruar për lëvizjet, Noli me 18 dhjetor kërkoi nga qeveritë angleze, franceze, italiane dhe nga Lidhja e Kombeve që të ndërhynin, por ato nuk iu përgjigjën.

Ndërkohë që ministri i Mbrojtjes Kasem Qafëzezi, nuk gjendej në detyrë dhe trupat ushtarake qeveritare ishin të çorganizuara, forcave të Zogut iu dha mundësi të përparonin me shpejtësi. Në këto rrethana, ku Qeveria e Nolit nuk bëri ndonjë reagim, forcat e Zogut hynë në Tiranë më 24 dhjetor 1924 duke i rikthyer legjitimitetin qeverise së Iljaz Vrionit të dalë nga zgjedhjet e 27 dhjetorit të 1923-shit. Kjo datë ka hyrë në histori si “Triumfi i Legalitetit”.

Në vlerësim të kësaj date të rëndësishme historike, më 24 dhjetor 2012, në Bulevardin “Zog I” u vendos monumenti i Ahmet Zogut si protagonisti kryesor i “Triumfit të Legalitetit”. Në inagurimin e ketij monumenti, Kryeministri Berisha në vlerësim të Mbretit Zog, tha: “… Ne nderojmë sot njërin nga bijtë, njërin nga personalitetet më të rralla, më të shquara në të gjithë historisë tonë kombëtare të të gjithë kohërave. Me emrin e tij janë të lidhura në mënyrë të pandashme zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura përpjekjet titanike të shqiptarëve për shtet ligjor, rend dhe siguri.”/CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Foto lajm/ Dita e Çlirimit të Shqipërisë, dokumentuar në revistat e kohës ndër vite

Publikuar

-

Nga

29 nëntori, shënon ditën e çlirimit të vendit nga pushtimi fashist italo-gjerman.

Çlirimi i Shqipërisë shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit dhe deri më sot dokumentohet data 29 nëntor 1944.

76 vite pas në historinë e zhvillimeve, shumë ngjarje janë dokumentuar, mes të cilave dhe kremtimet.

Në revistat e shumë viteve më parë, kemi shkëputur disa foto të festimeve që tregojnë ngjarjet e muajit nëntor dhe çlirimin e Shqipërisë në këtë datë.

LEXO TE PLOTE

Histori

Dëshmia tronditëse për ngjarjen tragjike të 28 nëntorit ‘44/ Kur na e sollën trupin e pajetë të vëllait, një sy i varej mbi faqe nga goditjet

Publikuar

-

Nga

Dëshmia tronditëse për ngjarjen tragjike të 28 nëntorit ‘44/ Kur na e sollën trupin e pajetë të vëllait, një sy i varej mbi faqe nga goditjet

Memorie.al publikon historinë e panjohur të ndodhur më 28 nënor të vitit 1944 në fshatin Xhan të krahinës së thellë të Dukagjinit, ku një njësit partizan i Brigadës së VI-të Sulmuese që komandohej nga komandanti Jaho Gjoliku dhe komisari Haki Toska, ekzekutuan një grup malësorësh nga fshati Bruçaj, të cilët duke udhëtuar natën për në shtëpitë e tyre pasi kishin bërë pazar në qytetin e Shkodrës, ndeshën në një pritë partizane të asaj brigade që komandohej nga pioneri 15 vjeçar, Çelo Sinani, (“Hero i Popullit”) që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit mes tyre.

Dëshmia e rrallë e Prek Sokolit me origjinë nga Dukagjini dhe me banim në fshatin Rranxa të Bushatit, i cili tregon të gjithë historinë e asaj ngjarje të dhimbëshme, ku në shënjë hakmarrje ndaj pionerit partizan që u vra gabimisht prej atyre malësorëve shtegtarë në pritën që kishin ngritur njësiti i “Batalionit të Spastrimit’ me urdhër të komandës së asaj brigade, një partizane e re, ‘motra’ e Çelo Sinanit, ekzekutoi dhjetë malsorë të pafajshëm: Tom Martini, Pëllumb Sokoli, Kol Vata, Pal Pëllumbi, Nikoll Mirashi, Mëhill Vocrri, Pal Vata, Shytan Deda, Prenush Zefi dhe Lazër Vuksani.

