Connect with Us

Nga Artan Fuga/ Kundër shurdhërisë në kohë katastrofash!

Opinione

Nga Artan Fuga/ Kundër shurdhërisë në kohë katastrofash!

Publikuar

-

Duhej një ditë zie për viktimat e tërmetit! Flamurët në gjysëm shtizë, as muzikë të gëzueshme, as evente kulturore, as gaz e haré.

Kuptohet që njerëzit janë të tronditur dhe gjithçka duhet bërë në përputhje me këtë gjendje psikologjike kolektive.

Por shurdhëria në kohë “kolere” është e papranueshme, është një keqkuptim i madh.

Ngjall panik!

Nuk duhet politikë në kohë tërmeti, murtaje, lufte, përmbytjesh?

Cfarë gabimi i madh poqese do të përgjigjeshim: Jo politikë në këto kushte!

Po të thonim kështu nuk do ta kishim kuptuar atë që thotë Aristoteli i madh se politika është shkenca e shkencave. Sigurisht nuk duhet politikë e keqe, nuk duhet politikë me llafe si gratë e Napolit në shekullin e 19-të që kapeshin për flokësh, jo fushatë elektorale, sigurisht.

Por politika është arti i të qeverisurit. Pra të heqim dorë nga qeverisja dhe alternativat për t’a qeverisur situatën në krizën që na ka zënë?

Pa politikë të mirë çdo dukuri natyrore e ashpër na dëmton.

Nuk duhet art, kulturë, shkencë në kohë murtaje, tërmeti, lufte?

O Zot çfarë gabimi? Cfarë keqkuptimi i kulturës, i artit, i shkencës, i filozofisë!!!

Arti, kultura, shkenca nuk janë hargalisjet nëpër varietetet muzikore dhe nuk janë tallavaja e radhës. Kultura, shkenca dhe arti i japin forcë njeriut të përballojë gjithçka. Kultura është forca e njeriut mbi natyrën dhe botën e kafshëve. Njeriu pa kulturë është i dobët, i dorëzuar, nuk ringrihet dot pas shkatërrimit.

Habitem me këngëtarë që anullojnë shfaqjet në ven t’i ri-orientojnë ato drejt dhënies kurajo kombit!

Informacioni i medias nuk duhet në kohë kolere, murtaje, tërmeti, lufte?

O Zot çfarë budallalliku do të ishte po t’a ndërprisnin. Dihet se kur në një vend media nuk informon ashtu si di dhe si e ndjen gjëja e parë që lind te njerëzit është ankthi dhe ankthi është babai i panikut.

LEXO EDHE:  Artan Fuga thirrje Bashës/Oferta amerikane dhuratë e Zotit për çadrën, mos dëgjo baltosësit!

Eksperimentet e bëra nga universitetet amerikane tregojnë se kur mediat janë në greva, ankthi kolektiv brenda një jave bëhet i papërballueshëm.

E kujtojnë rrumpallë median këta, por ajo, edhe me të gjitha të metat e saj, sepse nuk mund të jetë e mirë kur e gjithë shoqëria është e sëmurë, është instrumenti i vetëm që krijon informimin kolektiv, krijon opinionin publik. Krijon shoqëri. Përndryshe njeriu izolohet dhe bie në depresion.

Nuk krijon panik informacioni, por informacioni i keq, si edhe kur medias i mbyllet goja. Njësoj panik krijojnë.

Qytetari në kohë rrëmeti ka nevojë ta verifikojë dhe ekuilibrojë propagandën qeveritare. Propaganda vetëm ngjall panik!

Në kohë krizash, tërmetesh, nuk duhet të ketë të drejta kushtetuese për qytetarët dhe të gjithë duhet të jemi si ushtarët para gjeneralit?

Vetëm servilat, budallenjtë dhe naivët mund të mendojnë kështu.

Pse të drejtat qytetare çfarë janë? Janë luks, janë të tepërta, janë kundër menaxhimit të krizave?!

Mendësitë totalitare gëlojnë edhe te gjoja ekspertët e paaftë.

O budalla, o krijues paniku, pse i shton shkatërrimit që na bëri natyra, me ndihmën tonë, edhe shkatërrimin e të drejtave qytetare?

