LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

160 vullnetarë të Kryqit të Kuq Shqiptar, pranë njerëzve të prekur nga tërmeti

27 Nëntor 2019, 11:38, Sociale CNA
160 vullnetarë të Kryqit të Kuq Shqiptar, pranë

Kryqi i Kuq Shqiptar ka qenë prezent në terren duke monitoruar nga afër situatën dhe vlerësuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter, që goditi vendin tonë mëngjesin e së martës, 26 nëntor 2019, por dhe duke mbështetur popullsinë e prekur.

Degët e Kryqit të Kuq (KK) të zonave më të prekura përkatësisht ajo e Durrësit, Tiranës, Krujës (Thumanë), Lezhës dhe Laçit mobilizuan ekipet e tyre të vullnetarëve për raste katastrofash. Janë rreth 160 vullnetarë të gatshëm për të vepruar në situatën e krijuar, duke ofruar ndihmë të parë dhe mbështetje psikologjike për familjet e prekura.

Në Zonën e Thumanës, një ekip nga selia dhe dega e KK Krujë po ofrojnë ujë dhe ushqime për fëmijët dhe mbështetje psikosociale.

Në Durrës, Qendra Sociale e Degës së KK Durrës është e hapur 24 orë duke ofruar pije të nxehta, ujë, por dhe ushqim të ngrohtë për personat e prekur nga tërmeti, për më tepër që një nga godinat e shembura është pranë kësaj qendre.

Vullnetarët e Degës së KK Durrës janë vendosur gjithashtu në stadiumin e qytetit, atje ku është duke u ngritur nga strukturat qeveritare një kamp me tenda për të gjithë qytetarët që e kanë të pamundur të kalojnë natën në shtëpi, numri i të cilëve deri në orën 16:00 ka qenë mbi 300.

Vullnetarët e degës së KK Tiranë dhe Durrës kanë qëndruar gjithashtu pranë qendrave të traumës në spitalet respektive për të ndihmuar të plagosurit dhe familjet e tyre me ndihmë të parë dhe me mbështetje psikosociale.

Në bashkëpunim me institucionet vendore dhe qendrore shtetërore, Kryqi i Kuq Shqiptar po përgatitet për një mbështetje afatmesme dhe afatgjatë për familjet e prekura nga kjo katastrofë./ATSH

Lajmet e fundit nga