Dëshmitë e rralla të disa prej familjeve të viktimave, lidhur me ngjarjen tragjike, ku pas ekzekutimit, njësiti partizan i Brigadës së VI-të Sulmuese, i zhveshën lakuriq dhjetë malsorët e vrarë, duke u’a marrë rrobat që u duheshin për shokët e tyre partizanë dhe i shpërfytyruan kufomat duke i goditur me bajonetat e pushkëve!

Dëshmia e nënkolonel Arif Bizhgës, ish-komisar kompanie në Brigadën e VI-të Sulmuese dhe pjesmarrës në atë ngjarje, (ish-ushtarak madhor me gradën e nënkolonelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendëshme) dhe e Reis Sinanit, (vëllait të Çelo Sinanit, që mban titullin e lartë “Hero i Popullit”), ish ushtarak, i diplomuar për Inxhinieri Elektronike në ish- Bashkimin Sovjetik.

“Sapo ata mbërritën diku në një përrua, ‘motra’ e Çelo Sinanit, nxorri revolverin dhe e qëlloi dy-tre herë në kokë Nikoll Mirashin, duke e lënë atë të vdekur në vënd. Ndërsa kur grupi i partizanëve të Batalionit të Spastrimit të Brigadës së VI-të, Sulmuese së bashku me tetë malësorët e lidhur mbërritën në Qafë-Thanë ku ndodhej shtabi i brigadës, sipas premtimit që i kishin dhënë ‘motrës’ së Çelo Sinanit, të tetë burrat i’a rreshtuan të lidhur përpara saj. Në atë moment, ajo nxorri pistoletën nga brezi dhe nisi t’i qëllonte malësorët e lidhur, duke i goditur të tetë me nga dy plumba në kokë. Kur po bëhej gati të qëllonte mbi të fundin, që ishte 17-vjeçari Mëhill Vocrri, disa partizanë i’u lutën që ta falte, por ajo vazhdoi të qëllonte edhe mbi të duke thënë: ‘Lëreni se qenka moshatar me Çelon tim’.

Pasi i la të vdekur në vënd të nëntë malësorët (së bashku me Nikoll Mirashin që e vrau gjatë rrugës), ‘motra’ e Çelo Sinanit u dha urdhër partizanëve të tjerë që t’i zhvishin shpejt e shpejt dhe t’ua merrnin rrobat e trupit të vrarëve, pasi ato u duheshin për partizanët e brigadës, që ishin duke marshuar për në drejtim të Malit të Zi”. Kështu e kujtonte Prek Sokoli, atë ngjarje të largët të ndodhur në 28 nëntorin e vitit 1944, ditën e fundit të Luftës për forcat partizane të Enver Hoxhës që ishin duke marshuar në krahinën e Dukagjinit, për në drejtim të Malit të Zi, ku një partizane e re, ekzekutoi shtatë burra të pafajshëm, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Çelo Sinanit, pionerit partizan, të cilin ajo e konsideronte si vëlla. Po si ndodhi ajo ngjarje, kush ishin dhjetë malësorët që u ekzekutuan nga dora e motrës së dëshmorit Çelo Sinani dhe përse e kreu ajo atë vrasje makabre që nuk është harruar ende në atë zonë të largët të Veriut të Shqipërisë?!

Lidhur me atë ngjarje, përveç dëshmisë së Prek Sokolit si dhe të tre familjeve të tjera ku pjestarët e tyre ishin në grupin e dhjetë të malësorëve të pushkatuar, në këtë shkrim po sjellim edhe dëshminë e Arif Bizhhës, ish-komisar kompanie në Brigadën e VI-të Sulmuese dhe pjesmarrës në atë ngjarje, i cili deri në vitin 1981, ka shërbyer si ushtark madhor me gradën e nënkolonelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendëshme, duke arritur deri në funksionin e zv/shefit të Kuadrit të asaj ministrie. Po kështu, krahas intervistës me z. Arif Bizhga, po japim edhe atë të Reis Sinanit, (vëllait të Çelo Sinanit, “Hero i Popullit”), ish ushtarak, i diplomuar për Inxhinieri Elektronike në ish-Bashkimin Sovjetik.