Ku shërohen plagët e shkatërrimit pa liritë qytetare, pa pjesëmarrjen qytetare, pa kontrollin qytetar, pa kritikën qytetare?

Janë në vete këta krijues të zisë, të heshtjes, të ngrirjes të shoqërisë?!

Duhet edhe kultura, edhe politika, edhe të drejtat qytetare, edhe informacioni, njësoj si spitalet, vinçat, forcat e rendit./CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Mero Baze merr në mbrojtje Lulzim Bashën/ Lider mbi Berishën e Metën

Publikuar

-

Nga

mero baze

Gazetari Mero Baze, një nga njerëzit më të ashpër ndaj kreut të PD, Lulzim Basha ka dalë sot në mbrojtje të këtij të fundi.

Në një opinion të tijin të publikuar në gazetën “Tema”, Baze shprehet se për herë të parë, prej kur Basha është emëruar në krye të PD, ai po i dikton aksionin politik opozitës, duke tërhequr pas vetes, ose duke bërë nervozë, dy aktorët më të rëndësishëm dhe realë të opozitës, Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Sipas Bazes, qëndrimi i tij i matur, ditët e para, provokoi një tërbim politik të Berishës dhe Metës, që ndjehej në mediat e kontrolluara të tyre në opozitë dhe sidomos në portalin e djalit të Berishës.

“Lulzim Basha e ka fituar sondazhin e tij ndaj drejtuesve të tjerë të opozitës, edhe pse kanë tentuar ta kompleksojnë. Ai po i udhëheq ata. Dhe këtu nuk e kam fjalën tek propozimet e tij gjysmë populiste për shpëtimin nga situata, sidomos ato që lidhen me legjendat urbane dhe shifrat qiellore të shpikura për të ashtuquajtura koncesione. Lulzim Basha e ka fituar betejën me të tjerët në opozitë, se nuk ja ka ngritur nervat askujt në këtë situatë, ka dëshmuar një fytyrë qytetare dhe është ndodhur mes njerëzve, qoftë dhe si dëshmitar i fatkeqësisë së tyre. Nuk ka çfarë bën më shumë”, shkruan Bazë.

Opinioni i plotë:

Për herë të parë prej kur Basha është emëruar në krye të PD, ai po i dikton aksionin politik opozitës, duke tërhequr pas vetes, ose duke bërë nervozë, dy aktorët më të rëndësishëm dhe realë të opozitës, Sali Berishën dhe Ilir Metën.

E di që shumë vetë ndahen, nëse sjellja e Bashës është e dobishme, apo e dëmshme për opozitën, në rastin e tërmetit, por është e qartë se sjellja e tij diktoi sjelljet politike të Sali Berishës dhe Ilir Metës, që tentuan ta kthejnë tragjedinë e tërmetit, në një fushatë agresive nekrofile.

Qëndrimi i tij i matur, ditët e para, provokoi një tërbim politik të Berishës dhe Metës, që ndjehej në mediat e kontrolluara të tyre në opozitë dhe sidomos në portalin e djalit të Berishës.

Basha u sulmua dhe tentuan ta kompleksojnë si kolabracionist me Ramën, por ajo që ndodhi më në fund, ishte që Meta filloi të sillej si zyrtar që interesohej për fatkeqët, ndërsa Berisha i mbyllur në vilën e tij në Lalz, tenton të helmojë atmosferën, me shpresë se më shumë do të ndryshojë Bashën, se sa Edi Ramën.

Postimet e tij haluçinante, që e gjente shkakun e tërmetit tek “Syri i Kulçedrës” që kishte bllokuar Edi Rama, apo postimi horror që Edi Rama kishte varrosur një njeri të gjallë tek shembja me eksploziv e një godine në Shkozet, pa përjashtuar çdo postim nekrofil të tij, tregojnë qatë se ai po përpiqet të tërheqë Bashën tek një linjë agresive politike , duke përdorur tërmetin. Kapakun ja ka vënë sot, kur i quan viktimat e tërmetit, si “vrasje shtetërore”, ndërkohë që “Gërdecin”, që ja bëri i biri me duart e tij për të fituar lekë, e shpalli “aksident teknologjik”.

