Connect with Us

Çfarë nuk dini mbi Uinston Çërçillin/ Nga arratia nga burgu, tek simpatia ndaj fesë islame

Blog

Çfarë nuk dini mbi Uinston Çërçillin/ Nga arratia nga burgu, tek simpatia ndaj fesë islame

Publikuar

-

Uinston Çërçill, është me gjasë kryeministri më i famshëm britanik në histori. Kjo për shkak të rezistencës së tij heroike kundër Gjermanisë naziste. Megjithatë, ekzistojnë shumë fakte interesante mbi Çërçillin, që ju mund të mos i keni ditur, dhe që ne po i listojmë këtu, me rastin e 145-vjetorit të lindjes së tij.

Ishte i fiksuar pas purove kubane

Ai u fiksua pas purove kur shkoi në Kubë si gazetar, për të raportuar mbi një rebelim kundër qeverisë koloniale spanjolle. Gjatë pjesës tjetër të jetës, ai piu nga 8-9 puro çdo ditë. Në çdo moment në shtëpinë e tij kishte 3-4 mijë puro, kryesisht të markës së tij të preferuar “Romeo y Julieta”.

Fiksimin e madh ndaj purove, e tregon edhe një histori gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai mbante një maskë të veçantë oksigjeni, të dizajnuar në një mënyrë të atillë që të mund të pinte puro, edhe kur avioni me të cilin udhëtonte, fluturonte në lartësi të mëdha.

Winston Churchill

U arratis nga një burg në Afrikën e Jugut

Në vitin 1899, Çërçilli shkoi në Afrikën e Jugut, sërish si gazetar për të mbuluar Luftën Boere, për gazetën britanike “Morning Post”. Gjatë një ekspedite në një tren të blinduar, ra në pritën e një grupi luftërarësh boerë, që e arrestuan dhe burgosën. Çërçilli qëndroi në një kamp deri në vitin 1900, kur u arratis një ditë duke kapërcyer një gardh, në momentin kur rojet nuk e kishin mendjen.

Ka fituar çmimin Nobel në letërsi

Edhe pse është lënë disi në hije nga karriera politike, Uinston Çërçill ishte një shkrimtar i mirë. Ai fitoi çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1953.Ai shkroi disa romane, 6 ose 7 prej të cilave u bënë bestseller. Këtu përfshihet “Richard Carvel”, që shiti mbi 2 milionë kopje, dhe që e bëri atë të pasur.

Winston Churchill Statue/Monument, Copenhagen

Gati vdiq në një aksident automobilistik

Në dhjetorin e vitit 1931, Çërçilli po shkonte për një vizitë në shtëpitën e mikut të tij Bernard Barush në Nju Jork. Kur po kalonte rrugën, u godit nga një makinë, që e tërhoqi zvarrë për disa metra. Uinston pësoi hematoma të rënda në kraharor dhe në shpatull. Gjithsesi, ai e mori shpejt veten, dhe e pranoi se fajtor për aksidentin ishte vetë ai, dhe duke e informuar policinë se shoferi nuk kishte asnjë faj.

LEXO EDHE:  Nga emigrant i thjeshtë në magjistar të financës/ Charles Ponzi, historia e një njeriu dhe e një mashtrimi

Kishte shumë simpati për fenë islame

Interesimi i tij mbi këtë fe, u zbulua në një letër të vitit 1907, shkruar nga zonja Guendolin Berti, që ishte e fejuara e vëllait të tij. Letra u shkrua kur Çërçilli po bëhej gati të shkonte në Afrikën e Veriut. Zonja Guendolin, e paralajmëronte:”Nëse bini në kontakt me Islamin, konvertimi juaj mund të bëhet me një lehtësi më të madhe, nga sa e mendoni”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Çërçilli arriti të gjente 100 mijë stërlina, për të ndërtuar Xhaminë Qendrore të Londrës. Përmes këtij akti, ai shpresonte të tërhiqte mbështetjen e myslimanëve për luftën.

