Blog
Pasaportat “e arta”/ Ja si shitet shtetësia për oligarkët rusë, nga Qipro në Karaibe

Nga Grigory Kolganov “Kommersant”
* Moskë – Ministri i Brendshëm i Qipros, Kostandinos Petrides, njoftoi muajin e kaluar heqjen e shtetësisë për 26 të huaj, të cilët e kishin fituar atë përmes investimeve. Ata akuzohen se kanë dhënë para shtesë, për të përmbushur kriteret më të rrepta të këtij programi në vitin 2018.
Edhe pse Petrides, refuzoi të japë emrat e atyre që kishin humbur shtetësinë, dhe të ashtuquajturat “pasaporta të arta”, gazeta “Kommersant” ka arritur që të zbulojë kohët e fundit disa nga emrat e kësaj liste, përfshirë oligarkët rusë Oleg Deripaska, Vladimir Stoljarenko, Alexander Bondarenko, së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre.
Këta oligarkë, ndodhen nën hetime penale në Rusi. Lajmi është një lloj përkujtese, se kjo marrëdhënie e veçantë, nuk është një privilegj ekskluziv i Qipros, dhe se rusët zor se janë të vetmit që kërkojnë pasaportat “e arta”. Po çfarë është është Shtetësia sipas Investimeve (CBI)?
E njohur edhe si “shtetësia ekonomike”, CBI është procesi juridik, ku një vend i lejon individët e huaj ta blejnë shtetësinë e tyre, dhe ku pasaporta jepet në këmbim të një kontributi monetar, që zakonisht njihet si një “investim” në vendin pritës.
Programi u prezantua për herë të parë në vitin 1984, nga vendi i vogël ishullor në Karaibe, Saint Kitts & Nevis, që e ofron ende sot këtë program. Sot programet CBI, janë të disponueshme në disa vende të tjera në Karaibe, bashkë me Austrinë, Bullgarinë, Kamboxhian, Qipron, Maltën dhe Vanuatunë.
Vitin e kaluar edhe Jordania, Mali i Zi dhe Turqia, njoftuan planet e tyre për të filluar zbatimin e programeve CBI. Bashkimi Evropian, nuk e pëlqen aspak këtë program. Kërkesat për investime (domethënë çmimi), ndryshon nga njëri vend në tjetrin.
Shpesh kjo shumë është mbi 100.000 dollarë, ndërsa procesi është subjekt i ndryshimeve të vazhdueshme dhe rregulloreve të shumta. Në kryeqytetin qipriot, Nikozia, u raportua se 9 rusë i humbën pasaportat e tyre, për shkak se zyrtarët qipriotë dyshojnë se ata i kishin fituar në mënyrë të paligjshme.
Por 9 qytetarë janë një pikë në oqean. Vetëm vitin e kaluar, 1.300 rusë morën pasaporta nga Qipro, vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe që aplikon tarifa të ulëta. Programi u prezantua në vitin 2014, për të mbështetur ekonominë qipriote, që në atë kohë ishte në një recesion të thellë.
Deri në fund të vitit 2018, ishin lëshuar rreth 4.000 pasaporta për shtetasit e vendeve të treta. Në këmbim, buxheti i Qipros, u shtua me rreth 7 miliardë euro. Por Brukseli ka lënë vazhdimisht të kuptohet se Nikozias nuk i pëlqen ky program, pasi ai mund të përdoret për të pastruar para dhe minuar sigurinë e BE-së.
Disa skandale të profilit të lartë, e kanë detyruar Qipron që të reagojë. Përveç heqjes së shtetësisë, autoritetet qipriote po diskutojnë tashmë mundësinë e zbulimit të emrave të të gjithë të huajve që kanë marrë nënshtetësinë përmes investimeve.
Çdo muaj gusht të këtij viti, revista Profesionale e Menaxhimit të Pasurive e “Financial Times” boton një renditje vjetore, raportin e indeksit CBI, që analizon tiparet kryesore të vendeve që aplikojnë këtë program si liria e lëvizjes, standardi i jetesës, shpenzimet minimale për investime, afati kohor i marrjes së shtetësisë, lehtësia e përpunimit të kërkesës etj.
Për dallim nga shtetësia aktuale, siç e tregon rasti i Qipros, CBI mund të revokohet me dekret shtetëror. Arsyet e anulimit, janë të njëjta me disa nga arsyet e aplikimit:procedurat penale, mashtrimet fiskale. Natyrisht, gjatë procedurave të aplikimit, subjektet duhet të dëshmojnë se kanë një karakter të mirë.
Këtë vit Qipro rriti shumën e investimeve që kërkohet, duke shtuar 2 donacione shtesë prej 75.000 eurosh, ose në nisma socio-ekonomike që mbështesin ndërtimin e shtëpive me kosto të ulët, apo investimet në Fondacionin e Kërkimit dhe Inovacionit.
Në lidhje me këtë, aplikantët duhet të blejnë pasuri të paluajtshme në një vlerë prej 500 mijë eurosh, dhe të zgjedhin njërin nga 4 opsionet e investimeve prej 2 milionë eurosh. Por pas thasëve me para, mund të fshihen shumë gjëra. Këto janë alternativa të ndryshme për Qipron. Dhe sipas raportit të këtij viti, Karaibet mbetet më tërheqëse dhe më pak të shtrenjta se të tjerat, me shtetin ishullor të Republikës Domenikane, që ofron dy mundësi investimi:një kontribut në Fondin e Diversifikimit Ekonomik (100 mijë dollarë për ço aplikues), ose një investim mbi një pasuri të paluajtshme të aprovuar nga qeveria (të paktën 200 mijë dollarë+ një taksë qeveritare prej 25.000 dollarësh mbi pasuritë e patundshme).
Në rastin e Republikës Domenikane, paratë janë të destinuara për strehimin e qëndrueshëm, sektorin bujqësor dhe rindërtimin e infrastrukturës kryesore. Përpunimi i aplikacionit, zgjat 45- 60 ditë. Nuk ka intervista, apo kërkesa për pasjen e një leje qëndrimi, nuk ka nevojë të mësoni as anglisht, apo të tregoni një nivel minimal arsimimi apo përvojë në biznes./ Përshtatur nga CNA.al
Lajme të Rekomanduara:

Gropa e Marianeve/ Nga tingujt misteriozë, tek “bisha” e tmerrshme, çfarë ndodh në pikën më të thellë oqeanike në botë
Hapësira mund të jetë “kufiri i fundit”, por jo i vetmi. Oqeanet e botës, janë ende plot mistere dhe forma të çuditshme të jetës. Por...

Kishte të njëjtin problem fizik si Hitleri, nxiti bumin ekonomik në vend/ Kush ishte diktatori spanjoll Francisko Franko
Gjenerali Francisko Franko, i udhëhoqi forcat nacionaliste drejt fitores kundër republikanëve gjatë Luftës Civile Spanjolle të viteve 1936-1939. Më pas ai e sundoi Spanjën për...