Dëshmia e tre prej familjeve të viktimave

Për atë ngjarje tragjike të ndodhur në 28 nëntorin e largët të vitit 1944, Prek Sokoli, nuk është i vetmi dëshmitar që hedh dritë mbi çka ndodhi aty. Ajo histori është ruajtur e freskët në kujtesën e shumë malësorëve të asaj ane dhe sidomos në familjet e viktimave, ku njeri prej tyre, Dedë Marashi tregonte: “Më kujtohet si tani kur në fshatin tonë erdhi haberi për vrasjen e kushëririt tim, Tom Martinit, të cilin e sollën mbi një vig. Sapo trupi i tij mbërriti para shtëpisë, sipas zakonit, i pari doli babai i Tomës, Martin Gjoni, i cili kur e pa syrin e të birit që varej poshtë fytyrës prej goditjeve të bajonetës, i’u drejtua atyre burrave që e prunë trupin e tij, duke u thënë: ‘Pse ma keni sjellë kështu’ dhe e shkuli syrin e të birit e e flaku tutje në përrua”, kujtonte Deda lidhur me atë histori rrënqethëse, kur trupat e pajetë të malësorëve të vrarë u përcollën nëpër shtëpitë e tyre.

Dëshmia e Drane Vatës, për vëllanë e pushkatuar

Një tjetër dëshmitare e asaj ngjarje, është dhe Drane Vata, e motra e Kol Vatës, që u pushkatua nga partizania e brigadës së gjashtë, në shenjë hakmarrje për vrasjen e pionerit partizan, Çelo Sinani, e cila dëshmonte: “Lajmi për vrasjen e dhjetë burrave, na erdhi në atë kohë që unë isha e martuar në fshatin Gjuraj. Nga aty për në fshatin Xhan, mban rreth dy orë dhe rrugës për aty unë po mundohesha që të nxirrja të vërtetën se kush ishte vra. Sepse për vëllanë tim Kolën, nuk më treguan që ishte vra, pasi e kisha vëlla të vetëm dhe mua më treguan vetëm për vrasjen e kushërinjëve tanë dhe të tjerëve. Por unë shumë shpejt e morra vesh për vrasjen e vëllait tim, Kol Vatës, nga një fshatar i cili thirri: ‘Kujdes mos i dëftoni asaj për atë njeriun që kan vra’. Nga ai e mora vesh se bëhej fjalë për mue dhe vëllanë tim Kolën, i cili kishte marrë dy plumba në vetull dhe dy në sy, të cilët i kishin dalë sipër kokës. Shtëpia jonë ku kisha lindur unë, kishte tre të vrarë dhe bashke me probatinin (vëlla gjaku prej gishti), bëheshin gjithsej katër që po qaheshin së bashku. Që nga ajo natë dhe për gjithë jetën e jetës, unë mbeta qyqe pa vëlla dhe po kështu prej asaj dite e deri sod që jam në këtë moshë të thyer, unë nuk kam vesh gja tjetër në trup, përveçse ngjyrës së zezë”, kujtonte Drane Vata lidhur me vrasjen e vëllait të saj.