Teshtima e tij, përcaktoi kufirin Jordani-Arabi Saudite

Kufiri i sotëm midis Jordanisë dhe Arabisë Saudite, përfshin një zigzage të mprehtë të njohur si “Teshtima e Çërçillit”. Thuhet se Çërçill ishte duke vizatuar hartën, kur një teshtimë e fortë dhe e papritur, bëri që dora e tij të rrëshqasë. Duket si një histori shumë qesharake, dhe në fakt ajo nuk është e vërtetë. Në të vërtetë, forma zigzag e vijës kufitare u krijua qëllimisht, për t’i dhënë Britanisë një korridor të pandërprerë ajror midis Jordanit dhe Irakut.

Citatet e tij të famshme

Citatet e shkëlqyera të Çërçillit, kanë mbushur libra të tërë. Në fakt, shumë prej citateve që i atribuohen ish-kryeministrit britanik, nuk janë të vërteta. Për shembull, Nensi Astor, deputetja e parë grua në Britaninë e Madhe, thuhet se i tha në një rast:”Nëse do të isha gruaja jote, do të të hidhja helm në kafe”, dhe Çërçilli iu përgjigj:”Nëse do të isha martuar me ty, do ta pija vetë helmin!”. Ky dialog ka ndodhur, por Çërçilli nuk u përfshi fare. Përkundrazi përgjigjen ironike deputetes Astor ia dha miku i tij i mire, Lordi Birkenhed./Listverse.com-Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Shtetet e vogla dhe fuqia e butë/ Si duhet të sillet Kosova në arenën ndërkombëtare

Publikuar

-

Nga

Nga Edward Lucas, “Center for European Policy Analysis”

* Të fitosh vëmendjen e botës është diçka e vështirë, sidomos nëse vendi yt është rishfaqur vetëm kohët e fundit në hartë. Injoranca është e madhe. Unë e kam kaluar shumicën e 30 viteve të fundit, duke sqaruar lexuesit se “balltikët” nuk janë e njëjta gjë me “ballkanasit”, se Sllovakia nuk është Slloveni (dhe anasjelltas) etj.

Por marrëveshjet mbi termat, kanë vetëm një ndikim të kufizuar. Ajo që vërtet ka rëndësi janë përvojat e dorës së pare, që merren nga 5 shqisat tona njerëzore. Të huajt që vizitojnë qytete dikur të lavdishme dhe peizazhin e tyre të mrekullueshëm, I humbasin me shpejtësi stereotipet e tyre rreth këtij vendi.

Kur shijojnë ushqimin dhe pijet tradicionale, ata harrojnë paragjykimet e tyre në lidhje me një dietë të rëndë plot yndyrna dhe me alkool të fortë. Moda imagjinare, bën të njëjtën gjë me paragjykimet në lidhje me shamitë. Disa nga këto ndryshime në perceptim, ndodhin në mënyrë automatike.

Por shumë gjëra varen nga zgjuarsia, motivimi dhe vetëbesimi i banorëve të një vendi. Në fillim të viteve 1990, presidenti i Estonisë Lenart Meri, këmbëngulte që miqve të huaj t’u shërbehej birra, uji mineral dhe ëmbëlsirat e vendit. Më herët, estonianët kishin tentuar t’u bënin përshtypje vizitorëve të tyre të huaj, duke u ofruar atyre produkte nga Finlanda.

Prodhimi vendor, vlerësohej ende si i dorës së dytë. Javën e kaluar mbajtja një fjalim në takimin e Shoqatës Shqiptare në Britaninë e Madhe, në një aktivitet të organizuar në ambasadën e Kosovës në Londër. Pashë me vëmendje tryezën, duke shpresuar të gjeja ndonjë element autentik nga trojet e Skënderbeut.

Kosova po lufton për mbijetesë. Numri i vendeve që e njohin si shtet po ult, dhe nuk po rritet. Ajo duhet të shfrytëzojë çdo tipar dallues që ka. Një pasuri e madhe minierash –ekonomisë lokale në kohën e Jugosllavisë – shfrytëzohet sot në një mënyrë modeste.

Eko-turizmi dhe vera, ofrojnë perspektiva shumë më të mira. Vende të tjera kanë treguar sesi mund të bëhet kjo:”diplomacia e verës” e Gjeorgjisë ka qenë e shkëlqyer, dhe në disa aspekte më e efektshme, sesa përpjekjet e Ministrisë së Jashtme në Tbilisi. Por ajo çka ndodhej në tryezë ushqimet, lëngu, ujë mineral, ishin marka standarde të supermarketeve.

