Politikë
Dëmet nga tërmeti/ Rama tregon ku do ngrihen lagjet e reja

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sërish sot kabinetin qeveritar, në një mbledhje të jashtëzakonshme, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.
Në mbledhjen e sotme, Rama ka treguar se ku do të ngrihen lagjet e reja në Tiranë dhe në Durrës.
Rama theksoi se në hapësirat ku ka pasur shembje, do tëngrihen parqe, infrastrukturë sociale dhe arsimore.
“Në Durrës do të bëjmë një lagje komplet të re, kjo është shumë e qartë. Hapësirat ku ka pasur shembje do të kemi parqe, infrastrukturë sociale dhe arsimore, apo edhe në Tiranë jemi të qartë se duhet një ndërhyrje e fortë në Kombinat prishja e atyre godinave me probleme dhe ndërtimi i një blloku të ri banesash për të akomoduar ata njerëz. Një pikë tjetër te “5 Maji” pranë lumit ku ne mund të bëjmë spostime, pa ju spostuar komplet jetën, aty do të bëjmë një lagje tjetër dhe tjera te ish-Uzina e Autotraktorëve (Shkozë). Këto tre pika ne plotësojnë nevojën. Me objektivin afat gjatë 10 mijë apartamente dhe afatshkurtër 5 mijë. Do të jenë lagje të reja sikur nuk ka sot në Shqipëri, kopshte, shkolla, çerdhe, kënde sportive me të gjitha. Lagje model, jo geto. Në Laç duhet të fillojmë shembjet, që të kemi po ashtu një lagje të re në gjithë atë zonë”.-tha ndër të tjera kreu i qeverisë.
Po ashtu, Rama ka theksuar se puna për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, pritet që të nisë fillimisht në Laç nga Turqia.
“Brenda janarit të kemi planet e rindërtimit gati dhe të fillojmë me zbatimet para se të hapim kantieret.
Në pranverë do të hapim të gjithë kantieret. Në Laç duhet të hapet menjëherë sa më shpejt.
Jemi në komunikim me agjencinë shtetërore të strehimit të Turqisë, që ai premtimi i Erdogan për 500 shtëpi të fillojë të realizohet dhe aty kemi bllokun më kompakt dhe hapësirën më të mundshme për të vepruar tani.”-tha Rama./ CNA.al