Kjo është hera e parë që Basha i dikton aktorët e tjerë opozitarë, qyshkurse ata e kanë pranuar formalisht në krye të opozitës.

LEXO EDHE:  Të shtëna pranë zyrës së kryeministrit turk në Stamboll

LEXO EDHE:  Ekzekutimi i Nelgert Patës në Fier/ Në makinën e viktimës u gjetën dy kallashnikovë

Por a ka humbur apo ka fituar Basha nga kjo sjellje?

Sondazhet që tentojnë të krahasojnë popullaritetin e Ramës, me të Bashës në këtë moment, janë profesionalisht të gabuara. Rama dhe Basha nuk kanë të njëjtën përgjegjësi ndaj situatës dhe nuk kanë të njëjtat mjete në dorë për ta ndryshuar atë.

Në fatkeqësi të tilla, qeveria është Zoti i zbritur në tokë, pasi prej asaj njerëzit presin ndihmën, presin shtëpinë, presin shpëtimin fizik dhe rinisjen e jetës normale. Prej opozitës nuk presin dhe nuk kanë pse të presin asgjë.

Për Bashën mund të bësh sondazh, në raport me liderët e tjerë opozitarë, por jo me kryeministrin, i cili as për meritë të tij, e as për fatin e keq të tij, ka ndodhur të jetë kryeministër në këtë fatkeqësi.

Bilanci i kryeministrit ndaj fatkeqësisë, bëhet kur ai të mund t’ia dalë kësaj situate, kur të sistemojë njerëzit e dëmtuar dhe të realizojë Projektin e Rindërtimit.

Por Lulzim Basha e ka fituar sondazhin e tij ndaj drejtuesve të tjerë të opozitës, edhe pse kanë tentuar ta kompleksojnë. Ai po i udhëheq ata.

Dhe këtu nuk e kam fjalën tek propozimet e tij gjysmë populiste për shpëtimin nga situata, sidomos ato që lidhen me legjendat urbane dhe shifrat qiellore të shpikura për të ashtuquajtura koncesione.

Lulzim Basha e ka fituar betejën me të tjerët në opozitë, se nuk ja ka ngritur nervat askujt në këtë situatë, ka dëshmuar një fytyrë qytetare dhe është ndodhur mes njerëzve, qoftë dhe si dëshmitar i fatkeqësisë së tyre. Nuk ka çfarë bën më shumë.

Të gjithë ata që tentojnë ta shtyjnë Bashën të bëjë propozime në formë kushtesh për qeverinë, e sidomos propozime populiste, thjeshtë duan ta fusin në një garë që nuk i duhet dhe që mund ta humbasë pa arsye.

Edi Rama po kristalizon projektin e tij të daljes nga situata, i cili mund të jetë një fitore ose humbje për të në fund të procesit. Lulzim Basha nuk ka pse bën garë në një histori ku nuk ka as përgjegjësi shtetërore dhe as mundësi financiare. Ai normal që mund të denoncojë transparencën e munguar nëse e konstaton, korrupsionin nëse shfaqet gjatë procesit, apo dhe qasjen e gabuar ndaj kompensimit, nëse ka një opsion të tij, por nuk ka pse futet në garë me qeverinë, se ku do t’i gjejë lekët, nga buxheti apo donatorët.

Askush nuk e di saktë sa para mund të grumbullojë qeveria nga donatorët apo buxheti në këtë histori, dhe Projekti i Rindërtimit ende nuk është i rrezikuar nga mungesa e fondeve. Ai mund të rrezikohet nga mungesa e ideve, apo futja në spirale etatiste të procesit të kompensimit, ose fenomene të tjera, për të cilat opozita duhet të rrijë gati, por ende nuk janë në pikëpyetje paratë. Ndaj qasja e Bashës është më realiste se qasja e Berishës dhe Metës .

Ai nuk ka pse bën një betejë që nuk është e tij dhe nuk ka pse i jep pikë Edi Ramës për një proces, në të cilën fitorja është detyrë e qeverisë, ndërsa humbja i kushton vetëm Edi Ramës.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Andi Bushati/ Të vdekurit nuk mund të kthehen në pikë sondazhesh për Ramën

Publikuar

-

Nga

Edi Rama po e shfrytëzon tërmetin njësoj si Erdogani grushtin e shtetit: si një “dhuratë nga Allahu”. Kjo jo për faktin se Kryeministri ka filluar të shfaqet me tespie në dorë dhe të citojë në facebook vargje nga Kurani, por se ai po përpiqet me çdo kusht të rrisë pushtetin e tij personal.