LEXO EDHE:  Një “vrasës” në krye të bashkisë së Tiranës/ Si u bë milioner kryebashkiaku që shiste fiq

LEXO EDHE:  Nga gjumi tek goditjet në zemër dhe tru/ Si ndikon tek njerëzit ndryshimi i orës

Më keq akoma, vera që ofrohej vinte nga Kili dhe Franca. U trondita. Kili është një nga shumë vendet e Amerikës Latine që ka ndjekur shembullin e Spanjës, duke mos pranuar ta njohë Kosovën si një vend të pavarur. Dhe akte të tilla, po i mbajnë nën presion të madh kosovarët, dhe në një situatë diplomatike, ku janë të paaftë për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera të rëndësishme:mund ta quani fare mirë edhe “Tajvani” i Evropës.

Vitin  shkuar, Franca bllokoi çeljen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, një goditje kjo e hidhur për të dyja vendet, por sidomos për maqedonasit, që gëlltitën krenarinë e tyre duke e ndryshuar emrin, për të qetësuar ndjeshmëritë nacionaliste të Greqisë.

Vera e markës ‘Petit Chablis, ishte e shijshme, por diplomacia e përqendruar në vetvete në dritëshkurtësinë e presidentit Emmanuel Makron, të lë një shije të hidhur. Pyeta një diplomat nëse ambasada kishte ndonjë gjë për të ngrënë apo pirë që vinte nga Kosova.

Kosova prodhon “Stone Castle”, një verë e prodhuar nga rushi Risling i kultivuar në luginën e Rahovecit, një rajon ku vera prodhohet rregullisht prej më shumë se 2.000 vjetësh. Nuk është se unë prisja ndonjë byrek me hithra të bërë në shtëpi, por nuk do të ishte shumë probeme vendosja në tavolinë e disa shisheve Rugova ose Spirit of Drini, Shpirti i Drinit(dy markat kryesore të ujit mineral në Kosovë).

Nuk mund ta imagjinoj ndonjë ambasadë franceze, që nuk u tregon të tjerëve në çdo rast trashëgiminë gastronomike të vendit. Edhe ambasadat britanike shërbejnë tani verë të prodhuar në Angli. Mungesa e fuqisë së butë – forca bindëse e një marke kombëtare – është një problem serioz i sigurisë në vendet post-komuniste. Shija dhe aroma, janë një vend i mirë për të filluar ndërtimin e kësaj fuqie./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Studimi/ Hakmarrja u fal njerëzve më shumë kënaqësi sesa falja

Publikuar

-

Nga

Një studim i ri, ka zbuluar se kur njerëzit shohin një film apo lexojnë një roman, ata kënaqen më shumë kur shohin se njerëzit e këqij e marrin ndëshkimin e tyre, sesa kur këta të fundit falen. Ndërkohë, edhe pse ata nuk i pëlqejnë dhe aq historitë me falje, njerëzit i cilësojnë ato si më kuptimplota dhe provokuese, sesa historitë kur të këqijtë marrin ndëshkimin e merituar.

“Ne njerëzve na pëlqejnë tregimet, ku ndëshkohen personazhet negativë. Dhe kur ata ndëshkohen më shumë sesa u takon, ne ndjejmë kënaqësi”- thotë Metju Grizard, autori kryesor i studimit dhe asistent profesor i komunikimit në Universitetin Shtetëror të Ohajos në SHBA.

“Megjithatë, njerëzit i vlerësojnë më shumti historitë ku ka falje, ndonëse nuk i shohin ato si shumë argëtuese”- theksoi ai.

Studimi në fjalë, përfshiu 184 studentë që lexuan tregime të shkurtra, për të cilat u tha se ishin komplote mbi seriale të mundshme televizive. Studentët lexuan në total 15 tregime:në të një të tretën prej tyre, personazhi negativ trajtohej pozitivisht nga viktima; në një të tretën tjetër ai merrte ndëshkimin e merituar; dhe në një të tretën e mbetur, ndëshkohej më shumë sesa do të kishte qenë një dënim i përshtatshëm për krimin e kryer.

Për shembull, njëra nga historitë fliste për një person që i vjedh 50 dollarë një kolegu. Pjesëmarrësit lexojnë një nga tre përfundimet e mundshme. Në një skenar, viktima qeras me kafe hajdutin, pra e fal atë; në një tjetër, viktima hakmarret duke i vjedhur hajdutit një shishe uiski që kushton 50 dollarë (ndëshkim i barabartë); dhe në versionin e tretë viktima rimerr paratë e tij dhe shkarkon pornografi në kompjuterin e punës të kolegut hajdutit (mbi-ndëshkim).

Menjëherë pas leximit të secilit skenar, pjesëmarrësit u pyetën nëse u pëlqeu apo jo tregimi. Shumë njerëzve u pëlqeu më shumë tregimi, ku hajduti pëson një ndëshkim të drejtë, thotë Grizard. Ndërkohë studiuesit matën kohën që iu desh lexuesve të zgjedhnin një nga alternativat. Ata zbuluan se lexuesit merrnin më pak kohë për t’u zgjedhur historitë, ku fajtori merr ndëshkimin e barabartë, se sa në rastin kur falen apo ndëshkohen në mënyrë joproporcionale.

LEXO EDHE:  Fama dhe vdekja tragjike e aktorit shqiptaro-amerikan Xhon Belushi

LEXO EDHE:  Pse pushtimi i Afganistanit, e bëri të pashmangshme shembjen e Bashkimit Sovjetik

“Njerëzit kanë një përgjigje instiktive në lidhje me ndëshkimin e njerëzve që kanë bërë një faj ndaj dikujt, dhe kur një histori rrëfen atë që ata presin, shpesh përgjigjen më shpejt se në rastet e tjera”- shprehet Grizard.

Kur ndëshkimi nuk i përshtatej krimit, pjesëmarrësve i duhej pak më shumë kohë për të reaguar, me pëlqim ose mospëlqim ndaj tregimit që sapo lexuan. Eksperti thotë se arsyeja mund të shpjegohet me pjesën tjetër të studimit. Pasi lexuan 15 tregimet, pjesëmarrësit i renditën në bazë të kënaqësisë së përfituar.

Ata mendonin se tregimet, ku personat e këqij marrin ndëshkimin e merituar, ishin më të kënaqshme, ndërsa ato ku faleshin njerëzit e këqij, ishin më pak të pëlqyera. Ndëshkimi i barabartë, renditej diku në mes. “Duket se dominon ana më e errët, ajo e shijimit të hakmarrjes”- thekson Grizard. Në përgjithësi, rezultatet sugjerojnë që një ndëshkim i drejtë, është “standardi intuitiv moral”, që e kemi më të lehtë ta pranojmë./ Eurekalert-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Rënia e trishtë e një gjeniu/ Ku gaboi Nikola Tesla?

Publikuar

-

Nga

* Nikola Tesla, e nisi karrierën e tij me perspektivën e njërit prej njerëzve më të zgjuar të kohës së tij, dhe e mbylli atë mjerim dhe dëshpërim në një dhomë hoteli në Nju Jork në vitin 1943. Po pse ndodhi kjo? Si mundi të katandisej në atë mënyrë, një mendje kaq gjeniale dhe unike?

Të gjithë shpikësit, propozojnë ide që nuk funksionojnë, që janë shumë të kushtueshme për t’u vënë në zbatim, apo që nuk bëhen dot popullore dhe praktike. Tek e fundit edhe ata janë njerëz, ndaj janë të prirur të bëjnë gabime si ne të tjerët. Për fatin e tij të mirë a të keq, Tesla përjetoi rrallë ndonjë dështim në gjithçka që krijoi, ndërsa vlerësohej si një njeri “shumë krenar”.

Ndoshta kjo ishte e pritshme, duke pasur parasysh aftësitë e tij të mahnitshme intelektuale. Por e kombinuar me mungesën e aftësive në biznes, dhe zakonet e çuditshme që rrjedhnin nga një çrregullim i dyshuar i personalitetit, ajo prodhoi një “recetë” për pasoja katastrofike, si në sferën profesionale ashtu edhe në ato personale.

Për më tepër, shumicën e kohës ai dukej i paaftë për t’u shoqëruar me shpikësit e tjerë apo biznesmenët, për të cilët ai kishte dëshpërimisht nevojë për të financuar shpikjet e tij më të famshme. Për një nga projektet e tij më ambicioze, ai arriti të bindë biznesmenin shumë të pasur dhe të fuqishëm të naftës, J.P.Geti.

Kur Tesla vendosi të ndërtojë një antenë të madhe të komunikimit në Long Ajland, Nju Jork, ai takoi manjantin për t’i kërkuar financimin e projektit. Ndërsa Tesla mund të mos ketë pasur vetë shumë aftësi për të bërë biznes, ai ishte të paktën në këtë rast një tregtar i shkëlqyer, duke e bindur Getin të investojë 150 mijë dollarë dollarë, një shumë tepër e madhe në vitin 1898.

Megjithatë ai projekt do të dëshmohej si dështimi i fundit i Teslas, kur edhe Geti e humbi besimin në planet e shkencëtarit, dhe duke refuzuar t’i japë fonde të tjera.

Tesla donte të ndërtonte një sistem komunikimi për të gjithë botën, që do të niste me Uordenklif, një antenë e madhe në qendër të Long Ajland. Nga atje, Tesla ëndërronte të realizonte të parin transmetim pa tel jashtë SHBA-së. Ai mendonte se ai plan do t’i sillte më në fund famën, respektin dhe njohjen që meritonte.

Për fat të keq, mungesa e truallit, dhe përparimi i konkurrentëve të tij si Edison dhe Xhorxh Uestinghauz në këtë fushë, do të sillnin dështimin e tij. Në fakt, kishte shenja në jetën e tij të hershme, se Tesla nuk kishte temperamentin e duhur për të pasur sukses në biznes, pavarësisht shpikjeve të shkëlqyera që patentoi.

LEXO EDHE:  Fama dhe vdekja tragjike e aktorit shqiptaro-amerikan Xhon Belushi

LEXO EDHE:  Intervista- Koronavirusi/ Vaksina do vonojë, katastrofë nëse përhapet tek vendet e varfra

Thuhej se ai vuante nga çrregullimi obsesivo-kompulsiv OCD, dhe kishte shumë zakone të çuditshme. Ai ishte një nga mendjet më të shkëlqyera në historinë e shkencës. Por personaliteti i tij i veçantë, e bëri tepër të vështirë që të jetonte plotësisht në përputhje me potencialin e tij.

Ai pësoi një krizë nervore në fund të viteve 1870, jo shumë kohë përpara se të shkonte në Amerikë në vitin 1884, pa asnjë njohje dhe pa para. Por ai kishte një letër që e rekomandonte tek Edisoni, nga një prej mësuesve të universitetit të tij. Edison e punësoi menjëherë Teslan, por që të dy burrat nisën të grinden me njëri-tjetrin dhe shumë shpejt Tesla u shkëput më vete.

Puna e tij në fushën e rrymave alternative (AC) me mbështetjen financiare të Uestinghauzit, rivalizoi drejtpërdrejti rrymën direkte (DC) të Tomas Edisonit, dhe madje edhe me atë të Guglielmo Markonit, shpikësi italian që njihet si “babai” i radios moderne dhe transmetimet pa tel.

Pas një serie pengesash, Tesla nuk la asnjëherë shenjë në asnjë fushë, dhe ndërroi jetë i dëshpëruar në një hotel të Nju Jorkut. Ne e dimë sot, falë shkencës moderne të shëndetit mendor, që Nikola Tesla vuante me gjasë nga çrregullimet obsesivo-kompulsive OCD, dhe çështje të tjera që e bënë atë të paaftë për të vepruar në interesin e tij më të mirë gjatë gjithë jetës.

Është një përrallë e trishtuar, fundi për një shpikës, që ishte po aq i zgjuar (me siguri më shumë) se rivalët e tij, por thjesht nuk ishte në gjendje të përballonte kurthet e jetës në qarqet e biznesit. Prandaj, ai u keqpërdor, u keqtrajtua në fushat që meritonte të hynte, dhe në të cilat duhej të kishte pasur sukses./Thevintagenews.com- Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE