LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Macron sfidon presionin e BE ndaj Francës për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

6 Dhjetor 2019, 18:13, Kosova & Bota CNA
Macron sfidon presionin e BE ndaj Francës për negociatat me

Presidenti francez, Emannuel Macron, përsëriti në Londër qëndrimin se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë gati për nisjen e negociatave me BE, duke e sfiduar strategjinë e presionit publik evropian ndaj tij.

Sikurse raporton media gjermane DW presidenti Macron dërgoi javën që po përfundon disa mesazhe në drejtim të Shqipërisë. Fillimisht, me një mesazh në shqip në rrjetin e twitterit ai njoftoi dërgimin e ekipit francez për rastet e katastrofave natyrore në Shqipëri. Pas kësaj, ai ofroi në një konferencë shtypi edhe që të organizojë një konferencë donatorësh për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit.

Në Watford pranë Londrës, Macroni përsëriti njëkohësisht se nuk pranon që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut për nisjen e negociatave. Kjo në thelb është në favor të Shqipërisë, pasi dihet që Shqipëria ka më shumë kritikë në BE se Maqedonia e Veriut. Mosndarja e dy shteteve për nisjen e negociatave me BE është edhe qëndrimi i Gjermanisë. Me këto qëndrime Macroni sinjalizoi se nuk ka ndonjë antipati personale ndaj Shqipërisë.

Por të tërheq vëmendjen rrethana se në Londër ai e përsëriti jo-në e tij për hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas burimeve të DW në Londër, Macroni tha fjalë për fjalë: “Unë e them shprehimisht se procedurat e anëtarësimit dua t’i reformoj përpara çdo negociate të ardhshme.”

Po në Londër Macroni tha se do të jetë edhe kundër çdo zgjerimi: “Që nuk shoqërohet me një reformë të thellë të mënyrës si funksionon BE”.

Pra, të paktën për momentin, po të nisemi nga fjalët e tij, Macroni jo vetëm nuk është larguar nga bllokimi i nisjes së negociatave. Por shkon edhe më tej, paralajmëron se nuk do të pranojë as zgjerim pa reformim më parë të BE. Nga kjo do të prekeshin aktualisht shtete kandidate që kanë avancuar më shumë në negociatat me BE: Serbia dhe Mali i Zi. Një sinjal i Macronit se për të reforma e BE ka vërtet rëndësi dhe se këtu ai nuk bën dallim midis shteteve?

Njëkohësisht, Macroni nuk lë dyshim se i dëshiron shtetet e Ballkanit të lidhura ngushtë me BE. Por siç tha në Londër me këtë ai kupton “edhe një fazë partneriteti strategjik dhe investimesh më të mëdha.”  Pra Presidenti francez përsëriti atë që thotë dokumenti i punës i shpërndarë nga francezët në BE: ai kërkon një fazë më të ngadaltë afrimi të shteteve kandidate me BE, para anëtarësimit.

Në thelb do t’i ngjante një mrekullie që Macroni ta tërhiqte kaq shpejt bllokimin për nisjen e negociatave me shtetet ballkanike.  Ai nuk është tërhequr as nga deklarata se NATO-ja është në gjendje vdekjeje klinike. Përkundrazi, në Londër Presidenti francez tha se është i kënaqur që fjalët e tij kanë nxitur një debat.

Nevoja e Macronit për ta përsëritur publikisht bllokadën franceze për nisjen e negociatave me dy shtete të vogla ballkanike është një sfidim i ri i vullnetit mbizotërues në BE, pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo megjithëse shtetet që duan nisjen e negociatave të BE me Shqipërinë duket se po ndjekin një strategji të presionit publik mbi Francën. Franca përmendet vazhdimisht si bllokuese…

Lajmet e fundit nga