Të mërkurën në mbrëmje ai u shfaq në “Porta a Pora”, në Rai Uno, për të thënë se ku do të ndërtoheshin lagjet e reja për të pastrehët, që nga “Kombinati” e deri tek “Autotraktorët”, se si do të qe përbërja socio- ekonomike e banorëve të ardhshëm e madje edhe se cilët do të qenë emrat e projektuesve që do t’i konceptonin ato.

Pak a shumë në të njëjtën kohë, ai refuzoi me neveri një propozim të opozitës dhe të ekspertëve të ekonomisë që shihnin si një nga rrugët për të përballuar koston e rindërtimit, pas katastrofës, anullimin apo shtyrjen në kohë të një pjese të koncesioneve të dhëna për oligarkët pranë pushtetit.

Po t’i shohësh veç e veç, këto vendime dëshmojnë për një delir të pamatë autokratik. Ato tregojnë për mospërfillje të asnjë mendimi apo propozimi alternativ, apo të asnjë vendimarrjeje kolegjiale.

LEXO EDHE:  Nga Artan Fuga/Edhe në burg të isha, Mapo-n nuk do e lexoja. Alfred Lela nuk di të shkruaje dhe të arsyetoje

LEXO EDHE:  Nga Artan Fuga/Natyra njerëzore

Për shembull, përpara se të flitet për lagje që do të jenë avangardë edhe për një shekull, për projekte nga ato me të cilat Kryeministri u mburret darkave miqve të tij oligarkë, për habitate të përziera, ku do të bashkjetojnë të prekurit nga dridhjet e 26 nëntorit me tinejxhërat e start up-eve që do të ngrihen, a nuk do të qe mirë të merrej në konsideratë një propozim i shoqatës së ndërtuesve?

A nuk do të ishte më racionale që shteti të blente fillimisht rreth 2500 apartamentet e pashitura, deri më tani, për të strehuar aty të mbeturit pa shtëpi?

A nuk do të qe më ekonomike që banorët të strehoheshim menjëherë, pa kosto hotelerie, ushqimi, shërbimi, në pritje të projekteve grandomane që do duhen më së paku dy- tre vite që të përfundojnë?

Pse Rama vendos vetë personalisht me Boerin apo Casamontin, pa marrë asnjë mendim alternativ?

LEXO TE PLOTE

Opinione

Mbase po vjen koha për ‘tërmet’ edhe mes figurash publike

Publikuar

-

Nga

Nga Çapajev Gjokutaj 

Koha rrjedh njësoj sekondë pas sekonde nëpër shekuj e mileniume. Jemi ne, perceptimi dhe perjetimet tona, që i japim ritëm. Një sekondë është vetem një çast fluturak, por një sekondë kur toka lëkundet nën këmbët e tua dhe dhoma të ngjan si kaike në furtunë, përjetohet gjatë, gati-gati si përjetësi e mbushur me frikë e drithërima.

Edhe çastet pas tërmetit mbushur me fatkeqësi e rënkime që vijnë nga poshtë gërmadhave krijojnë një perceptim tjetër për kohën. Pasojnë ditë që, për nga intesiteti i informacionit dhe i përjetimeve, ngjajnë muaj.

Nga ana tjetër intesiteti i përjetimeve bën të të ngjajë sikur çdo gjë lëkundet e thërmohet në çast. Nuk ke kohë të përqendrohesh e të tjerrësh gjatë. Gjithçka vjen e copëzuar si pjesët e një mozaiku. Të copëzuara janë edhe shënimet qe vijojnë.

2. 28 Nëntor 2019, ditë feste e përzishme.Dhimbja për dhjetra vetë (këtë mëngjes arriten 40), që dhanë frymën  e fundit nën gërmadhat e tërmetit, sot vjen e bëhet më e thekshme. Mbase ngaqë jep e merr me gezimin dhe festimet e munguara.

Dhimbja dhe zija janë legjitime, megjithatë janë fare pak dhe s’mund ta zbusin boshllëkun që lë humbja.

E tha dhe poeti, vdes njeriu dhe ne flasim për të si për një gjë të shtrenjtë e të njohur. Por a e njihnim vërtetë, a e dimë si ndihej kur fshinte lotët e dhimbjes a puthte për herë të pare?

Nuk vdes njeriu, shton poeti, vdesin botët brenda tij, botë që s’kemi për t’i njohur kurrë.

Parë kështu çdo vdekje lë boshllëk që vështirë se mbushet.

Zija është njerëzore dhe ka vendin e vet, por bëhet më e çmuar kur na orienton nga jeta dhe na shtyn të hapim sytë e të shohim varfërinë dhe hallet e tjetrit. Jo kur ikën, por sa është gjallë dhe ka nevojë për kujdes e dashuri, për shtet e drejtësi.

3. Ardhja e specialitëve për të nxjerrë të mbeturit nën gërmadha ka ngjallur admirim e shpresë, por edhe diskutime. Vijnë nga Kosova e Serbia, nga Mali i Zi e Turqia, nga Italia, Franca e Rumania, nga Kroacia, Zvicra, Greqia dhe vende të tjera.

Shquajnë për humanizëm, kujdes e profesionalizëm, por janë edhe të mirëpaisur. Këtu merr shkas edhe diskutimi i parë. Pse ekipet tona të shpëtimit, po aq të gatshme dhe ato për të ndihmuar duke rrezikuar edhe jeten e tyre, nuk kanë as paisjet dhe as përvojen e ekipeve të tjera, duke filluar nga vëllezërit kosovarë e duke shkuar te italianët, turqit e francezët?

Politikanët dhe menaxherët tanë nuk e vrasin fort mendjen për nesër, për rreziqe e fatkeqësi që mund të na pllakosin, shohin vetëm sot për sot, thotë njera palë.

Kompleksi i Rozafës na ndjek si nëmë, thotë pala tjetër, ndaj institucionet i kemi prish e ndreq. S’kujdesemi as për vazhdimësi, as për përvojë e paisje. Mentaliteti tribal dhe korrupsioni na shtyjnë të punësojmë e të çpunësojmë dhe t’ia nisim gati nga e para sa herë  ndërron qeverisja. Klima kap ç’të kapësh nuk rrit specialistë e institucione, por militantë dhe tarafe.

Tërmeti shuan armiqësitë, bën bashkë kosovarët dhe serbët, turqit dhe grekët, njoftojnë disa media. Kjo është puna jonë, përgjigjet një specialist serb, bëhemi bashkë në fatkeqsi pavarësisht kombsisë dhe kufijve dhe këtë e bëjme që të ndihmojmë të rrezikuarit, por edhe që të grumbullojmë përvojë e njohuri. Ndryshe do dëmtonim veten.

Dhe ka të drejtë. Do të dilnim më të fituar në se në ligjërimet tona për kombet e patriotizmin do të kishte më pak ndasi e urrejtje dhe më shumë përpjekje për afri e integrime. Urrejtjet vijnë nga e shkuara, afria dhe integrimet shtrojnë rrugën drejt të nesërmes. Kush ecën me vështrimin para synon progresin, ata që e mbajnë kokën pas jo vetëm që ecin më ngadalë, por edhe rrezikojnë të thyejnë qafën.

4. Ka dhenë dorëheqjen kryebashkiakja e Durrësit. Është akt reflektimi e pendese ngaqë, në një prononcim publik deklaroi se ishte e kënaqur që tërmeti shkaktoi vetëm 51 viktima. Vetëkuptohet që kemi të bëjmë me një lapsus.

LEXO EDHE:  Të shtëna pranë zyrës së kryeministrit turk në Stamboll

LEXO EDHE:  Nga Artan FUGA/ Plehraxhiu

E kam thënë në kushte stresi që i tejkalon forcat e mia, shkruan kryebashkiakja dhe ka të drejtë. E folura në publik, por ca më shumë menaxhimi i emergjencave kërkojnë njerëz me përvojë e njohuri.

Ky akt i kryebashkiakes nxjerr më në pah një pyetje përvëluese: nëse ajo për një fjalë goje jep dorëheqjen, ç’duhet të bëjnë biznesmenët që ndërtuan pallate jashtë çdo standarti, mbushën xhepat me para dhe tani bëjnë sehir sikur të ishin duarjashtë?

Dhe më britshëm akoma: ç’duhet të bëjnë pushtetarët e administratorët që dhanë leje ndertimi a legalizuan jashtë çdo kriteri dhe mbyllën sytë për standarde e për siguri, disa të shtyrë nga dallkaukllëku dhe disa nga babëzia?

Mos vallë edhe ndërtuesit shkel e shko, edhe administratorët barkderra duhet të gëzojnë paret e bëra me allishverishe që na kushtojnë jetë, gjak e mund?

Kjo s’është nxitje për hakmarrje e shpagim, por thirrje për drejtësi e për t’i dhënë fund historisë që na ndan në dy grupe: lart një pakicë barkdreqërish dhe poshtë turma fatkeqësh.

5. Marin Mema dhe fondacioni “Rrënjët shqiptare”, me president Marko Kepin, kanë mbledhur 2.1 milionë usd donacione për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti. Arbër Hajdari dhe fondacioni “Fundjavë ndryshe” 1.4 milionë usd, kurse imami Elvis Naçi 558 mijë usd.

Shumat dëshmojnë se këto personalitete të jetës publike kanë bërë për vete mijëra e mijëra njerëz, kanë fituar besimin e tyre, natyrisht me punë të frytshme dhe përkushtim të përditshëm.

Po sikur të dilnin politikanë dhe gjithologë, nga ata që na kanë mbirë nëpër ekranet e televizorëve, dhe t’i drejtoheshin publikut, sa fonde do të mblidhnin?

Mbase po vjen koha për ‘tërmet’ edhe mes figurash publike. Krahas ndërtimesh kallp kemi edhe shumë profetë podiumesh dhe ekranesh. Fatkeqsisht të rremë.

6. ‘ Moti është gri,/ shpirti është gri,/ gri edhe kënga./ Era pa erë,/ buka pa bukë,/ pa zemër zemra.’

Këto vargje të Xhevahir Spahiut më vijnë në mend  kur shoh se  ka gdhirë një ditë e mardhur. Kodra përballë ngjan si e nxjerrë nga peisazhi i një piktori mediokër, nga ata që nuk dinë të operojnë me dritën.

Mes kësaj atmosfere të mardhur e gri sjell ndër mend qindra familje me fëmijë, pleq e të sëmurë që e kanë kaluar natën në çadra mes të ftohtit dhe dhimbjes.

Dhe përfytyroj se të ftohtit fizik s’është gjë krahasuar me acarin që u kërcënon shpirtin.  Pa pritur e pakujtuar kanë parë t’u shemben shtëpitë. Mundi i një jete të tërë është bërë gërmadhë brenda pak çastesh.

Vargu ‘Pa zemër zemra’ më ringjall pështirosjen që kam ndjerë mbrëmë duke parë ekraneve politikanë që përpiqen të bëjnë politikë mes gërmadhave e fatkeqve.

Si s’u nginjën me shfaqje, shtirje, krekosje e karagjosllëqe për vota? Ka qenë kjo babëzi per pushtet që s’i ka lenë të bëjnë shtet e të instalojnë rend, ligj e siguri.

Të përfshirë në luftë të ethshme pushteti, pushtet që konvertohet tak-fak në pasuri për vete a për tarafin politik, i lanë njerëzit të nguleshin e të ndërtonin ku të mundnin, në toka buke e mbi vepra hidrike, mbi rërë a në kenetë, pa pyetur as për shtet e as për ligje të natyrës.

Dhe tani vazhdojnë luftën për vota mes gërmadhave. Bëjnë mirë të ulin kokën dhe të ndihmojnë sa mund të ndihmojnë.

Të gjitha palët e kanë treguar veten, kanë ardhur e ikur nga pushteti disa herë dhe bashkarisht e të gjithë tok e kanë gatuar këtë mynxyrë ambjentale. Asnjera nuk meriton vota, të gjithë e kanë hak shkelmin. ‘Pa zemër zemra’.

LEXO TE PLOTE