Blog
Si ta ribëjmë BE-në

Nga Dacian Ciolos “Politico.eu”
* Bashkimi Evropian, ka ndryshuar formë edhe më herët. Përgjatë gjithë historisë së saj, BE-ja ka evoluar nga një “komunitet i qymyrit dhe çelikut”, në një “bashkësi ekonomike”, dhe në një strukturë më të unifikuar politike të Bashkimit Evropian që njohim sot.
Por shumë shpesh, ky ndryshim ka qenë i pastrukturuar dhe kaotik. Përballë sfidave serioze ekzistenciale, nga ngritja e populizmit të ekstremit të djathtë, dhe deri tek emergjenca klimatike dhe kërcënimet ndaj stabilitetit evropian, unioni duhet të gjejë urgjentisht mënyra të reja për t’u përshtatur, dhe për të ripërtërirë besimin tek vlerat e saj.
Propozimi për mbajtjen e të ashtuquajturës “Konferencë për Ardhmërinë e Evropës”, është një hap kryesor në këtë drejtim. Ideja, e parashtruar nga presidenti francez Emanuel Makron në fillim të këtij viti, dhe e mbështetur nga grupi “Evropa e Përtërirë” në Parlamentin Evropian, është të përmirësojë procesin e vendimmarrjes demokratike në BE, duke i lidhur më mirë prioritetet tona si një bllok, me pritshmërinë e qytetarëve tanë.
Tani që ky propozim ka gjetur mbështetjen e zërave të shumtë në Këshillin Evropian, dhe është bërë më konkret në formën e një dokumenti franko-gjerman, ne duhet të fokusohemi në atë sesi ta bëjmë këtë nismë një histori suksesi.
Ka ardhur koha që t’i hedhim një vështrim kritik gjendjes ku ndodhet sot demokracia jonë evropiane, dhe mënyrës se si i marrim vendimet në nivelin e BE. Ne duhet të rritim urgjentisht përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve tanë, t’i bëjmë më transparente veprimet e BE-së, dhe të rritim aftësinë tonë për të vepruar dhe folur me një zë.
Për të arritur këtë qëllim, Konferenca mbi Ardhmërinë e Evropës, duhet të adresojë disa pyetje të rëndësishme, ku ndër të parat është kjo:Si mund të përfshihen më drejtpërsëdrejti qytetarët evropianë, në emërimin e politikanëve që drejtojnë institucionet e BE-së, dhe në hartimin e politikave të saj?
Mënyra aspak transparente, përmes së cilës u shpërndanë postet kryesore në Bashkimin Evropian pas zgjedhjeve të majit për Parlamentin Evropian, që pati një pjesëmarrje jashtëzakonisht të lartë, me më shumë se 50 përqind të votuesve evropianë, tregoi se kjo është qartazi e nevojshme.
Ne duhet të jemi një herë e mirë të qartë, nëse duam të ndjekim apo jo procesin e “Spitzenkandidat”, apo nëse duhet të ketë një listë të gjerë kandidatësh në zgjedhjet e ardhshme. Ne duhet të pyesim ndërkohë veten:A ka mënyra për të përmirësuar procesin e vendimmarrjes në Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian, në mënyrë që t’i bëjmë ato më transparente, demokratike dhe të kuptueshme për publikun?
Konferenca mbi Evropën e Ardhshme, mund të ndihmojë në adresimin e këtyre pyetjeve, nëse e organizojmë atë sa më shpejt që të jetë e mundur. Për të pasur sukses tij, Parlamenti Evropian duhet ta udhëheqë këtë proces. Ai duhet të përfshijë të gjitha vendet evropiane, çdo institucion evropian, OJQ-të dhe organizatat e qytetarëve, dhe ndoshta më e rëndësishmja, vetë qytetarët.
Nuk ka më kohë për të humbur.
Duhet të diskutohet mbi ndryshime të mundshme të traktateve evropiane. Por ne s’duhet të lejojmë që kjo çështje të shndërrohet në një parakusht, për të përmirësuar mënyrën se si funksionon sot unioni. Ka shumë punë që mund dhe duhet të kryhen brenda kornizave ekzistuese, dhe nuk duhet të vonohemi as në këtë aspekt.
Kjo është një mundësi e rëndësishme për vetë-reflektim, të cilën duhet ta përqafojmë që të gjithë. Zgjedhjet evropiane të majit të këtij viti, na treguan se njerëzit duan që të kenë fjalën tyre në mënyrën e drejtimit të BE-së. Ne duhet ta ruajmë këtë moment pozitiv, dhe të realizojmë reforma të vërteta, që i bëjnë mirë besimit që votuesit kanë tek ne.
Qytetarët evropianë presin një Evropë më të mirë, por edhe një Evropë ndryshe nga e sotmja. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një BE më të fortë, më pjesëmarrëse, dhe që është e gatshme të veprojë. Ne kemi shansin e madh ta çojmë Evropën përpara. Ne duhet ta shfrytëzojmë atë.
Shënim: Dacian Ciolos, është kryetar i grupit parlamentar “Evropa e Përtërirë” në Parlamentin Evropian./ Përshtatur nga CNA.al
Lajme të Rekomanduara:

Jo, SHBA-ja nuk do të ketë unitet me Biden president
Nga Rich Lowry “National Riview” Fjalimet e Ceremonive të Përurimit presidencial, synojnë të jenë frymëzuese. Ndaj presidenti Joe Biden, mund të ketë qenë disi frymëzues...

Ankthi është i lidhur me pirjen e duhanit, arsyeja mbetet ende e mjegullt
Në këto kohë stresuese të pandemisë, ekspertët e shëndetit kanë më shumë arsye t’i kthehen sërish lidhjes midis ankthit dhe pirjes së duhanit:A i bën...