Dëshmia e motrës së Mëhill Vocrrit

Po kështu, Lezja, motra e Mëhill Vocërrit, njërit prej dhjetë viktimave që u pushkatuan atje, lidhur me atë histori të dhimbëshme, dëshmonte: “Në atë kohë që ka ndodh ngjarja, unë isha e martueme në fshatin Pog të Komunës së Pultit. Natën e 28 nantorit, aty erdhën dy fshatarë tek kojshiu jonë dhe kërkun burrin tim, Kol Zefin. Meqënëse shtëpia e kojshisë sonë nuk ishte ma larg se 30 m. nga kurioziteti, unë u afrova fshehurazi dhe dëgjova të gjithë bisedën që bënë dy fshatarët me burrin tim, të cilit në mes të tjerash i thanë: ‘Kan plagosë partizanët në Xhan, vëllanë e Lezes dhe e kanë nisë për në Shosh’. Në ato momente kur dëgjova ato fjalë për vëllanë tim të vetëm, një tmerr i madh më pushtoi trupin. Burri im me dy fshatarët nuk më treguan të vërtetën dhe unë u nisa menjëherë për në Shosh, që mbante rreth katër orë larg ditën, e natën akoma më shumë.

LEXO EDHE:  Nga Ekrem Spahiu/ Pse Ahmet Zogu lartësohet gjithnjë e më shumë

LEXO EDHE:  Nga Ekrem Spahiu/ Pse Ahmet Zogu lartësohet gjithnjë e më shumë

Gjatë gjithë rrugës unë mendojsha se përse vallë vëllanë tim të plagosur e kishin sjellë në vëndlindjen e tij në Shosh, në një kohë që atë fare mirë atë mund ta dërgonin për në Shkodër, që ishte fare pak më larg nga Xhani dhe atje kishte spital?! Me këtë shpresë të pashpresë, unë arrita deri në Shosh, ku shumë shpejt mora vesh gjamën e zisë së përjetëshme që na pllakosi. Që nga ajo ditë, e 29 nantorit të vjetit 1944, e deri më sod, ne dy motrat e Mëhillit mbetëm me rroba të zeza dhe me dhëmbje në shpirt”, kujtonte Leze Vocrri, e motra e Mëhillit 17-vjeçar, të cilin para se ta pushkatonte, partizania e Brigadës së VI-të Sulmuese, i tha: “Lëreni këtë, se qenka moshatar me Çelon tim”.

Reagimi i fshatarëve ndaj partizanëve

Masakra e kryer nga forcat partizane të Brigadës së VI-të (që komandohej nga Jaho Gjoliku dhe komisari, Haki Toska), mbi ata dhjetë burra të pafajshëm, nuk kaloi lehtë nga malësorët e atyre anëve, të cilët reaguan menjëherë. Lidhur me këtë, 80-vjeçari nga Shkodra, Zef Zeka, i cili prej kohësh merret me hulumtime për terrorin dhe genocidin komunist të ushtruar mbi ato treva të veriut të vëndit, ndërmjet të tjerash dëshmon: “Vrasja e dhjetë burrave të pafajshëm, i indinjoi pa masë malësorët e atyre fshatrave, të cilët u ngritën menjëherë me armë në dorë dhe dhanë besën për hakmarrje. Kështu pas disa ditësh, më datën pesë dhjetor 1944, një grup i madh fshatarësh nga Xhani dhe Kiri, filluan pushkën kundër ‘forcave spastruese’ të Brigadës së VI-të partizane. Nga ajo përplasje me armë, mbeti i vrarë një partizan, ndërsa nga fshatarët u vranë katër vetë, tre nga shtëpia e Gjon Palit dhe një probatin i tyne. Pas kësaj në shenjë hakmarrje, ‘forcat spastruese’ partizane, dogjën shtatë shtëpi të atyre fshatrave dhe u larguan për në drejtim të Malit të Zi”, shprehet Zef Zeka, lidhur me vazhdimin e konfliktit në mes partizanëve të Brigadës së VI-të dhe fshatarëve dukagjinas, konflikt i cili në forma të tjera, ndoshta dhe më të egra, vazhdoi edhe për gati një gjysëm shekulli me rradhë nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Versioni zyrtar i vrasjes së “Heroit të Popullit”, Çelo Sinani!

Lidhur me vrasjen e pionerit partizan Çelo Sinani, historiografia zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës, do të shkruante duke dhënë një version tjetër lidhur me atë ngjarje, të cilën Memorie.al po e publikon të plotë:

“Nga ajo ditë pioneri Çelo Sinani u bë partizan. Në çetën e Kurveleshit e në batalionin “Asim Zeneli”, në grupin e parë të Kurveleshit e në Brigadën e 6 sulmuese, Çelua u dallua ndër shokët. Pushka e tij u rreshtua përkrah pushkëve të partizanëve të tjerë. Më vonë pushkën e zëvendësoi me automatik, me mitraloz. Me mitraloz në krah zbriti dhe ngjiti qafën e Dhëmbelit, kapërceu Vjosën, Osumin, Shkumbinin, Drinin. Me opinga të shqyera, me një mushama, që e përdorte herë-herë si batanie, me bukë e pa bukë, në shi, në breshër e në dëborë, luftonte dhe këndonte këngën aq të dashur:

“Mbi çdo vend të Shqipërisë /

Brigad’ e gjashtë kur kalon,/

Drithet fron’ i tiranisë /

Mali e fusha ushëton…”

Dy vjet luftë e kalitën Çelon. A u rrit nga shtati, mësoi shumë gjëra. Në një përpjekje që bëri me armikun grupi i parë i Kurveleshit, Çelua papritur mbeti i rrethuar.

-Të zura, more rjepacak, s’ke ku më shkon, – i tha një ballist dhe iu vu prapa Çelos.

Pioneri, sadoqë ndjeu frikë nuk e dha veten. E priti të afrohej dhe e qëlloi. Ballisti klithi dhe ra shul në tokë. Nuk e humbi besimin në vetvete dhe vendosi të çante rrethimin. U shtri barkas dhe rrëshqiti pa u vënë re nëpër gërxhe e shkrepa gjersa doli jashtë çdo rreziku e u bashkua përsëri me shokët.

… Nëntor 1944. Çelua, partizani i Brigadës së gjashtë, bashkë me një shokun e tij bënte roje në Theth, në fshatin piktoresk në zemër të Alpeve. Kur partizanët e tjerë bisedonin përzemërsisht me malsorët, dy rojet që nga bregorja vërenin me kujdes çdo lëvizje. Nga deriçka e kishës doli nëj “prift”, i cili, si hodhi sytë rreth e përqark, u largua me të shpejtë në drejtim të bregut të lumit. Çelua dyshoi: “Pse ecën i trembur”?! Zuri vend mbi rrugë dhe i thirri të ndalej. “Prifti” shtangu në vend. Nisi të bënte kryq dhe në çast nxori “Valterin” nga gjoksi dhe shtiu tri herë.

Ciflat e gurit mbi të cilin ranë plumbat e gjakosën në njërën dorë pionerin, por ai nuk u tërhoq. I’u kundërpërgjigj menjëherë me një breshëri automatiku. “Prifti” vrapoi duke shtënë në të rrallë, ndërsa pioneri i gjakosur, i’u qep pas duke shtënë. “Prifti” hyri në ujë për të dalë në bregun tjetër. Në përpjekje për t’u mbrojtur nga plumbat e Çelos, përdrodhi këmbën, ra në ujë, u ngrit, po revolveri i ra nga dora. Në ndihmë të Çelos shkoi Alemi, shokët e tjerë dhe “prifti” u kap. Gjatë kontrollit Alemi i tha Çelos:”

– Shih dreqi, na qenka toger gjerman!

Akte trimërie të vogëlushit i gjen të shkrira në gjurmët e brigadës së tij. Kudo Çelua i vogël luftoi si trim. Episode nga më të ndryshme tregojnë shokët e tij për Çelon. Ai në kujtesën e tyre mbeti fëmijë i gëzueshëm, luftëtar trim që, si thotë populli, të merrte “gjak në vetull”.

Po afronte dita e çlirimit të plotë të Atdheut. Brigada e gjashtë ndodhej në afërsi të Qafë Thanës, në malësinë e Dukagjinit. Natën, duke u gdhrë 26 nëndor 1944, partizanët të lodhur e të pangrënë ishin grumbulluar në një vend, ku mund të mbroheshin sadopak nga shiu e furtuna. Papritmas hidhen dy bomba nga mercenarët.

Çelua i ndezur nga urrjetja për armiqtë vrapon bashkë me partizanët e tjerë për t’u hakmarrë. Ndodhet përballë me tre mercenarë. Qëllon me automatik, vret një mercenar dhe plagos nji tjetër. Mercenari i tretë qëllon nga dukej flaka e automatikut dhe plumbi armik godet trimin pioner, që puthi për herë të fundit tokën e shtrenjtë të Atdheut. Nga fytyra i rrodhën currila gjaku. Malësorët i kënduan trimërisë së heroit të vogël:

“Kush lufton në atë breg /

Çelo Sinani vetë i tret, /

Çelo Sinani kuq si molla /

Qit dhe njëherë, të lumtë dora /

Jo me një po qit me dy,/

T’lumshin krahët e ay sy”.

Ndërsa në gazetën lokale të vendlindjes së Çelos, për të u shkruan këto vargje:

”… Kush tha se s’di Çelua /

Në male të luftojë?!/

Kush tha se s’di Çelua /

Me pushkë të qëllojë?!/

Përballë me armikun, /

Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

TRE SKICA PËR KOÇO DEVOLEN/ Nga Mitro Çela

Publikuar

-

Nga

Mitro Çela, Koço Devole
1.
Luçemia
Kohë më parë Koçoja u shtrua në spital. Nga spitali – drekë tek “Tajvani”.
-Filip! Doktorët më fjalë zëmre më thanë: ke luçemi. Të kanë mbetur tre ose katër vite jetë!
-Koço! Mjekë janë këta?! Nuk e ndajnë dot? Fikse si ta bëjë planin e shpenzimeve?!
-Do ta rregullojmë. Do shkoj në Amerikë…
Iku. Erdhi. Buzëgaz na tha:
-Mjekët amerikanë më dhanë ymër: tre vjet!
-Kjo po! Tani dëgjo Koço,-tha Filipi.- Shpenzimet e varrimit. Drekën. Transportin. Më the të thashë :-i ka Fiksi!
-Po të 40-tat?! Mua mi latë?!
2.
Keshilla nga Devole
Mars 2020. Filipi, mua dhe Koço Devolen,-na futi në karantinë.
Pse?
Sipas Filipit: virusi bie në sevda me pensionistët.
Sipas – Koços? Ruan veten.
E zëmë se na mbërthen virusi. Nuk e dimë. Serbes shkojmë në punë. Pimë kafe me Filipi…
Viruse është ngjitës! E ha Filipi.
Në orën 10 ra telefoni. …
Ishte Koçoja.
-Si po kalon, mo bir? -Pyeta unë.-
-Brënda në shtëpi. Shkruaj dhe kam nisur të bëj karikatura.
-Laj rrobat dhe i nder me nge në ballkon, pasi të njejtën gjë bëjnë dhe nja dy zonja që tani po i njoh.
-Dal unë, dalin dhe ato. Bëjmë muhabet duke pirë kafe secili në ballkonin e vet. Fërkohemi nga larg.
-Dashuri në kohën e koronës…
-Koço! Dua të qaj një hall me ty. Dje qërova një vezë. Në pjatë kisha mbajtur lëvozhgat. Koqe venë e kisha hedhur në koshin e plehrave.
-Mund të quhet hutim?!…Por e përsërita me bananen. E zhvesha dhe e hodha tek plehrat. Në dorë mbaja lëkurën.
-Ta kem të keqen nga karantina apo nga pleqëria?!
-Pleqëria, mo?! -Tha Koçoja,-Ç’ne! Ti për punë seksi je adoleshent!
-Më lehtësove Koço?!…
3.
Mjeshtëri i Madh”
Pallati i Brigadave. Presidenti Bujar Nishani shpërndau një “tufë” me dekorata. Koçoja në një dorë mori dekoratën. Në tjetrën mikrofononin:
-Zoti President! Do vijë një ditë, që do ketë kaqë shumë “Mjeshtra të Mëdhej”, sa nuk do gjejmë “Mjeshtra të vegjël”?/CNA.al
LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: