Connect with Us

Nga Ilia BALLAURI/MBI OBORRET E KORÇËS

Blog

Nga Ilia BALLAURI/MBI OBORRET E KORÇËS

Publikuar

-

Në Korçë duke përjashtuar apartamentet, nuk ka shtëpi, ose për të qënë më të saktë, numërohen me gishtat e dorës ato shtëpi, që nuk kanë oborr dhe që dalin drejt e në rrugë. Shtëpitë e qytetit tonë, shumë a pak që të gjitha kanë oborr, kush në një sipërfaqe më madhe dhe kush, në një sipërfaqe më të vogël. Oborret e shtëpive të Korçës janë të thjeshta, kryesisht kanë trajtë katërkëndëshi, pra nuk kanë konfiguracione të komplikuara. Ekspozimi i tyre ndaj pikave të horizontit është i lidhur me ekspozimin e shtëpisë apo të kartierit, ku ato ndodhen. Sipërfaqja e tyre, në një mesatare hamëndësonjëse(!), mund të jetë rreth 50 m2. Një pjesë e oborrit të shëpive tona është e mbuluar me plloça shtufi ose plloça të gdhëndura graniti (shtëpitë e vjetra, të familjeve që dikur ishin në gjëndje të mirë ekonomike), të vendosura këto shpesh edhe në formë dekori, shumë bukur, ndërsa në dhjetvjeçarët e fundit për mbulimin e oborreve është përdorur edhe çimentoja edhe kjo, shpesh e zbukuruar me dekor të shënuar por që, jo gjithmonë ky i fundit (pra dekori), është i arritur dhe me një gusto të hollë.

Pavarësisht, një pjesë e oborrit ka shërbyer gjithmonë si kopsht ose siç i themi ne, si bashtë, që në fakt në gjuhën shkencore, këto copa bashte në shumicën dërmuese, do të mund të konsideroheshin shumë mirë si parterre. Në Korçë nuk ka qënë zakon që bashta prej oborrit të ndahej me gardhe të larta. Gjithmonë parterret tona ndahen prej pjesës së mbuluar, me anën e një pragu të ulët, i cili mund të jetë prej gurësh të rregullt të gdhëndur, prej betoni, prej tullash të vendosura më këmbë dhe pjertas në rradhë ose, edhe prej shishesh qelqi të të njëjtit stil, po ashtu të vendosura në rradhë, të ngulura me grykë në bordurë përmbys dhe me fundin përpjetë, një lloj dekoracioni ky, shumë i vjetër dhe karakteristik i bashtave tona, që sot gjendet shumë rrallë por, që dikur, ishte shumë i shpeshtë. Në oborr thuajse në të gjitha shtëpitë, ka një çezmë, ose dikur kish një tullumb, dhe më rrallë pus.

Tani, për hir të së vërtetës duhet thënë se në Korçë, kopshtet e shtëpive, deri aty nga vitet ’60, thuajse krejtësisht, ishin të mbjella me lule dhe pemë. Nuk kish në qytet bashta me perime. Bashtat e tilla, brenda në qytet filluan të çfaqen, me çfaqjen e problemeve ekonomike dhe të varfërisë edhe për një kokër domate. Në Korçë perimet i prodhonin bostanxhinjtë në bostanet e tyre, aty ku mbaronte qyteti, në perëndim ose jugë – perëndim. Bostanxhinjtë tanë ishin mjeshtra të mbaruar në artin e tyre, ishin të njohur dhe me nam në gjithë vëndin dhe më gjërë. Një pjesë e tyre kishin punuar si bostanxhinj deri në Stamboll, në Izmir, në Aleksandri të Egjiptit dhe gjetkë. E pra në ato kohë, nuk kish kuptim që tu dilje përpara atyre, ata ishin mjeshtra të nderuar. Prej tyre, aq sa i arrita, unë kam mësuar shumë dhe për ta kam një respekt të thellë, veçanërisht për dijet e tyre praktike aq të përkryera, për mënyrën e thjeshtë dhe sigurinë e patundur me të cilën ata i shpjegonin fenomenet e bimëve, fenomenet e tokës, të farës, të motit, etj, gjëra këto të përvojës, që tashmë humbën dhe që brezat që vijnë, nuk do të kenë mundësi t’i dëgjojnë më. “Toka duhet punuar kur mbi të lëviz merimaga”, theshin ata, “Maruleja e mirë duhet të ngjasë me fustanin e balerinës”, “Gishti e mbjell farën”, “Toka është nënë që gjithmonë mbetet me barrë, por duhet ta dish si ta lesh me barrë”, etj, etj, janë disa prej aksiomave të tyre.

LEXO EDHE:  Video Ekskluzive- Mot i pazakontë/Përmbytet Korça në mes të verës

Duke u kthyer përsëri tek bashtat e oborreve të shtëpive tona, theksojmë se jashtë grupit të luleve, në to mund të gjesh ndonjë copë të mbjellë me lëpjeta, aty këtu ndonjë tufë me merudhi (majdanoz), ose najazmë dhe gjatë dimrit ndonjë transhe me presh në ruajtje, të ngulur në dhè, të mbuluar dhe me fletët jashtë.
Ndër lulet që mbilleshin dhe që ndofta mbillen akoma pjesërisht në oborret e Korçës kanë qënë: nga bulboret, shpatoret, zambakët, tulipanët dhe më pak zymbylat, etj, nga grupi i shkurreve, trëndafilat, landrot, protomajaja, shekaikët, etj, nga shtat-ultat, mëllagat, karafilat, borziloku, lule Shën- Mitri, më pak margaritat, të quajturat “lule patate”, etj, nga tuloret, gjëmbat aloe, atlasitë, të quajturat “vesh-gomari”, si dhe kohët e fundit edhe kaktuse të ndryshme. Një pjesë e grupit të fundit mbilleshin dhe mbillen akoma edhe sot në saksi, të cilat shpesh i gjejmë edhe këto nëpër oborre, rreth parterreve.

Në Korçë në mëhallën tonë, ne kishim komshi Irakliun i cili, kish lule të rralla ekzotike, që theshin se i kish sjellë prej Egjiptit. Unë e mbaj mënd oborrin e tij, që ish një kopsht botanik i vërtetë, një oborr gjithë lule që deri tani nuk kam parë akoma një të dytë, gjithë jetën time, kudo që kam shkuar e udhëtuar. Gjithashtu duhet thënë se edhe doktor Polena, kish dikur një serë lulesh.

Ndër pemët, më të përhapura, të mbjella në oborret e Korçës kanë qënë: dardhat, kumbullat, qershitë, ftonjtë, kajsitë dhe më pak mollët e pjeshkat. Ndërkaq historikisht, kohët e fundit dhe jo para pesëdhjet vjetësh, pjergullat u bënë dominuese, në oborret tona. Vërtet që kish pjergulla edhe më parë por ato, u përhapën me shumicë dhe thuajse derë e portë, në kohën e vështirësive ekonomike kur, rakija shitej më rrallë dhe më shtrenjtë në treg, në atë kohë pra, kur në oborret e qytetit hynë pjesërisht edhe perimet.

Oborret e qytetit të Korçës, janë oborre karakteristike qytetare, nuk ngjasin me kopshtet e fshatit, kanë lidhje me serenatat e qytetit tonë, kanë lidhje me të dalat e vajzës herë pas here në dritare, tek porta, me tingujt e kitarës, lidhen me brengat e ëmbla të qëndisjes sy ulur dhe me zemrën që troket, me të thirrurat e gjyshes “Mbylle portën!”, kanë lidhje me vështrimin vjedhës të djemve të hedhur prej rrugës brënda, kanë lidhje me britmat e gëzuara të fëmijëve, me të shtënat e tyre me gurë për të rrëzuar kumbulla aguridhe, kanë lidhje me të ulurat tek sofati, me thashethemet, me të mbajturat nëpër gojë, etj, janë pra pjesa e jetës sonë, janë shpirti tonë, janë indentiteti i qytetit tonë. Mos i harroni ato duke imituar oborret e të tjerëve, oborret tona ishin oborret më të bukura në botë…… mendoj unë!!!

Dr. Ilia V. Ballauri ©

Ilustrimi: Vangjush Mio, “Rrugë në Korçë”

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Cili është plani i Boris Xhonsonit për Ballkanin Perëndimor?

Publikuar

-

Nga

Nga Dilek Kutuk “Daily Sabah”

Boris Xhonson u bë udhëheqësi i ri i Britanisë së Madhe, në një mandat për të “kryer Brexit-in”, një slogan që shërbeu si ‘mantra’ e tij gjatë fushatës elektorale. Xhonson thirri zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pasi parlamenti britanik ishte i paaftë të marrte një vendim përfundimar mbi Brexit.
Partia e tij Konservatore, korri një fitore të madhe në Dhomën e Komunëve, 364 nga 650 vende në total, triumfi më i madh që nga koha e Margaret Theçërit. Ky rezultat, do ta nxjerrë përfundimisht Mbretërinë e Bashkuar nga BE, dhe kjo gjë do të sjellë ndryshime të mëdha, si në Britani ashte dhe Evropën kontinentale.

Viti 2020, që sapo ka hyrë, ka potencialin të sjellë shumë sfida në politikën evropiane. Dhe ku gjendet Ballkani Perëndimor në mesin e këtyre sfidave? Shumë analistë, kanë vënë re ndikimet e mundshme të Brexit-it në Ballkanin Perëndimor, por vetëm disa kanë folur mbi strategjinë e Xhonsonit përkundrejt rajonit.

Brexit nënkupton që strategjitë më të rëndësishme të politikës së jashtme të Xhonsonit, do të lidhen ngushtësisht me çështjet e brendshme të Mbretërisë së Bashkuar. Dhe deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ai do të jetë figura më e rëndësishme në politikën e jashtme në raport me Ballkanin Perëndimor.

Pas luftërave në ish-Jugosllavi, Britania e Madhe luajti një rol vendimtar në sigurinë dhe stabilizimin e rajonit. Sidomos në Bosnje, Londra bëri shumë përpjekje për të inkurajuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Dejtonit midis palëve ndërluftuese. Po ashtu, ajo dërgoi trupat e saj në misionet paqeruajtëse të drejtuara nga NATO dhe BE në Bosnjë.

Për më tepër, Britania udhëhoqi edhe përpjekjet për ndërtimin e mbështetjes ndërkombëtare
për pavarësinë e Kosovës. Londra luajti gjithashtu një rol të madh në bisedimet për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, me shpresën e vendosjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit midis dy vendeve fqinje.

Kohët e fundit, kur diskutohej mbi çështjen e emigrimit masiv të refugjatët sirianë, Britania ishte një nga vendet që mblodhi disa herë e liderët e Ballkanin Perëndimor, pikërisht aty ku vala e refugjatëve nisi të shkaktojë një valë intolerance. Ish-kryeministrja Tereza Mej, priti samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër më 10 korrik 2018.

Ishte samiti i pestë në kuadër të “Procesit të Berlinit”, duke dhënë shpresë për forcim të marrëdhënieve midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Përmes këtij samiti, Londra dëshmoi mbështetjen dhe përfshirjen e saj të vazhdueshme në stabilitetin e rajonit, përtej daljes së saj nga BE.
Pra siç shihet, politika e jashtme e Britanisë së Madhe ka një prirje të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Por ndikimi negativ i Brexit është i pashmangshëm. Atëherë çfarë do të ndryshojë për Ballkanin Perëndimor me Boris Xhonsonin në pushtet? A do interesohet ai vërtet për rajonin?
Sipas shumë ekspertëve, ai nuk ka plane në lidhje me rajonin. Në manifestin e tij elektoral, nuk kishte as dhe një paragraf mbi Ballkanin, dhe ai përqendrohej kryesisht tek Brexit. Në rrafshin ekonomik dhe strategjik, kontributi i Mbretërisë së Bashkuar në rajon ka të ngjarë të bjerë ndjeshëm.
Sipas Boris Xhonson, një Britani më e pavarur do të jetë më e fortë. Pikëpamja e tij e përgjithshme për BE-në dhe zgjerimin e saj, është se ajo po e humbet sharmin e vet. Për shembull, sipas një sondazhi të fundit të pranverës së vitit 2019 të Eurobarometrit, optimizmi ndaj zgjerimit të BE ishte më i vogël në Mbretërinë e Bashkuar (46 për qind), krahasuar me vendet e tjera anëtare të BE-së.

LEXO EDHE:  Netë të zjarrta dhe plot surpriza/ Korça iu mirëpret për “Festën e Birrës”  

LEXO EDHE:  Korça nën valën e lëkundjeve/ 20 tërmete në 24 orët e fundit

Në mendjen e Boris Johnson, integrimi në BE nuk promovon as mirëkuptimin e ndërsjellë, dhe as moderimin, për shkak të faktit se Brukseli akomodon shumë dallime nën një ombrellë të vetme. Sipas tij, sot nuk ka “më shumë Evropë”, por një integrim ekonomik dhe politik më të detyrueshëm, që aktualisht nuk po funksionon.
Në thelb, kryeministri i ri e sheh BE-në si një projekt politik që tani po del jashtë kontrollit. Për më tepër, për sa i përket rritjes ekonomike, vendet e pavarura kanë ecur sipas Xhonsonit shumë më mirë gjatë 20 viteve të fundit. Dhe ai shpreson që Mbretëria e Bashkuar, të rritet shumë më tepër ekonomikisht, sesa mund të ishte brenda BE-së.

Dhe në këtë rast, duhet të kihet parasysh fakti që marrëdhëniet e drejtpërdrejta dhe lidhjet financiare të Ballkanit Perëndimor me Britaninë, janë shumë të zbehta. Në fakt, tregjet kryesore të eksportit dhe importit për Mbretërinë e Bashkuar përfshijnë Gjermaninë, Kinën, SHBA-në, Irlandën, Hollandën dhe Francën.
Ballkani nuk përfshihet në këtë kategori. Mbretëria e Bashkuar nuk ka një kërcënim indirekt nga Ballkani Perëndimor, për shkak se ajo nuk është destinacioni kryesor i valës së fundit të refugjatëve. Diaspora e Ballkanit në Mbretërinë e Bashkuar nuk është shumë e madhe, dhe kombi britanik nuk ka lidhje të forta kulturore me rajonin.

Ndaj, duke pasur parasysh rëndësinë e tij të kufizuar, strategjia e Xhonsonit ka të ngjarë të shohë përtej Ballkanit. Sigurisht, Ballkani mbetet një rajon qendror për sigurinë dhe stabilitetin evropian, dhe indirekt edhe për Mbretërinë e Bashkuar. BE-ja është goditur deri më tani nga një seri krizash, nga borxhi i eurozonës deri tek fluksi i refugjatëve.

Për këtë arsye, Britania duket se do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në fusha të ndryshme si siguria, lufta kundër terrorizmit, politika e jashtme dhe ajo mbrojtjes, fusha që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, do të vazhdojë të bashkëpunojë në shkencë, teknologji dhe mjedis. Por në total, ndikimi i Mbretërisë së Bashkuar në rajon do të venitet./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Kërkime dhe zbulime: Çfarë pritet nga shkenca në vitin 2020

Publikuar

-

Nga

Nga fushën e shkencës, 2020-ta premton të jetë një vit i rëndësishëm në shumë fronte. Ja cilat janë në mënyrë të përmbledhur disa prej tyre:

Shihemi në planetin Mars!

Në vitin 2020, në planetin e kuq do të zbarkojnë disa sonda hapësinore. Kështu në korrik NASA do të nisë misionin “Mars 2020”, që do të kërkojë gjurmët e jetës mikrobike dhe kushtet e dikurshme të jetës në këtë planet, si dhe testimin e disa teknologjive për të ardhmen e misioneve njerëzore.
Në këtë planet, pritet të zbarkojë vitin e ri edhe sonda “Rozalind Frenklin” e misionit ExoMars 2020 të Agjensisë Evropiane të Hapësirës. Ndërkohë në muajin korrik ose gusht, do të niset drejt Marsit sonda e parë kineze “Huoxing-1”. Dhe në fund, anija “Hope” e Emirateve të Bashkuara Arabe, do të niset nga Japonia në verën e vitit 2020. Ajo parshikohet të mbërrijë në Mars 9 muaj më vonë.

Gurët jashtëtokësorë

Në vitin 2020, njerëzimi do të grumbullojë mostra të tjerë shkëmborë nga trupa të ndryshëm qiellorë. Kina do të dërgojë misionin “Change-5” në Hënë, që do të kthehet me mostrat nga sateliti i Tokës pas më shumë se 4 dekadash. Ndërkohë anija hapësinore japoneze “Hayabusa 2”, është duke u rrikthyer në Tokë me mostrat e asteroidit “Ryugu”. Ndërsa sonda e NASA “OSIRIS-Rex”, duhet që në gjysmën e dytë të vitit 2020 të marrë mostra shkëmbore nga asteroidi “Bennu”.

Klima dhe biodiversiteti

2020-ta do të jetë një vit vendimtar për të ardhmen e planetit. COP26, samiti i ardhshëm mbi klimën i Kombeve të Bashkuara, do të zhvillohet në 9 nëntor 2020 në qytetin e Glasgout në Skoci. Para tij, vendet nënshkruese të Marrëveshjes së Parisit, të duhet të rishikojnë premtimet e tyre për një ulje të emetimeve të CO2, duke qëndruar brenda rritjes prej 2 gradë Celsius të ngrohjes globale në krahasim me epokën para-industriale.
Çështja e klimës, do të jetë një pjesë thelbësore e fushatës zgjedhore në SHBA, teksa zgjedhjet mbahen më 3 nëntor 2020. Pikërisht në të njëjtën ditë, SHBA mund të dalë përfundimisht
nga Marrëveshja e Parisit. Në tetor të vitit 2020, Kina do të organizojë samitin e OKB-së për biodiversitetin, me synim ngadalësimin e masakrës ndaj specieve të ndryshme. Në mesin e masave që do diskutohen, do të jetë zgjerimi i sipërfaqes së Tokës që konsiderohet zonë e mbrojtur, nga 15 për qind aktualisht në 30 për qind.

LEXO EDHE:  Analiza, faktet dhe provat e zgjedhjeve në PD/Në kutinë e Korçës u hodhën 600 vota

LEXO EDHE:  Korçë/ Kapen me tritol, drogë e armë, arrestohen dy persona

Lufta kundër epidemive

Viti 2020 mund të sjellë një progres të madh në luftën kundër infeksioneve të shkaktuara nga mushkonjat. Në Indonezi, një test i rëndësishëm kundër përhapjes së sëmundjeve vektoriale, do të zhvillojë fazën e tij përfundimtare. Një vaksinë që mund të sigurojë mbrojtje të plotë kundër malaries, do të testohet për herë të parë në kushte reale në vitin 2020, mbi 2.100 banorë të ishullit afrikan të Biokos, pranë bregut të Guinesë Ekuatoriale. Ndërkohë më 2020-ën, mund të rivihet nën kontroll epidemia e Ebolës në Afrikën Qendrore, ndërsa një vaksinë e re kundër tuberkulozit do të testohet në shkallë të gjerë.

Më shumë organe për transplant, do shpiket ilaçi kundër plakjes

Në frontin më eksperimental dhe më të diskutueshëm të mjekësisë, do të vihet re një përparim i madh në kërkimet, se si të “kultivohen” në trupat e kafshëve të tjera, organet e transplantimit për njerëzit. Në vitin 2020 shkencëtarët nga Universiteti i Tokios në Japoni, do të rrisin inde të marra nga qelizat burimore të njeriut në embrione miu, dhe më pas do t’i transplantojnë ato embrione hibride në kafshë surrogate.
Synimi i hulumtimit mbi këto hibridë njerëz-kafshë, që po shkaktojnë debate të mëdha etike, është rritja e disponueshmërisë së organeve që përdoren për transplant. Vitin që vjen do të dëgjojmë me siguri edhe për 2 ilaçe që ngadalësojnë plakjen, dhe që së shpejti do të jenë në fazën e fundit të testeve klinike.

Makinat e para elektrike me bateri litiumi

Sektori energjitik, do të bëjë një hap para në Lojërat Olimpike Tokio 2020, kur kompania “Toyota”, të prezantojë prototipin e parë të një makine me bateri, të përbërë nga jonet e litiumit në gjendje të ngurtë. Në këto bateri, elektroliti i lëngshëm zëvendësohet nga një material i ngurtë, që rrit sasinë e energjisë që mund të ruhet, autonominë e automjetit, dhe diapazonin e funksionimit të tij termik./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Qytetarët në Perëndim, kundër përdorimit në masë të kamerave të njohjes së fytyrës

Publikuar

-

Nga

Nga Janosch Delcker & Cristiano Lima “Politico.eu”

Teknologjia e skanimit dhe njohjes së fytyrës, po frymëzon një valë të madhe frike për shkeljen e privatësisë, teksa ky program ka nisur të përdoren gjerësisht në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Kështu ajo përdoret sot në vendkalimet kufitare, në automjetet e policisë, në stadiume, aeroporte dhe shkolla.

Por përpjekjet për të kontrolluar përhapjen e kësaj teknologjie, po hasin në rezistencën e qeverive në të dyja brigjet e Atlantikut. Arsyeja kryesore:qeveritë perëndimore po e përdorin këtë teknologji për të garantuar sigurinë publike, edhe pse e bëjnë këtë duke mbledhur të dhëna mbi jetën private të qytetarëve.

Në Uashington, impeachmenti ndaj presidentit amerikan Donald Trump, ka zbehur pritshmëritë për një nismë të Kongresit për të miratuar disa kufizime në përdorimin e kësaj teknologjie. Një qasje e njëjtë vërehet edhe në vendet evrpiane, që e kanë zakonisht shumë merak çështjen e privatësisë, siç është Gjermania.

Ata që mbrojnë rregullore më të rrepta mbi përdorimin e kësaj teknologjie, e tregojnë Kinën
si një shembull negativ të potencialit që ka kjo teknologji për t’u shndërruar në një makth për qytetarët. Dhe kjo pas raporteve mediatike, se autoritetet po e përdorin këtë teknologji për të gjurmuar pa dallim qytetarët në ambjente publike, për të identifikuar protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong, dhe për të shtypur miliona ujgurë myslimane në provincën e Xinjiangut.

Sipas një studimi të vetë qeverisë amerikane, softueri aktual i njohjes së fytyrës e përjetëson paragjykimin racor, pasi është vënë re se ai identifikon në mënyrë të gabuar më shpesh njerëzit me ngjyrë, në krahasim me ata të bardhë. “Teknologjia e njohjës së fytyrës duhet të ndalet, përpara se të jetë vonë”- thotë për “Politico” Patrik Brejer, anëtar i Parlamentit Evropian.
“Ka dëshmi në rritje se SHBA-ja po e përdor gjithnjë e më shumë Inteligjencën Artficiale në mënyra represive dhe të dëmshme, që të kujtojnë modelin kinez”- thuhet ndërkohë në studimin e organizatës “AI Now”.

Senatori demokrat Ed Edej, që po përgatit një ligj të posaçëm për të kufizuar përdorimin e kësaj teknologjie, tha në qershor të këtij viti, se përdorimi i teknologjisë së njohjes së fytyrës, “paraqet një kërcënim të madh për privatësinë e amerikanëve. Megjithatë policia dhe forcat e sigurisë në të gjithë Perëndimin, janë duke e testuar me shpejtësi, apo përdorur de fakto këtë teknologji, si një mënyrë shumë më e lirë për të mbledhur të dhëna për grupe të mëdha njerëzish.

Kamerat e njohjes së fytyrës, që mund të identifikojnë njerëzit bazuar në tiparet e fytyrës së tyre, po shfaqen tashmë edhe në vendkalimet kufitare, në automjetet e policisë, në hyrje të stadiumeve dhe madje në disa shkolla të mesme në SHBA dhe në Evropë, ku ato përdoren për të identifikuar nxënësit.
Shembuj të tillë, i tejkalojnë kufizimet e kësaj teknologjie që janë miratuar në San Francisko, dhe disa qytete të tjera të SHBA-së. Ndërkohë, aktivistët e mbrojtjes së privatësisë janë duke nxjerrë një mësim goxha të mirë nga dështimi i qeverive, për të kontrolluar përhapjen e teknologjisë.

Ata thonë se tashmë po zhduken dallimet midis mënyrës se si qeveritë perëndimore dhe Kina i qasen mbikëqyrjes publike. Disa ligjvënës demokratë dhe republikanë në SHBA, thonë se çështja e fajësimit të Trump, ka lënë në plan të dytë çështjet e tjera.

LEXO EDHE:  Korçë/ Kapen me tritol, drogë e armë, arrestohen dy persona

LEXO EDHE:  Korça nën valën e lëkundjeve/ 20 tërmete në 24 orët e fundit

“Mjerisht, impeachment-i ka thithur të gjithë energjinë e mundshme”- shprehet senatori republikan Stefën Linç, që drejton Nënkomitetin e Sigurisë Kombëtare të Mbikëqyrjes, duke shtuar se ndikoi jo pak edhe vdekja e senatorit të njohur demokrat Elia Kamings.
Ndërkohë edhe në Bashkimin Evropian, thirrjet e liderëve kryeroë për veprime të shpejta, për disiplinimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, nuk garantojnë të sjellin ndonjë kufizim detyrues në mbarë BE-në. Edhe kufizimi dikur i rreptë për mbledhjen e “të dhënave të ndjeshme”, në ligjin kryesor të privatësisë që ka aktualisht BE-ja, përmban një arsyetim të gjerë se përse autoritetet publike mund të mbledhin të dhëna biometrike të ndjeshme, nëse mund ta justifikojnë këtë gjë.

Teknologjia e njohjes së fytyrës, është shfaqur në vende të tilla si në stacionin kryesor të trenit në Berlin, ku një projekt eksperimental nga autoritetet, ka skanuar fytyrat e dhjetëra mijëra kalimtarëve. Gjithsesi, Brejer ka bindjen se Evropa do të ketë kufizime më të rrepta sesa SHBA në përdorimin e kësaj teknologjie.

Eurodeputeti thotë se Karta e të Drejtave Themelore të BE-së, e cila i jep çdo qytetari evropian “të drejtën e mbrojtjes së të dhënave të tij personale”, do t’i mbrojë evropianët nga përdorimi pa dallim i kamrave të njohjes së fytyrës, ndërsa Kushtetuta e SHBA nuk thotë asgjë për këtë gjë.
Ndërkohë vetë drejtuesit e industrisë së kësaj teknologjie, po shfrytëzojnë rastin për të diktuar rregullat globale mbi këtë fushë.

Shefi i politikave publike në “Amazon”, Majkëll Panke, u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë të miratojnë një ligj që “mbron të drejtat civile, por lejon nga ana tjetër inovacionin e vazhdueshëm dhe zbatimin praktik të kësaj teknologjie” . Sot për sot, mjetet e skanimit të fytyrës po bëhen me shpejtësi mëse të zakonshme.

Kompani si Facebook, Apple dhe Google, kanë vendosur njohjen e fytyrës në pajisjet e tyre
më të njohura, për shembull si një mjet për zhbllokimin e telefonave. Ndërkohë tek autoritetet publike, oreksi për sistemet e njohjes së fytyrës, duket se nuk ka kufij.
Në të gjithë Shtetet e Bashkuara, agjensitë federale, shtetërore dhe vendore, kanë realizuar për vite me radhë të ashtuquajturat eksperimente. Administrata e Sigurisë së Transportit dhe Doganave, dhe ajo e Mbrojtjes së Kufijve, e përdorin njohjen e fytyrës në pika të caktura.

Në nivel shtetëror dhe lokal, departamentet e policisë në Florida, Kolorado dhe Oregon kanë filluar ta përvetësojnë këtë teknologji, ndërsa të tjerët janë duke e shqyrtuar si mundësi.
Situata nuk është më ndryshe në Evropë. Në Britani, dy njësi policore e kanë testuar teknologjinë e njohjes së fytyrës, për të identifikuar kalimtarët në kohë reale. Ndërkohë, Ministria e Brendshme në Hungari, po instalon 35.000 kamera në kryeqytetin Budapest dhe pjesën tjetër të vendit, për të regjistruar fytyrat e njerëzve dhe targat e makinave.
Njohja e fytyrës, është duke funksionuar në disa aeroporte evropiane nga Lisbona në Pragë. “Kjo praktikë është shqetësuese”-thotë Mathias Monroi, një aktivist gjerman i të drejtave civile.

“Një teknologji e tillë, mund ta bëjë së shpejti të pamundur të lëvizësh në mënyrë anonime në një hapësirë publike”- thekson ai. Në Bruksel, udhëheqësja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, ka premtuar ta vërë nën kontroll këtë teknologji. Ekspertët janë në pritje se çfarë do të ndodhë./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE